Riza Lahi
Befas, sytë plot mirësi të Bashkim Malajt, m’u ngulën sikur do të më paralizonin. Me vështrimin si të atij gjuetarit që nuk do të humbë shënjestrën, fshiu për një moment djersën mbi ballë dhe nisi të kryente disa veprime poshtë tavolinës. Sakaq, heshtjen e thellë e theu një zë i bukur, i lirshëm e intim. E njoha që me shqiptimin e parë. Ishte zëri i Vangjel Çondit.Prokurori nxori mbi tavolinë celularin dhe vazhduam ta dëgjonim të dy. Zëri i incizuar deri në çastet para zhytjes fatale në det, tregonte burrëri dhe besim të plotë për realizimin e fluturimit. “E kam ruajtur si kujtim të njërës nga çështjet më të ndërlikuara që kam ndjekur gjatë karrierës sime”, shqiptoi Malaj dhe u rehatua në karrigen përballë, ndërsa kamerierja kishte shtangur.
Prokurori Bashkim Malaj, djal i një familje mallakastriote, jurist prej njëzet vitesh, prokuror në zonat problematike të Tiranës dhe Krujës, ka qenë njeriu më i informuar rreth katastrofës së 16 korrikut ‘06. Disa herë i kisha kërkuar të më fliste për të, po nuk kishte pranuar duke më përcjellë me togfjalëshin “kur t’i vijë koha”. Takimin e kisha vlerësuar si një rast fatlum për të sqaruar plot pandehma, hamendje dhe hipoteza të ndryshme që qarkullonin midis njerëzve të thjeshtë, por edhe në radhët e profesionistëve të fluturimit.
Së pari më duhej të bindesha, nëse kishte pasur presione nga ndokush gjatë shqyrtimit të çështjes dhe të dëgjoja nga goja e tij argumentet që përjashtonin arsyen e një eksplozioni natën e katastrofës. Konkluzioni zyrtar shprehej se ata kishin rënë viktima të rrymave vertikale ajrore, gjë që mjaft pilotë, kolegë të Vangjelit, nuk e besonin. Po prokurori, vallë, përse ta kishte mbyllur çështjen; mbi çfarë arsyetimesh? Pse i ishte mbushur mendja që nuk kishte qenë gabim njerëzor? Ca më tepër që atë ditë ekuipazhi i helikopterit qeveritar kishin pasur dhe fluturime të tjera ditën. Po mjekët, çfarë kishin shkruar në epikrizën e liderit të dhjetorit? A ishte i prerë vendimi i tyre për ta transportuar në Itali? E përballonte organizmi i Pashkos në gjendje aq të rënduar një udhëtim në ajër? Tjetër. Kush kishte folur atë natë me celular nga bodri i helikopterit? Me kë dhe çfarë mesazhi kishte transmetuar? Dhe së fundi, si kishte mundësi që një çështje kaq e rëndësishme i ishte besuar vetëm një njeriu? Më në fund, Bashkim Malaj ka vendosur të më flasë. Si fut në sirtar të tavolinës aparatin e celularit me zërin e Vangjel Çondit, fillon të rrëfejë...
Rruga për tek e vërteta e tragjedisë
“Në orën 22:17, Vangjel Çondi ka folur në radio për herën e fundit. Ka qenë në merak të njoftohej Italia se nuk mund të ulej në spitalin e Barit, pasi nuk e dinte me saktësi ku ishte, por në aeroportin e tij. Nuk ka shprehur asnjë shqetësim tjetër. Gjatë komunikimit me radio nuk ka shqiptuar asgjë alarmante për gjendjen e të sëmurit. Duket shumë i qetë në tërë kontaktet e realizuara me radio. Pas një minute, në 22:18 helikopteri është zhdukur nga radari. Pas dy minutave, në 22:20 është nisur emergjenca për të shpëtuar pjesëtarët në bord. Pra, vetëm katër minuta, gjatë të cilëve ka ndodhur raportimi i qetë, ka ngjarë zhdukja nga radari dhe kërkimi për të shpëtuar jetët e tyre.
Janë verifikuar bisedat telefonike, të realizuara atë natë nga pjesëtarët e ekuipazhit dhe të pranishmit e tjerë në bordin e helikopterit. Që nga ora 21:57, deri në çastin që helikopteri ka humbur nga radari, ka pasur vetëm dy biseda nga numri 0682403496, që i përkiste Vangjel Çondit. Ky numër ka komunikuar me numrat 0692166966 dhe 0692446863, përkatësisht me kolegët e tij të fluturimit, Demush Hebën dhe Qemal Konin. Ka folur me ta, pasi ka marrë detyrën e fluturimit, të cilën ja ka komunikuar komandanti i Gardës së Republikës. Nga ky moment nuk ka pasur asnjë bisedë tjetër. Pra, askush nuk ka folur në celular, në ajër, nga njerëzit që vdiqën atë natë… Shoferi që atë natë ka çuar Vangjel Çondin në heliodrom, në Laprakë, ka dëshmuar se ai ka bërë vetëm dy telefonata me kolegët e tij dhe një të tretë me një tjetër person, të cilit i thoshte; që, tek vendi ku do të ulej helikopteri, të merreshin masa për ndriçim...
Kemi pasur fillimisht disa pista hetimi: Eksplozion, djegie, defekt teknik, probleme me karburantin. etj. Ideja e shpërthimit u përjashtua pas analizave laboratorike nga specialistët më të mirë të fragmenteve të helikopterit të nxjerra nga deti. Hetuam pastaj çështjet e teknikës. Komisioni i posaçëm, pas verifikimeve specifike, e përjashtoi dhe këtë mundësi. Çfarë konkluduan specialistët? “Pas riparimit të fundit që Bell-i kishte bërë në Gjermani, u shprehën ata, është absolute të dyshosh për një defekt teknik. Shërbimi aty presupozon se i janë kryer të gjitha punimet e duhura, janë bërë mandej provat teknike dhe ka rezultuar gjithçka në rregull. Sakaq, pas kthimit nga riparimi, helikopteri ka bërë 13 fluturime të tjera me personalitete shtetërore dhe në asnjë rast nuk janë konstatuar defekte. Afati kohor i riparimit të helikopterit, sipas manualeve të shërbimit, është një vit ose 600 orë fluturimi”. Edhe mundësia e shpërthimit të bombulës së gazit, ka qenë e pamundur.. Bombula mbante 200 atmosferë...Në bazë të dokumenteve të administruara, rezulton se pilotët dhe inxhinieri kanë qenë tepër të rregullt, korrekt në kryerjen e detyrave e në pasqyrimin e të gjitha fluturimeve me pikë e me presje..Vangjel Çondi dhe Demush Heba asnjë herë nuk janë ngritur për fluturim pa bërë shënimet në “Librin e përgatitjes për fluturim”, me përjashtim të një rasti të vetëm. Të rastit të fundit, që ishte shumë emergjent. Hetimet intensive përjashtuan zjarrin në ajër, cilësinë e karburantit, efektin celular e deri gabimin njerëzor. Kjo, sepse atje nuk ishte një pilot, por tre burra shumë të kualifikuar; që të tre miq të vjetër dhe që kishin një atmosferë shumë miqësore me njëri-tjetrin. Veç kësaj, rënia ka ngjarë fill pas disa sekondave, pasi ka ndodhur raportimi i fundit i pilotit, i cili është shprehur krejt i qetë dhe me të vetmin merak, uljen në aeroportin e Barit, por jo në oborrin e spitalit...
Fluturimin natën e kërkuan mjekët
Pashko ka qenë duke pushuar, në bregdetin e Himarës në jug të vendit, kur gjatë një shëtitjeje, ka rrëshqitur, ka rënë mbi shkëmbinj dhe më pas ka përfunduar në ujë, ku është gjetur më vonë pa ndjenja. Dëshmitarët thonë se Pashko në fillim është goditur në fytyrë mbi shkëmbinj dhe më pas ka humbur të gjitha forcat për të pasur mundësi që t’i shpëtonte mbytjes në ujë.
Një helikopter i Ministrisë së Shëndetësisë ka bërë transportin drejt Tiranës. Në spital kanë mbërritur Kryeministri Sali Berisha, Ministri i Shëndetësisë Maksim Cikuli, Ministri i Ekonomisë Genc Ruli, etj. Në analizën e menjëhershme, është konkluduar prognoza e mjekimit. Ja, çfarë është shkruar në dokumentin e stafit të bluzave të bardha: “Në këto kushte, ekipi mjekësor i përbërë nga Shefi i Reanimacionit Ilir Ohri, mjekët Adriatik Kozeli, Elina Çobani, Alfred Ibrahimi, Aleksandër Baloi, Doktor Mentor Petrela dhe Maksim Cikuli, duke qenë i pranishëm edhe Kryeministri Berisha, familjarët e pacientit, bashkëshortja e kunati i tij, Ruli, vendosën që të trajtohej për kurim më të specializuar, jashtë shtetit dhe pikërisht, në spitalin e qytetit të Barit, Itali”. Në një tjetër dokument që mban firmat e të dy mjekëve ligjorë, Prof. Dr. Bardhyl Çipi dhe Dr. Shkencave Arben Lloja, thuhet shprehimisht: “Në gjendjen klinike që paraqitet shtetasi Gramoz Pashko, në komë (pa shenja të kontuzionit të trurit) dhe me sidromin e mbytjes, por me parametra hemodinamike e pulmonare të stabilizuara, dërgimi i tij jashtë shtetit për ndihmë mjekësore urgjente sa më të kualifikuar, është i justifikuar”.
Zyrtare: Shkaqet e aksidentit
Pavarësisht si trajtohet, çështja e tragjedisë së helikopterit qeveritar, është hetuar me seriozitetin maksimal dhe është dokumentuar deri në imtësi. Në vendimin për pushimin e çështjes për procedimin penal nr. 2553, ku zyrtarizohen përfundimisht shkaqet e tragjedisë së 16 korrikut 2006, ndër të tjera, theksohet: Helikopteri Bell – 222 UT i Gardës së Republikës, ka rënë në ujë dhe është zhytur nën ujë me motorra të ndezur dhe në gjendje pune, si dhe të gjitha dëmtimet e para e ato të mëvonshme, mund të kenë ardhur nga përplasja me sipërfaqen e ujërave të detit, duke u zhytur në thellësi. Dëmtimet në kutitë e ingranazheve kanë ardhur nga reaksionet kimike, mbi bazën e llojit të materialit të kutive, prezencës së vajit të lubrifikimit, nxehtësisë së vajit dhe trupit metalik të kutijave gjatë punës, kontaktit të menjëhershëm të tyre me ujët e detit dhe përbërësit kimikë të këtij uji. Shkaku i rënies së helikopterit, si në këndin vertikal, ashtu edhe në atë horizontal, mund të ketë ndodhur si rezultat i një veprimi të menjëhershëm atmosferik, si lëvizje ajri e fuqishme vertikale (Turbolenca ajrore të fuqishme vertikale)…Ky konkluzion është nxjerrë edhe mbi bazën e metodës shkencore të përjashtimit të fenomeneve të tjera të ndryshme, si shpërthim, djegie, defekt teknik, gabim njerëzor, etj”
Precedentët e tjerë
Raste të tilla, siç dëshmuan specialistët më në zë të aviacionit ka pasur disa. Piloti Cen Cenaj: “Fenomenet metereologjike nga bregu në mes të detit ndryshojnë; nganjëherë në mënyrë të theksuar dhe të paparashikuar. Kam ndeshur disa herë në kësi rrymash, kur në breg ka qenë qetë. Pavarësisht që nuk kanë qenë rryma të forta, kam ndeshur në mjergulla, në re të ulta”. Piloti Osman Kushta: “Në mesgushtin e vitit 2004 do fluturonim për në Bari të Italisë. Në bord kishim një fëmijë të sëmurë. Morëm të dhënat metereologjike, në qendrën e Brindizit, rreth 60 km nga Bari, ku ishte destinacioni i fundit. Pasi na u konfirmuan normale u nisëm. Dolëm mbi Adriatik në derdhjen e Semanit. Sa përshkruam 38 kilometra, pikasëm retë e para dhe humbën lartësi.
Retë përballë po shtoheshin dhe ishin gjithnjë dhe më ulët. Vazhduam duke humbur lartësi. Arritëm të uleshim deri 20 – 30 metro mbi ujërat e detit. Nisi shi dhe breshër. Dallgët ishin aq të larta, sa dukej sikur ngriheshin drejt nesh për të na përpirë. Përsipër – re të ngarkuara me breshër dhe shi.
Për çaste të tëra kemi lundruar nëpër atë ajër si nëpër skëterrë. Kur, çuditërisht retë nisën të davariteshin, të hapeshin, breshëri reshti i pari e më pas shiu dhe, ja ku u duk qielli. Kur arritëm në bregun tjetër, pamë njerëzit që bënin banjë dielli. Po të ishte ky fluturim natën, si në rastin e Vangjos, vallë do konstatoheshin retë e ngarkuara me breshër dhe shi? Sipas literaturës, futja mes reve shtëllungore të bardha, për shembull, ka rezultuar deri në deformimin e aeroplanëve që kanë hyrë qëllimisht mes tyre për të eksperimentuar pikërisht ç’fshehin në “perandorinë” e vet retë, ngarkuar në barkun e tyre me breshër, shi dhe dëborë?
“Treshja” e helikopterit presidencial
Aviatorët Qemal Koni, Demush Hebaj dhe Vangjel Çondi, respektivisht nga Maminasi, Kopliku dhe Saranda, ishin treshja e aviatorëve të helikopterit qeveritar. Të tre, para se të kishin një vdekje të përbashkët, patën një karrierë të njëjtë. Ata ishin miq të vjetër me njëri-tjetrin dhe profesionistë nga më të mirët e aviacionit shqiptar. Ekuipazhi i tyre ka kryer papushim detyra me përgjegjësi shtetërore dhe profesionale, brenda dhe jashtë atdheut; gjithmonë me një performancë të shkëlqyer. Inxhinier Qemal Koni, i diplomuar si i tillë në Universitetin e Tiranës, fillimisht e ushtroi profesionin në regjimentin e helikopterëve të Farkës e më pas, për disa vjet në “Skuadrilen e Transportit – Laprakë”. Demush Hebaj, pjesën më të madhe të karrierës si fluturues e ka në regjimentin e Farkës, ku ka kryer detyra të llojeve të ndryshme, e shpesh me shkallë të lartë vështirësie. I përzgjedhur mes armatës së pilotëve luftarakë, për profesionalizëm e përkushtim të lartë, vitet e fundit ishte pjesë e ekuipazhit të avionit qeveritar. Që të tre vepronin si një trup i vetëm, me besim absolut te njëri-tjetri dhe mbi të gjitha, me devocion shembullor për kryerjen e detyrave ajrore. Natën e tragjedisë, Demush Hebaj, u kthye nga rruga ku ishte nisur për të përkujtuar një-vjetorin e vdekjes së të vëllait, vetëm në interes të detyrës që do të kryente treshja e tyre e mrekullueshme natën e katastrofës.
Një natë mysafir te nëna e Vangjel Çondit
Nëna e Vangjel Çondit po afrohej. Ishte mbi një karrocë. Qe mbledhur kruspull, si një zog i madh që përton të lëvizë nga foleja e vet njëqindvjeçare. Ishte hera e parë që shkoja mysafir në shtëpinë e saj në Sarandë.
-Mama, ky është një shoku i Vangos! - më prezantoi Mihali, njëri nga djemtë e saj. Ajo përqendroi shikimin mbi mua dhe ngadalë mbi fytyrën e saj zbritën lot. „Humba djalin, ma përpiu deti!” Lëshoi një zë të ngashëryer me një tingull të dhimbshëm dhe më shtriu dorën e saj të rreshkur, si një gjethe e thatë vjeshte. Pastaj u mundua të mbledhë vetën dhe filloi të tregojë për fëmijërinë e të birit që nuk jeton. “Ishte i dashur e zemërbardhë, Vangjua i nënës!”, - shton sakaq duke u kthyer nga Jorgua, djali tjetër. Për një çast vë buzën në gaz. Hera e parë që e shoh të buzëqeshë. Jorgua i sulet ta puthë. Të njëjtën gjë bën dhe vëllai tjetër, Dhimitri. Një moment rrinë ashtu, në krahë të njëri-tjetrit. Të gjithë bashkë. Mungon Vangjua. Ka qenë ky oazi më i dashur i tij. Më kujtohet kur mori për herë të parë një strehëz në Tiranë. Lumturohej, sidomos kur i vinin prindërit aty. Një dhomë e vogël prej qerpiçi tek “Ali Demi”. I zoti i saj, e kishte emrin Rremë. Mblidheshin mbrëmjeve shokët e tij, djemtë me uniformë, këndonin, flisnin me zë të lartë, qeshnin... I ftonte Vangjua me bujari. “Ejani, te kasollja e Rremës”, - u thoshte me shpoti...”
-”Iku shpejt i miri i nënës!”, - flet si me vete plaka e shtëpisë.
Aty për aty, futet në bisedë Mihali, duke kujtuar takimin e fundit. “- Ishte gushti i vitit 2003, kujton ai, i kërkuam Vangos të vinte në Sarandë për të shoqëruar avionin e mjekësisë, se kishim shumë rëndë nipin tonë, Marielin, por kushtet e motit nuk e lejonin. Qielli nxinte, shikimi ishte shumë i kufizuar. Më telefonoi në celular. “Si më këshillon, të nisem?” E kuptova gjendjen e tij të dyzuar. Me sa dukej ishte një udhëtim i rrezikshëm. “Jo, mos u nis”, - i thashë. Erdhi të nesërmen. Te kafe “Qesari” u takuam. Nuk më shkonte në mendje se ishte takimi i fundit. Ishte bashkë me Demushin. Si u përqafua me mamanë, u çua në ajër...”
-Atë ditë e putha për herë të fundit, kujtohet nëna e Vangjos dhe rimbushet në ngashërime.
No comments:
Post a Comment