Saturday, January 15, 2011

Mesazhi i Fyhrerit, që i drejtoi popullit gjerman për t’i njoftuar luftën e filluar kundër Rusisë

NGA ALBERT KOTINI
(Berlin 22 qershor 1941- Gazeta “Tomori”, e martë 24 qershor 1941)



• Cenimi i hapur rus kundër paktë ve ndërkombëtare

• Përgjegjësia ruse në organizimin e komplotit jugosllav

• Intrigat sovjetike kundër Gjermanisë

• Durimi i deritanishëm i Boshtit

Lajmi që fuqitë e armatosura të Gjermanisë, në bashkëpunim me ushtritë finlandeze dhe rumune, kapërcyen këtë mëngjes kufijtë rusë, u mësua me kënaqësi nga populli i Gjermanisë. Lufta kundër Rusisë bolshevike është padyshim lufta më popullore që Gjermania nacional-socialiste mund të bënte. Që nga orët e para të mëngjesit, një turmë e madhe u grumbullua përpara Wilhelmstrasse, duke brohoritur për ushtrinë dhe aviacionin, jo vetëm për interesin gjerman, por për interesin e Evropës. Lajmi i vendimit historik u dha sot në mëngjes nga radioja berlineze, prej ministrit të Propagandës, doktor Gebels, i cili lexoi shpalljen e Fyhrerit për popullin gjerman.

Shpallja e Hitlerit

Shpallja e Hitlerit fillon duke kujtuar se Britania e Madhe, kur i dërgoi Berlinit shpalljen e luftës, përsëriti akoma edhe një herë qëllimin anglez që të ndalonte forcimin dhe ringjalljen e Evropës. Në fakt, propaganda angleze falsifikonte të vërtetën duke thënë se Gjermania kërcënonte disa popuj dhe u jepte këtyre përkrahjen e saj, për t’i lidhur me qerren e saj kundër Gjermanisë. Me këtë mënyrë Britania e Madhe, midis majit dhe gushtit 1939, i lëshoi botës sigurimin se Lituania, Estonia, Letonia, Finlanda, Besarabia dhe Ukraina, kërcënoheshin nga Rajhu. Një pjesë nga këto shtete u la të gabohej. Përkundrazi, kësaj gjendjeje Fyhreri u shtrëngua që t’i përgjigjet, duke u përgjigjur që të qetësonte fuqinë më të fortë lindore me deklaratën që parashikonte respektimin e sferës reciproke të interesave. Pasojat e traktatit që u lidhën në interesin e popullit gjerman, midis Gjermanisë dhe Rusisë, kanë qenë të rënda për banorët gjermanë në vendet e sipërme. Më shumë se 4 milionë gjermanë i shtrënguan që të lënë shtëpitë e tyre për të shpëtuar nga regjimi sovjetik që i kërcënonte me mizerje më të madhe dhe me shfarosjen e plotë. Me mijëra gjermanë u zhdukën dhe ka qenë e pamundur që të merreshin për ta informata mbi fatin e tyre. Me gjithë këto, vëren Fyhreri, heshta, sepse ishte dëshira ime që të arrija në një paqësim definitiv dhe në një marrëveshje të plotë me Rusinë. Pasi mbaroi fushata jonë në Poloni, kryetarët sovjetikë krejt papritmas pretenduan në kundërshtim me marrëveshjet, Lituaninë.

Seri pretendimesh pa vend

Dhe kjo nuk ishte gjë tjetër, veçse fillimi i spekulimeve të dobëta që do të vazhdonin në kohën e ardhme. Pas fitores së Polonisë, që u arrit vetëm me ushtritë gjermanë, Anglia nuk e pranoi ofertën tonë për paqe, sepse shpresonte akoma në një mobilizim kundër Gjermanisë nga ana a bashkimit ballkanik dhe e sovjetëve. Marrëdhëniet midis Londrës dhe Moskës vazhduan edhe kur shtypi londinez u këshillua për arsye taktike që të heshtë. Në vjeshtën e vitit 1939, dhe në pranverën e vitit 1940, u shfaqën në të vërtetë, thotë shpallja, pasojat e para të politikës së ryshfeteve, që u inaugurua nga Rusia me aneksimin e Lituanisë. U shënua sulmi kundër Finlandës dhe shteteve baltike, me pretendimin e gënjeshtërt se do të mbronin këto shtete nga kërcënime të huaja. Aluzioni për Gjermaninë ishte i qartë.

Rusia grumbullon ushtri në kufijtë gjermanë

“Akoma edhe një herë, - deklaron Hitleri, - u detyrova të heshtja. Por qeveritarët e Kremlinit shkuan më tutje. Ndërsa Gjermania në pranverën e 1940, tërhiqte fuqitë e saj nga kufiri lindor, nga ana e Rusisë, grumbulloheshin trupa në një sasi që duhej të interpretohej një kërcenim kundër Gjermanisë. Vetë Molotovi, në shkurt të vitit 1940, pohoi se “në shtetet baltike gjendeshin 22 divizione ruse”. “Pas thyerjes se frontit britanik - vazhdon Hitleri, - grumbullimi rus në kufijtë lindorë vazhdoi me kërcënues. Duke filluar nga gushti 1940, e gjeta të nevojshme që Gjermania, nuk mund të mbetej përherë indiferente kundrejt grumbullimeve gjiganteske forcash ruse. Por në këtë mënyrë, realizohej qëllimi që ndiqej nga anglo-rusët, d.m.th të paralizohej një grumbull i madh forcash gjermane në lindje, në mënyrë që ta bënte të pamundur në komandën gjermane të arrinte në një përfundim rrënjësor të luftës. Sulmi rus kundër Rumanisë drejtohej për të vënë në dorë baza me rëndësi ekonomike jo vetëm gjermane, por edhe evropiane. Dhe ky gjest rus në lidhje edhe me aleancën anglo-greke, kërcënonte që të transferonte edhe në tokën rumune luftën”. “Për hir të paqes, - shton Hitleri - Gjermania e këshilloi qeverinë e atëhershme të Rumanisë që të cedontë në presionin rus. Por Gjermania i dha Rumanisë garancinë se nuk do të sulmohej më në tërësinë e saj tokësore. Dhe, kur Gjermania jep një garanci, di dhe t’i përgjigjet. Për të arritur përfundimisht në zgjidhjen e këtyre problemeve dhe në kthjelltësimin e qëndrimit rus kundrejt Gjermanisë, u dërgua në Berlin ministri i jashtëm rus”.

Kërkesat e Molotovit

Molotovi bëri këto kërkesa. Pyetja e parë e Molotovit: Garancia gjermane për Rumaninë, në rast sulmi rus kundër Rumanisë, kishte për t’u dhënë edhe kundër Rusisë? Përgjigjja e Fyhrerit: Garancia gjermanë është një garanci e përgjithshme që na detyron në mënyrë absolute. Por Rusia nuk ka deklaruar kurrë që ka në Rumani interesa, përveç atyre që ka deklaruar. Kërkesa e dytë e Molotovit: Rusia e ndien veten përsëri të kërcënuar nga Finlanda dhe është e vendosur që të mos tolerojë më. Do të ishte e gatshme Gjermania, që të mos i japë ndihmë Finlandës, dhe sidomos dhe të tërheqë menjëherë trupat gjermane që kishin shkuar atje dhe të drejtuara për në veri? Përgjigjja e Hitlerit: Gjermania s’ka në Finlandë, asnjë interes politik, siç nuk kishte edhe më parë. Por lufta e re e Rusisë kundër popullit të vogël finlandez nuk mund të linte indiferente qeverinë e Gjermanisë. Ne, nuk duam absolutisht që Baltiku të bëhet edhe një herë zonë lufte. Pyetja e tretë e Molotovit: Do të jepte pëlqimin Gjermania që Rusia nga ana e saj t’i japë garanci Bullgarisë, duke dërguar për këtë qëllim edhe ushtri, dhe Rusia të deklarojë se nuk do të përfitojë nga rasti për të shfronësuar mbretin? Përgjigjja e Fyhrerit: Bullgaria është një shtet sovran dhe nuk më rezulton që Bullgaria të ketë lutur Rusinë, që të japë garancia, siç bëri aso kohe Rumania me Gjermaninë. Pyetja e katërt e Molotovit: Rusia ka nevojë absolutë që të kalojë përmes Dardaneleve dhe për sigurimin e saj kërkon edhe pushtimin e disa bazave me rëndësi të Dardaneleve dhe të Bosforit. Gjermania a do të ishte e disponuar që të pranonte këto kërkesa? Përgjigjja e Hitlerit: Gjermania është gati në çdo rast, me gjykimin e saj të mirë, që të garantojë një rishikim të statutit të Montreux, në favor të shteteve të Detit të Zi, por nuk është e disponuar që të japë aprovimin e saj në vënien këmbë të Rusisë në vende mbështetëse në të Ngushtat.

Qëllimet ruse kundër Gjermanisë

Kundrejt këtyre sendeve unë mora atë qëndrim që, si kryetar përgjegjës i rajhut gjerman dhe si përfaqësues i ndërgjegjshëm i qytetërimit evropian, mund të merrja. Si pasojë e këtij qëndrimi ka qenë dendësimi i veprimtarisë ruse drejtuar Gjermanisë; propaganda për të mënjanuar qeverinë bullgare, ndihma në elementë të papërgjegjshëm të legjionit rumun me qëllim që të përmbystë me një kryengritje “kondukatorin”, gjeneralin Antonesku dhe të krijonte në Rumani kaosin duke shkatërruar ose mënjanuar fuqinë legjionare. Përsëri edhe një herë u detyrova që t’i vija re të gjitha në heshtje. Pastaj erdhi dendësimi i mëpastajshëm i grumbullimeve të trupave sovjetike në ballin lindor gjerman me kërcënimin e natyrshëm të shtetit gjerman.

Komploti jugosllav

Ushtria dhe populli gjerman, - tha në këtë pikë Hitleri, - dinë se pak javë më parë nuk gjendej në ballin tonë asnjë divizion i motorizuar gjerman. Por, po të kishte munguar një konfirmim i mëpastajshëm i bashkëpunimit që u arrit në këtë kohë me të gjitha mënyrat e ndryshme për ta mbuluar, midis Anglisë edhe Rusisë, komploti jugosllav e dha këtë provë. Ndërsa unë vazhdoja, - thotë tekstualisht shpallja e Hitlerit, - në një përpjeke të mëpastajshme për të paqësuar ballkanët, me bashkëpunimin e urtë të Duçes, dhe kisha ftuar Jugosllavinë për të aderuar në paktin trepalësh, Rusia organizoi në bashkëpunim me Anglinë një kryengritje që mënjanonte në një natë qeverinë legale që ishte gati për ta pranuar. Sot mund t’i thuhet popullit gjerman: grushti i shtetit serb kundër Gjermanisë nuk ishte ekskluzivisht i organizuar nga anglezët, por esencialisht nga sovjetët. Meqenëse edhe këtu na imponohej heshtja, drejtuesit sovjetikë bënë një hap tjetër përpara. Ata jo vetëm që organizuan grushtin e shtetit, por pak ditë më vonë përfunduan me njerëzit e qeverisë së re një pakt miqësie, që kishte për qëllim të forconte tek serbët vullnetin e qëndresës kundër paqësimit të ballkanëve dhe veprën e ngacmimit kundër Gjermanisë.

Nuk ishte qëllim platonik

Ky veprim nuk ishte aspak një qëllim platonik i Moskës, por përveç mobilizimit të ushtrisë serbe dhe i propagandës antigjermane, drejtuesit e Kremlinit, bënë një hap tjetër përpara. Për të shtytur definitivisht Serbinë në konflikt - siç vërtetohet nga dokumentet që kemi në dorë - ata i jepnin përmes portit të Selanikut armë, municione dhe lëndë tjetër luftarake për t’u përdorur kundër Gjermanisë. Kjo gjë ngjante po në atë periudhë kohe kur unë këshilloja ministrin e Jashtëm japonez, Matsuoka, që të arrihej në një pajtim të marrëdhënieve ruso-japoneze, përherë me shpresën që t’i shërbeja paqes. Vetëm hyrja e shpejtë e divizioneve tona të pakrahasueshme në Shkup, dhe marrja e Selanikut, ndaluan që të realizoheshin qëllimet e kundërsulmit anglo-rus. Oficerët e armës ajrore serbe ikën në Rusi, ku u pritën si aleatë. Fitorja e Boshtit në Ballkan bëri që të falimentonte plani për të shtrënguar Gjermaninë, që të vazhdonte për kohë të gjatë një ndeshje në juglindjen evropiane. Kjo gjë do t’i lejonte Rusisë që të kryente bashkimin e ushtrive të saj me Anglinë, për të sulmuar dhe mundur rajhun gjerman dhe Italinë. Me këtë gjë Moska jo vetëm cenoi konvencionet e paktit tonë të miqësisë, por i tradhtoi në mënyrë të dobët dhe kjo gjë bëhej kur drejtuesit e Kremlinit shprehnin hipokritisht gjer në çastin e fundit ndjenja miqësie dhe paqeje si në rastin e Polonisë dhe të Rumanisë duke botuar përgënjeshtrime në dukje të padjallëzuara.

Tradhtia e Moskës

Nëse gjer sot rrethanat na kanë shtrënguar për hir të heshtjes, tani arriti çasti në të cilin një qëndrim as kështu e as ashtu, do të kishte kuptimin jo vetëm e një lënieje pas dore të rrezikshme, por edhe të një delikti kundër popullit gjerman dhe kundrejt të gjithë Evropës. Në kufijtë tanë sot janë 160 divizione ruse dhe jo vetëm në veri, por mblidhen të tjera ushtri edhe kundër Rumanisë. Kanë filluar me kohë aviatorët rusë që të mos kishin gajle për ushtritë tona, sikur ishin zot të tokës sonë. Natën duke u gdhirë dita e 18 qershorit, patrullat ruse kaluan përsëri kufirin e Rajhut dhe u zbythën vetëm pasi u shkrepën shumë pushkë. Prandaj arriti ora për të cilën është e nevojshme që t’u bëjmë ballë këtyre komploteve, jahudo-anglo-saksone në bashkëpunim me drejtuesit gjithashtu jahudinje të qendrës bolshevike të Moskës. Popull gjerman! Në këtë çast, bëhet një shtjellim që për gjerësi dhe entitet është më i madhi që bota ka parë deri tani. Së bashku me shokët finlandezë, ushtarët e “fituesit e Narwikut” janë duke arritur në zonën e detit Arktik. Divizionet gjermane nën komandën e “zaptuesit të Norvegjisë” mbrojnë tokën finlandeze së bashku me luftëtarët për liri të Finlandës nën komandën e mareshalit të tyre; në ballin lindor janë rreshtuar kompakt dhe të armatosur mbrojtësit e Gjermanisë; në buzën e Prutit, gjatë kalimit të poshtëm të Danubit gjer në buzën e Deti të Zi, nën komandën e kryetarit të shtetit, Antonesku, janë përmbledhur ushtarë gjermanë dhe rumunë. Qëllimi i këtyre balleve nuk është më mbrojtja e shteteve të veçanta, por sigurimi i Evropës dhe shpëtimi i përbashkët. Sot, pra, vendosa që të vë fatin dhe të ardhmen e Rajhut dhe të popullit në duart e ushtarëve tanë. Dashtë Perëndia që të na ndihmojë më shumë se kurrë në këtë ndeshje!



Adolf Hitler

*Dredhirat dhe qëllimet e errëta të Rusisë në notën e qeverisë gjermane që iu dha Moskës.

(Përmbajtja iu komunikua shtypit nga Ribbentrop – Berlin 22 qershor 1941)

Ndërsa ministri Gebels lexonte mesazhin e Fyhrerit në radio, përfaqësuesit e shtypit gjerman dhe të jashtëm thirreshin në Ministrinë e Jashtme. Qëllimi i mbledhjes ishte që t’u transmetohej teksti i notës që iu paraqit natën e kaluar nga ministri i Jashtëm Von Ribbentrop, ambasadorit sovjetik në Berlin. Nota u lexua vetë nga Von Ribbentropi, në prani të sekretarit të shtetit për punët e jashtme, Von Veissaecker e të tjerë personalitete.

Nota e Ribbentropit në Moskë

Nota kujton se kur qeveria e Rajhut iu drejtua qeverisë së Moskës gjatë verës së vitit 1939, duke synuar për të pasur një ujdi të interesave midis Gjermanisë dhe Rusisë, dihej se barra ishte e rëndë, po të merreshin parasysh ndryshimet e parimeve politike dhe të ideologjive respektive. Qeveria e Rajhut u la të udhëhiqej nga mendimi se pas një marrëveshjeje mënjanohej një luftë dhe do të kënaqeshin nevojat reale të të dy popujve dhe kjo gjë do të jepte garancinë më të mirë kundër përhapjes në Evropë të doktrinave të hebraizmit ndërkombëtar. Kështu, pra, u arrit në përfundimet e paktit të mossulmimit dhe më vonë në marrëveshjen e kufijve dhe të miqësisë midis dy shteteve. Nota nënvizon se Rusia përkundrazi, vazhdoi si edhe në të kaluarën të zhvillojë një veprimtari subversive dhe të përgatitej me veprime sabotazhi në Gjermani dhe në vende të tjera të pushtuara nga kjo. Për t’ia arritur këtij qëllimi komisari i GPU-së, Krylov, krijoi një organizatë të posaçme. U shfrytëzua p.sh, riatdhesimi i gjermanëve nga Rusia, për t’i marrë me vete në interesat e GPU-së. Duke u marrë me frikësime të grave dhe burrave, deklarata që i detyronin të viheshin në shërbim të GPU-së. Pasi kujtoi qenien e lëndës që ka të bëjë me propagandën antigjermane, që ka qenë zhvilluar nga sovjetët në të gjithë vendet miq të Gjermanisë, nota vë në dukje veprimtarinë e presionit sistematik antigjerman në të gjithë shtetet e juglindjes evropiane. Në lidhje me Jugosllavinë, p.sh, kanë rënë dokumente në duart e qeverisë gjermane, sipas të cilave del në shesh se delegati jugosllav, Georgevic, menjëherë pas bashkëfjalimit që pati në Moskë me Molotovin, mbeti i bindur se atje “konsiderohej Gjermania, si armiku i fuqishëm i se nesërmes”.

Gishti në lëvizjen jugosllave

Nota nënvizon edhe qëndrimin e Rusisë kundrejt kërkesave për armë dhe municione nga ana e Jugosllavisë dhe kryetari i shtetit madhor sovjetik i ka deklaruar të ngarkuarit me punë ushtarake jugosllav në nëntorin e kaluar të vitit 1940: “Do t’u japim të gjitha që doni dhe kërkoni menjëherë. Çmimet dhe kushtet e pagesave do të caktohen nga qeveria e Beogradit. Kushti i vetëm: fshehtësia absolute”.

Ka qenë vetëm më vonë, kur qeveria e Svektovicit, filloi të vinte në marrëveshje me Boshtin, që nga dërgesat e armëve u ngadalësuan. Më 27 mars të këtij viti ka qenë kulmi i bashkëpunimit midis komplotistëve serbë dhe agjentëve anglo-rusë kundër Rajhut. Kryetari i dorës së zezë që ka organizuar këtë lëvizje, gjendet në Moskë, ku zhvilloi një veprimtari të gjerë kundër Gjermanisë në bashkëpunim me organet e propagandës sovjetike. Lënda e gjerë që lidhet me veprimtarinë antigjermane tregon pamundësi dyshimi se deklaratat sovjetike përfaqësojnë vetëm falsifikim të ndërgjegjshëm të së vërtetës. Nota shënon faktin se përfundimi i Traktatit me Rajhun nga ana e Rusisë ka qenë një manovër dhe kjo u provua nga një dokument rus që u gjet gjatë veprimeve të Beogradit, ku thuhet: “Bashkimi Sovjetik nuk do të kundërshtojë në çastin e duhur. Fuqitë e Boshtit kanë shpërndarë dhe humbur akoma më tepër fuqitë e tyre, në mënyrë që Bashkimi Sovjetik, mund të qëllojë papritmas Gjermaninë”. Kështu u fillua me vendosjen me baza ushtarake në shtetet baltike; vazhdoi me luftën kundër Finlandës dhe me aneksimin e vendeve baltike. Gjermania hoqi dore nga interesat e saj nga Lituania, për hir të paqes, kur u pushtua ky shtet nga Rusia, pa qenë e informuar qeveria e Rajhut. Pas pak Rusia pushtoi edhe Letoninë dhe Estoninë dhe vendet baltike u bolshevizuan menjëherë kundër deklaratave të qeverise sovjetike. Me gjithë këto, qeveria e Rajhut mbante edhe pas këtyre, kundrejt Rusisë një qëndrim krejtësisht real në të gjitha çështjet kaq në veri, sa edhe në juglindjen evropiane. Ndërkaq, Gjermania, bënte një përpjeke të fundme për ta arritur një marrëveshje me Rusinë. Përfundimi ka qenë vizita e Molotovit në Berlin dhe kërkesat ruse.

Qëndrimi real i Gjermanisë

Rusia kishte në mendje që t’i jepte Bullgarisë një garanci të saj dhe të lidhte me të një pakt përkrahje, si edhe me shtetet baltike. Gjermania nuk mund të pranonte kërkesat ruse që në bazë të këtyre të aderonte në paktin tripalësh dhe marrëveshja me Rusinë falimentoi. Për pasojë, Rusia dendësoi politikën e saj kundërshtare për Gjermaninë, duke forcuar me të marrëdhëniet me Anglinë. Pasi vuri në dukje se politika antigjermane e Rusisë arriti kulmin me lëvizjen e Beogradit, nota thekson se Rusia, në bashkëpunim të ngushtë me Anglinë, kërkonte, pra, ta qëllonte Gjermaninë:

1. Duke përhapur haptazi pikëpamjen politike dhe fshehtas pikëpamjen ushtarake të Jugosllavisë.

2. Duke u përpjekur fshehtazi që të shtynte Turqinë, përmes premtimeve garancirash drejt një qëndrimi sulmues kundër Bullgarisë dhe Gjermanisë dhe ta katandiste që të rreshtonte ushtrinë turke në një pozitë ushtarake shumë të pafavorshme në Thrakë.

3. Duke përmbledhur vetë ajo fuqi të forta në Ballin e Besarabisë gjatë Moldaves.

4. Me përpjekjet që u bënë shpejt e shpejt në fillim të prillit nga ana e nënsekretarit sovjetik Vishinski, gjatë bashkëfjalimeve me ministrin rumun në Moskë Gafensku, duke synuar në një politikë të një afrimi të shpeshtë me Rumaninë, me qëllim që të shkëputej nga Gjermania.

Diplomacia angleze, për hir të ndërhyrjes amerikane në Bukuresht, bëri në atë kryeqytet përpjekje po në këtë drejtim. Kështu pra, trupat gjermane në Rumani dhe Bullgari do të qëlloheshin nga katër anë: nga Besarabia, nga Traka, nga Serbia dhe nga Greqia. I detyrohet realitetit të Antoneskut, qëndrimit realist të qeverise turke dhe sidomos ndërhyrjes së shpejtë gjermane dhe fitoreve vendimtare të Boshtit, nëse ky plan falimentoi. Nota, kujtoi pastaj se gati 200 aeroplanë jugosllavë, duke pasur brenda agjentë sovjetikë dhe komplotistët jugosllavë, morën fluturimin dhe u drejtuan disa në Rusi, dhe disa në Egjipt, duke nënvizuar se bashkëpunimi i ngushtë midis Rusisë, Anglisë dhe Jugosllavisë nuk mund të ishte më i qartë. Lajmet që lidhen me një bashkëpunim më të ngushtë midis drejtimit politik dhe ushtarak të Anglisë dhe të Rusisë, dhe apeli i lord Beaverbrook për t’i dhënë të parë Rusisë dhe thirrjes për Amerikën që t’i japi edhe kjo ndihma, Tregojnë qartësisht fatin, që do t’i rezervohej popullit gjerman.

Shpallja e Hitlerit, që u bëri ushtarëve më 22 qershor 1941, Berlin

Fyhreri, komandat i epërm i fuqive të armatosura të Rajhut, lëshoi sot një urdhër të ditës për ushtarët e Ballit Lindor, në të cilin thuhet midis të tjerave, atë që Hitleri i tha më parë popullit gjerman. Urdhri i ditës mbaron me këto fjalë: “Ushtarë gjermanë, ju jeni duke iu përveshur një ndeshjeje të rëndë dhe plot përgjegjësi. Fati i Evropës, e ardhmja e Rajhut, qenia e popullit tuaj janë tanimë të besuara vetëm tek ju. Dashtë Zoti që të na ndihmojë në këtë ndeshje!”

Është montazh i krimit, kush e ka ta çojë në prokurori

Reagim për shtyp i Sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së

Është përdorur sërish Dritan Prifti, këtë radhë në një shfaqje të neveritshme realizuar përmes një montazhi të pështirë, ku në rolin e një çimke të komanduar nga Edi Rama përpëlitet në grahmat e fundit, i detyruar ta hedhë vallen sipas vijësjelljes së klaneve kriminale dhe korruptive, që me largimin e tij nga qeveria humbën instrumentin për realizimin e interesave të tyre kriminale.

Për Lëvizjen Socialiste për Integrim, shfaqje të tilla – pjellë e krimit të organizuar, nuk përbëjnë asnjë shqetësim.

Përkundrazi, lufta pa kompromis e deri në qelizën e fundit ndaj krimit të organizuar dhe veprimtarisë mafioze e korruptive mbetet një konstante e pandryshueshme, një prioritet gjithnjë i pazëvendësueshme, nga i cili nuk mund të na largojnë makinacionet dhe montazhet e një çimke të skaduar.

Në respekt të shtetit ligjor dhe te institucioneve të zbatimit të ligjit, LSI e fton çimkën dhe atë që e përdor e cilindo që disponon fakte dhe prova, t’i drejtohen organit të Prokurorisë që të zbardhet e vërteta dhe cilido që rezulton i implikuar të vihet përpara drejtësisë.

Opozita në protestë: Do të bllokojmë Tiranën

OLI XHILAGA
PS mbledh sot asamblenë kombëtare për qëndrimin ndaj institucioneve

Bllokimi i pikave kyçe të kryeqytetit dhe moslejimi i qarkullimit në to në të njëjtin moment do të jetë një nga detajet kryesore të protestës së madhe që pritet të organizojë Opozita e Bashkuar. Kështu, kundërvënia ndaj mazhorancës aktuale, njëkohësisht dhe kërkesa për largimin e saj dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, do të jetë e përqendruar në organizimin e një proteste të fuqishme në kryeqytetin e vendit. Në këtë mënyrë kampi i majtë rimerr sërish zhvillimin e tubimeve dhe një vendim i tillë u mor dje në tryezën që organizuan partitë pjesë e Opozitës së Bashkuar.

Strategjia

Përgjimi Meta-Prifti ka shtyrë dhe më shumë lidershipin socialist që të ndërmarrë hapa konkretë lidhur me pozicionin e Partisë Socialiste dhe të aleatëve të saj ndaj institucioneve të dala nga zgjedhjet e 28 qershorit të vitit 2009. Për këtë arsye, mësohet se një nga momentet më të rëndësishme të strategjisë së aksionit opozitar konsiston fillimisht me organizimin e një proteste të madhe në Tiranë. Burime pranë takimit që zhvilloi dje kryetari i PS-së, Edi Rama me krerët e majtë, aleatë të kësaj partie, bënë me dije se tashmë oponenca ndaj qeverisë “Berisha” do të jetë dhe më e ashpër, duke përdorur si armë të fortë pikërisht protestat qytetare. Për këtë arsye, pritet që protesta e parë që do të zhvillohet në kryeqytet të sjellë pjesëmarrjen e sa më shumë njerëzve, të cilët të kërkojnë largimin e kryeministrit dhe zëvendësit të tij.

Protestat

Një nga detajet më të rëndësishme të protestës, që pritet të organizohet në ditët në vijim në metropolin e vendit, është pikërisht bllokimi i katër pikave kryesore të këtij qyteti. Në këtë mënyrë moslejimi i qarkullimit apo i lëvizjes në këto pika në të njëjtën kohë, si dhe qëndrimi i qytetarëve për disa orë aty do të përbëjnë disa nga momentet kryesore të strategjisë së aksionit politik që do të ndërmarrë Opozita e Bashkuar. Njëkohësisht, secila nga partitë pjesë të këtij kampi, por kryesisht Partia Socialiste, do të mobilizojnë të gjitha strukturat e saj në bazë për mbështetje të kësaj proteste. Mbledhja e sotme e asamblesë kombëtare të PS-së pritet që të vendoset dhe data në të cilën do të zhvillohet tubimi, si dhe pozicionin e kësaj partie përkundrejt institucioneve.



Kreu socialist reagon ndaj deklaratës së Berishës

Rama: S’ka bashkëpunim me mazhorancën

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama reagoi ashpër ndaj deklaratave të ardhura nga Kryeministri Berisha. Në deklaratën e tij, kreu i ekzekutivit e cilësoi si të trukuar, të falsifikuar dhe të montuar videon Meta-Prifti nga kryetari Rama. “Berisha dhe Meta duhet të largohen, pasi me qeveri të inkriminuar dhe që mohon sy më sy një shfaqje tronditëse, dhe të sulmojë opozitën si të lidhur me krimin, nuk ka bashkëpunim”, vuri në dukje Rama reagimin e tij menjëherë pas deklaratës së Kryeministrit Berisha. Në qëndrimin e tij, kreu socialist mohoi që videoja të jetë prodhim i opozitës. “Sot doli në pah sa e kërcënuar është shoqëria nga ky çift, pasi nesër do jetë tepër vonë se ky bashkim i llumit pas vjedhjes së zgjedhjeve vazhdon të mendojë se dhe pas asaj shfaqjeje të neveritshme, mendon se ky popull i meriton këta kusarë”, vlerësoi Rama. Për këtë arsye, Rama deklaroi se “Saliu e Meta do të largohen një orë e më parë, me këtë qeveri që mohon sy më sy e jo përpara faktit, por përpara tërë botës në një shfaqje tronditëse e madje të sulmojnë e të skërmiten që media e pavarur është e lidhur me krimin. Ky vend s’mund të lejojë që të zhytet në llumin e Saliut e Metës”.

Tryeza e opozitës

Opozita e Bashkuar vendosi dje që të rinisë protestat masive në vend me synim largimin e qeverisë “Berisha”, si dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Kështu, kreu i PS-së, Edi Rama, thirri dje në një tryezë aleatët e kësaj partie me qëllim diskutimin e situatës politike në vend. Pas takimit, në emër të Opozitës së Bashkuar, Spartak Ngjela bëri të ditur se “partitë e majta vlerësuan se situata aktuale në vend është tepër e rëndë dhe se kjo është e papranueshme”, Sipas tij, videoja e përgjimit të Metës është fytyra e vërtetë e qeverisë aktuale që qeveris vendin. “Opozita do të rifillojë protestat masive në popull për largimin e qeverisë. Të nevojshme janë dhe zgjedhjet e parakohshme, të cilat do të largojnë nëpërmjet votës qeverinë që ka vendosur sistemin diktatorial në vend”, theksoi Ngjela.

Friday, January 14, 2011

Enver Hoxha, festivali i 11-të (22 dhjetor-25 dhjetor 1972), Ramiz Alia dhe Todi Lubonja -१-

NGA SKIFTER KËLLIÇI
Terror mbi byroistë dhe ushtarakë të lartë!...

Pa kaluar ende një vit, hobeja që mbante në dorë Goliathi, Enver Hoxha, u shndërrua në shpatë, në Plenumin e 5-të të KQ të PPSH-së, që u mbajt më 25-28 korrik të vitit 1974, kur u analizua dhe u dënua veprimtaria armiqësore e Beqir Ballukut ish-ministër i Mbrojtjes, armik i betuar i partisë dhe i popullit, agjent në shërbim të armiqve të jashtëm të RPSSH, dhe një vit më pas në Plenumin e 6-të, që u mbajt më 16-17 dhjetor, i cili dënoi veprimtarinë armiqësore të pasuesve të Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Cakos, Rrahman Parllakut, Dilaver Pocit dhe shumë ushtarakëve të tjerë madhorë, gjithnjë në fushën e spastrimeve në ushtri. Kjo shpatë pastaj u vërtit në fushën e ekonomisë, duke prerë koka të tjera në Plenumin e 7-të (25-26 maj 1975), ku anëtarët e Byrosë Politike dhe ministrat Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi etj., për gabime të rënda në fushën ekonomike u dënuan si armiq të Partisë.

Apogjeun e kësaj fushate dënimesh e spastrimesh të papara, këtë radhë që të ruante pushtetin e tij gjakatar, ky tiran e arriti më 1981-82, kur eliminoi me vetëvrasje, a vrasje, kryeministrin Mehmet Shehu dhe ministrin e Mbrojtjes, Kadri Hazbiu, të cilët, sipas tij prej vitesh përgatitnin një komplot të madh dhe të rrezikshëm për të rrëzuar pushtetin popullor, komplot ku bënte pjesë edhe Todi Lubonja e Fadil Paçrami (Enver Hoxha, Vepra, faqe 9,1986).

Edhe shkrimtari i madh francez Zhyl Vern po të ishte gjallë, do t’ia kishte zili Enver Hoxhës për këtë fantazi të harlisur, që sajonte komplote pas komplotesh, të cilat zbuloheshin me vigjilencë… nga Partia (domethënë nga ai vetë e askush tjetër).

Ka të drejtë Ramiz Alia kur shkruan në libri e tij “Jeta ime” se ai vuante: “Nga një farë paranoje, për mendimin tim e justifikuar”(faqe 199), por në fakt aspak e justifikuar.

Cili ishte Enver Hoxha?

Në kapitullin “Vdekja e Enver Hoxhës”, të librit “Jeta ime”, midis të tjerash, duke bërë vlerësimin e këtij diktatori hitleriano-stalinist, Ramiz Alia shkruan kështu:

“Enver Hoxha gëzonte një respekt e një dashuri të veçantë dhe se masat e gjera popullore kishin tek ai një besim të patundur…Njerëzit, që gjatë 50 vjetëve ishin mësuar ta shihnin dhe ta dëgjonin në raste të shumta, në gëzime e në hidhërime, thoshin se ai ishte ‘i pavdekshëm’…Enver Hoxha ishte personalitet politik…Për pesë dekada ai ka qenë udhëheqësi kryesor i Shqipërisë, i respektuar dhe i dashur nga njerëzit… ishte në kuptimin e vërtetë të fjalës burrë shteti…” (faqe 314, 315, 316).

Pa dashur të bëj as më të voglën polemikë, t’i vë në dyshim ose t’i kundërshtoj këto epitete që Ramiz Alia ia atribuon atij, po citoj vetëm disa përcaktime të nxjerra nga zëri ENVER HOXHA, në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, 2008, që është përgatitur dhe miratuar nga akademikë, profesorë, doktorë të shquar, pra personalitete të specializuara në studimin e historisë së Shqipërisë, me prirje qoftë të majta ose të djathta, të cilët arrijnë në të njëjtin përfundim:

“Nën udhëheqjen e Enver Hoxhës në Shqipëri u vendos një diktaturë staliniste, u zbatua një luftë e ashpër klasash e shoqëruar me shkelje të lirive dhe të drejtave të njeriut, me përndjekje e dënime edhe kapitale të kundërshtarëve politikë…

Veprimtaria e PPSH-së, që udhëhiqej nga Enver Hoxha, u karakterizua nga goditje të vazhdueshme të grupeve të cilësuara si armiqësore, pasojë e luftës së klasave, që u shtri edhe në radhët e saj. Enver Hoxha kundërshtoi çdo orvatje për ndryshim dhe liberalizim të sistemit… Gjatë viteve që drejtoi shtetin, ekonomia e në përgjithësi energjetika, arsimi, kultura shëndetësia, njohën ritme të larta zhvillimi. Por masat radikale që u zbatuan në ekonomi çuan në likuidimin e plotë të pronës private e të nismës private dhe në krijimin e sistemit të ekonomisë së centralizuar që rezultoi e paefektshme dhe në fund dështoi duke e futur vendin në një krizë të përgjithshme…

Në politikën e jashtme Enver Hoxha ndoqi një kurs të ashpër që çoi në izolimin e vendit nga bota” (faqe 958 e veprës së mësipërme).

Duket Ramiz Alia, kur ka shkruar këto radhë, ka harruar, ose nuk e ka ditur se çfarë shkruhet në këtë botim të fundit të Akademisë së Shkencave. Por me sa duket, ai ka harruar gjithashtu se në diskutimin autokritik që bën në Plenumin e Beratit, të mbajtur në nëntor të vitit 1944, Enver Hoxha shprehet në këtë mënyrë për veten e tij:

“U afrova me Grupin e Korçës. Të tjerët mendonin se isha udhëheqësi i tij. Unë isha simpatizant.

Kur u krijua Partia, u gjenda në KQ, hyra me propozimin e Koço Tashkos.

Në Konferencën e Vendit më avancoi Miladin Popoviçi. Propozimin për sekretar politik e kanë bërë Dushani dhe Liria. U shpreha se nuk e bëja dot këtë detyrë dhe propozova Koçin.

Detyrën e Komisarit të Shtabit të Përgjithshëm e kam quajtur të pamerituar. Nuk dija të organizoja ushtrinë.

Ishte vështirë që organet e Partisë të funksiononin rregullisht në kohën e luftës. Kisha frikë të thërrisja mbledhjet e forumeve, se ato kërkonin përgatitje e nuk bëja dot.” (AQSH, Fondi 14, Dosja 2, nëntor, 1944).

Ja cila është fytyra e vërtetë e Enver Hoxhës. Duket përsëri se Ramiz Alia “harron” (këtë radhë nuk është se nuk i di) pasojat e tmerrshme që pati populli gjatë regjimit të tij despotik, të cilin ai e trashëgoi pas vdekjes së tij, më 15 prill të vitit 1985, që duhet t’i kishte përfshirë në librin e tij:

Të pushkatuar: 5477 burra dhe 450 gra.

Të burgosur: 26.768, nga të cilët të vdekur 998 burra dhe gra.

Të çmendur nga torturat: 308 burra dhe gra.

Të internuar në kampet e përqendrimit: mbi 32 mijë vetë, nga të cilët, burra dhe gra vdiqën 7022 vetë, pa përmendur me qindra mijëra dosje për qytetarë, me fakte komprometuese, pjesa dërmuese e të cilëve u detyruan të bëheshin bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, se ndryshe kalleshin në burg për 10-15 vjet, sipas nenit 55 për agjitacion dhe propagandë të Kodit Penal dhe familjet e tyre internoheshin. Dhe ky Sigurim drejtohej nga Ministria e Brendshme, e cila mbulohej, kontrollohej dhe merrte udhëzime nga Hysni Kapo, dora e djathtë e Enver Hoxhës në KQ të Partisë dhe nga Mehmet Shehu, kryeministri, pra nga vetë Enver Hoxha dhe pastaj nga vetë Ramiz Alia, që nuk bëri përpjekjet e duhura që ta fshinte një herë e përgjithmonë këtë nen të Kodit të tmerrshëm Penal të Shqipërisë “demokratike”.

Shifrat e mësipërme janë të publikuara nga Instituti i të Përndjekurve Politikë, mbi bazën e dokumenteve të ruajtura në arkivat e Ministrisë së Punëve të Brendshme gjatë viteve të diktaturës. Dhe, çuditërisht, Ramiz Alia jo vetëm nuk mori masa për të liruar qindra e qindra të burgosur, intelektualë dhe klerikë të kulturuar, por nuk e bëri këtë as për Fadil Pacramin dhe as për mikun e tij, Todi Lubonjën, sepse “...problemet e mëdha që kishin të bënin me fatin dhe të ardhmen e të gjithë vendit… më vonuan të ndihmoj shokun tim” (faqe 266 e librit “Jeta…”).

Burimin e këtyre pasojave të tmerrshme, “pra të deformimeve dhe veprimeve të pajustifikuara në emër të luftës së klasave, kufizimit të lirive të individit dhe izolimit të vendit etj., siç shkruan ai në parathënien e këtij libri, i shpjegon kështu:

“Jo rrallë organet e diktaturës, veçanërisht ato të Sigurimi të Shtetit, kapërcenin kompetencat e caktuara me ligj. Kështu, si pasojë e deformimeve të ndryshme kanë vuajtur padrejtësisht edhe njerëz të pafajshëm, bile edhe familjet e tyre…” (faqe 8 e veprës “Jeta ime”).

Pohim jo plotësisht i saktë, sikur të përmendim vetëm pasojat që solli Plenumi i 4-t i PPSH-së, shkas i të cilit u bë me qëllim nga diktatori Enver Hoxha Festivali i 1-të i Këngës në RTVSH, më 1972, që analizova në këtë dossier…Të gjitha dënimet, siç e pamë, u bënë më nismën tij dhe vetëm të tij, sepse ai qëndronte mbi Sigurimin, mbi partinë, mbi shtetin, mbi popullin, mbi Shqipërinë.

Sidoqoftë, ashtu siç është nënvizuar në pjesën e parë të këtij cikli, Ramiz Alia nënvizon se “duke kthyer kokën prapa, pa dyshim ka arsye të bëjmë autokritikë dhe t’i kërkojmë ndjesë popullit: “…për vuajtjet që padrejtësisht u janë shkaktuar disa njerëzve të veçantë, si pasojë e zhvillimit të ashpër të luftë së klasave, apo shkeljes së ligjeve nga ana e organeve represive dhe organizmave të tjerë të partisë-shtet” (po aty, faqe 9).

Përsëri pohim i vonuar, por më mirë vonë se kurrë. Vetëm me një korrigjim të madh: ata që vuajtën nuk ishin disa njerëz të veçantë, por me mijëra e mijëra, siç del nga shifrat që përmenda më lart.

Edhe diçka tjetër me shumë rëndësi: këtë falje që i kërkon popullit Ramiz Alia, ka detyrë ta bëjë, madje sa më shpejt që të jetë e mundur, edhe e shoqja e diktatorit, Nexhmie Hoxha, pra të kërkojë edhe ajo falje. Duke u shkëputur njëherë e mirë nga dashuria për bashkëshortin, nga kujtimet e saj si baba shembullor, siç e ka përshkruar me të drejtë në të gjithë artikujt, intervistat, librat e saj, sepse i tillë duket se ka qenë ai në familje, më së fundi të ketë guximin ta quajë Enver Hoxhën si burimin e shumë të këqijave që pësoi populli shqiptar dhe Shqipëria gjatë gjithë periudhës së diktaturës, të cilat i vë në dukje shoku dhe bashkëpunëtori i saj i ngushtë që në vitet e rinisë, Ramiz Alia, në librin e tij “Jeta ime”.

Jo vetëm kaq, por Nexhmia duhet të pranojë më së fundi botërisht se ka qenë, siç thonë romakët e vjetër, alter ego e tij, pra “një tjetër unë, se ai dhe ajo ishin si vëllezër siamezë, se në çdo veprim kriminal Enver Hoxha është këshilluar para së gjithash me të dhe vetëm me atë, të cilën shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare e ka quajtur “Ledi Makbeth”.

Epilog

Po mbushen 39 vjet nga zhvillimi i Festivalit të 11-të të Këngës në RTVSH. I ndodhur kaq larg atdheut, kujtoj këtë shfaqje të bukur, kujtoj ç’ndodhi më pas, ngjarje të cilat jam munduar t’i përshkruaj edhe në romanin tim “Festivali i njëmbëdhjetë” dhe thjesht historikisht, në këtë cikël. Kujtoj atë natë të festivalit, kur shkova pas skene për të uruar, si plot të tjerë, dy paraqitësit e programit, Edi Luarasin dhe Bujar Kapexhiun, regjisorin Mihal Luarasi, disa nga këngëtarët që i njihja, midis të cilëve Justina Aliajn, drejtuesin e orkestrës së vogël frymore, Gaspër Curcinë…

Dhe tani më bëhet sikur shoh një përbindësh, që me shpatë në dorë depërton mërishëm në këtë mjedis kaq të hareshëm. Është Enver Hoxha. E vërtit shpatën pa mëshirë mbi kokat e festivalistëve, pastaj mbi kokat e atyre që kanë organizuar vetë festivalin. Pastaj del me furi jashtë për të prerë koka, kudo nëpër Shqipëri e, madje edhe… në tërë rruzullin tokësor, siç thonë edhe vargjet e këngës:

“Enver Hoxha e mprehu shpatën, /edhe një herë, o, për situatën, /Kjo asht shpata që u rri te koka, /Gjith’armiqve që ka sot bota!..”.

Është e çuditshme se si një paranojak i tillë pëlqente që kjo këngë të përhapej e këndohej kudo si himn, kur në vargjet e saj ai pranon se nuk ishte veçse një tiran sadist, i pushtuar nga deliri i madhështisë, që, madje, ishte gati të zhbinte tërë armiqtë e tij kudo që të ishin, pra në tërë rruzullin tokësor.

Dhe, pasi sundoi me gjak dhe hekur, ky Goliath mbeti pas vdekjes i ngrirë mbi një piedestal në sheshin “Skënderbej”, ku hija e tij përsëri dukej sikur nderej kërcënueshëm mbi tërë Shqipërinë.

Nuk e dinte se një ditë populli i këtij vendi të sfilitur do të ngrihej, do ta rrëzonte dhe do ta bënte copë e çikë shtatoren e tij.

Më 20 shkurt të këtij viti mbushen plot 20 vjet nga kjo ditë e lume…

Fund

Boston, tetor-nëntor, 2007- dhjetor 2010

ENVER HOXHA, FESTIVALI I 11-të (22-25 dhjetor 1972), RAMIZ ALIA DHE TODI LUBONJA

NGA SKIFTER KëLLIÇIJa, pra, këto ishin programet televizive, që zgjatnin çdo ditë jo më shumë sesa pesë orë. Kaq ishte forca e TVSH-së së asaj periudhe, me tri emisione lajmesh çdo ditë, me telereportazhe nga jeta në vendin tonë, rubrika artistike, ku, siç shihet, përfshiheshin emisione me muzikë popullore, me muzikë të lehtë, klasike, rubrika kulturore, shkencore, sportive dhe me filma artistikë, ku, veç filmave të blerë, nisën të shfaqeshin edhe filma të regjistruar nga TV italian (RAI). (Të mos harrojmë se pas viteve 80-të nga TVSH-ja filluan të dërgoheshin në Francë grupe për të blerë filma artistikë, fakt që gjatë kohës së drejtimit të RTVSH-së nga Todi Lubonja do të quhej gabim i madh politik).

Atëherë e përsëris, për çfarë proçkash e ka fjalën diktatori, të cilat nuk do ti lejonte Thanas Nano? Paradoksi më i madh është se Todi nuk hoqi dhe nuk shtoi asnjë nga programet e mësipërme, që i trashëgoi nga koha e Nanos, veçse kërkoi me këmbëngulje që ato të ngriheshin edhe më shumë artistikisht, ashtu siç kërkoi që edhe gazetarët të përpiqeshin që të gjenin rrugë dhe forma të reja për tia arritur këtij qëllimi dhe kjo mund të bëhej vetëm me ngritjen kulturore të atyre vetë.

Sigurisht, ai synoi më pas që të shtonte dhe emisione të tjera, por nuk pati kohë gjatë drejtimit të tij në RTVSH, që zgjati një vit e tre muaj (janar 1972 - prill 1973), ndonëse që nga janari i vitit 1973 ai u bë drejtor fantazmë për arsyet që shpjegova më lart.

Zëvendësimi i tij me Thanas Nanon na kujton një farë mënyre rikthimin pas 100 ditësh e Luigjit XVI-të, në fronin mbretëror, që ishte dëbuar Napoelon Bonaparti, i cili, me të humbur në Vaterloo (18 qershor 1815), u kap nga mbretërorët dhe u internua në ishullin e humbur të Shën Helenës. Në Francë u rikthye kështu monarkizmi konservator, pësoi goditje borgjezia e re kapitaliste e liberale.

Çuditërisht për zëvendësimin e Todi Lubonjës me Thanas Nanon, Ramiz Alia nuk shkruan asnjë edhe një radhë, në një kohë që duhej ta quante atë veprim tiranik të Enver Hoxhës, që hidhte poshtë propozimet e anëtarëve të Byrosë Politike, duke përfshirë edhe vetë Ramiz Alinë, të cilëve as që u kishte shkuar kurrë ndër mend që në RTVSH të kthehej një drejtor konservator, dogmatik, me kulturë të kufizuar, siç ishte Thanas Nano.



A gaboi Todi Lubonja?



Në librin e tij “Dera e prapme e shtypit”, Marash Hajati shprehet kështu:

“Me Todin kishim marrëdhënie të mira, por si kudo, kur ndërrohen drejtuesit, dalin në pah dëshirat për të bërë ndryshime e organizime të reja. Në këtë drejtim, disa gjëra u morën si “me yrysh”. Deri në aparat erdhën lista për zëvendësime të shumta e propozime për largimin e atyre që quheshin të “mefshtë”, konservatorë, pa iniciativë etj. Ky oreks disi i tepruar nuk gjeti jehonë e përkrahje nga lart.” (faqe 78)

Autori i librit nuk përmend emra, por Todi Lubonja e pa të arsyeshme që të largojë, së pari, Klimi Misjen, drejtorin e TVSH-së, me arsyetimin se nuk u përgjigjej kërkesave në rritje të këtij institucioni. Që të flas hapur, nga një pikëpamje kishte të drejtë. Por, çështë e vërteta, asnjë nga ne, jo vetëm që nuk kishte diplomë në fushën e TV-së (duke përjashtuar kryeinxhinierin Alfred Xhufka), por nuk kishim bërë as edhe ndonjë specializim jashtë vendit, problem të cilin Todi e pati parasysh, siç e kam përmendur më sipër.

Sidoqoftë, siç u tha atëherë, largimi i Klimi Misjes u shoqërua me një motivacion të nxituar. Zëvendësimi i tij me regjisorin e mirënjohur Mihal Luarasi u cilësua më pas si gabim i rëndë, sepse në postin e drejtorit të TVSH-së duhej “njeri politik” dhe, për më tepër, komunist. Mirëpo harrohej se as më shumë e as më pak, në tetor të vitit 1972, pra disa muaj më parë, vetë Enver Hoxha, në fjalimin e tij të mbajtur në Mat kishte theksuar se drejtuesit e institucioneve mund të mos ishin komunistë. Pra, duke u zbatuar ky orientim, Mihal Luarasi si drejtor do të merrej me ngritjen artistike të TV-së, kurse problemet politike, emisionet e lajmeve, bisedat me karakter ideologjik do ti mbulonte një nëndrejtor tjetër. Ku ishte, pra, e keqja e këtij vendimi që kishte marrë Todi Lubonja, aq me tepër të miratuar, me siguri, edhe nga Ramiz Alia, sepse ishte KQ që vendoste për çdo emërim të këtij niveli?

Tjetër gabim: Siç kam vënë në dukje edhe më lart, nuk iu përgjigj letrave të ardhura nga të rinjtë, të cilat pa më të voglin dyshim, siç më pohonte Todi Lubonja, ishin të yshtura nga vetë diktatori. Nuk i lexoi, diskutoi ato as në mbledhje partie, as të kolektivave të RTVSH-së. Nuk dërgoi në redaksinë e “Zërit të Rinisë”, ku u botuan këto letra, të paktën një përgjigje autokritike. Po edhe për këto nuk u ysht të vepronte nga të mësipërmit. Dhe kjo, sepse as ata vetë nuk e dinin se çtërmet do të shpërthente tirani gjakësor.



Thanas Nano noton në ujërat e tij...



Për Thanas Nanon, riemërimi i tij si drejtor i Përgjithshëm i RTVSH-së, pa dyshim që ishte ngjarja më e madhe, që nuk e kishte marrë me mend kurrë se do të ndodhte në jetën e tij. Dhe kishte plotësisht të drejtë të ngazëllehej. Kthehej me urdhër të vetë “Zeusit shqiptar”, që e kishte parapëlqyer para emrash me personalitet ku e ku më të madh se ai.

Ai do vinte kështu në jetë porositë personale të “shokut” Enver. Dhe duhet thënë se këtë detyrë e kryente shumë mirë, sepse nuk linte të dilte në ekran qoftë edhe faktin më të vogël që mund të ngjallte dyshim se nuk shkonte me vijën e Partisë. Madje, edhe parukieret mbanin hazër gërshërët që të shkurtonin flokët e ndonjë bashkëpunëtori të TV-së që mund ti kishte disi të gjatë, para se ai të dilte në ekran.

Por, të themi atë që është për të thënë, kushdo që do të ndodhej në detyrën e Thanas Nanos, nuk do të kishte si të vepronte ndryshe. Si pasojë, në RTVSH u hoq çdo e re që kishte sjellë Todi Lubonja në atë vit e pak muaj që drejtoi këtë institucion. Pra, u varrosën në arkiv këngët e Festivalit të 11-të, të festivalit evropian të një viti më parë e këngë të tjera të huaja, u ndanë përsëri redaksitë e informacionit të Radios dhe TVSH-së, që ishin bashkuara në një etj. Nga “Revista televizive” u hoqën lajmet sportive të marra nga RAI.

Gjatë verës së vitit 1972, për të ngritur edhe më lart nivelin e “Revistës televizive” të orës 20.00, që ishte e dobët, me aprovimin e Todi Lubonjës, regjistroja nga RAI rubrikën e përditshme sportive që transmetohej në orën 19.45 dhe, pasi zgjidhja ato kronika që paraqitnin interes, pa kaluar gjysmë ore i komentoja para kamerave në “Revistën televizive”, duke shtuar, natyrisht, edhe lajme nga veprimtaritë tona. Mirëpo këtë nuk e pëlqeu Thanasi dhe dha urdhër të prerë që kjo nënrubrikë e “Revistës telelevizive” të hiqej një orë e më parë. Dhe ashtu u bë. E përse? Sepse teleshikuesit mësonin të reja të freskëta nga sporti në botë? Çpedantizëm!…

Mbetën vetëm transmetimet e ndeshjeve sportive, kryesisht të futbollit, të marra nga televizionet e huaja. Por edhe me to ndodhi çudia. Veçse jo për faj të Thanasit. Këto ndeshje, me urdhër nga lart, filluan të transmetoheshin pa zhurmat e stadiumeve, pra pa brohoritjet ose duartrokitjet e shikuesve, kinse se mos ndoshta dëgjohej… diçka që nuk shkonte. Me fjalë të tjera, në stadiume dukej se kishte shikues… memecë.

Me urdhër nga lart u ndërprenë transmetimet televizive të RAI-t, për shikimin e të cilit ishte vënë enkas një antenë në malin e Dajtit. Por në të njëjtën kohë u ndërtua një antenë speciale që lejonte shokët e udhëheqjes ti ndiqnin këto programe, sepse ata ishin “të imunizuar nga ndikimi i dëmshëm i tyre në masat e popullit”.

Në një kohë kur mungonin fondet për ngritjen e përsëritësve ose përforcuesve, që sinjali i TVSH-së të shihej edhe në zona të thella, kjo nuk ndodhte kur ishte fjala për “…blerjen e disa pajisjeve për garantimin e ritransmetimeve të programeve të huaja televizive në Vlorë dhe Pogradec… Duhen blerë 6 copë përsëritës, grupe diesel-gjeneratorë, 1 makinë “ARO”, gjithsej 77 mijë USD, ose 23 mijë rubla, ose 282 mijë lekë valutë”. (Nga shkresa e Drejtorisë së Përgjithshme të RTVSH-së, drejtuar Komisionit të Planit të Shtetit, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Tregtisë së Jashtme (Dosja 29, Fondi i RTVSH-së, AQSH, datë 24.7.1979).

Shpenzoheshin kështu më mijëra e mijëra dollarë, që Enver Hoxha, kur të pushonte në qytetet e mësipërme, të ndiqte sa më mirë programet e RAI-t. Gjithashtu u dha urdhër që nga çatitë e pallateve a shtëpive në çdo qytet të Shqipërisë të zhdukeshin antenat që shërbenin për shikimin e stacioneve të huaja televizive, e vetmja dritare për të parë një çikë botë, nga e cila diktatori po na ndante…

Dënime të tjera…



Po të kthehemi përsëri tek Todi Lubonja. Më 11 prill vitit 1973 ai u transferua nga RTVSH-ja dhe u emërua drejtor i Ndërmarrjes së Ujërave në Lezhë. Para se të largohej përfundimisht, kur po dilte një ditë nga zyra, u ndodha përballë tij. Më pa dhe mu duk sikur më tha: “Mos më tako, se nuk është rasti…” Dhe unë ashtu veprova.

Por jo me Mihal Luarasin, i cili, kur punonim bashkë në TVSH, më kishte kërkuar ndonjë sugjerim për folësit dhe folëset që provonte për emisionet televizive, kishim diskutuar edhe për çështje artistike dhe sportive. Pati një periudhë që ai u sëmur. I vajta në shtëpi, diku pranë Bllokut të udhëheqësve, ku e gjeta që dergjej në shtrat, të rrethuar nga aktorë, regjisorë, ish-studentë të tij. Ishte takimi im i fundit me të. Nga fillimi i prillit ai u dënua forcërisht, që të edukohej, duke punuar në një kantier ndërtimi në Ballsh. E shoqja e tij, aktorja e njohur Edi, paraqitëse e Festivalit të 11-të, përfundoi nga Teatri Popullor, punëtore në një rrobaqepësi.

Bujar Kapexhiu, edhe ai paraqitës i këtij festivali, pësoi të njëjtin fat: punëtor në fabrikën e tullave. Gaspër Curcia, dirigjenti i orkestrës së vogël frymore, u flak nga orkestra e RTVSH-së diku në një kënd të humbur. Këngëtarja re Justina Aliaj, regjisore në TVSH, që kishte kënduar shumë bukur këngën “Para ekranit të televizorit”, e kritikuar për manierizma, u transferua në Shkodër. Dhe kur më pas u kthye në Tiranë e martuar, me urdhër të Komitetit të Partisë së Tiranës nuk u lejua të punonte askund, veçse punëtore në NISH Mjete Mësimore.

Po pati dhe më keq: Sherif Merdani, që këndoi dy këngë në festival, u arrestua dhe u dënua si këngëtar me ndikime të muzikës dekadente perëndimore, që i kishte shfaqur edhe në Festivalin e 11-të.

Në ditët e para të qershorit të atij viti, i dërguar nga KQ i Partisë erdhi në TVSH Pipi Mitrojorgji, figurë e njohur në fushë e kulturës, publicist dhe kritik letrar, i cili bëri një takim me disa nga redaktorët me përvojë, ndër të cilët isha edhe unë. Na foli gjatë. Ajo që më bëri shumë përshtypje ishte se ai theksoi se Shqipëria tashmë ishte “i vetmi vend në botë që ndërtonte socializmin”, shprehje të cilën do të bënte më pas publike vetë Enver Hoxha, pasi të dilnin në shesh mosmarrëveshjet me Kinën, që do të kishin si pasojë izolimin e plotë të vendit tonë nga bota.

Të them të drejtën, më erdhi për të qeshur nga një përcaktim kaq absurd, të cilin me siguri nuk e miratonte as Pipi Mitrojorgji. Por pastaj, sa mezi përmbajta një klithmë, kur po nga goja e tij dëgjova këto fjalë: “Të punoni me kujdes e vigjilencë, që të zhdukni sa më shpejt gjurmët e punës armiqësore të Todi Lubonjës në RTVSH”. Në ato çaste mu duk se atij iu drodhën buzët, kur po shqiptonte këto fjalë, sepse edhe ai, që e kishte mik dhe koleg Todin, nuk mund të besonte kurrsesi në vërtetësinë e tyre. Todi Lubonja armik i Partisë?!...

As që mund të vihet në dyshim se i tërë skenari për të dënuar Todi Lubonjën, dhe pastaj edhe Fadil Paçramin, ishte projektuar dhe shkruar nga Enver Hoxha dhe askush tjetër. Madje, ai as që kishte marrë mendim prej asnjërit nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, duke filluar nga Hysni Kapo e Mehmet Shehu, pale nga anëtarët e tjerë të Byrosë Politike.

Që nga dita e përfundimit të festivalit nuk dëgjuam hapur, ose mbyllur, ndonjë opinion të tyre për festivalin. E, pra, Mehmet Shehu, kur i hipte diçka në kokë, nuk përtonte të bënte vërejte të menjëhershme për ato që nuk i pëlqente në RTVSH. Mjafton të përmendim vetëm një fakt: Petrit Leka, paraqitësi i kohës pas “Revistës televizive”, mbeti disa javë jashtë ekranit, vetëm se kryeministrit iu tek një ditë të thoshte se ai i ngjante shumë Bernakës, paraqitësit të kohës në RAI. Po si nuk i bëri përshtypje të keqe atij ky goxha festival, që vazhdoi të transmetohej për katër net rresht në ekranin e TVSH-së?

Po ashtu, si nuk i bëri e njëjta përshtypje as Manush Myftiut, anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Partisë së Tiranës, se çpo ndodhte para dhe gjatë zhvillimit të festivalit e këto përshtypje tia përcillte së paku Nefos, së shoqes?

Për opinionin e Ramiz Alisë, sekretar i KQ për problemet ideologjike, lidhur me këtë problem, siç dihet, kam shkruar më lart.

Atëherë shtrohet pyetja. Po këta të dy, a nuk kishin përgjegjësi për këtë festival që “Zëri i Popullit” dhe “Drita” nga mesi i marsit 73, siç është vënë në dukje, e cilësuan kopje të shëmtuar të artit borgjezo-revizionist?

Kuptohet se përderisa Todi Lubonja shpallej armik përpara Plenumit të 4-t, që do të mbahej në fund të qershorit, armiq duhej të shpalleshin edhe Ramiz Alia, Manush Myftiu e, doemos edhe e shoqja e tij Nefoja, që ishte drejtoreshë e Radio Tiranës, organizuesja e drejtpërdrejtë e Festivalit të 11-të dhe, mbi të gjitha, siç kam thënë, grua shumë e afërt në marrëdhënie me punonjësit. Dhe mirë që nuk arriti puna deri në këtë pikë…

Mirëpo, po të godiste Ramiz Alinë, Enver Hoxha godiste vetveten. Nuk kishte ndodhur, pas vitit 1960, kur diktatori shpalli Liri Belishovën, anëtare të Byrosë, agjente të revizionizmit sovjetik, që ai të dënonte ndonjë anëtar të Byrosë, i cili punonte në KQ e të ishte, madje, edhe shefi i ideologjisë. Si pasojë, Enver Hoxha e veçoi Ramizin dhe Manushin nga mëkatet e Festivalit të 11-të dhe ato ua ngarkoi Todi Lubonjës e Fadil Paçramit, që ishin vartësit e tyre të drejtpërdrejtë, përkatësisht në KQ dhe në Komitetin e Partisë së Tiranës.

Atëherë, ku është… partishmëria e Enver Hoxhës?

Këtë “partishmëri” të Enver Hoxhës e shpjegon më së miri Marash Hajati në librin e tij “Dera e prapme e shtypit”, kur lidhur me Ramiz Alinë shkruan kështu:

“Së pari, ishte tepër e vështirë në logjikën e gjërave që Ramiz Alia, drejtuesi kryesor në fushën ideologjike, që përfshinte gjithë veprimtarinë e shkencës, arsimit, kulturës, artit etj., të ishte jashtë qendrës së atij tërmeti që po afrohej… Jo vetëm kaq, por ne të shtypit jemi dëshmitarë të këmbënguljes së tij që Todi Lubonja të vihej në atë kohë në krye të RTVSH-së.

Të gjitha këto na bënë të dyshonim, jo pa indiferentizëm, se pas marsit, prillit e majit, mund të kishte shkallëzime të reja në luftën kundër shfaqjeve të huaja, ku në to mund të përfshihej edhe Ramiz Alia. Por ajo që hamendja jonë e kishte të vështirë të konceptonte strategjinë e së ardhmes, e zgjidhi vetë Enver Hoxha, duke nxjerrë në plan të parë R. Alinë… Enver Hoxha me qëllim mori mbi vete gjithçka, që të mos cenohej R. Alia.” (faqe 80).

Kjo do të thoshte hapur se, kur ia donte interesi, ai i shkelte parimet, mënjanonte ata që nuk duhej të shpalleshin armiq, i falte dhe madje i ngrinte edhe më lart, siç bëri më vonë përsëri me R. Alinë.

Fakti është se sikur R. Alia të kishte urdhëruar që të paktën veshjet e këngëtareve të ndërroheshin, të hiqeshin bizhuteritë, që të mënjanoheshin… shfaqjet e huaja, Enver Hoxha, nuk do të mund të kapej pas tyre dhe të niste sulmin pastaj edhe ndaj kulturës dhe artit, siç veproi. Shprehem kështu, sepse edhe Festivali i 2-të i Këngës në Radio, më 1962, të cilin e kam drejtuar së bashku me folësen e njohur Vera Zheji (atëherë Qendra Eksperimetale e TV-së nuk mund të transmetonte jashtë studios), për sa i përket anës muzikore qe kopje e Festivalit 11-të. Por, edhe sikur veshjet të ishin moderne, Enver Hoxha nuk do të reagonte si në rastin e Festivalit të 11-të, sepse nuk kishte si ta shihte. Sidoqoftë, ai ishte nisur të zbatonte planin e tij djallëzor, ndaj do të gjente ndonjë shkak tjetër që të dërmonte artin dhe kulturën.

Plenumi i 4-t i KQ dhe krimet e mëpastajme të Enver Hoxhës

Ai u mbajt nga 26-28 qershori i vitit 1973. Todi Lubonja, ndërkohë ishte transferuar drejtor i Ndërmarrjes së Ujërave në Lezhë dhe, doemos, vazhdonte të ishte anëtar i KQ.

“Kuptohet se mua dhe Fadil Paçramit, - më thoshte Todi Lubonja, - të tërë në sallë na rrinin larg. Ishte e kuptueshme. Po na bëhej gjyqi, i cili kishte për prokuror, kryetar… vetëm Enver Hoxhën. Pra, ai ishte vetë veli e vetë kadi. Sdo mend, deklamoi si deshi me ton të vrazhdë. Kishte, pra, edhe gurin edhe arrën në dorë. E prisja që kështu do të fliste. Por, kur midis të tjerash, më cilësoi …si deviator të djathtë, që ka përkrahur pikëpamje të theksuara liberale dhe oportuniste, shije estetike moderniste pastaj që … u orvat ti jepte Radiotelevizionit një drejtim thjesht informativ e kulturo-njohës, drejtim ky që ishte në kundërshtim me orientimet e Komitetit Qendror mbi karakterin ideologjik e kultoro-edukativ të tij, me gjithë gjendjen e rëndë shpirtërore në të cilën ndodhesha prej javësh, buzëqesha me vete për këtë lajthitje të ideologut tonë gjenial. Unë qenkësha deviator i djathtë, meqë paskam pasur synim që të zbatoj ato që më vinte në dukje për Radiotelevizionin? Si ishte e mundur që ky teoricien i madh, që po e pasuronte marksizëm-leninizmin me teza të reja, të nxirrte nga goja marrëzira të tilla? Tamam si Stalini që e akuzoi Trockin për djathtizëm, e internoi, e dëboi nga Rusia e pastaj më 1929 edhe e vrau, kur ai nuk kishte qenë kurrë për ruajtjen pronës private, për pluralizëm partiak, për luftë kundër komunizmit, që janë disa nga pikësynimet e së djathtës. Kam përqafuar që në vitet 40-të, me bindje të plotë idetë komuniste dhe kam luftuar për triumfin e tyre, pastaj, në vitet e para të pasçlirimit, kam gjykuar se dënimet ndaj elementëve të quajtur atëherë reaksionarë, se ishin kundër komunizmit, ishin me vend, por kam kuptuar shpejt se lufta e klasave ka qenë një metodë vëllavrasëse plotësisht e gabuar. Kam qenë në vetvete kundër despotizmit të Enver Hoxhës, kam krijuar bindjen se ai në Konferencën e Tiranës, më 1956, mbyti prirjet që u shfaqën atje për demokratizim e jetës së partisë dhe të vendit. Kam besuar për një komunizëm me fytyrë njerëzore, një komunizëm shkencor. Por kurrsesi deviator i djathtë, sepse synova ti bëj më tërheqëse programet e RTVSH-së, pa cenuar vijën e partisë. Deri këtu arrinte Enver Hoxha!...”

Këto ide Todi Lubonja i ka shtjelluar dhe më thellë edhe në dy libra të botuar pas viteve 90-të, “Nën peshën e dhunës” (1993) dhe “Ankthi pa fund i lirisë” (1994). Në të parën, kur flet për ngjarjet e vitit 1956, ai shkruan kështu:

“Kongresi XX i PK të BS, që denoncoi kultin e Stalinit dhe zbuloi e krimet e periudhës së sundimit të tij, pati reperkusione edhe në Shqipëri. Konferenca e Tiranës reflektoi në një masë të konsiderueshme ndjenjat e vërteta dhe mendimin e përgjithshëm të komunistëve… Për fat të keq, te ne nuk u vërtetuan ato shpërthime që sollën ndryshime pozitive në vendet e tjera socialiste. Por faktori kryesor duket ka qenë fakti se në Byronë Politike nuk pati elementë që të bënin realitet mundësitë që hapi Kongresi XX për një kthesë rrënjësore drejt demokratizimit të jetës së brendshme të partisë, drejt transformimit pozitiv të shoqërisë sonë…” (faqe 188-67).

Mirëpo, ja si shprehet Ramiz Alia, atëherë 31-vjeçar, në diskutimin që ka mbajtur në Konferencën e Tiranës: “Demokracia ka kufi. Është në interesin e Partisë, deri sa nuk preken interesat e partisë. Por, kur interesat e Partisë e të tjera preken, mendoj se nuk ka të bëjë me demokracinë e brendshme të Partisë.” (AQSH, Fondi 2 i Komitetit të Partisë së Tiranës, dosja A, A/viti 1956).

Kuptohet se, ndonëse shokë të ngushtë, Todi Lubonja kishte ndaj tij kundërti që nuk ia ka shprehur asnjëherë…

Por të kthehemi sërishmi te Plenumi i 4-t. Një i afërm imi, Sh D., atëherë kandidat i KQ, që ndodhej në sallën ku zhvillohej Plenumi i 4-t, kujton:

“Todi Lubonja në autokritikën e tij foli shumë pak. Në pamjen e jashtme dukej i qetë, i përmbajtur, madje gjakftohtë. Një autokritikë e tillë, natyrisht që nuk i pëlqeu Enver Hoxhës. Që ne do të ngriheshim dhe të dënonim me indinjatë gabimet tij dhe të Fadil Paçramit dhe të solidarizoheshim me raportin e Enver Hoxhës, kjo as që vihej në dyshim. Por këtë pjesa më e madhe e diskutuesve e bëri pa zemër, më përjashtim të fanatikëve enveristë. Shihja hera-herës Ramiz Alinë dhe pastaj Todin, që kishte pasur aq shok dhe të cilin jo vetëm nuk mund ta ndihmonte, por edhe ai duhej ta sulmonte. Që nga viti 1946 Enver Hoxha nga sallat e plenumeve kishte shpallur armik Sejfulla Malëshovën, sepse ai kishte dashur që në vendin tonë të vendosej një rend i tipit të demokracisë borgjeze, Koçi Xoxen si armik të partisë, Nako Spirun, një vit më vonë, si agjent të klikës titiste e kishte detyruar të vriste veten dhe më 1955 kishte dënuar Bedri Spahiun dhe Tuk Jakovën për pikëpamjet e tyre që shkonin ndesh me vijën e partisë, e sa të tjerë më pas.”

“Në fund të Plenumit të 4-t, - kujtonte SH. D., - Enver Hoxha mbajti një fjalim të shkurtër, ku, midis të tjerash, shtoi për Todi Lubonjën dhe Fadil Paçramin, tashmë të përjashtuar nga partia, se Radio Beogradi e radio të tjera perëndimore do të flisnin për ta, do ti ngrinin lart ata, që në fakt, nuk ishin gjë tjetër veçse plehra”.

Prifti: Linjat e korrupsonit në qeveri dhe 'plani Berisha' për PS-në



TIRANE- Dritan Prifti ka rrëfyer dje të vërtetën e videos me Ilir Metën, presionet e ushtruara ndaj tij për afera korruptive, miqësinë e Metës me persona të dënuar nga drejtësia dhe mënyrën se si ata mbajnë peng edhe Sali Berishën. "Meta ka dhjetëra biznese në emër të personave të tjerë. Ja faktet..."


Dritan Prifti ka shpjeguar dje për herë të parë detajet e video-skandalit që ka tronditur qeverinë dhe ka treguar se si funksionojnë linjat e korrupsionit në qeverinë Berisha. Nga studio e emisionit "Top Story" të Sokol Ballës, Prifti ka deklaruar se ajo që është parë në video është shumë pak në krahasim me atë që Ilir Meta ka bërë gjatë kësaj kohe. Ish-ministri deklaroi se ka marrë kërcënime mafioze kundrejt jetës së familjes së tij dhe se Ilir Meta bashkë me Sali Berishën dhe Lulzim Bashën kanë një skenar ogurzi për Shqipërinë. Ata kanë planifikuar që të blejnë vota dhe të largojnë Edi Ramën nga bashkia. Më pas, sërish duke blerë vota, dhe me ndihmën e Fatos Nanos, t'i marrin PS-në Edi Ramës. "Imagjinoni Shqipërinë me një lider të tillë të opozitës, me këtë lider të mazhorancës e me president Fatos Nanon. Ilir Meta ka folur për këtë skenarin jo vetëm me mua, por edhe në biseda me persona nga vetë Partia Socialiste për marrjen e kësaj partie", - tha dje Dritan Prifti.



Zoti Prifti faleminderit që pranuat të ishit sot në studio.

Faleminderit për ftesën, nuk mund të mungojë.


Ju sot keni qenë në prokurori. Mund të na thoni diçka më tepër...
Mora një njoftim nga Prokuroria e Tiranës ku më kërkohej të paraqitesha në cilësinë e dëshmitarit. Shpreha gatishmërinë time që të shkoja dhe të tregoja çdo gjë që unë di rreth asaj ngjarje. Kam depozituar në prokurori provën kryesore, videon e shkarkuar nga origjinali dhe për 3-4 orë iu kam dhënë përgjigje prokurorëve për pjesë të ndryshme të kësaj video, si edhe marrëdhënien time me Ilir Metën dhe persona të tjerë që përmendën në këtë bisedë.



Me zotin Tom Doshi çfarë lidhje keni...?

Iliri e ka rregull, kjo është një nga karakteristikat kryesore të një njeriu mafioz që mbrohet duke goditur. Unë me zotin Doshi jam takuar 3-4 herë, ma ka prezantuar Ilir Meta. Kam marrëdhënie shoqërore. Ilir Meta më akuzoi përpara disa kohësh se kisha lidhje me Tan Leprin. Tan Leprin ma ka prezantuar Ilir Meta, se ai ishte shoferi i gruas së tij. Kam marrë një mesazh nga një diplomat i huaj, gjëra rrëqethëse. Meta mendon se duke sulmuar Edi Ramën, opinioni publik do të çojë mendjen tek këto gjërat e tjera për të mbuluar pisllëqet e veta.


Tomës, Meta i ka privatizuar në vitet 2000-2001 "Profarma"-n, i cili më pas i ka shitur dhe është bërë me para. Tomë Doshi i është gjendur Metës në ditë të vështira, kur nuk ishte kryeministër, kur u zgjodh, kur u shkarkua dhe kur u rizgjodh kryeministër.



Çfarë doni të thoni?

Kohë kur Ilir Meta ka pasur probleme të mëdha, kur iku nga kryeministri në vitin 2000, në 2002-in dhe Tomë Doshi i ka qëndruar pranë. Një mik i Ilir Metës i ka telefonuar Tomë Doshit, Bekim Haliaj, i thotë që jam me Ilir Metën dhe hajde të pimë kafe. Ai i tha se nuk ka kohë. Tani sot Meta e shan.

Ju i keni bërë presion?
Absolutisht nuk e kam çuar ndërmend t'i bëj presion. Por, ka qenë detyra ime të dokumentoj presionet mafioze që më ka bërë Ilir Meta mua për një vit rresht. Që kur mora detyrën, ai më ka bërë një presion të jashtëzakonshëm duke thënë: këtë tender këtij, këtë tender atij. Dhe unë e kam pasur për detyrë të tregoj se me çfarë mafiozi kam pasur të bëj. Unë do të dokumentoj ato që kanë ndodhur.



Pranoni autorësinë e videos?

Videon e kam regjistruar unë për të dokumentuar se kush është ky lloj burri. Shqiptarët e njohin përmes deklaratës që pamë sot. Ai burri është njeriu më i korruptuar në tokën shqiptare. Ka 10-12 vjet që vjedh, akuzon, kërcënon dhe mashtron. Deri tani ia ka hedhur.


Pse i keni qëndruar pranë?
Të gjithë këto që them sot i kam të dokumentuar gjatë këtij viti të fundit. Nuk është se nuk kam pasur Ilir Meta në vitin 2000. Ai ka një vit që mashtron dhe ia ka hedhur. Unë i kam qëndruar pranë, pasi këto që tregova sot i kam regjistruar gjatë vitit të fundit. Videon e kam regjistruar unë. Unë isha drejtor i KESH-it. 10 ditë u largova në Amerikë dhe Meta mori në telefon nëndrejtorin dhe bleu 10 milionë dollarë energji. U ktheva dhe e luftova këtë. Ndërkohë, në vitin 2001, Meta më ka thirrur në zyrë dhe më ka thënë: Më duhet të blej disa anëtarë të KPD-së tek PS, më gjej 500 mijë marka. Gjeji ku të duash.



Pse nuk e denoncove atë ditë kur ndodhi ky bashkëbisedim?

Kam tentuar disa herë që të gjej rrugën për ta bërë publike atë video. Edhe gjatë kohës që isha ministër. Pasi kjo gjë ndodhi kam njoftuar kryeministrin. Unë me kryeministrin kam pasur një marrëdhënie që flisja çdo javë, i komunikoja çfarë ndodhte, ai është në dijeni të gjithçkaje. Më vjen mirë që e ka pranuar se unë ia kam dhënë këtë video.



Keni një koment për kryeministrin Berisha?

Nuk e kam më. Pas këtij deklarimi të kryeministrit më vjen keq, ai duhet të ketë marrëdhënie më shumë me Ilir Metën, se sa mendoj unë. Ai duhet të jetë i lidhur në mënyrë të sëmurë me Ilir Metën, jo për gjëra të mira. Ai me rastin e Ylli Pangos e shkarkoi për 4 minuta, ndërsa për këtë deklaratë duhet të jetë shumë në hall për atë që duhet të bëjë me Ilir Metën. Zoti Berisha duhet të flasë përpara drejtësisë. Nuk e prisja që ai të merrte anë. Ai tha se video është e trukuar. Me këtë ai i tha drejtësisë që kjo është e trukuar, ia diktoi. Më vjen mirë që e pranoi.



Kur ia keni ofruar?

Në kohën e duhur, kur ai kishte mundësi ta shikonte dhe të reagonte për atë video. Me atë që ka bërë sot, ka rënë miti i kryeministrit si njeri i pastër. Deri dje, ai ka dalë përpara shqiptarëve si një njeri i pastër, por unë tashmë e them me shumë keqardhje, po filloj të kujtoj dhe episode të tjera të marrëdhënieve tona, të cilat po filloj të dyshoj. E kam informuar për kontrabandën e naftës Virgin, nuk bëri asnjë reagim. Pasi unë bëra deklaratën publike, ai nuk reagoi përsëri, e la zotin Kuliçi të rrijë atje, në punën që bën. Kryeministri merr në mbrojtje Ilir Metën vetëm për interes të zgjedhjeve të ardhshme elektorale, se mund t'i jepet shansi që t'i afrohet ndopak Edi Ramës. Kur isha ministër jam mbytur me ankesa për ministrin Genc Ruli. Kontrolli i brendshëm i Ministrisë aty ka gjetur gjëra të tmerrshme. Ia çova kryeministrit, deri më sot nuk kam dëgjuar asnjë fjalë nga kryeministri për atë raport. Nëse Genc Ruli kishte dhënë rreth 80 koncesione gjatë katër viteve, vetëm gjatë muajve të verës dha 40, në mungesë të Parlamentit, vetëm pak muaj përpara zgjedhjeve.



Janë disa prej atyre që ka denoncuar opozita?

Janë disa, por ka gjëra që nuk janë dëgjuar. Le ta kërkojë opozita. Edhe mund ta kërkoj, por unë ia dhashë kryeministrit. Pra, jam shumë i zhgënjyer prej tij.


Ju thatë që mund të publikoni gjëra të tjera. Për herë të parë Brukseli kërcënoi nëse kjo video është e vërtetë do të shikojë marrëdhëniet me Shqipërinë. Ju garantoni se kjo video nuk është e manipuluar?
E kam bërë me ndërgjegje të plotë, ia kam dorëzuar emisionit "Fiks Fare" dhe prokurorisë të paprekur.



Ju thoni se zoti Meta ka vjedhur?

Unë ia kam thënë zotit Meta edhe atë ditë kur më dërgoi me sms që tek vendi jot do të vi unë. Unë i thashë që po më shkarkon se do të vjedhësh. Nuk kam dyshim se ai ka shkuar atje vetëm për të vjedhur.

Tek ky koncesion që përmendët, zoti Meta nuk e ka bërë...
Ai nuk e ka bërë, sepse këtë bisedë ia kam regjistruar. Këtë regjistrim për t'ia dhënë vëllezërve Kola unë ia kam thënë.



Çfarë thuhet në video për të?

Është shumë e qartë si kristali që këtë koncesion duhet ta bëj sot. Aty nuk ka asnjë lloj shkëputje. Aty dukej insistimi dhe presioni: mbaroje sot! Po sikur të shkojë në Gjykatë të Lartë? Është punë e mbaruar se e mbyll unë me Shpresën, se ia kam çuar vajzën në ambasadë. Më vjen keq që ka dalë emri i zonjës së nderuar. Por, është e vërtetë që vajza e saj ka shkuar në Vjenë, e ka çuar Ilir Meta. Është e vërtetë që do ta mbyllte Ilir Meta. Tani çfarë prove duhet? E filloi me një kërkesë për punësim, me një që është oficer police sot, që ka qenë shef i madh në "Albpetrol" kur ka qenë Meta kryeministër në 2001-ën. Iku nga puna dhe i ka 800-900 milionë lekë borxh "Albpetrolit". Si ta merrja këtë unë dhe ta bëjë drejtor për inspektoratin e naftës për Tiranën, Durrësin etj. Ai njeri është i punësuar sot në Policinë e Shtetit, me atë historik problematike unë ta bëja inspektor. Prandaj Ilir Meta erdhi në zyrë dhe më kërkoi llogari. Episodi tjetër është për të anuluar një tender në "Albpetrol".



Si mund të anulohet?

Nëse je në një post politik nuk ka rëndësi asgjë, unë të jap urdhër, zbatoje. Unë dua fëmijët e mi përpara se çdo gjë tjetër. Unë nuk mund të ndërhyrja në një tender të "Albpetrol", se punëtorët kishin ngelur pa rroga. Si ta anuloja? Unë mezi po prisja që ta blinte atë naftë dhe të merrnin rrogat punonjësit. Për këto qejf mbetje, për këto urdhra të jashtëligjshëm erdhi ajo që erdhi më mbrapa, që unë u largova. Tani që po flasim, gjysma e Fierit është pa drita, gjysma e Jugut është pa drita. Ishalla nuk ka gisht Ilir Meta, që të mos shohin njerëzit emisionin.



Rezistenca juaj duket e pakët ndaj zotit Meta. A ndiheni bashkëfajtor? A do të jeni i gatshëm të lini imunitetin?

Imunitetin e lë në çdo sekondë që do ta kërkojë çdo organ i ligjit në Shqipëri. Qëndrimi im i butë kishte të bënte me faktin që unë doja ta lija të fliste. E vërteta është se asnjë nga kërkesat e tij për favorizime të jashtëligjshme nuk e kam zbatuar. Jo vetëm këto që janë përmendur në këtë video nuk i kam zbatuar. Unë punoj për ato katër fëmijë që kam në shtëpi, nuk punoj as për Ilir Metën dhe as për një tjetër. Nuk ndjej asnjë lloj faji, më vjen mirë që Ilir Meta më mirëkuptoi dhe zbrazi barkun.



Zoti Meta e referoi shifrën 700 si një dëm shkaktuar...

Ilir Meta mund të sajojë justifikime për eurot që u afruan, apo 7%, të dyja më ofroheshin mua. Se sa ishte pjesa e tij. Por pjesa e tij ishte 20%, e kishte vënë në emrin e Fatmir Merkaj, ose të firmës së tij. Është një person i mirë, por ashtu e ka parë ai për të ndërtuar jetën. Më duket se ka qenë shofer i Ilir Metës. Tani merret me ndërtime. Pra, Ilir Meta kishte pjesën e vet tek kjo.



Janë akuza shumë të rënda...

Të ikin të marrin regjistrimin e kompanisë në QKR dhe të shikojnë, nëse është kjo që them unë.



Prokuroria bëri një deklarim mbi hetimin që ka bërë mbi disa koncesione. Mendoni që ky fakt që keni nxjerrë do të hetohet për një koncesion që nuk është dhënë?

Ky i është dhënë një bashkimi tjetër kompanisë, kompanisë "Kurum" dhe kompanisë "Doko" nga Elbasani. Ajo është bërë, pasi unë kam ikur. Ilir Meta më ka bërë mua presion dhe më ka bërë mua ofertë të paligjshme për t'ia dhënë vëllezërve Tola.



Ju përmendët emrin e një biznesit, por thoni se ai është djalë i mirë. Akuzoni se 20% i tij, është i Ilir Metës. Ju thoni se ka një shtresë biznesmenësh që kërkojnë ndere të paligjshme?

Ju jetoni në të njëjtin realitet që jetoj unë. Disa përfitojnë në kurriz të tjerëve në mënyrë të padrejtë. Favorizime ka në realitetin shqiptar në mënyrë të rëndomtë. Çdo shqiptar po të pyesësh do të japë raste të tilla.



Në një moment dëgjohet dhe prokuroria. Biseda është e marsit 2010. Më duket sikur dëgjoj emrin Belegu dhe një herë Stojku. Keni deponuar për këtë pjesë të bisedës?

Në prokurori kam diskutuar për pjesën e zbardhur nga emisionin "Fiks Fare". Përmendja e kryeministrit ka qenë kur ne mendonim të zëvendësonim drejtorin e KESH-it. Më kërkoi të emëroja atë që është sot. Kontekstin e prokurorisë nuk e mbaj mend plotësisht, mund të ketë qenë për Belegun. Bëhej fjalë për të tjerë. Mund të ketë qenë Belegu, ku Meta më thoshte ki kujdes se prokuroria mund të veprojë. Mund të ishte për Belegun. Meta ma ka përmendur disa herë, më ka kërkuar ta largoja nga detyra.


Sot Nikollë Lesi, një nga aleatët e koalicionit qeverisës ka deklaruar se do të deklarojë tre emrat e ministrave që janë të korruptuar... Keni ju dijeni?
Unë mund të kem dy të sigurt, Ilir Meta dhe Genc Ruli. Për të tretin nuk dëshiroj të abuzoj me asnjë nga ish-kolegët e mi.


Si do të mendoni se duhet të ishte reagimi i mazhorancës, nëse vërtetohet autenticiteti i kasetës?
Kjo është një gjë për 3-4 ditë mund të verifikohet. Nëse nuk ka ekspertë prokuroria, mund të merren të huaj. Është detyra e prokurorisë që të mos e lejojë opinionin kaq të varur, duhet të japë një deklaratë. Nëse thotë se faktet konfirmohen në versionin origjinal, e gjithë qeveria duhet të japë dorëheqjen dhe të ketë guximin që Berisha të kërkojë një mazhorancë të re. Për Shqipërinë, do të ishte më mirë që të shkonim në zgjedhje të parakohshme.


Ju besoni se Ilir Meta nuk thotë të vërtetën?
Nuk është çështja se çfarë besoj unë, por çfarë kanë parë sytë e mi dhe çfarë kanë dëgjuar veshët e mi, dhe të gjithë shqiptarëve. Ai tani tregon përralla. Unë mora vesh që e kanë fituar Apelin dhe ma thotë ai, ma tha edhe personi në telefon. I thashë që ma dërgo në protokoll, siç bën zyrtari i shtetit.


Zoti Prifti keni pasur kërcënime të reja?
Kam pasur 2-3 mesazhe pas dhënies së video, kryesisht sharje, ofendime, jo kërcënime të drejtpërdrejta. Ky mafiozi, mua më duket kaq komik, se e njoh kush është, ai përpiqet të hiqet si një njeri tjetër dhe vazhdon përditë e kërcënon. Edhe muajt e fundit nga celulari i tij më kanë ardhur disa mesazhe që mos i turpëro ato fëmijët e t'u. Siç vepron mafia. Ky ka 3 muaj, që kur ka shkuar atje, ka kthyer përmbys të gjithë ministrinë ku kam hedhur firmë unë. Kanë ardhur dy policë në administratë, aty kanë thirrur të gjithë administratën dhe i kanë pyetur mbi mua. Disa na kanë ardhur dhe na kanë thënë që na thirrën. Atyre i kërkojnë që të shpifin për mua. Kanë instaluara kamera të fshehta në zyra dhe i bëjnë terror.



Keni besim se do të dali ndonjë gjë në lidhje me ju?

Dy herë e kam bërë kontrollin unë. Për pasurinë më janë bërë akuzat përpara se të isha ministër. Pasuria s'ka pasur lidhje me detyrën. Ky pretendon se një ditë do të vijë një ditë që do të bëhen hetimet dhe do të dalë e vërteta, ky burri bashkë me Lulëzim Bashën dhe Sali Berishën kanë bërë plan që me çdo mënyrë t'i marrin Bashkinë Edin Ramës, prandaj rrinë mëngjes-drekë-darkë bashkë. Ta them unë skenarin. Pastaj Ilir Meta, me disa njerëz që janë brenda PS, dhe disa që janë jashtë, do të ndërmarrë një fushatë të tmerrshme që të bëhet kryetar i opozitës. Do t'i sulet Edi Ramës për të marrë kryetarin e Parisë Socialiste. Imagjino se çfarë skenari ogurzi është ky për Shqipërinë, që këta njerëz të kenë mazhorancën dhe opozitën, punët i bëjnë vetë. Nëse kjo do të ndodhë, unë nuk do të jem në atë kohë në Shqipëri. Ky është skenar i pafalshëm.


Ju keni bërë disa deklarata dhe më pas i keni cilësuar si emocionale. Mos janë edhe këto emocionale?
Unë kam thënë që janë emocionale, por jo të pavërteta.



Çfarë skenari bëhet fjalë?

Bëhet fjalë për një skenar që të marrë Meta PS-në. Unë kam informacione. Edhe në takimin që ka qenë Meta-Nano, kjo ka qenë temë, se si njëri do të kthehej në krye të PS-së dhe njëri president. Fiksimi i Ilir Metës, partia e vet tani ka 1-2%, fiksimi i tij është që Edi Rama ta humbë Bashkinë e Tiranës me çdo kusht, që ta heqë dhe të marrë kreun. Ai është mësuar duke i blerë votat. Në 2001-in më ka kërkuar mua 500 mijë marka për të blerë votat. Nuk është shfaqur ndonjëherë në publik siç është shfaqur këtu. Mua nuk më intereson nëse e dënojnë apo jo, vetëm efekti që ka bërë tek njerëzit që kanë parë fytyrën reale të Ilir Metës, mua më mjafton.



Këtë skenar ua ka treguar vetë?

Jo vetëm mua, por këtë skenar e diskuton me lloj-lloj njerëzish. Sot ka disa njerëz brenda në grupin e PS-së që e diskuton këtë gjë.


Kush janë këta njerëz? Për transparencë...
Unë nuk mund të them emra tani. Ata që duan të dinë, i dinë se kush janë këta njerëz.


Lidhur me videon ju keni përmendur një emër: Bekim Halilaj. Ky person më ka dërguar një sms ku më thotë: Ju lutem bëjini një pyetje zotit Prifti. Kur është bërë ankandi i parë dhe çfarë marrëdhëniesh kam unë me të, a më ka ftuar në shtëpi...
Bekimi ka qenë dje me Ilir Metën, i kanë kërkuar Tom Doshit të pinë një kafe. Nuk e mohoj që nuk është mik me Tom Doshin. Nuk e mbaj mend ta kem ftuar ndonjëherë në shtëpi. Për mendimin tim nuk ka ndonjë rëndësi. Ai është mik i Ilir Metës. Fakti që donte t'ia jepte atij është lehtësisht i verifikueshëm. Nuk e ka pasur garancinë për ta marrë. Komisioni e ka skualifikuar.


Një tjetër mesazh më thotë: A ka zoti Prifti ndonjë hobi si gjuetia apo peshkimi dhe nëse ka mos të shkoni në gjueti. Keni frikë mbi sigurinë tuaj?
Disa aludojnë për ish-mikun tim Kosta Trebicka që u vra kur shkoi në gjueti.


Zoti Prifti, po thoni që u vra?
U vra, a e vranë, a u vra vetë, fakti është që ai u vra. Jam i frikësuar për familjen time, nuk kam frikë për vdekjen time. Por, jam i frikësuar për familjen time dhe brenga e vetme që kam nga gjithë kjo histori, është se atyre iu kam sjellë rrezikun e jetës. Unë po përpiqem që t'i mbroj. Ilir Meta është një njeri jashtë mase i rrezikshëm. Mjafton të marrësh videot. Mjafton të marrësh çfarë hyn dhe çfarë del në zyrën e tij në një javë. Njerëzit që hyjnë dhe dalin në zyrën e tij i kanë bërë 100 vite burg. Ai është një njeri, i cili shoqërohet me këta njerëz. Jam i shqetësuar për sigurinë, por s'i dihet asnjëherë.



Do të jeni i gatshëm të përballeni me Ilir Metën?

Në sekondën që ai do të pranojë, unë do ta pranoja. Do të kisha kënaqësinë të përballesha edhe brenda LSI, por u bë e pamundur të qëndroja. Ilir Meta është një person me intelekt mesatar. Ai ka mbaruar shkollën dhe s'ka bërë një ditë punë. Direkt në politikë dhe e ka pasur të lehtë. Për sa i përket nivelit të intelektit, në çdolloj konkursi, çfarëdo lloj gjëje unë jam i gatshëm të dalë përballë tij.



A ka video të tjera?

Faktet dhe abuzimet janë pafund të kohës kur unë isha ministër dhe të kohës që Ilir Meta është ministër. Ilir Meta ka marrë në punën një njeri që quhet Astrit Banushi. Ai rrinte prapa derës sime se duhej t'i firmosja një pagesë prej 200 milionë lekësh për një gjë që nuk e meritonte. 3-4 muaj prapa derës sime nuk ia firmosja. Pasi u bë ministër, Ilir Meta ia firmosi dhe i mori lekët nga buxheti i shtetit. Javën e fundit, kompania CEZ bëri një mbledhje bordi. Ilir Meta ka shkuar në Çeki për t'i kërkuar CEZ që t'i jepej një mikut të vet një kontratë. Ai është Kastriot Ismailaj. Donte që t'i jepte kontratë për t'i mbledhur borxhet e vjetra, për të mbledhur 200 milionë euro. Nëse do të mblidheshin do të merrte 50%. Procesi i privatizimit të "Albpetrolit" është i bllokuar komplet, ai nuk firmos asnjë. Ka tre muaj që nuk ka dërguar në Ministrinë e Financave asnjë dosje për privatizim të ri. Ai nuk do ta privatizoj "Albetrol". Meqë më pyete për videon. Kur jam përgjigjur herën e parë të thashë që nuk ka video. Doja të thosha që nuk ishte koha për t'i nxjerrë. Është shpejt dita tjetër, jo javë të tjera, por më shpejt. Kam dokumente të tjera, sigurisht.



Video-skandali

Tre ditë më parë është publikuar video-skandali i korrupsionit të zhvilluar në zyrën e Dritan Priftit, në atë kohë ministër i Ekonomisë. Në video shfaqet Ilir Meta, i cili hyn në zyrë me një bllok në dorë ku mban të shënuar të gjitha llogaritë që duhet të kërkojë nga Prifti. Biseda është e tensionuar. Duket që marrëdhëniet mes dy zyrtarëve të LSI janë të acaruara. Meta i kërkon në fillim të bisedës zgjidhjen e një çështje për llogari të një personi që quhet Tur Hajdari. Pjesa më kulminante është kur Meta kërkon anulimin e një tenderi dhe më pas dhënien e një koncesioni. Ai thotë që e zgjidh çështjen e koncesionit me kryetaren e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj. Në formë urdhri ai i kërkon Priftit ta mbarojë punën e koncesionit të Hidrocentralit brenda ditës, edhe pse nuk janë letrat në rregull. Në bisedë shfaqet edhe emri i Doktorit, i cili i ka dhënë garanci Metës që do mbyllë çështjen brenda javës.



LSI

Menjëherë pas publikimit të videos ka reaguar Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila e ka konsideruar video-skandalin si një shfaqje të neveritshme realizuar përmes një montazhi të pështirë, ku në rolin e një çimke të komanduar nga Edi Rama përpëlitet në grahmat e fundit, i detyruar ta hedhë vallen sipas vijësjelljes së klaneve kriminale dhe korruptive, që me largimin e tij nga qeveria humbën instrumentin për realizimin e interesave të tyre kriminale. Për Lëvizjen Socialiste për Integrim, shfaqje të tilla - pjellë e krimit të organizuar, nuk përbejnë asnjë shqetësim. Përkundrazi, lufta pa kompromis e deri në qelizën e fundit ndaj krimit të organizuar dhe veprimtarisë mafioze e korruptive mbetet një konstante e pandryshueshme, një prioritet gjithnjë i pazëvendësueshëm, nga i cili nuk mund të na largojnë makinacionet dhe montazhet e një çimke të skaduar.


Komisioni Europian
Një ditë pas publikimit të video-skandalit Meta-Prifti, Komisioni Europian ka kërkuar marrjen e të gjitha masave nga drejtësia shqiptare për të hetuar materialin. Zëdhënësja e Komisionit Europian për Zgjerimin, Natasha Butler, ka folur nga Brukseli për këtë çështje duke iu kujtuar autoriteteve shqiptare se duhet të tregojnë përgjegjshmëri në këtë rast, pasi lufta kundër korrupsionit është një nga 12 kërkesat e Komisionit Europian për Shqipërinë. "Ne sapo jemi informuar për këto zhvillime të fundit në Shqipëri e nuk mund të komentojmë në mënyrë specifike. Siç e dini, ekziston një sistem ligjor në Shqipëri dhe ky sistem ligjor duhet të zbatohet dhe për këtë rast. Nëse ky rast do të konfirmohet, i takon së pari prokurorisë që të ndjekë bazuar në informacionet e dhëna dhe të ndërmarrë hetimet që i vlerëson relevante", - deklaroi Butler



Edi Rama

Një ditë pas publikimit të videos kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha se u pa nga të gjithë, me zë e me figurë, një ndër episodet e panumërta që ndodhin prej kohësh nën çatinë e qeverisë së krijuar me vota të vjedhura për të vjedhur Shqipërinë. "Ndërsa ndje, u panë e u dëgjuan, të dy bashkë, kryeministri dhe zëvendësi i tij, kusari i zgjedhjeve të 28 qershorit dhe matrapazi i votave opozitare, t'u tregonin shqiptarëve se jo vetëm kanë vjedhur votat për të vjedhur Shqipërinë, po me fuqinë e shtetit të kapur e të parasë së pistë, duan të vazhdojnë të vjedhin votat e të plaçkitin gjithçka, madje duke u tallur me një popull të tërë", - vlerësoi Rama. Kryetari i Partisë Socialiste e cilësoi ngjarjen si episodin më të turpshëm që ka tronditur vendin dhe është thjesht një provë më shumë, në malin e provave, fakteve e grupfakteve të dokumentuara të keqqeverisjes së Saliut e Metës.



Ilir Meta

Ilir Meta reagoi një ditë pas videos duke pretenduar se ajo që ishte e filmuar ishte e vërtetë, por se zëri i tij ishte dëgjuar gabim. Me pretendimin se "nuk i janë lexuar mirë buzët", Meta ka thënë se nuk është përmendur në asnjë rast shifra 7%. Për shifrën 700 që aludohet të jetë 700 mijë euro, Meta është shprehur se nuk e mban mend se çfarë është. Ai ka pohuar se ka hequr dorë vullnetarisht nga mandati në mënyrë që prokuroria ta hetojë. "Besoj se veprimet e mia janë të kristalta. Për dorëheqjen time, unë do ta jap dorëheqjen. E kam premtuar. Por në 28 qershor të 2013. Unë nuk e di se çfarë është ajo 700, sepse unë nuk mund të mbaj përgjegjësi për interpretimin që i bëhet buzëve të mia dhe as për përkthimin nga shqipja në shqip, dhe për gjithçka që pretendohet nga organizatorët, nga retusherët e kësaj kasete të pështirë. Unë kam kërkuar, kërkova prapë dhe do të kërkoj gjithmonë që të hetohet nga prokuroria", - tha Meta.

Dritan Prifti
Pas Metës ishte radha e Priftit që të jepte shpjegimin e tij për video-skandalin. "Dua të konfirmoj si dëshmitar i ngjarjes se videoja është e saktë dhe përmban thënie origjinale të Ilir Metës në bisedën me mua. Urdhri për anulimin e tenderit në "Albpetrol", në mënyrë që tenderin tjetër ta fitonte miku i tij, Bekim Halilaj, është i qartë si kristali me figurë dhe me zë. Urdhri kërcënues për të dhënë një koncesion hidrocentrali bashkimit të firmave të udhëhequr nga vëllezërit Tola dhe pasuar nga miku tij Agim Rrapaj dhe ortaku i tij Fatmir Merkaj, janë të kristaltë në figurë dhe në zë. Ai me figurë dhe zë kristali telefonon Agim Rrapajn nga telefoni i tij dhe ma nxjerr mua në telefon. Ai ofron 7% si shpërblim. i ofrova atij (Berishës) kopje të videos dhe ai nuk pranoi ta merrte dhe ta shihte. Shumë njerëz e kanë ditur brendinë e videos, por deri dje nuk e kishin parë", - tha Prifti.


Prokuroria
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për video-skandalin e publikuar tre ditë më parë, ku zv.kryeministri Ilir Meta implikohet në afera korruptive. "Prokuroria e kryeqytetit, me iniciativën e saj pas publikimit të videos ku shfaqen dy deputetet Ilir Meta dhe Dritan Prifti, të filmuar në zyrën e këtij të fundit ku dhe diskutohet për disa dyshime "kriminale" ka nisur verifikimin. Fillimisht, do të kryet verifikimi i faktit kriminal, që ekzistojnë apo jo elementë të veprës penale të "korrupsionit pasiv dhe aktiv të funksionarëve të lartë shtetëror" dhe asaj të "shpërdorimit të detyrës" dhe më pas do të procedohet si në të gjitha rastet hetimore. Në rastin kur evidentohet përgjegjësia penale në këtë video dhe konstatohet se protagonist të këtij fakti kriminal janë deputetë, atëherë dosja do të delegohet në Prokurorinë e Përgjithshme për të përpiluar kërkesën drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit", - tha prokurori.


Bamir Topi
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ka dhënë mbështetje të plotë kryeprokurores Ina Rama që të bëjë detyrën e saj pa u ndikuar nga politika. "Tashmë, kjo është një çështje e Institucionit të Prokurorisë dhe, patjetër, inkurajoj Prokurorinë, jo thjesht në sensin për të bërë detyrën e saj, sepse ndonjëherë është e panevojshme të thuhet që inkurajoj Prokurorinë, duke qenë se Prokuroria është një Institucion që ka një ligj. Por, e them këtë për të bërë transparencë. Pra, inkurajoj Prokurorinë të bëjë punën e saj, të hetojë dhe të bëjë transparencë hap pas hapi, sepse ka mjaft ngjarje, që kanë një sensibilitet të lartë publik, me të drejtë, dhe këto ngjarje duhet patjetër të certifikohen hap pas hapi, qoftë në sensin e pohimit të gjërave, qoftë në sensin e kontestimit të gjërave. Pra, kemi nevojë të respektojmë institucionet, shtetin ligjor dhe vetëm atëherë do të shkojmë në parametrat e shtetit të së drejtës. Komentet politike pastaj nuk më takojnë mua t'i bëj, u takojnë të tjerëve",- tha dje presidenti.



Sali Berisha

Kryeministri Sali Berisha është personi i fundit që ka komentuar parë video-skandalin e zv.kryeministrit Ilir Meta. Teksa ditën e parë Berisha u shfaq në mbledhjen e qeverisë duke folur për arrat, gështenjat dhe ullirin, dje ai u shfaq duke vlerësuar vartësin e tij Ilir Meta që ka vendosur të heqë dorë nga imuniteti. Kryeministri ka sulmuar edhe kreun e PS-së, Edi Rama, duke i akuzuar se kanë falsifikuar materialin dhe bisedën. Ai shpjegoi se Dritan Prifti e ka informuar për videon përpara se ajo të transmetohej, por ai vetë nuk ka marrë asnjë masë. Madje, Berisha ka marrë edhe "meritën" për publikimin e videos: "Ajo video ka ardhur tek ju, sepse kam dashur unë. Është e vërtetë që Dritan Prifti më ka ofruar videon, por i kam thënë çoje ku të duash, është shumë e vërtetë. Ju videon e morët, sepse nuk e mora unë. Po ta merrja unë, ju nuk e merrnit, por kjo nuk mund të ndodhte, sepse nuk është morali im. Ai është një material i trukuar", - tha dje Berisha.



***

Dritan Prifti një nga personat kryesorë në video-skandalin e Ilir Metës , publikuar nga 'Fiks Fare', pas katër orësh ka lënë Prokurorinë e Tiranës. Prifti tha për gazetarët se dorëzoi në Prokurori kasetën origjinale, ndërsa shtoi se është pyetur për detaje në lidhje me ngjarjen. Pas daljes nga Prokuroria Prifti pohoi se do të jetë në dispozicion të drejtësisë për të zbardhur plotësisht çështjen.



***



TIRANË - I kontaktuar nga "Shekulli" pasditen e djeshme, deputeti Dritan Prifti ka shpjeguar se çfarë "fshihet" në pjesën tjetër të videos që Meta pretendon se është e prerë. Sipas Priftit, shkaku përse kjo pjesë e videos është prerë është thjesht teknik, pasi në ato momente zëri është shumë i ulët dhe është e pamundur që të dëgjohet se çfarë po bisedojnë dy personazhet.


Për aq sa mban mend ish-ministrit Prifti, në atë pjesë të videos diskutohet për emërime të tjera që Ilir Meta kërkonte që të bëheshin në administratën shtetërore. Në fillim të videos tregohet që ai mbante me vete një bllok ku kishte shënuar një nga një të gjitha porositë që kishte për ministrin Dritan Prifti.


Në pjesën e prerë ndodhen porositë e emërimeve. Në këtë pjesë është biseduar edhe në lidhje me prokurorinë dhe mundësinë që ajo të nisë hetimet për çështjen e koncesionit të hidrocentralit Egnatia-Shushica në lumin e Gostimës.


Meta i shpjegon Priftit që duhet të kenë kujdes që kjo bisedë të mos hapet shumë, pasi ndokush mund të flasë në prokurori. Burime të prokurorisë kanë pohuar dje se kanë marrë një kontakt paraprak me deputetin Dritan Prifti dhe se ai u ka pohuar që do të shkojë sot paradite për të dorëzuar materialet e çështjes. Bëhet fjalë për videon origjinale, të cilën ministri do ta dorëzojë zyrtarisht si provë.


Sot pritet që ai të japë edhe një dëshmi të shkurtër për të gjithë çështjen. Që nga momenti i transmetimit të videos, deputeti Dritan Prifti ka marrë disa kërcënime në telefon. Kërcënimet kanë ardhur përmes telefonatave të panjohura dhe mesazheve. Këto do të depozitohen në prokurori në cilësinë e provës. "Kam shpërndarë provat brenda dhe jashtë Shqipërisë në miq të besueshëm.


Nëse më ndodh gjë mua apo familjes, fajtor janë 2 persona: Sali Berisha dhe Ilir Meta. Berisha deri tani nuk ka motiv, kurse Meta është shprehur që është gati të marrë kallashin kundër meje.


Kriminelët ordinerë nuk kanë punë me mua, ata mund të veprojnë vetëm me urdhër politik. Fëmijët nuk dinë asgjë, sepse janë të vegjël dhe ne i mbajmë larg televizorit. Të mëdhenjtë janë të shqetësuar.


Kam menduar ta largoj familjen në SHBA për disa kohë, por me vjen keq t'i shkëpus fëmijët nga shkolla dhe shoqëria e tyre", është shprehur Prifti në një intervistë për Shekullin, pak dite para publikimit te videos, interviste e cila mund te lexohet e plote me poshte:


Zoti Prifti, ju tashmë jeni larguar nga LSI. Si e gjykoni këtë vendim?
Jam shumë i qetë që nuk kam të bëj dhe nuk jam në një familje politike me Ilir Metën, politikanin më të paburrë dhe më të pabesë që ka lindur ndonjëherë ndonjë nënë. Ka qenë një vendim i vështirë të ndahem përkohësisht prej mbështetësve të mi në Fier, Lushnjë dhe Mallakastër, por ka qenë vendimi i duhur për të ikur prej LSI-së. LSI është një parti që tani ka 2% elektorat në gjithë vendin dhe një forcë politike pa të ardhme. Jo vetëm shpëtova prej intrigave të LSI-së, por shpëtova dhe të ardhmen time politike dhe investimin tim 13-vjeçar në politikë aktive. U largova nga një barkë peshkimi që po mbytej dhe falimentonte. Edhe peshqit janë aq të mençur sa të mos bien në rrjetën e Ilir Metës.


Duke bërë një retrospektivë, si lindi LSI-ja shtatë vjet më parë dhe në çfarë situate jemi sot?
Nuk dua të flas fare për LSI-në më gjatë. LSI ka qenë një gabim i madh i imi. Nuk duhet të isha bërë kurrë partner politik në këtë aventurë me Ilir Metën. LSI tani është parti e Ilir Metës. Të tjerët aty janë mbushës topi, që Meta i hedh si t'i mbushet mendja. Më vjen mirë që shqiptarët e kanë braktisur këtë parti dhe më në fund e kanë njohur Ilir Metën siç është.


Ju keni përmendur mundësinë e krijimit të një grupi të ri parlamentar. Keni nisur negociata me deputetë të tjerë?
Unë kam synim të krijojmë një grup në Parlament që të ketë mundësi të diktojë mazhorancë. Në këtë mënyrë, ne do të mund të kontribuojmë për ligje më të mira dhe për politikë më të përgjegjshme dhe atdhetare. Deri sot, unë me z. Paulin Stërkaj jemi për këtë projekt. Do të punojmë dhe me shokë të tjerë dhe shpresoj të kemi sukses. Sigurisht që është vështirë se PD dhe LSI luajnë me shuma gjigante parash për të blerë deputetë, kurse ne duhet të punojmë me parime dhe bindje për të ndërgjegjësuar deputetët që projekti ynë është për të mirën e vendit dhe të tyre, por s'ka oferta financiare.


Ku do të pozicionohet ky grup?
Ky grup do të pozicionohet në opozitë, por nuk do të votoj kundër apo bojkotoj çdo ligj. Ne do të gjykojmë me qetësi dhe do të votojmë ligjet që i duhen integrimit dhe vendit. Ligjet që ofrojnë mburojë për korrupsionin dhe favorizime për një kastë të caktuar, ne do t'i kundërshtojmë fuqishëm...


Në rast në një mocioni votëbesimi për qeverinë, si do të jetë vota juaj?
Kjo do të gjykohet nga gjithë anëtarët e grupit në kohën kur vjen mocioni mosbesimit për qeverinë. Do të gjykojmë motivet e mocionit dhe emrin e kryeministrit të ri dhe do të vendosim. Unë personalisht jam për rrëzimin e qeverisë ku Ilir Meta është pjesë.


Keni thënë se Berisha ka dijeni për korrupsionin e shumë ministrave, por nuk ka mundësinë t'i heqë, sepse i lëkundet qeveria. Cilët janë këta ministra, për çfarë aferash bëhet fjalë?
Berisha ka informacion për shumë nga ministrat dhe nuk ka çfarë iu bën. Me situatën e krijuar në Parlament, ai ka nevojë dhe për një votë të vetme. Ai nuk godet dot asnjë ministër të korruptuar, sepse humbet mazhorancën në Kuvend. Unë kam folur boll dhe s'kam ndërmend të bëhem prokuror për të denoncuar të gjithë. Nuk mund të rrezikoj më tepër nga jeta ime dhe e familjes sime.


Si e shikoni situatën e brendshme në LSI, por edhe në të gjithë mazhorancën?
Unë besoj se Qeveria është shumë e brishtë. Ajo mbahet në këmbë nga disa vota të majta të LSI-së, disa të PDU-së dhe disa deputet të PD-së që janë shumë të pakënaqur me trajtimin që i bën udhëheqja e PD-së. Ata kanë sy dhe shohin që disa pasurohen, kurse ata rrinë me rroga dhe shtëpi me qira. Unë parashikoj një vazhdim shumë të vështirë të mazhorancës. Ata do të punojnë në një terren shumë rrëshqitës gjithë javët që vijnë. Qeveria mund të bjerë nga çasti në çast. Është e sigurt që ajo nuk shtyn dot tre vjet. Çdo gjë është e pasigurt për ata.


Një rast tepër enigmatik është arrestimi dhe më pas zhdukja e ish-këshilltarit tuaj, Eduard Belegu. Si është e vërteta e kësaj çështjeje, përse u arrestua ai në mënyrë aq bombastike?
Zoti Belegu është arrestuar me motive politike, për të më trembur mua si ministër. Nuk ka asnjë shpjegim tjetër arrestimi me bujë i tij në zyrën në ministri. Çështja penale, me të cilën u arrestua Belegu, kishte vite që ishte hapur. Ajo s'kishte lidhje me detyrën e tij si këshilltari im, por me një aktivitet privat të tij para disa vjetësh. Ai ishte thirrur në prokurori për pyetje dhe pastaj për rreth një vit askush s'ishte kujtuar për çështjen, madje atij nuk i ishte bërë e njohur asnjë akuzë. Çështja nga informacionet e mia është hapur nga prokurori i rrethit të Elbasanit, me nxitjen e Agron Kuliçajt. Prokurori i çështjes i është shprehur vetë z. Belegu se e ka hapur me urdhër çështjen dhe pa vullnet. Unë habitem se përse Prokuroria nuk e heton këtë arrestim dhe çështje. Disa javë, pasi Z. Belegu doli nga burgu, çështja u pushua dhe akuzat që e futen në burg pushuan. Kjo histori ngjan me kohën e Enver Hoxhës kur njerëzit futeshin në burg me urdhër politik, me akuza të sajuara. Z. Belegu u zhduk në kohën kur po përgatitej të denonconte prokurorinë dhe policinë për arrestimin e tij. Zhdukja e tij ka të bëjë me burgimin e padrejtë. Kjo është një histori e trishtueshme e lidhjes së politikës me prokurorinë dhe policinë e shtetit për t'i bërë presion një ministri, por që përfundoi me zhdukje personi. Kjo histori duhet zbardhur. Unë e kam kontaktuar disa herë Agron Kuliçajn për këtë çështje, por s'kam marrë kurrë një përgjigje prej tij. Opozita duhet të kërkojë zbardhjen e kësaj. Presidenti duhet të kërkojë përgjegjësi për arrestin e bujshëm, kur nuk ekzistonte asnjë arsye e përligjur për arrestim dhe Znj. Ina Rama të gjejë përgjegjësit e vërtetë. Ed Belegu ka qenë një mik i mirë i mi dhe unë asnjëherë nuk do të ndal deri sa dikush të gjej të vërtetën.


A ju kanë bërë ju ndonjë presion në lidhje me Belegun?
Çdo gjë që i ndodhi Belegut ka qenë presion ndaj meje nga Ilir Meta dhe miku i tij i fundit, Agron Kuliçaj. Është skandaloze të mendosh që Eduard Belegu ka qenë një financues i madh i LSI-së, kandidat për deputet dhe anëtar i KDK-së, dhe Ilir Meta përsëri e goditi.


Në mendimin dhe dijeninë tuaj, kush mban përgjegjësi për zhdukjen e zotit Belegu?
Ilir Meta, Agron Kulicaj, prokurori Elbasanit dhe prokurori i çështjes. Këta njerëz në bashkëpunim janë fajtorë për fatin e Ed Belegut.


Ju jeni kërcënuar personalisht dhe familjarisht me jetë?
I denoncova në prokurori dhe pres të dalë e vërteta. Sigurisht, në këtë terren politik kur Agron Kulicaj vazhdon të mbështetet politikisht, dhe dhjetëra kriminelë që vijnë rreth tij, unë ndjehem i rrezikuar dhe për jetën. Familjen e kam të rrezikuar. Kam marrë masat e mia. Kam njoftuar ambasadat e huaja dhe institucione të tjera të inteligjencës. Kam shpërndarë provat brenda dhe jashtë Shqipërisë në miq të besueshëm. Nëse më ndodh gjë mua apo familjes, fajtor janë 2 persona: Sali Berisha dhe Ilir Meta. Berisha deri tani nuk ka motiv, kurse Meta është shprehur që është gati të marrë kallashin kundër meje. Kriminelët ordinerë nuk kanë punë me mua, ata mund të veprojnë vetëm me urdhër politik.


Sa kanë ndikuar këto kërcënime, por edhe akuzat politike të bëra ndaj jush, në jetën private, tuajën dhe të familjes?

Fëmijët nuk dinë asgjë, sepse janë të vegjël dhe ne i mbajmë larg televizorit. Të mëdhenjtë janë të shqetësuar. Kam menduar ta largoj familjen në SHBA për disa kohë, por me vjen keq t'i shkëpus fëmijët nga shkolla dhe shoqëria e tyre. Jam duke e gjykuar këtë punë në vazhdimësi.