Studiuesi Kuçuku sjell një retrospektivë të gjenocidit të dytë, siç e quan ai, atë të ushtruar ndaj komunitetit çam nga diktatura komuniste pas pushkatimit të Temes
“Ju rrëfej Teme Sejkon si e kam njohur”. Njeriu që flet për ish-komandantin e Flotës, të pushkatuar nga diktatura, është njëri nga shokët e afërt, që qysh fëmijë ka jetuar me të në të njëjtën lagje e ka kryer të njëjtën shkollë aty, në Konispolin e largët. Po edhe më tej kanë qenë bashkë: Fillimisht në radhët e partizanëve të Çetës “Çamëria”, pastaj në Gjirokastër, ku Sejko kryente detyrën e shefit të Shtabit të Divizionit dhe Kuçuku atë të sekretarit të Prefekturës. Mandej për vite me radhë kanë punuar në Tiranë. Kujtimet e 85-vjeçarit Jonuz Kuçuku, ish- funksionar i Këshillit Qendror të Bashkimeve Profesionale, u referohen ngjarjeve të jetuara, dokumenteve të kohës, por mbi të gjitha përjetimeve nga bisedat me Teme Sejkon dhe bashkëkohës të tjerë. Hulumtimet e tij zbulojnë anë të veçanta të biografisë së Sejkos dhe hedhin dritë mbi misteret e tragjedisë pas atij kryqëzimi monstruoz si agjent i grekëve, CIA-s dhe UDB-së. Veç tragjedisë së familjes Sejko, studiuesi Kuçuku sjell një retrospektivë të gjenocidit të dytë, siç e quan ai, atë të ushtruar ndaj komunitetit çam nga diktatura komuniste pas pushkatimit të Temes. Duke filluar nga sot gazeta do të publikojë të plotë dosjen me kujtimet e shokut të afërt të ish-komandantit të Flotës të martirizuar mizorisht nga Sigurimi i Shtetit...
jonuz kuÇuku
Ishte viti 1960 kur mbarë opinioni u trondit nga lajmi për një grup të madh armiqësor. Kudo flitej me të madhe se falë vigjilencës së Partisë dhe Sigurimit të Shtetit, ishte zbuluar “Grupi komplotist çam i Teme Sejkos”. Ngjarje të tjera tronditëse, që vijuan pas saj kryqëzuan shumë njerëz dhe krijuan një situatë dyshimesh e pasigurie në të gjithë vendin.
Kanë kaluar 50 vjet që atëherë e siç dihet, koha i mbyll plagët e rënda, por shenjat e tyre mbeten si një kujtesë e dhimbshme e një të kaluare të hidhur. Aq më tepër kur edhe sot shkaqet e asaj ngjarjeje, që përfundoi me një tragjedi, nuk janë sqaruar ende dhe kanë mbetur të mbuluara me një mjegull të dendur. Si një nga shokët dhe miqtë e afërt të Teme Sejkos e ndjej për detyrim zbardhjen e misterit me të cilin u vesh tragjedia për shumë vite. Fakte dhe episode rreth saj, sigurisht dinë edhe shumë të tjerë. Kam bindjen se të gjithë do të ndihmojnë duke shfaqur mendimet e tyre për zbulimin e gjithanshëm e të plotë të së vërtetës së tragjedisë së Teme Sejkos. Sqarimi i saj ka rëndësi jo vetëm për faktin se me të është lidhur fati i qindra njerëzve që janë persekutuar, por edhe pse i ashtuquajturi “komplot” në kohën e vet, por edhe më pas është trajtuar si ngjarje e përmasave kombëtare dhe ndërkombëtare. ..
Fushata kundër Teme Sejkos, si ajo e
Koci Xoxes
Në raportin e mbajtur në Kongresin e IV të Partisë së Punës (13 shkurt 1961), Enver Hoxha deklaroi: “Jugosllavia Titiste së bashku me aleaten e saj Greqinë, në koordinim me NATO-n dhe Flotën e VI Amerikanë në Mesdhe, komploton kundër lirisë, pavarësisë dhe sovranitetit tonë… Unë mund t’i deklaroj Kongresit, popullit, Partisë se këto dy fuqi, Jugosllavia dhe Greqia, në bashkëpunim me disa tradhtarë shqiptarë brenda vendit dhe të arratisur në Jugosllavi dhe në koordinim me Flotën e VI Amerikane në Mesdhe, kishin organizuar disa muaj më parë komplotin kundër Shqipërisë. Ky komplot dështoi fund e krye. Komplotistët dhe faktet janë në duart e drejtësisë popullore”. (Raport në Kongresin e VI të P.P.SH.) Të ashtuquajturit “tradhtarë”, “komplotist”, “bashkëpunëtorë” të Jugosllavisë dhe Aleates së saj Greqisë, të NATO-s dhe të Flotës VI–të Amerikane në Mesdhe, nuk janë gjë tjetër veçse pjesëtarët e të ashtuquajturit “komplot” i Teme Sejkos. Ata u arrestuan gjatë muajit qershor-korrik 1960, në kohën kur zhvillohej Konferenca e Bukureshtit e Partive Komuniste të vendeve socialiste dhe u shfaq hapur prishja e marrëdhënieve midis udhëheqjes së Partisë së Punës të Shqipërisë dhe Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.
Kjo ngjarje, pra divorci me Moskën, e përgatitur nga liderët politikë, ishte e papritur për Partinë dhe popullin. Ajo krijoi një situatë të jashtëzakonshme politike dhe ekonomike, që u quajt rrethimi imperialisto- revizionist dhe bllokada ekonomike ndaj Shqipërisë. Në këtë situatë të vështirë e të rrezikshme që vendi ynë duhej të përballonte “duke hedhur valle në gojën e ujkut”, u intensifikua shumë lufta e klasave, duke e shtrirë atë edhe brenda radhëve të Partisë. U bë thirrje e hapur për rritjen e “vigjilencës” revolucionare nga të gjithë, duke bërë me veshë edhe muret e duke forcuar e zgjeruar masat represive. “Komploti” i grupit të Teme Sejkos, i shpallur me shumë zhurmë e mallkime, ishte një lajm i bujshëm, që tërhoqi vëmendjen e opinionit të brendshëm e të jashtëm. Ai u sajua për qëllime politike për të kapërcyer gjendjen kritike që u krijua nga vetë izolimi i Shqipërisë, jo vetëm nga vendet e perëndimit, por edhe ato të lindjes. Një situatë e rendë kjo, e ngjashme me atë të periudhës së Koci Xoxes, që u kishte shkaktuar fatkeqësi shumë njerëzve, i cili ishte dënuar nga Kongresi i I i Partisë...
Çamët e kryqëzuar si “komplotistë”
Ata që u arrestuan dhe u akuzuan si organizatorët dhe drejtuesit e të ashtuquajturit komplot ishin: Teme Sejko, kundëradmiral, Komandant i Flotës Ushtarake Detare, Taho Sejko, i diplomuar në Liceun e Korçës dhe më pas, për ekonomi jashtë vendit, një nga drejtuesit e Luftës Nacionalçlirimtare në rajonin Konispol-Delvinë -Sarandë, drejtor në Komisionin e Planit të Shtetit dhe Përgjegjës i Redaksisë Ekonomike në “Zëri i Popullit”, Tahir Demi, Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Elbasanit, Sami Murati gjuhëtar dhe Avdyl Resuli kolonel. Tre të parët ishin me origjinë nga Filati i Çamërisë, i katërti nga Spatari, kurse i pesti nga Konispoli. Të gjithë, nga djemtë më të mirë të zonës, që u shquan për atdhedashuri dhe kontribute të veçanta sikundër dhe bijtë e tjerë të kësaj zonë martire, Ali Demi (Hero i Popullit), Ilmi Seiti (Gjeneral), Veip Demi, Gazali Sejko, Kasem Demi, Njazi Demi, Myfit Sejko, Sulo Mushi, Veip Huso, Myfit Mushi, Mustafa Sulo etj. Ishin pikërisht ndjenjat atdhetare dhe demokratike me të cilat ishin edukuar nga prindërit e tyre, që djemtë çamë të ardhur dhe shkolluar në Shqipëri, morën pjesë aktive që në fillim në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe u shquan si luftëtarë trima dhe drejtues të zotë. Këta ishin të parët që ndjenë thellë tragjedinë e dytë të Çamërisë, që ngjau në mbarim të Luftës, 1944-1945, kur shovinistët tokëgrabitës grekë bënë pastrimin e plotë etnik të asaj treve të Epirit të grabitur, ku bën pjesë Çamëria, nga shqiptarët myslimanë, me një gjenocid tepër të përgjakshëm dhe të pashembullt. Prandaj ata bënë çmos të ndihmonin popullsinë çame dhe vunë të gjithë forcat për të kryer detyrat me përgjegjësi që kishin në ushtri e në pushtet, për të forcuar shtetin e ri shqiptar të porsadalë nga lufta. Pikërisht në kulmin e kontributeve dhe të përkushtimit për detyrat e ngarkuara, ata në vitin 1960, si shumë çamë të tjerë, u arrestuan dhe u akuzuan si komplotistë të lidhur me Greqinë, Jugosllavinë, Amerikën, NATO-në etj. Ndërsa çamët iu nënshtruan në përgjithësi një persekutimi të dhimbshëm. Ashpërsia dhe arbitrariteti, që karakterizuan masat represive kundër çamëve ishin të pashembullta. Qindra kuadro u hoqën nga vendet e punës, sidomos nga organet qendrore, duke i dërguar nëpër ndërmarrje brenda dhe jashtë zonave ku banonin si njerëz të dyshimtë për regjimin. Ndjekja policore i shoqëroi ata për vite me radhë, pavarësisht se një pjesë e tyre ishin anëtarë të Partisë që nga koha e luftës. Dyshimet, ndjekjet dhe arrestimet e herëpashershme u shkaktuan atyre vuajtje psikike dhe ekonomike. Fjala “çam” lakohej me përbuzje nga partiakë dhe zyrtarë të lartë si sinonim i falës tradhtar, i pabesë, kriminel, epitete këto të dëgjuara më herët nga shovinistët grekë për komunitetin çam. Kjo bëri që jeta e çamëve të vështirësohej shumë, por ata mbijetuan në saj të durimit, korrektësisë dhe aftësive të tyre për të përballuar vështirësitë, megjithëse u ishin nënshtruar krejt padrejtësisht përndjekjeve dhe përdhunimeve nga organet e shtetit.
“Koka e grupit”, admirali Teme Sejko
Teme Sejko lindi në Konispol më 25 gusht 1922. I ati, Mehmet Sejko, kishte qenë Kryetar i Klubit “Vëllazëria” i Filatit më 1909 dhe ishte një nga mëmëdhetarët më në zë të çështjes kombëtare në Çamëri. Ai kishte luftuar për mbrojtjen e Trojeve Amtare kundër Ushtrisë Mbretërore të Greqisë si në Frontin e Janinës dhe atë të Prevezës. Me hyrjen e ushtrisë greke në Epir, Mehmet Sejko si dhe çamë të tjerë i lanë vatrat amtare dhe emigruan në Shqipëri. Temja arsimin fillor e kreu në Konviktin “Çamëria” në Sarandë, ndërsa gjimnazin në Shkodër e Tiranë. Në vitin 1941 u bë anëtar i Rinisë Komuniste. Në prill të vitit 1942 u arrestua në Tiranë për aktivitet antifashist, por pas disa muajsh lirohet për mungesë provash dhe hidhet në ilegalitet. Rreshtohet në çetën partizane “Çamëria” në Konispol. Shkon në Brigadën e I që në formimin e saj, ku fillimisht u caktua me detyrën përgjegjës rinie, për të vijuar me përgjegjësinë e komisarit të batalionit dhe atë të anëtarit të seksionit politik të shtabit të brigadës. Luftoi kudo me trimëri. Më 1944 caktohet Komisar i Brigadës së 18. Si një kuadër i shquar i luftës, emërohet Shef i Drejtorisë Mbrojtjes së Popullit. Në maj 1945 dërgohet për studime të larta në Akademinë Ushtarake “Frunze” në Moskë, ku përfundoi me rezultate të larta. Teme Sejko njihte katër gjuhë: italisht, frëngjisht, greqisht dhe rusisht. Në vitin 1949 u emërua Komandant Divizioni dhe më vonë Drejtor i Drejtorisë së Zbulimit në Ministrinë e Mbrojtjes, ku shërbeu pesë vjet dhe u shqua për aftësitë e tij, duke e vënë mbi baza qarta këtë sektor tepër të rëndësishëm e delikat për mbrojtjen e atdheut. Në dokumentate si dhe në shkrimet e vartësve dhe të kuadrove të lartë ushtarake, Teme Sejko vlerësohet si një kuadër tepër i kualifikuar, i cili ishte në gjendje të zgjidhte me kompetencë “enigma” tepër të vështira në interes të Forcave të Armatosura. Vartësit e respektonin për korrektesën, aftësitë, dijet dhe ndershmërinë. Më 1955 Teme Sejko dërgohet për studime të larta në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura “Voroshillov” në Moskë, ku përvetësoi taktikën e drejtimit të njësive të mëdha, operacionin e frontit etj. Në fillim të vitit 1958 emërohet Komandant i Flotës Ushtarake Detare me gradën Kundëradmiral. Ja si e përshkruan atë Imer Bejko, njëri nga oficerët e lartë të Flotës Ushtarake: “Para se te vinte në Flotë, Teme Sejkon nuk e kam njohur, por kisha dëgjuar se ishte një nga kuadrot e lartë kryesor në Ministrinë e Mbrojtjes. Ai që në prezantimin e parë na la përshtypje të mira. Ishte oficer shumë i zoti, një akademist shumë i përgatitur. Natyra e punës time si shef në një nga sektorët e Flotës bënte që, në mos çdo ditë, një herë në dy ditë, të raportoja para Teme Sejkos. Ai ishte natyrë e shtruar, babaxhane, shumë fisnik dhe tepër korrekt në sjellje. Të imponohej me dijet e thella dhe kompetencën në detyrë, si kur jepte urdhra, si kur bisedonte shtruar dhe në mënyrë miqësore. Ai ishte i thjeshtë, gjakftohtë dhe nuk nxitohej kurrë. Gjatë raportimeve apo debateve të ndryshme, ai dëgjonte me vëmendje dhe kujdes deri në fund. Kërkonte mendime dhe sugjerime nga shefat dhe specialistët përkatës, nxirrte konkluzione të sakta e të studiuara për vënien në zbatim të urdhrave dhe detyrave konkrete. Na priste në çdo kohë, na ndihmonte me ndërhyrjen dhe autoritetin e tij. Ai ishte shumë operativ, planifikonte dhe ndiqte nga afër stërvitjet e flotës, gjë që ngrinte më lart rolin e tij si titullar. Në një rast, teksa diskutonim për një problem teknik me këshilltarin rus dhe unë këmbëngulja me argumente për një çështje që ai e trajtonte gabim, ai më mbështeti pa rezerva. Të nesërmen më thirri në zyrë dhe më tha se këtyre nuk iu duhej lëshuar pe, sepse duan që t’u shkojë vetëm e tyrja. Lidhur me çfarë u thanë më vonë për të, duke e njohur nga afër, duke pasur kontakte për një kohë të gjatë, duke parë atdhedashurinë dhe pasionin e tij për flotën, kam bindjen se e gjithë kjo zhurmë me etiketimet agjent, komplotist, tradhtar etj., ka qenë një farsë vetëm e vetëm për ta penalizuar atë. Një nga ekspertët e Sigurimit të Shtetit ka pohuar se Teme Sejko ishte viktimë e një kurthi agjenturor. Ajo që ndodhi me të është shkruar e zeza mbi të bardhë. Së pari, u shkarkua nga detyra e komandantit, me pretekstin se do të dërgohej në Bashkimin Sovjetik në Akademinë Detare të kuadrove të lartë në Leningrad. Se dyti, u ngarkua të punonte për disa kohë në Ministrinë e Mbrojtjes. Në vazhdim iu dha leja e zakonshme, të cilën e kaloi me familjen në Shtëpinë e Ushtarakëve në Pogradec, nga ku u kthye para kohe me urdhër të Beqir Ballukut, i cili e thirri në ministri, ku iu bë arrestimi. Prej aty filluan seancat maratonë të hetimeve, ku Teme Sejko duhej të shpjegohej për lidhjet fantazmë me zbulimin grek, atë jugosllav dhe CIA-në amerikane.
Çamët dhe Konispoli në
qendër të komplotit
Sa herë që studiuesit dhe njerëzit e medias i kthehen historisë së martirizimit të admiralit të flotës dhe bashkëpunëtorëve të tij, rreshtojnë një sërë dilemash: Përse u inskenua ky grup armiqësor i përbërë nga çamë dhe si ishte e mundur që qendra e veprimtarisë së tij u vendos në Konispol? Cilat ishin motivet pse duhej goditur Konispoli, i vetmi qytet çam në kufi me Greqinë, me tradita patriotike, i cili ishte shquar edhe në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare? Pse u përzgjodh nga inskenuesit Teme Sejko si koka e grupit dhe çfarë synohej me goditjen e tij dhe të krejt familjes dhe fisit Sejko?
Përgjigjja e këtyre pyetjeve si dhe shumë fakte që nuk mund të ziheshin me gojë në kohën e heshtjes së gjatë, të shpien drejt zbulimit të së vërtetës, sepse siç ka deklaruar vetë Enver Hoxha, pas 22 vjetësh, “Vetë çështja e procesit të Teme Sejkos është mbuluar me mister* (Enver Hoxha, “Gjithmonë Vigjilente”, volumi 2, faqe 658). Prandaj, mendoj se është e nevojshme të përmendim këtu disa arsye:
Duke qenë se Konispoli është buzë kufirit me Greqinë, inskenuesit panë atje, si nga ana politike dhe gjeografike, terrenin sipas tyre, më të besueshëm dhe më të përshtatshëm për të montuar një komplot të përmasave të mëdha, si kundërpeshë për situatën politike, të brendshme dhe të jashtme, që u krijua nga Konferenca e Bukureshtit të Partive Komuniste e Punëtore, (qershor 1960) dhe para mbledhjes së tyre në Moskë (nëntor 1960).
Qyteti i Konispolit veçanërisht, si dhe disa fshatra të krahinës ishin goditur shumë rendë nga lufta e klasave. Që në 1945 kishin filluar arrestimet, dënimet me burg të njerëzve krejt të pafajshëm. Gjendja u bë më e rëndë pas arrestimit të mëmëdhetarit dhe një nga udhëheqësit e shquar të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, jo vetëm të krahinës, por edhe në shkallë vendi, sipas dokumenteve arkivale të pushteteve, Rexhep Plakut. Emrin e tij e gjejmë në dokumentet arkivore, në peticionin drejtuar Konferencës së Paqes në 1919, ku kërkohet që Çamëria në asnjë mënyrë nuk duhet t’i aneksohet Greqisë se është pjesë e Shqipërisë. Si atdhetar e demokrat i vendosur, Rexhep Plaku mori pjesë në luftën e Vlorës në 1920, në fitoren e mbrojtjes të revolucionit të vitit 1924 dhe ishte ndër të paret që formuan Çetën Partizane “Çamëria”. Duke njohur meritat si atdhetar, luftëtar trim, demokrat, me influencë në popull e në trevën e çamërisë dhe më gjerë, Rexhep Plaku u ngarkua me detyra të rëndësishme: Komandant i Komandës Qarkut për rajonin Konispol-Delvinë -Sarandë, më pas Komandant i Grupit të IV “Çamëria”, anëtar i Këshillit Nacionalçlirimtar. Rexhep Plaku me gradën e Kolonelit pas lirimit veproi me vendosmëri për mbrojtjen e kufirit nga monarko-fashistë t grekë, për ndërtimin e urave e të shtëpive të djegura nga armiku, për furnizimin e popullit me bukë e ushqime, për ngritjen e forcimin e administratës etj. Por këtij njeriu të shquar iu bënë shumë provokacione nga organet e Sigurimit. Duke qenë në dijeni të plotë për situatën e rëndë që iu krijua Rexhep Plakut, në librin tim “Konispoli, historik i shkurtër e kujtime”, faqe 413-416 (Botim i shtëpisë Botuese “Dituria” 2006), kam shkruar faktet që vërtetojnë krimin që u krye nga organet e Sigurimit në vitin 1946. Ai vuajti 32 vjet në burgje dhe vdiq në internim. Po ata që e kishin goditur tragjikisht dhe izoluar Konispolin, për të realizuar planet e tyre të mbrapshta, montuan atje “komplotin” e çamëve, me “agjentë” e “spiunë” të organizuar e drejtuar nga Teme Sejko. Shpronësimi nga gjithë pasuritë e tyre, pa u lënë asnjë mundësi për të jetuar dhe persekutimi i egër, kishin bërë që familjet e mëdha të qytetit e të disa fshatrave të shpërnguleshin nga vatrat e tyre. Largimi i qindra familjeve shkaktoi një shpopullim të madh të qytetit. Edhe sot, pas 60 vjetësh, që popullsia e Shqipërisë është rritur rreth katër herë, Konispoli ka më pak popullsi dhe humbi pamjen e një qyteti hijerëndë e të pasur si e kishte para luftës. Në konferencën e Partisë së Tiranës më 1956, një nga ata që u goditën më rëndë, i cili përfundoi në burg ku edhe vdiq, ishte Veip Demi, ndërsa Teme Sejko u transferua në Shkodër dhe u kritikua në gazetë sepse sipas Mehmet Shehut, kishte kritikuar veprimet e kundërligjshme të Sigurimit të Shtetit. Gjithashtu u krijuan dyshime për Avdul Resulin, Sami Muratin e të tjerë. Nuk ishte e lehtë që të akuzohej Teme Sejko për tradhti, prandaj inskenuesit, për të realizuar qëllimet e motivet e tyre organizuan e nxitën informacione nga poshtë për të errësuar figurën e tij. Më kujtohet një rast që Ali Xhelo, emir i të cilit do përmendet më poshtë, si njëri nga “komplotistët”, i kishte thënë Spiro Kolekës, anëtar i Byrosë Politike, i cili kishte shkuar në festën përkujtimore të luftës së Konispolit, se Teme Sejko shkon në shtëpinë e motrës, e shoqja e Rexhep Plakut. Aliu ishte njeri i thjeshtë, pa shkollë, po zbatonte vijën e Partisë për të qenë vigjilente, duke zhvilluar luftën e klasave. Motra e Temes kishte qenë vetë aktiviste si gjatë luftës, edhe me pas. Por i mjeri Ali, vëlla dëshmori, u akuzua si komplotist me grupin çam. Eshtë e çuditshme, jashtë logjikës, që Teme Sejko të organizonte me Aliun e të tjerë si ai një të ashtuquajtur grup armiqësor. Por inskenuesit e atij “komploti” kurdisën çdo gjë me fakte e dëshmi të rreme, për ta bërë alibinë sa më bindëse. Teme Sejko ishte një personalitet i mirënjohur dhe i respektuar nga udhëheqësit e Partisë e të shtetit. Në vitin 1958 Temja mbajti fjalimin në ceremoninë e 28-29 nëntorit, ku merrnin pjesë gjithë udhëheqësit me në krye Enver Hoxhën, fjalim që mbahej vetëm nga anëtarë të Byrosë Politike. Në fillim të vitit 1960 Gogo Nushi, President i Këshillit Qendror të Bashkimeve Profesionale, ku unë punoja në atë kohë, ishte kthyer nga Vlora dhe më tha: “Mbrëmë hëngrëm darkë bashkë me Teme Sejkon, folëm edhe për ty, Temja më tha se të ka shok, keni punuar bashkë në 1943 dhe se drejton me aftësi flotën” etj. Megjithatë, siç u vërtetua, lufta e nëndheshme dhe bërrylat kundër Teme Sejkos punonin për ta eliminuar atë nga skena ushtarake e politike, ku për një kohë në ushtri edhe Kadri Hazbiu kishte qenë vartës i tij.
No comments:
Post a Comment