Klotilda Harka
Erdhën të lumtura dhe u bënë fatkeqe. Kur ato ranë në dashuri, lanë gjithçka për burrat e tyre. Të bukura, krenare, besnike ishin gratë ruse, ato që pasi i ikën Rusisë duke ndjekur të dashurit shqiptarë, një ditë u konsideruan “Gratë e askujt”. Janë viktima të harruara, ose shumë pak të njohura në radhët e viktimave të shkaktuara nga krimet komuniste. Dhe ishte viti 1961, kur ato morën goditjen e madhe nga përplasja e dy shteteve komuniste, Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. Enver Hoxha prishi marrëdhëniet politike me Bashkimin Sovjetik, dhe Shqipëria lëkundej në paranojën e spiunazhit, që preku tragjikisht familjet e përziera. Nuset dhe mamatë e reja, që vinin nga një prej vendeve komuniste të Lindjes u bënë objekt i spiunazhit në Shqipëri. E tani, pas kaq dekadash ato janë gratë “e huaja” që u dënuan dhe u persekutuan egërsisht nga ky regjim. Ishin martuar me studentë shqiptarë që kishin ardhur të kryenin studimet në një nga vendet e lindjes, dhe më pas ishin kthyer në vendin e tyre duke u bërë intelektualë të shquar ose dhe fare të panjohur. Historitë e internimit të vajzave ruse, grave gjysmë ruso-shqiptare siç e quajnë ato veten, e kanë emrin Inga, Natalja, Vilgelmina, Valja, Tamara, Nadja, Zoja, Nina, Elena, Ina, Ludmilla, Galina, Volja. Një rekuiem për këto gra do të jetë filmi me metrazh të gjatë “Sorkadhet e trembura”, me skenar të Ismail Kadaresë. Si e ka trajtuar shkrimtari këtë histori, si do të realizohet ky film, dhe gjithçka për fatin e grave të bukura ruse, që pas dashurisë përjetuan ferrin. Gazetari i njohur në Rusi, Konstantin Smirnoff, njëkohësisht producent i këtij bashkëprodhimi shqiptaro-ruso-francez rrëfen në një intervistë gjithçka mbi projektin, por edhe përjetimet e tij nën diktaturën ruse.
Z. Smirnoff ndodheni me ekipin tuaj këtu për projektin filmik me titull “Sorkadhet e trembura”, një skenar i shkruar nga Ismail Kadare. Si po ju duket Shqipëria, si e kishit imagjinuar dhe çfarë gjetët?
Për mua Shqipëria ishte një tokë e panjohur. Kisha dëgjuar për të që në shkollë dhe kisha lexuar disa libra, që kur isha fëmijë. Kisha mësuar në shkollë se Bashkimi Sovjetik kishte miqësi shumë të fortë me Shqipërinë, se Stalini dhe Enver Hoxha ishin aleatë por më vonë, me ardhjen e Hrushovit dhe revizionimin e vijës prej tij, me kritikën që ai i bëri kultit të individit, kjo miqësi u thye. Enver Hoxha pati frikë për veten e tij. Pas prishjes së marrëdhënieve mes dy partive mbaroi çdo gjë, çdo investim, çdo lidhje kulturore midis dy vendeve dhe Shqipëria u bë për ne një vend shumë i mbyllur, misterioz, miqësia ngriu.
Jeni një gazetar i njohur në Rusi dhe kjo është hera e parë që ju vizitoni këtë vend. Çfarë zbuluat me kuriozitetin e gazetarit?
Po, kjo është hera e parë dhe u emocionova pasi mësova se çfarë kishte ndodhur në detaje me Shqipërinë e djeshme dhe si ishte shndërruar ajo sot. Kur erdha këtu m’u duk vetja si Kolombi që zbuloi kontinentin e dëshiruar. Gjithë fqinjët e Shqipërisë i kam vizituar shumë, shumë herët, që në adoleshencën time; Francën, Greqinë, Italinë, Spanjën, Gjermaninë, etj. Më dukej sikur Shqipëria i përkiste një kontinenti tjetër. Tani që erdha kam dhe kënaqësinë e madhe se po prek kulturën e një populli tjetër që ka specifikën e vet. Gjatë reportazhit, kërkimit dhe përcaktimit të vendeve të xhirimit me grupin që më shoqëron, Shqipëria m’u shfaq një vend shumë interesant, më pëlqeu natyra që është vërtet një parajsë, shqiptarët, mikpritja, por gjëja që më mërzit është vapa e madhe pasi jam njeri i veriut.
Të paktën në aspektin viziv këtu përdoret shumë shprehja “Tirana e djeshme dhe e sotme”, duke iu referuar periudhës së komunizmit. Ju personalisht cila Tiranë ju tërheq më shumë?
Pasi kam parë shumë albume, fotografi dhe reportazhe filmike të viteve ‘60-‘70, shoh se kjo e sotmja nuk i përngjan Tiranës së ëmbël të atyre viteve, kështu që kemi përshkruar gati gjysmën e Shqipërisë për të qëmtuar imazhet që përftohen nga skenari. Kuadri historik është shumë i rëndësishëm për këtë film sepse niveli i parë i këtij projekti është leximi historik i Shqipërisë, i aparatit shtetëror, ulur mbi dhunën, përshkrimi i saktë dhe teknik i regjimit komunist. Ndërsa niveli i dytë i leximit do përqendrohet tek individi dhe realiteti i tij i përditshëm nën zgjedhën e një arbitrariteti të tillë.
Qëndrojmë tek filmi, arsyeja për të cilën ju ndodheni këtu. Si lindi ideja, çfarë përjetuat kur e lexuat skenarin e Kadaresë?
Në vitin 2007-2008 jam takuar shpesh në Paris me producenten shqiptare të shtëpisë filmike “Albimazh”, e cila më foli për Kadarenë dhe më paraqiti projektin e filmit me skenar të shkrimtarit të madh. Në takimin e parë, mezi prisja të mbaronte biseda që të shkoja në hotel dhe të lexoja skenarin. E përpiva me një frymë dhe u emocionova jashtë mase. Madje, edhe kur e lexova për herë të dytë skenarin, u emocionova përsëri, jo vetëm se gratë ruse kishin ardhur në Shqipëri me dashurinë e tyre të pastër vajzërore për të krijuar familje, dhe jo vetëm se në këtë skenar flitet për miqësinë, dashurinë dhe për politikën, por edhe sepse nënvizohet qartë tirania që fatkeqësisht preku çdo qytetar të lirë të Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, i cili e pësoi në lëkurë këtë tirani, megjithëse nuk u përfshi në politikë. Kjo ishte tirania jonë e përbashkët, fati ynë i keq, por më shumë fati juaj i mbrapshtë pasi jeni një popull shumë i vogël dhe shtypja ka qenë shumë e madhe.
Ju thoni që jeni antikomunist, keni përjetuar ndonjë dramë në jetën tuaj, pse kjo urrejtje?
Pse jam antikomunist pyesni?! Në fakt babai im ka qenë shkrimtar i epokës së komunizmit, por edhe mik i Pastërnakut të madh, shkrimtarit të “Doktor Zhivago”-s. Babai nuk ishte komunist fanatik. Përkundrazi, njeri me shpirt të madh. Familja ime nuk ka pësuar shumë drama. Gjyshi im nga babai, kishte qenë 5 vjet në kampet e internimit, dhe aty i prenë këmbën edhe pse s’kishte qenë spiun, por vetëm një inxhinier. Unë kam jetuar 40 vjet në komunizëm, dhe ky regjim ishte shumë i qartë në atë se çfarë përfaqësonte. Kam qenë gazetar dhe kam punuar në gazetat më të rëndësishme të Bashkimit Sovjetik. Për 30 vjet kam përshkruar gjithë vendin e kam qenë në të gjitha Republikat e Bashkimit Sovjetik. Shikoja jetën që bënin njerëzit në Rusinë e thellë, dhe jetesa e tyre nuk mund të quhej jetesë, nuk i përshtatej termit “jetesë”. Ishte ideologjia komuniste që i detyroi njerëzit të ktheheshin në viktima e të jetonin këtë jetë që nuk ishte veçse gjallim. Ju e dini shumë mirë që miliona njerëz u masakruan në Bashkimin Sovjetik, vetëm se duhet të mbijetonte dogma ideologjike. Përse gjithë kjo, dhe a mund të isha unë komunist në këtë situate?! Ai që kishte sy për të parë e shihte mirë se çfarë ishte komunizmi.
Cila është historia që rrëfehet në këtë skenar, për çfarë flet Kadare?
Skenari flet për një histori që i preku të dy shtetet njësoj. Kadare veçon një kategori shumë të brishtë grash, në radhën e viktimave të komunizmit. Paranoja e viteve që pasuan prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, preku tragjikisht edhe familjet me martesa të përziera, ku gratë me kombësi nga ish-vendet e Lindjes Komuniste, u panë si spiune dhe u internuan. Sigurisht ky është një krim i vogël në krahasim me krimet e zeza të komunizmit, por është një krim shtetëror dhe i shëmtuar, hakmarrje burracake do ta cilësoja. Kadare flet në skenar për përplasje partish, shtetesh dhe fate individësh të përmbysur. Po citoj Kadarenë: Kjo është historia e grave ruse që u gjenden befas midis kacafytjes së dy shteteve të bllokut komunist. E ky film është një rekuiem për këto gra.
Filmi nuk mund të mos flasë për dashurinë e ruseve të bukura me studentë shqiptarë. Çfarë mendoni se kanë gjetur ato tek meshkujt shqiptarë?
Nga takimet me z. Kadare mësova që dhe ai i çmon shumë gratë ruse. Në rininë e tij ai ka njohur, ka pasur përvojën e tij me vajza ruse. Dhe siç e kuptova unë, kjo përvojë i ka lënë kujtime të paharruara, të pashlyeshme. Dhe unë këtë opinion e ndaj bashkë me të. Unë kam një grua ruse, ndërsa vetë jam i përzier, pak armen, pak hebre dhe më shumë rus. Por edhe unë i dua dhe i çmoj shumë ruskat. Nga e gjithë eksperienca ime thosha me siguri se janë më të bukurat, më besniket, e më të mirat në botë. Por, për surprizën time këtu kam parë vajza apo gra shumë të bukura, po ashtu djem shumë të pashëm dhe mund t’i bëj kompliment tokës shqiptare që ka prodhuar fruta të kësaj natyre, të kësaj bukurie. Përveç kësaj, djemtë shqiptare që studiuan në Bashkimin Sovjetik, përveçse meshkuj brunë e biondë të mrekullueshëm, ishin studentë të shkëlqyer me inteligjencë të spikatur. Jeni një racë shumë vitale dhe simpatike. Ruajeni me fanatizëm genin tuaj ilir! Ende sot, flitet për djemtë shqiptarë në institutet, ku ata mësuan dhe punuan. Shembulli i shkëlqyer është Ismail Kadare, një nga shkrimtarët më të mëdhenj të epokës sonë, por edhe të tjerë, artistë, pilotë, oficerë e inxhinierë që studiuan në Bashkimin Sovjetik. Ja pra, këta ishin meshkujt shqiptarë, të pashëm dhe inteligjentë…. E cila grua nuk do t’i ndiqte pas, deri në fund të botës… ?!
Si ndikoi në krijimin e këtyre lidhjeve situata politike që Rusia po përjetonte në vitet ’50-‘60, e cila u quajt epoka e Hrushovit? Sipas jush pse Enver Hoxha i prishi marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik?
Për t’iu përgjigjur pyetjes se pse ndodhi ashtu në atë kohë, mund të them se në fund të viteve ’50-të dhe fillim të viteve ’60-të ishte epoka e Hrushovit, që në Rusi u quajt “Ngrohja e Hrushovit”, që do të thotë se pas një dimri shumë te acartë që kishim kaluar me Stalinin, fryu një erë e ngrohtë. Këtu nuk flitet për ngrohjen e ambientit, por për ngrohjen e shpirtit rus, pas një akullnaje të ftohtë, ngrohje që depërtoi dhe në fushën kulturore. Dhe sidomos në këtë periudhë u shfaqën shkrimtarët rusë që sollën pranverën, shumë emra, midis tyre kishte dhe shumë poetë. Pati gjithashtu një hov në kinema, për shembull me regjisor si Trajkovski, Koncalovski, Andreis Minov, vëllai im, etj. I gjithë ky brez i këtyre të rinjve që u shfaqën në kulturën e kësaj epoke u quajt “Brezi i viteve ‘60", pra brezi që rilindi dhe ishte po ky brez që aviti rënien e Komunizmit. Falë iniciativës dhe punës së tyre u përfshimë në këtë rrymë të re edhe ne që ishim pak më të rinj se ata dhe i mbështetëm shumë fort. Por edhe kjo epokë lirie e viteve ‘60, që gjalloi me ardhjen në fuqi të Hrushovit, i mbështeti shumë ata dhe i çoi përpara, pra u dha krahë. Enver Hoxha u tremb nga kjo situatë prandaj prishi marrëdhëniet dhe më pas u lidh me Kinën dhe revolucionin kinez.
Në kohën e Stalinit a ishin të lejuara martesat e ruseve me të huaj?
Jo, aspak. Mund të them që në epokën e Stalinit, në Rusi nuk lejoheshin martesat me të huajt, dhe madje në këtë kohë nëse dashuroheshe ose martoheshe me të huaj, bëje një sakrilegj shumë të madh që mund të të çonte në burg. Vetëm në vitin ‘56 ligji u rregullua dhe u lejoi rusëve të martoheshin me të huajt. Kjo periudhë përkon me vitet, kur studentët shqiptarë erdhën në Moskë për të studiuar. Dhe meqë femrat ruse ishin shumë të bukura e të shkolluara, dhe ata shumë të pashëm e të zgjuar, normalisht që dashuria midis tyre nuk mund të shmangej sidomos edhe pse kishin një ideal, ndërtimin e një shoqërie të re, dhe ky ideal si dhe pasioni i tyre ishte i flaktë. Më thoni a mund ta ndalojë njeri rininë?!
Nga rrëfimet e shumta, ata shqiptarë që ranë në dashuri vuajtën shumë pas ndarjes. Si mund ta përshkruanit gruan ruse, çfarë fshihej përtej bukurisë së saj?
Gruaja ruse është një grua shumë krenare dhe e ruan shumë dashurinë e saj. Kur në vitin 1825 dekabristët- Dhjetoristët, (ata që kundërshtuan Carin), djem të rinj u internuan në Siberi, të gjitha vajzat që ishin të dashuruara me ta, megjithëse vinin nga familje aristokrate, anëtare të Oborrit të Carit, i braktisën të gjitha privilegjet aristokratike dhe shkuan me të dashurit e tyre. Kështu që nuk habitem që gratë ruse të skenarit tonë, e lanë Rusinë për të ardhur në Shqipëri. Kur ato bien në dashuri, lënë gjithçka për burrin. Nuk bëhej fjalë për gra të dëshpëruara në ato vite, pasi ajo periudhë ishte një epokë e mrekullueshme për Rusinë, epoka e ideve të mëdha e entuziazmit rinor dhe popullor. Ato nuk e përfytyronin dot në atë kohë kurthin, ku do të binin. Ato ranë në dashuri dhe kaq.
Djemtë shqiptarë i morën me vete vajzat ruse, dhe shumë prej tyre u rikthyen të hidhëruara. Pse ka munguar një skenar i tillë nga një autor rus?
Sepse në Rusi nuk është folur për këto histori. Ja faji rus. Unë kisha një emision në një televizion shumë prestigjioz në Rusi që titullohej “Fëmijët e njerëzve të shquar”, që merrte përsipër të shqyrtonte historinë e Rusisë nëpërmjet historive private të familjeve shumë të njohura. Aty kontaktova Natalia Pengilin, vajza e ministrit të Tregtisë së Jashtme, një Bolshevik shumë i madh i epokës Lenin-Stalin, që u ekzekutua nga komunistët. Meqë unë jam një antikomunist i vendosur, kur dëgjova historinë e Natalias së martuar me një shqiptar, që i kishin persekutuar të atin, të ëmën dhe atë vetë në Shqipëri, e përjetova këtë ngjarje si një histori të jashtëzakonshme. Kur dëgjova rrëfimin e saj, mësova që kjo ishte historia e familjeve komuniste në majën e piramidës së komunizmit, ku komunistët kishin eliminuar njëri-tjetrin. Pas gjithë këtij kalvari familjar, Natalia ishte persekutuar edhe në Shqipëri. Por kjo histori e Natalias nuk ishte një përjashtim sepse në Rusi çdo familje ka pasur anëtarë të saj që u persekutuan nga komunizmi.
Dhe historitë e tyre sa tronditëse aq edhe intriguese janë përshkruar në skenarin “Sorkadhet e trembura” të Kadaresë. Nëse nuk do ta kishte shkruar Kadare,ju do ta kishit marrë përsipër si producent?
Nëse do ishte shkruar mirë, pse jo, do isha dhe unë dakord që ta bëja sepse është një subjekt që të prek thellë. Por padyshim emri i Kadaresë të tërheq. Unë kisha lexuar vetëm dy libra të tij, që ishin botuar në Rusi dhe kur mora këtë projekt i rilexova sërish ato libra. Emri Kadare të josh, është një nga emrat më të mëdhenj, më të diskutuar dhe më të njohur të këtij shekulli në letërsi. Është vërtet fat për ju, që ai është shqiptar dhe është fat për mua që punoj me atë. Kadare na përket edhe neve sepse ka studiuar në Moskë. Pra kemi një shkrimtar të madh, ende gjallë, dhe natyrisht që më ka bërë shumë për vete. Sigurisht që emri i Kadaresë është çelësi që do hapë portat e bashkëpunimit kulturor midis Moskës dhe Tiranës, sepse pas këtij projekti unë kam ndërmend projekte të tjera të lëmit të letërsisë, teatrit dhe dokumentarit historik, pse jo dhe të ndonjë projekti tjetër filmik me Shqipërinë. Mendoj se Rusia i ka borxh Shqipërisë përkthimin dhe njohjen e kulturës shqiptare. Kudo ku shkova më folën rusisht dhe më kënduan refrene të këngëve ruse. Do bëj dhe unë atë që kultura shqiptare të njihet edhe në vendin tim...
Sa afër po qëndron shkrimtari me këtë projekt?
Jemi takuar shumë herë me Kadarenë, në Paris. Kam pasur nderin të darkoj me të dhe botuesin e tij në Moskë, dhe tani që kemi ardhur këtu e kemi takuar përsëri dhe kemi kaluar dy mbrëmje të ngrohta e të mrekullueshme me të. Shpresojmë shumë që ky kontakt do të jetë në vijim. Mendoj se projekti i filmit është vetëm fillimi i një rruge të gjatë për njohjen e kulturës shqiptare në Federatën e Rusisë, por fillimisht me këtë projekt dhe me emrin e Kadaresë do të tërheqim vëmendjen e botuesve dhe njerëzve të artit në Rusi. Ky projekt që përmban historitë e internimit të vajzave ruse, grave gjysmë ruso-shqiptare siç e quajnë ato veten, dhe e burrave të tyre, e ka emrin Inga, Valer, Natalja, Vilgelmina, Volja, Tamara, Nadja, Zoja, Nina, Elena,Ina, Ludmilla, Galina, Valja, etj.
Përveç Kadaresë, a keni pasur takime të tjera në Tiranë?
Po, jam takuar me Kryeministrin Sali Berisha dhe jam shumë i prekur nga biseda me të. Kryeministër artdashës! Ne folëm për projektin e filmit, diskutuam në rusisht dhe frëngjisht për diktaturat që kaluam, por edhe për të tashmen që na pret. Kryeministri ishte njohës i thellë i letërsisë ruse, madje më la pa mend kur më recitoi aq bukur në rusisht vargjet e poezisë sime të preferuar “Ushtari dhe vdekja”. U përzien në bisedën tonë Dostojevski, Tolstoi, Pushkini, etj. Më mallëngjeu dhe më zgjoi kujtime të hershme, sepse poeti ka qenë drejtor i Novi Mir dhe babai im nëndrejtor, dhe kësisoj ata të dy ishin miq të ngushtë dhe familjet tona kanë kaluar çaste të lumtura së bashku. Unë, në fëmijëri e kisha ëndërr të bëhesha aktor dhe i recitoja me afsh poezitë e tij. Dhe ja, vij në Shqipëri dhe i dëgjoj po ato vargje të dashura dhe prekëse në zyrën e Kryeministrit shqiptar... “O Zot”, thashë me vete, “sa vite kanë kaluar…. po përjetoj përsëri çastet e lumtura që më përcillte poezia, sepse ëndrrat e fëmijërisë na bëjnë të lumtur, jo paratë. Të paktën kështu thoshte Frojdi.
Në ç’fazë është puna për realizimin e filmit, janë përzgjedhur aktorët?
Pjesa më e madhe do të jenë aktorë shqiptarë, por do të ketë dhe aktorë rusë, e shpresoj që mund të marrim ndonjë aktor ndërkombëtar shumë të njohur. Gjithsesi tani për tani nuk mund të zbuloj emrat e aktorëve. Ne kemi parë dhe studiuar shumë filma shqiptarë të viteve të fundit. Kemi një ide të qartë për aktorët shqiptarë që janë shumë premtues. Tashmë adaptimi i skenarit është drejt fundit dhe atëherë do të piketohen më mirë gjërat. Kemi skenarist Ismail Kadarenë, adaptimin po e përfundon Yuri Arabov një nga skenaristët më të mirë që kemi sot në Rusi, skenaristi i 15 filmave me regjisorin Sokurov. Yuri është nderuar në Kanë në vitin 2005 me çmimin e skenarit më të mirë, për filmin “Molok”, por edhe me çmime të tjera. Ka qenë anëtar i jurisë së festivalit ndërkombëtar të Venecias në 2008 dhe pas këtij projekti ka një tjetër me Sokurovin për një film ku protagoniste do të jetë, Meril Streep.
Meqenëse imazhet filmike i takojnë Shqipërisë së djeshme, i keni përcaktuar vendet e xhirimit pasi dihet që Shqipëria ka ndryshuar…
Shqipëria ka ndryshuar me hapa gjigande, dhe ne kemi përcaktuar një pjesë shumë të vogël të Tiranës dhe disa vende në qytete të prekura pak nga zhvillimi urban. Është e vështirë, sepse Tirana ka ndryshuar shumë, por një gjë është e sigurt, xhirimet do të bëhen këtu në Shqipëri, në atdheun e adoptuar të grave ruse por edhe pak në Rusi, atje ku zë fill dashuria e çifteve shqiptaro –ruse.
Gra ruse që kanë bërë burg në ShqipëriShumë prej tyre u internuan së bashku me familjet e tyre, por ende nuk dihet asgjë për to. Por gratë ruse që u persekutuan dhe u burgosën dihet se ku janë dhe si vazhdon jeta që u prangos në Shqipëri. Kanë kaluar shumë vite dhe emrat e tyre janë dëshmi e gjallë e historive e vërteta:
Nadjezhda Sidorova (me mbiemër Kabashi nga burri). E dënuar me 20 vjet burgim. Aktualisht banuese në Sankt – Petersburg.
Anufrjeva Smirnova (me mbiemër Gulina nga burri ). E dënuar me 15 vjet burgim. Aktualisht jeton në qytetin Nikollajev të Ukrainës.
Nina Pumo. E dënuar me 15 vjet burgim. Jeton aktualisht në Moskë.
Natalja (Natasha) Pengili. E dënuar me 18 vjet burgim. Jeton tani në Moskë.
Taisija Pisha. E dënuar me 16 vjet burgim. Aktualisht jeton në Izrael.
Volja Vasiljevna Sharonova (me mbiemër Hoxha nga burri). E dënuar me 15 vjet burgim. Jeton aktualisht në Moskë.
Vilgelmina Veshi. E dënuar me 15 vjet burgim. Jeton tani në Shqipëri, në qytetin Durrës. I shoqi, Miço Veshi, ka qenë i dënuar shumë rëndë, me 20 vjet heqje lirie.
Inna Shahe. E dënuar me 8 vjet. Jeton tani në Moskë.
Elena Cami. E dënuar me 8 vjet burgim. I shoqi, Minella, i dënuar rëndë me 20 vjet heqje lirie. Jeton në Shqipëri, në qytetin Korçë.
Inga Vitaljevna Tarasova (Dyrzi). E dënuar me 8 vjet heqje lirie. I biri, Valer Dyrzi, i dënuar me 13 vjet burgim. Jeton aktualisht në Moskë.
Ludmilla Denisova. E dënuar me 8 vjet burgim. Nga Sankt-Petersburgu. Ka ndërruar jetë.
Galina Dani. E dënuar me 5 vjet heqje lirie. Nuk dihet se ku ndodhet tani.
Valentina Keli. E dënuar me 10 vjet burgim. Jeton tani në Kanada, në një azil pleqsh.