Friday, June 15, 2012

Meta: Rrëfej darkën me Ramën në Gjirin e Lalëzit

Keni qenë në këtë studio kur sapo jeni kthyer nga Uashingtoni, brenda mazhorancës u fol për një proces konsensual për zgjedhjen e Presidentit, votuat kandidatin e mazhorancës, duket sikur u bë shumë zhurmë për asgjë?
Nuk është aspak kështu. Mendoj se zgjedhja e Presidentit të ri, i cili tani quhet Bujar Nishani, nuk ka qenë një zgjedhje aspak arrogante e mazhorancës, as e paramenduar dhe as e paragjykuar. Ka qenë rezultat i një procesi që pati të papriturat e tij, që lidhej me afatet kushtetuese që përcaktojnë zgjedhjen e presidentit, por dhe me pasojën që vjen nga moszgjedhja, që janë zgjedhjet e parakohshme, diçka që nuk i duhej aspak vendit, për më tepër kur ende nuk ka përfunduar ende reforma zgjedhore dhe kur vendi është në një proces për të marrë statusin e vendit kandidat në fund të këtij viti, pra e kam votuar zotin Nishani dhe jam shumë i qetë për këtë gjë, jo sepse kam votuar një anëtar të kryesisë së PD apo një ministër të saj në momentin, përpara se të ndodhte ky proces, por sepse kam votuar një koleg për të cilin kam shumë konsideratë, sepse është një politikan shumë korrekt, institucional, njerëzor dhe jam i sigurt se duke hequr kostumin e ministrit apo edhe fanellën blu të PD dhe duke veshur kostumin e Presidentit ai do të dijë të përballojë me dinjitet këtë detyrë dhe do të dijë të ndërtojë të gjitha urat e domosdoshme të bashkëpunimit me opozitën dhe me gjithë aktorët e tjerë për të qenë një President sa më bashkëpunues dhe për të qenë një president që do i shërbejë në radhë të parë vendit.
Ju ishit një lojtar determinant në këtë muaj të zgjedhjes së presidentit, në komentin e zotit Rama thuhet se në pjesën e dytë të lojës kishit një rol negativ, çfarë e ktheu qëndrimin tuaj?
Qëndrimi im ka qenë në koherencë të plotë, përgjatë gjithë kësaj kohe kam qenë vazhdimisht i qartë për një proces sa më konstruktiv sa më konsensual. President konsensual, do të na duhet të përkufizojmë se çdo të thotë konsensus. Kam qenë i motivuar në këtë proces duke pasur në konsideratë faktin që zgjedhja e presidentit nuk duhet të shërbente si burim tensioni mes palëve, duke qenë se kemi dhe shume reforma të tjera që kërkojnë këtë bashkëpunim. Ndaj edhe pse mazhoranca e kishte shumicën, ajo nuk duhet që këtë shumicë ta konfirmonte në një mënyrë arrogante. Përkundrazi. Qëllimi ishte për të ndërtuar një proces ku duhet të kishim parasysh që kishim një mazhorancë dhe një opozitë. Në këtë drejtim duhej punuar për të gjetur një zonë të ndërmjetme, ku mund të arrihej ky konsensus, mjafton fakti që dikush mund të ishte anëtar i kryesisë së një partie, ose një ish-kryeministër për të mos pranuar përkatësinë partiake, sepse do të quhej humbje, kjo ka qenë pengesë për të arritur konsensus për një figurë politike. Kam punuar shumë që figura e zotit Zaganjori të promovohej brenda mazhorancës e të pranohej nga opozita, sepse për bindjen time ishte figurë shumë e gjetur që i takonte një zone të ndërmjetme, e cila mund të bënte të mundur për të gjitha palët që të justifikonin konsensusin e tyre, por dhe të kishin disa garanci te kjo figurë për shkak të pozitës si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, për shkak të karrierës akademike dhe një përvoje diplomatike që do e konsideroja të suksesshme për atë periudhë… Në të kaluarën ishte votuar nga të dyja palët, pati defekte në komunikim, ky proces filloi me fjalët që do të takohemi, s’do të takohemi, pati editoriale që nuk ishin në frymën e konsensusit, pra pati defektet e saj, dhe ndoshta humbëm një rast ideal për konsensus, sepse do e kishim të vështirë për të gjetur një figurë, jo se nuk ka. Por duhet të kemi parasysh ditën që të del emri për president dhe besohet që mund të bëhesh, atë ditë fillojnë dhe sulmet, shpifjet, dalin histori që kurrë nuk të ka ndodhur në jetë.
Gjatë këtyre javëve dhe muajve rindërtuat një kanal komunikimi të bllokuar me zotin Rama, nuk u përdor për përçimin e emrit Zaganjori?
E vërteta është kjo: emri i zotit Zaganjori ishte emër i promovuar nga kolegët tuaj, ishte person që nuk e kishte kërkuar këtë detyre dhe as nuk kishte lobuar pranë politikanëve të caktuar, e pranoi me idenë për t’i shërbyer konsensusit. Vetë tërheqja e tij pas konsumimit të raundit të tretë tregoi se i kishte pasur cilësitë për të qenë konsensual. Ideja ishte për t’i paraqitur një listë përfaqësuesit të opozitës, zotit Ruçi nga Patozi. Ne dëshironim të çonim një listë jo shumë të gjatë…, dhe ne selektuam disa emra, zoti Berisha, Mediu, Idrizi dhe unë së bashku. Diskutimet bëheshin pasdite vonë, ditën tjetër ishte raundi i parë dhe qëllimi ishte për të shkuar me një figurë të kontestuar. Pasi kemi bërë disa telefonata me disa emra që nuk e pranonin, në këto kushte ne ngelëm në një rreth shumë të kufizuar, duke qenë çëshja e kohës problem tjetër, sepse duhej komunikuar me opozitën në momentin që ramë dakord për zotin Zaganjori, më përbashkues menduam se duke paraqitur këtë emër dhe duke qenë se votimi bëhej nesër, me idenë dhe me vullnetin më serioz për të treguar vullnetin më të mirë është bërë komunikimi nga ora 9 dhe pak më pas zoti Patozi ka kërkuar zotin Ruçi, ata nuk kanë pasur mundësi për të komunikuar për shkak se ishin në studio të ndryshme, diçka e tillë. Por ky emër u mor vesh, po të jetë tre janë shumë.
Kjo sms që erdhi te media nuk mund të shkonte te Rama nga ju?
…Kjo nuk përbënte një element esencial për të penalizuar kandidaturën e zotit Zaganjori…
Pretendimi që u ngrit nga opozita ishte se nuk pati proces për një president konsensual?
Nuk dua të bëjë avokatin e askujt, për gjëra të cilat kam qenë prezent dua t’ju konfirmoj seriozitetin për zgjidhje, çfarë kriteresh do të vendoseshin një natë përpara agimit të ditës tjetër, kur në orën 9 do të mblidhej komisioni i Ligjeve, sepse në takim Ruçi-Patozi, që u vendos kohë më parë, opozita kishte renditur katër çështje me të drejtë, se ato çështje qëndrojnë edhe sot, në atë takim mund të ishin diskutuar këto kritere apo mund të ishin shkëmbyer emra. Emri i tij i propozuar nga mazhoranca ajo e Zaganjorit ka qenë për të gjetur një figurë që mund ta bënte atë detyrë shumë mirë, figurë që ishte votuar edhe nga ana e opozitës së sotme për pozicionin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, një figurë që janë shprehur shumë mirë ish-kryetari i Gjyakatës Kushteutese, zoti Dritëro Agolli.
E ka propozuar Rama emrin e Pandeli Majkos e gjeneral Lleshit?
Djegia e tre raundeve, duke i qëndruar emrit të zotit Zaganjori. Mazhoranca pasi doli me emrin e zotit Zaganjori, kur persona të tjerë nuk ishin pranuar.
A ka qenë edhe emri i Artan Hoxhës në kohën kur u propozua edhe emri i Zaganjorit?
Fillimisht në këtë periudhë Artan hoxha nuk ka pranuar në periudhën e parë, sepse nuk ka qenë i interesuar në këtë detyrë. Mazhoranca në këto kushte nuk mund të dilte me emër tjetër, sepse priste kundërpropozim nga opozita.
Ju e bëtë faktin e kryer, e ju e publikuat pa komunikuar zyrtarisht me opozitën?
Nëse zoti Patozi me zotin Ruçi do të kishin pasur mundësi të takoheshin menjëherë, situata mund të ishte ndryshe, këtë gjë nuk mund ta parashikonim. Opozita kishte të drejtën e saj sovrane të propozonte nëse nuk pranonte këtë kandidaturë, për ne nuk kishte asnjë problem…
Çfarë ndodhi me z.Hoxha, i cili hipi në makinë për të ardhur në Kuvend dhe më pas u tërhoq…
Z.Hoxha është njeri shumë simpatik, sipas vlerësimit tim… Për çështjen e tërheqjes së tij unë mendoj se ai ka besuar, ka shpresuar se nuk do të kishte arsye që të kundërshtohej seriozisht nga PS-ja, kishte marrë edhe mesazhe urimi nga përfaqësues të caktuar të saj, ndërkohë që paraditen kur pritej që normalisht të fillonte Kuvendi, ai ishte sulmuar, denigruar, shantazhuar në forma fare të ulëta për çështje që absolutisht për mendimin tim janë spekulime dhe në këto kushte ai ishte përsëri i hapur, i hapur edhe për të shkuar në Parlament drejt zgjedhjes e duke menduar se gjithçka ishte një shantazh pa ndonjë vlerë reale, por i hapur edhe për t’u tërhequr në kushtet kur edhe kur kjo figurë sillte polarizim nga pala tjetër, pra nuk arrinte qëllim për të gjetur konsensus. Kam qenë bashkë me zotin Berisha dhe më të kur ai gjykoi dhe vlerësoi edhe pas diskutimit me ne që në këto kushte nëse ju mendoni se duhet të ecë përpara nuk kam asnjë problem, gjithçka është shpifje shantazh. Thelbi i promovimit të kësaj kandidature nga ana jonë ishte përsëri për të ecur me një figurë jopartiake dhe për t’i dhënë edhe një mundësi opozitës dhe për të reflektuar dhe nuk kishte asnjë arsye përse z.Hoxha të mos votohej, të mos përkrahej. Por përderisa situata vazhdonte të ishte agresive, pra kjo kandidature nuk është se po sillte konsensus, atëherë ai mendonte që a do të kishte kjo ndonjë vlerë më të madhe në këtë proces.

Pse jo zonja Topalli?
Ky proces për ne nuk ka qenë i lidhur dhe i kushtëzuar me emra të caktuar. Për mua dhe për LSI-në, për ne mund të ishte zonja Topalli dhe përderisa është kryetare e Parlamentit, nuk do të kishte asnjë arsye pse të mos ishte presidente. Besoj se është anatemuar padrejtësisht, dhe ajo nuk e ka kërkuar këtë gjë dhe për këtë jam i bindur. Nuk kemi përjashtuar as zotin Nano dhe askënd tjetër. Qëndrimi ynë ka qenë cilindo që të jetë konsensual. Mund të jetë konsensual nga PD apo edhe nga PS.
Një figurë nga LSI mund të ishte konsensuale?
Një figurë e LSI-së mund të ishte ideale për konsensus, por për shkak të investimit në këtë proces ne i qëndruam deri në fund të ndërtimit dhe kurorëzimit të procesit, përndryshe do të ishim paragjykuar, sikur kjo nuk ishte përpjekje për proces por kalkulim.
Pozicioni i LSI në këtë proces dhe sa e vërtetë është kërkesa juaj për posedim të institucioneve nga ana juaj?
Duhet të kemi parasysh edhe marrëveshjen që LSI ka me PD, këto dy forca do të vendosin me konsensus dhe për çështjen e Presidentit. Të gjitha idetë që u hodhën, sidomos pas takimit të tim me zotin Rama, se do krijohej një shumicë tjetër në Parlament apo se do kishte një mazhorancë tjetër për presidentin, të gjitha këto nuk qëndronin dhe ajo që unë besoj se është shumë e rëndësishme është që t’u qëndroj marrëveshjeve edhe kur të tjerët nuk i respektojnë ato.
Kjo vjen pas darkës në shtëpinë tuaj mes zotit Rama dhe ju?
Fakti që LSI kishte në këtë marrëveshje që për çështjen e Presidentit do të realizonte një konsensus me PD, kjo krijonte dhe një hapësirë të kufizuar, sepse nëse nuk do të ishte kjo do të mund të bashkëpunonim me PS në Parlament për të zgjedhur një figurë të LSI-së, për të zgjedhur zotin Nano, Meidani, Pëllumbi. Marrëveshja është marrëveshje. Por përpjekja jonë për të dalë me figurën e zotit Zaganjori ka qenë tepër serioze dhe ka qenë përpjekje për të arritur konsensus maksimal. Askush nuk duhet të priste dhe unë nuk kisha iluzione që PD do të pranonte që t’i dhuronte presidentin opozitës, e rëndësishme është të ndërtohej një proces për të ndërtuar figura të pranueshme nga ana e opozitës.
Nga marrëveshja rrjedh fakti që prokurorin e ri do ta kërkojë ta propozojë LSI?
Absolutisht jo. U thelluam në këtë proces dhe jemi paragjykuar shumë, sepse po e kërkojnë këta. LSI ka qenë dhe është e bindur që ky proces ishte i rëndësishëm dhe për mua, pavarësisht se nuk ishte proces perfekt, solli dy takime mes Berishës dhe Ramës.
Ndoshta takimi i tretë mund të jetë më i suksesshëm. Takimet sjellin rezultate.
Kjo ka qenë përcaktuar që në fillim…
Nuk ka qenë e vërtetë, ka qenë produkt i rrethanave, nëse ky ishte objektivi mund të ishte realizuar që tre raunde të ishin realizuar brenda ditës, do digjeshin të tria dhe kalonim direkt te votimi i thjeshtë.
Takimi juaj me zotin Rama është i rëndësishëm?
Mendoj se më e rëndësishme është që zoti Rama prej nëntorit të vitit të kaluar, ka një kurs më konstruktiv, më proeuropian, dhe është treguar i interesuar për të kontribuar, për të zhbllokuar proceset integruese, për këtë kemi disa raste e votime në Parlament, më e rëndësishmja është që të vazhdohet në këtë rrugë në këtë drejtim dhe në takimin që kam pasur me zotin Rama pak a shumë për këto çështje janë diskutuar. Darka është darkë.
Ka një interes publik, keni ngrënë vërtet ngjala në Gjirin e Lalzit?
Nuk ka ngjala në Gjirin e Lalzit.
Unë mund t’ju pyes ju, por mund të pyes dhe Nard Kokën…
Edhe miku ynë të njëjtën gjë do të konfirmojë. Mendoj që është shumë e rëndësishme të fokusohemi drejt së ardhmes.
Në darkën e famshme u fol për Presidentin?
Unë mund t’ju them se kjo çështje është përmendur vetëm në këtë kontekst, që çështja e presidentit është një çështje e rëndësishme dhe se duhet të ketë një proces konstruktiv, por absolutisht nuk është përmendur asnjë emër. Nuk kemi pasur asnjë aleancë presidenciale. Madje mund t’ju them se në këtë kontakt apo edhe në kontakte të tjera, sepse unë nuk kisha diskutuar ende me zotin Berisha akoma për çështjen e presidentit, dhe kam bërë të qartë që para se të bëj të ditur se cili do jetë qëndrimi im për këtë çështje, në radhë të parë do të diskutoj me atë që kam një marrëveshje konkrete.
Votimi i anëtarit të KLD-së në Parlament, kemi darkën, takimin për presidentin, qëndrimet e ndryshme të LSI, detyruat mazhorancën për moratoriumin e skafeve?
Kjo tregon që mazhoranca nuk është reflaktare. Nuk është çështje detyrimi, është çështje argumentesh, sidomos në raportin me zotin Berisha. Unë kam vënë re nga eksperienca që zoti Berisha nuk është një politikan që nuk reflekton kur dëgjon e bindet për argumentet e një çështjeje apo alternative të caktuar.
Në zgjedhjet e ardhme, cili do të jetë qëndrimi i LSI-së, me kë do jetë në koalicion?
Llogaria më e rëndësishme që duhet të bëjmë të gjithë pas përfundimit të procesit të zgjedhjes së Presidentit, unë do të bashkohesha me vlerësimin e ambasadorit italian të bërë dje, një proces pozitiv, ku u mor një notë e mirë, nuk u mor nota dhjetë, por u mor notë pozitive. Shpreha vlerësimin tim, duhet të përqendrohemi te mbyllja e reformës zgjedhore, parlamentare, sepse këto duhet të ishin mbyllur para zgjedhjes së Presidentit.
Kjo do të thotë që ju takon anëtari i 7 i KQZ-së?
Kjo është një çështje tjetër. Është vendimtare të bëjmë gjithçka për ta ruajtur këtë frymë dialogu. Edhe reflektimi për moratoriumin është pozitiv.
Zoti Patozi ua mbylli derën për Ministrinë e Brendshme?
LSI nuk ka kërkuar Ministrinë e Brendshme, aq më tepër që ka qenë ministri që i ka takuar PD. LSI nuk ka kërkuar asnjë institucion dhe asgjë tjetër. LSI nga PD ka kërkuar që të jetë sa më fleksibile për çështjen e presidentit, që të kishim një proces konstruktiv, që të mos vendoste shumica e arroganca.
Nëse ua japin, e merrni?
Nuk të jep dikush diçka që dhe nuk e pranon. Prioriteti ynë ka qenë e mbetet të fitojmë sa më shumë nga koha e mbetur për procesin integrues të vendit. Nga kjo kohë fituam dialog, fituam një çtensionim. Mund të kishim fituar më shumë patjetër.
Statusi më afër apo më larg?
Duhet të nënvizoj se nuk është se zgjedhja e Presidentit me një konsensus më të madh do të zëvendësonte mungesën e bërjes së reformave që janë të përfshira në 12 prioritete. Por kërkohej që përmes një procesi sa më konstruktiv të mos konfliktohet pas zgjedhjes situata politike. Dhe unë jam i bindur se Presidenti i ri do i kontribuojë dialogut mes palëve.

(Deklarata e deputetit Taulant Balla) Kthimi i ashpër i retorikes së opozitës ndaj jush?
Nuk mbaj përgjegjësi për retorikën kreative të opozitës absolutisht, por njëkohësisht më vjen keq që zotëria në fjalë është i pakënaqur ndaj qëndrimeve tona, publikisht kur informalisht ka shprehur edhe ai dëshirën për t’u takuar së afërmi…
Si do e konsideronit zotin Rama në këto momente, si ish-mik apo mik?
Në raportet e mia me zotin Rama orientohem nga fakti që është kryetar i PS-së. Kurse po t’i kthehemi historisë, ajo ka ngjyra të ndryshme në kohë të ndryshme, por për ata që ndjekin është e rëndësishme që zoti Berisha me zotin Rama të bashkëpunojnë, zoti Meta me zotin Rama të bashkëpunojnë, apo zoti Dule e kështu me radhë. Në këtë drejtim unë kam treguar në mënyrë të qartë se jam i hapur për të bashkëpunuar për interesin e vendit, dhe ajo që është më e rëndësishme është që t’i japim një stad të ri këtyre reformave. Integrimi europian është një synim i demokratëve, socialistëve, i LSI dhe për këtë duhet bashkëpunuar, duhet kontaktuar, duhet dialoguar.
PS e ka si kusht daljen tuaj nga qeveria?
Është çështje tjetër çështja e koalicionit të qeverisë, është çështja tjetër çështja e bashkëpunimit dhe komunikimit që duhet të jetë një normë midis gjithë politikanëve dhe forcave politike… Ne do i qëndrojmë marrëveshjes që kemi.
A ka nevojë qeveria për ndryshime, për rifreskim emrash?
Absolutisht që kjo qeveri dhe e gjithë shoqëria jonë ka nevojë të ecë më shpejt.
Pra, duhet të kemi ndryshime?
Kur flasim për ndryshime, nuk dua të kem në konsideratë domosdoshmërish emrat, por  kërkohet një agjendë edhe më dinamike dhe kërkohet një ritëm akoma më i shpejtë dhe më i lartë, e dimë se e gjithë bota, vendet e rajonit, vendet tona fqinje po ndeshen me një krizë financiare dhe ekonomike edhe Shqipëria është e prekur nga këto pasoja, pavarësisht se ka rezistuar dhe vazhdon të qëndrojë. Por kryesore për mua mbetet që në javët që vijnë, ne të zgjidhim me shpejtësi dy tri çështjet kryesore që do të kenë edhe peshë të rëndësishme për marrjen e statusit.