Saturday, September 10, 2011

Vrasja e gjyqtarit, 400 g tritol në makinën e gruas





Skerdilajd Konomi me gruan dhe vajzën


Anila Peçi / Lindita Çela
Një atentat mafioz me eksploziv të telekomanduar në makinë i ka marrë jetën mëngjesi e djeshëm një gjyqtari në Vlorë. Skerdilajd Konomi ishte duke udhëtuar me makinën e tij kur një sasi tritoli e vendosur në sedijen e shoferit shkaktuar shpërthimin që i ka marrë jetën. Shpërthimi është kryer në qendër të qytetit të Vlorës rreth orës 10.00 të paradites duke shkaktuar kaos dhe panik në të gjithë qytetin.
Sipas dëshmitarëve të vendin e ngjarjes, Gjyqtari Konomi kishte hipur në makinë vetëm pak çaste para shpërthimit dhe kishte ndezur mjetin. Ai kishte bërë vetëm pak metra dhe në momentin që ndodhej pranë rrethrrotullimit të Skelës makina është hedhur në erë.
Kalimtarët e shumtë që ndodheshin në atë moment në vendin e ngjarjes fillimisht kanë shtangur dhe askush nuk ka guxuar të afrohet. Më pas ata kanë tentuar që të nxjerrin gjyqtarin ende të gjallë nga makina, por kjo ishte e pamundur. Shpërthimi kishte dëmtuar strukturën e makinës dhe këmbët e gjyqtarit i kishin mbetur brenda. Sipas dëshmitarëve, ato pothuajse ishin këputur.
Vrasja dhe gjymtimi i gjyqtarit Konomi, sipas të dhënave nga grupi hetimor, mësohet se ka ardhur si pasojë e shpërthimit të rreth 200 gramëve tritol të vendosur poshtë sedijes së tij, nga brenda makinës. Bomba mendohet se është aktivizuar nga një distancë e afërt.
Dyshimet e para për shkakun e vrasjes, grupi hetimor, i ka ngritur në dy pista, atë të vrasjes për shkak të detyrës dhe konflikteve të mundshme të pronësisë të familjes Konomi. “Dyshohet që atentati ndaj gjyqtarit është kryer për shkak të ushtrimit të detyrës së tij dhe konflikteve të pronësisë që familja Konomi ka për disa prona në Qarkun Durrës”,- thanë burimet e policisë.
Sipas të dhënave të grupit hetimor, gjyqtari Konomi me të dalë nga banesa është drejtuar për tek një lokal në lagjen “Skelë” ku ka pirë kafen e mëngjesit me dy miqtë e tij. Makinën e kishte parkuar vetëm 20 metra nga vendi ku ndodhej vetë ai së bashku me dy miqtë në tavolinë. Aty nga ora 9:30 gjyqtari Konomi është ndarë nga shokët, ka marr makinën dhe është nisur drejt Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë për të vazhduar punën e përditshme. Në qendër të Vlorës makina e tipit “Benz” me të cilën po udhëtonte gjyqtari Konomi ka shpërthyer duke i dëmtuar rëndë sidomos këmbët. Skena vjen e ngjashme me atë të shpërthimit pranë rrethit në Skelë, pak muaj më parë, ku mbeti i vdekur një person dhe u plagosën katër të tjerë. Nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar të tjerë.


Dy ditë më parë denoncoi sulmin ndaj makinës
Vrasja e Skerdilajd Konomit është cilësuar nga hetuesit si atentat tipik mafioz për ti marrë jetën gjyqtarit, por edhe për të mbjellë ndjenjën e frikës tek të tjerët. Banesa e gjyqtarit ndodhet në një nga lagjet periferike të qytetit të Vlorës (në zonën mbi tunelin) dhe ai mund të ishte bërë shumë lehtë objektiv i një atentati pa lënë gjurmë. Përkundrazi, vrasësit kanë preferuar të bëjnë shumë zhurmë dhe të terrorizojnë edhe qindra kalimtarë të rastit.
Hetuesit kanë zbuluar se eksplozivi që i ka marrë jetën gjyqtarit Konomi ishte vendosur brenda sedijes së makinës. Por duke qenë se gjyqtari kishte dy makina, vrasësit kanë gjetur një mënyrë për të shmangur njërën prej tyre. Dy netë më parë ata kanë hyrë në shtëpinë e gjyqtarit gjatë natës dhe i kanë çarë gomat e makinës që ndodhej e parkuar në oborr. Gjyqtari ka dalë në mëngjes, ka parë gomat e çara dhe ka vendosur të përdorë makinën tjetër. Një natë më pas, vrasësit mendohet se kanë hyrë sërisht në oborrin e shtëpisë së tij dhe këtë herë kanë vendosur eksplozivin me telekomandë.
“Gjyqtari Skerdilajd Konomi, dy ditë më parë ka njoftuar shefin e krimeve të zonës së banimit, se brenda oborrit të banesës së tij (brenda rrethimit) persona të paidentifikuar i kanë shpuar të katër gomat e makinës tip “Benz”. Pas shpimit të këtyre katër gomave, gjyqtari Konomi ka marr për të lëvizur makinën tjetër më të vjetër që kishte në oborr, brenda së cilës gjeti edhe vdekjen”,- thuhet nga të dhënat e para të Policisë së Vlorës. Hetuesit mendojnë se në vendosjen e tritolit në makinën e gjyqtarit kanë marrë pjesë tre persona. Dy prej tyre janë futur në shtëpi ndërsa i treti ndodhej jashtë duke bërë roje me armë.
Ndërkohë familja Konomi ka pohuar dje se ata nuk kanë pasur konflikte me njeri dhe se ngjarja ka ndodhur krejt papritur. “Ne nuk kemi konflikte. Nuk kemi as konflikte pronash siç kemi dëgjuar këto orë. Djali nuk merrej me çështje penale apo me kriminelë të rrezikshëm, ai ishte gjyqtar civil. Sjellja e tij gjatë këtyre ditëve ka qenë normale, nuk kemi vënë re shenja stresi apo shqetësime të tjera”,- thanë dje për “Shekullin” të afërmit e Konomit. Por sipas tyre, Skerdilajdi ishte njeriu që ishte marrë me të gjitha çështjet e pronave të familjes.


Dëshmitarët kanë frikë

Atentati mafioz që i mori jetën gjyqtarit Skerdilajd Konomi ka ndodhur në rrugë kryesore dhe më të populluar të qytetit të Vlorës. Ngjarja ka shkaktuar tmerr tek qindra kalimtarë të rastit dhe tek pronarët e punonjësit e bizneseve buzë rrugës.
Një vajzë e re, shitëse e një dyqani tregon se ka parë gjithçka, por e ka shumë të vështirë të tregojë pasi ende dridhet nga frika. “Makina Benz ishte duke lëvizur nga Skela drejt qendrës dhe u dëgjua një zhurmë aq e fortë sa tymi mbuloi gjithçka. Makina ishte në flakë, por vazhdonte që të ecte për inerci. Brenda në makinë ishte vetëm një burrë. Ai humbi gjysmën e trupit. Ne po e shikonim, por nuk dinim se çfarë të bënim. Më pas makina u përfshi e gjitha nga flakët”- tregon shitësja e një prej dyqaneve që ndodhen në trotuarin përballë vendit të shpërthimit.
Një tjetër nga gratë tregon se ka mbetur në tokë për minuta të tëra. “Disa kishin ngrirë në vend, pasi kishin edhe frikë se ç’mund të ndodhte më pas. Njerëzit kishin frikën e një shpërthimi. E para i është afruar një grua, e cila ngiste një makinë disa metra pas mjetit të tij. Pas saj u afruan edhe një nga punonjësit e dyqaneve përballë dhe dikush hodhi një kovë me ujë. Zjarrfikësja që erdhi pak kohë më pas përpiqej të shuante zjarrin që shpërtheu në makinë. Ai burri ka ndenjur minuta të tëra në tokë dhe dukej që lëvizte dorën. E kanë nxjerrë disa persona dhe e çuan në makinën e policisë. Nuk u duk asnjë ambulancë t’i jepte ndihmë. Nuk dinim si të vepronim, edhe frikë kishim të afroheshim. Kishim frikë se mos e dëmtonim më keq duke e tërhequr. Ai ishte i copëtuar. Ndihemi të terrorizuar dhe të pasigurt”,- thotë shitësja.
Gjatë gjithë ditës rruga kryesore ka qenë thuajse e bllokuar. Shiritat ishin vendosur në një pjesë të konsiderueshme të rrugës për të ndihmuar në ruajtjen e provave. Specialistëve të policisë së Vlorës u janë bashkuar disa orë më vonë edhe specialistë të ardhur nga kryeqyteti, të cilët kanë pasur veshje të bardha. Në orët e pasdites mjeti është hequr dhe është çuar në ambientet e drejtorisë së policisë së Vlorës ndërsa policia ka marrë në pyetje të gjithë njerëzit që ndodheshin aty.

Profil gjyqtari
Një pamje xhentëlmeni është ajo që binte në sy në prezantimin e parë me Skerdin. Miqtë që e njohin nga afër e perifrazojnë si njeri me horizont, me humor, i qetë dhe aspak konfliktual. Ai ishte pjesë e një familje intelektuale të njohur në Vlorë, Skerdi zgjodhi rrugën e drejtësisë. I diplomuar në magjistraturë në vitin 2004 ai punoi një vit në Vlorë e më pas u transferua në Fier. Më pas Skerdilajd Konomi u rikthye në Vlorë si gjyqtar. Ai ishte babai i dy fëmijëve të mitur, ku i vogli i familjes, djali i tij Fatjoni, është vetëm katër muaj.

Të rinjtë e Vlorës: Të ngrihemi në protestë
Atentati mafioz ndaj gjyqtarit Konomi ka sjellë reagime të ashpra në qytetin e Vlorës. Qindra qytetarë, të lodhur nga krimet e shpeshta që ndodhin në qytetin e tyre dhe sidomos akteve të tilla me tritol, janë ngritur në revoltë. Shumë të rinj vlonjate janë organizuar përmes faqeve të rrjeteve socialiale duke paralajmëruar një protestë ditën e sotme.
“Nesër (sot) në 18.00 të gjithë si qytetarë te Sheshi i Flamurit për të protestuar deri në Skelë kundër krimit. Ai që nuk proteston kundër krimit është frikacak ose bashkëpunëtor i krimit”,- është mesazhi që po përcillet përmes të gjithë vlonjatëve.
Ngjarja e djeshme vjen vetëm pak kohë pas një tjetër ekzekutimi të së njëjtës natyrë. Vrasja e Renato Abazit, ngjarje që ndodhi po në rrugën kryesore, pranë rrethit në Skelë. Kujtesa e vlonjatëve ka mbartur së fundmi kronologjinë e një sërë shpërthimeve tritoli, të cilat shumë herë janë hedhur si sinjale, ndërsa vite më parë edhe të tjera shpërthime me pasojë jetë njerëzish, si ajo pranë pallatit Riviera. Autorët mbeten anonimë për ngjarje të tilla, të cilat përjetohen me tmerr, por edhe pasiguri për jetën tek qytetarët.

Mbi WikiLeaks dhe Temën


FATOS LUBONJA


Në një prononcim për shtyp mbi dokumentet e WikiLeaks-it, Berisha tha se nuk ka asgjë të re, janë gjëra që i ka parë në shtypin e përditshëm shqiptar. Ky është një pohim që duket i pakundërshtueshëm, por që paradoksalisht askush  s’e beson. Vërtet shumicën e atyre gjërave që thuhen në kabllot i kemi lexuar apo dëgjuar , por ato, megjithatë kanë një rëndësi të veçantë – me gjithë përpjekjen e Berishës për të na thënë se asgjë e re s’ka ndodhur. Po pse kështu? Së pari, sepse ato, ndryshe nga ç’thotë Berisha, nuk janë thjesht grumbullim faktesh. Nga dokumentet del qartë se Ambasada e SHBA, për t’u informuar mbi çfarë ndodh në emër të interesave të veta më së pari, por edhe të vendit që konsiderohet aleat në NATO, mban kontakte me politikanë, gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile, ndjek shtypin. Kuptohet se s’ka se si të mos ndodhë që shumëçka nga ato që këta thonë në publik, ta thonë edhe në Ambasadë. Por kabllot, megjithatë, nuk janë thjesht një renditje e informacioneve që ata vjelin. As një bashkim mekanik i atyre që thonë politikanë e gazetarë të maxhorancës dhe të opozitës. Ato janë më shumë se kaq, sepse janë edhe shqyrtim e seleksionim i tyre mbi bazë kredibiliteti, janë edhe të shoqëruara me konkluzione e komente si sintezë logjike e informacionit të mbledhur. Në një farë mënyre, pra, ato çka thuhen aty identifikohen me të vërtetën që nxjerrin amerikanët për këtë vend, veçanërisht do ta thosha këtë duke iu referuar komenteve dhe konkluzioneve. Së dyti, ato janë të rëndësishme nga fakti se këtë punë e bën një aktor i huaj që nuk është i përfshirë në luftën politike shqiptare, pra që s’ka interesa të lidhur me partitë që merren në shqyrtim. Së treti, se ky aktor nuk është dosido, por ambasada e shtetit më të fuqishëm në botë që, pa dyshim, ka pushtet e ndikim të madh mbi politikën shqiptare. Së katërti, sepse shqiptarët vetë i mbajnë shumë sytë nga SHBA e të huajt në përgjithësi me shpresën se do t’i nxjerrin këta nga balta ku kanë ngecur.
Cili është konkluzioni që del duke lexuar raportimet e ambasadorit Withers dhe jo vetëm? Sipas çfarë kam lexuar, konkluzioni kryesor del në një kabllo dramatike, ku thuhet se “ligjin në Parlamentin shqiptar e bëjnë kriminelët”, i cili përfundon me këtë vërejtje: “Ky është një fenomen shumë shqetësues, me të cilin ne (kupto SHBA) dhe komuniteti ndërkombëtar do të duhet të merremi në një të ardhme”. Në konkluzionet bie po ashtu në sy se nuk bëhet dallim midis maxhorancës dhe opozitës në këtë drejtim. E njëjta gjë kur flitet edhe për ngjashmërinë midis Berishës dhe Ramës përsa i përket prirjes për të kontrolluar gjithçka në emër të pushtetit të tyre e të klientelës së tyre.
“Një pikë dritë” vjen, sipas Ambasadës, nga fakti se ka disa pak deputetë që kanë filluar të bëhen të vetëdijshëm se Shqipëria nuk duhet të ketë kriminelë në Parlamentin e vet. Por, Ambasada, gjithsesi, është e shqetësuar kur shtron pyetjen  “se sa kohë do të na duhet për t’i hequr këta rufjanë nga pushteti?” – sepse Shqipëria e njerëzve të ndershëm është e varfër, sepse mungon transparenca, se ka një Gjyqësor dhe Prokurori që kuptohet qartazi se janë të pafuqishëm për të vepruar kundër “peshqve të mëdhenj” edhe për shkak se janë të infektuar rëndë nga korrupsioni. Pesimizmi shtohet kur sheh se të njëjtat  konkluzione të errëta hidhen edhe mbi rolin e gjendjen e mediave shqiptare, të cilat cilësohen si medie ku “pavarësia është përjashtim dhe jo normë” dhe ku “politika, media dhe biznesi janë partnerë të pandarë”.
Me fjalë të tjera, sikur amerikanët të mos kishin thjesht e vetëm autoritetin moral, por të kishin në komandën e tyre edhe Prokurorinë e Gjyqësorin, në Shqipëri do të ishin hapur një numër i madh procesesh të bujshme që do të çonin në shkrirjen e dy partive të mëdha e të disave më të vogla dhe pluralizmi shqiptar, e shumëçka rreth tij do të fillonte nga e para. Në fakt, kjo është ajo që kërkojnë shqiptarët e thjeshtë në mënyrë naive nga amerikanët. Mirëpo kjo nuk ka gjasa të ndodhë, sepse, sikurse e provon edhe përvoja e vendeve arabe, ndryshimi nuk mund të vijë dot nga amerikanët nëse nuk lëvizin shqiptarët. Ata mund të japin vetëm një dorë dhe, për më tepër, ne jemi në një sistem tjetër nga ai i vendeve arabe, sepse jemi në një demokraci, paçka se në kuptimin më të keq që i japin disa autorë kësaj fjale: si sistemi më i sofistikuar për të fshehur e zbutur shfrytëzimin dhe grabitjen e njerëzve dhe jo si pushteti i këtyre njerëzve, siç e do fjala. Duke qenë kështu ne kemi ende iluzionin se, edhe me ndihmën e amerikanëve, dy bandat që kemi në drejtim të vendit tash njëzet vjet, do të mund të shndërrohen në parti normale e se Gjyqësori, mediat dhe bizneset do të çlirohen nga kthetrat reciproke që i lidhin me këto banda. Dokumentet e WikiLeaks-it tregojnë jo vetëm se “e vërteta hollohet, por nuk këputet”, por edhe se edhe ashtu “e holluar” ajo punon në këtë drejtim.
* * *
Në këtë pikë përfitoj nga rasti të sqaroj disa lexues që më kanë kërkuar të vërtetën mbi përfshirjen e emrit tim në një kabllo të Ambasadës lidhur me gazetën “Tema”. Sipas kësaj kablloje, në një eveniment në Ambasadë i kam thënë njërit prej funksionarëve se “pronari i Temës (i kujtoj lexuesit se bëhet fjalë për Beson e Tajvanit, jo për Mero Bazen), ka interesa të rëndësishme financiare”. Më tej thuhet se “Lubonja dhe gazetarë të tjerë e kritikuan rrahjen e Bazes, por janë të kujdesshëm të vënë në dukje se Tema, që dikur ka qenë pro-Berisha, është kthyer në anti-Berisha kur marrëdhënia e tyre reshti së qeni fitimprurëse materialisht”.
Personalisht nuk e kujtoj këtë bisedë, por konfirmoj se si gazetar dhe aktivist i të drejtave të njeriut, kam pasur kontakte me Ambasadën Amerikane prej kohësh dhe se i gjej ato që thuhen në këtë kabllo, për mediat në përgjithësi dhe Temën në veçanti, në përputhje të plotë me mendimet e mia. Gjej, po ashtu, se dy pohimet që më atribuohen janë shumë pak në krahasim me çfarë kam shkruar e thelluar në artikuj, si: “Pse u shit/ble gazeta Tema”, “Gazetarë llogoresh”, “Mbi mizerabilitetin e mediave”, “Punë batakçinjsh” etj. (Të gjitha të botuara në gazetën “Korrieri”, që nuk ka pasur pronar Frangajn e Klanit, por të njëjtët pronarë për të cilët punonte asokohe Mero Baze, ata të Vizion +). Madje, në shkrimin “Punë batakçinjsh” (Korrieri 28 dhjetor 2009,  http://perpjekja.blogspot.com/search?updated-min=2009-01-01T00%3A00%3A00%2B01% 3A00&updated-max=2010-01-01T00%3A00%3A00%2B01%3A00&max-results=50…), kam shtjelluar qartë se pretendimi i Bazes se Berisha në 2005-n ka qenë i ndershëm, por u korruptua nga familja, është një gënjeshtër që e provon pikërisht rasti i Bazes dhe i atij që u bë më pas pronari i Temës. Pasi kam komentuar shitblerjet spekulative të ndërtesës së ish-”Tajvanit” si grabitje të pronës publike (shoqëria e PD Shqiponja në 1997-n ia shiti një biznesmeni për një shifër të ulët, i cili, ia shiti një greku për 750 000 dollarë, i cili, vetëm pas gjashtë muajsh ia shiti Besos së Tajvanit për 1 milion e 200 mijë) kam shtjelluar edhe se si pronarit të ri i duheshin edhe 1300 e ca metra katrorë pronë publike përreth; se si për ta blerë këtë me një çmim qesharak i duheshin, përveç votave të këshilltarëve të mikut Rama, edhe votat e të paktën dy këshilltarëve të PD (që na kishte premtuar se do ta hiqte kazinonë e Besos nga Tajvani dhe e kishte akuzuar këtë si simbol të korrupsionit të socialistëve) dhe se si, për këtë, i erdhi në ndihmë kush: vetë këshilltari i PD, Mero Baze, që shkoi në zyrën e Berishës një ditë para votimit, i mori dorën këtij … dhe votimi e pastaj shitja “u kryn”. Dhe pastaj, gazeta “Tema”, megjithëse me humbje, u shit nga Merua tek Besua për 500 000 euro – histori kjo që vërteton se Berisha ka bërë korrupsion me njerëz si Merua shumë më herët nga koha kur ky filloi t’i sulmojë familjen si shkak i korrupsionit të tij e se, madje, e ka bërë edhe me njerëz të PS, duke konsoliduar kësisoj të njëjtin sistem.
Siç shihet, pra, mendimin se Merua, i cili njihet si gazetari që për 15 vjet i ka shërbyer Berishës si tub i jashtëqitjes së pjesës së tij më të keqe (po të perifrazojmë një shprehje të Edi Ramës mbi gazetën ku ky punonte asokohe), nuk është prishur me Berishën dhe bashkuar me Ramën për çështje ndershmërie, por me logjikën e banditit që, po s’u pagua si duhet, kalon në bandën tjetër, e kam shprehur shumë më detajuar në shtypin shqiptar. Këtë mendim e kam konsoliduar edhe më fort kur kam parë se Merua, që s’ka lënë gjë pa thënë për korrupsionin dhe klientelën socialiste në përgjithësi e të Ramës në veçanti, jo vetëm reshti së kritikuari këta, por filloi të punojë si “tub” i bosit të ri me të njëjtin gjuhë e stil. Duke qenë se kam menduar e shkruar kështu, s’kam pasur se si t’i them të tjera gjëra kujt më ka pyetur në Ambasadë. Dhe komenti i Ambasadës, pasi ka shoshitur tërë burimet, duke përfshirë edhe versionin e Bazes, është ky: “Historia e Temës është historia e gazetarisë shqiptare në mikrokozmos. Baze ka përdorur lidhjet e tij të afërta me Berishën për të ngritur gazetën dhe për të tërhequr mbështetës financiarë për Temën dhe, sipas disave, për të pasuruar veten”. “Shkurt, mbyllja e Temës na hedh dritë të keqe mbi klimën e pashëndetshme të mediave shqiptare, ku politika, media dhe biznesi janë partnerë të pandarë”.
Ky realitet shqiptar është i dukshëm për të gjithë, me gjithë shoshën që përdorin gazetarët e bandave për ta mbuluar atë. Si pjesë e vrimave të kësaj shoshe ishte edhe gjuha e Hoxhës që përdorën disa duke na cilësuar ne që ftohemi në Ambasadë (në fakt edhe ata janë ftuar) si “spiunë” të Ambasadës, a thua se paskam pirë ndonjë kupë gjak me padrinot e tyre që më detyron të ruaj sekretet e krimeve të bandës, apo se i paskam shërbyer Berishës, ndërkohë që Mero e di mirë se në shkrimin që përmenda e kam cilësuar edhe Berishën si atë: batakçi.
Për hir të së vërtetës, presioni i asaj që e kam quajtur gazetari e llogores, e gjysmë të vërtetave e larjes së mëkateve vetjake duke denoncuar mëkatet e kundërshtarit, e hajdutit që bërtet kapeni hajdutin, që, tek e fundit, kërkon të përjetësojë sistemin e dy bandave që zëvendësojnë njëra-tjetrën në pushtet, është i madh. Në “Liri e mediave apo liri e shprehjes” (Korrieri, 12 nëntor 2009), kam shkruar se “mediat në Shqipëri nuk janë viktima, që kërkojnë të çlirohen, sikurse janë përpjekur shumë gazetarë (dhe jo vetëm) t’i paraqesin ato (…). Në Shqipëri, viktima e vërtetë është liria e shprehjes, kurse çështja e lirisë së mediave është diçka tjetër (…). Sepse mediat tek ne janë, fatkeqësisht, një nga shtyllat kryesore të sistemit të korrupsionit që është ngritur në Shqipëri”. Megjithatë, gazetarët nuk janë të gjithë njëlloj. Ka nga ata që e kritikojnë këtë gazetari në emër të pavarësisë së pushtetit të katërt, ka nga ata që e vuajnë pasivisht, edhe pse nuk e thonë dot një fjalë kundër tij, ka nga ata që kërkojnë ta mbajnë më këmbë si mënyrë mbijetese e pasurimi; ka edhe nga ata që këtij shërbimi të keq i mbivendosin edhe ligësitë personale, injorancën dhe moralin e shprishur thellë. Besoj që shkrimet dhe prononcimet e mia të shumta lidhur me këtë temë vërtetojnë se unë bëj pjesë ndër të parët. Dhe ndjehem mirë kur shoh se edhe përfundimet e Ambasadës përkojnë me idetë dhe të vërtetat e mia.

Një njeri që hidhërohet nga e vërteta


Nga Mero Baze
Lexova reagimin e vonuar të Fatos Lubonjës mbi debatin që ka hapur një shpifje e tij e ulët në ambasadën amerikane rreth shkaqeve përse gazeta Tema u mbyll në janar të vitit 2010. Për fat të keq nuk ja vlen të merresh gjatë me një njeri që një vit pas ngjarjes thotë nuk mbaj mend çfarë kam folur, dhe as me një njeri që një javë pas publikimit të një ligësie të tij, përpiqet të bëjë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Por për respekt të lexuesve po sqaroj shpifjet e djeshme botuar në gazetën Panorama.
Akuza bazale që Lubonja ngre ndaj meje është se jam një gazetar që nuk kam lënë gjë pa thënë për korrupsionin socialist, dhe tani nuk po lë gjë pa thënë për korrupsionin e Familjes Berisha. E pranoj akuzën pasi kjo akuzë më nderon.
E di që nuk është e këndshme të jesh në anë të ndryshme të llogores kundër të njëjtit armik, në këtë rast bandës së hajdutëve të pushtetit, por unë e kam zgjedhur vetë këtë fat dhe Lubonja këtu ka të drejtë. Ajo që bën të lig dhe të pandershëm Lubonjën është fakti se unë që zgjedhkam gjithnjë opozitën qenkam i korruptuar pasi opozita paguaka para më shumë se pushteti për të qenë me të. Është e çuditshme se si Lubonja prej vitit 1997 ka qenë gjithnjë në anën e pushtetit duke bërë kritika brenda oborrit, ose për persona që ka probleme personale dhe është i ndershëm, ndërsa unë që paskam qenë gjithnjë me opozitën jam i pandershëm pasi sipas Lubonjës në këtë vend paret e korrupsionit i paskan opozitat dhe jo pushtetet. Shpresoj mos ta dëgjojë pronari i tij i TV Klanit këtë tezë, se do lërë pushtetin dhe do bashkohet me opozitën për të bërë lek.
Akuza e dytë në formë shpifje është historia që Lubonja tenton të lidhë mes gazetës Tema dhe pronarit të lokalit Tajvani. Aty ka dy gënjeshtra të liga. E para që gazeta Tema i është shitur pronarit të lokalit Tajvani 500 mijë euro. Është shpifje, por kjo nuk i bën përshtypje një njeriu që nuk ka lidhje me të vërtetën në historinë e shtypit në Shqipëri. Shoqëria “Media Enter shpk”, botuese e gazetës Tema, është shitur në tetor të vitit 2005, 10 milionë lek. Kjo është e verifikueshme në çdo zyrë të shtetit shqiptar apo në Inspektoratin e Deklarimit të Pasurive ku unë kam depozituar kontratën e shitjes.
10 milionë lek nga 500 mijë euro sa ç’thotë Fatos Lubonja, janë shumë dhe vetëm një njeri që ka obsesion lekët mund të bëjë fluturime të tilla. Gënjeshtra e dytë e lig është që kjo shoqëri është riblerë prej meje. Shoqëria Media Enter shpk është ende pronë e Besnik Sulës, dhe për këtë ka përsëri dokumente ose mjafton një klikim në QKR. Pas vitit 2007 kjo shoqëri u mbyll me vullnet të pronarit të saj,  dhe titulli “Tema” që është markë personale e imja, regjistruar në Ministri të Ekonomisë, u bë pjesë e një shoqërie tjetër me pronarë të tjerë, të cilët Berisha i shkatërroi financiarisht, duke u prishur shtypshkronjën dhe duke u vënë gjoba marramendëse. Edhe këtë mund ta verifikojë nëse nuk e mban mend, megjithëse nuk e ka zanat verifikimin, por thashethemet.
Historia që Lubonja shpik që nën ndikimin tim ka mbetur pa u hequr kazinoja nga qendra e Tiranës, është po ashtu e lig dhe shumë e dobët për të qëndruar. Mendoni për një moment sikur kjo që thotë Fatos Lubonja të jetë e vërtetë, që Sali Berisha të më ketë bërë mua një nder, që sipas Lubonjës ka kushtuar 500 mijë euro, për të mos lëvizur kazinonë nga lokali Tajvani. Mendoni ose gjeni ndonjë gazetar tjetër që ka zbuluar më shumë afera koruptive tronditëse për familjen Berisha, për djalin e tij, për vajzën e tij, për gruan e tij dhe atë vetë. Dhe pastaj besoni Fatos Lubonjën që Sali Berishës unë ja kam nxirë jetën, por ai aman është burrë dhe “nderin që më paska bërë” nuk e shkel më. Këto mund t’i thotë ose një njeri i lig ose një njeri i rrjedhur.  Unë druaj t’i them i rrjedhur edhe pse jep shenja të qarta të humbjes së memories brenda vitit për ato që ka thënë.
Desha të ndalem pak personalisht tek profili i këtij publicisti spekulant. Ajo që më ka bërë përshtypje në reagimin e tij, është vlerësimi i tij se unë e kam ditur Berishën njeri të ndershëm, dhe se pas vitit 2005 kur ai erdhi në pushtet unë u ndava prej tij pasi ai ju dorëzua pushtetit të Familjes dhe u korruptua. Edhe kur takohesha privatisht me Fatos Lubonjën ai ka pasur gjithmonë shqetësimin se mos unë po e teproja me idenë se fëmijët e Sali Berishës po drejtonin Shqipërinë duke e plaçkitur atë. Si njeri që nuk ka respekt për faktet dhe të vërtetën, ai bën sikur nuk të dëgjon kur i thua fakte. Për ilustrim të mirësisë së vajzës së Sali Berishës ai tregonte se si vajza e tij, falë shoqërisë me Argitën, lëvzite sa nga Agjencia e Kthimit të Pronave në Ministri të Integrimit, dhe ai seç kishte një portret tjetër të fëmijëve të Berishës në mendje, portretin e vajzës që bën mirë. Ja mirëkuptoj dobësinë për ndonjë nder që mund t’i ketë bërë, por është tepër që për shkak të saj, ai të vërë në dyshim betejën kundër tyre, vetëm pse ai nuk ka fuqi të flasë.
Dhe ky zakon i tij nuk është i ri. Më ka bërë përshtypje mungesa e respektit të tij për faktet dhe të vërtetat në çdo shkrim apo libër të tij. Kam lexuar librin e tij të fundit për ngjarjet e vitit 1997, kur Lubonja ishte “komandanti” i koalicionit anti- Berishë, dhe është një turp i madh se si gënjen për çdo gjë. Mjafton të përshkruaj një detaj. Ai tregon se si takimin e 6 Marsit e kishte iniciuar Preç Zogaj me mua, se si ishim takuar ashtu si kot në mbasdite dhe i kishim çuar këta socialistët tek Berisha. Tani Preç Zogaj para Lubonjës ka botuar një libër për këtë ngjarje dhe e ka shpjeguar si ka ndodhur dhe çfarë kemi folur. Unë po ashtu kam botuar para Lubonjës një libër për këtë ngjarje dhe e kam shpjeguar ç’kemi folur. Ky mashtrues guxon të përshkruajë takimin tonë kokë më kokë pa na u referuar ne të dyve që e kemi shpjeguar publikisht, por sipas mendjes vet, duke ngatërruar jo vetëm thelbin e bisedës, por dhe datat dhe ngjarjen që ka prodhuar. Një njeri i tillë është shoqërisht i rrezikshëm, pasi duke qenë egocentrik, dhe duke dashur të vërë veten në qendër të çdo ngjarjeje, bëhet i lig dhe dëshmitar i rrejshëm për historinë, politikën, gazetarinë dhe shoqërinë në përgjithësi. Ky shpif nëpër ambasada dhe thotë s’e mbaj mend, akuzon njerëzit pa asnjë fakt dhe thotë kështu e kam dëgjuar, ngatërron qëllimshëm ngjarje dhe dialogje dhe bën sikur ashtu ka ndodhur, vetëm që ky të mos shfaqet si gazetar që punon në oborrin e pushtetit me leje për të kritikuar ndonjë herë mbretin dhe për të rregulluar hallet e tij. I dështuar në politikë urren Edi Ramën se mendon se është njeriu që i ka marrë hisen e diellit tek e majta, i dështuar në letërsi urren Ismail Kadarenë se mendon se i ka zënë vendin si shkrimtar, i dështuar në gazetari më urren mua se e tmerron ideja se dikush tjetër dhe jo ai po bëhet armik në histori me pushtetin në këtë vend për shkak të profesionit.   Një njeri gojëzënë si ai, ka moshën e duhur të heshtë, nëse nuk bën dot gjë për të lehtësuar shoqërinë nga kjo mafie që ka kapur shtetin. Nuk ka pse bëhet as i lig, as i hutuar dhe as i zemëruar pse unë jam i lirë të jem kundër socialistëve të korruptuar deri më 2005, dhe kundër Familjes që po plaçkit Shqipërinë pas vitit 2005. Ka plot njerëz që kanë qenë luajal me Fatos Nanon dhe janë luajal me Sali Berishën, që unë i respektoj, pasi ja kanë caktuar vetë vetes atë status. Ka prej tyre që janë shpërblyer shumë për këtë luajalitet, ka të tjerë si Lubonja që nuk janë paguar aq sa duhet, por kjo është punë çmimi dhe jo punë parimi. Për këtë nuk mund të merret inat gjithë bota, aq më tepër ata që ti mendon se të kanë zënë vendin në politikë, letërsi, gazetari apo jetë publike. Vjen një moshë dhe njeriu duhet ta kuptojë sa vlen. Dhe kjo moshë Lubonjës i ka kaluar me kohë.

Genc Pollo, inspirues i sulmit ndaj Sokol Olldashit

Sulmi ndaj ministrit te Transportit, Sokol Olldashi, eshte inspiruar nga ministri tjeter ne kabinetin qeveritar "Berisha", Genc Pollo. Burime konfidenciale te gazetes "Panorama" bejne te ditur se sulmi ndaj ministrit Olldashi eshte i inspiruar dhe frymezuar nga ministri per Inovacionin dhe Teknologjine e Informacionit e te Komunikimit, Genc Pollo.

Kjo lufte e Pollos ndaj Olldashit vjen si rezultat i interesit te Genc Pollos per te qene ai tenderuesi i fibres optike per Shqiperine. Kjo gje u provua edhe dje ku ministri Pollo pas gjithe zhurmes qe u be kunder Olldashit, sajoi nje takim me nje kompani qe eshte e interesuar sipas tij, per te investuar ne fibren optike kombetare. Njoftimi zyrtar, i shkruar me nxitim dhe per me teper, pa elementet me elementare te nje njoftimi, (edhe emri i personit qe aludohej se ishte takuar Pollo nuk shkruhej), thoshte se "Kompania globale Cisco Systems eshte e interesuar per garen e Rrjetit Kombetar Brezgjere". Me tej njoftimi thur elozhe per kompanine qe do te marre pjese ne tenderin e qeverise shqiptare: "Ministri Pollo pati nje takim me nje delegacion nga kompania e mirenjohur Cisco Systems, te kryesuar nga shefi i divizionit per sektorin publik per Evropen dhe Azine, Z. Pluto. Ky i fundit shprehu interesin e kompanise Cisco Systems per garen koncesionare te hapur nga Qeveria per te ndertuar nje Rrjet Kombetar Brezgjere (National Broadband Network)". Me tej Pollo ne njoftimin qe shperndau, thekson se hyrja ne gare e Cisco Sistems, eshte nje zhvillim i rendesishem, i domosdoshem per zhvillimin ekonomik e shoqeror te Shqiperise dhe se ishte i kenaqur qe Cisco Systems, ka shprehur interes per kete gare.

Ne njoftimin e Pollos nuk thuhet perse perfaqesuesi i kesaj kompanie u takuan me Pollon, ne momentin qe gara per tenderin eshte shpallur zyrtarisht. Me te drejte shtrohet pyetja: Perse duhet te takohej Genc Pollo me nje prej kompanive qe marrin pjese ne gare.

Nderkohe nga informacionet e tjera, te perftuara prej disa muajsh, behet e ditur se Pollo ia ka premtuar licencen e fibres optike nje kompanie greke me te cilet Pollo ka miqesi te vjeter. Kjo shpjegon edhe sulmet ndaj Olldashit se ky i fundit i ka dhene leje nje kompanie shqiptare per te shtruar fibrat optike anash rrugeve nacionale, rruge qe administrohen nga ministria e Transportit. Njoftimi i se premtes i Pollos bie ere te keqe jo vetem pse Pollo takoi nje prej kompanive qe do te marre pjese ne tender por edhe per faktin qe ministri Pollo shperndan njoftim zyrtar per shtypin, per asgje me shume, por per faktin sipas tij, se ka takuar nje kompani te zakonshme ne zyre.

Ministri Pollo, ka hyre ne vitin e shtate ne postin e ministrit dhe eshte hera e pare qe ben njoftim te tille per shtyp. Nga 2-3 njoftime per shtyp qe ben mesatarisht ne vit, kete radhe, Pollo nxitoi te sjelle njoftimin per kompanine tenderuese te internetit. Nxitimi i Pollos per te shpallur takim me nje firme fibrash optike dhe per te bere njoftim zyrtar ne media, tregon me se miri se Pollo eshte organizator i sulmit ndaj Sokol Olldashit.

Xhelozi apo pakenaqesi e tij per fibrat e kompanise shqiptare, kjo mbetet per t'u pare. Por ajo qe eshte mese e qarte, eshte se pas Dritan Priftit, kjo eshte hera e pare qe nje minister behet inspirues, frymezues, dhe furnizues i shtypit me kontrata apo dokumentacione te tjera, kunder nje ministri ne te njejten qeveri.

Afera, Olldashi ia dha monopolin firmës pa licencë



Jo vetëm monopol, jo vetëm në shkelje të të gjitha rregullave të konkurrueshmërisë, por edhe pa dokumente.Grykësia është mëkati më i madh. Në dokumentet që gazeta disponon për aferën Olldashi në lidhje me monopolin e internetit, dalin qartë edhe shkelje të tjera të ligjeve. Kontrolli i faqeve zyrtare të internetit edhe në Ministrinë e Olldashit tregon që firma, të cilën ministri e zgjodhi pa konkurrencë të kryejë investimet e fibrave optikë nën rrugët kryesore të vendit, jo vetëm ka qenë e vetme, por nuk ka pasur as dokumentet e nevojshme. Dy institucionet përgjegjëse për pajisjen me licencat e duhura janë Ministria e Punëve Publike dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Por, me sa duket, fshehtësia dhe shpejtësia e lidhjes së kontratës e kanë nxituar jashtë mase edhe kontrollin e dokumenteve që duhen në këtë rast.
Licenca e parë
Të gjitha firmat shqiptare, që duan të kryejnë punime, duhet të pajisen me licencë. Kjo licencë, në bazë të ligjit nr.8402, datë 10.9.1998 – Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit, jepet nga Ministria e Punëve Publike. Licenca jepet për të vërtetuar aftësitë e firmës për të kryer këto punime. Të nxitur nga Kryeministri për transparencë edhe on-line, faqja zyrtare e Ministrisë së Transporteve ka të vendosur edhe të gjitha firmat, që kanë licencë për punime në ndërtim. Gazeta kontrolloi dhe zbuloi se regjistri i rifreskuar, deri në janar 2011 nuk e kishte firmën ATU si pjesë të saj. Duke u bazuar te ky regjistër dhe te data e dhënies të së drejtës firmës, pra në muajin gusht 2010, del qartë se Olldashi në urdhrin e tij numër 120 për lidhjen e kontratës ekskluzive, ka shkelur ligjin “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”. Habia është se licencën e jep vetë Olldashi dhe, sigurisht, kur favorizoi nxitimthi firmën, mund të favorizonte nxitimthi edhe dhënien e licencës, por të paktën sipas regjistrit të Olldashit kjo nuk ka  ndodhur.
Licenca e dytë
Detyrimi dytë, të cilin duhet të plotësonte firma, të paktën para se të aplikonte dhe të firmoste kontratën ekskluzive për shtrimin e fibrave optike nën rrugë, është regjistrimi në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Autoritet i krijuar pikërisht për këtë detyrë. Gazeta kontrolloi listën deri dje pasdite në adresën e AKEP dhe rezultoi se “Albanian Telecommunications Union” ishte regjistruar atje më 1 dhjetor 2010, pra shumë më vonë sesa 23 gushti 2010, kur ministri i dha të drejtën ekskluzive për punimet e fibrave optike nën rrugë. Sipas ligjit 9918, datë 19/05/2008 “Për Komunikimet Elektronike ne Republikën e Shqipërisë”, duhet që firma përpara se të merrte këtë të drejtë, të ishte pajisur me këtë dokument.
Sidoqoftë, gazeta i ka bërë këto hulumtime në faqet zyrtare të dy institucioneve përgjegjëse për këto detyra. Është edhe detyrë e AKEP të kontrollojë se si një e drejtë ekskluzive që kryhet nga një firmë për shtrimin e fibrave optike, nuk është në regjistrin e saj që nga fillimi i punimeve.


Vrasja e gjyqtarit, hetim pronave në Gjirin e Lalëzit


Makina e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, pas shpërthimit me telekomandë



Gjyqtari i vrarë, Skerdilajd Konomi
Skerdilajd Konomi, 33 vjeç, humb jetën pas një atentati
Vrasja për shkak të detyrës është pista kryesore që po hetohet në lidhje me atentatin ndaj gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi, i cili gjeti vdekjen dje nga shpërthimi në makinën me të cilën po udhëtonte.Pikërisht, për shkak të lidhjes së ngjarjes me detyrën, hetimi i atentatit i kaloi për kompetencë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila dërgoi dje në Vlorë dy nga prokurorët më të mirë të saj si dhe një prej hetuesve më me përvojë. Pista e dytë që po hetohet është ajo e konflikteve apo problemeve personale, e lidhur ngushtë me çështje pronësie mbi disa toka në bregdetin e zonës së Durrësit. Sipas të dhënave paraprake, 33-vjeçari Skerdilajd Konomi ka trashëguar nga prindërit sipërfaqe të mëdha tokash. Veçanërisht nga nëna, gjyqtari mësohet se ka trashëguar në zonën Hamallaj dhe Gjiri i Lalësit sipërfaqe të konsiderueshme toke. Pronësia mbi këto troje është bërë objekt hetimi, pasi për një sipërfaqe tokë në këtë zonë, gjyqtari Skerdilajd Konomi ishte bërë pronar i saj në fund të muajit korrik 2011, pas një vendimi të dhënë në Gjykatën e Lartë në Tiranë. Ndërkohë, për të njëjtin truall mësohet se ka pasur edhe pretendentë të tjerë për pronësinë e tokës.
Hetimi
Menjëherë pas sinjalizimit për eksplozivin e vendosur në makinën e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur një grup hetimi drejt vendit të ngjarjes. Ndërkohë edhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka dërguar në Vlorë oficerët e saj më të mirë për hetimin e ngjarjes. Me të mbërritur në Vlorë, grupi i hetimit ka nisur veprimet hetimore, duke filluar me vendin e ngjarjes ku janë mbledhur provat dhe dëshmitë e nevojshme për hetimin. Më tej, grupi i hetimit ka vazhduar me disa ekspertime në vendin ku ndodhi shpërthimi dhe më vonë, me pyetjen e personave në dijeni për ngjarjen. Deri dje në mbrëmje mësohet se janë marrë në pyetje rreth 20 persona, të cilët janë shoqëruar radhazi në     Drejtorinë e Policisë. Mes personave të marrë në pyetje, mësohet se kanë qenë familjarët e gjyqtarit Konomi si dhe dy miq të tij, me të cilët 33-vjeçari kishte pirë kafe dje në mëngjes para se të nisej për në punë. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka mësuar se pas daljes nga banesa gjyqtari ka pirë kafe në zonën e Skelës me dy miq të tij, dhe më pas është nisur me makinën e gruas për në punë (pasi makina e tij ishte dëmtuar qëllimisht te gomat). Gjatë mbledhjes së dëshmive nga miqtë dhe familjarët e gjyqtarit, Prokuroria ka mësuar se ai nuk kishte shfaqur shenja shqetësimi apo probleme të tjera kohët e fundit. Ndërkohë, grupi i hetimit, krahas kryerjes së veprimeve në vendin ku ndodhi shpërthimi dhe pyetjes së dëshmitarëve, ka nisur po ashtu edhe shqyrtimin e dosjeve që ka shqyrtuar gjyqtari Skerdilajd Konomi. Hetuesit po mundohen të evidentojnë ndonjë dosje problematike me personazhe të skeduar apo çështje që kanë të bëjnë me prona dhe shuma të mëdha, pasi për një kohë. Konomi ka shqyrtuar çështje civile që kanë të bëjnë me pasuritë. Dje në mbrëmje, në mbyllje të një dite me hetime intensive, grupi i hetimit ka bërë një analizë të informacioneve dhe provave të grumbulluara.
Kush ishte gjyqtari magjistrat, Konomi
Për pjesën dërrmuese të punonjësve të sistemit të drejtësisë, emri i Skerdilajd Konomit, i shfaqur me titra dje në të gjitha TV-të, nuk ka qenë i panjohur. Gjyqtari, babai i dy fëmijëve, njëri 4 vjeç dhe tjetri 1 vjeç, punonte në Gjykatën e Vlorës që nga viti 2006 kur u emërua me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ai kishte mbaruar Juridikun dhe më pas Shkollën e Magjistraturës, në vitin 2004. Në këtë kohë, filloi stazhin në profesionin e gjyqtarit deri në vitin 2006. Më pas, me vendim Nr. 189, datë 28.03.2006, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vendosur transferimin në Vlorë për gjyqtarin Skerdilajd Konomi. Ai është emëruar në sektorin Civil të Gjykatës së Vlorës, por në CV-në e tij gjendet edhe shqyrtimi i dhjetëra dosjeve dhe kërkesave penale si anëtar trupe apo si gjyqtar i vetëm. Vitin e fundit Konomi ka punuar në sektorin e çështjeve familjare në Gjykatën e Vlorës.
Konomi, gjyqtari i parë që vritet në Shqipëri
Vrasja e Skerdilajd Konomit është ngjarja më e rëndë e ndodhur në dëm të sistemit të drejtësisë dhe njerëzve të saj, gjatë gjithë ekzistencës së shtetit shqiptar. Magjistrati 33-vjeçar i Gjykatës së Vlorës, është gjyqtari i parë që vritet në Shqipëri. Kurrë më parë, krimi apo individët nuk kishin arritur deri në sipërmarrje të tilla për ekzekutimin e gjyqtarëve. E megjithatë, kërcënimet, presionet apo shantazhet ndaj togave të zeza nuk kanë munguar. Rasti më i fundit, ende pa autor, ishte ai i anëtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni. Më 9 shkurt 2009, rreth orës 21:00, gjyqtari po kthehej në banesë kur u qëllua me armë te “Komuna e Parisit” në Tiranë. Gjyqtari u qëllua dy herë me armë zjarri dhe u dërgua i plagosur në Spitalin Ushtarak, por, për fat të mirë, shpëtoi pa pasoja për jetën. Incidente të dhunshme me gjyqtarët ka pasur në Gjykatën e Tiranës e në atë të Elbasanit. Po kështu, në vitin 2008, në Pogradec u vendos eksploziv në garazhin ku ndodhej automjeti i gjyqtarit Liradin. Shpërthimi dëmtoi makinën, por nuk shkaktoi pasoja në njerëz.
Çifti Konomi dje kishte përvjetorin e martesës
Tragjedi në përvjetorin e martesës. Gjashtë vite më parë, familja Konomi gëzonte dhe këndonte duke e bërë dhëndër Skerdin, ndërsa dje hapi mort dhe vajtonte, pa pasur as kufomën. Djali i vetëm i shtëpisë së tyre, Skerdilajdi, u martua. Një dasmë e madhe, ashtu si dashuria mes tij dhe bashkëshortes Enkelejda, me të cilën thuhet se janë njohur që studentë. Ai në Fakultetin e Juridikut dhe ajo në atë të Ekonomikut, ndërsa me kalimin e viteve lidhja është forcuar gjithnjë e më shumë. “Ata kishin përvjetorin e gjashtë të martesës sot. Madje, kishin lënë që të organizonin diçka të vogël me këtë rast”, thonë të afërm të familjes Konomi, ndërsa shtojnë: “Duket se ishin çift që shkonin shumë mirë. Skerdi ishte një baba shembullor, pasi e shihje gjithnjë me vajzën, ndërsa kur para 3  muajsh lindi djalë, u lumturua së tepërmi. Skerdi na pati thënë që tani kam familjen që kam dashur gjithmonë”. Kjo është historia e përmbledhur në pak fjalë, që rrëfejnë miq dhe komshinj, ndërsa konfirmojnë atë çfarë thotë i ati, se Skerdi jetonte në një apartament me qira. Sipas tyre, Skerdi dhe Enkelejda kishin të dy makina dhe bënin një jetë të mirë, por ngaqë ishin shumë të lidhur me familjen, vendosën që të banonin vetëm pak metra larg tyre, duke marrë një hyrje pranë një pallati të sapondërtuar.
Shpërblimi: Policia, 100 mijë euro për informatorin
VLORE – Një dëmshpërblim prej plot 100 mijë eurosh vihet në dispozicion të personit, që do të ndihmojë policinë për të zbardhur atentatin, që i mori jetën gjyqtarit Skerdilajd Konomi. Këtë fakt e bëri të ditur policia menjëherë pas ngjarjes së rëndë. “Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë, në lidhje me ngjarjen e ndodhur, fton publikun e gjerë për të dhënë informacione, të cilat mund të ndihmojnë në zbardhjen e autorit apo autorëve të saj. Për personin që do të japë informacionin, i cili çon në zbardhjen e ngjarjes, Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë vë në dispozicion shpërblimin prej 100 mijë eurosh”. Për çdo informator mbi këtë atentat, Policia e Vlorës ka vënë në dispozicion numrat e telefonit të saj: 069 41 02 355 dhe 069 41 05 397. Në çdo rast garantohet ruajtja e plotë e anonimatit.
TRAZHGIM SOKOLAJ

Friday, September 9, 2011

* Kujtesë Post-tragjedia, lojtarët afrohen të luajnë për Lokomotivën




Përgatiti GENTI  SPIRI
Pezullohet kampionati rus i hokejit, ndërkohë që nxirren trupat e 43 të vdekurve
Rusia është ende në gjendje shoku pas tragjedisë ajrore, ku humbën jetën të gjithë lojtarët e stafi i skuadrës së hokejit Lokomotiv Jaroslav. Por dëshira për të reaguar pas incidentit është e madhe, teksa lojtarë nga skuadra të ndryshme të kampionatit rus janë vetafruar që të luajnë për ngjyrat e Lokomotivës dhe për të rithemeluar sërish skuadrën.
Presidenti i Federatës Rusë të Hokejit u shpreh: “Brenda 2-3 ditësh, skuadra e Lokomotivës do të jetë sërish pjesë e kampionatit. Shumë lojtarë janë të gatshëm të luajnë për këtë skuadër dhe kjo është tepër domethënëse. Solidariteti që ekziston mes lojtarëve tanë të hokejit është për t’u admiruar,” – tha Viaçeslav Fetisov.
Lajmi se lojtarë të skuadrave të ndryshme kanë shprehur dëshirën që të luajnë për Lokomotivën e Jaroslavit është përkrahur edhe nga tifozë të skuadrave të tjera. Mbështetësit e skuadrës së Spartakut të Moskës së hokejit kanë propozuar që lojtarët që më parë kanë luajtur me Lokomotivën apo kanë dalë nga ky ekip, të rikthehen të luajnë për të. Trajneri i ri i skuadrës së Lokomotivës do të jenë Pjotr Vorobjov, trajneri i skuadrës së të rinjve.
Hetimet  Dje janë nxjerrë trupat e 43 personave të vdekër (45 vetë ishin në avion, dy janë të mbijetuarit, njëri prej të cilëve sulmuesi Aleksandër Galimov, në gjendje të rëndë), ku mes viktimave është edhe trajneri kanadez i ekipit, Brad McCrimon, si dhe 7 lojtarë të huaj.
Të huajt janë portieri suedez, 3 lojtarë çekë (një prej të cilëve kapiteni i ekipit, Karel Raçunek), një sllovak, një gjerman dhe një letonez (Karlis Skrastins), që konsiderohej ylli i këtij sporti. Kampionati rus i hokejit është ndërprerë, madje në mes është lënë edhe ndeshja e parë e kampionatit, që sapo kishte nisur, midis Oufa dhe Mytishçi.
I pranishëm në vendin e ngjarjes ka qenë edhe presidenti rus Dmitri Medvedev, ndërkohë që incidenti ka ndodhur më pak se një kilometër nga pista, teksa avioni ishte duke u ngritur. Ai ka kërkuar një hetim të menjëhershëm, duke kërkuar që të zbardhet sa më shpejt ngjarja.

Presidenti Luka: Të rikthejmë shkodranët në stadium


Nga GJERGJ KOLA

Kryebashkiaku i Shkodrës ka premtuar mbështetje maksimale për Vllazninë, në mënyrë që ajo të jetë protagoniste si gjithnjë
Për kryebashkiakun e Shkodrës, Lorenc Luka, që njëkohësisht është “de jure” edhe presidenti aktual i Vllaznisë, e rëndësishme mbi të gjitha është të kthehen tifozët në stadium sërish. “Puna jonë më e madhe do jetë të kthejmë tifozët në stadium. Ata mund të jenë larguar nga Vllaznia për një arsye apo një tjetër, por ne duhet të ndërhyjmë në këtë mes.
Duhet të sjellim në stadium jo vetëm ata tifozët e zjarrtë, por edhe ndonjë kategori tjetër njerëzish që e duan Vllazninë dhe kanë dëshirë ta mbështesin këtë skuadër. Prandaj dhe futbollistët besoj se kanë për të dhënë më të mirën e tyre në fushën e lojës, në mënyrë që t’i kënaqin tifozët dhe ta shtojmë numrin e tyre në shkalla nga ndeshja në ndeshje,” – u ka thënë Luka lojtarëve. Kjo kërkesë e numrit 1 të bashkisë, njëkohësisht edhe të klubit shkodran, është bërë në takimin e djeshëm që ai ka pasur me ekipin e Vllaznisë në zyrën e tij.
Takimi Një takim i tillë është thirrur nga ai vetë me qëllim për ta uruar atë për një nisje të mbarë të sezonit të ri futbollistik. Kanë qenë të pranishëm të gjithë futbollistët e federuar me skuadrën shkodrane, stafi drejtues dhe krerët e klubit. Takimi ka qenë shumë entuziast dhe të dyja palët janë dukur shumë të kënaqura me mënyrën si po rrjedhin ngjarjet që në momentin e ardhjes në krye të klubit të bashkisë, e cila është zotëruese 100 për qind.
Por nga ana tjetër, ai u ka kujtuar atyre se, ashtu siç po bën bashkia maksimumin e mundshëm për këtë skuadër, ashtu duhet të bëjnë edhe ata maksimumin, sepse për shkodranët fanella e Vllaznisë është e rëndë. Puna ndërkohë do vazhdojë për ristrukturimin sërish të klubit dhe shumë shpejt, sipas numrit 1 të bashkisë, do të kalohet në procesin e kalimit të tij në duart e biznesmenëve.
Aksionarët “Po bëhemi gati për procesin e dytë, atë të kalimit të klubit nga duart e bashkisë, në atë të investitorëve të ndryshëm që duan të financojnë për këtë skuadër dhe besoj se gjërat kanë për të shkuar ashtu siç duhet dhe Vllaznia ka për të qenë më e fortë në të ardhmen,” – ka dhënë garancinë e duhur kryebashkiaku.
Në këtë takim ka folur edhe trajneri Josa, që në emër të skuadrës ka theksuar se ajo do bëjë më të mirën e mundshme, në mënyrë që emri i Vllaznisë të jetë në vendin që i takon. “E mira do ishte që të mos kemi pretendime të mëdha që në fillim, por t’i marrim gjërat shtruar një e nga një.
Ashtu siç kërkojmë t’i fitojmë ne ndeshjet, ashtu edhe kundërshtari kërkon të na mundë, prandaj duhet të tregohemi të fortë në çdo ndeshje për të treguar se kush është Vllaznia në të vërtetë,” – ka thënë drejtuesi i pankinës kuqeblu. Edhe kapiteni Belisha, në emër të futbollistëve, ka falënderuar bashkinë për gjithçka ajo po bën këtë periudhë dhe ka siguruar se paraqitjet e ekipit do jenë gjithnjë dinjitoze. Zhvillimi i këtij takimi në fakt flet vetë. Gjërat kanë filluar mirë te Vllaznia. Të shohim sa do shkojnë në këtë mënyrë.

Stadiumi i ri i jashtëzakonshëm




Mbrojtësi i Juventusit Giorgio Chiellini ka shprehur gëzimin e tij për atmosferën në stadiumin e ri pas hapjes së tij të enjten mbrëma.

Ylli italian pavarësisht barazimit 1-1 me Notts Countyn ishte plot optimizëm për stadiumin e ri.

“Jemi kënaqur në një atmosferë të jashtëzakonshme në stadiumin e ri. Ka qenë një mbrëmje e prekshme, për ne, tifozët dhe të gjithë të pranishmit. Atmosfera ishte e ngrohtë dhe publiku ishte i shkëlqyeshëm” tha Chiellini për uebfaqen zyrtare të Juventusit.

Për debat pa pseudonime



Nga Faton Raçi

Sigurisht se ju ka ndodhur që pas leximit të komenteve të ndryshme të lexuesve në portalet e gazetave tona të largoheni prej atje të irrituar. Aq më tepër kur shumica e tyre nuk kanë autorë, por vetëm ndonjë pseudonim të atypëratyshëm. Suedia mendon ta ndryshojë këtë dukuri. Edhe Kosova do të bënte mirë ta përcillte.

Lexova diku se tri gazetat më të mëdha suedeze njoftuan se do të ndryshojnë mënyrën e postimit të komenteve të lexuesve në edicionet e tyre online. Kjo për shkak se komentet e tipit anonim online shpesh po shfrytëzohen si platforma për promovimin e fjalorit të urrejtjes.

Sipas gazetës ‘Aftonbladet’ nevoja për vënien nën kontroll të komenteve të shfrytëzuesve anonimë të internetit u pa si domosdoshmëri, sidomos pas sulmeve të korrikut në Norvegji, të Anders Bering Breivik, si pasojë e të cilave mbetën të vdekur 77 persona. Si rrjedhojë, sipas kryeredaktorit të ‘Aftonbladet’, por edhe të kryeredaktorëve të tabloidit shumë të shitur suedez ‘Expressen’ dhe të gazetës ‘Dagens Niheter’, tash e tutje do të publikohen vetëm komentet e personave që do të prezantohen nëpërmjet rrjetit social Facebook. Veprime të ngjashme paralajmëruan edhe disa gazeta të tjera ditore suedeze.

Nuk nevojitet ndonjë studim i veçantë që të vërehet se ka kohë që komente përplot urrejtje - të cilat shumë më tepër i shërbejnë zbrazjes së baterive të mbushura me vrer të komentuesve anonimë, sesa trajtimit të temës që do të duhej komentuar - janë shndërruar në përditshmëri edhe në edicionet online të të gjitha gazetave kosovare. Mirëpo, po të iniciohej një veprim i tillë edhe tek ne, ai sigurisht që do të trajtohej si cenim i drejtpërdrejtë i shprehjes së lirë.

A nuk tingëllon cinike kjo? Përderisa shtetet skandinave, që në njëfarë mënyre janë yrnek i shoqërive liberale në përmasa globale, mendojnë seriozisht për identifikimin e postuesve të qëndrimeve, shpesh raciste, tek ne ende vazhdon të shkruajë e komentojë kushdo, çka do dhe për çfarë të dojë. Pa asnjë pasojë. Mjafton që të ketë një karrige dhe një kompjuter me qasje në internet. Madje, nuk është fare e domosdoshme që komentet e publikuara të kenë ndonjë lidhje me artikullin nën të cilin shkruhen, e as të jenë pjesë e një debati që rezulton nga ai artikull – e i cili qartazi mungon te ne. Shkrimi kështu shpesh as që paraqet synim për komentet e postuara. Por, qëllim është shtyrja përpara e ndonjë qëndrimi anonim, që lidhet me personalitetin e tekstshkruesit, të personit apo zyrtarit që trajtohet në tekst, ose të komentuesve të tjerë. Ky lloj adresimi i çështjes njihet si ad-hominem, gjegjësisht një dukuri kur në vend të argumentimit të çështjes së ngritur, debatuesi merret me karakterin ose me sulmimin e personit që e ngre atë çështje, ose të atij që mendon ndryshe. Në këtë mes, nuk është dukuri e rrallë që edhe ndërmjet vetë komentuesve të krijohen taborë anonimë pro dhe kundër diçkaje që s’ka të bëjë fare me shkrimin nën të cilin komentohet. Si pasojë, në vend të inkurajimit të lexuesve për të debatuar online rreth ndonjë problemit të caktuar, një qasje e tillë krijon aversion dhe shpesh i dekurajon njerëzit nga shpalosja e pikëpamjeve të tyre.

Dua të them se, besoj që postimi i komenteve me identitet të vërtetë e jo virtual do t’i kontribuonte hapjes së shumë debateve të shëndosha dhe aq të nevojshme për shoqërinë kosovare, në vend se të vazhdohet me shërimin e komplekseve dhe me propagandimin e ideve dhe qëndrimeve urrejtëse ndaj kujtdo qoftë – siç është rasti tani.

Natyrisht, ideja e gazetave suedeze që komentuesit të identifikohen nëpërmjet rrjetit Facebook mund edhe të mos jetë zgjidhja më e mirë, mirëpo ky variant i hapë rrugë shtrimit të shëndoshë të çështjeve me interes, dhe e kufizon mundësinë e abuzimit me internet në emër të ‘shprehjes së lirë’.

Po të analizohen dy temat që gjatë javës ishin në top-listën e vëmendjes së komentuesve online – çështja e revidimit të librave historikë dhe ajo e lejimit ose jo të lëndës së edukimit fetar dhe bartjen e shamive nëpër shkolla – vërehet se kontributi i “patriotëve anonimë” dhe i “mbrojtësve anonimë të fesë” mund të cilësohet si gjithçka tjetër, veç jo si kontribut që synon ofrimin e ideve dhe pikëpamjeve për zgjidhjen e këtyre dy çështjeve.
Kjo për shkak se është e lehtë që, i fshehur nën ombrellën e internetit, të publikohet çdo gjë që dikujt i bie ndërmend, pa asnjë frikë dhe pa pasoja.

Por, natyrisht se është krejt tjetër gjë kur fjalët e publikuara të ‘nënshkruhen’ në fund – me emër e mbiemër. Në këtë rast komentuesi potencial duhet menduar pak se çfarë thotë, çfarë mbron, ose kënd dhe si e sulmon. Ai duhet të jetë i përgjegjshëm për atë që shkruan. Por, a nuk është ky vetë qëllimi i një debati të mirëfilltë? Mendoj se po, sepse përkundër faktit që do të ulej ndjeshëm numri i komenteve, ata që do të vendosnin të shprehnin qëndrimet e veta, këtë do ta bënin përmes argumenteve, e jo përmes etiketimeve, fyerjeve ose nënçmimeve paushall të kujtdo qoftë.
Kështu si janë sot seksionet dedikuar komenteve shumë më tepër i ngjajnë forumeve për nxitjen e konflikteve sesa të debateve, për çka edhe janë konceptuar ato.

Suedia e kuptoi këtë gjë tek pas ngjarjeve tragjike që ndodhën në shtetin e saj fqinj. Deri atëherë, edhe atje konsiderohej se çdokush ka të drejtë të shkruajë dhe të mbajë çfarëdo qëndrimi që dëshiron. Krejt kjo në emër të lirisë së shprehjes.

Josip Kuzhe, dhe basti i tij i fundit

Josip Kuzhe
Shkruan:
Jeton Selimi





Trajneri kroat i kuqezinjve, Josip Kuzhe, është tipiku i një gambler-i perfekt, njeriut në gjendje që të rrezikojë gjithçka për diçka. Ai, i ardhur në krye të stolit të Shqipërisë si rekomandim i plakushit Bariç, njeriut që fitoi respektim e mbarë tifozëve kuqezinj, vendosi të luante një bast të madh: të merrte përsipër dëshirat e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, dëshira të pompuara në media dhe të ëndërruara nga adhuruesit e përfaqësueses së Shqipërisë. Kuzhe, the gambler, nuk mund të hiqte dorë aq lehtë nga vesi i tij prej kumarxhiu të thekur. Kontrata me Shqipërinë për të nënkuptonte një rimëkëmbje ekonomike pas milionave të hedhura dëm nëpër kazino. Ai dhe bashkëshortja e tij do të shpreheshin të lumtur pas këtij emërimi, çka do t’u sillte në xhep diçka rreth 20 mijë euro në muaj, pa lënë mënjanë bonuset e ndryshëm. Kuzhe, i vënë nën presion nga media për shkak të të shkuarës së tij si kumarxhi, do ta kalonte situatën me një batutë: “lekët nuk do t’i marr me vete në varr”
E të mendosh se për ato para 59-vjeçari kroat ka kaluar 40 vjet në fushat e futbollit. Karrierën si futbollit do ta niste dhe mbyllte te Dinamo e Zagrebit, në vitet 1971-1981, karrierë e shkurtër kjo për një futbollist, aq më tepër për një mbrojtës. Kuzhe do të koleksiononte 384 ndeshje dhe 14 gola. Një vit më pas, në moshën 29-vjeçare do të niste karrierën si trajner profesionist. Në 30 vjet kroati ka drejtuar 16 ekipe, mes të cilave dy herë Dinamon e Zagrebit. Në krye të Shqipërisë do të vinte pasi do të mbyllte para kohe kontratën me skuadrën japoneze të JEF United Ichihara Chiba.
Ishte viti 2009 dhe presidenti Duka, njeriu që ka ekskluzivitetin e zgjedhjes së trajnerit të kombëtares, shkarkoi nga detyra Ari Han, holandezin që vetëm fluturues nuk ishte në aventurën e tij me kuqezinjtë, dhe solli Kuzhen. Duka vendosi t’i besonte skuadrën të rekomanduarit të Bariçit: një bast me një kumarxhi të thekur!
Por Kuzhe, që shpejt do të fitonte edhe ky respektin e tifozëve, do të përkrahej në ditët më të vështira pas hemorragjisë cerebrale të kaluar vitin e shkuar dhe do të lihej në baltë menjëherë pas dështimit kundër Bosnjës dhe Francës. E para transfertë në një fushë ku vetëm Franca ka mundur të fitojë, dhe e dyta liderja e grupit D, që përpos përçarjeve mes lojtarëve, ka ditur të ecë para. Mëkat? Jo, aspak. Pakujdesi, sepse the perfect gambler nuk duhej të vinte bast mbi ata që e kanë kaluar gjithë jetën duke u marrë me këtë pjesë jo të denjë të sportit. Një njeriu, që jeta e kishte rrahur me “vaj e me uthull”, nuk duhej kurrsesi të vendoste gjithçka mbi kokat e disa elementëve që një pjesë të bashkëjetesës me kombëtaren kuqezi e kanë kaluar në kazinotë e hoteleve ku grumbulloheshin. Duhet të ruhesh nga i yti, nga ai që ka të njëjtën mendësi si ty. Kuzhe duhej ta dinte këtë, ndonëse vetë e kishte pranuar se kumari nuk bënte më pjesë në jetën e tij prej vitesh. Kësaj radhe, basti ishte shumë i rëndë, ishte njëfarë ruletë ruse, ku lojtarët luanin karrierën e tyre me kuqezinjtë dhe trajneri postin në krye të Shqipërisë. Ai që ka në dorë fatet e trajnerit nuk është shprehur ende. Natyrisht kërkon të fitojë kohë, të studiojë terrenin përqark. I intereson të dijë se çfarë mendojnë tifozët pas humbjes në Luksemburg dhe kë fajësojnë. Por mekanizimi kishte disa ditë që ishte vënë kundër të ardhmes kuqezi të Kuzhes. Kësaj radhe, duket se në folenë që pret goditjen e thepit, po fle shkarkimi i kroatit.

Monopoli, kontrata mund të shitet me firmën e Olldashit


Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Olldashi


Kontrata e lidhur nga Olldashi me firmën “Albanian Telecommunication Union” sh.p.k i jep të drejtën kësaj të fundit që ta rishesë atë.E thënë ndryshe, neni 17 i kontratës, pjesët “pikante” të së cilës gazeta po i boton sot të plota, i jep mundësinë firmës që mori me firmën e Olldashit monopolin e përdorjes së rrugëve kombëtare për shtrimin e fibrave optike, të bëjë sekserin me këtë monopol. Një tjetër pikë, që tregon qartë favorizimin me firmën e ministrit, është neni 3 i shtojcës së kontratës, ku parashikohet që “ATU” mund të zgjerojë linjat e internetit. Pra, në rast se firma kërkon shtimin e kapacitetit, që e zotëron vetëm ajo, mund të shtohet. Pjesa tjetër, që zgjeron kushtet e monopolit e firmës, është neni që tregon se si do të shiten nga “ATU” katër fibrat optike. Ndryshe nga kushti që i është vënë firmës për një pagesë 4% të xhiros në shtet, firmave që do të duan të lidhin kontratë me “ATU” do të duhet të paguajnë 6% të xhiros në shtet. Sa më shumë që hapet kontrata e Olldashit, aq më shume detaje dalin për mungesën totale të konkurrencës në lidhjen e saj, në penalizmin e bizneseve të tjera.
Neni i sekserit
Me urdhrin 120, ministri i Transporteve Olldashi ka lidhur një kontratë ekskluzive për përdorimin e rrugëve kombëtare nga firma “ATU”, për shtrimin e fibrave optike. Në argumentimin e këtij urdhri, theksohet se kjo ishte një kërkesë e vetme për këtë fushë. Por, në të njëjtën kontratë, në nenin 17 të shtojcës parashikohet që Olldashi ka nënshkruar se kjo kontratë mund të shitet nga firma “ATU”. Pra, leja unike e monopolit mund të tregtohet e gjithë. “Subjektit “Albanian Telecommunication Union” sh.p.k i lejohet që pas përfundimit të ndërtimit të rrjetit dhe vënies në eficiencë të tij, të transferojë tek të tretë, me miratim me shkrim të ministrit përgjegjës për rrugët, tërësisht ose pjesërisht, të drejtat dhe detyrimet e tij sipas kësaj lejeje”. Pra qartësisht, e vetmja pikë që e pengon firmën “ATU” të shesë të drejtën 40-vjeçare monopol, është firma e ministrit të Transporteve. Por, sa e vështirë është marrja e kësaj firme, e tregon vetë afera që po zbardh gazeta, ku ministri me një urdhër me firmën e tij personale i ka dhënë “ATU” të drejtën monopol për 40 vite. Sidoqoftë, ky nen tregon qartë se sërish, ashtu si në dhënien e të drejtës për përdorimin e rrugëve, edhe në shitjen e kësaj të drejte, ka vendosur të drejtën e firmës së tij si kusht.
Neni i zgjerimit
Nën nenin tre të kontratës, zbulohet edhe një zgjerim i monopolit. Kontrata parashikon që “ATU” të ndërtojë 2 linja kabllosh optike për përdorimin e saj dhe 4 linja të tjera për tregtim. Pra, gjithsej 6 linja të vetme në rrugët kombëtare të vendit. Por, në nenin 3 zbulohet se i gjithë ky kapacitet, ekskluziv vetëm për “ATU”, mund të shtohet sërish. “Subjekti “Albanian Telecommunication Union” sh.p.k mund të kërkojë rritje të kapaciteteve të fibrave optike tej kapacitetit të parashikuar në pikën a (prej 2 vende vetë dhe 4 vende të lira) të këtij neni, pas një periudhe 2-vjeçare nga nënshkrimi i marrëveshjes nëpërmjet rritjes së diametrit të rrjetit, me kusht që të kenë kaluar 6 muaj nga përfundimi i punimeve për ndërtimin e rrjetit të fibrave optike.” Pra pas dy vitesh, “ATU” mund të zgjerojë dhe më shumë aktivitetin e saj monopol dhe, si rrjedhojë, fitimet e saj. Te kjo pikë duket se diskriminimi i firmave të tjera që duan të përdorin linjat e internetit është i frikshëm.
Neni i tarifave
Sipas kontratës, “ATU” duhet të paguajë 4 për qind të xhiros vjetore për përdorimin e linjave të internetit. Ndërkohë që, për katër linjat e tjera, firmat që do t’i përdorin, duhet të paguajnë 6 për qind. Kjo, pavarësisht pagesës që do të duhet t’i paguajnë firmës “ATU” për shërbimin që ajo po i krijon. “Çdo përdorues subjekt i ri, i ndryshëm nga subjekti “Albanian Telecommunication Union” sh.p.k, ka detyrimin ligjor të paguajë në emër të shtetit shqiptar një pagesë përdorimi për rrjetin prej 6 (gjashtë) për qind të të ardhurave të krijuara në vit”. Pra, që këtu fillon diskriminimi. E gjithë kjo bën që linjat e fibrave optike nën tokë të përdoren vetëm nga “ATU”. Në këtë mënyrë e gjithë lidhja e Shqipërisë me internet me fibra optike, që kalojnë nën rrugë kombëtare, do të kryhet vetëm nga kjo firmë. Pagesa bëhet më e frikshme për firmat e tjera në shembullin konkret që jepet nga urdhri i Olldashit: “Në çdo rast pagesa për buxhetin e shtetit prej tij në një vit financiar nuk mund të jetë më e ulët se 5 për qind e investimit total në rrjetin e fibrave optike, pjesëtuar me kapacitetin gjithsej të rrjetit (për shembull, nëse rrjeti është projektuar për 6 përdorues gjithsej, përfshi subjektin që nënshkruan këtë marrëveshje dhe është një investim prej 40 milionë eurosh gjithsej, pagesa në buxhetin e shtetit për një përdorues të ri të ndryshëm nga subjekti “Albanian Telecommunication Union” sh.p.k nuk mund të jetë më pak se 330 mijë euro në vit [(40/20)/6]”.
Tabela me nenet e dyshimta
Neni 3 – Kushtet thelbësore të kësaj lejeje dhe vlera e investimit
ç) Në emër të përfaqësuesit shtet, Ministria pronare e rrugëve shtetërore-kombëtare garanton se gjatë kohëzgjatjes së kësaj lejeje, subjekti “Albanian Telecommunication Union” sh.p.k do të gëzojë ekskluzivitetin dhe asnjë e drejtë përdorimi në këtë aks nuk do t’i lejohet asnjë pale tjetër publike apo private për çështje të teknologjisë së informacionit.
d) Subjekti “Albanian Telecommunication Union” sh.p.k mund të kërkojë rritje të kapaciteteve të fibrave optike tej kapacitetit të parashikuar në pikën a (prej 2 vende vetë dhe 4 vende të lira) të këtij neni, pas një periudhe 2-vjeçare nga nënshkrimi i marrëveshjes nëpërmjet rritjes së diametrit të rrjetit, me kusht që të kenë kaluar 6 muaj nga përfundimi i punimeve për ndërtimin e rrjetit të fibrave optike. Kjo lloj rritjeje kapaciteti do të jetë objekt miratimi paraprak nga Ministria, miratim i cili sipas kësaj lejeje nuk do të refuzohet apo vonohet në mënyrë të paarsyeshme dhe kryerja e investimit do të realizohet me fonde të subjektit “Albanian Telecommunication Union” sh.p.k.. Tarifat, që do të aplikohen në shtesë, do të jenë me analogji, si ato të përcaktuara në këtë leje.
Neni 6- Të drejta dhe detyrime të subjektit “Albanian Telecommunication Union” në raport me të tjerë, procedura
a- Subjekti “Albanian Telecommunication Union” sh.p.k ka të drejtë dhe detyrimin sipas kësaj lejeje, t’i japë akses në vendin e lënë të lirë (kapacitete të lira sipas nenit 3 të shtojcës) çdo përdoruesi tjetër subjekt tregtar, që operon sipas ligjeve të Republikës së Shqipërisë, pasi më parë ky i fundit i ka vënë në dispozicion subjektit “Albanian Telecommunication Union” sh.p.k ofertën dhe ka pranuar marrëveshje të lirë, duke përdorur kritere vlerësimi tregtare të përcaktuara qartë:
i) pagesën (kuotë) vjetore për vendin e lirë ose kuotën proporcionale të investimit për përdorim me një afat deri në përfundim të kësaj lejeje dhe një fitim të arsyeshëm subjektit “Albanian Telecommunication Union”
ii) dhe garanci se njeh e zbaton kushtet e kësaj lejeje, në mënyrë të veçantë pagesën në buxhet, dhe faktin se administrimi i rrjetit dhe mirëmbajtja e tij do të kryhet nga subjekti “Albanian Telecommunication Union” sh.p.k.
b- Kur subjekti “Albanian Telecommunication Union” sh.p.k dhe subjekti tjetër për një periudhë 3-mujore negocimi mes tyre nuk bien dakord për kushtet mes tyre, në çdo rast negocimi është vetëm për çmim, organi i vetëm kompetent për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së investuar do të jetë gjykata e përcaktuar në nenin 22, të kësaj shtojce. Në çdo rast, opinioni i vetëm për këtë çështje i Ministrisë, nëse thirret në gjykim, është vetëm kjo leje dhe shtojca.
c- Subjekti “Albanian Telecommunication Union” sh.p.k ka të drejtë të refuzojë apriori negociata nga kandidatë për përdorues, vetëm kur ka dyshime të arsyeshme dhe të justifikuara për një nga rastet:
i) kapacitetet e tij financiare janë të cenueshme apo të pamjaftueshme;
ii) ose administratori/ortaku/anëtari i këshillit të administrimit të tij është/janë përfshirë në vepra penale apo pastrim parash dhe/apo dënimi nuk është parashikuar sipas Kodit Penal.
iii) subjekti është përjashtuar nga lista e prokurimeve publike në përputhje me rregullat e legjislacionit në fuqi (LPP-së).
Në këtë rast, subjekti “Albanian Telecommunication Union” sh.p.k mban detyrimin të lëshojë brenda 10 ditëve njoftimin me shkrim për refuzim në negociata të kandidatit, ku të përcaktojë shkakun sipas njërës nga pikat (i), (ii), (iii), të shkronjës (c) të këtij neni.
Neni 7 – Pagesa për vendet e lira
Çdo përdorues subjekt i ri, i ndryshëm nga subjekti “Albanian Telecommunication Union” sh.p.k, ka detyrimin ligjor të paguajë në emër të shtetit shqiptar një pagesë përdorimi për rrjetin prej 6 (gjashtë) për qind të të ardhurave të krijuara në vit, por në çdo rast pagesa për buxhetin e shtetit prej tij në një vit financiar nuk mund të jetë më e ulët se 5 për qind e investimit total në rrjetin e fibrave optike, pjesëtuar me kapacitetin gjithsej të rrjetit (për shembull, nëse rrjeti është projektuar për 6 përdorues gjithsej, përfshi subjektin që nënshkruan këtë marrëveshje dhe është një investim prej 40 milionë eurosh gjithsej, pagesa në buxhetin e shtetit për një përdorues të ri të ndryshëm nga subjekti “Albanian Telecommunication Union” sh.p.k nuk mund të jetë më pak se 330 mijë euro në vit [(40/20)/ 6]
Kjo pagesë vjetore, që i paguhet buxhetit të shtetit për përdorimin e rrjetit, është e ndryshme dhe nuk konkurron me asnjë taksë, tatim, tarifë, që organet e caktuara me ligj, Kuvendi i Shqipërisë, Ministria e Financave, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare zbatojnë.
Neni 17-Transferimi i kësaj lejeje
a- Subjekti “Albanian Telecommunication Union” sh.p.k ndalohet gjatë fazës së ndërtimit të rrjetit të transferojë tek të tretë, tërësisht apo pjesërisht, të drejtat dhe detyrimet e tij sipas kësaj lejeje.
b – Subjektit “Albanian Telecommunication Union” sh.p.k i lejohet që pas përfundimit të ndërtimit të rrjetit dhe vënies në eficiencë të tij të transferojë tek të tretë, me miratim me shkrim të ministrit përgjegjës për rrugët, tërësisht ose pjesërisht, të drejtat dhe detyrimet e tij sipas kësaj lejeje. Në çdo rast, miratimi do të bëhet vetëm pasi kërkesës t’i jetë bashkëlidhur dokumentacioni i plotë teknik, i cili sqaron mënyrën e përmbushjes nga pala që i transferohet e drejta materiale e mirëmbajtjes së rrjetit.
Afera Olldashi prek investimet në rrugë
Në pamje të parë duket se afera e monopolit të internetit nuk i prek direkt xhepat e shqiptarëve.Duket sikur firma e hedhur nga ministri Olldashi për dhënien e monopolit për më shumë se 40 vite, do të ndikojë në të ardhmen në monopolin e çmimit të ofrimit të këtij shërbimi dhe, si rrjedhojë, edhe në shpenzimet e çdo kompanie dhe familjeje shqiptare që përdor internet. Dhe dëmi tjetër, se nga mungesa e konkurrencës shteti mund të ketë humbur para prej kontratës së lidhur nga Olldashi me një firmë të vetme, është sërish jashtë ndikimit direkt në paratë e çdo familjeje shqiptare. Por, gazeta ka zbuluar se kontrata e lidhur nga Olldashi me një firmë të vetme dhe me ekskluzivitet për përdorimin e linjave të fibrave optike nën tokë, ka prekur xhepat e çdo shqiptari.
Tubat nën rrugë
Shumica e taksave që kanë paguar shqiptarët, të paktën këto vitet e fundit, janë investuar në rrugë. Që nga viti 2006, ekziston një urdhër që detyron Drejtorinë e Rrugëve, nën varësinë e Ministrisë së Olldashit, që në çdo projekt që tenderon, të detyrojë firmat kontraktore që anës rrugës të shtrojnë një tub me diametër 100, për shtrimin e fibrave optike. Në bazë të këtij urdhri, çdo preventiv që publikohet në APP nga Drejtoria e rrugëve përbën edhe zërat e shpenzimeve shtesë për shtrimin e këtij tubi. Tubi i fibrave optike, sipas Drejtorisë së Rrugëve, do të përdorej më vonë për firmat private që do të shtrinin aktivitetin e tyre në fushën e fibrave optike. Gazeta ka siguruar nga faqja e Agjencisë së Prokurimit Publik, kontratat e rrugëve të reja që po ndërtohen edhe sot, ku specifikohet qartë si shpenzim shtesë shtrimi i këtyre tubave anës rrugëve. Në rrugën e re Lushnjë-Berat, preventivi i punimeve për lotin e parë i ka të përcaktuar në zë të veçantë shpenzimet për “Furnizim/vendosje kablloje optike”. I njëjti zë përsëritet edhe për Unazën e Madhe të Tiranës. Sipas të dhënave nga Drejtoria e RRrugëve, shumica e rrugëve e kanë këtë investim të kryer. Këtu përmendim rrugët Plepa-Rrogozhinë, F.Krujë-Milot, Pogradec-Korçë etj.
Abuzimi
Qartësisht qeveria shqiptare, duke ditur se rrugët janë investime të mëdha, ka vendosur që shtrimi i tyre të shoqërohej bashkë me këtë tub të lirë. Kjo, në mënyrë që më vonë, kur firmat private të interesoheshin për investimet në fibrat optike, rruga të mos dëmtohej dhe investimi të ishte aty. Por, kryesisht të gjitha rrugët e kanë të shtruar një tub të tillë. Në bazë të të gjitha kushteve teknike, Olldashi me urdhrin e tij 120 ka vendosur që një firme të vetme t’i japë të drejtën, jo të përdorë këta tuba, por të gërmojë të gjithë akset kombëtare dhe të shtrojë fibrat e veta optike. Nga ana tjetër, kontrata specifikon që për një afat minimal prej 40 vitesh, asnjë subjekt tjetër privat të mos kryejë investim të tillë në rrugë. Në këtë mënyrë, ministri i Transporteve ka bërë nul të gjithë investimin e mëparshëm për vendosjen e tubave në krah të rrugëve. Paratë e taksave, që kanë shkuar për ndërtimin e këtyre aksesorëve në rrugë, janë bërë nul. Duket paradoksale, por ministri i Rrugëve ka lejuar firmën e vetme që të hapë të gjitha rrugët kombëtare (një veprim i kryer tashmë nga firma), duke ditur fare mirë që në shumicën dërrmuese të këtyre rrugëve ekzistonte një tub me diametër 100, pikërisht për këtë funksion. Me urdhrin e Olldashit, firma “ATU” ka gërmuar asfaltin e rrugëve të reja e të vjetra në të gjithë vendin. Fakti më i frikshëm është njolla që shoqëron të gjithë rrugën e kombit. Asfalti, që u kushtoi shqiptarëve mbi 1 miliard euro, është gërmuar me firmën e Olldashit për të krijuar monopolin. E njëjta vijë anash rrugës, por brenda asfaltit mund të shikohet në të gjithë rrugët e tjera kryesore të vendit. Nga ana tjetër, Drejtoria e Rrugëve ka detyruar dhe paguar firmat gjatë tenderave, që shtrimin e tubit me diametër 100 ta bëjë në bankinën e rrugës. Pra, në pjesën me zhavorr jashtë asfaltit. Ndërsa Olldashi në urdhër-kontratën monopol i jep të drejtë firmës që të gërmojë asfaltin. Pra, të dëmtojë rrugën direkt dhe jo pjesën e saj jashtë asfaltit.
Ministria e Teknologjisë e AKEP heshtin për aferën
Pasi Kryeministri shpalli moton “Shqipëria në moshën e internetit”, e gjithë qeveria është angazhuar në plotësimin e kushteve ligjore dhe administrative për krijimin e kushteve që kjo nismë të zbatohet. Agjencia për Komunikimet Elektronike u pasua me krijimin e një ministri, që do të hartonte strategji dhe do të ndiqte deri në detaje zhvillimin e kësaj nisme. Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e te Komunikimit u caktua si përgjegjës për këtë çështje, që do të sillte renditjen e Shqipërisë krahas vendeve të zhvilluara në fushën e telekomunikacioneve. Pra, sot ka dy institucione zyrtare që merren me zhvillimin e teknologjisë dhe, më thjesht, të shpërndarjes së internetit në vend. Gazeta, që ditën e parë që publikoi skandalin për monopolizimin me firmë të ministrit të Transporteve të rrjeteve të fibrave optike nën rrugët kombëtare, tentoi të kontaktonte dhe të merrte shpjegime e duhura (AKEP dhe MITIK janë përgjegjëse për këtë fushë) nga këto dy institucione. Por çuditërisht apo qëllimisht, të dyja institucionet heshtin. Zyrtarisht të kontaktuar sistematikisht për ditë me radhe, përfaqsuesit e AKEP thonë që nuk kanë koment. Ministria e Pollos, e Teknologjisë së Informacionit e të Komunikimit, nuk ka koment. Heshtja e AKEP, përgjegjës për kontrollin dhe rregullimin e marrëdhënieve në fushën e internetit, duket absurde në këtë rast, por më e habitshme është heshtja e Ministrisë së Pollos. Kjo e fundit, më 16 maj të këtij viti ka shpallur tenderin ndërkombëtar për dhënien me koncesion për “Vendosjen, instalimin, zhvillimin dhe menaxhimin e infrastrukturës së rrjetit kombëtar me brez të gjerë në Republikën e Shqipërisë. E thënë ndryshe, për përhapjen e internetit në të gjitha pikat e vendit. Pra, shtrimin e linjave kabllore, por jo në të gjithë republikën. Kuptohet që kjo e drejtë që po “shet” Ministria e Pollos ka konflikt me të drejtën që ka “shitur” për 40 vite ministri i Transporteve. Kuptohet që rrugët janë ato që lidhin pjesën më të madhe të vendit. Asnjë hekurudhë apo pronë tjetër e shtetit nuk prek çdo qytet të vendit që mund të shfrytëzohej nga konkurruesit e Pollos për një shërbim të tillë. Ministria e Pollos duhet të reagojë nëse ka pasur përplasje me firmat, që marrin pjesë në tenderin ndërkombëtar dhe linjave nën tokë të fibrave optike, që tashmë janë bërë monopol për 40 vite me firmë të Olldashit. Ministria e Pollos duhet të sqarojë se a ka ndikuar kjo kontratë e Olldashit për shtyrjen e tenderit të publikuar edhe në gazetat ndërkombëtare. Ofertat duhet të ishin hapur në korrik dhe janë shtyrë që të hapen në fund të shtatorit. Ministria e Pollos duhet të flasë a është kontrata e Olldashit në një linjë me tenderin dhe strategjinë ndërsektoriale për zhvillimin e këtij sektori. Por zyrtarisht, edhe pse gazeta ka insistuar maksimalisht, Ministria e Pollos, e Teknologjisë dhe Inovacionit, ka theksuar se nuk ka koment. Gazeta sot po i bën publike pyetjet në pritje të një përgjigjeje po publike, nga Pollo i MITIK dhe Xhixho i AKEP.

Berisha: Bamir Topi, mund te ishte nenkryetar i PS

INTERVISTA/ Kryeministri flet per zhvillimet me te fundit ne vend dhe ndalet ne ato politike, ekonomike dhe sociale. Flet per kabllogramet e Uikiliks, duke u shprehur se informacionet e ish Ambasadorit Uithers jane 98% shtypi shqiptar dhe 1%, politike personale e tij. Garanton se do te mbeshtese projektet e Bashkise se Tiranes, duke vleresuar ekipin e ri te drejtuar nga Basha. Nuk deshiron te flase per ish-kreun e Bashkise Rama, kurse si kryetar te PS e kritikon per luften brenda partise. Qarteson te gjithe shqiptaret, se nuk eshte shprehur kurre qe mosha e daljes se shkoje 70 vjec dhe se nuk do te kete rritje te moshes se pensionit

Mazhoranca nuk do te negocioje as bisedoje per pretendimet e Partise Socialiste, per ndryshime ne Kushtetuten e vendit, ne menyre kategorike per menyren e zgjedhjet se Presidentit te Republikes. Edhe pse sipas kryeministrit Sali Berisha, Presidenti aktual Bamir Topi, i zgjedhur ne kete post pasi me pare mbante ate te nenkryetarit te Partise Demokratike, do te donte te kishte qene nenkryetar i Partise Socialiste. “Nuk negociojme per ndryshime ne kushtetute per proceduren e zgjedhjes se presidentit. Per Presidentin jo, absolutisht. Ky qe sot eshte President ka qene nenkryetari i PD. Ne cilen ane eshte sot? Ne ate qe ka dashur. Po e ben si “per inat te sime vjehrre, po fle me mullixhine”. Ky zoteri u zgjodh president, kur ishte nenkryetar i PD, fatkeqesisht do te kishte dashur te ishte nenkryetar i PS-se”, tha dje kryeministri ne intervisten e dhene ekskluzivisht ne emisionin “Opinion” te gazetarit Blendi Fevziu.

Nje sezon i mbyllur politik nje sezon i hapur politik. Dy sezone qe jane ndare ne mes nga surpriza Uikiliks. Perpara se te shkoj tek kjo doja t’ju pyesja zoti Kryeminister, si shkoi vera juaj pervec rekordeve te notit qe shume veta ju keshilluan qe te mos i thyeni me?

Dua te theksoj, se ne psikologjine tipike te opinionistit dhe gazetarit vure si mur ndares nje valixhe thashethemi qe gazetaret e kane pasion. Tani do kthehem tek pushimet. Keto ishin me te vecantat qe kam bere ndonje here. Pushimet une i alternova 3-4 dite pune dhe 3-4 dite pushim gje e cila mu pershtat shume. Se dyti 3-4 ditet e pushimit qe bera u angazhova ne nje not dhe kam notuar ne 12 dite te tera se bashku me shume se 20 vitet e fundit te tera se bashku sepse notoja 4 ore ne dite. Fillimisht fillova te kombinoj notin me ecje, por u kujtova se per te ecur mund te ec gjate gjithe vitit, por not nuk mund te beja.

Ka shume vete qe thone se kete ceshtjen e notit ju e beni per te trembur Ramen, pra per te treguar qe jeni mire fizikisht dhe doni te vazhdoni gjate....

Nuk ka asnje lidhje, se Rama me thane se ishte ne Qeparo, dhe ne vend se te notonte degjonte dogmat e Kocos. Se mora vesh, kishte shkuar per detin apo per Kocon? Edhe ai ishte ne nje nga pjeset me te bukura te jonit, por ne det nuk e pane nje here me thane.

Zoti Berisha u kthyet duke gjetur nje surprize per qeverisjen tuaj ate qe une e quajta surpriza Uikiliks. Ju e quani valixhe thashethemesh por..

Ajo nuk ishte asnje lloj surprize per mua se para disa muajsh nje mik i imi qe punon ne nje nga gazetat me te medha te botes, me thote se jane 800 kabllograme per Shqiperine. Me tha do te t’i sjell? Absolutisht jo i thashe. Edhe i dhashe arsyetimin tim.

Pra ju kishit dijeni disa muaj me pare?

Dijeni te plote.

Vetem nga nje mik apo edhe nga Ambasada Amerikane?

Jo vetem nga nje mik. Ky eshte nje gazetar mik qe erdhi per nje problem tjeter. Me tha te ti sjell? Jo i thashe se nuk kam nevoje fare sepse une nuk kam asnje interes per to. Se pari pse une nuk kisha interes per keto sepse per ate qe ka alfen e politikes e di qe qeveria amerikane cdo gje, cdo qendrim, e shpreh me deklarata, me demarshe, me nota, me mesazhe. Pra dhe qeveria amerikane si qeveria me e fuqishme ne bote, nuk ka absolutisht asnje lloj kompleksi te shprehe qartesisht qendrimin e saj. Qeveria amerikane gjate ketyre 5 viteve ka shprehur ne menyren me te perseritur dhe ne menyren me te qarte, qendrimin ndaj Shqiperise dhe shqiptareve. Ishte qeveria amerikane qe u be promotori kryesor i anetaresimit te Shqiperise ne NATO. Qeveria amerikane eshte qeveria e cila pavaresisht nga ato qindra qe thote Uikiliks, ka mbajtur nje qendrim me te shkelqyer ndaj zgjedhjeve te vitit 2009. Qeveria amerikane ka bere perpjekjet me te medha per te ndihmuar Shqiperine ne cdo rrethane, ka shprehur qendrimin e vet ne institucionet nderkombetare pa asnje lloj hezitimi. Ata qe mendojne se ato kabllo shprehin qendrimin e SHBA ata gabojne rende. Qendrimi i SHBA nuk shkon nga Tirana ne Uashinton, vjen nga Uashintoni ne Tirane. Se cfare percjell X apo Y, kjo eshte nje ceshtje korrespondence e qeverise se SHBA dhe punonjesve te saj. Sa ndikojne keto dhe cili eshte ndikimi, ato pasqyrohen ne nje liste ne qendrimet e qeverise te cilat kane qene te shkelqyera ndaj Shqiperise dhe shqiptareve.

Pse raporti nga ambasada ka qene kaq i keq dhe raportet e Departamentit te Shtetit jane te mira?

Une e kam shume te papershtatshme te komentoj Asange dhe Uikiliks se me duket se eshte nje lloj si te futesh ne panairin e plackave te vjedhura. Keto jane dokumente te vjedhura, duke vjedhur kodet. E verteta eshte qe ne etiken me te mire edhe gazetat me kryesore te botes te cilat Uikiliks ja u dergoi vendosen tani te mos i botojne. Dhe keto gazeta jane te spektrit te majte dhe te djathte dhe e pane se nuk kishte asnje kod moral te merreshin me Uikiliks. Kjo e Shqiperise ishte thjesht ne 98% te saj pasqyre jo e plote e shtypit shqiptar. Ne rastin konkret nuk dua te komentoj per te.

Po flisni per ambasadorin Uithers?

Po, po. Ai mendoi se e paditi qeveria jone per ceshtjen Patrik apo Deviroli, nje nga keto ceshtje. Ne ne menyre me kategorike nuk kishim paditur. Por edhe atehere edhe sot them se ai nuk kishte asnje lidhje me te. Po ai krijoj kete pershtypje.

Ju po thoni se ka qene politike personale e ambasadorit Uithers?

Teresisht. Ai mund te kishte detyre te percillte shtypin por ai duhet te ishte i plote ne percjelljen e shtypit. Ne fund te gushtit 2008 ai fton ne zyre 8 gazetare nga te cilet 6 kundershtare te eger te qeverise te betuar dhe u thote, ju thirra ketu tu them ne menyre informale, por mund ta botoni, se Senati Amerikan nuk do te pranoje Shqiperine ne NATO. Votimi ishte ne date 17 Shtator. Dy, tha se Berisha do te perzere OSBE-ne, sepse do te manipuloje zgjedhjet 2009. Dhe keta eureka, dolen te ngazellyer ne ekstaze nga takimi. Dhe te nesermen ne te gjithe titujt e gazetave ishte se Shqiperia nuk pranohet ne NATO, Berisha perzen OSBE.

Pse thoni ju qe kane qene personale, mund te kete qene i autorizuar nga qeveria te thote kete?

Absolutisht kurre, sepse me date 17 Shtator Senati i SHBA votoi pa asnje vote kunder anetaresimin e Shqiperise ne NATO. Qeveria shqiptare i kishte derguar leter kryetarit te rradhes se OSBE-se, leter te cilen ua kishim derguar dhe miqve tane, ku thuhej se kerkojme qe OSBE te marre pjesen me aktive ne monitorimin e zgjedhjeve. Uikiliks eshte vjedhja e nje pjese te kodeve te komunikimit te ambasades se qeverise se SHBA. Kemi te bejme me nje akt vjedhjeje, dhe ai eshte pergjegjes per keto. Zoti Asange qe perpiqet te glorifkohet me fryme antiamerikane per qellime te ndryshme.

Ju thate ne raportet e ambasadorit Uithers ne shumicen prej tyre ne 98% zene raportet e shtypit. Nderkohe po ju sjell nje rast konkret ku involvoheni direkt ju, ndoshta eshte rasti me flagrant i Uikiliks. Ne nje prej ketyre raportimeve Ambasadori Uithers ka informuar Uashintonin se ish-shefi i Shtabit te Pergjithshem, Gjeneral Luan Hoxha, i ka thene atij ne konfidence se gjate fazes se dyte te Gerdecit, ai eshte telefonuar nga djali juaj dhe i eshte kerkuar qe te vijoje furnizimin me armatime te renda te Gerdecit ku po kryhej demontimi dhe ish-Shefi i Shtabit te Pergjithshem ka thene qe ju ka derguar ju, zotit Topi dhe zonjes Topalli nje per t’ju informuar per kete, jo per biseden telefonike por per problemin?

Kur im bir me tha mua se do i drejtohem gjyqit, une i thashe jo nuk do i drejtohemi gjyqit se nuk mund ta perfillim ne Uikiliks sic e perfilli Rama qe u anetaresua ne partine e tij. Vijme tek kabllogrami ne te cilen shkruhej ne vitin 2007. Zoti Luan Hoxha Shef i Shtabit, paska marre ne telefon nje thirrje qe ju duk si nje ze, te nje te riut dhe se ai mendon se ky ishte zeri i Shkelzen Berishes dhe sipas ketij kabllogrami, ky nuk ja kishte thene prokurorit sepse kishte frike. Kjo ishte gjeja me e verifikueshme dhe ne qofte se ky kishte marre nje telefonate dhe vertete ishte kercenuar ose i ishte kerkuar kjo nuk kishte gje me te thjeshte per tu gjetur se kush ishte autori. Sot ky zoteri ka bere nje deklarate ku thote se nuk kam thene kurre nje gje te tille. Tani une nuk dua te komentoj, dua te them vetem nje gje ne te gjitha dokumentet e dosjes faktojne se marreveshja e dyte ishte per cmontim gjylesh dhe kjo ka qene absolutisht akti me i rende qe ka ndodhur.

Po pse djali juaj te perfshihej ne nje telefonate me shefin e shtabit?

Djali im thote se kurre ndonjehere nuk kam pasur nje bisede telefonike, nuk i kam telefonuar kurre Luan Hoxhes dhe asnje ushtaraku tjeter. Donte ti drejtohej drejtesise i thashe se me Uikiliks nuk do te behej asnje hap. Sot zoti Hoxha ne menyre te pa pritur te them te verteten, beri deklaraten ku thote se une nuk kam thene kurre nje gje te tille.

Pse kjo deklarate gjendet ne deklarimet e ambasadorit amerikan?

Ketu eshte problemi. A jane autentike dokumentet e Uikiliks apo jo? Une kete nuk e di. Une do them nje gje tjeter qe nuk eshte i pari zoti Hoxha qe mohon ti kete thene, por e verteta eshte se mohojne ti kene thene edhe shtetas te huaj te cilet nuk kane asnje lidhje me prokurorine shqiptare me kryeministrin shqiptar dhe nuk mund te kene asnjelloj ndikimi. Por ky deklaroi me besueshmeri te plote se nje gje te tille nuk ja ka thene kurre ambasadorit per kete ceshtje.

Ju po thoni se ambasadori mund t’i kete sajuar keto?

I ka sajuar Asanzhi...

Ju e mohoni kete bisede?

Une as nuk e analizoj, as nuk e pohoj, as nuk e mohoj as dhe fare. E mohoi zoti Luan Hoxha, une them ate qe tha zoti Luan Hoxha. Ate qe them une eshte kjo, qe i kam kerkuar tim biri qe te mos shkoje ne drejtesi sepse donte ta sqaronte. Sepse te besh gjyqe per Asanzhin per mendimin tim eshte qesharake. Kurre ne bote pervecse ne Shqiperi, kreu i opozites u anetaresua ne partine e Uikiliks.

Nuk u anetaresua, beri nje editorial. Ka bere disa editoriale, nuk keni pse te jeni xheloz pse ai shkruan editoriale?

Zoti Rama e ka te natyrshme edhe nderrimin e partise, edhe nderrimin e orientimit i ka te vetat keto. Por qe te anetaresohet ne partine e Asanzhit kjo ishte unike. Pse e beri kete nuk e beri kunder meje jo, merre pak fenomenin cfare ndodh. Ai e kishte te teren lufte te brendshme ne Partine e tij. Shpalli pese spiune i rreshtoi dhe futi nje bashkepunetor timin qe sipas tij i ka shpjeguar diplomateve amerikan ligjin dhe kodin zgjedhor, duke harruar se deshmonte nje mentalitet nga me te shkuarit, shpalli Kastriotin Andin, Pandeliun, Blushin dhe pse se kishin shprehur mendime ne biseda me diplomat amerikan.

Si shpjegohet qe ambasadori Uithers nuk ka asnje raportim per takimet me ju?

Kete pyetje bejani atij, une e kam takuar. Marredheniet e mia kane qene ato qe dihen. Derisa une pata mundesi qe t’i them eproreve te tij, gjithcka kisha per te, une e kam respektuar deri ne fund si ambasador te SHBA. I shpreha ne prani te eproreve te tij, gjithcka kam menduar per te.

Ne nje prej dokumenteve thuhet se Presidenti Topi ka thene se nese nuk do dekretonte ligjin per lustracionin, ju me militante do sulmonit me gure seline e tij.....

Ky plan nuk ka ekzistuar kurre. Une nuk e besoj. Po nese nje President thote se firmos dhe nuk firmos ne presion, nuk ka gje me te rende per postin qe mban. Ka firmosur kapitullimin e tij. Nga emerimi i tij deri me sot, nuk mund ta thote kurre se ka pasur ndonje presion nga une. Kjo eshte e paimagjinueshme. Ai eshte President, ka te gjitha kompetencat kushtetuese ne vendimmarrjen e tij. Zoti Topi me gjithe problematiken e pamohueshme te 21 janarit, s’mund te thote kurre se une i kam bere presion.

Ne nje kabllogram tjeter thuhet se kryeministri i Kosoves, eshte shprehur se ju po nderhyni ne politiken e Kosoves....

Marredheniet e mia me zotin Thaci, jane te shkelqyera. Rama i komenton se u anetaresua ne partine e tij. Ma mori rivalin, nuk kam me rival. Ai ka hallin te gjeje grupin antiparti ne partine e tij.

Ne nje prej kabllogrameve, Uithers shprehet se ju jeni ne muzg politik. Nderkohe qe flitet se ju ne vitin e ardhshem do te kandidoni per President, a eshte e vertete kjo?

Po qe do te me zevendesoje Argita, vajza ime, (qesh) e beson kete? Vajza dhe djali im jane jashte angazhimit tim politik. Une nuk i marr vesh keta, nga nje ane thone se duan te ndryshojne kushtetuten, nga tjetra se do kandidoj per President. Pasioni im jane reformat.

Nuk do te kandidoni per postin e Presidentit ne vitin 2012?

Jo, jo dhe jo, eshte e prere.

Nuk eshte me mire te dilni ne kete menyre nga politika, sepse ne 2013 eshte pak e veshtire ti fitoni serish zgjedhjet?

Kane filluar qe tani pergatitjet per zgjedhjet e ardhshme. Ne funksionojme mbi bazen e koalicionit te gjere. PD dhe aleatet moren ne zgjedhje shume me shume vota, dolem para dhe prape ne zgjedhjet 2013 kjo do te jete dhe prape edhe ne vitin 2017.

Ne 2017? Duhet ta konsideroni edhe moshen?

Mosha eshte por vitet jane numra, nuk kane shume rendesi.

A keni ndonje ide se kush do te jete Presidenti ardhshem i Shqiperise?

Jo. Te hapesh nje vit para debatin per postin e Presidentit, e lendon kete institucion.

Para 3 ditesh ju takuat Ambasadorin Amerikan, ju kerkoi falje per Uikiliks, publikimin e raportit?

Jo absolutisht, nuk ka pse. U diskutua por shume pak thjesht u prek si ceshtje. Ju garantoj se kater muaj para publikimit, mund t’i kisha ne dore te gjitha dokumentet e Uikiliks, por nuk i mora.

Po fillon nje sezon i ri politik. Opozita u rikthye ne Kuvend dhe do beje opozite te forte a jeni te pergatitur?

Jemi te pergatitur per te vendosur marredhenie bashkepunuese me opoziten. Te bashkepunojme per reforma per aq sa opozita e gjykon dhe mendoj se interesi me i mire i saj eshte Parlamenti.

Cfare do ti ofroni opozites ne kembim te votes per projektligjet e rendesishme per integrimin?

A eshte e gatshme opozita te beje tregti me integrimin e vendit? Ne 8 vite opozite, ne votuam vetem nje here kunder, dhe kjo ishte per free shop-et. Nuk na ka shkuar kurre ndermend qe ne te votojme kunder marreveshjeve qe kishin te benin me procesin e integrimit. Sepse eshte interes kombetar dhe se ne programin e partise tone dhe cdo force politike, shtylle eshte integrimi i vendit. Nese votat behet ceshtje pazari pastaj....

A do bini dakord me opoziten, per te rikthyer ndryshimet kushtetuese qe u bene ne vitin 2008 qe per Ramen kane qene te gabuara?

Edi Rama dhe cdo politikan tjeter e ka te qarte, se heqja e mekanizmit te procedures bllokuese votimi me 3/5 te ligjeve ne Kuvend, perben nje arritje madhore. Sepse kjo procedure e conte vendin tre here ne zgjedhje.

Nese opozita jua kerkon, a do te uleni te negocioni per kete?

Per Presidentin jo, absolutisht. Presidenti, Prokurori i Pergjithshem, jane teresisht drejtues te institucioneve te pavarura kushtetuese. Ky qe sot eshte President, ka qene nenkryetari i PD. Ne cilen ane eshte sot? Ne ate qe ka dashur. Po e ben si “per inat te sime vjehrre, po fle me mullixhiun”. Ky zoteri u zgjodh President, kur ishte nenkryetar i PD, fatkeqesisht do te kishte dashur te ishte nenkryetar i PS-se. Zgjedhjet e gabuara, nuk do te thote se ne duhet te ndryshojme proceduren per Presidentin.

Po te zgjidhet Presidenti nga populli?

Do marrim shembullin e demokracive perendimore te konsoliduara, apo demokracive ne konsolidim e siper? Do marrim shembullin e demokracive te konsoliduara patjeter.

A jeni te gatshem te bashkepunoni me opoziten per reformen zgjedhore?

Plotesisht.

Jeni te gatshem te ndryshoni edhe sistemin zgjedhor?

Ne kemi disa amendamente qe jemi te gatshem t’i diskutojme, rekomandimet e OSBE/ODIHR. Nese opozita ka propozime shtese, t’i sjelle jemi te hapur te diskutojme, jemi te gatshem. Po te kene propozime edhe per sistemin e ndryshojme si ta duan. Zgjedhjet nuk fitohen nga sistemi, por nga populli.

Ne vjeshte duhet te zgjidhen guvernatori i Bankes se Shqiperise dhe Kontrollit te Larte te Shtetit, a keni piketuar zevendesues? Si do jete procedura e zgjedhjes se tyre?

Do te behet nje vleresim. Qeverise dhe mazhorances i takon te beje vleresim objektiv mbi keto pozicione dhe performances se tyre. Kush do te jete nuk mund te them. Do te kete nje vendim ne baze te merites. E rendesishme eshte qe keto institucione te kene ne krye njerez me integritet.

Jeni te kenaqur me punen e Kryetarit te Bashkise se Tiranes?

Fryme e re. E ndjek me vleresim. Ne nje kohe te shkurter ai ka arritur te krijoje nje klime dhe fryme te re ne Bashkine e Tiranes, ne te gjitha aspektet.

Por ju nuk e keni vizituar akoma?

Do shkoj ta vizitoj me shume kenaqesi, por ka pasur problematike. Te gjithe drejtuesit u larguan nga detyra, ne shenje solidarizimi me zotin Rama etj. Zoti Rama e la Bashkine e Tiranes pa ligj.

Por keshilli bashkiak kontrollohej nga ju deri para zgjedhjeve?

Po ai nuk paraqiti buxhetin ne keshillin bashkiak. Zoti Rama kryetar bashkie, eshte e shkuara e nuk kthehet me. Nuk dua te merrem me ish kryetar bashkie.

Por do te kthehet si kryeminister...?

Ai shkoi ne partine e Asanzhe (Uikiliks). Ai eshte i gatshem te perqafoje cdo levizje antiglobaliste, mjafton te kete nje qendrim kunder Sali Berishes. Nuk dua te merrem me te si ish-kryetar bashkie. Po konstatoj se ekipi i ri ne Bashkine e Tiranes, po kerkon te rikuperoje kohen e humbur. Po punohet per te hapur garen per Bulevardin e ri te Tiranes, per disa ndryshime thelbesore. Tirana ka te gjitha mundesite per tu bere nga kryeqytetet me moderne.

Ka njerez qe thone se po flisni per Tiranen me shume se zoti Basha por ne fakt nuk aspironi per postin e tij?

As nuk kam pasur aspirate dhe as nuk kam. Une jam udheheqes politik. Vetem zoti Rama ishte edhe politik edhe qendror. Per Tiranen, do te sugjeroja te therrasesh Kryetarin e Bashkise dhe ai ka shume per te thene per te. Kryetari i Bashkise, po tregon nje vemendje shume te madhe ndaj klimes se biznesit. Ne nje njoftim qe ka bere, rezulton se jane regjistruar qindra e qindra biznese te paregjistruara si dhe eshte rritur ne menyre te ndjeshme vjelja e taksave. Kjo eshte perpjekja me serioze per te garantuar lirine e tregut. Ajo cfare une kam besim te madh eshte se ky ekip ne Tirane, do te jape ndihmese te madhe jo vetem per kryeqytetin por gjithe Shqiperine: Tirana e orientuar drejt biznesit. Me shume vende pune, me shume investime.

Sa eshte e predispozuar te investoje qeveria ne Tirane?

Qeveria ka qene gjithnje e gatshme te investoje ndjeshem ne Tirane, plotesisht edhe kur ishte Edi Rama. Por nuk dua te ndalem tek ish kryetari. Qeveria aktuale me bashkine aktuale do te beje gjithcka. Qeveria do te mbeshtese fuqishem bashkine ne baze te projekteve qe do te propozohen, si Unaza e Madhe, Bulevardi, Lumi, etj. Nese premtoni se do te mbeshtesni bashkine, ku do t’i gjeni te ardhurat? Shtypi thote se arkat jane bosh?

Arkat jane eshte me plot se asnjehere. Qeverisja ka dhjetera e dhjetera tregues te performances se saj. Tregues qe deshmojne me qartesine me te madhe per performance, funksionalitet.

A eshte e vertete qe do t’i nxirrni shqiptaret 70 vjec ne pension zoti kryeminister?

Absolutisht jo.

Sa do te jete mosha e pensionit?

Mosha e pensionit, do te jete ajo qe eshte sot. Per te ardhmen parashikohen reforma dhe do te ishte mire, qe ne varesi te jetegjatesise te moshes, te indeksohet tek pensioni. Por jo qe mosha e pensionit do te jete 70 vjec. Nuk e kam thene kurre qe shqiptaret do te dalin 70 vjec.

Nder reformat e marra pas vitit 2005, ajo e legalizimeve konsiderohet teresisht e deshtuar.....

Nuk eshte kurorezuar, por eshte bere nje pune e jashtezakonshme. Procesi i legalizimit bazohet ne nje seri procedurash. Veshtiresi serioze pati se u kundervu Bashkia e Tiranes, kerkoi ndryshim te ligjit.

Cilat jane rruget qe kjo qeveri ka ne ndertim e siper?

Akset kryesore jane Tirane-Elbasan, Ura e Vashes-Tirane, do perfundoje Levan-Tepelene, Fushe Kruje-Milot, Plepa-Rrogozhine, Konispol-Sarande etj.

Keni mundesi financimi per te gjithe keto rruge?

Kemi financim dhe nuk kemi probleme me perfundimin e tyre.

Nje nga te ardhurat me te rendesishme te Shqiperise, mbetet turizmi qe kete vit, pavaresisht entuziazmit tuaj.....

Statistikat tregojne per rritje te ndjeshme te numrit te turisteve. Nese 2004, kishte gjithsej 300 mije turiste dhe ne vitin 2010 shifra shkon ne 4 milione, normale qe nje vend i tille nuk e ka shume te lehte. Lufta kunder plehrave duhet te jete nje lufte e tere shoqerise. Drejtuesit lokale kane pergjegjesite e veta dhe sigurish do te mbahet qendrim, por e zgjidh nje vetedije se ne nuk jemi me ata qe kemi qene. Ky problem keshtu merr pergjigje te shpejte dhe te menjehershme. Eshte nje problem shume shqetesues. E para na turperojne, plehrat na turperojne, jane kudo.

A do kete ndryshime te reja qeveritare?

A mund te ndryshoje qeverine se shkruajne mediat? Po pse te kete ndryshime kur kjo qeveri shenoi fitoren me te thelle ne zgjedhjet e kaluara. Ne zgjedhje besoj se kur forca politike eshte ne qeveri ajo qe teston dhe eshte ne provim eshte qeverisja. Ne keto zgjedhje, ne patem rezultatin me te thelle, 140 000 vota me shume se kundershtaret. Fitore historike.

Se fundmi keni kerkuar rishikimin e historise, a ka lidhje kjo me demshperblimin e ish te perndjekurve politike?

Ajo qe ka ngel ende ne bunker eshte historia. Eshte e dhimbshme se keta te rinj mund te lexojne sot per historine e cdo kombi me shume se per historine e kombit tone. Pas vdekjes se Skenderbeut, historia jone eshte e rralluar.