Xhevdet Shehu
Shkrimtari i shquar flet për fundin e Partisë së Punës dhe themelimin e Partisë Socialiste 20 vjet më parë. Ja fjalimi që shënoi kthesën e madhe
Nesër mbushen njëzet vjet nga themelimi i Partisë Socialiste. Në selinë rozë ka një indiferencë thuajse totale ndaj kësaj ngjarjeje të rëndësishme. Shumë socialistë, përfshi edhe deputetë, e kanë harruar ditëlindjen e partisë, ku bëjnë pjesë dhe gjithë mendjen e kanë përqendruar te problemet aktuale, sidomos te një vendim i Kolegjit Zgjedhor që jepet pas tre ditësh. Në një jubile të tillë ka shumë gjëra për të kujtuar dhe për të evidentuar, mund të harrosh dhe të anashkalosh episode dhe personazhe të ndryshëm, por është e pamundur të shmangësh Dritëro Agollin. Patriarku i letrave shqipe, me një kurajo të pashoqe i dha vulën atij Kongresi me një fjalë historike që mbajti para më shumë se dy mijë delegatëve që kishin mbushur Pallatin e Kongreseve. Dje isha në shtëpinë e shkrimtarit të madh dhe biseda doemos do të sillej te ngjarja e madhe e 20 viteve të shkuara. Por Dritëroi ende nuk ka ndonjë ftesë zyrtare nga selia rozë për ditëlindjen e partisë, të cilën ai dhe pjesa më e shëndetshme dhe intelektuale e ish-Partisë së Punës e themeloi. Dritëroi ka një kujtesë fenomenale dhe kujton me detaje gjithçka ndodhi në ato ditë të Kongresit dhe se si ndryshoi rrjedha e ngjarjeve pas atij fjalimi historik të Dritëroit. Kujton se atë fjalim për rinovimin e Partisë së Punës e botoi më 12 qershor 1991 në “Zërin e Rinisë” pasi “Zëri i Popullit” refuzoi ta botonte. Nejse, efektin ai fjalim e bëri se të gjithë erdhën në mendjen time. U themelua Partia Socialiste, një vlerë e shoqërisë pluraliste me kontribut të pamohueshëm në këta njëzet vjet. Por, ndërkaq Dritëroi kujton me dhimbje se si e sulmonin publikisht, si dërgonin letra në Ministrinë e Brendshme ku kërkonin ndëshkimin e “tradhtarit Dritëro Agolli”, si e kërcënonin në telefon... Pikërisht në ato ditë pranë shtëpisë së Dritëroit u vendosën dy policë për të ruajtur shkrimtarin. Por duket se më shumë se policët, shkrimtarin Dritëro e ruante dashuria e popullit për të. Këtë fjalë të Dritëroit në atë Kongres themelues të Partisë Socialiste, me miratim të autorit, po e botojmë të plotë për herë të parë në gazetën “Telegraf”. Pas njëzet vjetësh ai nuk e fsheh zhgënjimin që ka pësuar nga politika shqiptare. Njëzet vjet më pas nuk duhej të ishim këtu ku jemi, me gjithë këto probleme që nuk kanë të sosur, thotë ai. Ja, shikoni Maqedoninë, bëri një palë zgjedhjesh model dhe demonstroi një qytetari për t’u admiruar, kundërshtarët politikë i dhanë dorën njëri-tjetrit, humbësit uruan fitimtarët dhe filluan menjëherë nga puna. Ne kemi më shumë se një muaj që bëmë zgjedhjet dhe po hallakatemi nëpër gjyqe për shkak të një kodi zgjedhor me të meta që është miratuar me mirëkuptimin e të dyja palëve. Sidoqoftë, për krizën aktuale politike, Dritëroi nuk ka dëshirë të flasë. Përderisa puna ka arritur në gjykatë, nuk dua të ndikoj te vendimi që do të merret, thotë. Por, ndërkaq ai shprehet edhe lidhur me letrën e hapur të Ismail Kadaresë. Ismaili e shkroi atë letër si shkrimtar, mua më habiti dhe më zemëroi reagimi negativ i disa grafomanëve nëpër gazeta. Kjo nuk është një sjellje qytetare dhe as demokratike. Pa le, mora vesh se një drejtoreshë shkolle, “demokrate”, pas asaj letre kishte hequr Ismailin nga programi mësimor. Po si mund të heqësh nga programi shkrimtarin më të mirë të vendit? Me çfarë do të edukohen këta nxënës? Do s’do na kujtohet fashizmi. Vetëm Hitleri përjashtonte shkrimtarë dhe digjte librat. Hitleri hoqi Hajnen e shkrimtarët më të mirë të Gjermanisë të asaj kohe. Kjo është një sjellje fashiste, thotë i zemëruar Dritëroi.
Kongresi themelues i PS-së
Në muajin Qershor të vitit 1991, gati gjashtë muaj para afatit, u thirr Kongresi i 10-të i Partisë së Punës. Pikërisht atëherë, në ditët e para dhe të nxehta të qershorit 1991 u hodh një hap i rëndësishëm, por jo përfundimtar, për t’u shkëputur nga trashëgimia negative e së kaluarës komuniste. I paharrueshëm është diskutimi që mbajti në atë kongres shkrimtari Dritëro Agolli, i cili hodhi i pari idenë e reformimit të thellë të Partisë. Dritëro Agolli bëri të pabërën deri atëherë brenda asaj partie: Ai kritikoi Enver Hoxhën! Dhe kjo ishte një blasfemi e vërtetë. Shkrimtari vuri gishtin në plagë dhe salla u hodh përpjetë nga dhimbja, e tronditur tej mase. Në sallë ishte e veja e Enver Hoxhës, ishte Ramiz Alia dhe gjithë Byroja e vjetër Politike. Ata s’i mbante vendi, por ishin krejt të pafuqishëm për të frenuar rrokullisjen që kishin marrë. Diskutimi i Dritëro Agollit ra si bombë. Në krah të tij doli edhe poeti e intelektuali Moikom Zeqo. Por, pas disa hezitimesh dhe diskutimesh të gjata, të gjithë erdhën në mendjen e shkrimtarit, i cili dukej se shihte shumë më larg se gjithë ata delegatë që mbushnin sallën e madhe të Pallatit të Kongreseve dhe që lehtësisht mund të ngjireshin duke brohoritur për Enver Hoxhën. Kongresi i 10-të i Partisë së Punës u konsiderua Kongresi Themelues i Partisë Socialiste të Shqipërisë. Në këtë parti do të mungonin gati të gjithë emrat e gardës së vjetër, të njohur si bashkëluftëtarë dhe besnikë të Enver Hoxhës, të cilët ishin stërkonsumuar në udhëheqjen dhe në aparatet qendrore të partisë, kapitulli i së cilës po mbyllej padenjësisht. Dritëro Agolli u zgjodh anëtar i udhëheqjes më të lartë të Partisë së porsaformuar, kryetar i së cilës u zgjodh Fatos Nano. Ishte një zgjedhje e mençur që u bë, ndoshta pa dashjen e shkrimtarit. Nuk ishte ai që kishte nevojë për emrin e Partisë Socialiste. Përkundrazi, PS kishte nevojë për emrin e madh të shkrimtarit, për popullaritetin e tij të pashoq.
Dritëro Agolli
Ndarja e hidhur
Kongresi i 10-të i Partisë së Punës, i mbledhur në atmosferën e pluralizmit politik partiak, është quajtur kongresi i rinovimit. Me këtë ai merr përsipër një barrë të rëndë dhe të vështirë. Është një gjë optimiste se në gjirin e Partisë së Punës ka një potencial të madh forcash, duke përfshirë dhe potencialin e shëndetshëm intelektual. Por rinovimi serioz bëhet atëherë kur njihen rrënjësisht gabimet dhe kur lind një botëkuptim dhe mentalitet i ri, krejtësisht i ndryshëm nga ai i deritanishmi, kur flaken të gjitha dogmat dhe parimet e ngrira të së kaluarës dhe mbyllet fleta e tërë kapitullit.
Unë do të përpiqem të ndalem edhe në këto gabime, pa mbyllur ende kapitullin, nga dëshira e mirë e rinovimit.
Kjo është tribuna ime, tribuna e partisë, ku unë aderoj dhe nuk ka njeri të më pengojë të flas, përveç atij që vazhdon të ecë me rrugën e djeshme dhe nuk ka dëshirë të rinovohet, por preferon të qëndrojë shtrirë në shtrat si fanatik, duke mos ia zbuluar mjekut pjesët e sëmura më delikate të trupit të tij.
Çdo intelektual duhet të ketë një tribunë, ku t'i thotë lirshëm, me sinqeritet dhe pa ndrojtje mendimet e tij, në mënyrë që t'i sjellë shërbim idealit të vet dhe shoqërisë ku jeton.
Shumë herë mendojmë se, cilat janë ato gabime që e sollën në rënie Partinë e Punës, që e varfëruan atë bashkë me Shqipërinë dhe shqiptarët, që e zhvlerësuan këtë “kala të pamposhtur”, siç shpreheshim dikur plot patetizëm, që ia nxorën rrënjët mbi tokë këtij lisi dhe e bënë të lëkundet dhe mezi të qëndrojë në këmbë; cilat janë ato gabime që e sëmurën këtë trup që dukej aq i shëndetshëm, që e bënë të zërë shtratin dhe me zor të marrë frymë dhe ne të përpiqemi ta shërojmë, duke kërkuar ilaçe kokulur…
Me sa duket gabimet janë aq të rënda, sa disa mendojnë se ky trup nuk mund të shërohet, kurse disa të tjerë nuk i kanë humbur shpresat dhe kërkojnë ilaçe për ta shpëtuar.
Pra, cilat janë ato gabime që e sëmurën?
I pari gabim është vija e diktaturës së hekurt në udhëheqjen e lartë të partisë, në byronë politike dhe në komitetin qendror; është diktatura që vendosi Enver Hoxha për ta nënshtruar këtë repart pararojë të klasës punëtore, për të mos lejuar asnjë mendim të lirë të kundërt me atë që kishte ai vetë. Në kushtet e kësaj diktature, në byronë politike dhe në komitetin qendror u zhduk demokracia dhe u shua çdo shkëndijë e saj. Ai që guxonte të shprehte një mendim të kundërt jo vetëm nxirrej jashtë byrosë, komitetit qendror dhe partisë, por edhe vritej apo burgosej si tradhtar, agjent i imperializmit e revizionizmit, kapitullues apo devijator. Po të guxonte, fjala vjen, të thoshte në KQ të partisë në vitet '60: pse të izolohemi nga bota; ikëm nga kampi socialist, të lidhemi me Europën, ky heretik lidhej me zinxhir. Po të guxonte, fjala vjen, në fillim të viteve '80, e të thoshte: ç'është kjo marrëzi e tufëzimit, pse ia marrim fshatarit të shkretë lopën, delen, derrin, gjelin e detit dhe ia lemë gomarin, ky rebel ose dënohej me vdekje ose zinte qelinë e errët e plot lagështirë. Në këtë diktaturë brenda udhëheqjes së lartë, në byronë politike dhe në KQ të partisë, bëhej sikur diskutohej dhe merreshin me vendime të marrëzishme si ato për shkatërrimin e institucioneve fetare, për tufëzimin, për bashkimin e kooperativave bujqësore, për ndalimin e letërsisë së huaj, për hapjen e puseve dhe nxjerrjen e naftës dhe burgosjen e deri vrasjen e inxhinierëve dhe pedagogëve të saj e kështu me radhë. Me këtë diktaturë në kohën e partisë u zhdukën valë-valë që nga kongresi i parë dhe deri pranë Kongresit të 9-të të partisë, gati të gjithë anëtarët e byrosë politike dhe të Komitetit Qendror. Ata që mbetën dhe ata të rinj që u vunë në të, u servilosën, u majmën, u bënë hamës të mëdhenj dhe lakmues vilash dhe qyrku. Diktatura në udhëheqjen e lartë të partisë solli lulëzimin e servilizmit dhe nënshtrimit, karrierizmit dhe shterpësisë së mendimit, hatëret e privilegjet. Bashkë me këtë lulëzim kjo diktaturë vendosi luftën e klasave brenda partisë, luftë që mbolli farën e frikës dhe të terrorit në gjithë komunistët dhe në gjithë shqiptarët. Lufta e klasave si instrument i diktaturës së udhëheqjes së lartë krijoi tri kulte të padëgjuara ndonjëherë në historinë e Shqipërisë: kultin e Enver Hoxhës, kultin e partisë dhe kultin e sigurimit. Çdo gjë e zgjidhnin këta tri kulte dhe nuk kishte nevojë të vrisje mendjen. Këta tri kulte krijuan modele kultesh: kulti i sekretarit të parë të komitetit të partisë së rrethit, kulti i sekretarit të organizatës-bazë, kulti i operativit të sigurimit e kështu me radhë. Nga frika e këtyre tri kulteve filloi të prishej e të gërryhej morali i njerëzve dhe humanizmi i shoqërisë: mbinë në arat e diktaturës antihumanizmi, hipokrizia, servilizmi, gënjeshtra, korrupsioni, abuzimi, ryshfeti, hatëri, vjedhja, thashethemnaja dhe mbi të gjitha u shkatërrua personaliteti i njeriut dhe ndodhi varfërimi i tij shpirtëror. Njeriu u bë kolektiv, me personalitet turme, pa individualitet dhe pa identitet. U shemb tradita e burrërisë shqiptare dhe e fisnikërisë kombëtare, e bujarisë dhe e besnikërisë, e mikpritjes dhe e shpirtgjerësisë, e urtësisë dhe e punëdashjes. Lindi mosbesimi, dinakëria, dembelizmi.
Kuadrit drejtues dhe nëpunësit filloi t'i hipë zilia dhe lakmia, duke parë privilegjet e zyrtarëve të lartë të partisë, privilegjet e fëmijëve dhe të afërmve të tyre, që jetonin në klane të veçuara, në një botë sekrete dhe misterioze, që hanin e visheshin ndryshe të tjerëve, që hipnin e zbrisnin nëpër avionë të nisur e të kthyer nga Europa, kur populli i tërë jetonte në izolim të plotë nga bota e qytetëruar. Këta zyrtarë të lartë partiakë, anëtarë të byrosë politike, që u ndriste cipa e lëkurës nga ushqimet e zgjedhura dhe të kontrolluara nga specialistët e sigurimit, që kishin edhe një fermë speciale në Kamzë të mbjellë me bar të veçantë për t'i ardhur erë e mirë mishit dhe qumështit që përtypnin e gëlltitnin; këta zyrtarë të lartë partiakë, kurnacë deri në kulm dhe grykës deri në fund, të trashë dhe trumpirë, indiferentë ndaj varfërisë mbarëkombëtare, e prishnin lekun e djersës së njerëzve atje në vilat sekrete e misterioze pa iu dredhur dora, ndërkohë që, populli i gjorë kujtonte se ata mendonin e punonin për të dhe të mirën e Shqipërisë. Në kohën kur Shqipërisë nuk i mjafton streha për të futur kokën, nuk i mjafton banesa më modeste, këta zyrtarë të lartë partiakë shtonin plot pangopësi dhomat, banjot dhe nevojtoret e vilave të tyre, me qira simbolike, si sheikët e Kuvajtit: dikush me 12 dhoma e 4 banjo, dikush me 16 dhoma e 6 banjo, dhe si bënin këto shtesa rrihnin gjoksin: "Për lumturinë e kllasës punëtore". Me këtë rrahje gjoksi rreth 20 familjet e Bllokut të famshëm vetëm gjatë vitit 1989-‘90 kanë shpenzuar 20 milionë lekë të vjetra për meremetimet e vilave dhe për mbajtjen e personelit shërbyes, d.m.th, një milion për familje! Po ta marrim rrogën mesatare mujore të punëtorit 4000 lekë të vjetra, i bie që për këto familje të një patriotizmi të veçantë, të punonin 400 punëtorë, një uzinë më vete! Ja, kjo është pjella e vijës së diktaturës në udhëheqjen e lartë të partisë, vijë që krijon një tip udhëheqësi, një tip që rri urtë dhe nuk shpreh mendime kundërshtare në byronë politike, pasi i pari i kësaj byroje, Enver Hoxha, e merrte për zverku nga vila me 16 dhoma dhe 6 banja dhe i jepte dy metra gjatësi trualli pa çati, ose truall me çati biruce apo qelie!
I dyti gabim është vija e shtrembër politike në ekonomi.
Pasqyrë e kësaj vije është gjendja katastrofike e ekonomisë së vendit, është varfërimi deri në palcë i Shqipërisë, djemtë e vajzat e së cilës kanë marrë dhe po marrin arratinë nëpër botë për t'i shpëtuar mjerimit, që nuk e kishin ëndërruar kurrë. Vendosja me diktaturë e centralizmit të ekonomisë në qytet e në fshat, imitimi i vendeve të mëdha për të pasur në radhë të parë një industri të rëndë, që të na siguronte ndërtimin e socializmit me forcat e veta, mitizimi i pronës shtetërore e kolektive, ngjallja e urrejtjes ndaj pronës private, moskomunikimi ekonomik me botën nën dritën e marksizëm-leninizmit fitimtar, bënë që Shqipëria, vendi më i pasur në Ballkan, të çapitet me opinga të grisura dhe me torbë të shpuar në kurrizin me kocka të dala. Ndërtuam kovaçana gjigande si kombinati metalurgjik në Elbasan; groposëm paren në puset shterpë të naftës; bëmë kooperativa bujqësore, kombinate, si qeveri të vogla; kryem tufëzimin famëkeq të bagëtisë; ia premë krahun çdo iniciative private; krijuam dogma në teorinë e ekonomisë politike dhe në bazë të këtyre dogmave nisëm me zell të eksperimentojmë, duke mos marrë parasysh se shoqëria nuk është lepur që ta vësh në laborator dhe të provosh se ç'efekt bën ky apo ai ilaç. A nuk ishte eksperiment tufëzimi i bagëtisë, që për një dekadë të tërë shkatërroi si me plan të caktuar blegtorinë kombëtare?!
Ekonomia jonë, industria dhe bujqësia, duke ecur sipas dogmave marksiste, një herë me lëndë të parë, një herë pa lëndë të parë, një herë me një instrument e një herë pa të, e tëra kolektive, e të gjithëve dhe e askujt, i çmësoi njerëzit të punojnë dhe ia hoqi dëshirën për punë. Perënduan mjeshtrat e mëdhenj të punës, artizanët e famshëm të Shkodrës e të Korçës, të Tiranës e të Elbasanit, të Vlorës e të Gjirokastrës. Punëtorët e fshatarët u bënë të varfër të barabartë, u krijua barazia në varfëri. Interesi për punën në fabrikat e arat tona humbi, pasi humbi interesi dhe fitimi personal, humbi leku. I pari i burgosur politik në Shqipërinë socialiste ishte i mjeri lek dhe të parin që duhet ta lironim nga burgu ishte ai, leku! I liruar nga burgu duhet t'i shkonte njeriut të zot, njeriut që derdh djersën e ndershme, njeriut të lirisë së pronës. Prona e lirë dhe ekonomia e tregut i jep pasaportë lekut për të dalë në Europë dhe në Botë. I pari që u izolua jo vetëm nga bota, por edhe nga prodhuesit dhe gatuesit e tij ishte leku. Ai u urrye nga propaganda marksiste, ai u quajt i poshtër dhe i fëlliqur dhe u zëvendësua me fletëlavdërimin, të ashtuquajtur "stimul moral". Punëtori me aftësi të rralla, ai që tejkalonte çdo normë, në vend të lekut merrte medaljen, pasi leku ishte dënuar nga që kishte biografi të dyshimtë dhe të keqe. Bashkë me lekun, u dënua edhe e bukura, pasi quhej si ndikim i huaj. Me dënimin e të bukurës në industri, në kulturë e në letërsi, lindi kulti i të shëmtuarës: rroba të shëmtuara, etiketa të shëmtuara, prodhime të shëmtuara, ndërtime të shëmtuara, piktura me figura të shëmtuara, drama me heronj të shëmtuar. U urrye kozmetika për gratë e shkreta. Iu thur lavdi erës së djersës dhe u shtua inati për erën e livandos si borgjeze. U varfërua xhepi dhe shpirti i prodhuesit dhe i krijuesit në industri, bujqësi e kulturë. Varfëri të ekonomisë dhe varfëri të shpirtit: - ja se ç'solli vija politike e gabuar në ekonomi, vijë e përpunuar nga Enver Hoxha dhe nga Partia e Punës. Kjo vijë së bashku me vijën e diktaturës së hekurt në udhëheqjen e lartë, në byronë politike dhe në komitetin qendror, janë dy nga gabimet më të rënda në historinë e Partisë së Punës dhe në historinë e mësimeve të Enver Hoxhës dhe po nuk u ndërgjegjësuam për këto, po nuk u bindëm se janë gabime, reparti pararojë i klasës punëtore nuk ka për t'u rinovuar kurrë, ndryshe ai duhet shpërndarë si i tillë përpara se ta shpërndajë koha.