Thursday, July 22, 2010

GJND: Pavarësia e ligjshme Hyseni: Tashmë, të barabartë Jeremic: Nuk e njohim Kosovën

HAGE- Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, që përfaqëson gjykatën e nivelit më të lartë të Kombeve të Bashkuara, publikoi pasditen e sotme opinionin këshilldhënës lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Gjatë fjalës së tij Kryetari i Gjykatës Hiasashi Ovada tha se shpallja e pavarsisë së Kosovës më 17 shkurt të 2008 nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare

Ora: 21:40- Thaçi: Përgjigje e drejtë ndaj padrejtësive
"Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është përgjigja më e mirë që i është dhënë botës për të drejtën e Kosovës si shtet legjitim dhe legal, si shtet i konsoliduar dhe funksional", u shpreh kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi nga Uashingtoni, ku ndodhet në një vizitë zyrtare pas vendimit të GJND-së e cila u shpreh sot në favor të pavarësisë së Kosovës.

Kreu i qeverisë kosovare theksoi se mendimi këshillimor i GJND "është një përgjigje e drejtë historike ndërkombëtare ndaj padrejtësive historike që janë bërë ndaj Kosovës".

Ora 20: 12- Krasniqi: Mirënjohje për opinionin e GJND-së
“Mendimi i dhënë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, rikonfirmon se deklarata e datës 17 shkurt 2010 që shpalli Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, ishte një akt për të ndërtuar një shoqëri që respekton dinjitetin njerëzor dhe afirmon krenarinë dhe synimet e qytetarëve të saj” deklaroi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

“Republika e Kosovës shpreh zotimin e saj të shprehur në deklaratën e pavarësisë për të qenë një shtet demokratik, laik dhe multietnik, i udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtjes së barabartë sipas ligjit, i cili do të mbrojë dhe promovojë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe krijojë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse,” tha Krasniqi ndërsa falënderoi SHBA, BE dhe gjithë shtetet që kanë njohur shtetin e pavarur të Kosovës.

Ora 20:00- Vendimi i GJND, Tadic: Do luftojmë me mjete ligjore
Pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për ta quajtur të ligjshme pavarësinë e Kosovës, ka ardhur edhe reagimi i presidentit serb Boris Tadic i cili ka deklaruar se Serbia do vazhdojë luftën e saj me mjete ligjore edhe pas këtij vendimi të rëndë

Tadiç deklaroi sot se "vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është një vendim i rëndë për Serbinë", duke shtuar se "është e qartë se GJND-ja nuk e bëri deklaratën për sa i përket problemit të ndarjes".

Tadiç shtoi ndër të tjera se GJND-ja nuk u shpreh në lidhje me propozimin për ndarjen e territoreve, duke shpresuar kështu që ky vendim ti ngelet OKB-së.
"GJND-ja i transferoi problemin Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së Serbia do të vazhdojë të luftojë për Kosovën me mjete ligjore dhe paqësore".
Tadiç shtoi se "Serbia ka një plan të qartë me aktivitete diplomatike".

Ora 18: 20- Sejdiu: GJND-ja bekoi pavarësinë e Kosovës
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu e ka vlerësuar vendimin e GJND-së si një bekim për pavarësinë e Kosovës.
“Ky mendim rikonfirmoi fuqishëm se shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qënë në pajtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe lirinë e popullit për vetëvendosje”.

Sejdiu tha se mendimi këshillëdhënës i GJND-së i hoqi dilemat edhe të vendeve që nuk e kanë njohur deri më sot pavarësinë e Kosovën.
“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vërtetoi sot se Kosova nuk paraqet precedent, por njeh të drejtën e popullit të Kosovës për vetëvendosje, për të jetuar i lirë dhe i pavarur”.
Presidenti i Kosovës e ka ftuar Serbinë që të ndryshoj politikën fqinjësore dhe t’i bashkëngjitet vizionit të vendeve të rajonit për integrim në strukturat euroatlantike. Ai tha se vizioni i vetëm Republikës së Kosovës është integrimi në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Ora 17:55- Rama: Sot, dita e dytë më e lumtur për Kosovën
Vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të vlerësuar si të ligjshme pavarësinë e Kosovës, e ka përshëndetur edhe kreu i opozitës Edi Rama. Sipas tij kjo është dita e dytë më e lumtuar për Kosovën por edhe për të gjithë shqiptarët.

“Është dita e dytë më e lumtur për Kosovën e cdo shqiptar që pas ditës së pavarësisë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi ti hapë rrugë njohjeve të mëtejshme të Pavarësisë”, - u shpreh kryesocialisti.

Kryesocialisti shprehu mendimin se ky vendim do ta bëjë Serbinë të harrojë ëndrrën e kahershme për të mos u ndarë nga Kosova, ndërsa e “ardhmja e saj sot bëhet më e garantuar se dje”.

Ora 17:30- Jeremic: Vendimi politik, cështja në OKB
Pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremic fton serbët të ruajnë qetësinë, e deklaron se vendi i tij nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.

Duke shpresuar se Beogradi ka ende gurë rezervë për të përdorur në lidhje me statusin e Kosovës, Jeremic deklaron se, “Serbia nuk do ta ndryshojë qendrimin për Kosovën. Për Beogradin loja nuk është mbyllur. Cështja është politike dhe tashmë do ti kalojë OKB-së”, - deklaroi Jeremic menjëherë pasi GJND shpalli të pavlefshme kërkesën e Serbisë për të vërtetuar se pavarësia e Kosovës ishte e paligjshme.

Ora: 17:47- PDU: Ditë e rëndësishme për mbarë kombin
Partia Drejtësi dhe Unitet ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që konfirmoi sot ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.

“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë korrigjoi në këtë mënyrë gabimin historiK të kryer 97 vjet më parë, në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës, pikërisht në korrik 1913, ku padrejtësisht shqiptarët u coptuan në shtetet fqinje. PDU thekson se kjo është një ditë historike jo vetëm për shqiptarët e Kosovës, por për të gjithë në Shqipëri, Maqedoni, Malin e Zi, Luginën e Preshevës, Greqi e kudo që jetojnë bashkëkombasit tanë. Pas pak kohësh, Kosova do të jetë pjesë e OKB-së, pas valës së njohjeve që pritet të pasojnë vendimin e GJND-së, duke i vendosur vulën aktit të pavarësisë së kryer më 17 shkurt 2008 nga bashkëkombasit tanë në Kosovë” thuhet në deklaratën e PDU.

Ora 17:20- Topi: Vendimi, hap i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës
Menjëherë pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dha opinionin e saj në favor të pavarësisë së Kosovës, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi i telefonon homologut të tij kosovar Fatmir Sejdiu. Kreu i shtetit Topi e ka cilësuar këtë vendim të rëndësishëm, duke i komunikuar Sejdiut se “ Opinioni i GJND-së një hap i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës dhe për integrimin e saj”.

Duke e cilësuar vendimin e GJND-së si ngjarjen e dytë të jashtëzakonshme, që pason shpalljen e pavarësisë së Kosovës më datën 17 shkurt të vitit 2008, Presidenti Topi ka nënvizuar se “në tërë përvojën time nuk kam parë gjykim më profesional, më analitik, më logjik rreth një ngjarjeje që ndodhi më shumë se dy vjet më parë”. Në prononcimin e tij për median, Topi nuk e ka fshehur gëzimin për këtë vendim që sic u shpreh ai realisht shkoi në të drejtën legjitime të popullit të Kosovës, të institucioneve legjitime të Kosovës për ta shpallur Kosovën shtet të lirë, sovran, të pavarur.

“Telefonatën e parë ia bëra Presidentit Sejdiu, nëpërmjet të cilit unë transmetova për popullin e Kosovës urimet më të mira për këtë vendim, i cili tregon përveç të tjerave që institucionet e Kosovës, populli i Kosovës, kanë qenë koherent në të gjitha ngjarjet që janë zhvilluar në Kosovë, koherent në të gjithë vendimarrjen ndërkombëtare, dhe padyshim, i tërë misioni, qoftë ai i OKB-së, qoftë misionet ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, kanë qenë në një lloj sintonie me atë që sot shpalli Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë”, tha Topi.
Presidenti i Shqipërisë u shpreh i bindur se vendimi i GJND-së do të ndërgjegjësojë disa mendjeve, të cilat për fat të keq u munduan që ta mbajnë zvarrë këtë proces.

Ora: 17:04- Hyseni: Tani dialog me Serbinë si të barabartë
Pas verdiktit për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë nga ana e Kosovës, dhënë pak më parë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, ministri i Jashtëm i Kosovës Skënder Hyseni tha "presim që Serbia të drejtohet nga ne për diskutime. Por diskutimet duhet të zhvillohen si dy vende sovrane", shtoi Hyseni menjëherë pas deklaratës së GJND-së.

Ndërkohë Hyseni deklaroi se pret "që edhe pesë vendet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur (Spanja, Rumania, Greqia, Sllovakia dhe Qipro), ta njohin tashmë pavarësinë e saj".

Ora: 17:00- Meta: Vendimi i GJND-së, rikonfirmin për pavarësinë e saj
Zv kryeministri dhe ministri i jashtëm Ilir Meta u shpreh se "Mendimi i GJND-së mbi ligjshmërinë e Kosovës, i hap rrugë përshpejtimit të procesit të njohjes së shtetit të pavarur e sovran të saj, drejt anëtarësimit me të drejta të plota në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), në një të ardhme të afërt".

Përmjes një deklarate për shtyp, ministri i Jashtëm, Ilir Meta, përshëndeti vendimin këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, si organi kryesor i drejtësisë Ndërkombëtare, që konfirmon në mënyrë të qartë se shpallja e pavarësisë së Kosovës është një akt i ligjshëm dhe në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare.

Meta deklaroi se "vendimi i GJND-së për Kosovën, është edhe një rikonfirmim i të drejtës së patjetërsueshme të qytetarëve kosovarë për liri dhe pavarësi, si dhe një kontribut për paqen dhe stabilitetin në Kosovë, në rajon e më gjerë.

Ora: 16:56- Berisha: Vendimi i GJND-së, historik
Kryeministri Berisha ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me pavarësinë e Kosovës. Menjëherë pas shpalljes së vendimit të trupit gjykues, kreu i qeverisë doli në një konferencë për shtyp duke u shprehur se “Gjykata e Hagës iu garantoi qytetarëve të planetit se pavarësia e Kosovës është në frymën e plotë të së drejtës ndërkombëtare”.

Ndërsa e konsideroi, historik vendimin e sotmëm të GJND-së, Berisha tha se ky fakt përbën një detyrim të madh, inkurajim madhor që shqiptarët të angazhohen për ndërtimin dhe konsoldiimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.

Ndër të tjera kryeministri Berisha theksoi se vendimi GJND-së do të ketë kontribut në një qëndrim të ri të marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe serbeve.

“Shqiptarët dhe Serbët, dy kombe të rëndësishem në rajon, që pavarësisht nga historia e shkuar kanë tani të përbashkët idealin europian.Qeveria shqiptare është e vendosur të kontribuojë për një qëndrim të ri në marrëdhëniet Tiranë-Beograd” u shpreh Berisha përpara mediave.

Ora 16.40- GJND vendos, pavarësia nuk shkel ligjet ndërkombëtare
Me 10 vota pro dhe 4 kundër anëtarët e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës kanë vendosur në favor të Kosovës, duke refuzuar hapur kërkesën e Serbisë për shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Ka qënë Presidenti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Hiasashio Ovada ai që ka lexuar vendimin final.

Sipas Presidentit Ovada shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të 2008 nuk ka shkelur asnjë dokument të Kombeve të Bashkuara. Presidenti i Gjykatës deklaroi se 10 nga 4 vota mendojne se pavarësia nuk shkel të drejtën ndëkombëtare. Në këtë aspekt, ai ka përmendur ecurinë e tërësishme të zhvillimve politike në Kosovë, që kanë të bëjnë me vendosjen e misionit të OKB-së në Kosovë, vendosjen e KFOR-it e të tjera.

Sipas tij pavarësia e Kosovës nuk shkeli rezolutën 1244, pasi kjo rezolutë merret me gjendjen në Kosovë, ndërsa shton se shpallja e pavarësisë është proces politik dhe jo ligjor. Ovada shton se ndarja e Kosovës nga Serbia nuk shkel asnjë prej dokumentave të OKB-së.

Opioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë edhe pse ka vetëm funksion këshillues pritet të inkurajojë më shumë vende që ta njohin pavarësinë e shpallur më 17 shkurt 2008. Dje SHBA, deklaruan se do të kishte rreth 40 njohje të reja të pavarësisë nëse GJND vendoste në favor të Kosovës.

Ora 15:00- GJND jep sot vendimin për pavarësinë e Kosovës
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, që përfaqëson gjykatën e nivelit më të lartë të Kombeve të Bashkuara, do të publikojë pasditen e sotme opinionin këshilldhënës lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Rasti u dërgua në Gjykatë përmes Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila me shumicë votash mbështeti kërkesën e Serbisë.Opinioni i GJND-së nuk është i detyrueshëm, ka vetëm fuqi këshilluese, por ekspertët besojnë se mund të ndikojë në masë të konsiderueshme në rajon dhe në situata të ngjashme në botë.

Në seancën e sotme në Hagë do të jetë i pranishëm edhe ministri i jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni dhe homologu i tij serb Vuk Jeremiç. Ky i fundit ka deklaruar në prag të vendimit të sotëm se qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës nuk do të ndryshojë. Jeremiç ka theksuar se Beogradi do ta çojë çështjen në vjeshtën e ardhshme në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Dhjetorin e kaluar Gjykata dëgjoi argumentat e përfaqësuesve të rreth 30 shteteve. Vende si Kina, Rusia e Spanja e kundërshtuan shpalljen e pavarësisë së Kosovës edhe para GJND-së. Nga ana tjetër Shtetet e Bashkuara ishin në krye të vendeve që mbështetën pavarësinë e Kosovës. Një numër vendesh të Bashkimit Evropian, por dhe vende si Kroacia e Sllovenia, të dala nga shpërbërja e ish Jugosllavisë mbështetën shtetin e Kosovës para drejtësisë ndërkombëtare.

Udhëheqësit më të lartë të Kosovës dhe ekspertët kosovarë të së drejtës ndërkombëtare vlerësojnë se pavarësia është e pakthyeshme, pavarësisht vendimit të GJND-së. Ky mendim është formuluar dhe nga drejtues të lartë të SHBA-ve dhe ekspertë ndërkombëtarë.
(m.a/e.n/BalkanWeb)

No comments: