Friday, May 4, 2012

Vrasja e gjeneral Tellinit dhe përcaktimi i kufirit shqiptar në 1923

Nga Besi BEKTESHI Nuk ka asnjë dyshim që përcaktimi i kufirit shqiptar, por edhe fqinjëve jugorë grekë, ka pasur jo vetëm peripeci të mëdha, por edhe viktima të shumta midis tyre dhe të një gjenerali italian në vitin e largët 1923. Normalisht ishte një kohë kur regjimi fashist në Itali sa kishte filluar modelin e tij, por në fakt ishte Komisioni Ndërkombëtar i ngarkuar nga Konferenca e Ambasadorëve në Paris që kishte vendosur gjeneral Enrico Tellini, për të përcaktuar kufirin midis Greqisë dhe Shqipërisë.
Në Arkivin e Muzeut të Shkodrës, jo vetëm janë 17 hartat e delimitacionit tokësor të kufirit shqiptar të përfunduar në vitin 1925 nga ky komision, por edhe një vendim i Prefektit të Shkodrës, A. Nepravishta, në 1 shtator të vitit 1923, me fillimin e shkollës për të përkujtuar Gjeneral Enrico Tellinin, i vrarë nga grekët me 27 gusht, midis Janinës dhe Kakavijës në mes të 50 gradë dhe 53 gradëve, në kufirin shqiptaro-grek, por në territorin e njohur atëhere krejtësisht si grek.
Ishte një ngjarje e rëndë e asaj kohe, sepse gjenerali ishte Kryetari i Misionit të Përcaktimit të Kufirit dhe ishte i ngarkuar jo thjesht nga qeveria italiane që tashmë kishte fillimet si regjim fashist, por nga ndërkombëtarët dhe ai vetë ishte një ushtarak i mirëfilltë dhe profesionist. Tellini i vra sëbashku me katër ushtarakë të tjerë shoqërues dhe Musolini atëhere bëri edhe reperkursionet e tij ndaj Greqisë, duke bombarduar ishullin e Korfuzit dhe vendosur një gjobë të rëndë shtetit helen. Gjenerali kishte si detyrë përcaktimin e qartë të kufirit midis Shqipërisë, Greqisë dhe Jugosllavisë dhe ishte i shoqëruar nga specialistë të tjerë. Ai shoqërohej nga major Luigi Corti, toger Mario Bonacini ose ordinca dhe asistenti i gjeneral Tellini-t, shoferi Remigio Farnetti, por edhe Xhezir Thanasi nga Leskoviku, si përkthyes i grupit të italianëve. Janë vrarë barbarisht të gjithë pa përjashtim, dhe në këtë rast nuk u vodh asgjë, por gjithashtu ishin në territor ku nuk kishte aspak shqiptarë dhe menjëherë u përcaktua se ishte një masakër e kryer nga shovinistë apo nacionalistë grekë, të cilët kishin kohë që ishin qartë dhe prerazi, kundër këtij përcaktimi të kufirit me Shqipërinë. Ngjarja ka bërë bujë të madhe në Europë, e para pse ishte prekur një vendim i Konferencës së Ambasadorëve të Fuqive të mëdha, por edhe pse Musolini, po shfrytëzonte rastin për të goditur Greqinë. Ishte një rast i madh për qeverinë e porsa krijuar të tij, për të treguar dhëmbët dhe forcën pikërisht ndaj shtetit grek. Por pavarësisht kësaj, akti ishte një shembull burracakësh dhe me domethënie të madhe për botën e qytetëruar, duke u kuptuar qartë se përcaktimi i kufirit të përbashkët shqiptaro-grek do të kishte shumë probleme.
Diplomacia filloi edhe një herë avancimin e saj, sepse Greqia nuk ia plotësoi të gjitha detyrimet Italisë dhe këtu fillon edhe një moment i madh i keqësimit të marrëdhënieve italo-greke, ku puna shkoi deri te pushtimi për pak kohë nga italianët e ishullit të Korfuzit dhe dërgimit të disa anijeve të mëdha të luftës si “Cavour”, “Giulio Cesare”, “Andrea Doria” e “Caio Duilio”, për t’u tërhequr vetëm me 27 shtator. Problemi shkoi larg deri në Këshillin e Kombeve dhe me nota proteste të shumta, të cilat kanë vendosur edhe incidentin e rëndë midis Italisë dhe Greqisë i cili ishte edhe një nga arsyet e forta të marrëdhënieve gjithmonë të ndera dhe të dobëta, midis këtyre vendeve deri në sulmin që Italia fashiste i bëri shtetit grek në luftën e dytë botërore. Gjithsesi shteti grek nxori nga arka e tij 50 milionë lira (në atë kohë ishte një shifër e madhe) dhe ja kaloi Bankës Kombëtare Zvicerane, dhe vetëm mbas kësaj italianët u tërhoqën nga Korfuzi. Gjithsesi hetimi i vrasjes nga qeveria greke, nuk solli asnjë konkluzion se kush i kishte vrarë italianët e ngarkuar me detyrë ndërkombëtare, duke mbetur çdo gjë në inatet politike dhe kombëtare të qeverive përkatëse.
Por për Shqipërinë mbetej problemi i përcaktimit të kufirit të saj dhe dashje pa dashje, ky kufi kishte edhe dëshmorët e parë të huaj. Në fund të fundit, oficerët e lartë italianë, ishin me një mandat të lartë për punën e tyre, e cila duhet thënë ishte shumë e lavdërueshme në kushtet e vështirësive të mëdha të kohës, dhe në rrethana politike tepër të ngarkuara politikisht dhe emocionalisht. Për gjeneral Tellini-n, ka emra rrugësh në Itali dhe shteti shqiptar atëhere e kujtoi këtë oficer të lartë, për punën dhe fundin e tij tragjik në shërbim të detyrës së ngarkuar. Puna e këtij komisioni mbaroi në vitin 1925, ku për 17 hartat e kufirit tokësor ishte tashmë një gjeneral tjetër italian si Gazzera, nga Franca kolonel Ordioni, nga Britania, nënkolonel Glouch, dhe hartat e prodhoi “Instituti Gjeografik i Firences”. Historikisht shteti shqiptar sidomos nën diktaturë, nuk ka pëlqyer ta përmendë këtë vrasje nga grekët të bërë kundër oficerëve ndërkombëtarë, të cilët po delimitonin kufirin shqiptaro-grek. Nuk e ka pëlqyer ta përmendë, sepse çështja ishte e ngarkuar me qëndrimin e regjimit të Duçes, edhe pse ishte një vrasje tipike greke dhe e bërë me qëllim frikësimin dhe shkurajimin e të huajve, por dhe për teoritë e tyre po fashiste dhe vorio-epiriote, që kishin për Shqipërinë e jugut. Hartat e vitit 1925, janë pothuaj ato që kemi sot dhe që prej asaj kohe nuk është përcaktuar edhe kufiri jonë detar me shtetin grek. Gjithsesi vrasja e gjeneral Tellini-t, mbetet edhe ngjarja e cila megjithëse nuk kishte shqiptarë, përveç përkthyesit, në rëndësinë e saj, kishte të bënte me kufirin shqiptar dhe vështirësitë e mëdha që ky kufi kishte për t’u përcaktuar në atë kohë.

Thursday, May 3, 2012

Dokumenti sekret i Presidiumit, raport për Enverin: Sa kemi vrarë nga ‘52 në ‘77

Dokumenti sekret i Presidiumit të Kuvendit Popullor.
“Të ekzekutuarit për krime politike janë dyfishi i atyre për krime ordinere”
“Sa kemi vrarë, pse i kemi vrarë?” Në mbyllje të vitit ‘77, kur mbyllej kapitull i kryqëzatës ndaj të ashtuquajturve armiq në ushtri, në ekonomi, në fushën e artit e të kulturës, Enver Hoxha, njeriu që kishte ideuar gijotinën kundër tyre, u kujtua të zyrtarizojë bilancet e viktimave me statistikat përkatëse.
Interesimi për numrin e të vrarëve këtë herë, ndryshe nga më parë, shoqërohej me një “Pse” të madhe, që parakuptonte arsyet e ndëshkimeve fatale. Ajo që i paraqitën në zyrë, me shifrat e “të korrave” të luftës së klasave, konfirmonte një “armatë” të tërë të ekzekutuarish, ku pjesa e luanit u përkiste të dënuarve politikë: 6.937 syresh vetëm në 25 vitet e fundit! Përtej kësaj, raporti sekret që Presidiumi i Kuvendit Popullor i adresonte Enver Hoxhës në dhjetor të vitit ‘77 përmbante një mori statistikash me të dhëna e detaje për pjesën më makabre të krimeve të diktaturës së proletariatit. Dokumenti me firmën e Spiro Kolekës “Mbi dënimet me vdekje nga viti 1952 deri në nëntëmujorin e vitit 1977”, i zbuluar së fundi nga “Panorama” në Arkivin Qendror të Shtetit, ka qenë i rezervuar vetëm për anëtarët e Byrosë Politike. Qysh në krye të tij, raportuesi vë në vëmendje të Komandantit se gjatë studimit të realizuar sipas porosisë së tij në bashkëpunim me Gjykatën e Lartë, ka rezultuar se në periudhën 1952-1977 janë dhënë 6.937 ndëshkime, për të cilat ligji parashikon dënimin me vdekje, nga të cilat 3.347 për krime kundër shtetit, 1.424 për vrasje me dashje dhe 2.166 për përvetësim të pasurisë socialiste. Në argumentin që u referohej statistikave, numri dy i Presidiumit të Kuvendit Popullor shtjellonte arsyet e shifrave në rritje të të dënuarve për krime kundër shtetit (sabotim, arratisje, puç), të cilat, siç vëren ai, shkonin sa dyfishi i atyre për krimin e vrasjes dhe përvetësimit të pasurisë socialiste. Sipas logjikës së Kolekës, suksesi i goditjes ndaj krimit politik, veç devotshmërisë së organeve të diktaturës, lidhej me ndërgjegjësimin e masave punonjëse për rrezikshmërinë e tij, ndërkohë që impenjimi për krimet e tjera, si vrasje, rrahje, fyerje, vjedhje, dëmtime të pronës nuk ishte në të tillë lartësi(!) Raporti sekret, duke u ndalur në “bumin” e të dënuarve me vdekje në vitet ‘70, shënjon arsyet si “pasojë e punës armiqësore të puçistëve në ushtri, e grupit të sabotatorëve në ekonomi dhe i atij në fushën e kulturës dhe të arteve, që u goditën nga Plenumet IV, V, VI, VII të Komitetit Qendror të Partisë”. Po çfarë përmban tjetër dokumenti i porositur nga Enveri me kërkesën e çuditshme “sa kemi vrarë dhe pse”…
DOKUMENTI
Tiranë më 10.12.1977
Shokut Enver Hoxha, Sekretar i Parë i KQ të Partisë
Lënda: Mbi dënimet me vdekje nga viti 1952 deri në nëntëmujorin e vitit 1977. Sipas një porosie që më keni dhënë gjatë vitit vazhdues të studionim “sa dënime me vdekje janë dhënë që nga viti 1950 e deri në vitin 1977 e pse” bëmë studimin të cilin po jua dërgojmë. Për këtë studim u këshilluam edhe me Gjykatën e Lartë. Studimi është bërë nga viti 1952 e këndej, sepse për 1950 e 1951 Gjykata e Lartë nuk ka evidenca të plota të shumës së dënimeve, për të cilat ligja parashikon dënimin deri me vdekje.
Nënkryetari i Presidiumit, Spiro Koleka
RAPORTI TEPËR SEKRET
Mbi shqyrtimin e dënimeve me vdekje gjatë periudhës  1952 deri në nëtmujorin e vitit 1977
Çaste nga ekzekutimi i të dënuarve politikë
Dënimet me vdekje nga organet e drejtësisë janë dhënë për krime kundër shtetit, për vrasje dhe për vjedhje të pasurisë socialiste (e një për shpërdorim të pozitës zyrtare).
Gjatë periudhës 25 vjet e nëntë muaj janë dhënë dënime për 6.937 krime, për të cilat ligja parashikon dënimin deri me vdekje, të ndara kështu: 3.347 krime kundër shtetit, 1.424 vrasje me dashje dhe 2.166 përvetësime të pasurisë socialiste. Në Presidiumin e Kuvendit Popullor kanë ardhur nga Gjykata e Lartë 747 dënime me vdekje, të ndara në këtë mënyrë: 283 ose 37.8 për qind për krime kundër shtetit, 320 ose 42.87 për qind për vrasje dhe 142 ose 19.07 për qind për vjedhje. U është falur jeta 255 vetëve ose 34.1 për qind të të dënuarve janë zbatuar 492 vendime. Po t’i marrim të dënuarit sipas llojit të krimit del: u është falur jeta 24.38 për qind të të dënuarve për krime kundër shtetit, 37.5 për qind të të dënuarve për vrasje dhe 45.77 për qind të të dënuarve për vjedhje. Nga ata që u është falur jeta 27.05 për qind janë për krime kundër shtetit, 47.06 për qind për vrasje dhe 25.49 për qind për vjedhje. Në numrin gjithësej të të dënuarve bëjnë pjesë vetëm 10 gra ose 1,33 për qind. Prej tyre dy për krime kundër shtetit dhe 8 për vrasje, të kryera për shkaqe të dobëta. Katër prej tyre i u fal jeta. Janë dënuar me varje gjithësej 8 veta ose 1.08 për qind, nga të cilët 2 për krime kundër shtetit, 2 për vrasje dhe 4 për përvetësim të pasurisë socialiste. Nga këta 3 janë varur, 5 janë pushkatuar.
Për krime kundër shtetit:
Shihet se nga viti 1952 deri në vitin 1964, me përjashtim të viteve 1956, 1957, 1958 e 1960, në asnjë vit tjetër numri i të dënuarve me vdekje nuk ka zbritur nën 10 veta. Goditja e drejtësisë proletare ka qenë e fortë, në veçanti gjatë viteve 1952- 1955. Nga viti 1965 gjer në vitin 1974 numri i të dënuarve me vdekje është nën 10 veta, nga 1 në vitet 1971 e 1972, nga 2 në vitet 1965 e 1974, 4 në vitin 1967, nga 6 në vitet 1966 e 1969, e nga 8 në vitet 1968 e 1973. Në këto 10 vjet (1964- 1974), dënimet me vdekje për këtë lloj krimi kanë qenë më të pakta. Ndërsa në vitet 1975-1977 ka një farë ngritjeje, si pasojë e punës armiqësore të puçistëve në ushtri, e grupit të sabotatorëve në ekonomi dhe i atij në fushën e kulturës dhe të arteve, që u goditën nga Plenumet e IV, V, VI e VII të Komitetit Qendror të Partisë. Vetëm në vitin 1970 nuk ka të dënuar me vdekje për këtë lloj krimi. Për vrasjet: Vihet re se dënimet me vdekje nuk kanë qenë nën 10 për çdo vit, që nga viti 1952 deri në vitin 1968, me përjashtim të vitit 1961, kur kanë qenë 9 dhe të viti 1964, kur kanë qenë 7. Nga viti 1969 deri në fund të nëntëmujorit 1977 ato shkojnë nga 2 deri në 7 në vit. Nuk ka asnjë vit në këtë periudhë që të mos ketë pasur të dënuar me vdekje për vrasje po të gjykoç pa marrë parasysh ata të dënuar me 10, 15, 20 e 25 vjet burg, gjendja paraqitet shqetësonjëse. Prandaj, organet e Partisë e të pushtetit, organet e Drejtësisë dhe organizatat e masave, ashtu si deri tani, duhet të bëjnë një punë shumë më të gjerë edukuese me punonjësit për parandalimin e këtij krimi. Për vjedhjet e pronës socialiste: Dënimet me vdekje vetëm në vitet 1952-1955 janë mbi 10 në vit (nga 16 deri në 31). Nga viti 1956 gjer në vitin 1977 ato kanë zbritur nga 8 në 1. Në këta të 25 vjet e nëntë muaj, ka vetëm 7 vjet në të cilët nuk është dënuar me vdekje asnjë për këtë lloj krimi (vitet 1959, 1963, 1970, 1971, 1972, 1973 dhe 1976). Pra, 90 dënime me vdekje për vjedhje janë dhënë në vitet 1952-1955 që llogaritet 63.38 për qind të krejt dënimeve me vdekje të dhëna për këtë lloj krimi nga vitet 1952 deri në vitin 1977. Pakësimi i tyre në këta të 22 vjetët e fundit ndodh jo se dëmet e shkaktuara nga krimet që janë zbuluar gjatë kësaj kohe kanë qenë më të pakta, por se vetë gjykatat janë kufizuar në zbatimin e këtij dënimi. Nga të dhënat që paraqiten në pasqyrë del se në vitet 1952, 1957, 1960, 1962, 1965, 1967, 1969, 1972 të marrun së bashku, rreth 43 për qind e të dënuarve me vdekje për krime kundra shtetit u është falur jeta nga Presidiumi. Po kështu, për vitet 1952, 1954, 1956, 1957, 1958, 1960, 1961, 1963, 1965, 1969, 1970 rreth 50 për qind e të dënuarave me vdekje për krimin e vrasjes dhe të vjedhjes së pasurisë socialiste u është falur jeta nga Presidiumi. Nga pasqyra del e qartë se politika e Partisë sonë për ta parë dënimin me vdekje si një fenomen të jashtëzakonshëm është zbatuar nga gjykatat tona: p.sh., kundrejt gjithsej 3.347 raste krimesh kundra shtetit në këta të 25 vjet e nëntë muaj, për të cilët ligja parashikon dënimin deri me vdekje, janë dhënë vetëm 8.5 për qind, për krimin e vrasjes 25.3 për qind dhe për atë të vjedhjes 6.6 për qind. Megjithëkëtë, në punën e gjykatave dhe të kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë ka pasur tek-tuk ndonjë teprim në vendosjen e dënimeve me vdekje, çka tregon se nuk janë çmuar gjithnjë politikisht dhe me kujdes rrethanat dhe shkaqet e kryerjes së krimeve, si dhe përbërja politiko-shoqërore e ndonjë të gjykuarit, për të cilat ka tërhequr vëmendjen edhe Presidiumi i Kuvendit Popullor. Në politikën e dënimeve me vdekje, në përgjithësi organet e Drejtësisë duhet të tregohen shumë më të kujdesshme e më të matura. Punonjësit tanë, krimet kundra shtetit dhe autorët e tyre i urrejnë, i luftojnë dhe i dënojnë pa asnjë rezervë, pse rrezikshmëria e këtyre krimeve është më e qartë për ta. Por krime e tjera, si vrasje, rrahje, fyerje, vjedhje, dëmtime të pronës socialiste nuk i kuptojnë kudo e kurdoherë sa e si duhet, si shprehje e veprimtarisë së armiqve për të thyer unitetin e popullit tonë e për të degjeneruar e kompromentuar punonjësit dhe për të dëmtuar pronën e shenjtë socialiste. Në kërkesat për falje të paraqitura në organet e pushtetit e nga këto në Presidiumin e Kuvendit Popullor, jo për falje të të dënuarve me vdekje, por për falje të dënimeve me heqje të lirisë ose me zhdëmtim të pronës socialiste, vërehet një liberalizim jo i vogël nga organizatat e masave e nga ndonjëherë edhe nga organet e pushtetit që bëjnë propozime për falje. Letra e Komitetit Qendror të Partisë, drejtuar komiteteve të Partisë në rrethe e në ushtri, që të analizohet në plenume gjatë muajit tetor gjendja mbi kriminalitetin dhe të merren masa të veçanta nga Partia e levat e saja për të përmirësuar rrënjësisht gjendjen në këtë fushë, do të ndihmojë shumë që të kuptohet drejt e të zhvillohet më me forcë lufta e klasave, duke forcuar sa më shumë e organizuar sa më mirë sqarimin dhe edukimin ideologjik të punonjësve për parandalimin e krimeve e të shkeljeve të ligjeve, e si rrjedhim të rrisin vigjilencën e të kufizojnë sa më shumë veprimtarinë armiqësore.
Shkresa përcjellëse e raportit të Spiro Kolekës për Enver Hoxhën
Faksimile e raportit të Spirto Kolekës
Raporti: Në vitet 1975-1977 ka rritje të punës armiqësore
Armiqtë që prodhuan plenumet e viteve ‘70
Beqir Balluku në sallën e gjyqit
Vitet ‘70 kanë shënuar numrin më të madh të goditjeve ndaj të ashtuquajturve armiqtë të popullit e partisë. Më shumë se kaq, raporti sekret i Spiro Kolekës, ish-nënkryetar i Kuvendit Popullor, kapërcen logjikën e shifrave dhe vë në dukje cilësinë e viktimave, duke kujtuar profilin “VIP” të të ekzekutuarve. Si asnjëherë tjetër, këtë radhë shpata e diktaturës kishte shënjuar një numër të madh ministrash, zëvendësministrash e krerë të lartë të administratës komuniste. “Armiqtë” më së pari ishin pagëzuar si të tillë në plenumet e Komitetit Qendror, duke filluar nga Plenumi IV, i cili kryqëzoi “trurin” e piramidës drejtuese të artit e të letërsisë, dyshen Todi Lubonja e Fadil Paçrami. Plenumet pasardhës, sidomos i gjashti dhe i shtati, do të jepnin goditje më të fuqishme. “Armiqtë” e zbuluar në këto të fundit rezultuan më të rrezikshëm e si të tillë do të merrnin edhe dënimin. “Puçi” i mbetur në tentativë i drejtueseve të Ushtrisë, do t’i kushtonte jetën treshes Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako, respektivisht ministrit të Mbrojtjes, shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe drejtorit politik të Forcave të Armatosura. Po furtuna nuk do reshte me kaq. Tërë shtatmadhoria e ushtrisë do të shpërngulej nga vendkomanda në Tiranë në ferrin e Burrelit. Që këtej emrat e dy zëvendësministrave të Mbrojtjes, Rrahman Perllaku e Sadik Bekteshi dhe gjeneralëve Vaskë Gjino, Arif Hasko, Abas Fejzo, Ernest Jakova, Sulo Kozeli, Muhamet Prodani e Edip Ohri do t’i bashkëngjiteshin zhargonit të kohës me togfjalëshin “tradhtar”, “komplotist”, “agjent” etj. Mjaft syresh nuk arritën të dalin që aty të gjallë. Kur ende nuk ishte shuar jehona e kryqëzatës ndaj gjeneralëve, plenumi më vazhdim i KQ shpalli një tjetër grup armiqësor, këtë radhë në ekonomi. Fati i “sabotatorëve”, zbuluar si gjithnjë nga kreu i Partisë, ndoqi atë të drekuesve të lartë të ushtrisë. Viktima të plumbave në “Emër të popullit”, u bënë të parët dy zëvendëskryeministrat e qeverisë komuniste, Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi, dy nga ish-liderët e rëndësishëm për shumë vite të Partisë. Sakaq, dy ministra të saj, Kiço Ngjela e Vasil Kati, por edhe një numër i madh zyrtarësh të tjerë, morën dënime të rënda dhe u degdisën në burgjet e tmerrshme. “Në vitet 1975-1977 ka një farë ngritjeje, si pasojë e punës armiqësore të puçistëve në ushtri, e grupit të sabotatorëve në ekonomi dhe i atij në fushën e kulturës dhe të arteve, që u goditën nga Plenumet e IV, V, VI, e VII të Komitetit Qendror të Partisë”, argumenton Spiro Koleka, nënkryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, në letrën për Hoxhën shifrat në rritje të të ekzekutuarve në këtë periudhë. Në vijim të këtij konstatimi, raportuesi mundohet të shpjegojë arsyet pse numri i të dënuarve me vdekje për krime kundra shtetit(krime politike) ishte sa dyfishi i të dënuarve për vrasje. Logjika e tij, bumin e armiqve që prodhuan plenumet e viteve ‘70, e lidh me sensibilitetin e opinionit ndaj krimit të sabotimit, grushtit të shtetit dhe arratisjes, që sipas raportit është shumë herë më i lartë se ndaj krimit të vrasjes(!)
AFRIM IMAJ

“Arsyet pse Ardian Klosi vrau veten, e përzunë nga puna dhe problemet në familje”

Flet Kozara Kati, mikja e fëmijërisë së Ardian Klosit.
“Humbja e nënës në nëntor, pezullimi nga puna në janar dhe problemet private në familje”
Ai paralajmëroi dy herë për vetëvrasjen. Të tretën e kreu. Ardian Klosi e kishte menduar aktin prej muajsh. Fiks gjashtë muaj, kohë në të cilën iu qasën tri probleme njëkohësisht. Humbi nënën në nëntor, u pushua nga puna në janar dhe sakaq, jeta private duket se nuk i eci dhe aq mirë.
Për këtë të fundit, Kozara Kati, mikja e tij e fëmijërisë, por edhe e kauzave të përbashkëta, nuk jep detaje. Zgjedh që të heshtë për problemet familjare dhe të ngrejë zërin për atë që bënë dhe nuk bënë shokët dhe kolegët e Klosit, që ta ndihmonin ta shpëtonte nga vetëflijimi. “Të Danit”, më korrigjon aktivistja e njohur për të drejtat dhe liritë e njeriut. “Kam mësuar t’i thërras kështu që në çerdhe. Ardian më duket si emër i largët. Lëre pastaj kur më thua Klosi…”. Si mike ndër dekada e shkrimtarit, publicistit, përkthyesit, njeriut të letrave në përgjithësi, Kozara ka dëgjuar shumë rrëfime nga Dani i saj. Histori që nisin nga belbëzimet e para dhe deri te biseda e fundit me të në një prej kafeneve të ish-Bllokut. Disa prej tyre Kozara i ndan sot ekskluzivisht me gazetën “Panorama”…
Prej sa kohësh ishit miq ju dhe i ndjeri Ardian Klosi?
Që nga lindja. Dhe për mua nuk ishte Ardian Klosi, por miku im i fëmijërisë, Dani. Ashtu siç e thërrisnim e gjithë shoqëria. Me Danin kemi qenë bashkë që nga çerdhja, kopshti e shkollat në vijim. Kemi mësuar fjalët e para nga njëri-tjetri. Kemi ndihmuar të ecim nga njëri-tjetrin, të çohemi më këmbë. Kemi shpikur lojërat fëminore. Duke qenë në një lagje, në rrugën “Jul Varibova”, edhe arsimin e kemi bërë në të njëjtat institucione shkollore. Me motrën e tij, Emirën, kam qenë shoqe klase dhe më pas shoqe në çdo kohë. Edhe me motrën e tij më të vogël, Etlevën, kam pasur dhe kam shumë shoqëri. Pra, ndër dekada kemi pasur hyrje-dalje familjare. Miqësi që vijojmë ta mbajmë fort edhe sot e kësaj dite. Ikja e tij ishte njësoj sikur të kisha humbur një njeri të familjes.
Çfarë natyre kishte ai?
Në vogëli Dani ka qenë një fëmijë i brishtë, por që mbante në fytyrë gjithnjë një buzëqeshje, çka e bënte simpatik. Kur fliste, kishte një zë shumë të ëmbël dhe nuk shprehte asnjëherë zemërim dhe agresivitet. Ishte shumë i afruar me motrat e tij, Emirën dhe Etlevën, siç edhe i deshi deri në fund të jetës. Po ashtu edhe me nënën e tij, Jolandën. I rritur në një familje me vlera dhe me produkt impakti në shoqëri, Dani nuk mund të ishte ndryshe, veçse një pasues modest i gjyshit të tij.
Gjyshi i tij ishte…?
Ardian Klosi dhe Kozara Kati
Gjyshi i tij ishte i madhi Aleksandër Xhuvani. Për çudinë e të gjithëve ai nuk e përdori kurrë emrin e gjyshit, edhe pse ishte pasues i denjë e tij. Madje, shpeshherë isha unë ajo që e identifikoja nëpër tavolina me letrarë se Dani ishte nipi i Xhuvanit. Por Dani nuk ishte nga ata tipa që kërkonte të binte në sy apo të bënte protagonizëm. Si i tillë, nuk kërkoi të përfitonte nga fama e gjyshit apo nga dikush tjetër. Kishte një bibliotekë tejet të pasur dhe librat për Danin ishin profesion dhe pasion njëkohësisht. Donte apo nuk donte Dani, e reklamonte apo e fshihte, ai ishte fiks pasuesi i gjyshit të tij. Ai vetë e dinte shumë mirë këtë, por siç jua thashë, nuk tregonte. Ndryshe i dukej sikur mburrej…
Po vitet e fundit, çfarë ju lidhte me Klosin?
Viteve të fundit me Danin na kishin bashkuar kauzat e shoqërisë civile. Ai ishte pjesë e grupit të intelektualëve dhe qytetarëve, të quajtur “AKIP”, pra Aleanca Kundër Importit të Plehrave. Me Danin ndanim të njëjtin mendim për të drejtat dhe liritë e njeriut. Jemi vend demokratik që kemi një Kushtetutë që i sanksionon këto të drejta dhe liri, të cilat kanë të bëjnë me garantimin e jetës dhe të një zhvillimi të qëndrueshëm. Dhe zhvillimi i qëndrueshëm është i lidhur me mbrojtjen e ambientit. Nuk duhet ta shkatërrojmë ambientin për interesa të vogla, pasi në mënyrë të tillë shkaktojmë shkatërrimin e jetës së brezave. Me këtë kauzë u bashkuam që nga viti 2004 me Danin dhe vijuam ndër vite. Protestuam kundër importeve të plehrave, kundër ndotjes së ambientit etj. Gjithashtu më duhet t’ju kujtoj faktin që Dani ishte një nga iniciatorët pro promovimit të trashëgimisë kulturore, ku herë me protesta dhe me shkrime mediatike sensibilizonte opinionin. Kur ishte rasti i Piramidës, ai ishte në krye të mbledhjes së firmave kundër prishjes së këtij objekti. Mblodhi mijëra firma ndër shqiptarë dhe shkaktoi bujë ndërkombëtare duke e bërë këtë çështje të njohur kudo. Madje, edhe te komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Europian, Stefan Fyle.
A paguhej Klosi për këto pjesëmarrje në protesta dhe iniciativa?
Nga viti 2004 dhe deri sot që flasim, puna e të gjithë grupit të angazhuar në AKIP nuk është paguar asnjëherë. Betejat kundër importit të plehrave dhe për mbrojtjen e ambientit janë bërë me punë vullnetare, ku më duhet të përmend që nga: Dani, Lavdosh Ferruni, Blendi Kajsiu, Sazan Guri, Yllka Hida, Andi Kananaj, Ermira Pirdeni, Andi Tepelena, Elton Kacidhja, Aldo Markoçi e deri tek unë. Pra, jo vetëm që nuk jemi paguar, por përkundrazi, kemi qenë kontribuues. Kajsiu, Dani dhe unë ramë dakord që të vetëfinancohemi me aq sa kishim mundësi. Kështu kemi bërë ndër vite dhe në çdo takim binim dakord se si do të bashkëvepronim për kauzat tona të përbashkëta.
Kur e keni takuar për herë të fundit të ndjerin?
E kam takuar një ditë para se të shkonte në Dardhë. Besoj 8-9 ditë para se të ndërronte jetë, nisur nga fakti se atje qëndroi rreth një javë. Pimë kafe në zonën e ish-Bllokut, në një lokal pranë Presidencës.
Për çfarë folët?
Publicisti i njohur Ardian Klosi
Folëm për kauzat tona të përbashkëta. I dhashë informacionet e fundit lidhur me firmat kundër importit të plehrave, të cilat ishin akoma në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ndërkaq, ai më tregoi se çfarë do të bënte në Dardhë. Më tha që së bashku me dy miq gjermanë do të ecnin kilometra të tërë nga Erseka deri në Përmet. Po i thosha që rruga është shumë e keqe andej, por ai nuk e kishte problem. Siç duket, të ecte ishte ajo që kishte nevojë.
Më duhet të theksoj edhe diçka tjetër lidhur me takimin e fundit. Më tha i trishtuar se e ndiente shumë mungesën e mamasë. “Brezi ynë është brez që nuk përsëritet më”. E ndiente shumë humbjen e saj. Që i vogël ka qenë shumë i lidhur me të. Dani më foli gjatë edhe për dy motrat, se sa e kishin ndihmuar. U ndal dhe te bashkëshorti i motrës së madhe, Emirës. Ai quhet Çapajev dhe shkurt i thonë Çapua. Duke qenë se janë persona që siç ju tregova, unë i njoh dhe i kam miq ndër vite, Dani më tregoi se sa pranë i kishin qëndruar këto kohë. “Ke motra të mira”, i thashë. “I kam vërtet”, më tha ai.
Përveç bisedës me ngrohtësi familjare, a dalluat ndonjë gjë tjetër tek ai që nuk shkonte? D.m.th. që nuk ishte mirë?
Po. Në fakt ai ishte i shqetësuar dhe këtë ma shprehu. Më tha që nuk kishte më as zyrë dhe as rrogë. Më tha: “Kur të kesh ti ndonjë përkthim për të bërë, më thuaj. Ti e di që jam shumë mirë me përkthimet…”. “Pa merak, ia ktheva, ti e ke kur të duash zyrën time”. Megjithatë, shqetësimi nuk e linte.
Pse nuk i kishte më as zyrën dhe as rrogën?
Sepse e kishin përzënë nga puna. Pas shumë vitesh kontribut në atë institucion, e hoqën në momentin më të vështirë të jetës.
Për çfarë institucioni bëhet fjalë?
Për institucionin “Goethe” (Gëte). Dani punonte aty si drejtor Ekzekutiv i shoqatës kulturore shqiptaro-gjermane “Robert Shvarc”. Ai personifikonte marrëdhëniet kulturore aty, si dhe bashkëpunonte ngushtë me institutet “Goethe” në Greqi dhe Gjermani. Kontribuonte për shkëmbimin e kulturës shqiptaro-gjermane dhe organizonte mbrëmje të mrekullueshme me letërsinë dypalëshe duke recituar proza dhe poezi. Dani mbetet një aset i pazëvendësueshëm me punën e tij në këtë shoqatë, si dhe për përkthimet e tij të gjermanishtes. Jam e bindur që vërtet Danin e hoqën nga puna prej aty, por ai do të mbetet gjithmonë një nga ndërmjetësit më të rëndësishëm në mes të këtyre dy kulturave gjuhësore, shqiptaro-gjermane.
Para sa kohësh e hoqën nga shoqata dhe me çfarë shkaku?
E hoqën nga puna në momentin më të vështirë të jetës së tij. Pasi kishte humbur nënën e tij, me të cilën ishte shumë i lidhur dhe ndërkohë kishte tentuar t’i jepte fund jetës. Pra bëhet fjalë për në janar.
T’ju ndërpres për një saktësim. Pezullimi nga puna ishte pas tentativës së parë për vetëvrasje, apo së dytës?
Pas tentativës së parë. Dani ishte në spital duke u kuruar kur një funksionare e re pranë institutit “Goethe” i kishte bërë gati librat dhe të gjithë dokumentacionin. Kur pas daljes nga spitali Dani u paraqit sërish në punë, u përball me shkarkimin. Motivi që i kishte dhënë zonja në fjalë kishte qenë: Menduam se nuk do të vije për një kohë të gjatë në punë. Nuk na shkoi në mendje se do të ktheheshe shpejt…
A ia dini emrin e funksionares në fjalë që e pezulloi Klosin nga puna?
Nuk dua të gabohem, por me sa më kujtohet, quhet Brigitta Grau-Günther. Shpresoj vërtet të mos gabohem për emrin. Me sa më pati treguar Dani, ajo ishte referente pranë institutit “Goethe” për Shqipërinë dhe drejtoreshë e “Deutschzentrum Tirana” (Qendra e Gjermanishtes).
Po Klosi, a reagoi në lidhje me pezullimin nga puna? Me sa dimë, ai nuk e ka denoncuar këtë fakt?
Jo, nuk e denoncoi. As e diskutoi nëpër tavolina. U tregoi vetëm disa miqve shumë të ngushtë, përfshirë mua. Dani nuk ishte tipi që krijonte debate për problemet personale. Ato i mbante nga brenda. Dani si Dani, pa bërë zë, pa bujë, pa bërë debat, ishte larguar. Me sa më tregoi gjatë bisedës, kishte marrë librat dhe gjithçka kishte pasur aty ndër vite dhe kishte ikur. Gjatë gjithë këtyre muajve pa punë nuk akuzoi njeri, nuk shfryu, siç ndodh zakonisht, por vetëm ndër miq të mirë qau problemin e vajzave.
Çfarë problemi kishin vajzat?
Vajzat nuk kishin asnjë problem, por çështja ishte se duhej të shkolloheshin. E madhja ndodhej në Paris, ku priste t’i dilte e drejta e studimit. Ndërsa vajza e vogël, e cila është shumë e talentuar në muzikë, shkonte në kurse private. I kishte pikë të dobët të dyja vajzat dhe kërkonte më të mirën për to. Edhe kur më tha për çështjen e pezullimit nga puna, vetëm vajzat mendonte. Kur punonim bashkë këtu te AKIP (Aleanca Kundër Importit të Plehrave), kur ndodhte që puna zgjaste me orë të tëra, Dani kërkonte leje gjysmë ore ose një orë, në mënyrë që t’i merrte nga shkolla apo t’i çonte nëpër kurset përkatëse. Ishte i çmendur pas tyre.
Gjatë intervistës ju përmendni vajzat e Klosit, nënën, motrat, e deri te kunati. Po për bashkëshorten e tij, Jutën, a ju fliste ai?
Bisedat për Jutën janë krejt private, shumë konfidenciale, dhe nuk mundem dot që t’i tregoj. Më pati thënë që ka pasur probleme në familje, por për këto askush më mirë se sa Juta nuk i di. Ndaj, kur pyetjet përmbajnë emrin e saj, duhet pyetur ajo dhe jo unë.
A ju ka kërkuar ndonjëherë Klosi ndihmë lidhur me shëndetin mendor?
Aktet e tij të vetëflijimit nuk është se u bënë ndonjëherë biseda tavoline. Kur tentoi herën e parë t’i bënte keq vetes, ne si grup i AKIP menduam që ta vizitonim në spital dhe t’i dhuronim një buqetë me lule. Pastaj e diskutuam gjatë dhe ndërruam mendje. E konsideruam si më të udhës që mos t’i binim në sy dhe ashtu bëmë. Kur ai u kthye në grup, të gjithë bëmë sikur nuk kishte ndodhur asgjë dhe vijuam bisedat e zakonshme.
As ai vetë nuk e hapi ndonjëherë atë bisedë?
Jo, as ai. As në tentativën e parë, as në të dytën. E kam telefonuar edhe kur ka qenë i shtruar në spital duke i dhënë kurajë. Edhe në telefon folëm sikur nuk kishte ndodhur gjë, sikur unë nuk e dija se ku ishte dhe pse ishte. Po ashtu edhe Dani. Duke e parë që ai nuk po hapej i pari, personalisht e pashë të arsyeshme që edhe unë mos ta ngacmoja. Megjithatë, di të them se vazhdimisht kam qenë në kontakte telefonike me motrën e madhe të Danit, Emirën, shoqen time të fëmijërisë. E kam pyetur atë se çfarë këshillash ka dhënë mjeku lidhur me shëndetin e tij dhe se si duhet të sillemi ne, shoqëria e tij, dhe nëse duhet ta ngarkonim me punë.
Dhe si ishin këshillat e mjekëve për rastin e tij?
Që duhej të angazhohej me punë. Ndaj më vjen shumë keq që Danin e hoqën nga puna në institut atëherë kur ai kishte më shumë nevojë. Dani pati një ngarkesë tejet të madhe emocionale këto muajt e fundit; humbi njëkohësisht nënën (nëntor), punën (janar) dhe ndërkohë kishte problemet e tij private brenda familjes. Siç duket, të tria këto u bënë bashkë dhe e mundën Danin tonë.
Gjatë homazheve dhe funeralit, shumë miq të Klosit u shfaqën duke lotuar dhe me shenja pendese. A mendoni se ata bënë aq sa duhet për të sa ishte gjallë?
Mendoj se nuk bënë aq sa duhet për Danin sa kohë ai ishte gjallë. Shumë njerëz u përlotën, por Dani nuk kishte nevojë për lot, por për mbështetje. Nuk kishte nevojë Dani për psherëtima, por për këshilla dhe kujdes. Dani kishte nevojë për shokët e tij të fëmijërisë që ta shihnin me dashuri. Ta shihnin si mik dhe jo si armik.
Për cilët shokë e keni fjalën?
Politika e politikëbërësit u shprehën post-mortum për Danin. Vlerat e një kombi, me sa duket, nuk bashkëjetojnë dot me kohën. U dashka që të vdesësh që të njihesh. Fatkeqësisht!
Në mos gaboj, ju nuk ishit as në homazhe dhe as në funeral. Pse?
Sinqerisht nuk e përballoja dot humbjen e tij. Nuk po e përballoj dot as tani (qan).
Si ju duket tashmë Tirana pa Danin?
Si pa Danin…?! Me sa duket, Tirana nuk e nxinte dot mikun tim!
Klosi, Kati dhe Ngjela, miqësia që rrëfehet edhe nga një foto fëmijërie

Duket vërtet një shoqëri që nga çerdhja e kopshti ajo mes dy ambientalistëve Kozara Katit dhe Ardian Klosi. Një fotografi e vjetër rrëfen më së miri miqësinë e tyre që nga fëmijëria, që siç duket, erdhi e u forcua ndër vite edhe për shkak të kauzave të njëjta të të dyve. Ata janë rritur së bashku në rrugën “Jul Varbova”, që ndodhet prapa Piramidës. E bashkë me to, në këtë foto ndodhet edhe Spartak Ngjela dhe motra e tij, Shpresa. “Kemi qenë pranë e pranë me shtëpi dhe kemi pasur marrëdhënie të afërta familjare. Siç na shihni në këto foto, të gjithë fëmijë, atëherë luanim së bashku”, thotë Kozara, teksa tregon me radhë emrat e të fotografuarve të tjerë. Aty identifikon Emirën dhe Etlevën, dy motrat e Klosit, si dhe një kushërirë të tij. “Më vjen mirë që nuk e humbëm miqësinë me njëri-tjetrin ndër vite, por më vjen shumë keq që e humbëm Danin, më të mirin ndër ne”, psherëtin Kozara. E pas psherëtimave ajo ngashërehet. Nga fillimi e deri në fund të intervistës, rrallë fjali e tha pa lot...
ELISABETA ILNICA