Sunday, April 8, 2012

Rexhep Qosja: Nuk preket Himni për një parrullë politike

TIRANE - S’mund të ndërhyjnë në Himnin Kombëtar. Ka mjaft hapësira për të respektuar të drejtat e gruas. Kjo do të cenonte rëndë momentin historik, të vërtetë, traditën... Akademiku Rexhep Qosja, ka reaguar ashpër dje pas një deklarate të Avokatit të Popullit për përshtatje në tekstin e himnit kombëtar. Për “Shqiptarja.com”, Akademiku Qosja sjell këtë intervistë telefonike, ku argumenton mbi të drejtat dhe barazinë gjinore, dhe deri ku mund të shkojnë ato, pa e prekur traditën dhe të vërtetat historike.

Profesor, a kemi të drejtë të ndërhyjmë sot, tek Himni Kombëtar?
Jo, them se jo. Nuk bëhen këto ndërhyrje në himnin kombëtar. Ai është krijuar atëherë kur është krijuar. Ka një emër, ka nj autor, ka një traditë, s’mundet... Unë nuk e përfill një propozim të tillë.

A shkelet e drejta e autorit në këtë rast?
Absolutisht po. Shkelet rëndë.

Po si dokument historik, a cënohet?
Si dokument historik kemi të bëjmë me një ndërrim të autenticitetit, origjinalitetit, vlerës. Atëkohë është menduar ashtu. Pse burrë? Kanë luftuar burrat, nuk kanë luftuar gratë. Ka edhe raste të veçuara që kanë luftuar gratë, si në rastin kur partizanët i futën në radhët e luftës edhe gratë, pak a shumë. Por jo, s’ka qenë traditë për shqiptarin. Nuk mund ta ndërrojmë të kaluarën. Ka qenë e këtillë.
Nuk më duket propozim i arsyeshëm.

Me këtë arsyetim, mos dalim kundër barazisë gjinore?
Kemi mundësi të tjera, hapësira të tjera, fusha të tjera, shumëçka tjetër ku gratë mund të ndihen në pozita të barabarta. Dhe ka dashur zoti, siç thotë populli, po bëhen realitet këto gjëra. Gruaja shqiptare sot është e liruar prej zakoneve e diskriminimeve që pësonte dikur. Nuk kemi nevojë të bëjmë ndërhyrje në himnin kombëtar për një parullë politike.

Po nëse ky propozim shkon paralelisht me propozimet e BE-së për integrim?
Jo, të ndërrojmë himnin!!! Le të plotësohet gjithçka që kërkon Bashkimi Evropian. Megjithëse ata kërkojnë që të jetë prania e grave 30 përqind në kuvend. Po pse nuk e bëjnë 50 përqind nëse duan të jenë plotësisht të barabartë. Përse nuk e kanë bërë vetë këtë gjë në vendet e tyre? Pse vetëm Suedia ka një përqindje të lartë, pothuajse të barabartë mes meshkujve e femrave në Parlament? Jam absolutisht për një barazi të plotë të gruas me burrin, por jo të ndërrohet himni kombëtar.

Kjo ndërhyrje është kërkuar në kontekstin e 100-vjetorit të Pavarësisë. A e përligj ky përvjetor këtë ndërmarrje?
Asgjë nuk e arsyeton ndërhyrjen apo ndryshimet në himnin kombëtar. Kurrëfarë përvjetori, as 100 as 200-vjetor, sikur të ishte. Jo jo... Është 100-vjetori i pavarësisë. Le ta kremtojmë në mënyrë sa më të bukur, sa më të arsyeshme, sa më të ndershme, sa më të plotë. Por jo ta ndërrojmë historinë. Ka qenë e tillë, me të mirat e të këqijat, fitoret dhe dështimet. Pse, për hir të 100-vjetorit të bëjmë edhe ndryshime në himnin kombëtar? Asnjë politikë serioze nuk do ta kërkonte këtë.

Në këtë rast ideja është hedhur nga avokati i popullit...
E kam ndjekur shpesh në televizion Avokatin e Popullit. Më ka lënë përshtypje shumë të mira. Por ky propozim i tij, nuk më duket për përshtypje të mirë.

Profesor, kundërshtimi juaj, mos lidhet pak me lidhjen shpirtërore që ju keni me Asdrenin si tekstshkruesin e himnit, nj autor që e keni studiuar gjerësisht dhe i keni kushtuar vite të tëra pune?
Nuk ka lidhje. Unë e kam studiuar Asdrenin siç do të studioja çdo shkrimtar tjetër. Unë madje e them se ai himn kombëtar, i cili nuk është plotësisht origjinal, është adoptim i një vjershe rumune, si tekst letrar nuk është antologjik, nuk është i shkëlqyer, por është bërë himn kombëtar dhe tekstet e himneve kombëtare të shumë popujve nuk janë tekste antologjike, janë të atilla, siç janë bërë në një moment të caktuar historik, dhe popujt i nderojnë, i respektojnë, nuk i ndryshojnë.
Unë kështu mendoj. E di se ka të tjerë që mendojnë ndryshe. Demokraci është. Le të urdhërojnë e të mendojnë ndryshe, mendimi im është i këtillë. Pra jo se e ka shkruar Asdreni. Edhe po ta kishte shkruar Naim Frashri, Zef Serembe, Fan Noli, apo Lasgush Poradeci, që mund të kishin bërë një vjershë mbase edhe më të bukur, por e ka dashur puna ashtu, dhe e ka shkruar Asdreni. Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi, kanë qëlluar në Bukuresht kur kanë ardhur të shpallin Pavarësinë në Vlorë. Iu është dashur Himni dhe Asdreni e ka bërë tekstin për himnin kombëtar, iu është dashur flamuri dhe një grua e ka qëndisur edhe flamurin. Kështu ka ndodhur atëherë e ne duhet ta respektojmë atë moment historik, atë kohë, ata njerëz.

(ap/im/shqiptarja.com)

Mbreti në hije…

Nga Alfred Lela/Fotot: Armand Sallabanda/ Revista Mapo mumri i Shkurtit
Intervista / Princi Leka flet për amanetin e të atit dhe për dëshirën që të jetë i pari në Dinastinë Zogu që do të bëhet gjysh. Lidhjen e tij me Mbretëreshën Geraldinë dhe kujtimi i Mbretit Zog.
Në një natë të acartë shkurti, bashkë me Edi Lesin, një koleg që ka punuar me Princin Leka në ministrinë e Jashtme, bëjmë për nga Pallati Mbretëror. Edi ka luajtur rolin e ndërmjetësit për një bisedë me Trashëgimtarin e fronit, dhe falë tij, shmangen ato momentet mbushur me siklet e kortezi kur bashkëbiseduesi të është jo vetëm i panjohur, por edhe një i panjohur emri i të cili shoqërohet me titullin Princ. 
Në fillim si duhet t’Ju drejtohemi, pra cila është etiketa e duhur sipas ceremonialit, dhe si u pëlqen Ju personalisht, Naltmadhni, Princ Leka…?
Faleminderit për pyetjen, sigurisht që kjo varet nga konteksi, në rastin konkret mund të më drejtoheni edhe thjesht me emrin Leka, por sipas protokollit me titullin Naltmadhëri i drejtohen vetëm Mbretit, ndërsa djalit të tij, Princit, i drejtohen me termin Lartesë.
Lartesë. Nëse do të bënit një kategorizim të njerëzve që u drejtohen, secili me një nga këto cilësime që përmenda më sipër, si do i ndanit ata?
Së pari, askënd nuk do të ngarkoja me faj për mosnjohjen e terminologjisë protokollare, sigurisht duke përjashtuar në këtë rast diplomatët, ndërsa për pjesën tjetër kjo mosnjohje është e justifikueshme, pasi për rreth gjysëm shekulli kjo terminologji sipas ideologjisë komuniste përbënte herezi.
Si u drejtohet e fejuara Juaj? A ka ajo ende një emër ‘përkëdhelës’ për Ju?
Sigurisht që brenda çiftit nuk ka protokolle.
Në çift sigurisht që jo, por Protokolli i Oborrit ruhet në praninë në bisedë të Sulejman Gjanës, zv kryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit dhe me sa duket këshilltar i Princit. Gjana duket si një nga ata burrat e ardhur nga një kohë tjetër. Është i gjatë, i zbardhylët ka sy të çelët dhe është i veshur me kostum e kravatë. Shto këtu edhe një shall bezhë që sikur shkrihet me dritën e zbehtë të dhomës me kubaturë të lartë. Gjana flet në një gegnishte të qashtër dhe thotë se ka lindur në Belgjikë. Po të mbyllësh sytë për një moment e të shkëputesh në kohë, Gjanën mund ta zëvendësosh me një prej shoqëruesve të Ahmet Zogut ndërsa Princin me gjyshin e tij. Kjo dhomë mund të jetë kudo: në një hotel në Francë apo një kështjellë në rrethinat e Londrës. Çdo gjë që ka ndodhur e do të ndodhë me monarkinë, shqiptarët patjetër do ta lidhin me Mbretin Zog dhe trashëgiminë e tij.   
Kur të ndodhë betimi Ju do të emërtoheni Leka, Mbret i Shqiptarëve siç pat bërë edhe gjyshi juaj, për të shenjuar ‘shqiptarët’ dhe jo veç Shqipërinë?
Titulli që unë trashëgoj është Naltësia e Tij Mbretërore Princ i Kurorës Leka II i Shqiptarëve.
Dua të ndalem te betimi Juaj si Mbret. A ka ndodhur ky betim mbi varrin e Mbretit Leka I, siç e tha shtypi, apo më shumë ishte një fjalë lamtumire?
Betimi im nuk ishte zyrtar, por lidhej me amanetin e Tij dhe detyrimin tim si djalë dhe si Princi i Shqiptarëve për të ndjekur rrugën e Tij.
Cili ishte ky amanet? A mund të bëhet publik?
Amaneti i tij ishte shumë i thjeshtë: Të vazhdoj me devotshmëri rrugën e tij!
Ç’parashikon Statuti i Mbretërisë kur, ku, dhe si do të ndodhë betimi i Princit Leka si Mbreti Leka II?
Kurorëzimi im, pavarësisht se kur, do të bëhet në përputhje me vullnetin e lirë të shqiptarëve.
Ç’doni të thoni me ‘vullnet i lirë i shqiptarëve’?
Me votën e tyre të lirë, nëpërmjet Parlamentit ose një referendumi të pamanipuluar.
Në dekorin e madh që shoqëron Familjen Mbretërore Shqiptare, referendumi i vitit 1997, me pyetjen ‘a jeni për Monarkinë apo për Republikën?’ është një moment i errët. Zgjedhjet e 1997-ës ishin më tronditëset në historinë post-komuniste të Shqipërisë. Mbretërorët fituan bindshëm në disa zona të vendit dhe me po kaq bindje kontestuan rezultatin final, të cilin e konsideruan të manipuluar. Pjesë e kësaj proteste ishte edhe ‘bravadoja ushtarake’ e të ndjerit Mbreti Leka, i cili u shfaq i armatosur, bashkë me ndjekësit, në afërsi të Pallatit të Kongreseve. Kaosi që pasoi prodhoi një të vdekur në anën e Mbretërorëve dhe një urdhër arresti për Mbretin Leka që u detyrua të largohej nga Shqipëria. I njohur me këtë dekor e këtë histori, ndoshta Princi Leka duhet të ketë patur mëdyshje në lidhje me rolin e tij të ardhshëm.
A keni menduar ndonjëherë: unë nuk dua të jem Mbret ‘i një mbretërie që s’ekziston’. Dua t’i jap fund këtu dhe të vazhdoj jetën si pasardhës i Mbretit Zog, por pa etiketimet e ceremonitë, thjesht si qytetar i vendit të tij dhe timit?!
Ju përmendet fjalën “amanet” dhe besoj se ia dini kuptimin, pra shqiptarët nuk do ta pranonin kurrë mosmbajtjen e amanetit. Familja Mbretërore nuk është vetëm e imja, por i përket të gjithë shqiptarëve.
Amaneti është që Ju të betoheni si Mbret dhe të bëni çdo përpjekje për rikthimin e Monarkisë si formë regjimi…
Amaneti nuk është i lidhur vetëm me sistemin. Për mua do të thotë të jem i përkushtuar në çështjen kombëtare. Do të thotë të punoj dhe të jetoj për Vendin tim, për të gjithë Shqiptarët pa dallim. Që edhe fëmijët e mi të flasin Shqip dhe ta shikojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri. Të jem në Shërbim, siç kanë qenë të gjithë paraardhësit e mi.
Kur i bën një vijë fati Familjes Mbretërore Shqiptare, ajo, dashur pa dashur, të lidh me fatin e monarkive të tjera europiane të pas Luftës së Dytë Botërore. Në mërgim, duke pritur, herë në dritë, por më shumë në hije, i gjen të gjithë mbretërit, mbretëreshat apo princat europianë: italianët, grekët, jugosllavët, bullgarët e të tjerë. Ata parakalojnë në sytë e opinionit publik fatin e trishtë të përmbysjeve të mëdha që solli Lufta e Dytë në Europë. Shkëlqimi i tyre është i një kohe tjetër dhe brenda kësaj drite që birret e birret ata përcjellin njëri –tjetrin. Aty janë edhe mbretërorët shqiptarë, që zhvendosen sa nga një cep i Europës në tjetrin, për të marrë në sy edhe Amerikën e për të provuar si destinacion përfundimtar të largëtën Afrikë të Jugut. Në këtë zhvendosje brenda lëkurës tëndë, si i thonë, nuk mund të mos ndjehesh leqelëshuar e fatalist.
Familja Juaj, por në përgjithësi shumica e familjeve  mbretërore në Europë pas Luftës së Dytë Botërore, mund të konsiderohet e pafat? A ndjeheni Ju i pafat?
Gjatë diktaturës komuniste të gjithë shqiptarët ishin të pafat, ndërsa sot unë e shoh veten me fat, pasi më në fund Familja Mbretërore u kthye në Atdhe.
Kur nuk jam pjesë e bisedës i hedh sytë rreth e rrotull dhomës ku jemi ulur. Princi e kap këtë dhe shpjegon se dhomat në Pallat janë me dekoracione të ndryshme dhe kjo ku po rrimë është me motive afrikane. Familja e Tij ka kaluar shumë vite në Afrikën e Jugut dhe nëse historia e mbretërorëve shqiptarë në kontinentin e errët mund të shpejgohej përmes këtyre maskave të varura nëpër mure, ato do të pikonin trishtim. Ato maska, në një mënyrë a tjetër shërbejnë, jo vetëm si ‘historik i shpejtë’ i një pjese të jetës së Familjes Mbretërore, por edhe si urë lidhëse mes Mbretit Leka dhe Princit Leka. Mes të atit me të birin.
Nëse do e përshkruanit me disa fjali babanë Tuaj, Mbretin Leka I, cilat do të ishin ato?
Babai im, Mbreti Leka I, gjithë jetën ia kushtoi çështjes kombëtare dhe besoj se përfaqësoi mëse miri simbolin e unitetit kombëtar. Si pasardhësi i Tij i jam mirënjohës, pasi atdhedashurinë ma ka kultivuar edhe mua që në fëmijëri.
Më thoni Ju lutem, dhe nëse mundeni, cili ka qenë reagimi i parë kur e patë apo u thanë se babai Juaj kishte mbyllur sytë përgjithmonë?
Më lejoni të mos i përgjigjem kësaj pyetjeje.
A jeni besimtar në përgjithësi? Ju jeni pjesë e një familjeje dybesimëshe por, cila fe ka luajtur rol më të madh nën jetën Tuaj, Krishtërimi apo Muhamedanizmi?
Une besoj në Zot,dhe të dyja besimet me të cilat jam rritur më kanë hapur më shumë horizont drejt kulturave që secila prej tyre përfaqëson.
Princi Leka është një djalë i gjatë. Ky vertikalitet trembës zbutet megjithatë nga manierat e tij, e folura e qetë, sytë e paqtë dhe një theks anglez në të folur që e bën të duket më shumë një Windsor se sa një Atilë.
Ju jeni një individ ekzotik, edhe për një vend plot ekzotizma si Shqipëria: keni theks të huaj në të folur, jeni shumë më i gjatë se mesatarja e shqiptarëve; keni tipare më të zbardhylëta se sa mesatarja e vendit e cila, mund të thuhet, është ‘e zeshkëta’ dhe; jeni zëbutë, në një vend ku më hapësirë gjejnë bërtimat e çirrjet. A ndiheni nganjëherë ndopak si i huaj? Si dikush i cili nuk e ka vendin këtu?
(Qesh) Ndoshta keni të drejtë, por unë e dua këtë vend  siç është,edhe me paradokset e tij. Përsa u përket tipareve dhe fizikut tim mendoj se jam një malësor i vërtetë.
Unë nuk besoj se do i shmangeni frerëve të të qenit ‘politikisht korrekt’, por nganjëherë, shqiptarët, që në një situatë tjetër mund të ishin nënshtetasit tuaj, a nuk janë, deri diku, të paqeverisshëm?
(Qesh) Barcaletë: Mbreti Zog, Bulevardin e ndërtoi shumë të gjerë që autobusët  të ecnin horizontalisht, kjo pasi çdo shqiptar dëshiron të ulet në vendin e parë. Por, le të kthehemi seriozë: ndoshta hapësirat duhen zgjeruar që secili individ të gjejë vendin e tij.
Një zgjerim i mundshëm i hapësirave do të ishte Shqipëria e bashkuar, që së fundi etiketohet me emra të ndryshëm në varësi të atij apo asaj që e artikulon predispozitën: E Madhe, Natyrale, Etnike e të tjera. Për këtë, Princi Leka, kur të kurorëzohet, ashtu si i gjyshi dhe i ati do të quhet Mbreti Leka II i Shqiptarëve. Sigurisht mund të flasim për hapësirë të zgjeruar, ëndrra dhe idelae të mëdha të matjanit Ahmet Zogu nga Burgajeti që u shpall Mbret i Shqiptarëve.
A keni qenë në Burgajet të Matit, në vendlindjen e gjyshit Tuaj? Cilat janë ndjesitë që patët kur vizituat tokën e të parëve?
Në Burgajet shkoj vazhdimisht  dhe ndjehem shumë i lidhur me zonën e Matit.
Ka një mendim që qarkullon prej dekadash dhe që i ka rrënjët te qëndrimi i komunistëve ndaj Mbretit Zog, sipas të cilit, ky i fundit e tradhëtoi vendin kur u largua më mërgim, në vend që të rrinte këtu e të luftonte…
Kjo është më tepër një çështje e propagandës së sistemit komunist. Parlamenti shqiptar vendosi largimin e përkohshëm të Mbretit, pasi qëndrimi i tij rrezikonte pavarësinë e shtetit. Mbreti Zog nuk pranoi të bëhej një vegël e pushtuesve dhe të mbretëronte nën bajonetat e tyre. Mbreti Zog ishte rasti me unikal në Europë që nuk u rreshtua në rradhët e koalicionit nazifashist.
Ndërkohë, qëndrimi ndaj Mbretëreshës Geraldinë, qoftë edhe nga komunistët, ka qenë i butë, ose më pak mohues. Pse mendoni se ka ardhur kjo?
Me sa duket, pas 10 vitesh mbretëri, shqiptarët prisnin me padurim Mbretereshën e tyre e cila do te simbolizonte vazhdimësinë e kësaj familjeje. Përveç kësaj, ajo që në fillim u angazhua për t’i shërbyer Shqipërisë dhe i qëndroi deri në fund besnike idealeve të Mbretit Zog. Ajo e deshi këtë vend dhe dëshira e saj ishte të prehej në tokën shqiptare. Jam shumë i lumtur që kjo dëshirë iu realizua!
Na flisni pak për Mbretëreshën Geraldinë, gjyshen tuaj, në nivel personal. Cila ka qenë marrdhënia Juaj me të?
Unë kam qenë shumë i lidhur me gjyshen time. Ajo më donte shumë, më tregonte historitë e familjes, më fliste për dashurinë e saj për Mbretin Zog, për Shqipërinë që e kujtonte me aq mall! Unë jam rritur me gjyshen time pranë dhe për këtë jam me fat. Ajo ka qenë frymëzim për ne dhe për të gjithë shqiptarët që sakrifikuan dhe e lidhën fatin e tyre me fatin e Familjes Mbretërore.
A Ju ‘vizitojnë’ në ëndrra të afërmit tuaj që kanë ndërruar jetë: babai Juaj, gjyshi, gjyshja, nëna? A vijnë ata si bartës të amanetit mbretëror, apo thjesht si njerëz të gjakut tuaj?
Nuk ëndërroj shpesh të afërmit e mi, por janë gjithnjë në mendimet e mia. Nukmund të them që vijnë nëpër ëndrra, por mund të pohoj se prindërit e mi janë gjithmonë prezent. I kam dashur shumë dhe vazhdoj t’i ndjej pjesë të jetës time, dhe kështu do të jetë gjithmonë.
Në oborr të Pallatit shfaqen edhe dy qen të mëdhenj. Në hyrje, te porta kryesore, qëndrojnë dy roje. Shto këtu këshilltarin e Princit, të fejuarën dhe këta, pak a shumë, këta duhet të jenë rezidentët e përhershëm të Pallatit. Të paktë për të mbushur një hapësirë të tillë dhe në kontrast të fortë me Oborrin e dikurshëm mbretëror ku gjezdiste Princ Tati, Princeshat motra, nëna Mbretëreshë, Mbretëresha Geraldinë, adjutantë e shërbëtorë të ndryshëm. Vetmi. A nuk vjen era vetmi?
A ndiheni i vetmuar? Ju jeni fëmija i vetëm i një Mbreti i cili ishte gjithashtu fëmija i vetëm i një mbreti tjetër. A do të jeni edhe Ju një Mbret njëfëmijësh, si paraardhësit Tuaj, apo do të shohim një Oborr Mbretëror plot e përplot? A keni folur për këtë me të fejuarën?
Disa ditë më parë isha duke parë me interes pemën e familjes dhe kam vënë re që asnjë anëtar i familjes së linjës Zogolli, nuk është bërë asnjëherë gjysh. Nisur nga kjo kam shumë dëshirë të ndryshoj fatin e familjes. Padyshim që e ndjej mungesën e prindërve, dhe sidomos të një motre apo vëllai, me të cilët do të ndaja gëzimet dhe hidhërimet! Por jam i lumtur që kam pranë Elian, e cila me kupton dhe me është gjendur pranë në çdo kohë. Fëmijët janë vullneti i Zotit, por ajo që unë do të doja shumë është të bëhem një ditë gjysh, gjë të cilën nuk e arriti dot as Mbreti Zog dhe as babai im, Mbreti Leka.
Asnjë prej atyre që e kanë pasuar nuk mund t’i shpëtojë krahasimit me të. Ai ishte Mbreti Absolut, Zogu I i Shqiptarëve, i pamëshirshëm me armiqtë dhe i kujdeshëm me miqtë, përllogaritës gjakftohtë dhe trim sipas një stili shqiptarësh të vjetër; njohës i mendjes shqiptare dhe përdorues mjeshtëror i saj; interpretues i Kanunit, fesë, sentimenteve, por edhe shtetndërtues, me aq lëndë të pakët sa të ofron një hapësirë ku fisnorja bën ligjin dhe ku ligji nuk njihet për mbret. Mbret i një kohe tjetër sigurisht, por edhe Mbret për çdo kohë, gjithashtu. Por Princi Leka duket se ka nga ajo lënda tjetër, një lloj qetësie dhe durimi, një lloj vetëdije se t’i japësh kohë kohës është gjithashtu një gjest mbretëror. Mes Zogut I dhe Lekës II shtrihet, e paanë, historia. Por të gjithë e dimë se ajo merr kthesa kur të gjithë shpresojmë se asgjë nuk ndryshon më brenda saj. Princi Leka, ky Mbret i pashpallur, ky Mbret në pritje, e ka në të atë genin zogollian dhe duket se gjyshi i ashpër do të gjejë brenda butësisë së vet kohën e duhur për të bërë aleancë me historinë.
Gjyshi Juaj, Mbreti Zog, është identifikuar si njohës i psikologjisë shqiptare dhe rrjedhimisht një menaxhues i mirë i ndarjeve fetare, krahinore e klanore ndër shqiptarë. Kjo cilësi, veç të tjerash, e ndihmoi atë të formonte shtet aty ku shtet nuk kish patur më parë. A është kjo psikologji shqiptare më kompatibël me një formë të qeverisuri si monarkia, dhe pse?
Mendoj se pyetja juaj e ka vetë përgjigjen brenda, prandaj dhe unë besoj në idealin e Mbretërisë Kushtetuese, si një sistem që siguron stabilitet politik, ekonomik e social, dhe kjo u provua jo vetëm gjatë kohës së Mbretërisë në Shqipëri, por edhe nga përvoja e shteteve më të përparuara të Europës.
Nga disa, shihet si shenjë ‘tërheqjeje’ ose ‘dorëzimi’ fakti se Ju jeni zyrtar i Republikës? A shihni ndonjë paradoks te kjo: dikush që pret të betohet si Mbret u shërben strukturave republikane të shtetit?
Detyra ime është të jem në shërbim të vendit tim në çdo rrethanë, përvoja institucionale do më shërbejë edhe më shumë për të ardhmen.
Bashkë me Edin çapitemi përmes një nate të acartë shkurti pasi jemi përshëndoshur me Princin Leka këshilltarin e tij dhe me rojet te porta. Pedonalja ka pak lëvizje. Në të djathtë gjendet ministria e Brendshme, ku princi Leka punon si këshilltar. A ka një paradoks te kjo: një trashëgimtar që synon fronin mbretëror punon si zyrtar i Republikës? Përgjigjen e kësaj e morët pak më lart, por çdo përgjigje, në fund të fundit, do të kishte qenë e pamjaftueshme. E mjaftueshme duket se është vetëm koha në dispozicion të Princit. Ai ka kohë për të gjitha: të martohet, të lindë trashëgimtarë, ta zgjerojë Oborrin dhe të punojë në pritë të historisë. A nuk pat bërë të njëtën gjë edhe parardhësi i tij, Mbreti Zog?

Vatra historiku dhe personalitetet:

Historia e Federatës Panshqiptare të Amerikës "Vatra" dhe organit të saj "Dielli", pasuri e very kombëtare
 
 
 
* VATRA një libër ku spikasin vlerat hulumtuese dhe perceptuese të autorit, i cili ka ditur të ruajë një raport të drejtë midis materialit historik e arkival të kohës dhe atij biografik për fakte dhe ngjarje të Federatës Panshqiptare "VATRA". Ky raport është zgjidhur drejt dhe mirë edhe në gërshetimin e personaliteteve të shquara të diasporës shqiptare në SHBA të viteve 1912-1920.

* Me pasionin e një studiuesi e shkencëtari të mirëfilltë, falë dhe bashkëpunimit të ngushtë me kreun aktual të Federatës Panshqiptare, "Vatra", zotin Agim Karagjozi, autori e ka dhënë të plotë kontributin e diasporës shqiptare në SHBA gjatë dekadës së dytë të shekullit të kaluar, duke paraqitur dhe analizuar fakte dhe ngjarje të rëndësishme të asaj periudhe.
 
 
 
BEQIR SINA, New York
 
 
 
 NEW YORK CITY : Dhjetë vite më parë, Prof.Assoc.Dr.Beqir Meta, mik i dëshmuar i Vatrës, u dhuroje lexuesve të saj shqiptarë nje vepër historike, kushtuar periudhës së parë të historikut, të kësaj organizate, fatlume që i solli aq e aq të mira atdheut dhe bashkësisë shqiptare të kontinentit Amerikan. Një shoqatë, kjo, e cila tani është në përgatitjet e fundit, për të festuar ashtu si i ka hije dhe si e meriton - kjo flakadania e atdhetarizmit dhe patriotizmit shqiptarë në Amerikë, Federata Panshqiptare e Amerikës "VATRA"
    Për këtë monografi "Kryetari i Përjetëshëm" , ish kryetari i Federatës PanShqiptare të Amerikës, VATRA, zoti Agim Karagjozi, pasardhësi i kolosëve që udhëhoqën me plot lavdi këtë shqoatë, i ka thënë gazetës kombëtare Bota Sot, gazetarit tonë në New York, se " Kjo periudhë që quhet edhe "periudha e Artë" e historisë se "VATRES", përfshin vitet 1912-1920, dhe është një monografi që ska dyshim se do t'u bashkëngjitet kryeveprave të shkruara deri tani për Vatrën .
   Duke e risjell në kuadrin e 100 Vjetorit të themelimit të VATRES, botimin e kësaj monografie më duhet të ri-kujtojë se ish Kryetarin i shoqatës Vatra, zotin Agim Karagjozi, një figurë e njohur dhe personalitet i komunitetit. Pasi ai shpreh kënaqësinë e bordit të PanFederatës Vatra për sponsorizimin e kësaj vepre, duke e vlerësuar si një studim monografik shkencor për periudhën më të rëndësishme të saj ai shprehej atëhere  se: "Për ta pasqyruar në mënyrë sa më të plotë e reale mendimin politik të "VATRA"-s, veprimtarinë e saj të shumanshme politike e diplomatike dhe punën e madhe kulturore e propagandistike të atyre viteve, autori ka shfrytëzuar burime të shumta dhe një dokumentacion të pasur. Mjafton qoftë dhe një vështrim sipërfaqësor i kësaj monografie për të konstatuar se renditjen e materialeve autori e ka bërë në bazë të problematikës dhe kjo ndihmon lexuesin për shfrytëzimin me kriter të materialit shkencor-arkivor sipas interesave dhe pikësynimeve. Libri, padyshim përbën një sukses të prof. dr. Beqir Metës." thotë  "Kryetari i Përjetëshëm" , ish kryetari i Federatës PanShqiptare të Amerikës, VATRA, zoti Agim Karagjozi, 

 

Duke lexuar librin e Metës, "Federata Panshqiptare "VATRA" , shohim se aty ka dokumentet e pasura arkivore të shfrytëzuara mjeshtërisht nga autori janë një elementi rëndësishëm që përkojnë me idenë dhe vihen në shërbim të saj, duke ia rritur dukshëm vlerat kësaj monografie. Materiali arkival e biografik është i shumtë. Pikërisht për këtë monografia Federata Panshqiptare "VATRA" ka vlera njohëse dhe edukative. Ashtu si dhe shprehej njëri nga recensuesit e veprës, as. prof. dr. Muharrem Dezhgiu, kur thotë se "monografia Federata Panshqiptare "Vatra" synon të japë me besnikëri fizionominë, sukseset, dështimet, avantazhet dhe kufizimet e saj, pikëpamjet politike të drejta dhe iluzionet e saj". Ndërsa recensuesi tjetër, prof. as. dr. Merenglen Verli e konsideron këtë monografi një arritje të re në studimin e historisë së emigracionit shqiptar në SHBA dhe në trajtimin e disa prej problemeve thelbësore të historisë së Shqipërisë në vitet 1912-1920. Duke konfirmuar miratimin dhe vlerësimin pozitiv të Departamentit të Historisë Moderne në Institutin e Historisë, prof. dr. Verli shpreh bindjen se monografia Federata Panshqiptare "VATRA" është pritur me interes nga lexuesit shqiptarë dhe të hapësirës mbarë shqiptare në botë. Nga ana e saj, redaktorja letrare e veprës, Pranvera Hasani, evidenton faktin se fantazia e autorit i ka qëndruar besnike realitetit historik, duke theksuar sidomos disa pika kyçe të aktivitetit patriotik të diasporës shqiptare në Amerikë, në funksion të çështjes sonë kombëtare.

Me pasionin e një studiuesi e shkencëtari të mirëfilltë, falë dhe bashkëpunimit të ngushtë me ish kreun e Federatës Panshqiptare, "Vatra", zotin Agim Karagjozi, autori  ka dhënë me botimin e tij libri të plotë kontributin e diasporës shqiptare në SHBA, gjatë dekadës së dytë të shekullit të kaluar, duke paraqitur dhe analizuar fakte dhe ngjarje të rëndësishme të asaj periudhe. Ndër studimet më të përkryera të prof. dr. Beqir Metës të përfshira në këtë vepër mund të veçohen ato me titull "Denoncimi i politikës aneksioniste greke ndaj Shqipërisë", "Reagimi i "Vatrës" kundër pushtimit të Shqipërisë nga shtetet ndërluftuese", "Vatra" në lëvizjen kombëtare gjatë Luftës së Parë Botërore", "Marrëveshja e përfaqësuesve të "Vatrës" me Romën", "Mbrojtja e çështjes shqiptare në Konferencën e Paqes (1919-1920) si dhe "Përpjekjet për të siguruar përkrahjen e SHBA". Në këtë këndvështrim monografia e prof. dr. Beqir Metës mbështetet në një dokumentacion të pasur e literaturë të gjerë, të shfrytëzuar me kujdes prej tij. E ndriçuar nga të dhëna e fakte të gjurmuara brenda vendit dhe në diasporën shqiptare të asaj kohe të lavdishme, kjo monografi, botim i shtëpisë botuese  "Globus R" i shtohet vargut të botimeve të çmuara, edhe nga autorë të tjerë që kan shkruar për historinë e Vatrës, por edhe të figurave qëndrore të saj, si ajo e Nolit (Autobiografia e Fan Stilian Nolit e shkruar nga Prof. Nasho Jorgaqit ) dhe Konica,(Faik Konica, jeta në Uashington - autor Ilir Ikonomi). Këto vepra janë nderi që i bëhet vetë Federates Panshqiptare "VATRA", në këtë 100 Vjetor të themelimit të saj, si deshmi e re, e traditave tona të mrekullueshme dhe e gjenisë krijuese të popullit tonë, që në çdo epokë, nga e cila ka kaluar ka ditur të nxjerrë njerëz të shquar të, të gjitha fushave. 

Historia e “Vatrës” është drejtësisht histori e lëvizjes nacionale shqiptare në Amerikë

Vatra është organizata që mobilizoi forcat kombëtare në Amerikë dhe me anë të këtyre forcave shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi. I ndjeri Faik Konica e ka përshkruar punën e “Vatrës” me këto fjalë në gazetën “Dielli” më datë 7 korrik 1922:

"Në ditët e errëta kur Shqipëria ishte e pushtuar nga ushtritë e huaja, kur shteti ish përmbysur, dhe kur flitej sheshit për copëtimit e vendit, “Vatra”, e këshilluar nga një pakicë patriotësh e shtyrë nga atdhedashuria dhe dëshira e anëtarëve të saj, e inkurajuar nga zëri i popullit i tërë shqiptarëve, e mori përsipër të veprojë në vend të shtetit të vdekur. Nuk kërkoji nderet as të drejtën e shtetit po mori përsipër vetëm detyrat dhe harxhet. Me shpenzimet e “Vatrës” u mbajtën delegatët, u dërguan misione, u subsidiuan agjenci, u kablluan mijëra protesta, me një fjalë u organizua mbrojtja e Shqipërisë, dhe u organizua aq e mirë sa Kryeministri i Greqisë z. Venizelos tha në Konferencën e Paqes në Paris, se të vetmin pengim serioz që gjeti në Epir Greqia, ish pengimi i vënë nga “Vatra”….

Vazhdon i nderuari Konica: Shuma e tërë e harxheve te bëra nga “Vatra” si zëvendëse e shtetit është: 197.072.89 dollarë amerikanë. Këto shpenzime, u bënë që në fillim dhe deri në vitin 1922 kur bëri llogarinë e sipërme Faik Konica.

Themelimi i “Vatrës”.

Mbledhja e parë për të bashkuar të gjitha organizatat e shqiptarëve të Amerikës në një federatë u bë më 24 dhjetor 1911, në Boston. Kjo mbledhje u thirr prej shoqërisë “Besa-Besën”. Në këtë mbledhje morën pjesë Faik Konica, At Fan Noli, Kristo Floqi, Marko Adams dhe Paskal Aleksi. Mbledhjet vazhduan deri më 28 prill 1912, kur “Vatra” u themelua zyrtarisht. Rekordi i komisionit të bashkimit më datën e sipërme, mban këto fjalë:



"E quajmë të formuar Federatën Panshqiptare “Vatra” të Amerikës, prej shoqërive “Besa-Besën”, “Flamuri i Krujës”, shoqërisë kombëtare dhe “Dallëndyshja”". Ne këtë mbledhje historike u emërua një pleqësi e përkohshme prej këtyre zotërinjve.

Sekretar AT Fan Noli, arkëtar Llambi Chikozi, menaxher i gazetës “Dielli” Kristo Kirka, organizatorët e degëve të federatës: Faik Konica dhe Kristo Floqi. Mbikëqyrës së gazetës “Dielli”: Paskal Aleksi, Elia Tromara dhe Kosta Vasili. Federata Panshqiptare “VATRA” , u njoh prej shtetit të Masacusetit dhe mori charten më 13 qershor 1912. Në chartën figurojnë këta emra: Faik Konica, Llambi Chikozi, Fan S. Noli , Kristo Floqi, Elia Tromara, Naum Cere dhe Kosta Kotta. Faik Konica 15 mars 1875-15 dhjetor 1942, Theofan (Fan) S. Noli janar 6, 1882 - mars 13, 1965.

ROLI I “VATRËS” NË LUFTËN BALLKANIKE DHE NË LUFTËN E PARË BOTËRORE.

Si e thamë më parë, “Vatra” u themelua më 12 prill 1912, në tetor të atij viti plasi Lufta Ballkanike dhe më 28 nëntor 1912 u shpall pavarësia e Shqipërisë në Vlorë. Për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë “Vatra” dërgoj Faik Konicën në Evropë dhe kisha jonë kombëtare dërgoi At Fan Nolin.

Faik Konica mbeti në Evropë deri sa mori fund Lufta e Parë Botërore, At Fan Noli u kthye në Amerikë më 1915 dhe mori përsipër fatin e “VATRËS” në dorë. Gjatë Luftës së Parë Botërorë “VATRA” u forcua shumë. Gjatë kësaj kohe gazeta “Dielli” u bë e përditshme nën drejtimin e zotit Kosta Chekrezi.

Gjate kësaj kohe u organizua trupa vullnetarësh, u themelua banda “VATRA” në udhëheqjen e prof. Thoma Nasit, u emëruan gjithashtu delegatë në Londër me në krye të nderuarin Mehmet Konica. Në afërsi të fundit të Luftës së Parë Botërore në qershor të vitit 1917 , “VATRA” hapi Fushatën Historike për Shpëtimin e Shqipërisë, me këto fjalë të paharruara prej Hirësisë Tij Peshkop Nolit:

"Mbahu nëno, mos kij frikë. Se ke djemtë në Amerikë"

Kur hyri Amerika në lufte në prill të 1917, At Fan Noli bashkoi personalisht Presidentin Wilson, i cili i dha fjalën se do të mbrojë pavarësinë e Shqipërisë, Wilsoni e mbajti fjalën deri në fund. Pa përkrahjen e Wilsonit sot nuk do të kishim Shqipëri.

Më 1920 me anë të “VATRËS” Qeveria shqiptare mori hua nga Vatranët, të cilën nuk e pagoi me nder ashtu siç u zotua.

Librat e fundit që u botuan me anë të “VATRËS” janë:

“Historia e Skënderbeut dhe Bethoveni dhe Revolucioni Francez” në gjuhën angleze. Këto dy libra monumentale të qëndisura bukur prej Imzot Nolit, u botuan me djersën e VATRANËVE. Gjysma e shpenzimeve të librit "KREMTORIA" që botoi Peshkopata u mblodhën nga VATRANËT.

Më pas “VATRA” nëpërmjet kuvendeve të saj vendosi të përqendroi veprimet e saj në këto pika: “VATRA” duhet të mundet të mbledhë në gjirin e saj rininë; kryesisht “VATRA” duhet të mbetet si një organizatë letrare dhe mirëbërëse, “VATRA” duhet të krijoje një fond të veçantë për studentet ashtu sikundër ka bërë dhe më parë.

Editori i “Diellit”.

Komisioni i Vatrës për vitin 1954-1955, kryetari nderit peshkop F. S. Noli (ph. d) kryetar Gregory Speros, nënkryetar adem K Vishocica, arkëtar Llambi Misho, sekretar Shefqet Kamber (Benca), editori i “Diellit” G. M Panariti, pjesëtar të komisionit, Kemal Veisel, Nicholas Vesio, Pandeli Michael, Koli Janollari, Van Konari, pjesëtar rezerve: Seit Beqo Selenica, John Tassey Chris Theodore. anëtarët e këshillit: Ismail Emin, Ramadan Ali Arza, Petraq Andon, Sadik Kamber Pepellashi, Ismail Mevlani, Xhafer Pojani.

Nga Federata “Vatra” - Boston Mass. Dhjetor 1954.

Gazeta “Dielli” u themelua prej shoqërisë “Besa-Besën” më 15 shkurt 1909, si fletore e përjavshme. Më 11 mars 1913 pasi shoqëria “Besa-Besën” u tret (lexo: bashkua) me “Vatrën” dhe “Dielli” u bë prioritet i federatës, nisi të dalë dy herë në javë. Më 18 nëntor 1914 nisi të dalë tri herë në javë. Më 9 nëntor, 1915, nisi të dalë e përditshme.

Redaktorë të “Diellit” kanë qenë këta zotërinj: At Fan Noli që më 15 shkurt, 1909, deri më tetor 15, 1909. Z. Faik Be Konica që më tetor 22 1909 deri më 18 mars 1910. Komisioni i shoqërisë “Vatra” e drejtoj “Diellin” pa redaktor që më 25 mars deri më 29 prill 1910. Faik Be Konica që më 6 maj deri më 1 korrik 1910. “Dielli” pushoj së botuari që më 1 korrik deri më tetor 1910. At Fan Noli që më 7 tetor 1910 deri më 7 korrik 1911. Z. Eft’him Nasi që më 13 korrik deri më shtator 14 1911. Z. Kristo Floqi që më 21 shtator 1911 deri më 18 korrik 1912. Z. Faik Be Konica që më 1 gusht 1912 deri më 8 korrik 1913, po në janar të këtij moti Faik Beu shkoi në Evropë dhe barra e redaksisë që atëherë i mbeti më tepër z. Eft’him Nasi. Z. Kristo Dako që më 11 korrik deri më 26 gusht 1913. Z. Paskal Aleksi që më 29 gusht 1913 deri më 13 shkurt 1914. Z. Denis Kamburi që më 17 shkurt deri më 14 korrik 1914. Z. Eft’him Nasi që më 10 korrik deri më 6 nëntor 1914. Z. Koste Çekrezi që më 10 nëntor 1914 deri më 20 dhjetor 1915. I Per. At Fan Noli që më 21 dhjetor deri më 6 korrik 1916. Z. Bahri Omori që më 7 korrik e deri më sot.

I pari menaxher i “Diellit” ishte z. George Konda Gjoleka që kur u themelua gazeta deri më 5 maj 1911. Z. Lambi Çikozi që më 12 maj 1911 deri më 25 prill 1912. Z. Kristo Kirka që më 9 maj 1912 deri më 20 maj 1913. Z. Lambi Çikozi që më 23 maj deri më 8 korrik 1913. Z. Kristo Dako që më 11 deri më 22 korrik, 1913. Z. Hamid Lumi që më 25 korrik deri më 26 gusht 1913. Z. Vangjel Gjika që më 29 gusht 1913 deri më 8 maj 1914. Z. Dennis Kamburi që më 12 maj deri më 3 korrik 1914. Z. Lni Kristo që më 7 korrik 1914 deri më 7 korrik 1915. Z. Muke Përmeti që më 9 korrik 1915 deri më 21 prill 1917. Z. Akif Përmeti që më 16 korrik 1917 deri më sot.

(Botuar pa ndryshime nga Kalendari i “VATRA”-s i vitit 1918 edituar për botim nga Fan S. Noli dhe botuar nga “VATRA” në shtypshkronjën e “Diellit” në 1918)
 
 
 
(Botuar pa ndryshime nga Kalendari i VATRA-s i vitit 1918 edituar per botim nga Fan S. Noli dhe botuar nga VATRA ne Shtypshkronjen e Dielli-t ne 1918

boston-vatra
Ky fakt tregon se mbledhjet e 15, 17 marsit dhe 22 e 24 marsit te vitit 1912 per bashkimin e shoqerive ne nje te vetme nuk kaluan pa probleme e debate, sepse asnje nga shoqerite nuk pranonte te tretej nen nje organizate te madhe duke humbur identitetin. Atehere Konica shprehu konceptin federativ me perfaqesues nga cdo shoqate dhe ne cdo 50 anetare kishte nje perfaqesues ne Komitetin Organizator me nje kuote anetaresimi 3 dollare ne vit. Faik Konica shtroi per diskutim dy emra per shoqerine e re: “Parmenda” (me kuptim kulturor) dhe “Vatra” (me kuptim patriotik) qe te mblidheshin rreth saj te gjithe shqiptaret si nje familje e madhe pa ndryshim besimi ne mes tyre fetarisht ose politikisht. Mes brohoritjeve shoqeria e re u quajt Federata Pan – Shqiptare e Amerikes “Vatra”. Komisioni i Bashkimit perbehej nga:
Fan S. Noli
Faik Konica
Kristo Floqi
Paskal Aleksi.
Delegatet e shoqerive:
Elia Tromara
Llambi Cikozi
Kristo Kirka
Kosta Vasil
Koste Kota

25.IV.1968: Prof. Koliqi i paraqet Shëjtnis së Tij Paulit VI Kryetarin e «Vatrës», z. Anthony Athanas. Në mes shifen: Shkelqesa Emzot Perniciaro e on. Dr. Rozolin Petrotta.
II prof. Koliqi presenta a S. S. Paolo VI il Presidente dell'Associazione albanese-americana «Vatra».(
*Foto e marrë nga revista Shëjzat.)
Vullnetaret shqiptaro-amerikane, qe i pergatiti Aqif Permeti (I pushkatuar nga diktatura komuniste) ne mjediset e marra me qera ne Boston dhe qe me 1920 ne kohen e luftes se Vlores, 200 prej tyre, shkuan ne Shqiperi per te ngritur frymen Kombetare(foto e marrë nga albumi i gazetës Dielli)
Krediti për këto foto i shkon vetëm arkivit historik të albumit historik të Vatrës dhe organit të saj Dielli
Krediti për këto foto i shkon vetëm arkivit historik të albumit historik të Vatrës dhe organit të saj Dielli
Krediti për këto foto i shkon vetëm arkivit historik dhe fotoalbumit të Vatrës dhe organit të saj Dielli
Krediti për këto foto i shkon vetëm arkivit historik të albumit historik të Vatrës dhe organit të saj