Saturday, April 2, 2011

Ali Pashai, miqësi me murgun grek Shën Kozma


Historia ka dokumentuar një miqësi të pazakontë dhe të habitshme mes shqiptarit të njohur e një murgu grek...Në kohët tona jemi mësuar të dëgjojmë apo edhe të imagjinojmë për plane të errëta, që fqinjët grekë kurdisin në kurrizin tonë.

Por, shkuar në kohëra të largëta, historia ka dokumentuar një miqësi të pazakontë e të habitshme mes shqiptarit shumë të njohur, Ali Pashë Tepelena dhe një murgu grek, të quajtur Shën Kozma.

Historia e miqësisë vazhdon edhe pas vrasjes së klerikut grek, kohë në të cilën Ali Pashai kujdeset që të ndërtojë një kishë në vendin ku u gjet trupi Shën Kozmait, edhe me qëllimin që eshtrat e murgut grek të ruheshin në brendësi të saj.

Kjo kishë, që ruhet e padëmtuar në rrethin e Fierit, gjatë kohës së komunizmit do të priste një vizitë të papritur të disa ministrave të qeverisë Greke, që kryesoheshin nga Karolis Papulias, në këtë kohë Ministër i Jashtëm.

Gjatë vizitës, pas ritualeve që kulmuan me puthjen ceremoniale të eshtrave të Shën Kozmait nga ministrat grekë, këta të fundit në asnjë rast nuk kërkuan kthimin e tyre mbrapsht në Greqi.

Një histori që ka në mes pikëpyetje nga ato që të bëjnë të ndiesh mbërritjen e ndjenjave të nacionalizmit.

50 vite frymë

image

Instrumentat frymorë të shkollës “Prenkë Jakova” në 50 vjetorin , një eveniment i rëndësishëm jo vetëm për shkollën artistike, për qytetin e Shkodrës me tradita të shquara në fushën e artit dhe kulturës, por për të gjithë Shqipërinë dhe hapësirën gjithë shqiptare. Emri i Prenkë Jakovës dhe tradita që ka krijuar ky institucion i ka dhënë shkollës artistike “Prenkë Jakova” përmasa kombëtare

50 vjetori i shkollës artistike “Prenkë Jakova” është një eveniment i rëndësishëm, jo vetëm për shkollën artistike, për qytetin e Shkodrës me tradita të shquara në fushën e artit dhe kulturës, por për të gjithë Shqipërinë dhe hapsirën gjithë shqiptare. Emri i Prenkë Jakovës dhe tradita, që ka krijuar ky institucion, i ka dhënë shkollës artistike “Prenkë Jakova” përmasa kombëtare. Nuk ka qenë e lehtë të krijojhej një institucion edukues dhe kulturor para viteve 90-të, siç është kjo shkollë, që pavarësisht në censurë totale, arriti të shkruajë vetë historinë me nxënësit dhe stafin e saj pedagogjik. Në këtë kontekst instrumentet frymorë, krahas sektorëve të tjerë siç janë harqet, piano, kanto dhe lëndët teorike, kanë patur dhe vazhdojnë të kenë një rol shumë të rëndësishëm në historikun e kësaj shkolle. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe për veglat frymore, të cilat kanë tabanin në Shkodër. Në vitin 1878 Maestro Giovani Canale, italian nga Napoli, krijoi “Bandën e parë muzikore” në 1878, në periudhën e sundimit otoman. Krijimi i kësaj bande shënon edhe fillimin e një “revolucioni” artistik jo vetëm për Shkodrën, por për të gjithë Shqipërinë, pasi janë hapat e para, kur Shqipëria e pushtuar kulturalisht po tentonte të ndryshonte gjeopolitikën kulturore, për t`iu bashkuar vendeve të përparuara perëndimore, nga ku kanë lindur dhe janë zhvilluar këto instrumenta. Krijimi i kësaj bande ka një rëndësi jo vetëm artistiko-kulturore, por edhe politike dhe gjeopolotike.

Shkodra, qyteti i Rozafës, qyteti ku është krijuar banda e parë është mirfilli, qyteti i kulturës, i këngës, pikturës, fotografisë, bicikletës së parë, pianos së parë etj, qyteti i filozofisës dhe i humanizmit.

Në Shkodër, arti dhe kultura kanë shtëpinë e vet. Këngët popullore-qytetare shkodrane janë të njohura në të gjithë hapsirën shqiptare për muzikalitetin e tyre arketipial. Shkodra ka luajtur gjithmonë një rol të rëndësishëm për ndryshimin e paradigmës së të menduarit dhe asaj kulturore.

Krahas muzikës popullore në Shkodër është krijuar edhe opera e parë “Mrika” e kompozitorit Prenkë Jakova. Shkodra është e shquar edhe në fushën e artit serioz, muzikës instrumentale dhe vokale serioze. Në Shkodër janë luajtur koncertet e para vokale dhe instrumentale nga artistët e kohës, që në vitet 30-të të shekullit të kaluar.

Krahas figurave të shquara të muzikës në Shkodër si Martin Gjoka, Prenkë Jakova, Tonin Harapi dhe Cesk Zadeja, figura e Palok Kurtit, ish kompozitorit të shquar shkodran, është gjithashtu e lidhur jo vetëm me këngët shkodrane, por ai ka qenë edhe dirigjent bande. Ja si shprehet aktori Lec Shllaku për artistin e madh:

“Me muzikën e Palok Kurtit në Shkodër, në qytetin ma muzikor të Vendit tonë, zu fill muzika e re e popullit shqiptar. Kompozitori i madh i hyni rrugës së lirimit të saj nga landët e hueja të Mesjetës bizantine e t’Orientit. Përsosi e plotësoi ahengun, ngriti bandën e parë frymore e formacionet e para të muzikës së letë e të vallzimit europian, bazë partiturash e instrumentash moderne. Organizoi edhe arsimin muzikor në qytet”. (Lec Shllaku, 2005)

Muzika shkodrane, kultura e saj e naltë, krijimi i bandës së parë muzikore dhe historia e Shkodrës 2400 vjecare, padiskutim janë të lidhuar edhe me hapjen e shkollës artistike “Prenkë Jakova”. Tradita e instrumenatave të frymës që ka pasë Shkodra, ka ndikim e saj edhe tek arritjet e këtyre instrumentave në shkollën artistike.

Por krijimi i shkollës së muzikës pati një rol shumë të rëndësishëm për përhapjen e artit muzikor në përgjithsi dhe përhapjen e instrumenteve frymore në vecanti. Shkolla e muzikës u bë misionarja e përhapjes së artit. Profesorët dhe nxënësat e saj në periudhën para viteve 90-të ishin të parët, që me artin dhe idetë e tyre përhapën idetë liberale, i kënduan ideve të lirisë së shprehjes dhe mendimit të lirë nën një çensurë totalitare.

Viti 1961 është një datë e paharruar për qytetin e Shkodrës. Ky vit shënon fillimin e mësimit muzikor në Shkodër. Në vitin 1973 inagurohet godina aktuale e shkollës artistike “Prenkë Jakova”. Këto data që janë evenimente të rëndësishme, marrin vlera historike dhe kanë ndikuar shumë në ndërgjegjësimin shpirtëror të qytetit të Shkodrës, në pasurimin e vlerave kulturore të këtij qyteti.

Banda e shkollës Prenkë Jakova drejtues Lekë Gjergji

Në Janar të vitit 1971, ka filluar mësimi për mësimin e instrumenteve të tunxhit si trombë, corno, trombon. Një rol shumë të rëndësishëm për përhapjen, edukimin dhe formimin e artistëve të ardhshëm për instrumentet e tunxhit, ka pasur profesor Lekë Gjergji. Pasi mbaroi Konservatorin në Tiranë, profesor Leka punoi me përkushtim prej intelektuali dhe ndikoi për zhvillimin e këtyre instrumenteve, jo vetëm në Shkodër, por edhe në të gjithë Shqipërinë e veriut. Kontributi i tij është i padiskutueshëm në këtë fushë.

Ja si shprehet profesor Lekë Gjergji për fillimet në instrumentet e tunxhit (profesor Lekë Gjergji ka pak ditë që është ndarë nga jeta):

“Fati e solli, që unë të isha profesori i parë në shkollën e mesme të muzikës, në qytetin e Shkodrës. Tradita muzikore në përgjithësi dhe ajo instrumenteve të frymës në veçanti ishte pothuaj njëqind vjeçare. Kjo traditë e vjetër për mua ishte një sinjal shumë i qartë për përgjegjësinë time. (Lekë Gjergji 2011).

Mësuesët e veglave të tunxhit në shkollën artistike kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në mësimin dhe përhapjen e këtyre e veglve. Ato janë: Lekë Gjergji, Sokol Marku, Qamil Gjyrezi, Gaspër Cuni, Vlash Raskaj, Ardian Bardeli, Shemsedin Vendreshaj, Petrit Koceku, Abdullah Salobegu, Karlo Radoja, Admir Lekaj.

Krahas veglave të tunxhit një vend shumë të rëndësishëm në historikun e shkollës artistike “Prenkë Jakova”, kanë edhe veglat e fiatit. Mësuesaët e veglave të fiatit gjatë 50 viteve janë:

Muhamet Grimci, Tish Mirdita, Matish Troshani, Andrea Marko, Ahmet Ujkashi, Lisen Bashkurti, Jakin Nenshati, Prenkë Mrishaj, Valbona Bushati, Alma Krroqi, Roland Guli, Bruna Keci, Agron Rexha, Indrit Kodraliu, Agron Grami, Rrok Jaku, Bert Naraci.

Klasa e Trombës, Trombonit dhe Cornos

Instrumenti i trombës është shumë i vjetër. Tromba është një instrument shumë popullor dhe jep mesazhe të mëdha artistike, psikologjiko-sociale.

Edhe tek ne instrumenti i trombës ka historinë e vet. Nga burimet arkeologjike dhe nga vargjet e poetëve grekë dhe latinë del mjaft qartë, se muzika ilire ishte zhvilluar shumë në të gjitha drejtimet që njohu muzika antike në përgjithësi.

Në viset dardane u krijuan formacione frymore që janë quajtur “Gojdare”. Gojdarët dardanë kryenin një aktivitet të dendur muzikor, si brenda Ilirisë, ashtu edhe jashtë saj. Kronisti italian Segredo në shekullin e 15-të flet për vlerësimin e madh, që iu bë një koncerti të Gojdarëve dardanas në viset romake (Isak Shehu, 1987)

Klasa e trombës ka krijuar një traditë shumë të mirë në shkollën artsitike. Sic shkrova ma lart me pasionin e madh të profesor Lekës filluan të dalin edhe istrumentistët e parë të Trombës. Me gjithë vështirësitë për literaturë perëndimore, instrumenta dhe informacion, profesor Leka u përpoq me të gjitha mjetet të mësonte instrumentistë të mirë. Tromba është instrument shumë i dashur, veçanërisht për Shkodrën. Mbas vitit 1982 kam filluar punën si mësues i instrumentit të trombës dhe solfexhit. Jam përpjekur që të çoj më përpara traditën shumë të mirë, që e kishte filluar profesor Lekë Gjergji, duke u përpjekur për të sjellë disa ide të reja për kohën.

Ja si shprehet profesor Leka për mungesat që është përballuar në vitet e para të punës:

“Mësimi i veglave të tunxhit ka filluar në kushte jashtëzakonisht të vështira. Shkolla nuk kishte asnjë prej këtyre instrumenteve. Faleminderit shtëpisë së kulturës, që na lejoi të përdorim instrumentet e shtëpisë së kulturës”. ( Lekë Gjergji 2011).

Tromboni në Shkodër dhe Shqipëri nuk ka ndonjë traditë të madhe, por mbas hapjes së shkollës së muzikës, u fut në programet e këtij institucioni.

Klasën e trombonit e ka filluar gjithashtu Lekë Gjergji. Edhe në instrumentin e Trombonit, ai punoi me një përkushtim të veçantë dhe si rezultat dolën edhe studentët e parë si p.sh: Luan Borova, Sokol Marku, Lekë Tusha etj. Por një rol shumë të rëndësishëm për zhvillimin e këtij instrumenti ka Sokol Marku, drejtori aktual i shkollës artistike. Ai e ka drejtuar klasën e Trombonit mbas viteve 1982, me shumë kompetencë dhe profesionalizëm. Si rezultat i një pune plot pasion dhe përkushtim filluan të dalin nxënësat e parë të tij, të cilët më vonë u bënë profesorë dhe instrumentistë të njohur. Mbas viteve 90, disa nxënës të Trombonit, kanë studiuar në shkollat e përparuara në Sh.B.A dhe Europë.

Klasa e Cornos është fillur nga profesor Lekë Gjergji. Studentët e tij më të mirë Gaspër Cuni dhe Vlash Raskaj e çuan më përpara traditën e mirë të krijuar në këtë instrument të rrallë.

Klasa e flautit, oboes, klarinetës dhe fagotit

Klasa e Flautit në shkollën artistike asht filluar nga profesor Tish Mirdita. Tish Mirdita me profesionalizëm dhe përkushtim intelektual nxori edhe nxënësat e parë të këtij instrumenti.

Flauti është instrument muzikorë i familjes së të drunjtave. Në Shqipëri edhe ky instrument nuk ka pasur ndonjë traditë të veçantë, përveç disa iniciativave, të cilat i përmenda më lart në grupe amatore dhe iniciativave personale. Historiku i tij fillon në Shkollën e muzikës “Prenkë Jakova” me hapjen e këtij institucioni.

Duhet përmendur edhe kontributi i flautistit dhe mësuesit Jakin Nenshtati, i cili punoi me një përkushtim të veçantë, për përhapjen e këtij instrumenti.

Oboe është një instrument shumë i rëndësishëm i veglave të drurit. Ashtu si edhe instrumenti i flautit, ky instrument kaq i dashur dhe i rrallë, nuk ka pasur ndonjë historik të mirëfilltë në Shqipëri.

Klasa e oboes është krijuar nga Tish Mirdita. Pavarësisht se ishte flautist, Tish Mirdita ka nxjerë intrumentistët e parë në këtë instrument, të cilët më vonë u bënë profesorë në Shkollën artistike “Prenkë Jakova”, p.sh. Andrea Marko dhe instrumentistë të cilët luajnë në formacionet serioze shqiptare, siç është Teatri i Operas dhe orkestra e Radio Televizionit në Tiranë. Profesor Andrea ka punuar me shumë përkushtim dhe profesionalizëm, për mësimin e Oboes. Ai është përpjekur sistematikisht, që të zhvillojë dhe të çcojë përpara instrumentin e Oboes, si në planin teknik ashtu edhe interpretativ.

Klarineta është një instrument muzikor i familjes së të drunjtave. Klarineta ka një traditë më të hershme në Shqipëri dhe në Shkodër.

Klasa e klarinetës është filluar nga muzikanti i vjetër shkodran Muhamet Grimci, por historikun e vërtetë të këtij instrumenti e ka filluar mësuesi shumë i pasionuar Matish Troshani. Më një përkushtim të madh dhe dëshirë për ta çuar këtë instrument në nivelet më të larta, nga klasa e profesor Matishit, dolën instrumentistët e parë të klarinetës, të cilët u bënë jo vetëm mësues të këtij instrumenti në shkollën artistike Prenkë Jakova, sic ishte Ahmet Ujkashi, por u bënë dhe instrumentistë dhe solistë të shquar, jo vetën në planin lokal, por edhe në atë kombëtar.

Fagoti është instrument i veglave të frymës së të drunjta. Fagoti u shfaq në formën moderne në shekullin e 19-të në orkestra, banda, dhe në literaturën e muzikës së dhomës. Edhe fagoti nuk ka pasur ndonjë traditë të madhe në Shqipëri, por ky instrument u fut vetëm me hapjen e shkollës së muzikës në Shkodër në programet e edukimit muzikorë.

Klasa e fagotit është krijuar nga mësuesi Rrok Jaku. Profesor Rroku me shumë profesionalizëm nxori instrumentistët e parë, që më vonë studiuan në “Institutin e arteve”, sot Akademia e arteve dhe që më vonë u bënë profesorë në Shkollën artistike “Prenkë Jakova”. p.sh Lisen Bashkurti. Një rol të rëndësishën për klasën e fagotit ka luajtur edhe profesor Prenkë Mrishaj, i cili është edhe mësues aktual i këtij instrumenti në shkollën artistike. Profesor Prenka ka punuar me përkushtim të veçantë për rritjen e nivelit artistik tek instrumenti i fagotit.

Banda e shkollës artistike “Prenkë Jakova” dhe muzika e dhomës në 50-vite

Falë iniciativës së mësuesit shumë të pasionuar Lekë Gjergji u ngrit “Banda e parë e shkollës artistike”. Gjithashtu me bandën muzikore ka punuar edhe mësuesi i Cornos Gaspër Cuni dhe pastaj Sokol Marku.

Banda e shkollës ka marrë pjesë në shumë aktivitete të qytetit të Shkodrës.

Ja se çfarë shkruan profesor Lekë Gjergji për fillimin e orkestrës frymore të Shkollës së mesme të muzikës: “Me orkestrën frymore të shkollës janë përballuar shumë aktivitete të ndryshme në qytet dhe fshat. Në çdo festë, ose eveniment politik, orkestra frymore e shkollës ishte përherë dhe kudo e pranishme. Me formacionin frymor të shkollës, jemi vlerësuar me çmim në konkursin kombëtar të shkollave të muzikës.(Lekë Gjergji, 2011)

Muzika e dhomës është filluar nga profesor Leka, me kuartete dhe kuintete tunxhi. Në muzikën e dhomës arritjet e profesionale dhe lojë moderne u bënë nga një grup nxënësish shumë të talentuar, të parët që filluan në klasën e 5-të të drejtuar nga profesor Qamil Gjyrezi. Fillimi i klasës së pestë për instrumenatet frymore ishte gjithashtu një iniciativë e rëndësishme e profesor Lek Gjergjit. Ky grup ka dhënë koncerte në të gjithë Shqipërinë, Tiranë, Durrës dhe Korçë. Këto formacione të vogla frymore luajtën një seri autorësh, klasikë, romantikë dhe bashkëkohorë. Okteti i tunxhit luajti edhe muzikë Jazz, të orkestruar nga Gjon Shllaku pjesë nga kompozitori amerikan George Gerzhvin. Kompozitori i shquar shkodran Gjon Kapedani ka punuar me shumë pasion shumë pjesë për këtë formacion. Mbas viteve 90- gjithashtu me muzikën e dhomës ka punuar edhe Sokol Marku, që është vlerësuar me “Çmimin e dytë” në takimin e ansambleve të muzikës së dhomës në Tiranë në vitin 2008.

Ushtarakët amerikanë të dashuruar pas Shqipërisë

image

Një gjeneral brigade, një kolonel dhe dhjetëra të tjerë u regjistruan në një organizatë që mbronte interesat e Shqipërisë në Amerikë. Historia e këtyre ushtarakëve të SHBA-së, mes të cilëve pati edhe nga ata që luftuan në Shqipëri apo e mbrojtën atë në Konferencën e Paqes, nuk është mjaft e njohur, një arsye pse sjellim edhe biografitë e mëposhtme.

Në rezultat të përpjekjeve të dr. Telford Ericksonit të kishin filluar në Boston qysh nga marsi i vitit 1914, për të themeluar një shoqatë me emrin “Miqtë e Shqipërisë”, shumë më pas me përpjekjet e gjeneral Hortonit dhe të kolonel Von Redlich, në fund të dhjetorit 1932, në Uashington u krijua “Shoqata e Miqve Amerikanë të Shqipërisë”, megjithëse interesimi dhe angazhimi i ushtarakëve amerikanë për problemet e Shqipërisë ndeshet qysh në vitin 1918. Në atë vit, gjeneral brigade George P. Scriven botoi në revistën e mirënjohur “The National Geografic Magazine” një studim të titulluar “Recent Observations in Albania”.

Themelimi i kësaj shoqate u bë mbas miratimit të Mbretit Zog që ia dërgoi telegrafisht ministrit Fuqiplotë Shqiptar, Faik Konicës. Kërkesën për miratim dërguar Mbretit e kishte bërë gjeneral Hortoni, qysh më 27 dhjetor 1932.

Letrën kërkesë drejtuar Mbretit po e shkruajmë, më poshtë tekstualisht, si vijon:

“Shoqëria Miqtë Amerikanë të Shqipërisë në krye u proponua që të formohet nga gjenerali William E. Horton dhe Baroni Marcellius Dar von Redlich, me qenë se që të dy ndjene se ish nevoja e madhe për një shoqëri të tillë në Amerike. Ndienin se themelimi i një shoqërie të këtillë në Amerikë do të shtonte dhe do të lartonte prestigjin e Shqipërisë dhe do të mundte t’i beje mjaft shërbime Shqipërisë dhe shqiptarëve të vërtetë.

Plani J’u shtrua ekselencës së tij Faik Konitzës, ministrit shqiptar në SHBA, i cili pati mirësinë t’aprovojë dhe me oborrësi u zotua që t’ja paraqiste dokumentat e shoqërisë, Madhërisë Suaj, Mbretit Zog I si edhe M P Jashtme shqiptare.

Shoqëria u inkorporua rregullisht sipas kanuneve (ligjeve) amerikane dhe tani është një organizatë që ekziston rregullisht, vepron edhe është gadi t’i shërbejë besnikërisht Shqipërisë dhe Madhështisë së Tij Mbretit të Shqiptarve në çdo mënyrë që të jetë e mundur.

Propozohet me respekt të thellë që Madhështija e Tij Mbreti Zog I do të ketë mirësinë t’aprovojë këtë shoqëri dhe të pranojë të jetë patroni saj. Shtrohet me përulësi, Brig. General Wiliam E. Horton – kryetar.

Me rastin e themelimit të shoqatës, fillimisht me gjithsej 15 anëtarë, u bënë edhe zgjedhjet e forumeve drejtuese. Kështu, kryetari i shoqatës u zgjodh gjeneral brigade W. E. Horton. N.kryetar i parë: koloneli M. von Redlich; I dyti: gen. brig. M. de Laney; I treti: majori J. V. Bouvier dhe nënkryetari i katërt: Guvernatori i Georgias: John Marshall Slaten. Sekretar i Përgjithshëm: Kongresmen: Wallace Demsey, arkëtar: Reverend dr. Joseph D. Christopher

Anëtarë të kryesisë ishin zgjedhur: Senatoret Walter Evans Egde; Arthur Capper; Hamilton Lewis; Lobell B. Lobart. Gjeneralet: Perry Miles; Kolonelët: Arthur Davies Variell. Publicistët: William S. Howard; dr. John Joseph Neville; Valeria Langloth. Me këtë rast le të njihemi me biografitë e atyre personaliteteve të cilat, aktualisht, kemi mundur t’i gjejmë.

Gjeneral brigade William Edward Horton

Ka qenë një mik i madh i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Ai kishte lindur në Uashington, distrikti i Kolumbias më 28 qershor të 1868. W. E. Horton në vitin 1892 ai kishte mbaruar studimet universitare për drejtësi pranë Universitetit të Georgetown si edhe po atje, një vit më pas në vitin 1893 edhe masterin. Menjëherë u fut në ushtri dhe u bë një nga organizatorët e Gardës Kombëtare ne Distriktin e Kolumbias. Mori pjesë në Luftën kundra Spanjës në qershor-korrik të vitit 1898, me gradën adjutantit i batalionit, ndërsa një vit më vonë me gradën e kapitenit dallohet në betejat e Santiagos dhe të San Huanit, në çlirimin e Antileve. Për guximin dhe veprimet ushtarake u dekorua dy herë për merita ushtarake.

Kapiten Hortoni në vitet 1899 -1902 shërbeu dhe luftoi në Filipine. Kthehet në SHBA, dekorohet me medaljen e rëndësishme “Congressional Medal of Honor for Conspicuos Gallantry and Bravery” dhe shërbeu pranë Shtabit të Forcave të Këmbësorisë Amerikane, gjithmonë, me gradën e kapitenit. Në vitin 1918 me Ushtrinë Amerikane mori pjesë në Luftën I Botërore, në Francë, me gradën e majorit duke shërbyer në menaxhimin e furnizimit me municion të gjithë ushtrisë spedicionere amerikane. Në mbarim të asaj lufte botërore ai ishte graduar kolonel dhe ishte dekoruar me një radhë dekoratash. W. E. Horton mori gradën e gjeneralit të brigadës më 2 gusht të vitit 1927, kur ishte njëri nga asistentët e shefit të Shtabit Madhor të Ushtrisë Amerikane. Pranë atij shtabi shërbeu deri në vitin 1929, kur në moshën 61-vjeçare doli në lirim (pension).

Gjenerali Horton ka qenë dekoruar shumë herë dhe përveç dekoratave amerikane, edhe me urdhrin anglez të St. Michaelit, të St. George si edhe në vitin 1923, nga Franca me urdhrin e “Oficerit të Madh të Legjionit të Nderit” ndërsa në vitin 1932 me “Urdhrin e Kryqit të Madh Francez”. Gjenerali Horton e ka mbrojtur Shqipërinë qysh në Konferencën e Ambasadorëve në Paris në vitet 1919-1920, duke ua bërë të njohura rretheve ushtarake të drejtat e nëpërkëmbura të shqiptarëve. Në janar të vitit 1934, Mbreti Zog e dekoroi gjeneral Hortonin me medaljen “Oficer i Madh i Urdhrit Skanderbeg”. Miku i madh i shqiptarëve gjeneral Hortoni vdiq më 13 shtator 1935 dhe u varros në varrezat ushtarake të Arlingtonit.

Koloneli Marcellius Donald von Redlich

Baroni von Redlich ka qenë një nga oficerët e rëndësishëm të Gardës Kombëtare Amerikane. Ai kishte lindur më 1896, në një familje me prejardhje aristokratike gjermane. Ka marrë pjesë në Luftën I Botërore, duke luftuar në Francë. Ishte dekoruar jo vetëm nga SHBA, por edhe nga Franca, Anglia dhe Italia. Kol. von Redlich ishte njëkohësisht edhe një shkrimtar publicist i njohur në SHBA. Nga dora e tij kanë dalë librat “Lufta si ishte?”, “Konventat Ndërkombëtare në ndihmë të diplomacisë”; “Probleme ndërkombëtare”; “Gjuha dhe literatura persiane”. Përveç këtyre librave ai ka shkruar artikuj të shumtë për Shqipërinë historike dhe për mbretërinë shqiptare. Kolonel Von Redlich ishte mik i madh i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Mbreti Zog e kishte dekretuar Konsull Nderi i Shqipërisë në Kanada. Mbas daljes në pension kolonel Von Redlich bashkë me të shoqen vijnë në Shqipëri, e vizitojnë atë kudo, në çdo skutë. Mbledhin dokumentet qe u nevojiteshin, tek të cilat u mbështet, kur në vitin 1935 botoi librin “The Unconquered Albania” (Shqipëria e pamposhtur). Mbreti Zog e kishte vlerësuar vazhdimisht Von Redlich, duke e dekoruar “Kumandar i Urdhrit të Skënderbeut” e më pas “Oficer i Madh i Urdhrit të Skënderbeut”. Koloneli Marcellius Donald von Redlich vdiq në vitin 1946.

Gjeneral brigade dr. Mathew A. de Laney

Kishte kryer studimet e larta për mjekësi pranë Universitetit të Pennsilvanias dhe shpejt u inkuadrua në Ushtrinë Amerikane, si mjek kirurg. Duke qenë mjek ushtarak, gjatë periudhës të viteve 1909-1912, kur President i SHBA ishte Tafti, dr. Mathew de Laney kishte shërbyer si mjek personal i Presidentit.

Guvernatori John Marshall Slaten

Biznesmen i madh amerikan që në ato vite kishte qenë guvernator i shtetit të Georgias. Ai kishte lindur në Meriwe-ther Country të Georgias, më 25 dhjetor 1866. Kishte mbaruar Universitetin e Georgias në vitin 1886. Nga viti 1911 e deri në vitin 1915 ai ishte zgjedhur si senator në Senatin Federal ne Uashington. Nga viti 1915 e për trembëdhjete vite radhazi ai ishte guvernator i Georgias. Pikërisht në ato vite ai u bë mik i Shqipërisë, sepse ai së bashku me bashkëshorten e tij realizuan një vizitë në Shqipëri dhe rrjedhojë e asaj vizite ata u dashuruan mbas natyrës shqiptare, mbas traditave dhe dëshirës se madhe për liri.

Majori John Vernon Bouvier

Oficer në lirim dhe afarist i dëgjuar i botës financiare të Nju Jorkut. Majori John Bouvier ishte edhe president i shoqatës amerikane “Bijtë e Revolucionit”. Ai ishte bërë një mik i fuqishëm i Shqipërisë dhe i popullit shqiptar.

Deputeti Wallace Dempsey

Deputeti i shtetit të Nju Jorkut, anëtar i Dhomës së Kongresit, ishte kryetar i Komisionit të Lumenjve dhe Transportit Lumor në SHBA. Ai ishte kongresmen për 15 vite radhazi. Kongresmeni Wallace Demsey ishte mik i madh i shqiptarëve. Ai e kishte vizituar Shqipërinë, e njihte dhe e vlerësonte për shumë drejtime. Ai ishte zgjedhur sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Miqve të Shqipërisë, por njëkohësisht edhe arkëtari i saj.

Reverend dr. Joseph D. Cristopher

Asokohe reverend, klerik protestant, por që ishte njëkohësisht edhe profesor ne Universitetin Katolik te Uashingtonit. Dr. Josef Cristopher, në kuadrin e veprimtarive te misionarëve ungjillorë amerikanë dhe shqiptarë në Shqipëri, e ka vizituar disa herë Shqipërinë dhe u bë një mik i devotshëm i saj dhe i shqiptarëve. Ai ishte mik me dr. Telford Eriocksonin.

Miss Lobert F. Hobart

Mike e rëndësishme e Shqipërisë e njëkohësisht ajo ishte kryetare e shoqatës kombëtare “Bijat e Revolucionit”. L. Hobert dha një ndihmë të rëndësishme materiale për Kryqin e Kuq të të Rinjve Amerikanë që vepronte në Shqipëri, në 1918-1921.

Kolonel dr. Arthur Devis Variell

Mjek ushtarak që ka kontribuar shumë në luftën kundra Leprës në Hindi dhe në Azinë Juglindore. Për këto veprimtari ai ka qenë dekoruar me medalje e çmime të shumta. Ai ka qenë një mik i madh i Shqipërisë.

Prof. dr. John Josef Neville

Profesor universiteti dhe gazetar që ka shkruar shumë artikuj dhe studime në fushën e jurisprudencës dhe filozofisë. Ai ka ardhur tri herë në Shqipëri dhe mbas vizitave ka shkruar një seri artikujsh lidhur me problemet e pazgjidhura shqiptare si edhe arritjet e shtetit të ri shqiptar. Një herë në korrik të vitit 1930, ai ka ardhur në Shqipëri i shoqëruar nga dr. David Fairchild, botanist dhe nëpunës i Departamentit të Bujqësisë

* * *

Veprimtaritë e herëpashershme të shoqatës, në bashkëveprim me legatën dhe me shoqatat e migracionit shqiptar e shtuan popullaritetin dhe vlerësimin serioz të saj, ndaj përveç anëtarëve të vitit 1932, që ishin fillimisht rreth 15 persona ushtarakë e civilë, disa muaj më vonë, në vitin 1933, në radhët e asaj shoqate u radhitën edhe personalitete të tjera amerikane. Ata ishin: Admirali Mark L. Bristol, që kishte qenë nga 20.12.1918 deri në 14 prill 1919 komisioner i lartë në inspektimin e Armenisë Turke, Sirisë, Libanit dhe Palestinës, së bashku me mikun tjetër të shqiptarëve, Charles R. Crane. Senatori Walter Evans Edge, që kishte lindur në Filadelfia, më 1873, filloi karrierën e tij si gazetar qysh në moshën 22-vjeçare. Dy vite më vonë, filloi të merrej me politikë dhe u zgjodh deputet në Asamblenë e Nju Xhersit. Si senator ai shërbeu deri në vitin 1929 kur u dekretua ambasador në Francë. Pikërisht atëherë, në vitin 1919, kur ishte bërë senator Presidenti W. Wilson e dërgoi në Shqipëri për të rivlerësuar e konsoliduar të dhënat e konsullit Haven.

Në prill të vitit 1933, ambasadori Edge, familjarisht, përsëri vizitoi Shqipërinë dhe shprehu kënaqësinë e tij për arritjet e Shqipërisë. Senatori Hamilton Lewis kishte lindur në Danville të Georgias, por u rrit dhe u arsimua ne Augusta. Universitetin e përfundoi në bachelor në Arte në Universitetin e Virxhinias, ndërsa për Drejtësi ai përfundoi studimet pranë Universitetit të Savannahut në Georgia në vitin 1891. Ai u bë senatori i Illinoisit në vitin 1933 dhe vazhdoi si i tillë më 9 prill 1939. Gjeneral major Peter C. Harris. Një nga oficerët madhorë që ka qenë ngarkuar nga War Office të merrej me problemin e ruajtjes së Thesarit Kombëtar. Gjeneral brigade Charles R. Krauthof, oficer madhor amerikan që ishte marrë me problemet e evakuimeve të popullatës në raste të fatkeqësive dhe të luftërave. Ky gjeneral ishte marrë edhe me edukimin e rinisë shkollore, me bojskautizmin paramilitar për të rinjtë shqiptarë.

* * *

Më 28 nëntor të vitit 1934, Shoqata e Oficerëve të Urdhrit Ushtarak të Luftës së Përbotshme së bashku me Legatën Shqiptare në Uashington, nën nismën e “Miqve Amerikanë të Shqipërisë” gjeneralit Horton, kolonelit Redlich, gjeneralit De Laney, kolonelëve John B. Richards e Arthur Variell e të tjerë organizuan në Metropolitan Club të Uashingtonit, një konferencë-darkë madhështore për nder të 21-vjetorit të pavarësisë kombëtare.

Në 15 dhjetor 1935, edhe pas vdekjes se gjeneralit Horton, shoqata organizoi një mbrëmje tematike, ku folën me opsionet më të mira për Shqipërinë, funksionaret Rockfeller-Antimalaric Foundation po ashtu edhe ata atë Near East Fondation. Të gjithë këta funksionarë u bënë anëtarë të rinj të shoqatës “Miqtë Amerikanë të Shqipërisë”…

Përveç funksionarëve të mësipërm, anëtarë të rinj të shoqatës u bënë shumë oficerë të tjerë madhorë të SHBA. Kështu, në radhën e “Miqve të Shqipërisë” u radhitën admiralet Harry G. Hamlett; Joseph K. Taussia; Charles T. Lowde, Lucien Botswick; gjenerali Chasse W. Kennedy; kolonelët George E. Williams; Alva J. Brasted, Charles Mortimer dhe majori Edwin S. Bettelheim.

Këta ushtarakë, herë pas here shkruanin për problemet shqiptare në organin e tyre që quhej “National Bulletin”, por edhe në gazetën “The Daily Telegraph”. Mbas vdekjes së gjeneral Hortonit dhe largimit në Kanada të kolonel Redlichut shoqata “Miqtë Amerikanë të Shqipërisë” e zbehu veprimtarinë e saj, për ta intensifikuar sërish mbas pushtimit italian të Shqipërisë, por për një periudhë të shkurtër.

Edi Rama, Klaustrofobia e një slogani

Shkruan:
Alfred Lela

Poeti amerikan Robert Frost shkruan diku: “dy rrugë më dolën përpara në pyll dhe unë mora atë më të parrahurën. Prandaj jam ndryshe”. Rruga është parë përherë si bigëzim, si mundësi e njeriut për t’u ndarë me një prej mundësive në favor të tjetrës; si një dyzim, me sa duket i nevojshëm, për t’ia bërë individit apo turmave më të lehtë peshën e papërballueshme të totalitares. Për këtë vazhdimisht janë kërkuar, brenda makinës së demokracisë, forca të reja, doktrina të tjera, rrugë të treta. E tillë ka qenë edhe teoria e rrugës së tretë, sendërtuar te politikat e Demokratëve të Bill Clintonit në Amerikë dhe Laburistëve të Tony Blair-it në Britaninë e Madhe. Një rrugë e tretë ,pra, si pamjaftueshmëri e dy rrugëve e, më shumë se kaq, si përbuzje për një rrugë të vetme.

Partizan i kësaj rruge të tretë, në teori, ka qenë edhe kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, z. Edi Rama. Slogani i tij përtej së majtës e së djathtës, huazuar aty për aty nga kandidati presidencial i Demokratëve amerikanë, u bë për njëfarë kohe kryefjala e dogmës së të majtës shqiptare. Bartësi i saj e mori me vete në turin e tij “gju më gju” dhe e bëri mantra-n te e cila kishte varur shpresat e një triumfi elektoral në zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit. Përtej së majtës e së djathtës bëhej kështu njëfarë rruge e tretë, njëfarë Triniteti politik, ku të majtët, të djathtët dhe të lëkundurit e zonës gri bëheshin bashkë në një Nirvanë politike.

Kur populli imagjinar i rrugës së tretë nuk e kapi, apo nuk e honepsi mesazhin e z. Rama, ilaçi u gjet sërish te fjala. Rruga e tretë u braktis dhe u preferua sërish dyrrugëshi i së majtës e së djathtës, ose turma gjysmë e gatshme e “popullit të majtë”.

Tani, tridhjetë e pak ditë para zgjedhjeve administrative të 8 Majit, z. Rama ka shpallur sloganin elektoral “E vetmja rrugë”. Intelektuali i dikurshëm sanguin, publicisti i llojit konician, ngjyrashumi Edi Rama, ka hedhur një kovë me bojë të zezë mbi peizazhin politik të së majtës dhe mbi atë shqiptar në përgjithësi. Një politikan që e nis me premtimin e tri rrugëve, për të hapëruar mbrapsht te dy rrugë e, për ta mbyllur me një të vetme rrugë; në prag të një gare që ai ka lënë të kuptohet se është e fundbotshme për të, ka një problem të madh. Problemin e një slogani të mbetur pa dogmë. Për të mos folur për klaustrofobinë që të ngjall rruga e vetme. Tani populli i majtë, i dalë duarbosh nga rrethrrotullimi pështjellues i rrugës së tretë, i ngjan atyre episodeve nga filmat australianë, ku grigja e prirë nga fermerët futet në rresht përmes një korridori, në dukje i gjatë, por që në fund ka një vathë robëruese.

E vetmja rrugë nuk mund të jetë kurrsesi një rrugë për të gjithë. Sepse është e ngushtë dhe sepse, mbi të gjitha, e bën ofertën e opozitës të varfër. Sepse nuk ofron horizonte as fizike dhe as imagjinare. Dhe në fund injoron atë masën gri të votuesve të kryeqytetit, të cilët, herëdo e kurdo, pëlqejnë të jenë nga pak frostianë e, ndër rrugët e hasura të zgjedhin atë më të parrahurën. Sepse atyre u pëlqen që, në mos të jenë, të paktën të hiqen si ndryshe. Dhe mençuria e kësaj veçantësie u thotë se rruga Edi Rama nuk ka pse rrihet për herë të katërt.

Thursday, March 31, 2011

Mjaft me Ramën, është koha e Lulzim Bashës

Mjaft me Ramën, është koha e Lulzim Bashës

Sabri Godo flet në emisionin “Fakt” të gazetarit Çlirim Peka, në UTV

"Nganjëherë, nipat e mi më thonë se do iki nga ky vend se nuk e durojmë më pisllëkun këtu. Dua një njeri që të fillojë ta çlirojë Tiranën ta bëjë të banueshme, ta bëjë të këndshme për njerëzit, për këtë e mbështes Lulin"

A duhet të kandidonte Edi Rama në Tiranë, pasi ai drejton edhe opozitën?

Rama duhet të heqë dorë nga Tirana. Unë them se me të vërtetë janë krijuar probleme në Tiranë të cilat kërkojnë zgjidhje. Janë arkitektët, ambientalistët që i kanë vënë më në dukje më mirë se unë se ku qëndrojnë problemet. Tirana ka probleme urbanistike që janë të rënda sot dhe që do vijnë duke u bërë më të vështira në vitet që vijnë, në rast se nuk i dilet punëve përpara. Më duket se Rama nuk ka mundësi ta përballojë këtë edhe për shkak të ngatërresës që i ka bërë vetes me funksionet politike. Tani nuk dihet sa përqind është kryetar Bashkie dhe sa përqind është kryetar i PS. Secila nga këto dy funksione veç e veç do kërkonte impenjimin e plotë të një njeriu të aftë. Nëse i merr të dy funksionet bashkë një njeri i vetëm, mua më duket se ai ngre një peshë më shumë se çdo burrë mund të mbajë. Qoftë edhe vetëm për këtë arsye, ai duhet të thotë mjaft me Tiranën se i bëri tre mandate.

Në këtë karrige që jeni ulur ju, jo më shumë se një muaj më parë zoti Rama u shpreh se kjo është Tirana që kam përfytyruar pak a shumë, dhe tha se Tirana nuk ka më nevojë për mua, çka la të kuptohej se nuk do të kandidonte, por në mënyrë krejt papritur Rama kandidoi sërish, tha që unë kam nevojë për Tiranën, për ti kthyer ato në zgjedhje politike sepse Shqipëria nuk e duron dot më Saliun. Tirana duhet të fitojë për Shqipërinë për të shkuar në zgjedhje të parakohshme?

Ky është një qëndrim i pandershëm i Ramës ndaj Tiranës. Tirana është qendra e Shqipërisë jo vetëm për popullsinë ku banon gati një e treta, por edhe për mundësinë motorike që ka si qendër e lëvizjes së të gjitha sferave të ekonomisë, politikës etj, etj. Dhe duke patur këtë rëndësi të madhe, çdo gjë që i takon Tiranës duhet shikuar me seriozitetin më të madh dhe jashtë politikës e interesave personale. Këtu tani Rama nuk ka një qëndrim të pastër ndaj Tiranës. Dhe këto lloj manovrimesh, më duhet Tirana me domosdo, për të shkuar në zgjedhje të përgjithshme, më duhet Tirana për tu afirmuar unë si kryeministër, i ardhshëm etj etj, pra të gjitha këto llogari mund ti ketë bërë Rama, por Tirana nuk i ka asnjë borxh Ramës që ti vihet në dispozicion atij, që ai të arrijë synimet e veta. Kjo është një gjë e përbindshme. Kjo duhet ndaluar. Dhe në qoftëse se ai ka notuar në këto ujëra ai e tregon veten një politikan krejt te papjekur

Zoti Godo, po në vitin në 2007 notoi në ujëra të pastra?

Epo tani nuk kemi nge të hedhim vallen sipas daulles së Edi Ramës. Unë besoj se qytetarët e Tiranës kaq gjë e dinë. Ata duhet të shikojnë për veten e tyre si bëhet më mirë. Bindja ime e plotë është se më mirë bëhet me Lul Bashën.

Pse?

Tani unë nuk dua të numëroj gjithë ato gjëra që janë të njohura. Ti kthehemi një çikë më përpara se ka qenë tre herë ministër. Në transport në ministrinë e jashtme në ministrinë e brendshme. Basha ka qenë një ministër i suksesshëm. Ai çoi përpara rrugën, që ishte objektivi i parë i transportit, rrugën Durrës-Kukës, e çoi përpara. Si ministër i Jashtëm, unë zakonisht nuk përdor kësi termash, por kësaj here them që vërtet shkëlqeu. Ndërtoi një punë mjaft të dobishme për integrimin e Shqipërisë. Mund ta them me plot gojën edhe pse do i ngeli pak qejfi ministrave të mëparshëm, se ky punën si ministër i jashtëm e bëri më mirë se të gjithë. Kishte edhe një përgatitje për këtë. Punoi për një kohë të gjatë me këto organizmat ndërkombëtare në Kosovë, domethënë kishte një përvojë. Kishte kulturën e duhur politike dhe bindjen e duhur. Dhe inteligjencën për të çuar përpara Ministrinë e Jashtme. Tani si Ministër i Brendshëm. Unë shikoj një polici që është e gatshme të jetë brenda 20 minutave pranishme në vendin e krimit, unë shikoj që ka një organizim në pikat kufitare, që e kanë vlerësuar dhe të huajt, dhe ka qenë një nga kushtet për vizat dhe ecjen në rrugën e integrimit. Unë shikoj që kudo që ka shkuar ky njeri ka sjellë ndryshime pozitive dhe një njeri që ka përvojën administrative të tre dikastereve për të cilat ka nevojë një kryetar bashkie, se i takon në plan lokal të lidhet me secilën, qoftë me rendin qoftë me infrastrukturën etj etj, ka përgatitjen e duhur për të zgjidhur këto probleme ne miniaturë në Tiranë.

Mirëpo opozita e ka akuzuar Bashën për afera të rënda në të tre rastet që ju e përmendni. Për korrupsion në rrugën Durrës-Kukës, për çështjen e kufijve detarë, kur ishte Ministër i Jashtëm, për 21 janarin kur ishte Ministër i Brendshëm?

Tani vijmë te këto akuzat që bën opozita. Në qoftëse i marrim me tërë mend tërë ato që thuhen atëherë këtu jashtë akuzave për korrupsion sot për sot kemi mbetur vetëm unë dhe ti të papërfolur. Të tërë të tjerët janë të përfolur, treçereku i Qeverisë. Mazhoranca thotë se në kohën e saj, opozita ka qenë e korruptuar kokë e këmbë, prandaj jemi të tejngopur me këto akuza. Cili është qëndrimi im. Unë them që ka një rrugë të vetme të dalim nga kjo situatë, të vendosim organet kompetente gjyqësore se çfarë përgjegjësie ka Basha dhe çfarë përgjegjësie kanë të tjerët lidhur me ngjarjet që ju përmendët, jashtë kësaj çdo lloj debati nuk bën gjë tjetër, përveçse sjell më shumë acarim. Duhet të presim se çdo të thotë drejtësia për ngjarjet e 21 Janarit. Ishte një ngjarje shumë e rëndë, u vranë katër qytetarë, tani duhet që kjo drejtësi të thotë kush i vrau dhe me urdhër të kujt u vranë. Të bëhet transparencë e plotë. Por për këtë, se ç’përgjegjësi ka Basha, do shprehen organet gjyqësore. Ne kemi një kushtetutë që thotë se çdokush konsiderohet i pafajshëm deri në marrjen e vendimit nga gjykata, thotë dhe këtë që dyshimet shkojnë në favor të tij. Kështu që nuk mund ti bëjmë gjyqin Bashës, pa dhënë një vendim gjykata. Unë nuk kam të dhëna për të dhënë një njoftim, por them se Basha nuk ka gisht në këtë punë.

Meqë jemi tek 21 Janari duket qartë që emri i Lulzim Bashës ishte paralajmëruar si kandidatura e mazhorancës për Tiranën. Një protestë e paralajmëruar si e dhunshme, edhe një natë më parë. Kush mendoni sa ka përgjegjësi më shumë për 21 Janarin zoti Rama, apo zoti Basha?

Nuk është dita t’i rikthehemi 21 Janarit, përderisa është në proces. Nga ato që u transmetuan, u binda për një gjë, se ishte një grup, që ishin përgatitur për rrëmuja, kush e drejtoi si e bëri deri ku i drejtoi Rama apo jo, pasi edhe Ramën nuk mund ta bëj fajtor pa folur gjykata, e vë dhe atë në një plan me Bashën. Përsa i takon përgjegjësisë që mund të kenë të gjithë për ngjarjen e 21 Janarit që e përsëris se duhet sqaruar me çdo kusht, ndryshe duke lënë njolla të errëta, ne krijojmë një situatë qoftë dhe psikologjike krejt të pakëndshme.

Ju u shprehët qartë se jeni për Lulzim Bashën për të drejtuar Bashkinë e Tiranës. Mediat kanë publikuar se Bashkëshortja e zotit Lulzim Basha ka lënë shtetësinë shqiptare para pak kohësh?

Në merreni me gjëra të vogla me tituj të mëdhenj në gazetë, por çdo gazetë ka punën e vet. Në vend që të merremi me atë që është kryesore. Ky Lulzim Basha është njeriu që do të sjellë ndryshime në Tiranë? Përgjigja ime, pa asnjë hezitim është po. Ky njeri ka konceptet e duhura dhe kjo u pa që në shfaqjet e para në publik se çfarë do të bëjë që Tirana të marrë frymë dhe të zgjidhë problemet që ka. Se sa do t’ia dalë këtë do e provojmë, por të paktën ky niset me një mentalitet të tillë. Ka një botëkuptim perëndimor dhe këtë nuk mund t’ia mohojë kurrkush. Ajo që mund të vihet në dyshim është kjo, sa mund të tërhiqet ky njeri nga rrymat partiake ose rryma Berishiane, ose sa do të mbetet ky njeri rob i një fjalori politik që është bërë i padurueshëm, apo ky do ta lejë disi menjanë politikën dhe do i shtrojë vetes një pyetje, çfarë do të bëj unë për Tiranën. Unë kam krijuar këtë bindje se, nëse Basha do vihet në krye se si të mposhtë Partinë Socialiste në Tiranë, nëse do të merret me këtë, ai do jetë një kryebashkiak i dështuar. Në rast se ky do të thotë që socialistët janë një pjesë e madhe e qytetarëve të Tiranës, se do të kenë vendin e tyre në Këshillin Bashkiak dhe se unë duhet të merrem me ta për hir të qytetit, dhe të zbatojë atë formulë klasike të politikës, që më në fund politika është art i marrëveshjes së qytetarëve për qeverisje të përbashkët, atëherë ai kështu mund të fitojë në Tiranë. Këtë ka ndërmend të bëjë Basha, duket qartë dhe unë besoj se ai do të ecë pa hezitim në këtë rrugë. Se si do ta bëj që ta lërë disi mbrapa politikën, sloganet e PD, dhe ti kushtohet tërësisht kësaj dhe të fillojë të konsultohet me urbanistët, arkitektët, ambientalistët, etj, se cilat janë problemet e si do zgjidhen, dhe mua më thanë që Basha e ka një plan të tillë dhe së shpejti do ta publikojë. Dhe kjo do i japë një dorë. Tani kthehem tek pyetja jote se nuk më del nga mendja ajo. Unë këtë Aurelën të shoqen e Lulzim Bashës e kam njohur personalisht që 15 vite më parë, që në kohën kur ishte ende çupë e re, që u fejua. Unë e pyeta ku e ke burrin, dhe më tha se punon në Kosovë. Që në atë kohë e kam njohur si një vajzë shumë të shkathët shumë të dashur, inteligjente, që punonte me holandezët. Me sa di unë kjo puna e nënshtetësisë është një spekulim në të vërtetë. Në atë kohë, ajo kishte blerë një shtëpi në Holandë, por ai vend ka ligje nuk është si ne, që mund të ndërtosh si të duash dhe të bësh si të duash dhe ta kthesh oxhakun nga të duash. Atje i thanë që të blesh shtëpi këtu, duhet nën shtetësia holandeze dhe ajo e mori nënshtetësinë holandeze. Dhe doli një ligj në vitin 2004 në Holandë, që thoshte se mund të marrësh nënshtetësi holandeze, në rast se lë nënshtetësinë e vendit nga vjen. Unë rastësisht e bëra këtë bisedë, ajo e kishte këtë siklet në atë kohë se është shqiptare, më duket se është vlonjate, ajo e ka për gjë të madhe të afirmohet në çdo çast, është një flamurtare e kombit përsa i takon. Kjo është një ngjarje e vjetër më duket e 91-92. Tani, ajo do ta rimarrë nënshtetësinë shqiptare, dhe do të venë prapë ta pyesin gazetarët pse e bëre. Në rast se do merremi tani të gërmojmë se sa qoshe ka në shtëpi Lul Basha, pa parë se çdo bëjë Lul Basha për Tiranën, neve merremi për fat të keq me gjëra të kota duke lënë atë që është kryesore.

U shprehët pak më parë se Tirana ka nevojë për një kryetar Bashkie që nuk ka retorikë të ashpër politike. Megjithatë, zoti Basha ka përballë zotin Rama njeri prej dy personave në Shqipëri që ka retorikën më të ashpër politike, së bashku me zotin Berisha. Në rast se Tirana nuk do një retorikë të ashpër, pse është votuar tre herë?

Unë kam respekt për Edi Ramën si njeri i kulturuar, si njeri i arteve etj etj. Doja t’i thoja miqësisht një gjë, tani është duke e reduktuar fjalorin e tij, në kusar hajdut, “Ik Sali”- “Hajde Sali”. Një politikan që del e flet duke përsëritur të njëjtat gjëra. Nuk është puna të bësh zhurmë me fjalë, të bësh xheste, t’i japësh fjalës më tepër peshë se ajo ka. Atëherë fillon e kthehesh në një lloj demagogu që kërkon të drejtosh të tjerët, po nuk thua asgjë. Unë mendoj se Ramës i ka ardhur koha të ndryshojë gjuhën. Mos të kujtojë se mund të arrijë aty ku do, me këtë fjalor që është duke përdorur. Unë shoh njerëz që thonë aman doli ky prapë ky, mbylle, se nuk ka ndërmend të na thotë gjë. Ajo çfarë kërkojnë njerëzit është t’u thuash diçka, të hedhësh në qarkullim një ide të re për këtë kanë nevojë njerëzit, jo për një retorikë politike që është bërë me të vërtetë e stërkonsumuar dhe e padurueshme. Tani Luli, unë e dëgjova kur foli në këtë mitingun që bëri Berisha dhe pash një Lul Bashë që filloi të nxehej dhe të fliste me një lloj toni si revolucionar, nuk i shkon, është jashtë natyrës së tij dhe e bën në mënyrë të sforcuar, ndoshta kjo u bë për të karikuar simpatizantët, por jo për të komunikuar me qytetarët.


Kemi dy fjalime të zotit Basha një me 22 Mars kur Basha u prezantua politikisht dhe ka një gjuhë të rëndë për profilin e zotit Basha. Kemi dhe fjalimin e fillimit të fushatës që është krejt e kundërta me fjalimin e 22 Mars?

Tani Luli mua më duket se ka kuptuar këtë gjë, se deri tani ka qenë një ministër i qeverisë Berisha, që ka një pazar të vetin për të komunikuar me publikun që unë nuk ia pëlqej, por është punë për ta. Dhe ky ka qenë i detyruar ti të konformohet kështu, tani Basha del në një plan tjetër, ky duhet të jetë njeriu i qytetarëve të Tiranës, qytetarët e Tiranës duan gjuhe për të arritur tek një marrëveshje, tek ta. Ai e ka kuptuar, jam i sigurt që do kemi një zhargon tjetër për të fituar.

Që të fitosh në Tiranë kundrejt zotin Rama duhet të marrësh më shumë vota se sa merr PD, a është zoti basha personi i përshtatshëm për të marrë më shumë vota në Tiranë se PD, kur është një promovim i zotit Berisha? Pavarësisht se ka drejtuar tre ministri që kanë pasur një performancë të mirë...


Jam i sigurt se zoti Basha do marrë vota më tepër se PD, këtu do jemi do takohemi prapë.

Edhe pse opozita e akuzon si promovim të zotit Berisha?

Zoti Berisha, një nga gjërat më me mend që ka bërë, është që vuri Lulin kandidat në Tiranë. Nuk mund të themi që nuk kishte asnjeri tjetër, po sipas meje ky ishte më i miri më i përshtatshmi. Do të uroja me gjithë zemër, të arrijë një fitore neto në Tiranë.

Në mënyrë figurative, ju jeni pjesë e ekipit të Lul Bashës?

Do më bëhej qejfi po të më thërriste, dhe kur të vijë në lagjen time unë do ta pres. I kam zët manifestimet, nuk kam moshën për manifestime, por për Lulin do të bëj një farë mundimi. Nëse do të dojë ndihmën time.

Keni prezantuar zotin Berisha në vitin 2005 në Kavajë...? Nuk jam i penduar. Atëherë duhet me domosdoshmëri të hiqej qafe Fatos Nanon, ishte bërë e padurueshme. Thash më mirë të hiqet qafe kjo qeveri. Le të vijë Berisha. Nuk jam penduar për ato që kam thënë në Kavajë për Berishën.


Ju jeni i gatshëm të prisni zotin Basha në rast se do vijë tek lagja juaj?

Po. Një gjë është e sigurt, nëse gruaja ime më parë kishte votuar për Ramën, kësaj radhe do ta bëjë pa hezitim për zotin Basha. Vajzat e mia, nipat e mi, e gjithë familja ime do ta votojnë, këtë i garantoj Lulit. Dhe do i them ndonjë fjalë edhe fqinjëve të mi, se shiko se po na troket fati në derë, kemi përpara një njeri që me të vërtetë do ta pastrojë më mirë Tiranën, do ta mbajë më mirë, do të na hapë perspektiva për më tej. Kaq i garantoj nuk mund të bëj më tepër, po të kisha para do ti jepja për fushatë

Po jepni lajmin zoti Godo, se pjesëtarët e një familje të djathtë kanë votuar për Zotin Rama?

Po e vërtetë. Ka votuar gruaja ime për Ramën se pastroi Lanën, se unë banoj buzë Lanës. Ore tha e bëri mirë ky. Unë i thashë me vërtetë jemi një familje, po secili ka bindjet e veta. Unë votova për Besnikun dhe ajo për Ramën.

Po kësaj radhe e keni bindur ju të votojë për Bashën?

Jo është bindur vetë, thotë mjaft Rama, tani dhe ndonjë ajër nuk po shohim, as dhe ndonjë ndryshim. Tani mua nuk më vjen mirë kur shoh të thonë se ajri është ndotur tre herë apo pesë herë më shumë, nuk kam më problemin tim, por kam hallin e nipave. Pastaj nesër do vijnë edhe fëmijët e nipave, ata këtu do jetojmë dhe duhet të jetojnë në një qytet që të mos kërcënojë shëndetin e tyre, kjo është një nga gjërat. Nganjëherë, nipat e mi më thonë se do iki nga ky vend se nuk e durojmë më pisllëkun këtu. Dua një njeri që të fillojë ta çlirojë Tiranën ta bëjë të banueshme, ta bëjë të këndshme për njerëzit, për këtë e mbështes Lulin.

Pato i merr Berlusconi-t “kalanë nga brenda”


Alexandre Pato i ka “marrë kalanë nga brenda” presidentit të Milanit, Silvio Berlusconi-t, pasi pas spekulimeve për mundësinë e largimit të tij nga kuqezinjtë, braziliani ka filluar të frekuentojë vajzën e Kryeministrit.

Marrëdhënia e brazilianit me Barbara Berlusconi-t kishte kohë që dyshohej, që kur ajo filloi të ndiqte vazhdimisht të gjitha ndeshjet e Milanit, por u konfirmua vetëm ditën e sotme nga një intervistë e futbollistit në revistën “Vanity Fair”.

I pyetur për përfundimin e shpejtë të martesës së tij me dashurinë e fëmijërisë, Stephany Brito, Pato deklaroi: “A ja penduar që u martova aq shpejt? Mund të them vetëm që tani jam i lumtur.

Është e vërtetë që kam një raport me vajzën e Berlusconi-t, por nuk më pëlqen që të gjithë veçojnë babain e saj dhe jo atë vetë. E kam ende të vështirë të flas për këtë, pasi jemi ende në fillimet tona. Mbase më vonë do të jap më shumë detaje”.

Duke u shkëputur nga bota e dashurisë, Pato u përqendrua në atë të sportit: “Ëndrra ime është të fitoj një titull me Milanin dhe këtë radhë të gjithë e ndiejmë si shumë të mundur. Dëmtimi në kavilje? Falë Zotit tani jam mirë”

Berluskoni: Seks me 70% të grave, të tjerat do të donin

Në mes të skandaleve dhe një gjyqi që e ka në kurriz për marrëdhënie me të mitur, kryeministri italian nuk i lë shakatë. Si shpesh herë, edhe këtë radhë batuta ka pasur lidhje me seksin. Ai ka deklaruar se shumë gra kanë fjetur më të, ndërkohë që shumë të tjera janë të dëshiruara ta bëjnë.

“The Sun” shkruan sot se Berlusconi, është tallur edhe me mbremjet (party) “bunga bunga”. “Sipas një sondazhi në të cilin është parashtruar pyetja nëse do të flinin me mua, 30 % e grave të anketuara janë përgjigjur pozitivisht, ndërsa 70 % të tjera kanë pyetur ‘cfarë? Përsëri?” ka thënë Berlusconi. Deklarata është bërë gjatë një vizite në ishullin Lampedusa, ku u ndal pas dyndjes dhe problemevetë shumta me refugjatët në këtë vend.

Taylor lë pas një miliardë dollarë


Elisabeth Taylor do të mbahet mend gjithmonë për rolin e saj të Kleopatrës, por ashtu si Perandoresha e Egjiptit, edhe aktorja e Hollivudit kishte një pasuri faraonike.

Një javë nga vdekja e 78-vjeçares, “Daily Mail” informoi sot se ajo ka lënë pas rreth një miliardë dollarë, duke u renditur midis 14 femrave të vetme në botë që kanë arritur të grumbullojnë një pasuri të tillë vetëm falë punës së tyre.

Fituesja e çmimit “Oscar” u bë e famshme për bizhuteritë tepër të shtrenjta e të dukshme që mbante dhe ajo vlerësohej të kishte një pasuri prej 150 milion dollarësh në pasuri deri në vitin 2002.

Taylor u pagua katër milion dollarë, të cilat me kursin e tanishëm janë 47 milion dollarë, për të luajtur rolin kryesor në filmin “Cleopatra”, pas të cilit formoi edhe një prej linjave më të suksesshme në botë të parfumeve.

Besohet se kompania e saj kozmetike ka dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm në grumbullimin e pasurisë faraonike të këngëtares, e cila ka edhe 150 milion dollarë të investuara në prona të paluajtshme në Los Anxhelos.

Rudina Magjistari, rrëfen gjithçka për jetën dhe karrierën artistike




Zj. Magjistari, jeni person shumë i njohur dhe keni shumë fansa, cilat mendoni se janë armët e tua më të forta që kanë goditur zemrat e fansave të tu; oratoria, bukuria, çiltërsia, inteligjenca, apo ëmbëlsia e zërit tënd?

(Qesh).Unë ju falënderoj dhe këto po i marr si komplimente, ndërkohë, shpresoj që të jetë kështu, që vërtetë të kem shumë fansa, fjalë, e cila mund të konvertohet fare mirë me shkëmbim dashurie. Është fitorja më e madhe për një njeri, i cili i hyn karrierës televizive dhe arrin të fitojë zemrat e njerëzve. Mendoj që, armët më të forta mund të kenë qenë thjeshtë të qenurit e vërtetë, padiskutim vetvetja dhe ndoshta komunikimi i sinqertë me njerëzit, pa falsitet, pa shtirje, por shumë i drejtpërdrejtë, shumë i natyrshëm.

Keni organizuar shumë aktivitete, jeni një profesioniste në degën që keni mbaruar, si dhe keni fituar disa çmime, ku më kryesori mendoj që është Çmimi “Personazhi i Vitit”, të cilin e keni marrë dy herë: Në vitin 2002 dhe 2004. Jeni e kënaqur?

Po, kanë qenë dy momente të rëndësishme për mua, shumë domethënëse, padiskutim që më kanë dhënë shumë kënaqësi.

Ka ndonjë dëshirë të paplotësuar Rudina Magjistari?

Në momentin që shpreheni në këtë formë duket sikur unë me një përplasje të duarve, e çdo gjë bëhet realitet. Ka edhe dëshira që thjesht mbeten të tilla. Por, një gjë është e sigurt: unë punoj dhe luftoj shumë për të realizuar dëshirat dhe objektivat e mia. Nuk mendoj se, ato mbarojnë ndonjë herë, njeriu sa të ketë jetë do ketë dëshira dhe jeta është një përpjekje për t’i realizuar ato.

Njiheni më shumë si prezantuese, keni ndonjë konkurrente që nuk do dëshironit ta kishit përballë?

Jo, jo, absolutisht jo, nuk do t’i quaja konkurrente. Mua më vjen mirë që kohët e fundit janë shquar shumë prezantuese, pasi ka qenë një periudhë që deri para pak vitesh konsideroheshin të suksesshëm vetëm prezantuesit meshkuj dhe strategjia e tyre ka qenë gjithmonë që në krah të kishin, jo një prezantuese, sepse vetëm prezantuese nuk kanë qenë, ishin thjeshtë valeta, ose vajza të bukura, të cilat, trajtoheshin më tepër aksesorë, si një shami e kombinuar mirë në xhepin e vogël të xhaketave të burrave. Kurse vitet e fundit janë shfaqur disa prezantuese të afta dhe mua më vjen shumë mirë për këtë. Ky fakt është një indikator shumë i mirë që shoqëria jonë po përparon. Pastaj, bota e televizionit është shumë e madhe dhe shumë e gjerë; është një botë që i jep shansin secilës të gjejë hapësirën e vet.

E vogël çfarë tipi keni qenë? E hedhur apo e qetë?

Kam qenë tip i qetë, nuk do thoja e hedhur, përkundrazi edhe pse shumë e llastuar, kam qenë e ndrojtur si natyrë, gjë që më karakterizon edhe tani. Megjithatë, vitet në ekran më kanë ndihmuar ta superoj, sepse të jem e sinqertë, është një karakteristikë që nuk më pëlqen dhe aq. Është një gjë e bukur, ndoshta kur e shikon tek dikush tjetër, por thellë-thellë për atë që e ka është më shumë pengesë në jetë.

Dëshirat në fëmijëri?

Si çdo fëmijë kisha shumë dëshira. Madje, dëshira të çuditshme dhe interesante, saqë kur i kujtoj tani më vjen për të qeshur. Fillimisht dëshiroja të bëhesha mësuese, më pas aktore, ka qenë një moment që doja të bëhesha edhe ambasadore, (qesh), por edhe ministre.

Çfarë kujton tani nga vitet e shkollës së mesme dhe të viteve studentore?

Thonë, që vitet e shkollës së mesme janë vitet e periudhës më të bukur, por gjeneratës sime i qëlloi që në shkollë të mesme të ishim pikërisht në momentin e ndryshimit të sistemeve. Kjo na bëri, që në vend që të shkonim nëpër party, apo të dilnim shëtitje, ose të paktën të kishim vajtur nëpër ato aksionet aq bukur të përshkruara nga klasat më lart se ne, na qëlloi të shkonim mitingjeve nga njëra fushë në tjetrën e nga njëri shesh në tjetrin. Megjithatë, ishte një eksperiencë shumë e veçantë, një eksperiencë që nuk përsëritet më në histori, ndaj them që kam jetuar një kohë të rrallë. Ndërsa përsa u përket viteve të shkollës së lartë isha më e angazhuar me studimet, shoqëria ime ishte e përbërë kryesisht nga vajza. Kemi qenë një grup shoqesh që qëndronim gjithmonë bashkë dhe që vazhdimisht na shoqëronte një sens i bukur humori. Është një miqësi, të cilën e vlerësoj shumë dhe dua që të ruhet sa më gjatë.

Duke parë reputacionin tuaj të madh në publik, të ka kërkuar ndihmë ndonjë kandidate në këtë fushatë?

Edhe ka ndodhur, por është një nga principet e mia që me politikën nuk kam dëshirë të ngatërrohem, edhe pse në mënyrë indirekte jam e lidhur me të. Mua nuk më pëlqen që të merrem me politikë. Nuk i përshtatet natyrës sime. Por më pëlqen të jem gjithmonë e azhornuar me ngjarjet politike, ndjek me shumë interes edicionet e lajmeve dhe detyra si qytetare më bën që të shkoj gjithmonë në votime, gjë që duhet ta bëjnë normalisht të gjithë.

Po ndonjë forcë politike të ka kërkuar të kandidosh për siglën e saj?

(Qesh)Jo, jo.

Diçka mbi karakterin tënd? Çfarë të pëlqen dhe nuk të pëlqen tek vetja?

Më pëlqen këmbëngulja, një cilësi që më ka ndihmuar shumë në jetë. Jam një njeri që insistoj deri në momentin e fundit, nuk dorëzohem lehtë. Jam natyrë optimiste, dhe kam bindjen se njeriu e gjen gjithmonë zgjidhjen, po të ketë dëshirën dhe vullnetin. Përsa i përket asaj që s’më pëlqen, mund të ndodhë që ndonjëherë të jem gjaknxehtë.

E mbani gjatë inatin meqë jeni gjaknxehtë?

Gjaknxehtësia dhe inati janë dy gjëra që s’janë detyrimisht të lidhura me njëra-tjetrën. Unë nuk mbaj inat. Më pëlqen që gjërat t’i them shumë hapur, t’i sqaroj gjithmonë kur ka paqartësi dhe për më tepër nuk më pëlqejnë fare njerëzit që mbajnë inate.

Ta kanë treguar prindërit, përse të kanë pagëzuar me emrin Rudina dhe a të pëlqen?

Me ç’më kanë treguar, ka qenë kushërira ime 5- vjeçare që në momentin që kam lindur, ka këmbëngulur që unë të quhem Rudina. Ky emër i pëlqeu prindërve të mi, sepse rudinat janë ato lëndinat e maleve të mbushura me lule të vogla shumëngjyrëshe. Emri im më pëlqen.

Kur shikon trupin tënd ndiheni e kënaqur, apo shikoni ndonjë pjesë të trupit tënd që kërkon ta përsosësh përmes ndonjë operacioni plastik?

Ndjehem mirë me trupin tim, por nuk jam edhe kundra atyre që i bëjnë këto ndryshime, pasi mund të të ndihmojnë të ndjehesh më mirë, të ndihmojnë të superosh ndoshta komplekse të vogla apo të mëdha që mund të të kenë krijuar defekte të ndryshme fizike. Por gjithmonë pa kaluar limitin e humbjes së identitetit tënd.

Harxhoni shumë për lukun?

Nuk jam shumë e fiksuar pas lukut, varet nga periudha. Nganjëherë kur je e stresuar të ndihmon shumë kur del nëpër dyqane, sikur të ngre humorin. Mua më pëlqen të sodis dyqanet dhe vitrinat e tyre, por jo aq shumë ato të veshjeve, sesa dyqanet e gjërave të vogla të kinkalerinave, xhinglat siç i themi ndryshe, në të cilat kur futem mezi dal.

Të pëlqen të luash ndonjë film?

Ideja më pëlqen. Kam pasur dikur një propozim, por që nuk u realizua për shkak të fondeve që nuk u grumbulluan dot, por do më kishte pëlqyer, pse jo.

Sa fëmijë dëshiron të kesh dhe çfarë profesioni do dëshiroje të kishin?

Do dëshiroja të kisha dy fëmijë. Për të vajtur deri tek profesioni i fëmijëve është shumë larg, por që gjithsesi do doja të vendosnin vetë.

Si po shkon jeta juaj private?

Shkon shumë mirë.

Diçka më shumë mbi jetën, karrierën artistike dhe aktivitetet e tua më të dashura?

Unë kam lindur në Tiranë, kam mbaruar Fakultetin Ekonomik. Karrierën televizive e kam filluar që në moshën 15- vjeçare kur sapo kisha filluar vitin e dytë të gjimnazit. Tashmë janë bërë shumë punë, sa nuk i mbaj mend të gjitha. Si çdo fëmijë kisha shumë dëshira. Madje, dëshira të çuditshme dhe interesante, saqë kur i kujtoj tani më vjen për të qeshur. Fillimisht dëshiroja të bëhesha mësuese, më pas aktore, ka qenë një moment që doja të bëhesha edhe ambasadore, (qesh), por edhe ministre. Me ç’më kanë treguar, ka qenë kushërira ime 5- vjeçare që në momentin që kam lindur, ka këmbëngulur që unë të quhem Rudina. Ky emër i pëlqeu prindërve të mi, sepse rudinat janë ato lëndinat e maleve të mbushura me lule të vogla shumëngjyrëshe. Emri im më pëlqen. Besoj që nisur nga këto karakteristika të emrit nuk i ke zhgënjyer prindërit dhe vajzën 5- vjeçare që ta ka vënë këtë emër të bukur? (Qesh).

Gjermania, si e ka bërë për vete botën

Ka më shumë turistë se Franca, pëlqehet më tepër se Britania e Madhe. Sot, 21 vjet pas bashkimit, modeli gjerman ka bërë për vete të gjithë botën. Atdheu i shtetit të mirëqenies sociale dhe eksportuesi më i madh i mjeteve teknologjike, sot është edhe një magnet që tërheq menaxherë, arkitektë dhe sipërmarrës për universitetet dhe kryeqytetin kozmopolit që rilindi 21 vjet më parë

Vijnë për ta vizituar më shumë turistë se në Francë. Universitetet më të mira kanë një vlerësim që frikëson çdo kundërshtar në botë. Kryeqyteti është një djep shumëkulturor, i adhuruar nga të rinjtë dhe i pagëzuar si qyteti që nuk fle kurrë. Demokracia e tij, modeli i stabilitetit dhe bashkekzistencës merren si shembull nga Roma në Tokio. Duket se tani i ka zënë vendin plotësisht asaj që dikur Tony Blair e quajti “Cool Britania”. Sot, me plot gojën, mund të themi “Cool Germania”. Vendi më i pëlqyer nga opinioni publik botëror, më i preferuari nga turistët, që ka universitete të lavdishme dhe metropolin më të adhuruar nga intelektualët, nuk është më Londra, por Berlini. “Cool Germania” është dashuria e momentit. Nuk e besoni? Lexoni raportin e pagabueshëm të BBC. “Annual BBC World Service Country Rating Poll”, një sondazh akademiko-shkencor i bërë në 27 vende, i ka dorëzuar “Palmën e Artë” për vendin që pëlqehet më shumë, gjigandit të zemrës së Europës që dhjetëvjeçarë më parë shihej me dyshim për shkak të luftërave dhe Shoah-ut. Bota ka ndryshuar faqe, tani Britania është në vendin e dytë. Është mundur nga ish-armiku i saj. Prej kohësh, tashmë modeli që Gjermania ofron adhurohet nga të gjithë. Por nuk mjaftojnë sukseset ekonomike: BMW-të apo “Mercedes”-ët përrallorë për të shpjeguar se përse kundrejt ëndrrës amerikane dhe “Cool Britania”, bota ka preferuar deri tani të panjohurën “Cool Germania”. Në çdo çast të mënyrës së të jetuarit – kapitalizmi i moderuar nga solidariteti social, refuzimi instiktiv i çdo “muri kundër murit”, ish-armiqtë e së kaluarës kanë bërë për vete zemrat e imagjinatës kolektive globale. Sidomos tani që – siç shkruan “Financial Times” dhe “Economist” udhëhiqet nga një grua, një gei dhe nga një i paralizuar: përkatësisht Angela Merkel, Guido Westerwelle dhe Wolfgang Schaeuble, ndërsa politikani më popullor, baroni 39-vjeçar, Zu Guttenberg dha dorëheqjen rreth 15 ditë pas akuzës për plagjiaturë në tezën e doktoraturës së tij. “Cool Germania” - e sheh kudo. E sheh duke shëtitur në kampusin e “Freie Universitat” të Berlinit, ku sheh shumë çifte të përziera, ku ajo mund të jetë japoneze, ndërsa ai afrikanojugor, ai indian ndërsa ajo gjermane. E sheh në të gjitha universitetet publike, që u ofrojnë të rinjve edukim cilësor dhe të barabartë. E ndien teksa del nga metroja në Portat e Brandenburg-ut, ku dëgjohen gjuhët e përziera të botës si në “Knightsbridge” apo në “Times Square”. “Mrekulli, Gjermania që deri pak vite më parë lidhej në kujtesën kolektive vetëm me luftën, është vendi më popullor në botë”, shkruante pak ditë më parë “Daily Telegraph”. Vend shumë i pasur, eksportues i madh i mjeteve teknologjike, ku mekanizmat e mirëqenies sociale funksionojnë për mrekulli, dhe me kapitalizmin që të frikëson shumë herë më pak se në vendet e tjera. Por pyetja që shtrohet është kjo: si ka arritur të bëhet vendi më i preferuar në botë pa pasur gjuhën globale si gjuhë nënë? “Globalscan”, që e ka ndjekur sondazhin bashkë me Universitetin e Maryland-it për BBC-në, i jep arsyet përse. “Gjatë dhe pas stuhisë së krizës financiare, Gjermania fitoi një profil të lartë të vendit të begatë, demokratik, të qëndrueshëm dhe të hapur ndaj botës”, thonë kërkuesit. Mes njerëzve më entuziastë që e pëlqejnë këtë mënyrë jetese gjermane, pa e njohur dhe e pa e kuptuar janë italianët: 89 për qind e të pyeturve, sipas sondazhit që u bë nga BBC, janë pro “Cool Germania”. Madje më shumë se vetë gjermanët (86 për qind). “Ndoshta gjermanët i pëlqejnë botës, sepse ndoshta kanë gjetur ekuilibrin e brendshëm që e humbën pas largimit të kancelarit të Gjermanisë së bashkuar Otto von Bismark dhe rritjes së nacionalizmit”, thotë profesor Michael Stuermer, ish- këshilltari i Helmut Kohl dhe historian i famshëm. Që atëherë, dy luftëra të humbura botërore dhe frika dhe tmerri i nazizmit e bënë që të binte shumë poshtë. Kur ra muri dhe Gjermania u bashkua, me të u rizgjuan frikërat në botë: humor i keq në Paris, frikë në Varshavë, kujtimet më të këqija në Izrael. Atëherë ishin ndjesi të rënda, ndërsa sot janë gjëra që i përkasin së kaluarës. Por kurioziteti i atyre që preferojnë të udhëtojnë, flet shumë. Gjermanët, që deri dje cilësoheshin si monotonë e provincialë, e kanë lënën pas Francën: 60 milionë turistë e më shumë. Berlini është magneti i madh, rinor dhe kozmopolit. Por Gjermania ka edhe qytete në pamje të parë shumë të ftohta, si metropoli financiar, Frankfurti, që po sheh rënie të numrit të vizitorëve. Armiku i së shkuarës nuk të ngjall më frikë, përkundrazi të tërheq shumë. Në Berlin, ish-viktimat e së shkuarës d.m.th, polakët, rusët dhe izraelitët, sipas burimeve nga Ministria e Turizmit dhe autoritetet e emigracionit, janë vizitorët numri i të cilëve po rritet në mënyrë të vazhdueshme. Studentë, arkitektë, dizajnerë, sipërmarrës të mëdhenj e të vegjël: një det njerëzish të kualifikuar, arratisja e trurit nga shumë vende për të gjetur qetësi në Almanya, njëkohësisht toka e premtuar që dy regjisore të reja të talentuara, Yasemin dhe Nsrin Sandrelli kanë përshkruar në filmin e tyre të fundit. Qyteti nuk është më ëndrra e qytetarëve të varfër turq apo të dëshpëruarve të vendeve të Ballkanit, paralajmërojnë kolegët e “Welt” dhe të “Tagesspiegel”: në Berlin tani vijnë për të jetuar dhe punuar edhe shumë VIP-a të kulturës globale. Renzo Piano dhe Sir Norman Foster kanë riprojektuar qytetin pa murin, ndërsa Simon Rattle drejton “Berliner Philharmoniker”. Po ashtu shumë prej yjeve të Hollywood-it janë transferuar këtu. Brad Pitt dhe Angelina Jolie, Johnny Deep dhe Jeff Bridges bëjnë gjithë atë rrugë për të punuar mes Kalifornisë dhe Prusisë dhe kënaqen duke blerë apartamentet më të bukur në qendër apo në vilat antike të Potstam-it, Versajës së prusianëve. Por nuk janë vetëm VIP-at që vijnë me entuziazëm në vend, tregojnë zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Këtu vijnë edhe mijëra ekspertë interneti indianë, rusë apo nga shtete të tjera të Europës, për të hedhur bazat e një jete të re. Fytyrat e tyre prej kohësh nuk duken më të huaja, prej ngado vend i botës që vijnë të rinjtë sjellin inteligjencë, ide të reja për modën, shije dhe aroma të reja ushqimesh. Kthesat për sytë e botës nisin me Botërorin e Futbollit në vitin 2006 apo edhe me kombëtaren e fundit në Afrikën e Jugut. Tifozët gjermanë, që kishin vështirësi të madhe për fitore. Vërtet dy Botërorë të humbur, por dy humbje të pranuara me entuziazëm për një kombëtare multietnike si askush tjetër. “Të urryer dhe të lënë pas dore, pas vitit 1945 synuan të bëheshin më të mirët”, shkruajnë mediat angleze. Tani, edhe kur shkojnë në luftë: Nga Ballkani në Afganistan, ushtarët e Bundeswehr hapin shkolla, spitale dhe puse dhe nuk kanë famën e pushtuesve si perëndimorët e tjerë. Edhe kur kthehen në arkivole mbi avionët ushtarakë, “Cool Germaia” i jep përshëndetjen e fundit në heshtje ushtarëve të saj të paqes.

Sytë, si të kurojmë shikimin e dobët

Bimët mjekësore që ndihmojnë në shërimin e sëmundjeve të syve

Disa sëmundje kanë periudha të caktuara të shfaqjes. Alergjia dhe infektimi i syve në të shumtën e rasteve shfaqet me ardhjen e ditëve të nxehta, gjatë stinës së pranverës dhe verës. Tashmë dihet që alergjia shtohet me rritjen e temperaturës, me forcimin e rrezeve të diellit dhe me shtimin e pluhurave në ambient, të cilat shtojnë thatësirën e syrit dhe shtimin e infeksioneve.Për kurimin e sëmundjeve të syrit, që shfaqen gjatë kësaj periudhe mjekësia popullore vjen në ndihmë me bimët e saj. Një prej bimëve, që përdoret për këtë qëllim, është eufrazia. Eufrazia është bimë njëvjeçare, gjysmëparazite, e cila lidhet te rrënjët e barërave. Lulet janë me ngjyrë të bardhë ose rozë me pika të verdha të ndritshme në qendrën e lules. Shija e bimës është e hidhur. Bimën mund ta gjejmë nëpër livadhe dhe nëpër të gjitha vendet e mbuluara me bar. Në mjekësinë popullore përdoret e gjithë bima në lulëzim. Kjo bimë përdoret për shërimin e sëmundjeve të syve, të konjuktovitisit (qepallës), blefaritisit, iridociklitisit. Përveç efektit të saj në skuqjen dhe infektimet e syrit, ekziston tradita e përdorimit të eufrazisë edhe në sëmundjet serioze të syrit, si katarakti, madje edhe dobësimi i shikimit.
Hurma
Në mjekësinë popullore përdoren pothuajse të gjitha pjesët e bimës, frutat, gjethet, degët, rrënjët etj. Përdorimi i shpeshtë i frutit të hurmës, çon në mosprekjen e sëmundjeve të syrit dhe sidomos të alergjisë.
Patatja
Patatja i ngjan bukës, ndonëse për nga përbërja e vitaminave dhe kripërave minerale u përngjan perimeve. Ajo përmban sasi të mëdha të kaliumit si element kryesor për organizmin e njeriut. Në mjekësinë popullore ajo përdoret në rastet e alergjive të syve, si dhe kur poshtë tyre janë krijuar rrathë të zinj. Pritet një fetë e vogël patateje dhe më pas e presim në gjysmë. Secila prej fetave vendoset poshtë syve dhe lihen aty për 20 minuta. Ky veprim përsëritet disa herë në mbrëmje.
Trëndafili i majit
Në 100 ml verë zihet 50 gr fletë luleje trëndafili të majit. Me ujin e trëndafilave lahen sytë dhe fletët vendosen në sy për pak kohë. Kjo mënyrë do të çonte në përmirësim të skuqjes së syve. Një tjetër kurë për qetësimin e skuqjes së syve është larja e tyre me lëngun e kamomilit. Larja e syve me kamomil do të zgjasë deri sa mos të ketë më probleme.
Manaferra
Për të përmirësuar shikimin e dobët pihet çdo ditë një gotë me lëng karote. Për të përmirësuar shikimin gjatë natës përzihen 30 pika lëng manaferrash me 50 gramë ujë. Kjo masë pihet tri herë në ditë. Gjithashtu, mund të pihen dy gota me lëng manaferre në ditë. Për të lehtësuar lodhjen e syve vendosen feta kastraveci mbi qepallat e mbyllura dhe mbahen për 15 minuta.
Vitamina
Vitaminat dhe mineralet janë të domosdoshme për funksionimin sa më mirë të syve. Vitamina A përmirëson shikimin natën. Ushqime të pasura me vitaminë A janë perimet e gjelbra, karotat, spinaqi, por edhe vezët, djathi dhe gjalpi. Vitamina B redukton skuqjen e syve dhe mund të ndihmojë sytë që janë të ndjeshëm ndaj dritës. Ushqime të pasura me vitaminë B1, B2,B3, B6, B12 janë makaronat, buka, qumështi, kërpudhat, peshku ton, arrat, bananet, mëlçitë. Karoteni ndihmon në forcimin e syve të dobët. Ushqime të pasura me karoten janë karotat, lakrat dhe bishtajat.
detaje
Simptomat
Simptomat e para të alergjisë së syve janë: kruajtja që ndihet, skuqje dhe fryrje e qepallës së syrit dhe shtim i sekrecioneve (lotëve). Në të shumtën e rasteve sëmundja, në periudhën e pranverës, shoqërohet me dhimbje dhe ndjenjën e thatësisë në sy.
Shkaqet
Shkaktarët e alergjisë janë disa lëndë, që gjenden në mjedis, si pemët, pluhuri, kafshët shtëpiake, barërat, parfumet. Këta shkaktojnë reaksion me konjuktivën e syrit, që përmban qeliza si basophili dhe mastcellsi, që sjellin sekretimin e lotëve.
Alergjitë
Një lloj alergjie është ajo që shkaktohet në sy nga përdorimi i lenteve të kontaktit, i pikave që hidhen në sy dhe i lëndëve kozmetike. Një lloj tjetër është alergjia që shkaktohet nga faktorë të mjedisit. Faktor është edhe nxehtësia dhe dielli.

10 sekrete për të ruajtur sytë

Në lashtësi njerëzit lexonin pa problem edhe në moshë të thyer, sepse nuk e njihnin skllavërinë e kompjuterit. Por nëse ndiqni këto 10 rregulla, mund të lexoni si ata.

1. Kurrë shumë afër. Mos i ulni sytë shumë pranë kur lexoni dhe shkruani.
2. Ruani pjerrësinë e tastierës. Për të pasur një qëndrim të mirë, krijoni pjerrësinë në lexim ose shkrim, të ngjashme me bankat e shkollës. Pjerrësia duhet të jetë 20 gradë.
3. Këmbët në tokë. Zgjidhni një karrige që t'ju lejojë të mbështesni mirë këmbët në tokë që ta shpërndani peshën kudo.
4. Dritë natyrale sa më shumë. Punoni vetëm gjatë ditës dhe me dritën e diellit që sjell gëzim dhe energji.
5. Është më e mirë llapma e zakonshme sesa ajo me neon. Nëse punoni në dritë artificiale, përdorni vetëm llambat sepse neoni skuq sytë dhe shkakton dhimbje koke.
6. Drita të vijë nga ana e majtë. Por nëse jeni mëngjarashë, duhet të vijë nga e djathta.
7. Shmangni fotokopjet. Përpiquni të lexoni libra të shtypur me germa të mëdha.
8. Vështroni peizazhin. Vëreni tryezën pranë dritares për të hedhur vështrimin larg herë pas here. Më mirë nëse është në natyrë.
9. Shpërqendrohu. Largojeni vështrimin vazhdimisht nga libri apo ekrani i kompjuterit.
10. Shikohuni në pasqyrë. Nëse keni pranë jo dritaren, por një mur, atëherë vini një pasqyrë ku të shiheni herë pas here.
Masazhi i fytyrës: Fërkoni lehtë me mollëzat e gishtërinjve pjesën e sipërme të syve pastaj të poshtme. Duke nisur nga ana e brendshme, drejt hundës, rrëshqisni gishtat për nga ana e jashtme. Përsëriteni ushtrimin për të paktën dhjetë herë.
Dixhitopresioni: Vini gishtat e mëdhenj mbi tëmtha dhe gishtërinjtë e tjerë mbi ballë. Pastaj vini treguesit pak më poshtë se tëmthat dhe gishtat e mëdhenj nën mjekër dhe fërkojeni shumë herë.

9 mënyrat për t'i thënë “JO” plakjes

Nga gjumi, dobësia për ëmbëlsirat deri tek seksi

Është thënë e stërthënë që konsumimi i cigares dhe ekspozimi i gjatë në diell përshpejtojnë procesin e plakjes. Por nëse doni të ktheni orën mbrapa, ose të paktën ta ngadalësoni atë, mos anashkaloni edhe disa zakone të tjera, në dukje të padëmshme, të cilat mund t'i sabotojnë përpjekjet tuaja për të qëndruar të rinj.

1. Flini vonë
Puna gjatë ditës, angazhimet e tjera pas orarit të punës apo edhe emisionet në orët e vona të natës e shtyjnë orarin e gjumit. Kjo mund të jetë shumë e dëmshme për shëndetin, pasi studimet e lidhin atë me presionin e lartë të gjakut, diabetin, shtimin në peshë dhe të dukurit të lodhur dhe më të mëdhenj në moshë.

Reagoni
Nuk është e thënë që mund të keni nevojë për 8 orë të plota gjumi çdo natë, por jepini më shumë rëndësi gjumit dhe trupi juaj do t'ju falënderojë për këtë. Nevojat për gjumë të gjithsecilit janë të ndryshme dhe për të zbuluar se cilat janë nevojat tuaja, ekspertët rekomandojnë që të hiqni alarmin e zgjimit dhe të shikoni për sa orë gjumë ka nevojë trupi juaj.

2. Keni dobësi për ëmbëlsirat
Një dietë e pasur me sheqer prish linjat tuaja, por tashmë ekspertët mendojnë se përveç kësaj mund ta bëjë lëkurën tuaj më të thatë dhe me rrudha. Përgjegjës për këtë është procesi nëpërmjet të cilit sheqeri në gjak u ngjitet proteinave, duke formuar proteina të reja të dëmshme.
Sa më shumë sheqer konsumoni, aq më shumë këto proteina shtohen, duke dëmtuar kolagjenin dhe elastinën, të cilat e ndihmojnë lëkurën të qëndrojë e tendosur dhe elastike, rrjedhimisht krijohen rrudhat. Këto efekte fillojnë në moshë 35-vjeçare dhe përparojnë shumë shpejt pas kësaj moshe.

Reagoni
Nuk është e lehtë të eliminoni tërësisht sheqerin, por ta kufizoni atë mund t'ju ndihmojë. Kini kujdes sidomos me sheqerin e shtuar "vjedhurazi" në disa ushqime, pasi shumë ushqime të përgatitura përmbajnë sasi të konsiderueshme sheqeri, të fshehura nën emra të tjerë në listën e përbërësve.

3. Stresi i përditshëm
Profesioni, çështjet familjare e ekonomike shkaktojnë stresin e përditshëm, që mbase mund të duket normal. Stresi rrit përqendrimin e hormoneve kortizol dhe norepinefrinë në gjak. Herë pas here, kjo mund të jetë arsyeja pse shërimi i një sëmundjeje kërkon një kohë më të gjatë se normalja dhe pse zona të trurit që kanë të bëjnë me të lexuarit, kujtesën dhe humorin, ndihen më të lodhura.

Reagoni
Stresi nuk ikën asnjëherë plotësisht, por është diçka që mund ta menaxhoni. Një frymëmarrje e thellë është një antistres shumë i mirë. Gjeni kohë për këtë të paktën dy herë gjatë ditës. Nuk ju merr më shumë se dy minuta. Bëjeni në mëngjes, para gjumit dhe sa herë që ndiheni të mërzitur.

4. Stërviteni vetëm kur doni të bini në peshë
Ushtrimet janë më efektivët kur është fjala për ta kthyer kohën mbrapa, por shumë prej nesh nuk i kuptojmë përfitimet e tyre sepse i lidhim thjesht me rënien nga pesha.
Studimet tregojnë se të qenët aktiv në mënyrë të përhershme lufton fenomenin "brain fog" (mungesa e përqendrimit, harresa), redukton inflamacionin, parandalon diabetin e tipit 2 dhe të tjera gjendje kronike që përparojnë me kalimin e kohës.

Reagoni
Mos i harroni në dollap këpucët tuaja sportive. Zgjidhni sportin tuaj të parapëlqyer si të ecurit, çiklizmin apo kërcimi dhe përpiquni ta praktikoni për rreth 25 minuta në ditë. Shtojini pak nga pak këto minuta me kalimin e kohës dhe nëse ndonjë ditë nuk arrini dot ta bëni, mos e lini këtë të bëhet zakon. Vazhdoni sërish të nesërmen.

5. Përdorni shumë kufjet
Asgjë nuk ju bën të dukeni më të plakur sesa kufjet në vesh, teksa përgjigjeni "më falni, si thatë?". Humbja e dëgjimit përparon ngadalë si rezultat i ekspozimit kundrejt qindra decibelëve në vesh, shpesh të përditshme, si i-Podët, MP3-shët apo edhe tharëset e flokëve.

Reagoni
Mbani sa më të ulët volumin e i-Podit. Vini kufjet kur jeni pranë zhurmave të tjera si mullinjtë elektrikë të kafes apo korrëset e barit.

6. Nuk takoheni me shoqërinë
Keni kohë që nuk i keni takuar me miqtë tuaj, për shkak të mungesës së kohës? Studimet tregojnë se miqësitë e mira ndihmojnë në jetëgjatësi dhe gjithashtu mund të na ndihmojnë të mbrohemi nga mbipesha, depresioni dhe problemet e zemrës. Ja pse ndihemi të rimbushur me energji pas një takimi me miqtë e dikurshëm të shkollës.

Reagoni
Miqtë ju ndihmojnë të qëndroni të rinj. Nëse angazhimet e përditshme ju pengojnë, caktoni një ditë të veçantë për takimet me miqtë. Gjithashtu, në ndihmë ju vijnë edhe rrjetet sociale si Facebook-u. Të qëndruarit në kontakt me miqtë ju ndihmon të ndiheni më afër tyre.

7. Hani fruta dhe perime, por jo çdo ditë
Me siguri e dini që frutat dhe perimet, të pasura me antioksidantë, ju ndihmojnë të qëndroni të rinj. Ato kanë të ashtuquajturat radikale të lira, të cilat janë të domosdoshme. Antioksidantët qëndrojnë aktivë vetëm për pak orë dhe duhen marrë përsëri, kështu që mos mendoni se jeni "karikuar" për gjithë javën nëse hani një sallatë të bollshme të hënën.

Reagoni
Për të maksimizuar përfitimet në luftën kundër moshës, konsumoni frutat dhe perimet çdo katër orë.

8. Evitoni yndyrat
Të shmangni yndyrat si ato që gjenden tek peshku, arrat apo vaji i ullirit është një gabim. Një prej tyre, acidi yndyror omega 3, konsiderohet yndyra antimoshë. Ai thelbësor për mbrojtjen e trurit, zemrës, kockave dhe lëkurës. Studimet tregojnë se një sasi më e madhe e konsumuar e këtyre yndyrave ndikon në jetëgjatësi.

Reagoni
Mbani mend që rreth 20-35 për qind e kalorive ditore duhet të vijnë prej yndyrave, kryesisht atyre të shëndetshme, që përmendëm më lart.

9. Nuk mbani mend herën e fundit kur keni bërë seks
Seksi ju bën të ndiheni mirë dhe përmirëson humorin tuaj, por gjithashtu është shumë i mirë për shëndetin.
Studimet tregojnë se njerëzit me një jetë seksuale aktive kanë sistem imunitar më të fortë, më pak dhembje, janë më pak të rrezikuar nga kanceri, kanë zemër më të shëndetshme dhe më pak stres. Dhe lajmi më i mirë: mund t'ju bëjë të dukeni më të rinj edhe më shumë se 12 vjet.

Reagoni
Rizgjoni romancën me partnerin, bëjeni vetë lëvizjen e parë. Nganjëherë partnerët duan të preken më shumë e të joshen më shumë. Çdonjëri dëshiron të ndihet i dëshiruar.

Luan Zhegu: Ja pse ja besova këngën “ Let it be” Sherif Merdanit

Rezarta DHOGA
“Mjeshtri i madh i skenës” dhe “Artisti i merituar” Luan Zhegu rrëfen, jetën mes çmimesh dhe duartrokitjesh

Luan Zhegu ka mbaruar fakultetin e ekonomikut, por gjithë jetën e tij ia ka kushtuar skenës dhe muzikës. Ai tregon për debutimin e tij të parë në skenë, ku më pas do të vazhdojë dhe me debutime të tjera ku do të jetë fitues i disa çmimeve si në “Koncertin e pranverës” dhe në festivalet e RTSH-së. Ai shpjegon rrugën se si arriti të fitoj suksese në krijimtarinë e tij si këngëtarë dhe kompozitor i muzikës shqiptare. Ai tregon bashkëpunimet e tij më të suksesshme me autorët e teksteve, kompozitorëve si dhe këngëtarëve me të dëgjuar. Me trishtim ai tregon për këngën “Këngët e rinisë”, të cilën e mirëpriti spektatori, por që nuk mori vlerësimin e duhur duke e lënë jashtë natës finale të festivalit.
Çfarë dini ju për Tiranën në profilin muzikor dhe si ka ndikuar kjo traditë në krijimtarinë tuaj?
Për hir të vërtetës unë nuk është se jam shumë specialistë në fushën e muzikës popullore, por duke qenë dhe vetë tirans i kam të gjitha ato të ashtuquajturat motivet, që kur kam qenë fëmijë dhe ku jam bazuar në ato perla për kompozimin e muzikës së lehtë. Unë jam tirans dhe e mbroj me fanatizëm të qenit kryeqytetas. Po bisedonim një ditë me disa shokë dhe po thoshin “Juve Luan, keni kaluar në minorancë” dhe unë iu përgjigja, se sido që të jetë puna ne i kemi detyruar gati të gjithë, jo vetëm shqiptarët që banojnë në Republikën e Shqipërisë, por edhe në të gjitha trojet që evenimentin kryesorë që ata kanë, dasmën ata ta bëjnë me “Napolonin” tonë dhe kjo është merita e jonë nuk diskutohet. Ose kur digjet shamia e beqarit është valle e Tiranës. Pra janë disa perla të pazëvendësueshme që i japin tonin e dasmës Shqiptare.
Dhe në këtë mënyrë ju jeni formuar si këngëtarë dhe si kompozitorë i këngës. A ju kujtohet se kur e keni ndjerë veten se mund të këndoni edhe për të tjerët?
Hera e parë kur jam ngjitur në skenë ka qenë në moshën 12 vjeçare, ka qenë një operetë për fëmijë me muzikë të Llazar Moçkës dhe me regji të të ndjerit Viktor Gjoka. Ishte një këngë shumë e bukur titullohej “Bilbili dhe kanarina”. Në qoftë se flasim për emocionet e mëdha të ngjitjes në skenë të festivaleve, në vitin ‘72 u futa në teatrin e varietesë së Tiranës dhe aty dola në skenë me debutime të njëpasnjëshme ku bëheshin 265 shfaqe në vit, gati çdo ditë dhe vetëm një të hënë kishim pushim. T’i shumëzosh me tre debutime ne natë imagjino se sa këngë këndoja në vit. Plus nuk diskutohen koncertet e majit “Kur vjen Pranvera”, festivalet dhe koncertet e ndryshme.
A mund të na thoni ndonjë kujtim nga ajo kohë kaq e vrullshme kaq energjike, kaq intensive të veprimtarisë tuaj?
Në lidhje me këngën “Këngët e rinisë” kjo është kompozuar në vitin 1976 nga Agim Krajka, teksti është i Xhuliana Jorganxhiut. Kjo këngë pati një sukses të paparë në Teatrin e Operas dhe të Baletit ku zhvilloheshin festivalet. Të gjithë mendojnë se kjo këngë ka marrë çmimin e dytë kurse në të vërtet kjo këngë nuk doli fare në natën e tretë. Unë isha i ri atëherë dhe u mërzita shumë, por më qëndroi pranë Krajka dhe më “tha se un jam mësuar me këto dhe ti nuk duhet të shqetësohesh”. Unë atëherë u zhgënjeva sepse nuk e dija se si funksiononin këto punë dhe kur spektatori e priti në mënyrë të paparë duke duartrokitur për të ridalë këngëtari dhe për të përshëndetur në skenë, sepse atëherë nuk të lejonin ta rikëndoje këngën. Kështu që spektatorët më rikthyen për katër herë dhe mendova ose pretendohej se do të merrja një çmim dhe kur erdhi puna kënga nuk hyri as në natën e tretë.
A mund te na tregoni diçka nga rruga juaj mes çmimeve dhe duartrokitjeve të publikut?
Kënga “ Alo, alo” i takon viteve ’87 është nderuar me çmimin e dytë të festivalit, ndërsa çmimin e parë në atë festival e ka marrë Agim Krajka me një këngë, të cilën e kënduan motrat Libohova dhe unë më shumë u gëzova për Agimin se për vetën sepse unë kam pasur disa bashkëpunime me Krajkën. Kjo këngë u bë si shprehje pasi njerëzit kur më përshëndesnin më thoshin “Alo, alo” madje kishte filluar të bëhej dhe si lajtmotiv për çifte të ndryshëm.
Një gjë është interesante në stilin tuaj të të kënduarit. Në skenë ju keni një qëndrim shik nëse mund ta përshkruajmë dhe kënga juaj përcillet mjaftë ngrohtësisht te publiku gjë që nuk mund të ndodhe dhe te këngëtarët e tjerë. Si e shpjegoni këtë fakt?
Çudi disa e marrin sikur është pak më e lehtë të mos lëvizësh se sa të performosh, është krejt ndryshe, për mendimin tim është më e zorshme të mos lëvizësh sepse përqendrimi i spektatorit dhe i telespektatorit është te ty dhe pret se çfarë fabule, ka çfarë mesazhi mund të ketë, çfarë interpretimi vokal po bënë. Por dhe performanca ka rëndësinë e vet. Megjithatë unë them se shkëputet pak vëmendja në qoftë se e keni vënë re p.sh më mirë dëgjohet Luani në një radio dhe aty dalin defektet e atij që bënë performimin.
Ju keni kënduar një këngë për Tiranën, por keni bërë dhe një këngë për Panajot Panon, legjendën e futbollit tonë. Ç’mund të na thoni në lidhje me këtë?
Tekstin “Këngën e Tironës” e ka bërë i ndjeri Alqi Boshnjaku, orkestracionin e ka bërë Markelian Kapedani, në saks është Osman Mula. Unë kam një shokë të ngushtë një mik të mirë një nga sportistët e mëdhenj të Tiranës Skënder Hykën dhe kur dëgjon Skënderin se kanë qenë shumë të varfër dhe ëndërronin një palë atlete “Adidas” dhe ai thotë se nuk e kishim idenë se si ishin këto lloj atlete dhe jo më t’i provonim. Me një shpirt të paparë, kanë qenë qoftë vitet e sportit, qoftë dhe të artit dhe të pasionit, nuk bëhej fjala sa do të fitoje, por sa do të jepje.
Ju në këtë këngë dhe në të tjera jeni kompozitorë. Kur e kuptuat faktin se ju mund të bënit dhe kompozimin e një kënge, pra si erdhën rrethanat dhe si e ndjetë vetën të tillë?
Krijimi ose kompozimi nuk është se mësohet, ai lind bashkë me njeriun, por në qoftë se nuk fillon të punohet dhe të kultivohet ai vdes aty në atë vatër dhe mund të vazhdosh në ndonjë fushë tjetër, pra po fillove të kompozosh rubineti duhet të rrijë gjithmonë i hapur. Gjithmonë kjo arrihet nëpërmjet punës ulesh në pianoforte merr motive të ndryshme, fillon e fantazon, përpunon temën që ke aty. Unë kompozoj mbi tekstin ose mbi fabulën që mua më serviret nga poetët më të mirë me të cilët kam pasur bashkëpunime. Për një këngë kompozitori mund të rrijë edhe me muaj dhe nuk mund të arrijë ta realizojë dot, ka pas raste kur unë i kam bërë jashtëzakonisht shumë shpejtë. Të marrim rastin, p.sh të këngës “Pse kënduam “Let it be”. Me Xhuliana Jorganxhi më erdhi teksti dhe i takonte tamam brezit të vuajtur, jo vetëm brezit tonë, por dhe atij të Sherif Merdanit dhe këtë këngë nuk ka kaluar as ora kur unë ja tregova dhe Sherifit dhe ai u përlot.
Pse nuk keni provuar që ta këndoni dhe ju këtë këngë?
Më tepër ja besova Sherifit pasi ishte dhe si një kërkesë e tij dhe them se do i shkonte Sherifit pasi këtë këngë ai do e këndonte dhe për veten e vet, ishte më tepër një përjetim. Ku ai kaloi një periudhë të vështirë dhe për çfarë? Për asgjë. Unë e përshëndes dhe e kam shumë mik. Kur ai ishte i dënuar unë vetëm nga respekti që kisha për të i kam kënduar gjithmonë këngët e tij edhe këngën e nënës e kam kënduar në Teatrin e Varietesë.
Ç’është një jetë për artistin në dy sisteme të kundërta politike?
Artisti ka qenë kudo në çdo sistem ai ka qenë artist, pra ka qenë i njëjti dhe i takon më tepër të gjithëve se sa vetvetes dhe nëpërmjet tekstit që ka bërë Arben Duka “ Artisti” ai thotë shumë bukur “nga kjo jetë s’u bëra dot i pasur” atij nga kjo jetë i kanë mjaftuar vetëm duartrokitjet.
Urdhri i Klasit të Parë” të para-‘90-ës, “Artist i merituar”, sërish para viteve ’90, ndërsa “Mjeshtri i madh i skenës” e keni marrë pas këtij viti, pra një njëtrajtshmëri e artistit në dy sisteme politike. Si e shpjegoni këtë fakt?
Artisti i shërben të gjithëve, unë jam përfshirë dhe në politikën lokale, ku kam qenë kryetar i minibashkisë, por aman dhe atje ku shërbeva unë kisha një batutë që e thosha gjithmonë “halli nuk ka ngjyrë partiake” ashtu është dhe kënga ajo shëron shpirtin.
Kur e keni ndjerë veten më zot të këndimit, të interpretimit, dhe të kompozimit para apo pas ’90-ës?
Në të vërtet më lirshmëri për sa i përket anës krijuese e pata pas viteve ’90, kjo pasi dolëm pak nga ajo guacka filluam të përqafojmë dhe pak erën evropiane sidomos në trajtimin e këngës. Mbasi bëra në ’92-shin këngën, e cila fitoi dhe çmimin e parë “Pse kënduam “Let it be”, në ’93-shin kompozoj këngën “Emocion” po me tekst të Alqi Boshnjakut dhe me orkestrim të Shpëtim Saraçit, që e këndon Aleksandër Gjoka ,e cila kishte një rrymë tjetër. Prandaj e vendosem dhe titullin “Emocion” pasi kujtuam ato emocione ne një aksion të rinisë. Unë kam mbaruar për ekonomi, ndërsa shkollën e këngës s kam kryer në skenë dhe këtë ia dedikoj Alqi Karecos. Për mua është dhe një luks i madh që më mësoi një mësues privat.
Ajo që ju dallon është fakti se ju nuk zgjidhni çdo lloj këngëtari për t’ia besuar këngën tuaj si e shpjegoni këtë?
Unë i kam dhënë këngë dhe Vaçe Zelës me tekst të Sulejman Matos, “Nusja e lirisë”dhe është pritur në mënyrë të jashtëzakonshme. I është dedikuar heroinës Margarita Tutulani. Aty Vaçe Zela është veshur komplet si Margarita me një fund të zi dhe një bluzë të kuqe. Një tjetër këngë fitues e çmimit të parë ka qenë dhe kënga “Liria dhe e vërteta” e kënduar nga Arbërie Hadërgjonaj edhe kjo ka një histori sepse është bërë mbas ngjarjeve tragjike të ’97-ës me tekst të Arben Dukës dhe e regjistruar nga Miron Kotani.
Çfarë kërkon te një këngëtarë për t’ia besuar këngën pikërisht atij?
Kjo bëhet dhe me preferencën e vet kompozitorit, por edhe me preferencën e këngëtarit që vjen te krijuesi. Në festivali e pranverës ia besoj këngën “Sanvalentino” Ledina Çelos, e cila fitoi çmimin e parë.