Politikani 31 vjeçar Lulzim Basha, koordinator i Komitetit të Orientimit të Politikave (KOP) dhe zëdhendës i fushatës së PD-së, fitoi më 3 korrik 2005 në zonën elektorale 33 në Tiranë, bastion i fortë i të majtës, jo thjesht përballë kandidatit socialist Arben Ahmetaj, po kryesisht ndaj kryebashkiakut Edi Rama, që e kishte përflak zonën me postera të tij të shumtë sikur të ishte ai kandidati zyrtar.
Diplomacia euro-atlantike në Prishtinë (veçmas në korrik 2000, tetor 2001, nëntor 2002) dhe në Tiranë (janar, prill-maj, korrik 2005), si edhe PD në opozitë të përgjakur e gjallëri vitale për pushtet, po promovonte dhe vlerësonte personalitetin e ri politik dhe kontributet e Lulzim Bashës, prandaj e majta nisur edhe nga këto fakte donte patjetër ta rrëzonte që në betejën e parë elektorale në Tiranë në një zonë të majtë me 36.080 zgjedhës në lista – sa gjysma e popullsisë së sotme (INSTAT – 2013) të qarkut të Gjirokastrës.