Magdalena Alla
INTERVISTA
Nënë e bijë duket se mbrujnë një marrëdhënie të dhembshur, komplekse dhe të fortë. Si kur kanë qenë apo janë larg, ashtu edhe kur afrohen e takohen më shumë brenda mureve të shtëpisë, të asaj shtëpie ku u ngjizën që të dyja. Si atëherë kur për shkak edhe të sëmundjes së Edës, Xhoin e rritën tezet dhe gjyshërit, dhe Eda sa herë merrte rrogën aty e kishte kokën, duke i çuar të bijës jo pak para. Si tani që është e bija që i mobilon shtëpinë nënës dhe i ka caktuar edhe një shumë të hollash muaj për muaj. Një marrëdhënie e ndërsjellë, e qëndrueshme, e pandryshueshme kujdesi.
Tashmë janë rrëzuar pengesat e dikurshme, por vajza ka një biznes dhe një martesë impenjuese, që edhe i largon deri diku. Megjithatë, Xhoi shihet të hyjë shpesh në tunelin pranë kinema "Agimit" te "Shallvaret" në Tiranë, për të vizituar të ëmën. Siç thotë vetë e ëma: "Nuk ndihem kurrë e harruar prej vajzës sime. Përkundrazi!" Dhe kur ato janë tok krijojnë aureolën e papërsëritshme të çdo marrëdhënieje nënë-bijë.
Eda, a ka ndryshuar ndopak Xhoi që kur u bë zonja e kryeministrit apo ish-kryeministrit?
Jo. Xhoi është gjithmonë po ajo vajza e thjeshtë me të gjithë. Vjen shpesh të më takojë, edhe pse shpesh bllokohet nga punët. Por nuk më harron kurrë. Xhoi për mua është një engjëll, qoftë në pamje, qoftë në shpirt. Unë ëndërroja të kisha një fëmijë dhe Zoti ma dha si e doja.
Ta dha edhe shumë të bukur në pamje...
Po. Ma dha edhe shumë të bukur.
Si e shpjegon Xhoin-engjëll apo nënat në përgjithësi i idealizojnë fëmijët?
Xhoi është zemërmirë, nuk di të bëjë keq. Është e dashur, e bukur si engjëll. Plus mua më ka respektuar si nënë, më ka qëndruar pranë në të gjitha problemet e mia.
Këtë shtëpi të bukur, Xhoi ta ka zbukuruar?
Po. Gjithë shtëpinë. Dhe Xhoi më ka ndihmuar gjithmonë ekonomikisht. Edhe kur ka qenë në Greqi, edhe tani. Por kam dhe pensionin tim. Por gjithsesi, ajo më ka caktuar një shumë të përmuajshme për kafe, cigare. Ja që e pi duhanin, edhe pse dua ta lë dhe më bën dëm. Por nuk shpenzoj për dreka, darka jashtë. Nuk para më pëlqen. Xhoi më ndihmon se nuk do që mua të më dridhet dora kur të dal me shoqet. Sot jam 58 vjeçe dhe nuk kam fuqi, dhe Xhoi më paguan edhe një grua që më pastron shtëpinë.
Me kë jetoni zonja Eda?
Jetoj me babanë tim 83 vjeç dhe djalin, vëllanë e Xhoit, Kristin, 23 vjeç. Për djalin dua që ai një ditë të martohet dhe të jetojë më vete, të bëjë jetë evropiane. Por, nëse unë në pleqëri katandisem keq, Xhoi, ime bijë po mendon edhe për të ardhmen time. Më thotë se do të paguajë një grua që të më rrijë pranë e mos të më lërë vetëm.
Shkon në shtëpinë e saj?
Shkoj me raste. Kur i vdiq i ati i shkova për vizitë. Por Fatosi nuk pranon të takohet me mua. Edhe goca nuk më tregon. Nuk i hyj shumë filozofisë së këtyre gjërave. Zoti thotë: "Po nuk vlerësove robin që ke në tokë, unë s'të vlerësoj.
Si e ke pritur martesën e vajzës me Fatos Nanon?
Të them të drejtën, kur më tha që do të martohej me një politikan, u mërzita. Nuk doja politikan, por është zgjedhja e vajzës sime dhe e respektoj.
Të fliste Xhoi përpara se të martohej për lidhjen me ish-kryeministrin?
Jo. Kur Xhoi jetonte në Greqi, unë kam qenë atje vetëm 10 ditë, sepse nuk rri dot në vend të huaj. Jam mësuar në Shqipëri. Dhe kam një natyrë, që po nuk m'u hap vetë vajza, nuk e pyes. Nuk jam kureshtare dhe nuk dua të ndërhyj në gjërat e saj, kur tashmë është e rritur.
Ndryshimin e moshës në martesë, nënat tona tradicionale, por jo vetëm tonat, e kanë problem zakonisht. Po ju e patët?
Edhe unë e pata shumë problem. Le të jesh e lidhur psikologjikisht në mentalitet, them se duhet edhe ajo në trup. Nuk them bukuri kushedi çfarë, por jo me diferencë të madhe moshe. Tani këshilloj dhe djalin rreth kësaj. Por thashë, është zgjedhja e vajzës sime. Nuk kam të drejtë të ndërhyj.
Jeni e kënaqur që vajza juaj jeton mirë ekonomikisht?
Xhoi ia ka dalë vetë. E ka të mirën nga Zoti, edhe para martesës me Fatos Nanon. E ka pasur agjencinë "Xhoi Travel" përpara se të njihte Fatosin.
Jeni një zonjë që edhe sot e pasqyroni bukurinë që keni pasur dikur. Por, në fakt, Xhoi ka një bukuri tjetër, që nuk iu ngjan shumë...
Po. Xhoi i ngjan më shumë të atit.
Çfarë mban mend nga fëmijëria, adoleshenca e saj?
Mbaj mend shumë pak gjëra, se unë atëherë isha e sëmurë dhe Xhoi është rritur më shumë te tezet dhe daja. Tani një teze e saj punon në shtëpinë e Xhoit, dy të tjera janë në Greqi, njëra në Petrelë, ndërsa daja në Tiranë. Por nuk harroja kurrë që sa herë mundja të çoja për Xhoin e vogël pambarimisht para, që ajo të rritej mirë. Gëzova që vajzës sime si engjëll iu lidh një pension, atëkohë prej 1500 lekësh e kështu ajo mund të rritej pa i munguar gjë dhe me dinjitet si shumë fëmijë të tjerë. Dëshira ime ishte të mos ma fyenin dhe ta respektonin fëmijën tim dhe këtë Zoti ma realizoi.
Ka pasur ndonjë dhunti apo tipar të veçantë Xhoi?
Xhoi nuk ka ndonjë dhunti të veçantë, por është e zonja e vetes. Shpesh këshillon edhe tim bir, vëllanë e saj, i cili sot është 23 vjeç dhe punon në një bankë si jurist: "Mos jeto nga shpatullat e mamit, por të çash vetë në jetë, të bëhesh zot i vetes, siç u bëra unë që 18 vjeçe". Kur më mungon ndonjëherë, dhe ia them këtë, më thotë: "Eh, ke çunin tani". Por ia kthej: "Ti ke qenë dhe je dashuria fillestare e jetës sime"...
Fatos Nano: Divorci me Rexhinën, asnjë lidhje me Xhoin
Fatos Nano ishte lidhur që në kohën e gjimnazit me shoqen e klasës, Rexhinën. Nga martesa gati 20-vjeçare çifti pati dy fëmijë, djalë dhe vajzë. Rexhina Nano ishte modeli i bashkëshortes së përkushtuar dhe besnike deri në fund. Në momentet më të vështira të jetës së saj, gjatë burgimit të bashkëshortit (1994-1997) ajo i qëndroi pranë Nanos. Kjo do të vijonte deri në 2002-in, kur kryeministri do të shpallte divorcin me të. Disa vite më vonë, gjatë një rrëfimi për një televizion grek, Nano do të shprehej se Rexhina ishte shoqja e jetës së tij për shumë vjet, veçanërisht në periudhën kur ishte i burgosur, ishte nëna e fëmijëve të tij. Ndërsa ndarja ndodhi, sipas tij, sepse dashuria kishte marrë fund. Por ai këmbëngulte se dashuria me Xhoanën nuk kishte të bënte me divorcin nga Rexhina. Dasma e tij me Xhoin ishte një festë private, mes rreth 100 familjarëve dhe miq të ngushtë në ceremoninë në kishën ortodokse në Tiranë, nën bekimin e Janullatos.
Xhoi: Njohja me Fatosin
Xhoana e kishte njohur Fatos Nanon, gjatë një vizite në Tiranë, ndërsa jetonte në Athinë dhe ishte bashkëpronare në një biznes me linjat e udhëtarëve, që e ka vijuar me sukses edhe në ditët e sotme. Ishin takuar në një ambient me miqsh të përbashkët dhe ishte një dashuri me shikim të parë. Ai i ishte prezantuar si Fatos Nano, ndërsa ajo Xhoana Nano.
Birësimi i djalit të Xhoanës
Pak vite më parë, Fatos Nano arriti të birësojë djalin e bashkëshortes, Xhoana. Babai biologjik, Artur Muharremi, kishte rënë dakord që atësia e djalit të tij, Klajdi, atëherë 14 vjeç t'i kalonte ish-kryeministrit. Xhoana Nano dhe Artur Muharremi kishin qenë bashkëshortë deri në 25 mars 1998-ën, kur vendosën për zgjidhjen e martesës dhe kujdestaria e fëmijës i ishte dhënë Xhoanës. Tashmë djali i Xhoanës gëzon të drejta të plota për trashëgiminë prindërore në familjen e ish-kryeministrit, si dy fëmijët biologjikë Sokoli dhe Eda.
No comments:
Post a Comment