Wednesday, July 28, 2010

Ylljet Aliçka: Shkruaj për histori të jetuara

alma mile

Ishte koha kur vetëm 10-vjeçarë, me pantallona të shkurtra, kalonin muret e Kinema "17 nëntorit" për të parë filma të ndaluar për moshën e tyre. E pastaj, ashtu si personazhet e Viskontit, përpiqeshin t'u vidhnin ndonjë puthje çupave të lagjes, edhe pse ndonjëherë pasojat ishin të rënda. "Koha e puthjeve", kështu titullohet libri më i ri me tregime i shkrimtarit Ylljet Aliçka (Ambasadori i Shqipërisë në Francë), një botim i shtëpisë botuese "Toena". Janë vetëm 8 tregime, por që mjaftojnë për të kuptuar realitetin tragjikomik të periudhës së diktaturës, por edhe tranzicionin e sotshëm, apo sallonet mondane franceze. Tregimet e tij rrokin fatin e individit, ravijëzuar dhe nga ngjarje të mëdha të kohës, si rasti i ardhjes së Hrushovit në Shqipëri, apo ndërtimi i statujës së Enver Hoxhës, që ka për personazh artistin Sali Shijaku, ndonëse shkrimtari nuk e identifikon me emër. Të gjitha histori të vërteta, të jetuara nga vetë shkrimtari, apo të rrëfyera nga të tjerë. Aliçka rrëfen përse iu kthye sërish tregimeve të shkurtra dhe nxitjen për krijimet e tij.

Pas një romani, i riktheheni lexuesit me një libër me vetëm 8 tregime, pse kaq i kursyer?
Jam përpjekur të jem selektiv dhe të nxjerr pak tregime. Mu kujtua një citat i Heminguejit, për Çehovin (autorë që unë i adhuroj) ku thotë se pas vdekjes, pra mendoj dhe vdekjen time, vetëm 5-6 tregime mbeten në mendjen e njerëzimit. Kështu që nisur edhe nga kjo, vendosa të publikoj pak. Janë ato tregime që më pëlqejnë mua dhe shpresoj që do t'i pëlqejnë edhe lexuesit. Bëra një sprovë në roman dhe nuk u ndjeva mirë. Shkaktoi debate, u fol për të, por më së shumti për problematikën e tij se sa për anën letrare. Ndaj dhe u ktheva te tregimi, ku ndihem më i sigurt, më komod. Nuk është shumë komercial, por me tregimin ndihem në lëkurën time. Duke qenë se me librin e parë më eci mirë, u mata shumë përpara se të nxirrja këtë. Ishte një lloj autocensure mbi ato që duhej dhe nuk duhej të shkruaja, ndaj është i shkurtër.
Në tregimet tuaja i referoheni dy "epokave", para dhe pas '90-ës, është kjo një përpjekje për të përshkruar të dyja "kohët" në një libër të vetëm?
Nuk jam nisur me idenë të ndaj epokat, se sa të trajtoj fatin e individit. Është njohja e një realiteti të caktuar, qoftë në diktaturë, apo tani. Janë zhgënjimet në kohën e diktaturës, apo ato aktuale. Dramatikja zbulohet më mirë tek individi, sesa tek kolektivja, në të përditshmen, në rutinën e zakonshme, sesa në heroizma. Ndaj dhe shumica e personazheve janë njerëz të zakonshëm, që i kam njohur, miq të mi, apo që m'i kanë rrëfyer, por ka edhe më të veçantë, ku do të shkëpusja, skulptorin që ka bërë statujën e Enverit.
Sa autobiografik është libri?
Nuk është i gjithi autobiografik, por tregimet që kapin tema më intime janë më shumë autobiografike. Ndihem më i sigurt kur shkruaj për gjëra që i kam jetuar.
Ku ndahet historia e vërtetë me fiksionin?
Këtë pyetje ia bëj shpesh herë vetes. Kur shkruan, ndonjëherë ke frikë se i vë vetes ndonjë gjë që të pëlqen, duke e tepruar. Por kjo nuk është e përhershme. Në përgjithësi pretendoj të bëj atë që është reale, por sipas syve të mi. Të qëmtoj momentet që mua më joshin, por që janë reale dhe i bashkoj me mënyrën time. Këtu hyn fiksioni mendoj, por më së shumti jam tek realja, sesa tek fiksioni.
Edhe ngjarjen më tragjike ju e ofroni me sarkazëm, si mundeni?
I ruhem prozaizmit, ndjeshmërisë, temës së trajtuar rëndë dhe me solemnitet. Në këtë përmbledhje është një prej tregimeve, "Mall", që nuk do ta quaja të dhimbshëm, por të rëndë, ndërsa në të tjerët luaj, janë relativizmi i fenomeneve, sado të rënda, por parë me sarkazëm.
Njëri prej tregimeve tuaja i referohet ngritjes së statujës së diktatorit, sa e vërtetë është ajo?
Nxitja e parë më ka ardhur nga rrëfimi i një punonjësi të Ambasadës Italiane, i cili ndodhej në Bari, kur zbarkuan anijet dhe refugjatët, për të marrë statusin politik, jepnin si arsye të largimit shembjen e statujës së Enver Hoxhës. Aq i shpeshtë u bë ky justifikim saqë punonjësi italian nisi t'i mbushte vetë fletët: hedhje busti, plagosje gjatë rrëzimit..., deri sa u tha që të gjenin një arsye tjetër sepse kjo nuk hahej më... Mes gjithë "hedhjeve të bustit" erdhi dikush, arsyeja e të cilit ishte ngritje busti... Më tej mësova nga Sali Shijaku, historinë e ndërtimit të statujës së Enver Hoxhës.
Ka ndodhur vërtetë historia e koçekëve gjatë vizitës së Hrushovit në Shqipëri?
Është histori e vërtetë. Kur Hrushovi do të kalonte nëpër fshatrat e Fierit, për të shkuar drejt Sarandës, për të vizituar bazat, nuk kishin ku të izolonin të internuarit dhe operativi i zonës mendoi koçekët e misrit, ku ata ndenjën 24 orë. Këtu pastaj futet në lojë fiksioni, me bisedat e të internuarve mes njëri-tjetrit, me nga një gotë raki përpara.
E përmendni shpesh sheshin e Stalinit, ç'kujtime ju lidhin me të?
Me sheshin e Stalinit lidhen shumë kujtime. Ai ishte një referencë. Më kujtohet ajo gumëzhima e atij sheshi, në vitet '60-'70, si në filmat e Tornatores, me fishekzjarre. Enveri herë e liberalizonte, herë e shtrëngonte situatën, por ne fëmijët argëtoheshim. Shihnim fishekzjarre, hanim akullore, bënim ato "trimëritë" tona...
Libri ka marrë titullin nga një tregim, ku ju rrëfeni kohërat, kur fëmijë shihnit filmat e ndaluar...
Kur ishim fëmijë hidheshim nga muri i Kinema "17 Nëntorit", për të parë filma të ndaluar, por me frikë të madhe se rojet të rrihnin aq shumë sa... Mbaj mend disa nga filmat ishin "Rroku dhe vëllezërit e tij", "Manovrat e mëdha", "Salambo", që kishte diçka më shumë se puthje, po jo ndonjë gjë kush e di se çfarë. Por kjo na joshte. Ndalesa e rriste gjithnjë dëshirën për të parë dhe për të lexuar.

Nga tregimi "Busti i udhëheqësit"
...Pasi kaloi kontingjenti i parë, nga ku u refuzuan një duzinë prej tyre, pjesa më e madhe që priste në sallat e mbushura me emigrantë, mori vesh se varianti më bindës e për pasojë më i preferuari për të kapur pa një, pa dy, statusin politik, ishte ai i pjesëmarrjes në ngjarjen më të bujshme e më të guximshme të kohës: "Pjesëmarrje aktive në shembjen e bustit gjigand të diktatorit". Për këtë shkak, të sapoardhurit ilegalisht, pjesëmarrës, ose jo në këtë ngjarje, të mirinformuar tashmë për efektshmërinë e këtij motivi, përpiqeshin t'u mbushnin mendjen nëpunësve italianë, për kontributin që kishin dhënë në shembjen e bustit. Erdhi një kohë që nëpunësi italian i kufirit e humbi durimin dhe shpërtheu: Bah, po ç'ishte ai bust që u shemb nga 10 mijë vetë përnjëherësh!
Thetrim thërriti nëpunësi dhe me të lëshuar pyetjen rutinë: Përse keni lënë vendin tuaj? Filloi të shkruante vetë përgjigjen, pa pritur ç'do thoshte kandidati: Pra në shesh edhe ju? Tërheqje statuje? Zvarrë? Ndonjë thyerje, frakturë, plagë, gërvishtje apo diçka të këtij lloji gjatë aksionit?...
- I fundit,- dhe pa e parë në fytyrë personin e radhës, nisi të plotësojë vetë i pari: Shembje busti?
- Jo, tha thatë burri fisnik.
- Nëpunësi i policisë ngriti kokën: Po për çfarë atëherë? Ndonjë shembje shpirtërore, depresion, a djalli me brirë?
- Jo, tha qetësisht burri, ngritje busti....
* * *
Sa ishte gjallë udhëheqësi, Byroja Politike kishte vendosur që në sheshin e madh të manifestimeve të ngrihej një skulpturë madhështore, e cila do të simbolizonte madhështinë e fitores së komunizmit në këtë vend ballkanik. Për këtë u shpall një konkurs kombëtar dhe u ngritën një sërë grupesh pune nga artistët më të besuar e më të talentuar të vendit. Konkursin e fitova unë, tek paraqitja një bocet epik me një shqiponjë gjigande me krahë të hapur. Udhëheqësi e pëlqeu shumë idenë time, por nuk arriti ta shijonte në formën e saj reale në shesh, pasi vdiq. Nga hidhërimi i vdekjes së tij, njerëzit nisën të çirrnin faqet me thonj e të përplasnin kokën pas murit. Gati-gati u bë si një garë, se kush qante më shumë, kush do të mbante arkivolin deri në varr, kush do t'ia bënte fytyrën në allçi, kush do ta balsamoste, kush do ta veshte me rrobat e vdekjes, dhe më pas i kërkonin llogari fatit, e më tepër natyrës, se pse kishte marrë udhëheqësin dhe jo ata vetë. Fillimisht populli i lutej asaj, vdekjes pra, që t'i merrte dhe ata sa më parë dhe për t'iu bashkuar udhëheqësit aty ku ishte, pasi nuk mund të jetonin më dot pa të. E pasi nuk merrnin përgjigje, ata iu drejtuan Partisë, e cila nga ana e saj mori vendimin historik që t'i kthente popullit Komandantin si dhuratë, por më të madh sa çka qenë, duke ngritur bustin mu në mes të kryeqytetit. Paskëtaj populli, nga ana e tij, i ndërpreu çjerrjet e faqeve me thonj dhe priti me padurim të kthehej Komandanti, d.m.th, të ngrihej busti.
Kështu ra poshtë varianti i shqiponjës sime, dhe u vendos që në shesh të ngrihej shtatorja madhështore e Komandantit. "T'ia japim popullit atë që ai desh kaq shumë dhe që po e qan me aq mall", u tha në vendimin e Byrosë Politike.
Veçse lufta mes artistëve, pra autori që do të hynte në histori për së gjalli, duke përjetësuar udhëheqësin ndër shekuj, ishte e pamëshirshme, sadoqë, busti nuk jetoi as dy vjet, për t'u shembur mizorisht nga po ata qindra mijëra njerëz, të cilët disa vite më parë e kishin qarë me mall.
Byroja Politike kundërshtoi me të drejtë mendimin se mund të ftoheshin për bërjen e bustit skulptorë të njohur nga bota, me idenë se dhembjen dhe respektin për udhëheqësin legjendar mund ta shprehnin në art, vetëm shpirti revolucionar i artistëve të vendit, të cilët, ndërkaq kishin nisur të hidhnin baltë mbi njëri-tjetrin me letra anonime apo shpifje gjithfarëlloj.
Konkursi i madh kombëtar për paraqitjen e bocelit të Komandantit u shpall disa muaj pas vdekjes së tij dhe, ndryshe nga padurimi popullor, Byroja Politike u tregua e arsyeshme në lidhje me kohën në dispozicion për të paraqitur variantin e bocelit: plot 6 muaj.
Sadoqë, komuniteti ynë i artistëve ka parapëlqyer përherë që partia të fiksonte të gjithë elementët artistikë të bustit, Politbyroja pra, vendosi që kjo punë të na lihej në derë, dmth në dorë të artistëve pasi, siç porositën ata me urtësi, kjo është çështje "frymëzimi artistik".
Gjithsesi disa gjëra, disa kritere duhen vendosur nga vetë Politbyroja, këtu, në mbledhje, tha Sekretari i Parë. Psh që busti të ketë përmasat më të mëdha që ka pasur ndonjëherë ky vend, jo vetëm më të madh se busti i Stalinit, Leninit dhe Marksit, që janë vendosur kudo nëpër atdhe, por mbi të gjitha, më të madh se heroi kombëtar, Skënderbeu, që iu bënë tashmë mbi 500 vite që ka vdekur, por që me përmasat e bustit të tij, gati po i bën karshillëk personalitetit të Komandantit tonë legjendar. Gjithçka tjetër që ka të bëjë me elementët e tjerë artistikë, porositi Sekretari i Parë i Komitetit Qendror, do t'i lihen shpirtit krijues e revolucionar të artistëve tanë të mrekullueshëm".
Natyrisht që një hapësirë e tillë lirie krijuese solli më shumë pështjellim, pasi ne ishim të mësuar tashmë me fatin e mëparshëm tragjik të shumë kolegëve tanë, që e kishin ngrënë për hiçmosgjë, për të përfunduar më pas atje ku s'dilje dot më.
Pas 6 muajsh, në konkurs u paraqitën 42 versione bocetesh me forma të shumëllojshme: udhëheqësi me lule, apo udhëheqësi pa lule, ulur në karrigen e thjeshtë prej kashte apo gju më gju me popullin, me republikë apo me kasketë revolucionare, me flokët që i merr era e atdheut apo me krehjen serioze të udhëheqësit legjendar, me fytyrën nga Lindja apo nga Perëndimi, me dorën e djathtë prapa e të majtën para, apo me të dyja duart nga pas, me pallto apo me xhaketë, i qeshur, apo thellësisht i menduar për hallet e popullit e të ardhmen e revolucionit botëror, njeri i veprimit për përparimin e atdheut apo duke parë me mall malin karshi, pse jo fushat, lumenjtë, kodrat, etj... etj.
Porse, siç ju thashë, busti do ishte aq i madh sa Politbyrosë iu desh të mblidhej tri herë për të na ndarë në tre grupe, një grup për kokën, një për trupin dhe, së fundi një për gjymtyrët.
Ditën e vlerësimit të kokës, para anëtarëve të krejt Politbyrosë u rreshtuan 12 variante kokash prej udhëheqësi, gjë që shkaktoi tri viktima artistësh, të cilët, sipas mendimit të partisë, duke i dhënë fytyrës së udhëheqësit një gjoja shprehje të dashur e të butë për popullin, kishin synuar të fshihnin nga fytyra e Udhëheqësit, shpirtin e tij revolucionar marksist-leninist. Kurse një tjetër e hëngri pasi kishte qëndisur në ballin e Udhëheqësit 2-3 rrudha të lehta, gjë që sipas anëtarit të Byrosë Politike, pa asnjë dyshim i jepte portretit një mesazh disfatist e pasiv.
Shkurt, vazhdoi artisti rrëfimin me po atë zë të zvargur, fitoi koka ime, pra varianti im i bocelit, me gjithë trup e gjymtyrë: dmth, Udhëheqësi në këmbë, me pallton paksa të hapur, që ia valëviste era e Atdheut tonë socialist, me njërën dorë përpara perpendikular me trupin, ajo dorë që si një shpatë e mprehtë iu ngul në krah e plagosi rëndë të parin që zuri përfund, kur u rrëzua aty në shesh ku ishte vendosur, dhe dora e djathtë që i mbulonte fisnikërisht pjesën e prapme.
Dhe, së fundi, koka, koka me flokë të thinjur. E sadoqë gjinia e skulpturës nuk të lejon të vësh në dukje ngjyrën e flokëve, mënyra e konceptimit të flokëve nga ana ime i ndillte çdokujt idenë e ca flokëve të thinjur, si bora e maleve kreshnike të këtij vendi, që era dhe flladi i revolucioneve ia shpupuriste butësisht. "Tek do shohë ato leshra të buta mbi ballin e gjerë, i komentoi flokët e udhëheqësit një anëtar i Byrosë Politike, çdokujt do i vijë dëshira të ngjitet sipër dhe t'ia drejtojë me përkëdheli". Pas këtij vlerësimi artistik dhe duke pasur statusin që më jepte vetë fitimi i bocelit, nga krejt statuja unë zgjodha të bëja kokën e Udhëheqësit, shoqëruar nga një tjetër artist, të cilit me t'i dhënë lajmin e caktimit në pjesën më të rëndësishme të bustit, i ra damllaja dhe e dërguan me urgjencë jashtë vendit për kurim, nga ku u kthye i paaftë për të vazhduar një punë të një rëndësie të tillë. Pas këtij incidenti, grupi i gjymtyrëve dhe ai i trupit, të cilëve nuk u dilte xhelozia nga humbja e bocelit të tyre, pretenduan që të hapej prapë loja e ndarjes së grupeve, me shpresën për të kapur kokën. Por unë nuk u dorëzova dhe mbrojta me këmbëngulje idenë se dy mendje mund të sjellin më shumë çoroditje në realizimin sa më cilësor të asaj koke, që kishte udhëhequr për gjysmë shekulli atdheun e tij. Më pas unë i argumentova grupit të gjymtyrëve, dmth ata që ishin ngarkuar të bënin pjesën nga mesi e poshtë, se për nga vetë simbolika e fortë që bartnin këmbët, janë pikërisht ato organe të udhëheqësit që mbështeten fort në tokën amë, nga ku edhe ka buruar lidhja e fuqishme e tij me këtë truall e me këtë popull. Por grupi i gjymtyrëve nuk u dorëzua nga këto argumente dhe mu para Politbyrosë u përpoqën të më provokonin rëndë, kur më pyetën, si me naivitet, se pse dora e Udhëheqësit në bocet është vendosur prapa, në drejtim të vitheve, kur dihet që armiqtë e popullit tonë mund ta interpretonin atë sikur udhëheqësi kërkon për t'u mbrojtur nga prapa, pasi duhet thënë se kishte zëra, natyrisht armiqësorë, që në të ritë e tij udhëheqësi legjendar kishte pasur preferenca të shumëllojta seksuale. Këtij provokimi keqdashës, unë iu përgjigja shkurt dhe prerë: "një dorë e vendosur nga pas dëshmon mençuri dhe fisnikëri", gjë që ia mbylli përfundimisht gojëve artistëve intrigantë. Veçse ky grup xheloz nuk mu nda thuajse gjatë gjithë kohës së bërjes së bustit. Sulmin e radhës ma bënë për shkak të baltës...dmth baltës së bustit. Një ditë të bukur, grupi i trupit u ankua se gjatë punës, grupi i kokës, që në fakt përfaqësohej vetëm prej meje, hidhte baltëra në kokat e kolegëve të trupit dhe të gjymtyrëve, pra gjoja sikur këtë unë e bëja me qëllim....
Sidoqoftë, në një farë mënyre, ankesa e tyre u muar parasysh, mbasi më i moshuari ndër skulptorët e gjymtyrëve propozoi apo kërkoi zyrtarisht që "jo vetëm meqenëse skulptori i kokës nuk rresht së hedhuri baltë mbi kokat e tyre, por do ishte mirë dhe nga ana artistike që të punohej me pjesë të ndara, ku secili ta kishte pjesën e tij veç nga tjetri dhe më pas, kur të përfundonin të tria pjesët, të ngjiteshin gjatë derdhjes në bronz të bustit". Ashtu u bë dhe unë e vendosa kokën e udhëheqësit në një tavolinë druri, krahas dy tavolinave të kolegëve të mi. Ata, si shkak për të vazhduar sabotimin e kokës sime sa më artistikisht, ngrohnin temperaturën e ateliesë pikërisht kur unë punoja me material të njomur allçie, e cila nga temperatura e lartë niste e plasaritej. Të nesërmen nisnin dhe përhapnin zëra që unë po përgatisja një kokë Udhëheqësi gjithë plasa. Por unë të nesërmen, me të hyrë në atelie, puna e parë që bëja ishte: mbushja me kujdes me material të ri të plasave të hapura. Më pas, falë të drejtës për të punuar edhe natën, un rashë në qetësi deri në një farë kohe. Vija natën vonë, dhe pasi nxirrja kokën nga dollapi, e vendosja mbi trup dhe punoja, ashtu i qetë mbi të, deri herët në të gdhirë. Atëherë grupi i këmbëve dhe bustit ndërroi taktikë. Dhe a e dini se ku ma nxorën inatin apo mllefin ndaj meje?!! Te sytë, vazhdoi artisti, aty pra, ku çdo qenie njerëzore pasqyron shpirtin e tij. Isha gati në përfundim të kokës, kur një denoncim i rëndë mu bë tek e veja e Udhëheqësit, se unë paskësha dashur t'i nxjerr sytë Udhëheqësit, dmth kokës së tij, kur sipas tyre, një nga rojet e ateliesë qenkësh tmerruar një mesnatë dimri, teksa unë përpiqesha t'i nxirrja sytë udhëheqësit me një bisht luge. Për t'u shpjeguar më qartë, fjala ishte për irisin e syve të bustit, kur unë, i prirur që t'i bëja ata sy të dukeshin sa më të gjallë, me një bisht luge gjelle nisa të thelloja zgavrat e syve të udhëheqësit dhe se mu në atë moment, një nga rojet e ateliesë nuk paskësh pasur kurajo të duronte, teksa "unë i nxirrja sytëudhëheqësit". Më pas, ai më paskësh spiunuar te grupi i kolegëve të mi, të cilët pretendonin se kudo në skulpturën botërore sytë bëhen thjesht me ovalen karakteristike, pas irisin përkatës. Menjëherë u ngrit një komision partiak për të verifikuar "këtë përpjekje timen të rafinuar për të qorruar Udhëheqësin". Puna do kishte vajtur si mos më keq, sikur një Anëtar i Byrosë Politike, dëshmitar i një bisede që kisha bërë unë me të venë e udhëheqësit, dëshmoi në mbledhje, se ishte vetë ajo që ishte revoltuar me formën vezake të syve të të shoqit, kur kishte deklaruar se "Im shoq nuk ka vuajtur nga sëmundja e tiroideve dhe t'i ketë sytë e zgurdulluar si buf. Gjeni mënyrën, o bëni ç'të doni, unë nuk dua ta shoh më me ata sy... si vezë pate. Kaq di t'ju them!". Për pasojë, ajo histori mbaroi mirë dhe unë përfundova kokën time në po të njëjtën kohë me grupet xheloze të trupit e të gjymtyrëve".


Titulli: “Koha e puthjeve”
Autori: Ylljet Aliçka
Shtëpia Botuese: “Toena”
Gjinia: Tregime
Numri i faqeve: 116
Çmimi: 600 lekë

No comments: