Friday, July 30, 2010

Debate në Evropë për përdorimin e perçeve

endet në mbarë botën, në një mënyrë apo një tjetër janë përballur me çështjen e veshjes myslimane në forma të ndryshme - si p.sh. burka, që mbulon gjithë trupin dhe niqabi apo perçja, që mbulon fytyrën dhe lë vetëm sytë zbuluar.

Debati ve pikëpyetje mbi lirinë fetare, barazinë femërore, traditat shekullore dhe madje edhe frikën ndaj terrorizmit.

BBC i hedh një vështrim problematikës në shumë vende të Evropës.

Llojet e shamive e perçeve që përdoren nga gratë myslimane

Cili është mendimi juaj për këtë çështje. Na shkruani

Ja disa nga mendimet tuaja:


Penny Munden këtu në Angli shkruan:

"Është e çuditshme, kur isha në shkollë 8 vjeçare/gjimnaz në Londër në vitin 1971-77, vajza pakistaneze në shkollë visheshin me pantallona të zeza poshtë fundit të uniformit. Asnjë prej tyre nuk vishej me shami ose perçe. As baballaret e tyre nuk kishin mjekër. Ky fundimentalizm është nxitur nga njerëz si Osama Bin Laden. Një shoqja ime nga Pakistani që rri shumë vite në Angli vishet si perëndimore dhe thotë se tani vajzat vishen si beduine arabe e jo si pakistaneze. Në Angli rrezikojnë shëndetin e tyre se nuk marrin mjaft vitaminë D nga rrezet e diellit. Eshtë një modë ku vajzat duan të tërheqin vëmendjen e të tjerëve dhe besoj se është një mënyrë që burrat duan të kufizojnë jetën e grave dhe vajzave. Nuk është gjë e mirë."

Ligor Luarasi nga Filadelfia shkruan:

"Liria e njerëzve nëpër botë, jeta e tyre jo ku kanë lindur, kërkon edhe një kod të ri, të miratuar nga përfaqësues të të gjitha shteteve edhe per paraqitjen e jashtme të njerëzve. Vërtet kemi liri, njeriu vepron nisur nga liria e tij, por kjo liri s'do të thotë që njeriu të bëjë ç'të dojë. Pikërisht kodi këtë të miratojë paraqitjen e jashtme të njerëzimit të miratuar sipas këtij kodi ndërkombëtar.

Krasniqi Pej, nga Peja shkruan:

"Para myslimanit të vërtetë nuk ka nevojë të jetë askush i mbuluar!"

Nuhi Berisha nga Prizreni shkruan:

"Sa i përket shamisë për mbajtjen në vendet publike, ajo askujt nuk i pengon, a i pengon dikujt një femër me fustan shkurt ose një femër me gjoks të madh, e ajo lejohet. Pse edhe shamia mase të lejohet, po ama veç shamia, e jo ato gra që e teprojnë, që vishen si nigjat, ato nuk ban, ama shamia nuk guxon të preket, ajo është e drejtë e çdo kujt."

Ela shkruan:

"Mbulimi i gruas është konfirmim i të gjitha deklaratava misogjiniste, e maskiliste që thonë se gruaja nuk është e barabartë me burrin, se ajo e ka trurin më të vogël, se misioni i saj është vetëm të pjellë, dhe duhet të rrijë sa më larg burrave për të mos i tunduar, që pastaj ata të shkretët të hyjnë në rrugën e gjynahit. Mbulimi i gruas është baraz me idenë se gjithçka e saj është për burrat edhe dielli edhe ajri i pastër. Të shkretat vajza që kanë lindur për ta parë botën prej dritareve të shtëpive dhe ferexheve te tyre."

Amir Guci nga Struga shkruan:

"Pse është e drejta e kujtdo se çfarë vendos në trupin e vet."

SHQIPËRI

Në Shqipëri çështja e simboleve fetare që shfaqen apo mbahen në institucionet zyrtare është mjaft delikate, pasi opinionet për të janë të ndara.

Më shumë të debatuara kanë qenë shamitë e kokës që mbajnë vajza të reja të besimit mysliman në ambientet shkollore.

Një grup shoqatash që mbrojnë mbajtjen e shamive të kokës, në muajin prill 2010, i dërguan një peticion drejtuesve më të lartë të shtetit ku ndër të tjerash shprehnin shqetësim se "flakja jashtë institucioneve arsimore dhe administrative të vendit, të besimtareve dhe besimtarëve të fesë islame për shkak të mbajtjes së shamisë e mjekrës është bërë tashmë një çështje e përsëritur për të disatën herë".

Sipas këtyre shoqatave situatën e krijuar e ka rënduar reagimi zyrtar i Ministrisë së Arsimit e Shkencës, e cila ka deklaruar zyrtarisht se "vajzat e mbuluara me shami apo me simbole të tjera fetare nuk duhet të lejohen në shkolla".

Kundërshtarët e qëndrimit zyrtar ndër të tjera i referohen Kushtetutës së vendit ku sanksionohet se "Secili është i lirë të zgjedhë ose të ndryshojë fenë ose bindjet, si dhe t'i shfaqë ato individualisht ose kolektivisht, në publik ose në jetën private nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve".

KOSOVË

Në Kosovë muajt e fundit janë pritur me debate disa vendime të autoriteteve të shkollave fillore e të mesme për mospranim në procesin mësimor të disa vajzave për shkak të mbajtjes së shamisë.

Vendimet janë kundërshtuar nga Avokati i Popullit, ndërsa komuniteti mysliman i ka cilësuar si shkelje të të drejtave të njeriut dhe lirive fetare.

Megjithëse nuk ka një ligj që regullon mbajtjen e shamive myslimane, Kosova është me kushtetutë një shtet laik. Një urdhër administrativ i qeverisë nuk lejon veshjet myslimane në institucionet publike. Komuniteti mysliman ka kërkuar një konsultim publik për këtë çështje.

FRANCË

Shamitë e kokës lejohen në Universitetet franceze, por jo në shkolla.

Franca po ecën përpara me një ligj që i ndalon grave perçet që mbulojnë fytyrën, në gjithë vendet publike.

Kabineti i presidentit Nicolas Sarkozy ka aprovuar një ligj që ndalon në publik veshjet që mbulojnë fytyrën dhe pritet të aprovohet nga parlamenti.

Parlamenti ka aprovuar një rezolutë që dënon përdorimin e perçes si një "fyerje ndaj vlerave të kombit, dinjitetit dhe barazisë".

Zoti Sarkozy thotë se perçja i shtyp gratë dhe se Franca nuk është pro përdorimit të saj.

Një komitet parlamentar francez, më herët rekamondoi një ndalim të pjesshëm brenda ndërtesave publike si psh, spitale dhe shkolla, si edhe në transportin publik.

Këshilli i shtetit - që është organizmi më i lartë administrativ në Francë-- paralajmëroi se një ligj i tillë mund të jetë jokushtetues dhe shkel të drejtat e njeriut.

Megjithatë ndalimi i përdorimit të perçes në vende të tilla publike si shkolla, spitale dhe gjykata mund të justifikohet për arsye sigurie.

Në vitin 2004 u ndalua në shkolla përdorimi i shamive të kokës në shkollat shtetërore dhe morri një përkrahje të gjerë nga shumica e publikut në një vend ku ndarja e shtetit nga feja është me ligj.

Sondazhet tregojnë se shumica e francezëve janë kundër përdorimit të perçes.

BELGJIKË

Dhoma e Ulët e parlamentit belg ka miratuar një projektligj që ndalon veshjen që mbulon identitetin e personit në vende publike si psh parqe, ndertesa dhe rrugë.

Projektligji duhet të aprovohet nga Senati.

Megjithëse legjislacioni nuk i referohet specifikisht perceve që mbulojnë të gjithë fytyrën, do të ndalojë me ligj veshje të tilla si niqabi dhe burka.

Miratimi i ketij rojektligji do ta bëjë Belgjikën vendin e parë në Europë që ndalon përdorimin e veshjeve të tilla.

Momentalisht Burka ndalohet ne disa zona në bazë të ligjeve të vjetra lokale që fillimisht u ndalonin njerëzve maskimin e fytyrës gjatë karnavaleve.

Në Antwerp, për shembull, policia tani mund te ndalojë apo edhe të fusë në burg ata që shkelin ligjin. Ata thonë se rregullat kanë të bëjnë m sigurinë publike.

SPANJË

Megjithëse nuk ka ende plane për ndalim të plotë në Spanjë, qyteti i Barcelonës ka njoftuar ndalimin e përdorimit të perçes ne vende të tilla publike si për shembull zyra të bashkise, ne tregje apo biblioteka.

Të paktën dy qytete më të vogla në Katalonia, që është rajoni veri lindor qe përfshin Barcelonën, po ashtu kanë ndaluar përdorimin e perçes.

BRITANI

Në Britani nuk ndalohen veshjet islamike por shkollat kanë të drejtë të kërkojnë që nxënësit të veshin uniformat e duhura pas nje direktive të vitit 2007, pas një sësrë çështjesh gjyqësore.

Sekretari i Arsimi tha në Janar të 2010 se nuk ishte karakteristikë e britanikëve tu thonë njerëzve se çfarë të veshin në rrugë.

Ish-udhëheqësi i partisë britanike me prirje euroskeptike UKIP, Nigel Farage, që drejton grupin e 13 deputetëve në Bruksel tha se perçja ishte simbol i një "Britanie të ndarë" se ato ishin gra të shtypyra dhe se përbënin rrezik për sigurinë.

UKIP është partia e parë britanike që kërkoi ndalimin total të perçes në shkollat britanike.

HOLANDË

Në 2006, qeveria holandeze i shqyrtoi por me pas i hodhi poshtë planet për ndalimin e shamive që mbylojnë fytyrën në vendet publike, duke filluar nga burkat e deri tek helmetat qe veshin motoristët.

Avokatët thanë se ky veprim do të ishte jokushtetues dhe kritikët thonë se ai shkelte të drejtat qytetare të njeriut.

Rreth 5% e 16 milionë banorëve të Holandës janë myslimanë, por vetëm 300 mendohet se veshin burka.

TURQI

Për më shumë se 85 vjet turqit kanë jetuar në një shtet shekullar të krijuar nga Mustafa Kemal Ataturku, që kundërshtoi përdorimin e shamive të kokës si shenjë prapambetje në fushatën e tij për ta bërë shoqërinë turke shekullare.

Ndalohet përdorimi i shamive në vende civile dhe ndërtesa zyrtare, por çështja është shumë kontraversiale për popullsinë ku predominon myslimanizmi, pasi dy e treta e te gjitha grave turke - përfshirë këtu gratë dhe vajzat e kryeministrit dhe të presidentit, mbulojnë kokën.

Në 2008, kushtetutës së Turqisë iu bënë disa amendamente për të lehtësuar përdorimin e tyre në universitete, duke i lejuar ato të lihen të lidhura poshtë mjekrës.

Megjithatë u ndaluan shamitë që mbulojnë qafën dhe gjithë kokën.

Partia në pushtet, që i ka rrënjët në Islam, tha se shumë vajza ishin në këtë mënyrë të privuara nga arsimimi.

ITALI

Qyteti veriperëndimor i Novaras është një nga disa autoritetet lokale që ka vendosur rregulla që ndalojnë përdorimin e shamive në publik, me një ligj të aprovuar në janar të 2010.

Në 2004 politikanët në Italinë veriore riaktivizuan ligjet e vjetra që ndalonin përdorimin e maskave në mënyrë që të ndalonin gratë të vishnin burka.

Disa kryetarë bashkie nga Liga e Veriut ndaluan edhe përdorimin e kostumit të banjës që përdoret në vendet myslimane.

DANIMARKË

Në 2008, qeveria njoftoi se do të ndalonte gjykatësit të vishnin në sallat e gjyqit shamitë në kokë, si edhe simbole të tjera fetare apo politike - përfshirë këtu kryqe, kapuç hebre dhe çallmë.

Ky hap u ndërmor pas presionit nga ana e Partisë Daneze të Popullit (DPP), e njohur për retorikën e saj anti-islamike. Ajo ka bërë thirrje që këtu të përfshihen edhe mesuesit dhe presoneli mjeksor.

Pas botimit nga një gazetë daneze të disa karikaturave të profetit Muhamed si një burrë me mjekër me një bombë në çallmën e tij, pati një sërë protestash në Danimarkë dhe botën myslimane.

GJERMANI

Në shtator të 2003 Gjykata Kushtetuese Federale, vendosi pro një mësueseje, Fereshta Ludin, që donte të vishte një shami islamike në shkollë. Megjithatë aty thuhej se shtetet mund t'i ndryshonin ligjet e tyre po qe se donin.

RUSI

Gjykata Supreme në Rusi ka hedhur poshtë një vendim të ministrisë së Brendshme të vitit 1997 që i ndalonte gratë të dilnin fotografi për pasaportë me shami në kokë.

AUSTRIA

Ministrja për Gratë në Austri Gabriele Heinisch-Hosek, ka thënë se duhet shqyrtuar mundësia e ndalimit të shamisë në vendet publike po qe se rritet ndjeshëm numri i grave që vënë shami në kokë.

ZVICËR

Nga fundi i viteve 2009, ministrja zvicerane e Drejtësisë Eveline Widmer-Schlumpf, tha se duhej shqyrtuar mundësia e ndalimit të veshjes së perçes për gratë myslimane, po qe se numri i tyre shtohej. Ajo shtoi se nuk ndjehej mirë kur shihte gratë me perçe.

No comments: