Nga Gjon BRUÇI
Për njëzet vite radhazi institucioni i lartë ligjbërës i demokracisë shqiptare është emërtuar dhe vijon të emërtohet me dy emra: “Kuvendi i Shqipërisë” dhe “Parlamenti shqiptar”.
Emërtimi i parë është përdorur e përdoret nëpër të gjitha shkresat zyrtare, ndërsa emërtimi i dytë ka gjetur aplikim në median e shkruar e vizive, në komunikimin dhe të folmen e përditshme të qytetarëve dhe të vetë burrave të Kuvendit të cilët quhen, apo e quajnë veten herë deputetë, herë kuvendarë e herë parlamentarë.
Po përse ka ndodhur ky dyzim në emërtimin e institucionit tonë ligjbërës? Njëlloj si puna e lekut (monedhës) tonë, i cili ndërsa zyrtarisht dhe në letrat e financave e të bankave lexohet siç edhe shkruhet, në komunikimin e përditshëm shifrës përkatëse të kartëmonedhës ne i shtojmë edhe një “zero” dhe “qindëshen” e bëjmë “mijëshe” e milionin miliard, duke mos harruar t’i shtojmë prapa fjalën “ të vjetra”. Për paradoksin e të shkruarit dhe të lexuarit të kartmonedhës sonë nuk ka patur ndonjë shpjegim bindës. Dhe as nuk do të ketë, sepse siç thonë, nuk ja vlen barra qiranë. Ndërsa për dyzimin e emrit “ Kuvend” e “Parlament” shpjegimi është i kollajtë. Në fillimet e pluralizmit politik e partiak, ligjbërësit e parë të “Dispozitave Kushtetuese”, dhe më vonë edhe të Kushtetutës, nisur nga tradita e hershme shqiptare e “Kuvendeve”, emërtimit të institucionit tonë ligjbërës të gjeratëhershëm, “Kuvendi Popullor”, nuk i bënë ndonjë ndryshim të madh. Doemos i hoqën fjalën “popullor”, sepse nga ai moment e mbrapa aty nuk do të “livadhisnin” më njerëzit e zakonshëm të popullit, siç ndodhte në socializëm, por burrat më të zgjedhur të kombit, burrat katërqind derhemësh, si i thonë. Pikërisht, duke patur parasysh këtë të fundit, d.m.th. “burrat katërqind dërhemësh”, atë botë pati propozime që kuvendi të quhej “Kuvendi i burrave të Shqipërisë” Dhe propozimi do të ishte miratuar, por ndërhyri përfaqësuesi i Europës e u tha se në Kuvendin e ardhshëm nuk do të kishte vetëm burra, por edhe gra. Pas kësaj ndërhyrje, u prit që të propozohej emërtimi “ Kuvendi i burrave dhe i grave të Shqipërisë”, por ky propozim nuk u bë nga asnjë prej burrave të pranishëm. Dhe kishin të drejtë, sepse “Kuvende grash” nuk kishte njohur kurrë shqiptari. Me t’u emërtuar pra, “ Kuvendi i Shqipërisë”, skenografët, dezinjatorët, daktilografistët dhe gjithë punonjësit e shërbimit të Kuvendit, në kohën më të shkurtër e vendosën këtë emërtim në hyrje të ndërtesës, në sfondin e sallës së seancave kuvendore, në kokën e shkresave të kancelarisë e deri në siglat e televizioneve që morën përsipër transmetimin live të punimeve të institucionit. Në ditët e para të aktivitetit të institucionit të riemëruar, fjala dhe emërtimi “ Kuvend” zotëronte gjithandej. Por pa kaluar disa muaj, krahas “Kuvendit” doli në skenë edhe emërtimi “ Parlament”. Madje ky i fundit shumë shpejt e sfumoi të parin dhe aktualisht emërtimi “Kuvend” dergjet vetëm në shkresat zyrtare dhe në tekstet e ligjeve, që e shohin dritën nëpër fletoret zyrtare. Pse ndodhi ky ndryshim? Për t’iu përshtatur Europës e cila përdor termin “Parlament”? Jo, nuk ishte thjeshtë përshtatja. Shkaku i këtij ndryshimi, në pamje formal, por në përmbajtje esencial, ishin vetë “banorët” që populluan Kuvendin, alias Parlamentin. Me këta burra që ka aktualisht, Tempulli numër një i Demokracisë sonë të përvuajtur nuk mund të quhet kurrsesi “Kuvendi i Shqipërisë”. Madje edhe emërtimin “Parlament” e ka të tepërt.
Kush ka lexuar historinë e popullit shqiptar, është njohur midis të tjerave edhe me Kuvendet e tij të hershme e të vonshme, Kuvende të cilat përbënin një nga institucionet më të rëndësishme të vetëqeverisjes së fshatit, krahinës dhe gjithë vendit. Në kuvendet e shqiptarëve, të cilat organizoheshin për probleme të ndryshme lokale e kombëtare, mbizotëronte një rregull i përsosur, një urti e tolerancë shembullore, një demokraci perfekte. Kushdo që vinte në Kuvend, si përfaqësues fisi, fshati apo krahine, ose i ftuar nga organizatorët e tij, kishte të drejtë të merrte fjalën dhe të thoshte në liri të plotë se çfarë mendonte ai për problemin që diskutohej. Fjalën e tij askush nuk mund t’a ndërpriste, edhe nëqoftëse folësi thoshte të paqena e të pavërteta. Askush nga pjesëmarrësit në Kuvend nuk mund t’i thoshte folësit se “po gënjente”, apo ndonjë shprehje tjetër kësisojit. Aq më pak të mendohej për ndonjë ofezë më të rëndë, apo goditje me grushta. Dhe të mos harrojmë, kuvendet e shqiptarëve në shumicën e rasteve bëheshin ndër livadhe a në lëmin e fshatit dhe pa praninë e asnjë force ushtarake, policore apo badigardësh të armatosur, siç i shohim në sallën e seancave të “Kuvendit” të burrave tanë të sotëm.
Duke patur pra parasysh “Kuvendet historike “ të shqiptarëve, le të kthehemi tek kuvendi ynë i sotëm, i cili, siç cekëm edhe më sipër, përveç emërtimit në letër dhe në derën e ndërtesës së tij, nuk ka asnjë lidhje me kuvendin e vërtetë të burrave. Këtë konkluzion ka nxjerrë edhe deputeti më i parë i Kuvend-Parlamentit njëzet vjeçar demokrat, njëherësh edhe shefi aktual i pozitës, kur në seancën e fundit të sesionit të fundit, deputet-kuvendar-parlamentarët i quajti “Kokrra pa kokrra”. Sigurisht ai e kishte fjalën për kolegët e opozitës, por po të pyetet më vete, në konfidencë, me siguri të tillë do ti emërtojë që të 140 kokrrat e Parlamentit. Dhe ka plotësisht të drejtë. Deputetët tanë aktualë janë kokrra që nuk i ka zgjedhur populli (fisi, fshati, zona) por “kokrra” që i ka caktuar Partia, më saktë kryetari i saj.
Në të gjithë pjestarët e kësaj “armate” parlamentarësh gjenden vetëm dy “kokrra” të vërteta: Njëra e pozitës dhe tjetra e opozitës. Kjo e fundit, për arsye “taktike” gjendet jashtë kështjellës, më falni Parlamentit. Dy ushtritë e “kokrrave pa kokrra” të komanduara nga “Kokrra” e brendshme dhe ajo e jashtme, kanë plot një vit që e kanë kthyer “Kuvendin e burrave të Shqipërisë” në një arenë cirku ku lozin, jo akrobatët, por kllounët e tij.
Nuk i njoh personalisht dhe nga afër të 140 deputet-kuvendar-parlamentarët shqiptarë, sepse shumicën e tyre i kam parë vetëm kur kalonin vrullshëm në vrapin e fushatës. Por me ato që shoh kur diskutojnë, replikojnë e kacafyten në foltoren e parlamentit, me ato që shoh kur si ushtari Zhvejk rrinë gatitur para shefit duke ulur e ngritur kartonët sipas shenjës dhe veçanërisht me bëmat e pabëra për interesat e popullit e të vendit, bindem plotësisht se shefi i pozitës kishte plotësisht të drejtë kur thoshte në sallën e parlamentit se “ Ju nuk keni kokrra”. Dhe “kokrrat e pa kokrra” hapnin gojën, ose duartrokisnin fjalimin e shefit, që u ka marrë e privatizuar kokrrat në fjalë.
Le të dalim nga loja e fjalëve pa bereqet, duke i thirrur mendjes për situatën ku gjendemi. Të gjithë e pranojmë se institucioni ligjbërës ( Kuvendi, apo Parlamenti, quajeni si të doni), është pushteti numër një nga ku rrjedhin gjithë pushtetet e tjera dhe gjithë organizimi dhe administrimi i shoqërisë. Si i tillë ai kërkon që të ketë për “banorë” njerëzit më përfaqësues të shoqërisë, elitën e saj në çdo fushë, në atë kulturore, arsimore, tekniko profesionale, juridike dhe veçanërisht në fushën morale. A i kanë deputetët tanë këto cilësi? A përfaqësojnë ata elitën e shoqërisë së sotme shqiptare? Nuk besoj të ketë shqiptar që të thotë po. Nëse do të bënim testimin më të thjeshtë në radhët e deputetëve tanë, mesatarja e nivelit të tyre do të na dilte më poshtë se mesatarja e inteligjencës së sotme shqiptare. Vetëm për dy gjëra ata do të merrnin vlerësimin maksimal: për militantizëm partiak dhe për boksim në sallën e parlamentit.
Në zgjedhjet e viteve të para, falë pranisë së “mazhoritarit”, arrinte të depërtonte në kuvend edhe ndonjë intelektual i vërtetë, i cili të paktën kur fliste, na ndihmonte të kuptonim nivelin e atyre që kishin hyrë në atë “sallë” nga “hatullat”. Por zgjedhjet e 2009-tës ia vunë “ferrën” kësaj punës së elitës. Dy partitë politike kryesore, pasi dominuan Kodin zgjedhor, dominuan edhe listat e kandidatëve, të cilat, duke i shpallur minutën e fundit, nuk patën mundësi të “korrigjoheshin”. Rezultati: Jo elita e shoqërisë, por “elita e partisë” zuri vendin e burrave “katërqind derhemësh” në parlament. Falë kësaj, kjo elitë ka zënë edhe postet e pushtetit qëndror. Me përjashtim të Ministrit të Financave, apo të ndonjë tjetri, shumica e ministrave profesionalisht nuk kanë asnjë lidhje me ministritë që drejtojnë. Justifikimi: “Titullari bën politikën e dikasterit”. Po si mund të bëjë politikën e Dikasterit, ai që nuk e njeh fare profilin e dikasterit? Ai thjeshtë mund të bëjë dhe po bën politikën e partisë së tij si militant i devotshëm i saj, por jo si militant i shërbesës ndaj qytetarit, ndaj popullit, ndaj vendit.
Nuk jam as i pari dhe as i fundit qytetar që them se “Qarku ynë për krizën politike, shoqërore dhe veçanërisht ekonomike” është i mbyllur. Partitë tona politike, sidomos këto dy kryesoret që alternojnë pushtetin janë “kapur” dhe kthyer në klane. Këto pastaj “kapin” shtetin dhe kështu “qarku” mbyllet. As hapja e kutive, as transparenca e zgjedhjeve të kaluara, apo të ardhshme, as përmirësimi i Kodit Zgjedhor, që s’ke ku ti bësh më “vrima”, as votimi elektronik, as zgjedhjet e parakohshme nuk do ta zgjidhin krizën tonë. Në të gjitha rastet në Kuvend, alias Parlament do të përfundojnë (vijnë) kokrra, që duke u komanduar nga Kryetarët e partive do të mbeten pa “kokrra”. Dhe kur mbetesh pa kokrra, nuk mund të bësh prokopi as për vete , e as për të tjerët.
Po megjithatë, a ekziston ndonjë mundësi, jo për t’i dhënë zgjidhje të plotë të gjithë problemeve, por të paktën disave prej tyre? Për t’i dhënë përgjigje kësaj dileme, po përdor sugjerimin e një qytetari me pseudonimin “OSUMI”, nxjerrë nga komenti i tij për këtë çështje në internet. Qytetari në fjalë jep një mendim interesant për problemin që po trajtojmë: “Produkti i parlamentit, - shkruan ai, - vjen i gjithi nga mielli që sitin Partitë Politike… por partitë tona politike janë klanizuar…”. Ndaj qytetari komentues në internet propozon zgjedhjen direkt nga populli, me votim të përgjithshëm të një “Asambleje Kombëtare Popullore”, me elitën më të mirë të vendit në përbërje, me status të veçantë, e cila do të nxirrte jashtë loje njerëzit e inkriminuar në politikë dhe gjithë mafiozët me rrënjët e tyre kanceroze.
Personalisht si qytetar, jo vetëm e mbështes këtë ide, por dhe shpreh bindjen se mund të realizohet. A mundet që shqiptarët të organizojnë një “Kuvend të vërtetë burrash” me njerëzit më të shquar të të gjitha fushave për të sanksionuar me ligj strategjinë e zhvillimit të vendit? A mund të nxirren në “stolin rezervë” partitë politike për dy a tri ndeshje të radhës (pesë apo dhjetë vite zhvillimi) dhe drejtimin ta marrë kjo Asamble Kombëtare që cituam më lart? Duket absurde? Atëherë le t’a mbyllim “Kuvendin e burrave” dhe të mbajmë “Parlamentin e “kokrrave””.
No comments:
Post a Comment