• Ermal Hasimja
Heqja e vizave do të zgjidhë për shqiptarët shumë më tepër punë sesa thuhet publikisht. Është ndoshta nga rastet e rralla kur Qeveria (qeveritë) e shesin këtë proces për më lirë sesa vlen në të vërtetë. Arsyet kanë të bëjnë me atë që shpresohet, por nuk thuhet. Mirëpo paradoksalisht, heqja e vizave mund të bëjë edhe të kundërtën e asaj që pritet. Në vend të realizimit të një etape të "ëndrrës europiane", heqja e vizave mund t'i heqë vizën pjesërisht kësaj ëndrre. Dhe kjo mund të mos jetë gjë e keqe në vetvete.
Është e qartë që përfitimi kryesor i shqiptarëve do të jetë mundësia e udhëtimit të lirë në Europë. Ajo që nuk thuhet është se një pjesë e shqiptarëve synojnë më tepër se thjesht udhëtime turistike në Europë. Nuk thuhet sepse nuk duhet nxitur tek europianët frika e mijëra emigrantëve të tjerë gjysmë të ligjshëm, si ata që vërshuan nga Maqedonia përpara pak muajsh.
Një arsye tjetër lidhet me mospërputhjen e ligjërimit të përgjithshëm të elitave politike me nevojat konkrete të qytetarëve. Kjo ndodh sepse ky ligjërim synon të jetë politikisht korrekt me Europën (ne nuk ju duam thjesht për të emigruar në vendet tuaja) dhe njëkohësisht joshës për votuesit. Në fakt ka shumë mundësi që ky lloj ligjërimi të ndryshojë thelbësisht pas heqjes së vizave. Deri më sot, elitat politike e kanë përligjur formalisht pasionin tonë europian me motive simbolike: kështu duket se meraku ynë i madh që nga koha e ilirëve ka qenë bashkimi me familjen europiane, rigjetja e vetvetes dhe vlerave tona të mbuluara paksa nga pluhuri dhe hiri i historisë. Për shumë prej nesh, kjo është thjesht gjuhë boshe politike. P.sh. ka shumë mundësi që një pjesë e mirë e shqiptarëve të preferojnë të bëhen pjesë e Shteteve të Bashkuara dhe jo e Bashkimit Europian. Edhe pa shkuar deri tek emërtimet plot ngjyra të Fishtës për Europën, ka plot mes nesh (dhe unë jam një prej tyre në shumë aspekte) që mendojnë se Amerika është më pranë ambicieve sociale, politike dhe ekonomike të shqiptarëve. Me këtë nuk dua të them se nuk kemi asgjë të përbashkët me Europën. Përkundrazi. Shumë prej proceseve identifikuese të shqiptarëve, sot ecin paralelisht me ato të europianëve. Mirëpo më duket po aq e qartë se pasioni shqiptar për Europën mbështetet shumë më tepër në motive ekonomike sesa simbolike. Heqja e vizave do të përmbushë një pjesë të rëndësishme të "ëndrrës sonë europiane". Për më tepër, ndryshe nga rastet e Irlandës, Greqisë, Portugalisë e Spanjës, Europa e bashkuar nuk ka as ambicien e as fuqinë për të bërë mrekullira me ekonominë e një vendi të sapointegruar. Pra, heqja e vizave dhe pasoja e kësaj mund të përbëjë në fakt pjesën më thelbësore të integrimit.
Një nga pasojat pozitive që kjo sjell, do të jetë njëfarë ndershmërie politike në debatin publik në lidhje me integrimin. Deri më sot, ne kemi folur për simboliken duke pasur parasysh ekonomiken, kemi folur për heqjen e diskriminimit/poshtërimit nëpër ambasada duke pasur parasysh mundësinë e lëvizjes së lirë. Pas heqjes së vizave, nuk do të kemi më nevojë të bëjmë zhvendosje të tilla politikisht korrekte dhe eventualisht do të mund të nisim të peshojmë të mirat dhe të këqijat që mund të vijnë nga integrimi europian. Ndoshta për herë të parë nuk do të jetë tabu të shprehesh kundër integrimit, p.sh. për shkak të pasojave shtrënguese që integrimi do të sillte në marrëdhëniet tregtare me Europën, apo në vijim të një logjike proteksioniste të majtë, për shkak të pasojave të trysnisë së tregut gjysmë të subvencionuar europian mbi atë lokal shqiptar. Në thelb, liberalizimi i vizave mund të sjellë liberalizimin e debatit publik në Shqipëri.
Gjithashtu, debati dhe veprimi politik shqiptar mund të fokusohet si rrjedhojë më shumë në aspekte josimbolike të qeverisjes, duke u afruar më tepër me aspektet që lidhen me performancën konkrete, sidomos atë qeverisëse. E thënë ndryshe, kur "kthimi në familjen europiane" të jetë praktikisht realitet përmes heqjes së vizave, përdorimi i kësaj teme të preferuar nga politikanët tanë do t'ia lerë vendin temave të prekshme vendore. Elitat politike mund të bëhen rrjedhimisht më krijuese në kuptimin politik. Kjo mund të marrë edhe më shumë rëndësi, në kuadër të një pavarësimi të elitave vendase në raport me BE-në dhe fuqizimit të llogaridhënies së përfaqësuesve tanë.
No comments:
Post a Comment