Friday, July 30, 2010

Gati shkarkimi i Topit


image

Përplasja/ Zgjedhja e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, rindizen sherret politike

Presidenti si “mollë sherri”

Tirana është përndezur sërish nga sherret politike që, fatkeqësisht kryeqytetit shqiptar nuk i mungojnë asnjëherë. Këtë radhë “molla e sherrit” është bërë Presidenti i Republikës. Në një sulm të beftë, Partia Demokratike iu turr Topit duke thënë se ka shkelur Kushtetutën në rastin e (mos)zgjedhjes të kreut të Gjykatës Kushtetuese. Akuzë më të rëndë për një President nuk ka. Opinioni mbajti frymën për të mësuar se ku e paska bërë dhe me ç’qëllim e ka bërë këtë hata Presidenti. Sepse, pasi të vërtetohet shkelja e Kushtetutës, normalisht i bie që Presidenti të japë dorëheqjen… Mirëpo nisja e këtij sherri politik në momentin që u shqiptua, linte për të dyshuar. Një ditë më parë Kuvendi kishte mbyllur sesionin dhe deputetët shkuan me pushime. E po, thanë njerëzit, do të na bien veshët rehat për një farë kohe. Por s’qe e thënë. Sekretari i Komisionit të Ligjeve, Eduard Halimi, deputet i Partisë Demokratike deklaroi as më shumë e as më pak se: "Kreu i shtetit ka shkelur Kushtetutën e Republikës duke mos ushtruar detyrimin kushtetues për emërimin e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, emërim që duhej të ishte bërë që prej datës 4 qershor. Ky përbën një akt të rëndë dhe të paprecedent në gjithë historinë e shtetit shqiptar, si dhe një fyerje të rëndë për Kushtetutën dhe shtetin ligjor”. i menjëhershëm qe reagimi nga Presidenca. Këshilltari për çështje juridike Spiro Peçi deklaroi se me fillimin e sesionit të ri parlamentar, do të përcjellë në Kuvend dekretin e emërimit të kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese. “Presim të përfundojë muaji gusht dhe në 6 Shtator kur të nisë Kuvendi punimet, do nisim dhe emërimin e kreut të Gjykatës Kushtetuese”. Me këtë rast, Peçi sqaroi se "asgjë nuk e pengon kryetarin aktual të Gjykatës Kushtetuese të ushtrojë detyrimet e tij". Me këtë rast ai hodhi poshtë akuzat se Presidenti ka shkelur Kushtetutën. i këtij mendimi është dhe politikani Sabri Godo. Ai i konsideroi absurde dhe të nxituara deklaratat e PD-së, sipas të cilave Presidenti ka shkelur Kushtetutën. "E njëjta praktikë është përdorur dhe në rastin e presidentit Moisiu, i cili qëndroi 2 muaj më shumë në detyrë, deri në zëvendësimin e tij, por askush nuk deklaroi se u shkel Kushtetuta", tha ai. Edhe Partia Socialiste e mori në mbrojtje Presidentin. Selia rozë ishte më e drejtpërdrejtë dje kur tha se, “përplasja” mes PD-së dhe Presidencës për anëtarët e gjykatave është përpjekje e qeverisë për të shmangur vëmendjen e publikuar për krizën ekonomike. Të jetë e vërtetë kjo? Në fakt nuk është hera e parë që bëhen sulme të tilla në momente të caktuara, që në të vërtetë nuk kanë rezultuar ashtu sikurse janë deklaruar në fillim. Me sa duket ne nuk rrimë dot pa sherre dhe kur nuk i kemi, i sajojmë. Më duket se kështu po ndodh edhe tani. Koha do ta vërtetojë.

Intervista/ Flet për gazetën “Telegraf”, deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj

“Kreu i ri i Kushtetueses të zgjidhet nga anëtarët që janë në detyrë”

Lorena Killo

Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, gjatë një interviste për “Telegraf”, u shpreh se, Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese i ka mbaruar mandati dhe se tashmë puna e kësaj gjykate është e cenuar. Anëtari i Komisionit të Ligjeve, Alibeaj, tha se kreu i ri i Kushtetueses mund të zgjidhet nga anëtarët që janë në detyrë, por Presidenti nuk po e kryen një gjë të tillë duke shkelur ligjin.

- Zoti Alibeaj, PD ka nisur një debat për kryetarin e Gjykatës Kushtetuese nëse duhet të zëvendësohet apo jo në këto momente apo të qëndroj në detyrë. Pse nisi ky debat dhe si e argumenton maxhoranca këtë rast?

- Më lejo që unë të mos bëj një interpretim të maxhorancës, sepse interpretimi i maxhorancës është interpretimi ligjor. Ligji bazë që rregullon historinë e fillimit të kohëzgjatjes dhe të mbarimit të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, të mënyrës se si zgjidhjet dhe kur zëvendësohet, rregullohet nga Ligji Organik i Gjykatës Kushtetuese, i cili parashikon që kryetari i Gjykatës Kushtetuese zgjidhet me të njëjtin mekanizëm propozues dhe miratues, si dhe të gjithë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, pra me propozim të Presidentit dhe me pëlqim të Kuvendit zgjat për një afat trevjeçar. Veç kësaj, duhet parë ky parashikim ligjor edhe në kontekstin tjetër, në sensin që anëtarësia në Gjykatën Kushtetuese asnjëherë nuk mund të jetë vakante. Sigurisht që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese e kanë nëntë vjeçar mandatin e tyre. Mund të ndodhë që kohëvazhdimi në detyrë mund të zgjatet deri sa të zëvendësohet, por qëndrojnë në detyrë ata anëtarë të cilët janë. Do të thotë që anëtarësia është gjithmonë nëntë. Ka gjithmonë nëntë anëtarë, pra ka gjithë hapësirën e duhur për të gjetur njërin prej tyre si kryetar të Gjykatës Kushtetuese. Nuk parashikon ligji asnjë hapësirë që nëse nuk zgjidhet kryetari i ri, të mund të vazhdojë kryetari në detyrë. Kjo është shumë e qartë. Ligji ka përcaktuar një afat trevjeçar, i cili fillon ditën që bën betimin si kryetar dhe mbaron atë ditë të muajit të fundit të vitit të fundit të trevjeçarit. Unë besoj se me kalimin e këtij momenti kohor, që është ngjarje e sigurt e së ardhmes, me kalimin e afatit trevjeçar, zvogëlohen, shkurtohen dhe hiqet investitura e anëtarit të Gjykatës së Lartë me pozicionin e kryetarit.

- Në momentin që i mbaron mandati Kryetarit të Kushtetueses a kemi ngërç?

- Praktikisht, me mbarimin e mandatit nuk ka më kryetar të Gjykatës Kushtetuese, jo vetëm formalisht, por edhe substancialisht ka një masë të madhe kompetencash kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Do të duhet që të procedohet me kompetencë brenda trevjeçarit të plotë në përzgjedhjen e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese. Çdo lloj tejkalimi shkakton një impas në punën e veprimtarisë së Gjykatës Kushtetuese. Impas që do të vërtetohej nëse do të kishte kërkesa në Gjykatën Kushtetuese, e cila nuk mund të vihej në lëvizje. Unë besoj se është ngërç. Ky ngërç duhej të ishte zgjidhur, sepse që në datën 3 qershor i ka përfunduar mandati trevjeçar njërit prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

- Po fakti që katër nga anëtarëve të Kushtetueses u ka mbaruar mandati? A mund të zgjidhet kryetari i ri?

- Trupa e Gjykatës Kushtetuese është e plotë dhe është nëntë anëtarësh. Sigurisht që ka një pjesë të tyre që janë në kohëvazhdim të mandatit të tyre, që janë në ecje të mandatit të tyre, që janë në kohë normale. Pa asnjë lloj dyshimi, kryetari i ri mund të zgjidhet nga secili prej nëntë anëtarëve, sepse ligji thotë se mandati i kryetarit është brenda mandatit të anëtarit. Sigurisht që, mund të ndërpritet më parë mandati i tij si anëtar, që do të thotë automatikisht edhe si kryetar, por që nuk ka asnjë lloj vakumi ose pamundësie për t'u zgjedhur mes nëntë anëtarëve. Duhet të jetë e qartë që Gjykata Kushtetuese ka gjithmonë nëntë anëtarë. Me mandat të skaduar ose jo ata vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë kjo është zgjidhja ligjore.

Luan Omari: “Puna është e bllokuar në Kushtetuese”

Gjatë një prononcimi për gazetën “Telegraf”, konstitucionalisti i njohur Luan Omari u shpreh lidhur me zgjedhjen e Kreut të Kushtetueses se mos zgjedhja e tij ka bllokuar punën në Gjykatë. Sipas tij në ligj nuk është e shkruar që kreu i Gjykatës Kushtetuese lë punën pas përfundimit të mandatit, por ligji thotë “Kreu i Gjykatës Kushtetuese rri në detyrë deri në zëvendësimin e tij”. Pra nuk përcaktohet afat. Por kjo do të thotë që ai nuk mund të marrë dot vendime pasi i ka mbaruar afati, kështu që faktikisht kjo do të thotë që puna në Gjykatën Kushtetuese është e bllokuar.

PS-Presidentit: “Mos bini pre e shantazhit të Berishës”

Partia Socialiste reagon pas sulmit të Partisë Demokratike ndaj kreut të shtetit për vonesat në përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Përmes një deklarate për mediat, deputeti socialist Sajmir Tahiri i bën thirrje Presidentit Topi: “Të mos bjerë pre e shantazhit të Sali Berishës dhe të mos e tolerojë më tutje praktikën e gjuetisë së shtrigave ndaj kandidaturave që nominon për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese e asaj të Lartë” Selia rozë konsideron se, “përplasja” mes PD-së dhe Presidencës për anëtarët e gjykatave është përpjekje e qeverisë për të shmangur vëmendjen e publikuar për krizën ekonomike. “Dje, në përpjekjen e dëshpëruar për të shmangur vëmendjen e publikut nga kriza e vërtetë e transparencës së munguar mbi zgjedhjet e vjedhura e mbi ekonominë kapur nga e njëjta familje në pushtet, sidomos pas daljes me turp nga beteja antikombëtare për uzurpimin e shërbimit sekret, Sali Berisha ka hapur një krizë të re me Presidentin e Republikës”, theksoi deputeti Tahiri. Sipas socialistëve, Kryeministri Berisha ka futur në krizë institucionet e drejtësisë dhe po bllokon procesin e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.

Kondi: “Presidenti vonoi ndërrimin e kreut të Kushtetueses”

Ish-Kryetari i Gjykatës së Lartë, Thimio Kondi ka komentuar debatin që ka përfshirë institucionin e Presidentit të Republikës mbi emërimin e kreut të ri të Gjykatës Kushtetuese, mandatin e këtij të fundit dhe hapësirën kushtetuese që ka kreu i shtetit në këtë proces. Kondi sjell për analogji rastin e tij kur në 4 qershor të vitit 2008, u largua nga detyra e kryegjyqtarit të lartë për shkak të përfundimit të mandatit të tij kushtetues. Viktor Gumi deputet i PD-së, anëtar i komisionit parlamentar të ligjeve, thotë se interpretimi i ligjit themelor të çon në logjikën e pastër se Presidenti i Republikës ka shkelur Kushtetutën. Për Kondin duket i pa vlerë arsyetimi i shtyrjes në kohë i këtij procesi për shkak të mungesës së kompletimit me anëtarë, të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në një kohë kur katër prej tyre u ka përfunduar mandati kushtetues. Gumi sjell një tjetër arsyetim kur thotë se vetë ligji themelor nuk e detyron presidentin të zgjedhë mes 9 anëtarëve, çfarë nënkupton se ai mund ta kishte zgjedhur kreun e ri dhe ndër pesë gjyqtarët me mandat. Mandati kushtetues 3-vjeçar i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese përfundoi në 4 qershor të 2010. Presidenti i Republikës ka deklaruar se, zëvendësimin e kreut aktual Vladimir Kristo, duke e lënë në këtë fundit në detyrë, do ta bëjë në muajin shtator. Një deklarim, që ka nxitur reagime të ashpra të maxhorancës, e cila e ka cilësuar këtë një akt të paprecedentë, shkelje të Kushtetutës, duke propozuar madje dhe thirrjen e kuvendit në seancë të jashtëzakonshme, për të garantuar funksionimin normal të këtij institucioni të rëndësishëm siç është Gjykata Kushtetuese.

Godo: “Sulmet e PD-së ndaj Topit, të gabuara, po sillen si me Moisiun”

Presidenti i nderit i Partisë Republikane, Sabri Godo, është shprehur kundër sulmeve që Partia Demokratike ka bërë së fundi në adresë të Presidentit të Republikës, Bamir Topi për çështjen e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Godo i ka konsideruar absurde dhe të nxituara deklaratat e PD, sipas të cilave Presidenti ka shkelur Kushtetutën. "E njëjta praktikë është përdorur dhe në rastin e presidentit Moisiu, i cili qëndroi 2 muaj më shumë në detyrë, deri në zëvendësimin e tij, por askush nuk deklaroi se u shkel kushtetuta", tha Godo. Sipas tij, akuzat kanë një prapavijë të qartë pasi palët presin të zënë në gabim njëra-tjetrën. "E kanë një prapavijë, se po të mos ishin këto tendenca, nuk do kishte pasur probleme të tilla", pohoi Godo, duke thënë se presidenti nuk ka kryer asnjë shkelje të Kushtetutës dhe se anëtarët e Gjykatës së Kushtetuese qëndrojnë në detyrë deri në zëvendësimin e tyre. Godo nënvizon se, presidenti duhet të fillojë konsultimet që tani me përfaqësuesit e grupeve parlamentare për të evituar një ngërç të mundshëm që do të krijohej nga rrëzimi i dekreteve të tij për Gjykatën Kushtetuese.

LSI kundër PD për Kushtetuesen

Naço: “Topi nuk ka shkelur Kushtetutën”

PD dhe LSI-ja përplasen sërish për çështjen e Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa PD-ja këmbëngul se Presidenti i Republikës Bamir Topi ka shkelur Kushtetutën duke mos zgjedhur kreun e Gjykatës Kushtetuese, LSI-ja mbështet qëndrimin e presidentit për të dekretuar anëtarët dhe kryetarin në muajin shtator. Juristët demokratë dhe ata të LSI-së ndajnë qëndrime të ndryshme edhe për frymën kushtetuese të nenit 125 të kushtetutës, pasi Nasip Naço, ndryshe nga Viktor Gumi, deklaron se, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese mund të vazhdojë të kryejë funksionet e tij deri në emërimin e kryetarit të ri. Një ditë më parë PD-ja për herë të parë akuzoi Presidentin e Republikës se kishte shkelur kushtetutën duke mos dekretuar kreun e Gjykatës Kushtetuese.

No comments: