afrim imaj
“Bëmat e komunizmit shqiptar kapërcejnë çdo imagjinatë njerëzore. Çdo vështrim bardh e zi i tyre, i përket një historie të cunguar me heronj e tradhtarë të paqenë, që nuk i hy në punë askujt. Përkundrazi, na ngatërron më keq e na motivon të përplasemi pambarim”.
Mënyra si e ka memorizuar Nikoll Melyshi, babai i Pal Melyshit, njërit prej heronjve të heshtur të Sigurimit të Shtetit, historinë e gjysmës së dytë të shekullit të XX, është sa e veçantë, aq dhe interesante. Një profil të tillë me sa duket ia ka kushtëzuar rrjedha dramatike e jetës me karrierën e oficerit të ushtrisë kombëtare dhe kontributin e nacionalistit të orëve të para, me rreshtimin në radhët e “Brigadës së Shtatë” dhe reagimin e antikomunistit të vendosur, me qëndresën disa mujore në male dhe arratinë për t’iu bashkuar diasporës, që nuk rresht përpjekjet ndaj regjimit të Enver Hoxhës. Padyshim që, Nikoll Melyshi nuk mund t’i koleksiononte në detaje ato që ka përjetuar, por ka daltuar kreshpat e ngjarjeve, momentet më kulmore të ndodhive. Dhe është munduar t’i hedhë në letër me kujdes e kthjelltësi, deri sa mosha ka bërë të veten e duart nuk i janë bindur më. Pastaj ka vazhduar me metodën tjetër, duke i regjistruar në magnetofon. Me rikthimin pas katër dekadave në Shqipëri, i ka sjellë me vete si thesarin e vetëm që mundi të rezervojë për të njohurit dhe bashkatdhetarët. Tani që nuk jeton më, arkivi me qindra faqe e dhjetëra kaseta ndodhet në përkujdesjen e të nipit, dr.Kastriot Melyshi, i cili është skrupuloz në ruajtjen e auticitetit të kujtimeve. I rezervuar për njerëzit e medias nga “sensibilitetet e ndryshme që mund të shkaktojnë botimi i tyre”, ai mendon se është herët për t’i bërë publike, pasi majft nga personazhet e këtyre kujtimeve, janë ende gjallë. Gjithsesi, pas një këmbngulje të gjatë, harritëm ti marrim një pjesë të tyre, ku veç kredos së autorit për historinë dhe të vërtetën, zbulohen aspekte të panjohura për ditët e para të pushtimit të vendit dhe luftën nacionalçlirimtare, për të vërtetën e vrasjes së Bardhok Bibës, Pal Melyshit e Baba Faja Martaneshit si dhe tradhëtinë e lidershipit komunist të Tiranës ndaj nacionalistëve të Kosovës...
Pushtimin e Shqipërisë, siç e pashë me sy
Në datën 4 prill 1939, me urdhër të Mbretit, ngarkohet si komandant i rrethit të Burrelit, major Sul Kurti nga Matja. Ai sa merr detyrën thërret në telefon Gjon Marka Gjonin dhe i thotë: Shqipëria është në rrezik prej Italisë, sa armë të duhen për mirditasit. Kapiten Gjoni i përgjigjet: Brenda 24 orëve kam grumbullu 3000 vet te kroni i Shen Lleshdrit në katundin Bulger. E vërteta ishte se 4500 burra prej bajraqeve Kethell e Mirditë me tri ditë bukë me veti, u gjetën të gatshëm në vendin e caktuam, tue prit armët t’u vinin nga Tirana. Por mjerisht për tre ditë në pritje, armët nuk erdhën. Në vend të tyre në zonë u dukën këmishzinjtë e Mussolinit me motoçikleta. Kapidan Gjoni ende për tre ditë qëndronte në Shen Pal, në lidhje të vazhdueshme telefonike me Sul Kurtin. Më 7 prill 39, Sul Kurti e lajmëroi se Italia më në fund hyni në Shqipëri dhe Mbreti Zog duel në Greqi.
Në atë kohë unë isha toger në Peqin. Në orën 4 të datës 5 prill mora urdhrin me u paraqit në Elbasan. Aty gjeta të gjithë oficerët të mbledhur në Shtëpinë e Oficerëve. Në orën 10 të mbrëmjes dëgjuam zërin e radio Romës, ku ishte t’u fol vet Musolini dhe po tregonte se trupat italiane kanë marrë udhën me zbarku në Shqipëri. Në datën 6, ora 4 pasdreke, marr urdhër dhe bashkë me 30 të tjerë nisemi me një kamion civil për në Durrës. Paraqitemi në fushën e sportit dy orë pa marrë dielli. Unë mendoja se atje do të gjenim forcat ushtarake efektive të mbrojtjes kombëtare, ndërsa gjeta një mishmash, ku ishin mbledhë, në formë rebelimi ushtarakë e civilë bashkë, jo më shumë se 200 veta nën komandën e majorit të xhandarmërisë Abaz Kupi, i cili kishte pranë vetes dhe dy togerë, Ndue Pal Dedën dhe Gjon Dostanishtën. Major Abaz Kupi ishte t’u dhënë urdhra me zënë pozicion. Mue bashkë me 30 të tjerë më komanduan në pozicionet e Bishtit të Pallës dhe u nisa me shpejtësi në këmbë. Gjatë kohës që Abaz Kupi jepte porosi në fushën e sportit, mbi qytet fluturuan dy skuadrilje aeroplanësh italianë. Menjëherë, forcat e mbrojtjes u shpërndanë e u futën në hendeqe e kanale për t’u mbrojtur. Aty për aty u hap fjalë se Mbreti ishte largue. Gjithçka rreth e qark ishte e shkrehur dhe e demobilizua. U habita shumë kur pashë se disa oficerë madhorë me grada e kulturë të ushtrisë kombëtare, të shërbimit të përhershëm, që ishin aty nën komandën e Abaz Kupit, në momentin më të kritikueshëm të kombit shqiptar, ishin tulatur e çorientuar. Aty veç ushtri të rregullt nuk kishte. Ai rast tragjik më shtyu në mendime të thella sa mos me gjet rrugëdalje. Asht për t’u pa, e me lot për tu qa ajo kohë fatkeqe se si u llogarit dhe si u zhvillue në atë çast mjerimi fronti ushtarak i mbrojtjes kombëtare.
Ushtria italiane marrshoi për në Tiranë pa kurrfarë rezistence. Lufta e Durrësit logjikisht mund të thuhet se nuk qe luftë aktive, veç një reagim pasiv sa mos me u dhënë rast të huajve me thënë se shqiptarët ia dorëzuan Shqipërinë Italisë pa luftë. Një tjetër çudi ose më mirë me thënë qëllim, është se në datat 5 dhe 6 prill 1939, tre të katërtat e oficerëve kanë qenë në udhëtim pse kanë marrë urdhrat e transferimit prej reparteve të tyre në vende të ndryshme, me urdhër telegrafik nga Tirana. Më 6 prill, kur Zogu kishte mbledh në pallatin e vet ministrat dhe këshillin parlamentar, për me dekretu daljen legale të tij nga Shqipëria, përpara Pallatit Mbretëror ishin mbledh të gjithë studentët dhe gjithë rinia paraushtarake tue ba protestë e tue kërkue armë me luftue Italinë. Zogu vet del në penxhere dhe u thotë: Shpërndahuni!
Rob i komunistëve 30 ditë
Ka ndodhur vërtetë kësisoj. Unë nacionalisti i flaktë për disa muaj, kam manovrue nën komunizëm e kam luftue bashkë me ta. Bashkë me disa shokë pata fatin e zi me qenë në radhët e partizanëve e me pa veprimtarinë e tyne...
Në muajin tetor 1944, gjermanët e kishin humb luftën dhe kishin nis tërheqjen, tue lënë tokën shqiptare me drejtim ka Mali i Zi. Ndodhi që sa u largun nga kryeqyteti Tirana, këtë të fundit e morën në dorë komunistët. Gjenerali i kuq Enver Hoxha, sa mori frenat në dorë, me qëllim me paksue kundërshtarët e vet, shpalli menjëherë një amisti të përgjithshme për ushtarakët e civilët që në një mënyrë apo në një tjetër kishin bashkpunue me të huajt. Pastaj tue i mbledh rreth vetit, pak nga pak, i çfarrosi të tërë.
Në fillim të nëntorit ‘44, pas një lufte të përgjakshme brigadat komuniste morën në dorë nënprefekturën e Shën Palit të Mirditës. Aty u vendos shtabi i tyne me të gjithë eprorët e lart si Tuk Jakova, Tahir Kadareja, Gjin Marku etj. Unë me disa shokë të tjerë që kishin qenë oficerë e nuk kishim patur mundësi me u largue nga Shqipëria, ishim të arratisur nëpër male. Shtabi i komunistëve në Shën Pal na bëri një thirrje zyrtare me u paraqit dhe me u dorëzue në besën e Gjin Pjetër Marka Tomës, që ishte nga katundi Bazë i Kthellës dhe ishte komandant i Brigadës së Shtatë. Kështu ne oficerët që morëm lajmin prej Gjin Markut, unë, Mark Doçi, Dod Bardhoku, Frrok Fusha dhe Ndue Preng Kol Gjonmarkaj, vendosëm me u dorëzue vetëm e vetëm në të mirë të fëmijëve dhe pasi nuk kishim mundësi tjetër për të shpëtuar. Ndërkaq, ne pranuam t’i përgjigjemi apelit të komunistëve me shpresë se ishalla po ndryshon politika e anglo-amerikanëve, dhe po bahet Shqipnia siç u ba përpara Greqia. Kështu, ne pesë nacionalistët e arratisun në mal u dorëzum bashkë me armët tona dhe pa asnjë konditë te komandanti i kuq Gjin Marku. Majori komunist Gjin Pjetri na tha se jeni më të sigurt të vini me ne si partizanë se sa të rrini nëpër shtëpi, mbasi jeni në sy të komandantëve të vendit. Fakti që do merrni pjesë dhe ju në luftën kundër okupatorit, do jetë një siguri për jetën tuj dhe mos me u prish familjet. Në shtator u rreshtuam të pestë në Brigadën e Shtatë dhe nisëm marrshimin me partizanët në drejtim të Shkodrës.
E vërteta është se Gjin Marku na u duk më i ndershmi e më i ndërgjegjshmi i të gjithë përgjegjësve të tjerë, pavarësisht se ai nuk mund të ndryshonte vijën politike që ndiqte si komunist. Shpesh partizanë të ndryshëm na thoshin se ne ishim luftëtarë pas dreke, pas vaktit. Kapiten Mark Doçi, tue pas shpresën te Gjin Marku se do ta integronte në strukturat e tyne, e caktoi menjëherë oficerin operativ të brigadës së vet.. Ne të tjerët u futëm në efektivat e partizanëve të thjeshtë. Kur bëheshin mbledhjet e partisë ne na nxirreshin jashtë.
Më 19 nëntor 1944 hymë në Shkodër, prej aty ndoqëm gjermanin nëpër Mal të Zi. Në rrethinat e Podgoricës kena pushue dy javë. Të ftohtit e dimrit kishte fillue me tërbim të madh. Aty pamë se shumë oficerë i kishim mobilizue dhe nga Shkodra. Njëri prej tyne, nënkolonel Rexhep Xhilani, një burrë plak, e pashë të ngarkue me një mitraloz të rëndë Breeta kalibri 8 m/m që mezi ecte. Gjermanët tërhiqeshin me masa sigurimi, partizanët sulmoshin për çdo natë dhe shpesh edhe vriteshin nga gjermanët. Jugosllavët krahas nesh, çuditeshin me mënyrën si sulmonin partizanët shqiptar të cilët jetonin vetëm me dy patate në ditë. Gjatë asaj kohe disa bregamatas që ishin mobilizue si dhe ne për të sulmue gjermanin nëpër Mal të Zi, u arratisën. Disa syrsh i kapën. Në këtë kohë dyshimi lindi dhe për pjesën tonë. Pas kësaj ngjarje na arrestuan edhe ne, mua, Dod Bardhokun dhe Frrok Fushën. Na procedoi komisari i Brigadës Qazim Kapisyzi dhe na lidhën me duar pas shpine duke na mbajt të izolum në kushte shumë të vështira. Gjermanët ishin tu tërhek me automjete dhe prapa rojet e tyne kishin ba një qëndër të fortë në Vishegrad të Bosnjës. Aty afër një qyteti Frrok Fushëm dhe një djalë të ri nga Kthella e Epër, mbasi i kalbën me dru i pushkatun. Mua dhe Dod Bardhokun na lirun. Mbaj mënd që ishte një i ftohtë i madh dhe në radhët e partizanëve kishte rënë sëmundja e morrit të kuq. Fakti që nuk kishte ilaçe për mjekim solli dhe majft pasoja në njerëz. Pasi gjermanët u largun nga Vishegradi, partizanët e futën aty dhe vërshuan me gjet buk e gjëna të vlefshme me jetue. Mirpo në këto përpjekje mjaft nga partizanët ranë në kuthin e minave që kishin lënë gjermanët dhe u vranë e saktun. Në gjysmë e muajit Fruer 1945, brigada e shtatë merr urdhër nga Armata e Pestë që ishte me qëndër në Shkup për me u kthye në Kosovë. Nisemi nëpër borë e shi tue kalue ato bjeshkë të ftohta të Bosnjës dhe arritëm në Kosovë të dërrmuar e të përgjysmum nga lufta dhe nga sëmundjet. U futëm nëpër katunde duke u ndarë nëpër shtëpia tue mbush barkun me bukë gruri dhe mish dashi. Në atë kohë Jugoskllavia kishte interes me i shfrytëzue shqiptarët deri në palcë...
Tradhtia e partizanëve në Kosovë
Oficerët partizanë të luftës të brigadave shqiptare, u dehën nga propaganda ruse e jugosllave dhe nuk ishin në gjendje me pa çfarë fshihej në të vërtetë pas fjalëve të Titos. Ata ranë viktima të sllavizmit. Në atë kohë në malet e Kosovës gjendeshin të arratisur mbi 500 antikomunistë kosovar. Ata kryesoheshin nga Hysen Tërpeza, Adem Ali Pozhari, Mehmet Aga, Ismail Gorani, Shaban Polluzha, Adem Bllavica e tjerë. Marrshalli Tito, tue dit mirë se kosovarët nuk i dorëzohen gjallë Jugosllavisë, futi në lojë brigadat partizane shqiptare, që ti rrejshin të arratisurit e Kosovës dhe me i marrë në dorëzim në besën e zakonit shqiptar. Ai shpalli një falje të posaçme, vetëm për kosovarët, tue u premtue se do të jenë të lirë me armë, por pasi të mobilizohen në brigadat partizane. Qëllimi ishte me i vu në dorë me pabesi, pa qenë nevoja me hap luftë frontale me ta. Udhëheqësit e brigadave komuniste shqiptare, sipas porosisë së serbëve, duke u marrë vesh me disa pari të antikomunistëve kosovar, u bënë thirrje me u dorëzue, se nuk do të shkojshin nëpër gjyqe jugosllave, duke ju mbushur mendjen se do të jenë në mbrojtjen e tyne. Kosovarët që ishin arratis maleve në Kosovë e Metohi, u rrejtën nga fjala e besa e përgjegjësve të shtabeve shqiptare dhe kujtuan se ato kanë ardh prej Tirane për ti çlirue nga sllavizmi. Ata kurrsesi nuk e dijshin se në atë kohë brigadat shqiptare ishin nën komandën e Armatës së Pestë të Jugosllavisë me qendër në Shkup e prej asaj merrshin urdhra dhe jo prej Tirane. Tito për me bë politikën e vet e për me rrejt të arratisurit e Kosovës që tu dorëzohen brigadave shqiptare, u kishte dhanë autoritet oficerëve shqiptarë që të mbushnin kuadrin e brigadave me ushtarë kosovar dhe të kenë të drejta sundimi në të gjithë territorin jugosllav të barabartë me autoritetet jugosllave. Brigadat shqiptare kishin hap lajmin se tashmë jemi të vëllazërum dhe nuk ekziston më kufiri në mes dy shteteve tona. Kosovarët e maleve më tepër se 300 vetë u dorëzuen nëpër brigadat komuniste shqiptare, natyrisht t’ue i besue traditës dhe besës shqiptare. Ata shkuan grupe grupe dhe ranë në duart e xhelatëve të Titos. Brigadat shqiptare i morën në dorëzim dhe i mbajtën nëpër reparte të armatosur në Kosovë më tepër se një muaj me qëllim që të dorëzoheshin dhe të tjerët. Kur panë se Hysen Tërpeza, Mehmet Ago, Shaban Polluzha me 300 e ca vet të tjerë nuk u dorëzuan, atëherë brigadat shqiptare filluan arrestimin e kosovarëve që kishin në dorë, pjesë pjesë dhe ja dorëzuan policisë jugosllave në Vuçiterrnë e në Mitrovicë. Kjo e fundit sa i mori i pushkatoi të tërë pa përjashtim.
Kjo është një tragjedi e shëmtume për tu qarë me lot gjaku, sepse atëherë në Kosovë veproshin tri brigada partizane, e pesta, e gjashta dhe e shtata që përbënin divizionin e gjashtë shqiptar të komanduar nga kolonel Gjin Marku. Në këtë periudhë ne oficerët e mobilizu më herët në Shqipni nga komunistët partizanë, ishim tu prit momentin e arrestimit nga dita në ditë dhe jetonim me frikë të madhe. Kjo ishte periudha e vllaznimit komunist dhe e marrëzisë komuniste që thërriste “Enver-Tito-Stalin” Enver Hoxhës i erdhi rasti në dorë si kryetar i qeverisë për të shpëtue të pa ndarë Kosovën nga Shqipnia, por ai i dha më shumë rëndësi karriges së pushtetit të tij sesa lirisë së dy milionë shqiptarëve nën Jugosllavi. Enver Hoxha e dinte se kosovarët janë fetar e me tradita dhe kundra komunizmit dhe tue pasë frikë se të bashkuar me antikomunistët e Shqipërisë së Veriut, ai nuk do të qëndronte më në kolltuk as për një muaj. Prandaj i hoqi kosovarët nga telashja e vet personale dhe ja fali dy milionë Titos tue nënshkrue paktin pa kundërshtime, pa kondita, për të mos cenuar pozitën e vet. Me siguri sikur Tito ti kërkonte dhe tre prefekturat e Veriut Shkodrën, Kukësin dhe Dibrën, Enveri ishte gati me ja dorëzue. Çfarë nuk bëri Enveri vetëm e vetëm me rujt pushtetin personal. Tue qënë i bindur dhe i trembur nga gabimet dhe tradhtitë e veta, ai zhduku nga jeta një varg të madh intelektualësh që mendonin me bë një qeveri socialiste modeste për të cilën kishin bërë goxha sakrifica qysh nga lufta nacionalçlirimtare. Enver Hoxha në mënyra nga më të paskrupulltat vrau dhe zhduku një varg liderësh të vlefshëm socialistë si Mustafa Gjinishin, Nako Spiron, Koci Xoxen, Sejfulla Malshovën, Tuk Jakovën, Ymer Dishnicën, Riza Danin, Kol Prelën, Islam Radovickën, Dali Nderun, Halim Xhelon e shumë të tjerë. Pastaj i mbushi koburen Mehmet Shehut tue i dhënë letër të bardhë me vra popull pa hak e pa gjyq dhe vrau me mijëra burra, dërgoi në burgje e kampe internimi 25 mijë të tjerë, pleq, gra e fëmijë të pafajshëm. Sistemi i Hoxhës prodhoi një tragjedi të tërë kombëtare. Për të faktue këtë mjafton të përmendim disa shembuj: 1- Në harkun e viteve 1944-1953, klika komuniste zhduku 2200 antikomunistë në Shqipërinë e Veriut. 2-Operacioni famkeq i gushtit 1949 që bëri vet Mehmet Shehu në Mirditë tue pas dëshmitarë rreth vetes dy kolonelë sovjetikë ku vrau 14 burra të pafajshëm nga Kthella e Mirditës, gjoja për hakmarrje për vrasjen e komunistit Bardhok Biba të cilin e vranë të arratisurit e malit. Për këtë nuk u mjaftua gjaku i këtyre 14 burrave, por u dërguan në burgun e torturave të Shkodrës 300 burra të tjerë dhe 400 familje mirditase u internuan në Tepelenë.
Vijon nesër...
No comments:
Post a Comment