Friday, July 30, 2010

Parlamenti, një sesion për t’u harruar

Nga Afrim Krasniqi

Sesioni parlamentar i pranverës u mbyll. Si zakonisht titullaret e Kuvendit do ta quajne ate te suksesshem por tej retorikës së vjetër dhe bilanceve fiktive, parlamenti aktual po mbyll një sesion monoton, të bezdisshëm, joproduktiv dhe në thelb, një sesion për t’u harruar. Logjika e analizës është e thjeshtë. Në shkencat politike janë të njohura katër funksionet bazë të parlamentit demokratik: funksioni legjislativ, ai i shprehjes dhe formimit të vullnetit të popullit, funksioni kontrollues dhe ai zgjedhor. Ballafaqimi i këtyre funksioneve me bilancin 6-mujor të parlamentit aktual shqiptar, nxjerr në pah diferencën e madhe midis një demokracie funksionale dhe një demokracie të brishtë tranzicioni. Parlamenti vuan nga deficite të mëdha në ushtrimin e funksionit legjislativ. Në 6 muaj, parlamenti nuk ka miratuar asnjë ligj themelor, asnjë ligj reformator, asnjë reformë thelbësore dhe asnjë strategji apo plan veprimi me ndikim të ndjeshëm në shoqëri. Axhenda parlamentare është dominuar nga korrigjime të vogla ligjore, miratime formale marrëveshjesh apo deklaratash, debate mbi ligje dytësore dhe nisma politike pa efekt publik, ose të rrëzuara nga Gjykata Kushtetuese. Në gjashtë muaj nuk kemi asnjë nismë serioze legjislative nga deputetët, nuk kemi propozime ligjesh nga grupet parlamentare, nuk kemi negociata dhe as marrëveshje për votime të ligjeve cilësore me 84 vota, duke krijuar një diferencë gjithnjë e më të madhe midis nevojave të mëdha të vendit dhe paaftësisë së parlamentit për t’iu përgjigjur këtyre nevojave, me reforma, ligje dhe nisma legjislative. Funksioni i shprehjes së vullnetit të popullit është dukshëm, i papërfunduar. Debati mbi zgjedhjet parlamentare çoi në bojkotim të parlamentit, mosfunksionim të tij, ose në shndërrimin e axhendës parlamentare, nga një axhendë reflektimi të vullnetit të popullit, në një axhendë të kushtëzuar nga retorikat dhe projektet personale të liderëve kryesorë politikë. Qytetarët kanë votuar me 28 qershor për reforma, integrim, stabilitet dhe shtet ligjor, katër premtime që ky parlament nuk ka arritur t’i sigurojë duke mospërmbushur as këtë funksion të dytë kushtetues. Si pasojë e këtij funksioni vjen edhe ai i formimit të vullnetit të popullit, gjithashtu i papërmbushur. Të gjitha palët flasin në emër të popullit, verdiktit dhe vullnetit të tij, por të gjitha palët parlamentare u sollën, vepruan, debatuan dhe votuan jashtë këtij vullneti, duke e identifikuar gabimisht veten me popullin dhe duke vepruar me një axhendë të ndryshme nga ajo qytetare. Funksioni i tretë themelor, kontrolli i qeverisjes, mbetet i pakonsumuar në të gjitha instrumentet e tij. Nuk kemi pasur jetë parlamentare normale, nuk kemi pasur interpelanca qeveritare, mocione besimi e mosbesimi, komisione hetimore parlamentare, raporte llogaridhënieje të qeverisë në parlament, seanca të mbyllura debati mbi probleme të interesit kombëtar, bashkërendim të axhendës parlamentare me atë ekzekutive dhe publike, apo llogaridhënie pozitive të ministrave përgjegjës në komisionet parlamentare. Asnjë rezultat konkret nuk u arrit, as në raportimin vjetor të institucioneve kushtetuese. Kemi pasur njësim të pushtetit legjislativ me atë ekzekutiv, njësim të qeverisë me parlamentin, tentativë për njësim midis shtetit dhe pushtetit etj. Pra, gjatë sesionit 2010 nuk kemi pasur kontroll të parlamentit mbi qeverinë, por të kundërtën, kontroll të plotë të qeverisë mbi parlamentin. Funksioni i katërt, ai zgjedhor ka qenë e mbetet problematik. Parlamenti ka ndjekur standarde të dyfishta për të njëjtat çështje, duke krijuar standarde të dyfishta për procedurat demokratike dhe funksionin e saj kushtetues-zgjedhor. P.sh, parlamenti nuk ka respektuar kushtetutën dhe ligjin organik, duke mosnisur procedurën për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, ndërkohë që ka krijuar një standard të dyfishtë në emërimet gjyqësore. I njëjti parlament që rrëzoi 5 gjyqtarë për Gjykatën e Lartë, dy vjet më pas i votoi dy prej tyre; i njëjti parlament që miratoi një ligj lustracioni të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, po e aplikon këtë ligj në rrëzimin e tre kandidatëve të tjerë për Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese. I njëjti parlament që bën seanca degraduese dhe hetuese me motive politike mbi gjyqtarët, miraton pa debat, pa seancë pyetjesh dhe pa transparencë drejtues në institucione të tjera po aq të rëndësishme, si avokati kundër diskriminimit, shkrirja kolektive e Komisionit të NC-së, zgjedhjet në KKRT etj. Fakti që parlamenti e mbylli debatin veror me tentativën për ndryshimin e kreut të SHISH-it, një bast i humbur me aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë, tregon se funksioni zgjedhor mbetet irracional, kundërproduktiv dhe i motivuar nga interesa politike të ditës.
Në mungesë të një bilanci pozitiv, të efektivitetit dhe aftësisë për përmbushjen e detyrimeve kushtetuese, parlamenti (drejtuesit e tij) janë përpjekur të paraqesin një bilanc arritjesh në një axhendë paralele ekstraparlamentare. P.sh, të gjithë kemi dëgjuar për mburrjet mediatike të “diplomacisë parlamentare”, një nocion inekzistent në marrëdhëniet ndërkombëtare; për liberalizimin e vizave, apo për lobingun mbi Kosovën, dy përgjegjësi ekskluzive të pushtetit ekzekutiv. Ne kemi parë një parlament që mbush muret e tij me foto e ekspozita; mbush sallat me mitingje grash apo nxënësish; shumë debat mbi dietat e deputetëve dhe pak debat mbi rrogat e shqiptarëve; deputetë që bëhen më të pasur kur populli bëhet më i varfër, si dhe seanca plenare me retorikë parapolitike dhe parademokratike. Në fund të fundit, Shqipëria ka nevojë për një parlament ndryshe, një parlament funksional që di të bëjë ligje dhe politikë të arsyeshme, që reflekton sistemin kushtetues dhe synon përsosjen e tij.

No comments: