26/07/2010 Mund të mos duan ta pranojnë, por evropianëve u pëlqen pakëz kapitalizëm
Pak vite më parë, një politikan francez ambicioz i të djathtës dukej sikur binte dakord. “Për 25 vite, Franca nuk është ndalur asnjëherë së dekurajuari iniciativën dhe ndëshkuari suksesin”, thoshte ai. “Pengimi i pasurimit të më dinamikëve ka varfëruar si pasojë gjithë të tjerët”. Si quhej? Nicolas Sarkozy.
Kur të vijë puna që historia do të shkruajë rrëfimin për krizën e eurozonës, të këqijtë në përrallë, nëse liderët evropianë do të kenë fjalën e tyre për të thënë, nuk do të jenë grekët e shtirur apo gjermanët duardridhur, por tregjet financiare. Tregtarët e nënshtruan Greqinë para një “terrori psikologjik”, deklaroi George Papandreoou, Kryeministri i vendit. “Ata po fitonin para në kurriz të lumturisë së njerëzve”, tha Michel Barnier, komisioner evropian për tregun e përbashkët. Për krizën u fajësuan tregjet-ujq, cinikë, agjencitë e rating-ut të kredive, kapitalizmi neokonservator, një shtyp anglosakson hipokrit, si dhe forca të tjera të këqija.
Jo të gjithë evropianët demonizojnë tregun. Evropa ish-komuniste, e cila jo shumë kohë më parë hodhi tutje ekonominë e centralizuar, është më pak armiqësore. Po kështu janë gjermanët, me Mittelstandin e tyre ndaj biznesit të vogël dhe marrëdhëniet konsensuale të punës. Megjithatë, në vende të tjera armiqësia ndaj tregut duket se shkon më thellë se sa thjeshtë mosaprovimi i zgjedhjeve ekstravagante në bursë apo bonuset (që janë të zakonshëm për Britaninë dhe Amerikën). 29% e spanjollëve dhe italianëve dhe 43% e francezëve thanë për një sondazh global në tetor të vitit që kaloi se kapitalizmi i tregut të lirë është “me të meta”. Vetëm 13% e amerikanëve ndanin të njëjtin mendim.
Pakënaqësia ndaj sipërmarrjes së lirë, si dhe lidhjeve të saj me pasurinë dhe fitimin nuk është askund më e madhe se sa në Francë. Nicolas Sarkozy e ka shpallur të “mbaruar” kapitalizmin “laissez-faire”. Pothuajse e vetme në Evropë, Franca ka një taksë të përvitshme për asetet shumë të mëdha. Në letërsi dhe filozofi, nga Molieri tek Balzaku dhe Sartri, francezët kanë denoncuar fuqinë korruptuese të parasë, si dhe kanë vënë në lojë “nouveau riche”. Bosët e sotëm, gjithnjë me puro në gojë, janë subjekte të satirës dhe neverisë. Komunistët, trockistët dhe Partia e Re Antikapitaliste trajtohen tashmë jo si kuriozitete, por si mysafirë seriozë nëpër talk-show.
Përse është Franca kaq e veçuar? Mund të jetë faji katolik apo marksizmi i zgjatur (në librat shkollorë të ekonomisë u mësohet nxënësve për konfliktin mes kapitalit dhe punës). Mund të jetë romanca e zgjatur e rebelimit revolucionar, apo kredoja, ose të paktën legjenda, e barazisë. Cilido qoftë shkaku, dyshimi ndaj pasurisë është një arsye përse Sarkozy është në telashe për shkak të lidhjeve të partisë së tij me gruan më të pasur të Francës, Liliane Bettencourt, perandoresha e LOreal. I njëjti refleks mund të pengojë edhe Dominique Strauss-Kahn, bosi i FMN dhe lideri më kompetent i socialistëve, që të kandidojë për President në 2012: ai është i dëmtuar nga paga e lartë dhe lidhjet me paratë e Uashingtonit. “Kudo tjetër, suksesi material admirohet lehtësisht... miliarderët përshëndeten, bosët brohoriten”, shkruan Alain Duhamel, një komentator politik francez. “Në Francë, aspak. Pasuria është mishërim i të keqes, paraja i djallit”.
Megjithatë, ndoshta është koha që francezët si dhe qoshet e tjera të Evropës që janë kundër tregut të mësojnë një sekret të fshehur. E vërteta është se e tyrja është një shoqëri kapitaliste. Sepse ndërkohë që udhëheqësit e Evropës bërtasin kundër fitimit dhe pasurisë, kompanitë e saj hyjnë në tregje të rinj dhe mbledhin fitime gjigandë. “Inditex” i Spanjës vesh burra dhe gra në dyqanet e “Zara”-s në 76 vende. Anheuser-Busch InBev i Belgjikës, që prodhon Budweiserin është kompania numër një në botë e birrës. Franca ka më shumë kompani në fortune 500 se sa Gjermania. Një kompani franceze, “Sodexo”, është furnizuesja kryesore me ushqime e trupave ushtarakë amerikanë.
Kompani të tilla krekosen në Kinë, Indi dhe Brazil, duke lëvduar misionin e tyre të përqendruar tek konsumatori për të arritur eficencë të klasit botëror. Dhe ato krijojnë gjithashtu pasuritë që francezët, belgët, spanjollët, grekët dhe të tjerët thonë se nuk i durojnë dot 9por janë të lumtur ti rishpërndajnë). Fitch, një prej agjencive të kreditimit më të mëdha në botë që është denoncuar nga Sarkozy mund ti ketë zyrat në Nju Jork, por përmes një kompanie holding të quajtur “Fimalac”, ajo është në të vërtetë me pronarë francezë.
A ka rëndësi e gjithë kjo? Deri në një pikë, kërkimi i fitimit nga korporatat dhe denoncimi i fitimit nga politika mund të shkojnë bashkë. Francezët duket se nuk e kanë problem që mbushin karrocat e tyre në dyqane me ilaç rrobash prodhim amerikan apo pishina plastike të prodhuara në Kinë, të përzgjedhura në hangarë të mëdhenj në hipermarkete të periferive. Atyre u pëlqejnë çmimet e ulët që u sjell konkurrenca, por nuk pëlqejnë fitimet e supermarketeve të tyre. Sarkozi mund të deklarojë që nuk pranon që prodhuesit francezë të makinave të ndërtojnë produktet e tyre në vende evropiane me kosto të ulët të krahut të punës me qëllim që ti shesin në Francë. Por falë tregut të përbashkët evropian, Renault vazhdon ta bëjë këtë gjë.
Arsyeja përse e gjithë kjo ka rëndësi është se Franca po furnizon kaq shumë prej ideve të reja të Bashkimit Evropian. Qoftë kur këto kanë të bëjnë me qeverisjen ekonomike” për eurozonën, harmonizimin e taksave, tarifat kufitare mjedisore apo atë që Barnier e quan një Evropë sociale më njerëzore”, këto kanë prirjen të tërheqin të gjithë projektin e BE më majtas. Shqetësimi në Bruksel është se kur udhëheqësit francezë kënaqin frikërat e francezëve për konkurrencën “e padrejtë”, ata hedhin në erë parimin e tregut të përbashkët. Apo kur ata bëjnë thirrje për qeveri ekonomike, duan të thonë vendosjen e rregullave socialë të kushtueshëm për të gjithë. Të gjithë e dinë se Sarkozy shpesh herë shkakton më shumë zhurmë se sa telashe. Por me Evropën që vuan nga papunësia e lartë, rritja e ulët ekonomike dhe masat shtrënguese, ekziston rreziku që deklarata të tilla të çojnë direkt në proteksionizëm.
Në rastin më të mirë, futja e hundëve tek tregjet do të dënojë Evropën me rënie të ngadaltë. Në rastin më të keq, do të dëmtojë sipërmarrjet kapitaliste tek të cilat varet prosperiteti i saj dhe modeli social. Pak vite më parë, një politikan francez ambicioz i të djathtës dukej sikur binte dakord. “Për 25 vite, Franca nuk është ndalur asnjëherë së dekurajuari iniciativën dhe ndëshkuari suksesin”, thoshte ai. “Pengimi i pasurimit të më dinamikëve ka varfëruar si pasojë gjithë të tjerët”. Si quhej? Nicolas Sarkozy.
No comments:
Post a Comment