Afrim Imaj
“Bëmat e komunizmit shqiptar i kapërcejnë kufijtë e imagjinatës njerëzore”. Ky ishte lajtmotivi i pjesës së parë të rrëfimit të Nikoll Melyshit, të cilën e bëmë publik në numrin e kaluar. Mënyra si e ka memorizuar, babai i Pal Melyshit, njërit prej heronjve të heshtur të Sigurimit të Shtetit, historinë e gjysmës së dytë të shekullit të XX, është sa e veçantë, aq dhe interesante. Rrjedha dramatike e jetës së tij me karrierën e oficerit të ushtrisë kombëtare dhe kontributin e nacionalistit të orëve të para, me rreshtimin në radhët e Brigadës së Shtatë dhe reagimin e antikomunistit të vendosur, me qëndresën disa mujore në male dhe arratinë për t’iu bashkuar diasporës, që nuk rresht përpjekjet ndaj regjimit të Enver Hoxhës, i ka kushtëzuar një profil të tillë. Melyshi ka parë nga afër pushtimin e vendit nga Italia fashiste dhe sjell fakte konkrete për tradhtinë e eprorëve të lartë të ushtrisë kombëtare. Sakaq, për 30 ditë me radhë ka luftuar përkrah me partizanët deri në Vishegrad të Jugosllavisë, ku veç heroizmit të tyre, ka qenë dëshmitarë i dhjetëra dramave e prapaskenave të komanduesve politikë, në zbatim të porosive të emisarëve serb. Për të tradhtia më e madhe ka qenë pabesia me të cilën u shitën te Titua nacionalistët kosovarë. Por çfarë ndodhi me kthimin e brigadave partizanëve nga Jugosllavia dhe cili ishte reagimi ndaj oficerëve nacionalistë të inkuadruar në radhët e tyre...Kosovarët që ishin arratisur maleve në Kosovë e Metohi, u rrejtën nga fjala e përgjegjësve të shtabeve shqiptare dhe kujtuan se ato kanë ardhur prej Tirane për t’i çlirue nga sllavizmi. Ata nuk e dijshin se në atë kohë, brigadat shqiptare ishin nën komandën e Armatës së Pestë të Jugosllavisë, me qendër në Shkup, e prej asaj merrshin urdhra. Brigadat shqiptare kishin hap lajmin se tashmë jemi të vëllazërum dhe nuk ekziston më kufiri në mes dy shteteve tona. Kosovarët e maleve, më tepër se 300 vetë, u dorëzuen nëpër brigadat komuniste shqiptare, natyrisht t’ue i besue traditës dhe besës shqiptare. Ata shkuan grupe-grupe dhe ranë në duart e xhelatëve të Titos. Brigadat shqiptare i morën në dorëzim dhe pasi i mbajtën një muaj në radhët e tyre, morën urdhër t’i çojnë në repartet sllave të Armatës së Pestë të Jugosllavisë. Pas kësaj procedure tinzare, ato nisën marrshimin për t’u rikthyer në Shqipëri.
Rikthimi nga Jugosllavia
Armata e Pestë Jugosllave urdhëroi Divizionin e Gjashtë shqiptar, që në datën 9 kallnuer 1946 të kthehet në Shqipëri. Pasi u dorëzuen ushtarët kosovarë, të mobilizue armatës jugosllave, brigadat shqiptare u nisën drejt Shqipërisë: Brigada e Pestë në drejtim të Elbasanit, Brigada e Gjashtë në drejtim të Korçës dhe Brigada e Shtatë në Pogradec. Tanimë oficerët e vjetër ishin tue u shfrytëzue si teknikë. Kapiten Mark Doçi u caktua operativ i divizionit, unë u caktova operativ i Brigadës së Shtatë dhe kapiteni Dod Bardhoku, operativ i Brigadës së Gjashtë. Në raportet që komandat përkatëse i çonin eprorëve në Tiranë bëhej e ditur se këtyre oficerëve u është ofruar të bëjnë kërkesë me u fut në parti, por ata nuk kanë pranuar. Më 28 Fruer 1946, u nisa bashkë me disa oficerë të vjetër për me bë një kurs në Tiranë. Në Tiranë u takova me Mark Doçin dhe Dod Bardhokun. Ditën që u nisëm nga Pogradeci, na urdhëruen me dorëzue armatimin në komandë, pasi ishte bërë plani me na arrestue në Tiranë. Unë sa mbërrita aty u regjistrova në hotel të Stringës, lashë aty valixhen në të cilën kisha dy revole dhe dola me takue Mark Doçin dhe Dod Bardhokun. Ata të dy kishin ardh një natë më parë dhe ishin sistemue në hotel “Dajti”. Diku nga mbrëmja u takova me ta dhe shkuam me hëngër bukë në një restorant. Aty në restorant po shifnim disa polica që vinin vërdallë e na silleshin rrotull. E ndjeva që situata ishte kritike dhe se na ishte bërë një kurth i tmerrshëm. Aty për aty i thashë Markut e Dodës të largoheshim menjëherë nga Tirana e të arratiseshim, se ndryshe do përfundonim në birucat e komunistëve. Pikërisht për këtë e çmova, se atë natë nuk duhej të flinim në hotel pasi ndiqeshim, por të shkonim tek ndonjë mik. Ata një moment e pranuan planin tim, por e shtynë arratisjen për një natë më vonë. Nejse. U ndava me ta dhe me një karrocë shkova te një miku im në mëhallën e Shëngjergjit. Teksa u rehatova disi, më shkoi mëndja te revolverët që kisha në valixhe. Të shkoja për t’i marrë, ishte e sigurt se do më rrëmbenin. Kur ia shtrova këtë shqetësim mikut tim, ai vendosi për të shkuar vet te hoteli i Stringës, për të marrë valixhen me dy koburet që kisha fshehur në të. Sa mbërriti ai te hoteli, roja i shërbimit i tha se valixhen e Nikollës e ka marrë policia dhe ajo është hedhur në aksion me e arrestue, si ka arrestue Mark Doçin dhe Dod Bardhokun. Miku u kthye dhe mi tha të gjitha pa rrena. Aty ndenja 24 orë pa armë, e me frikë se mos vinin e më kapnin në befasi. Në muzgun e mbrëmjes, miku më dha dy bomba italiane dhe më përcolli në fshehtësi tue përshkrue rrugën e Shëngjergjit, ullishten përskaj dhe si kalova sipër spitaleve mora drejtimin Krujë-Mirditë. Nëpër pyje pa rrugë, pa armë, por tue më drejtue pak miqtë, munda me arrit në vendlindjen teme pas pesë ditësh. Kthella e Mirdita ishin mbush plotë me forca të ndjekjes në gjurmimin tim, pasi dyshonin se kisha organizue një marrëveshje me Mark Gjonmarkun. Të parin që takova nga të njohurit e mij, e pyeta për gjendjen e familjes. Ai më kallxoi se katër ditë më parë, të gjithë burrat e shtëpisë ishin arratis dhe familja ime, me rreth 30 rob, ishte internue në Lezhë. Ndërkaq, krejt kulla ishte djeg e bërë shkrumb prej forcave të ndjekjes. Krejt të arratisurit e atij vendi ishin largue nga operacioni i fort dhe gjendshin në bajrakun e Fandit me Mark Gjonmarkajun. Strehuesi im dërgoi të birin me lajmërue Mark Gjonmarkun mbi gjendjen time vetmuese. Me ndihmën e njerëzve të besum, pas dy javësh mbërrita në zonën e Gjonmarkut. Mirëpo, ai kishte mbet i vetëm, pasi parija e Dibrës dhe e Lumës kishin dalë në Greqi. Ndërkaq, Pashk Biba ishte vra dhe ndërlidhja bashkë me ndihmën nga jashtë ishte ndërpre. Duhej me u largue. Nuk kishte rrugë tjetër...
Tragjedia e Llesh Melyshit
Ish fillimi i marsit 1946, kur internun Llesh Melyshin prej Kthelle, me krejt fëmijët e familjarët e tjerë, se ishte prej shtëpisë së bajraktarit e se i ishte arratis jashtë vendit i vëllai Ndue Melyshi. Babait të tij, Gjonit, komunizmi i grabiti krejt pasuninë, i dogji krejt kullat, e më në fund e degdisin familjarisht, fillimisht në Lezhë, e prej andej në Berat, Tepelenë, Vlonë e më vonë në Lushnjë. Një ditë, Qeveria komuniste mori informata se ka ardh në Kthellë, si parashutist, Ndue Melyshi, vëllau i Lleshit. Ish muaji korrik i vitit 1949, kur sigurimi i komunistëve vendosi ta lirojë nga internimi Lesh Melyshin familjarisht, me gruen e fëmijët e vet dhe të renë, bashkë me fëmijët e djalit të tij, Markut. Më në fund, ata shkuen në vatrën e shtëpisë së tyre të djegun e të rrënuer, ku nuk kishin kurrsesi me çka me jetue, bile nuk kishin as triskën e rracionit të bukës.
Qëllimi i lirimit të Lleshit dhe familjes së tij u bë me plan, me i bë kurth vëllait të tij Ndues, që ishte marrë vesh se kishte mbrrit si parashutist. Logjika e tyne donte të thoshte se Ndue Melyshi ngado që të sillej, do t’ja donte nevoja patjetër me marrë e me dhënë me familjen e Leshit. Në fakt, Ndue Melyshi kishte zbrit me parashutë në Kthellë të Mirditës, më 15 Fruer 1949. Por ai edhe kur e mori vesh se Lleshi ishte liru dhe ishte në kullën e tij, asnjëherë nuk u duk nga familja e tij dhe as nuk u takue kurrë me vëllanë e vet.
Ndodhi që më 7 gusht 1949 u vra Bardhok Biba nga Oroshi i Mirditës. Llesh Melyshi, pa ditur kurrgjë mbi vrasjen e tij dhe pa asnjë dijeni mbi këtë çështje, u arrestua në befasi po atë ditë dhe u çue në nënprefekturën e Rrëshenit, ku aty kishte ardh vet Mehmet Shehu prej Tirane dhe kishte arrestue 400 burra nga Kthella e Mirditës, për vrasjen e Bardhok Bibës. Llesh Melyshin urdhërojnë me e torturue shumë rëndë. E lidhin me duar pas shpine dhe me konope ia lidhin këmbët me hekura prapa makinës së Mehmet Shehut. Makina ndizet dhe e tërheq zvarr xhadesë, tue rropatë kryet për toke prej Rrësheni e deri tek ura e Fanit, në një largësi afro 10 kilometra. Por, prej Lleshit fatkeq nuk mujtën me marrë as nji informatë mbi vrasjen e Bardhok Bibës. Dy ditë më vonë, më 9 gusht 1949, atë, bashkë me nëntë të tjerë i çojnë në vendin ku ishte vra Bardhok Biba dhe i pushkatojnë tue i rrokullis të lidhun me litarë në një përrue. Katër të tjerë i varën në rrugën kryqëzore të lisave të Shën Palit të Mirdiës. Po për këtë çështje, 300 burra i çuan në burgun e Shkodrës dhe 400 familje i internuan.
Si u vra Bardhok Biba
Në natën e 6 gushtit 1949 u mblodhën bashke 53 luftëtarë, në pikën e caktueme, “Shqopa e Munegjës-Mirditë”. Në datën 7 gusht 1949, në orët e mëngjesit, nënkomandanti krahinor i Mirditës merr një lajm: Bardhok Biba atë ditë do të kalonte prej katundit Simon për në Shen Pal-Mirditë! Informata e lajmëtarit qe ekzakte. Bardhoku kishte qenë me mbajt një konferencë në Kaçinar, prej andej udhëtonte me 30 policë roje për Simon, Peshqesh, Shen Pal. Nënkomandanti i Mirditës, që u ndodh në Shqopen e Munegjës, menjëherë mori një vendim dhe pa humbur kohë dërgoi organin e Shpagimit, me i vu pritat në përrue të Valmirit. Organi i Shpagimit zbatoi urdhrin: Vrau Bardhokun dhe pranë kufomës i la letër-vendimin me firmën e kryetarit të nënkomitetit krahinor të Mirditës. Bardhoku u vra në orën dy të pasdites së 7 gushtit 1949 dhe ky grup me 53 veta, mbasi bëri këtë aksion, u nis fill për në Jugosllavi. Më datën 17 gusht 1949 kalojnë kufirin pa dam dhe hyjnë në Jugosllavi. Bashke me Bardhokun u plagosën dhe dy policë vendas, që mobilizonin popullin si punëtorë për me i dërgue me punë të detyrueshme. Mbas datës 17 gusht 1949, në krahinën tonë tue përfshi Mirditë, Këthellë, Kurbi dhe Lezhë, si çeta qëndresa mbetën të pakta. Në Kthellë qëndroshin vetëm Preng Dod Gjini dhe Gjin Kros Buna me dy grupe luftëtarësh. Në Mirditë Llesh Marka Tuci dhe Llesh Kolziu me dy grupe luftatarësh. Në Kurbin Ndue Lalaj me vllaznit dhe Bardhok Nderu me dy grupe luftëarësh. Në Lezhë, Gjok Dod Përbrunga me një grup luftëtarësh.
Kush ishte Bardhok Biba
Bardhok Biba rrjedh prej një fisi të largët të kapidanëve të Mirditës. Pati fillu shkollën e mesme në gjimnazin e Shkodrës dhe më vonë me ndërmjetësinë e kapedan Gjon Marka Gjonit është pranue në shkollën teknike të Tiranës. Pikërisht aty u filtrue për herë të parë me doktrinën komuniste. Në moshën 28 vjeçare u lidh mirë me komunistët e Tiranës dhe u bë komunist i betum. Kur u pushtua Shqipëria nga fashizmi, qarkullonte nëpër katunde tue u përpjek me propagandue idetë komuniste në popull. Kjo punë padyshim që ra në sytë e autoriteteve vendore. Ato e kijshin në dorë me e kap e me e zhdukë nga jeta, por prap e kanë lënë se asht fis i kapedanit. Kështu Bardhok Biba përfitoi prej rasteve dhe e vazhdoi punën e vet si komunist. Kur Mehmet Shehu hyni në zonë me partizanët e tij, ju thotë këtyne në formë ceremoniale se Bardhoku është kushëriu i kapedanit të Mirditës. Kur hyni komunizmi në Mirditë, Bardhoku u paraqit si njeri më i madh i asaj krahine. Në fakt ai ka aptur disa cilësi të veçanta: Në popull gjithnjë paraqitej gjakftohtë, tregohej i urtë, i ambël në bisedë dhe shumë i sigurt për çka thoshte. Ishte i squt dhe miklus deh punët i bënte të mbulime. Bardhoku kryesonte nënprefekturën e Shën Palit të Mirditës dhe kishte fuqi ushtarake të shumta në dispozicion, të cilat ja kishte dhënë vet Mehmet Shehu për ekzekutimin e urdhrave të tij.Ai u bë deputet i Kuvendit Popullor dhe anëtar i Komitetit Qëndror të Partisë...
Operacioni për hakmarrjen
Qeveria komuniste e Tiranës tue marr si shkak hakmarrjen e Bardhok Bibës, dërgoi reparte të forta ushtarake për me bë një operacion me stil të gjërë në Mirditë, vetëm e vetëm për me ba hata në atë popull kreshnik. Në operacion mori pjesë Divizioni i Parë që ishte në qëndër (fushim) në Qafë Shtamë dhe që komandohej nga kolonel Rido Cako nga Korça si dhe Brigada Speciale që ishte vendosur në Mirditë e cila komandohej nga majori L. Bolena. Në krye të operacioni ishte vet Mehmet Shehu bashkë me ministrin e Brendshëm Kadri Hazbiu. Në operacion kanë marrë pjesë dy kolonela sovjetik: Sakolovaski dhe Faloskini. Ngjarjet e zeza të atyre ditëve janë këto: Kanë arrestu në masë popullin e Mirditës e të Kthellës, më tepër se 500 burra, kanë internua gra e fëmijë nëpër kampet e përqëdnrimit në Tepelenë e Lushnjë më tepër se 300 familje. Katërqind burra i kanë nis për në burgjet terrore të Shkodrës. 100 të tjerë janë dënu me burgime të gjata. Më 18 gusht janë ekzekutu në vendin ku u vra Bardhok Biba, pa i gjyku aspak 14 persona të pafajshëm: Llesh Melyshi, Nikoll Bardhok Bajraktari, Bardhok Dod Lleshaj, Gjergj Keq Beleshi, Dod Marka Biba nga Kthella. Ded Preng Gjomarkaj, Nikoll Llesh Nikolli, Preng Shkurti, Gjin Kaçi, Ndoc Gjet Palaj, Frrok Mata, Marka Ndrec Marku, Ded Paloka dhe Zef Vila nga Mirdita. Prej këtyre katër janë vjerr në konop po në vendin ku asht vra Bardhok Biba dhe po aty 10 të tjerë janë pushkatu të lidhun me konop. Si i pushkatun me urdhër të Mehmet Shehut i hodhën të gjithë në një gropë, kur ende ishin gjysëm gjallë e pa u dalë shpirti. Në ekzekutimin e këtyne kanë mbledh popullin, burra e gra, më tepër se 2000 vetë nga Kthella e Mirdita dhe para tyne ka mbajt një fjalim Mehmet Shehu dhe është betu në varrin e Bardhok Bibës se pa i mbush 101 të pushkatum për hakmarrje ndaj Bardhok Bibës nuk ka me e lëshu Mirditën dhe Kthellën. Sigurisht që Mehemt Shehu kishte me e çu katastrofën deri në fund, por ato ditë jugu i Shqipërisë u trondit nga provokacionet greke dhe me këtë rast u shkul nga pozicionet e veta në Mirditë Divizioni i Parë bashkë me Mehmet Shehun dhe shkuan në kufirin me Greqinë në jug të vendit...
No comments:
Post a Comment