Ky dokument "Sekret 1" që po botojmë dhe të cilin në vitin 1977 Ministria e Brendshme
ia dërgonte Enver Hoxhës, i ra në dorë poetit, vetëm këto ditë dhe i gërvishti një plagë të vjetër.
Tek kafe "Evropa", ku rri zakonisht me miqtë e tij, poeti nuk ka dëshirë të flasë për të. Por, edhe sikur të dojë të flasë, së paku, tani për tani, nuk mundet. Një vit, pas një operacioni tepër të vështirë që kreu jashtë shtetit, dhe me të cilin opinioni është njohur nga media, poeti duket goxha më mirë, por edhe për shkak të emocionit që shkakton ky kujtim i hidhur, ai nuk mundet të tregojë dot.
Kjo ishte dhe arsyeja që ne iu drejtuam për këtë intervistë, njërit prej miqve të tij të vjetër, z. Arshin Xhezo, në atë kohë edhe koleg me Xhevahir Spahiun në gazetën "Zëri i Popullit".
Zoti Xhezo, njëherësh me rrethanat në të cilat është akuzuar aq rëndë poeti, flet edhe për raportet e pushtetit të kohës, me krijuesit dhe intelektualët, në përgjithësi.
Xhevahir Spahiu: Trimeria intelektuale dhe e kunderta e saj
-Në "Relacionin" e Ministrisë së Brendshme përmendet dhe Kosova. Po Kosova ç'hyn tek Xhevahir Spahiu?
-Mendoj, se Xhevahir Spahiu dhe poezia e tij, nuk mund të kuptohet, pa dimensionin e saj, Kosovën. Poezia, Skrapari dhe Kosova janë tri dashuritë e mëdha të tij. Nuk e teproj po të them, se Xhevahiri ka më shumë miq në Prishtinë, se në Tiranë.
Siç dihet, nuk është numri, por cilësia artistike, ajo që përcakton vlerën e poetit. Megjithatë, mund t'ju them me bindje, se Xhevahir Spahiu, ka shkruar e botuar dhjetëra poezi për Kosovën, më shumë se çdo poet tjetër shqiptar të këtej kufirit, dhe ato përbëjnë një përqindje të madhe në korpusin e poezive të tij. Dhe, veçanërisht, të bukura. Tani kujtoj njërën prej tyre, që më pëlqen shumë dhe e lexoj vazhdimisht: Titullohet "Kosovarja":
"Në hyrje të shekullit të njëzetë,
Nxorën në bankë të akuzës,
Një malësore të thjeshtë.
Ajo, pas hekurave të burgut kishte pyetur:
-Përse?
Ata i thanë:
-Sepse.
Ajo në gjyq:
-Përse?
Ata:
-Një herë, ke thënë se.
Sy të habitur
Në sallën e tymtë
-Përse? Ua them unë
Tha ajo më në fund
Dhe zbuloi veshjen e varfër të saj
Sikur të zbulonte një thesar:
Jeleku i kuq,
Xhubleta e zezë!
-Ja, për këto më dënoni,
Ju të një toke tjetër!
Në sallë u shpalos
Trupi i saj:
Një flamur kuqezi
Dhe zemra në flamur,
Si shqiponjë lëvizi.
("Zgjimi i thellësive", fq.90)
Por, po kaq të bukura dhe, artistikisht, të arrira janë edhe poezitë "Në Prizren", "Balada e ringjalljes së gjakut", "Gur i ndezur", "Karafilat e gjakut", "Shëtitja e mbrëmjes në qytetin e pushtuar" ("Në njërën anë të rrugës kalojnë vendasit,/ kolonët ardhacakë tek tjetra,/ Në mes të rrugës,/Shëtit vetëm urrejtja), "Dëbimi" ("Po ikin, siç ikën tymi/ Foshnjat në gji,/shtëpia mbi shpinë./ Ky fati ynë, /Një gur në rrukullimë.../ Ku-ku pas nesh,/ Këndon qyqja në brinjë), apo poezitë "Dhimbja nuk fle", "Vdekja e drurëve", "Dalja prej kafazit" etj. etj. Dhe, të gjitha këto poezi nuk janë shkruar e botuar në vitet 2000 apo 2010 për të përshëndetur Kosovën e çliruar apo për t'i bërë "lobing poetik" njohjes nga shtete të reja. Ato janë shkruar e botuar në vitet '70-të e '80-të kur Kosova ishte nën pushtimin serb dhe botimi i tyre edhe këtej kufirit ishte me zarar. Pra, për fat të keq, edhe me Kosovën, Xhevahir Spahiut i imponuan një lidhje tragjike.
Me sa duket, është e vërtetë ajo që thuhet, se dashuritë e mëdha e kanë po aq të madh edhe riskun.
- Në "Relacion" shkruhet se kjo lloj letërsie hermetike, moderniste, e huaj etj. etj., që më shumë ka prekur Xhevahir Spahiun e Fatos Arapin, ka shkak kontaktet me poetët kosovarë dhe poezinë kosovare...
Po, në atë "Relacion" ka një të vërtetë të madhe historike, por krejt e ndryshme nga ajo që thotë Ministria e Brendshme. Në fillim të viteve '70-të, e mbaj mend mirë se në atë kohë sapo kisha filluar punë në gazetë, pati një dyndje të madhe, por edhe të papritur, të krijuesve nga Kosova; shkrimtarë, artistë, akademikë. Edhe nga Tirana në Prishtinë, megjithëse, nga ana jonë më pak e me më shumë druajtje. Ndërkaq, u shtuan edhe botimet nga Kosova dhe anasjelltas. Kjo, u duk dhe ishte një mrekulli, por edhe një befasi, të shihje si u mbushën libraritë e Kosovës me "Historinë e Skënderbeut" të Barletit, apo poezi të Naimit, Nolit, Kadaresë e Dritëro Agollit, për kryeheroin apo figura të tjera të Rilindjes Kombëtare.
E, mes tyre, kujtoj, edhe një poezi e Xhevahir Spahiut pa "hermetizëm dhe dykuptimësinë"... "Ismail Qemali në kancelaritë e Evropës":
"Hynte dhe dilte kancelerive plaku
Orakull,
Europa
Akull.
Eshtë vendi im,
Një krah shqiponje ikën tej Drinos,
Tjetri tej Drinit
Shkon gjaku gjer në bark të kalit
Shami të zeza lidh liria.
Po ti kush je?
Jam historia"
(Xh.Spahiu, "Poezia shqipe, Sh.B."Naim Frashëri, 1989, fq.219)
Nuk mund të mendohet dot, se marrëveshjet kulturore që nënshkruhen sot me Kosovën e lirë e të pavarur, të mos kenë në themel, edhe atë komunikim e rrëzim muresh që ndodhi atëherë, por që, për fat të keq, nuk zgjati më shumë sa një dekadë, kur, në fillim të viteve '80-të, në Kosovë filluan demonstratat e fuqishme.
Kjo mrekulli dhjetëvjeçare ishte një veprim taktik e demagogjik i serbëve për të zbutur kërkesat për pavarësi të kosovarëve. Por, serbët, kur panë se "zjarri nuk shuhej me benzinë", e ndërprenë menjëherë. (Për të njëjtën arsye hoqën dorë edhe pushtuesit italianë nga projekti i tyre për ndërtimin në Krujë të një monumenti të Skënderbeut).
Gjithsesi, ai komunikim intensiv pati efekte të shumanshme. Shumë vepra të shkrimtarëve më të shquar shqiptarë u botuan në Kosovë, madje, me lidhje speciale. Por, në Tiranë, erdhën, gjithashtu, edhe botime, sidomos përkthime të poezisë e prozës moderne botërore që këtu ishte e frikshme, edhe të imagjinoje se mund të botoheshin: nga Makiaveli, tek Kafka, Xhojsi, Prusti, etj.etj.
Ndërkaq, po kujtoj atë të vërtetë që na kujton edhe "Relacioni" i Ministrisë së Brendshme. Botuesit kosovarë, siç dihet, ndryshe nga ne, botonin gjithçka, pa censurë nga krijimet me "shfaqje të huaja". Kjo bëri që, për shembull, Fatos Arapi dhe Xhevahir Spahiu, të parë vëngër këtu, në Kosovë të botoheshin "me bollëk". Dhe, tamam për këtë arsye, pikërisht, Fatos Arapi e Xhevahir Spahiu u futën në relacione e dosje me "prioritet".
Kjo ishte edhe pjesa, jo vetëm tragjike, por edhe më banale e fyese e atyre viteve të komunikimit mes krijuesve shqiptarë këtej e andej kufirit: të dyja palët survejoheshin në mënyrë të dyfishtë, edhe nga Sigurimi shqiptar, edhe nga agjentë të UDB-së jugosllave, siç quhej, për të mos përmendur ndonjë hafije "shkrimtar".
-Si do ta shpjegonit këtë sjellje kaq të ashpër, e të vrazhdët me shkrimtarët, artistët, gazetarët e, në përgjithësi, me njerëzit publikë?
Nuk mendoj se, veçanërisht, në diktaturë por jo vetëm në diktaturë, bëhet fjalë për raporte sentimentale dhe etike të pushtetit, apo partive politike me shkrimtarët, artistët, median-pushtetin e katërt, siç quhet; pra në përgjithësi, me njerëzit publikë. Në të gjitha rastet bëhet fjalë për raporte politike midis tyre, midis pushteteve. Por, ju keni të drejtë, aparenca, atë përshtypje të krijon. Madje, në dukje, raportet e pushtetit, të politikës dhe njerëzve të saj me shkrimtarët, artistët e gazetarët, kanë një pamje shumë idilike dhe mund të të krijohet edhe mendimi i kundërt, se janë njerëzit e politikës ata që i duan më shumë. Pikërisht, politikanët janë ata që bëjnë deklaratat më të mëdha të dashurisë për "elitën e kombit", njerëzit e famshëm, VIP-at, shkrimtarë, artistë, gazetarë apo sportistë. Janë përsëri ata të parët që, megjithëse nuk dallohen për ndonjë dashuri të madhe për librin e për shije të holla artistike, nguten t'u marrin autografë shkrimtarëve të njohur, të bëjnë foto apo të pozojnë para kamerave me ta e me artistët, t'i ftojnë në festa e bankete, t'u shkojnë në shtëpi a në varreza për ngushëllim familjarëve të tyre, kur ndonjëri prej tyre ndërron jetë, të përpiqen t'i bëjnë miq, madje, edhe duke u bërë ndonjë favor, dhe të mos lenë rast pa e reklamuar këtë "miqësi", sigurisht, krejt "rastësisht"... Por, gjithë ky spektakël i përditshëm është shprehje e hipokrizisë, snobizmit dhe injorancës. Ajo që përbën thelbin e raporteve mes tyre shfaqet në ftesat që i bëhen "elitës dhe VIP-ave për në fushatat elektorale, paraelektorale, pas elektorale e, në radhë të parë, për të marrë pjesë në "partinë e tyre". Pra, për t'i vënë nën komandë, për t'i blerë. Për dikë (apo shumëkënd) mund të duket normale që emrin dhe personalitetin e vet ta verë në funksion të makjazhit apo imazhit të një pushteti apo politikani të padenjë e të urryer për publikun. Problemi është, se duke i zbukuruar ata, je bërë edhe bashkëfajtor kur, nuk duhet harruar se, përkundrazi, intelektualët, "elita", njerëzit publikë, janë përfaqësuesit e interesave publike dhe duhet ta mbrojnë opinionin publik.
Ndërkaq, në "merkaton" tonë, edhe "pjaca" është tepër modeste dhe banale. Normalisht, domethënë, në një vend demokratik, ju e dini, se këto raporte pushtetesh duhet të ngrihen e të harmonizohen, duke respektuar pavarësinë e njeri-tjetrit, ndryshe nga diktatura që e shpall kontrollin dhe komandën ndaj të gjitha pushteteve të tjerë. Për fat të keq, edhe në një "demokraci të brishtë", si jona dhe siç e shohim të gjithë, është e njëjta "skenë" dhe "skemë". Le t'i hedhim një sy "hartës politike" të shkrimtarëve artistëve, gazetarëve etj., etj. Pamja, besoj, bëhet më e qartë. Tanimë kemi "shkrimtarët e partisë", "aktorët e partisë", "këngëtarët e partisë", "gazetarët e partisë", "Tv-të e partisë", "historianët e partisë", "gjyqtarët e partisë", "piktorët e partisë", "dizenjatorët e partisë", "sindikatat e partisë". Misioni është i qartë: të këndojnë, të aktrojnë, të pikturojnë, të dizenjojnë, të diskutojnë, të mbrojnë, të shkruajnë për partinë, për "pjesën e tyre"...
Depersonalizimi është i turpshëm dhe përçarja e dhimbshme.
Të kërkosh të rrish jashtë dhe jo nën komandën e partisë, -gjuha e partisë ndryshon; pas divorcit je i papunë. Nuk më duket se janë të vogla këto fenomene. "Diktaturat dalin nga sëmundjet që pësojnë demokracitë", -thotë një filozof i njohur. Mendoj, se në këtë sfond aktual, për fat të keq, shikon edhe më qartë dhe motivet e kritikave të Enver Hoxhës kundër shkrimtarëve, por dhe në rastin e Xhevahir Spahiut. Ndëshkimi i tij nga filozofia "antimarksiste" e Sartrit, është thjesht një alibi për t'i kujtuar poetit dhe kolegëve të tij se duhet të shkruanin "për partinë e tyre" e jo për të tjera gjëra, për atë që ju dha shkollë, punë etj. Kurse, të harrosh këtë, aq më keq, të bësh të kundërtën...
Studiuesi Shaban Sinani e zbulon edhe këtë alibi: "A është vërtetë poezia e Xhevahir Spahiut e një mendësie ekzistencialiste, poezi e armiqësisë së individit me botën, e vetveçimit në brendësinë e vogël, e përçmimit të meritave të jetës dhe e vështrimit indiferent të fatit njerëzor?...
"Udha poetike", e Xhevahir Spahiut "na kumton, se poezia e tij është zhvilluar në një drejtim krejt të përkundërt. Ajo është poezia e shqetësimit, deri në alarm për çështjet më të qenësishme, më ekzistenciale të jetës së njeriut.
Poezia e Xhevahir Spahiut është poezia e mitit të prejardhjes, e kultit të vendlindjes, e himnizimit të lashtësisë, e krenarisë për historinë, atdheun, njeriun. Fatin vetjak, poeti e ka hedhur tutje" (Sh. Sinani "Për letërsinë shqipe të shek. XX, fq. 329).
Fatin personal, poeti, sipas kritikës "nga lart", duhej ta hidhte tutje. Sigurisht, por në shërbim të Partisë.
-Duke u nisur nga "Çështja Xhevahir Spahiu", ju folët për raportet e shkrimtarit me pushtetin. Po për raportet e shkrimtarit me opinionin publik, ç'mund të thoni?
-Edhe raportet e intelektualëve, apo njerëzve të shquar publikë me opinionin, gjithashtu, nuk janë thjesht çështje sentimentesh. Ato janë shumë më tepër se aq: janë raporte jetike, sepse intelektuali, njeriu publik, siç dihet, ka misionin të mbrojë interesin publik.
Intelektuali nuk mund të jetë as përfaqësues, as zëdhënës, as "ndihmës" i pushtetit, partive, cilido qoftë pushteti, partia dhe në çdo regjim. Për vetë natyrën e tij intelektuali, njeriu publik, i përket jo pjesës (nga rrjedh edhe fjala parti), por së tërës, madje, edhe përtej vendit dhe kohës së vet. Pra, edhe vepra e tij, ka e duhet të ketë këto "dimensione".
Këtu, besoj ishte edhe "keqkuptimi" kryesor i Partisë me poezinë, me veprën e Xhevahir Spahiut dhe, sigurisht edhe i krijuesve të tjerë të shquar, të cilëve, gjithashtu, iu përgatitën dosje.
Edhe vetë emërtimi "ndihmës të partisë" për shkrimtarët e artistët, nënkuptonte faktin, se ai apo ata duhej t'i shërbenin pjesës, jo së tërës.
Por, a mund të ketë poezi, roman, muzikë, pikturë, që t'i shërbejnë a pëlqejnë vetëm një pjese të popullit? Edhe librat e shkollës e thonë, se letërsia dhe arti mund të jenë të tillë vetëm duke qenë universalë e të gjithanshëm.
Prandaj dhe mund të thuhet me bindje, se në provën e dashurisë, besnikërisë e të përkushtimit ndaj vendit dhe njerëzve të këtij vendi, dështoi partia e jo Xhevahir Spahiu dhe, sigurisht, edhe shkrimtarët e intelektualët e vërtetë shqiptarë.
Në këtë kuptim, krijuesit dhe njerëzit e shquar publikë janë "opozita" më e fuqishme dhe e përhershme në mbrojtje të interesave publike. Ata janë rregullatorët e vërtetë të ekuilibrave moralë, etikë e socialë të shoqërisë dhe "antidotët" më efektivë për të mbrojtur shëndetin publik nga sulmet dhe amoraliteti i pushtetit. Kultura, dhe shijet e vërteta artistike dhe qytetare edukohen vetëm prej tyre, dhe, vetëm atyre mund t'u atribuohet edukatori i njeriut apo qytetarit. Parë në këtë këndvështrim, në kohën e diktaturës "opozita" e vetme, ishin shkrimtarët e njohur, artistët, intelektualët, njerëzit publikë me veprat e tyre, megjithë kufizimet e njohura dhe në kushtet e munguara së një opozite reale dhe të sindikatave formale dhe të shpallura "ndihmëse të partisë".
Shkrimtarët dhe artistët, intelektualët, pra njerëzit e shquar publikë me Ismail Kadarenë në krye, me veprat e tyre, ishin udhëheqësit e vërtetë shpirtërorë të opinionit e veçanërisht të rinisë. Librat e tyre bliheshin brenda ditës, e ndonjëherë edhe brenda disa minutave- e vetmja "radhë" e bukur!- dhe jo me detyrim e me lista, siç ndodhte jo rrallë, me "veprat e partisë".
Gjimnazistët, të rinjtë, mes tyre gjenin shembujt e frymëzimit, apo adhurimit dhe jo tek njerëzit e pushtetit.
Pikërisht këta njerëz të shquar publikë dhe vepra e tyre, ishin e vetmja "piramidë" ku publiku, si të thuash, mbështeste kokën.
Populli i donte së brendshmi këta njerëz të tij. Në këtë këndvështrim më duket, se, sot, paradoksalisht, mungon apo ekziston në konture të mjegullta, ajo lloj "opozite", ajo "piramidë", ajo udhëheqje shpirtërore, morale, etike për opinionin. E tillë, gati inekzistente, kjo "piramidë", aktualisht është e paaftë të konkurrojë me "piramidën" e pushtetit. Prandaj dhe pushteti po se po, por edhe partitë politike e kanë fare kollaj, t'i vënë, si dikur në rreshta apo nëpër listat e rastit.
-Sipas jush, kush e denoncoi Xhevahir Spahiun?
Tanimë, besoj se shumëçka është më e kthjellët, më e qartë dhe më e lehtë për t'u përgjigjur këtyre pyetjeve sfilitëse. Më shumë se një individ me emrat që përmenden apo nuk përmenden në këtë "Relacion", ëndrrën e tij, e çoi në Tabir Saraj- dhe nuk është paradoks,- partia dhe Sovrani vetë.
Ai ishte edhe "Seleksionimi", edhe "Interpretimi", edhe zgjedhësi i "Bashëndrrës". Gjithë "veglat", gjithë mekanizmi i Tabir Sarajit punonte për të, drejtohej nga ai dhe hiqte mënjanë çdo "ëndërr" që nuk ishte "me parti". Në atë kohë ne nuk mund ta kuptonim dot se këtë gjë, mikut tonë, ia bënte pikërisht "partia jonë".
-Si mendoni: a ishte "armik" e "antiparti" Xhevahir Spahiu?
-Kjo pyetje, të bën disi të qeshësh, dhe unë vetë, pikërisht këtë pyetje i bëra Xhevahirit: -Paske qenë armik, dhe nuk na ke thënë asnjë gjysmë fjale?! Hiç, nuk e mohon dot,-vazhdova kur e pashë të qeshte. -E ke me dokument! Më mirë se këta e di ti?!
-Lëna- o, rehat, për kokën tënde!,-tha dhe zuri të qeshë përsëri. - Pikë e zezë!...
A ka qenë armik Xhevahir Spahiu?
Kjo, besoj, pra, "Kush kanë qenë armiqtë?", është pyetja më e vështirë në Shqipërinë e sotme. U bënë 20 vjet dhe përditë e përnatë, në gazeta e TV, po shfaqen qindra trima e guximtarë, armiq të panjohur gjer dje për vepra armiqësore dhe demokratë, të panjohur gjer dje për vepra "demokratike", të cilët, siç thonë janë përplasur, përballur, përleshur, kacafytur dhemb për dhembë me diktaturën e, kryesisht, me Enverin dhe Mehmetin... Por, për çudi, për ta nuk gjen kurrfarë dosje armiqësore, dokument apo "Relacion" për implikim armik e antiparti, si ky për Xhevahir Spahiun; nuk del as edhe një dëshmitar i vetëm që të tregojë, se ku e si e ka marrë, pas përplasjes, qoftë edhe një të krisur të vogël Enveri, apo ndonjë dhemb të thyer Mehmeti...
Të rinjtë që i shohin e i dëgjojnë këto histori, me siguri mbeten të çoroditur; mendo si mund të ndihen ata që mbetën burgjeve, pra armiqtë pa thonjëza, kur shohin e dëgjojnë "kolegë" që nuk i kanë parë e dëgjuar kurrë.
Një i tillë, "armik gazete" apo "armik televizioni" që e njihja, u shfaq një natë në një nga kanalet televizive dhe tha, se ishte përballur shumë herë me diktaturën, por më shumë i kishin pëlqyer përplasjet me Mehmetin, se ato ishin burrërore, kurse ato me Adilin dhe Ramizin ishin pa lezet. Ish-zëvëndësministri tha, gjithashtu, se përplasja më e fortë për të kishte qenë në vitin 1983, në një mbledhje të Sekretariatit të Komitetit Qendror, ku e kishin thirrur të raportonte për kujdesin dhe kushtet e punës së punëtorëve të ministrisë së tij, dhe, pas përballjes me të mëdhenjtë e tjerë, ishte çuditur me Enverin. Ai ishte i mbaruar fare, tha. Këtë e bisedova me nja dy miq të mi më pas, sigurisht në intimitet. Ai, domethënë, Enveri, i cili nuk ishte ndjerë fare në fillim, pa pritur i ishte drejtuar zv/ministrit me fjalët e ashpra. "Ti je mendjemadh" dhe, menjëherë, pas këtij çasti,-tha zëvendësministri, -ai ishte rrotulluar megjithë kolltukun e tij, e i kishte kthyer shpinën dhe, gjer sa kishte mbaruar mbledhja, nuk kishte folur më.
Ishte me të vërtetë një skenë tepër argëtuese, tek shihje, edhe gazetarin intervistues, i cili e ndiqte heroin në heshtje, duke e parë në sy me shumë vëmendje, besim, simpati e gati adhurim.
Meqenëse rrëfyesin e njihja dhe, sidomos, meqenëse kisha qenë i pranishëm pikërisht në atë mbledhje - kryeredaktori i "Zëri i Popullit", ishte rregull i hershëm, merrte pjesë si i ftuar dy herë në muaj pothuajse në çdo mbledhje të Sekretariatit dhe të Byrosë Politike; - po tregoj edhe unë variantin tim të mbledhjes. Përveç kujtesës, mbaja dhe shënime në bllokun tim, detyrë dhe zakon gazetari.
Në një seancë pushimi, zëvendësministri që priste radhën të hynte, sigurisht, ishte i shqetësuar "si do të dilte", por dhe i gëzuar dhe emocionuar, që do të kishte fatin, ja, pas disa minutash, të takonte shokun Enver...
-Të lutem, -më tha, -se ti shikon shumë këtu që raportojnë, më jep ndonjë mendim si të paraqitem, sa më mirë ...Kishte në dorë një tufë letrash, 20 a 30 faqe të shtypura gjysma faqesh, - në fakt, ishte modë e atëhershme, -një raport i gjatë e rutinor, i cili dukej menjëherë që ishte i tillë, se, që në paragrafin e parë fillonte me sukseset e arritura nën udhëheqjen e Partisë.
Desha sinqerisht t'i jepja ndonjë mendje të mirë dhe, i nisur nga ato që më kishte para syri, i thashë t'i fuste në çantë të gjitha ato letrat me fjalimin e parapërgatitur dhe të fliste vetëm me gojë sinqerisht e realisht për atë gjendje, vërtetë të keqe, të kushteve të punës së punëtorëve por edhe të prodhimit që ai i njihte mirë, se me ta kishte punuar vite të tëra. Madje, e mbaj mend mirë që i thashë se fjalia e tij e parë, të ishte: "Ne jemi shumë keq..." Sigurisht, që këtu kishte edhe një "hile të vogël", por doja vërtetë që ai "të dilte mirë". Por, "skenari", im fatkeqësisht, funksionoi vetëm gati dy minuta; sa miku im tha fjalinë e parë, dhe Enver Hoxha iu drejtua gjithë vëmendje, kënaqësi e dashamirësi... Mirëpo, vetëm kaq, sepse, sapo zv/ministri ktheu pak kokën nga "shefi i tij", domethënë ministri, ky i fundit me kokë e me sy i dha shenjën urdhëruese "të lexonte raportin, letrat aty ku kishte arritjet e sukseset e ministrisë". Zv/ministri doli menjëherë nga "skenari" ynë dhe hyri në atë të shefit. Ai akoma nuk e kishte mësuar se, jo në të gjitha shtëpitë dera është më afër qilarit. Pikërisht këtu filloi "drama" apo "përplasja", siç e quante zv/ministri në Tv.
Fytyra e Enver Hoxhës, menjëherë u zymtua, iu prish humori dhe tha: "Hiqi kartat. Ishe mirë pa kartat!... Por miku im tani ishte hutuar dhe nuk foli më. Folën të tjerët, dhe ndryshe nga ç'tha miku im këto ditë në TV, foli, sidomos Enver Hoxha dhe, si gjithmonë foli edhe në fund, ku bëri konkluzionet. Dhe, ishte si kokrra e mollës, dhe jo i "mbaruar", siç tha miku im këto ditë në Tv, apo siç vazhdojnë të thonë jo pak të tjerë të cilët, me kompetencë të madhe "argumentojnë" se, "Aha, që nga '73-shi kur pësoi infarkt në zemër, ai ishte kot, kufomë...". Se për ç'arsye e thonë, saktësisht, unë nuk e di. Ajo që unë di mirë, është ajo që e kam parë me sytë e mi, dhe që e thonë edhe mjekët e tij, Ylli Popa dhe Sabit Brokaj, se Enver Hoxha, gjer në ditët e fundit të jetës së tij ka qenë i vetëdijshëm dhe krejt i kthjellët. Duket absurde të mendosh, siç shkruajnë e thonë disa, se duke e bërë Enver Hoxhën "të mbaruar" që në vitin 1973, ke dënuar dhe diskredituar diktaturën. Ca të tjerë, ndoshta e thonë për t'i hequr përgjegjësitë për tërë ato që bënë vaki.
Kush e drejtoi "luftën kundër armiqve" në letërsi, art e kulturë, naftë, ushtri, qeveri... Kush vendosi prishjen me Kinën. Po në ngjarjet e dhjetorit 1981, kur u vetvra kryeministri, Mehmet Shehu, si ishte me shëndet Enver Hoxha?...
Për sa kohë të mos shihen dosje e dokumente, përsa kohë do të flitet pa përgjegjësi publike, Enver Hoxhën e Koço Devoles tek filmi "Gjuetia e fundit", do ta marrin për Enver Hoxhën e historisë dhe Qazim Mulletin e komedisë "Prefekti" të Besim Levonjës, do ta marrin për të vërtetin e historisë.
Ndërkaq, për të verifikuar edhe unë të vërtetat e mia në raport me atë emision të TV-së, shfletova bllokun tim të shënimeve për të parë ç'kisha regjistruar nga ato që u thanë nga Enver Hoxha në mbledhjen e Sekretariatit, për të cilën foli edhe zv/ministri. Po citoj:
"30 mars 1983. Flet E. Hoxha: "Bëjmë stalla moderne për derrat, kurse punëtorët i lemë në kushte të vështira..." -"Ministria na thotë të presim edhe 10 vjet për të ndërtuar shtëpi për punëtorët; domethënë, thotë Ministria, edhe 10 vjet të tjera punëtorët të flenë si qentë"...- "Planin e kushteve të punëtorëve e keni realizuar vetëm 60 për qind. Cilin drejtor keni shkarkuar nga ata që nuk realizojnë kushtet e punës të punëtorëve? Për këtë arsye hiqet një drejtor dhe jo pse i buzëqeshi një çupe...- "Nuk jemi shumë të kënaqur nga ju të Ministrisë... Dëgjoj që ju pëlqen mendja juaj dhe nuk shkoni të takoni punëtorët që t'u thonë çfarë hallesh kanë... Klasa punëtore është në fuqi, por për ta ka neglizhenca, kurse për intelektualin bëhet më shumë... Po tani e tutje, shtrojuni punës..."
Pra, me gjithë kritikat, - të zakonshme për çdo mbledhje, -fundi i mbledhjes nuk ishte "dramë". Përkundrazi, asgjë nuk i ndodhi mikut tonë, prandaj dhe kur doli në pushim dhe shkuam në kafe, ishte i gëzuar e në humor.
-Mirë më sugjerove për letrat ti, po hutohesh para atij njeriu... Por, ai ma hoqi emocionin. I madh shoku Enver, ë?
- I madh...
- Sa mirë e njihte gjendjen, ore burrë i dheut; më mirë se ne. I thjeshtë, madhështor. Sidomos, kur e shikon kështu, nga afër... Kam shumë motive në kokë për një poezi për të... Fati i Shqipërisë, ë?
-Fat...
-E fortë ajo që tha shoku Enver për atë drejtorin që e hoqën se i buzëqeshi një çupe, ë?
-E fortë...
E gjithë biseda jonë, sigurisht, ishte krejt miqësore, dashamirëse e me ndonjë shaka, prandaj e urova dhe u ndamë.
Kur është fjala për të ndriçuar të vërtetat e historisë, si në një emision të tillë, duhet shkuar i përgatitur, duhen këshilluar e ballafaquar dokumente arkivale dhe, ndoshta, edhe njerëz të tjerë për oponencë dhe mendim alternativ.
Gjithsesi, pas njohjes edhe me një armik të vetëshpallur, le t'i kthehemi "armikut tonë" të shpallur nga "Relacioni" me pyetjen tuaj: a ka qenë armik poeti Xhevahir Spahiu?
Me krijuesit e shquar, mendoj është tjetër gjë, dhe arsyetimi, bëhet ndryshe.
Për atë gjykohet nga librat që janë sheshit për të gjithë. Intuita e krijuesit të vërtetë, ligjësitë e krijimit dhe trimëria intelektuale janë më të forta se idetë e programet partiake, e, për këtë arsye, edhe në Shqipëri, sikurse në vendet e tjera të Lindjes komuniste, reagimi i parë i krijuesve ndaj mbylljes e totalitarizmit, u shfaq në veprat e tyre përmes atij që quhet "refuzim estetik". Në mbledhje, fjalime partiake dhe nëpër dosjet e Ministrisë së Brendshme, nuk janë rastësisht emrat e Ismail Kadaresë, Fatos Arapit, Xhevahir Spahiut etj., dhe në qelitë e burgjeve poetë të talentuar, si Frederik Rreshpja, Visar Zhiti, për të kujtuar vetëm disa dhe vetëm të dekadave të fundit.
Ishte një rrugë e njohur nga kolegët e tyre të ish-kampit socialist, ku pikërisht refuzimi estetik i parapriu edhe refuzimit politik.
Aleksandër Solzhenicini, Josif Brodskij, Osip Mandelshtani, Anna Ahmatova etj., në ish-Bashkimin Sovjetik; Vaclav Haveli dhe Milan Kundera në Çekosllovaki apo Herta Muller në Gjermaninë Lindore, ose u flakën në qelitë e burgjeve, ose u dëbuan nga vendi i tyre, ose patën fundin tragjik të Majakovskit, i cili, me vetëvrasjen e bujshme, dëshmoi edhe dëshpërim, edhe zhgënjim, edhe protestë.
Asnjëri prej krijuesve shqiptarë nuk ka pretenduar "armikun" apo "disidentin". Por, ndërsa asnjëri prej tyre nuk u vetshpall i tillë, në dokumentet partiake, apo dosjet e Ministrisë së Brendshme, ata, saktësisht, cilësohen si të tillë "armik", apo "që bën punën e armikut"; cilësime këto që, në terminologjinë e dokumenteve sekrete të kohës, por edhe të fjalimeve publike ishin ekuivalente dhe njëlloj të ndëshkueshme.
Ç'duhej e ç'ishte e mundur me shumë se "Nëpunësi" i "Pallati i Ëndrrave" (1980), për ta ndjerë në palcë angushtinë, përndjekjen dhe izolimin?
Ç'mund të thoshte më tepër poeti Xhevahir Spahiu, se sa me ciklin poetik "Migjeni flet" dhe libri "Zgjimi i thellësive"? (1979). Xhevahir Spahiu armik e antiparti!? Kujt i duhet besuar: shkrimtarëve apo shtetit? Ndoshta, edhe shkrimtarëve, po edhe shtetit, që e di më mirë hallin e tij dhe gjërat i ka me emrin e tyre në letra, relacione, fjalime, dosje. Shteti i ka me dokumente punët, dhe ato quhen zyrtare. Dhe arkivistët, rigorozë, siç janë, këto quajnë burime serioze. Ato të tjerat, rrugëve e kafeneve, gazetave, sado që më përplasje të forta me Mehmetin e Enverin", nuk i quajnë.
Prandaj dhe duhen hapur dosjet.
-Pas gjithë këtyre ndëshkimeve ekstreme dhe rekomandimit për burg nga Ministria e Brendshme, Xhevahir Spahiun, megjithatë, nuk e burgosën?
-Kësaj pyetje i është përgjigjur saktë dhe me argumente Ismail Kadare, kur i është bërë, ndryshe nga ju, prej akuzatorësh keqdashës e cinikë, që i kërkonin me çdo kusht vdekjen në kohën e diktaturës.
Në thelb, këta zëra përcillnin dëshirën e brendshme të vetë diktaturës, dhe, nëse ajo i la jashtë qelive disa shkrimtarë, artistë e intelektualë si Kadareja, kjo nuk do të thotë aspak se iu dhimbsën. Ismail Kadareja, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, kompozitori Nikolla Zoraqi, apo poeti e gazetari Xhevahir Spahiu e të tjerë, nuk ishin thjeshtë emra konkretë shkrimtarësh e artistësh. Ata ishin, në radhë të parë, ide, simbole, dhe dihet, se idetë e simbolet nuk rrëzohen me forcë. Ata ishin të famshëm; por edhe zëdhënës apo përfaqësues të opinionit publik dhe mbronin interesat e këtij opinioni.
Nuk ishte lehtësisht e imagjinueshme, që, pas burgosjeve të tyre, të përfytyroje një fushatë djegiesh e shfarosjesh të librave, pikturave, busteve apo CD-ve me muzikë të krijuara prej tyre; nuk ishte e lehtë të përfytyroje, gjimnazistë, po as policë me uniformë tek digjnin apo shkelnin me këmbë nëpër lagjet e qyteteve apo fshatrave të Shqipërisë, fotot e Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, Vaçe Zelës, Fatos Arapit, Xhevahir Spahiut, Kadri Roshit, Sulejman Pitarkës, Gaqo Çakos etj.etj., pa përfytyruar në të njëjtën kohë tronditjen dhe zemërimin popullor, dhe titujt e bujshëm në TV-të dhe gazetat e Perëndimit.
Ishte krejt e pamundur të përfytyroje Ismail Kadarenë, duke dalë nga shtëpia e tij, në rrugën e Dibrës, zvarrë e me pranga në duar, tek bënte përpjekje të mundimshme, të merrte syzat e rëna përdhe, dhe policin që nuk donte t'ia dinte e, thërriste "Ec, përpara, qen"!
Ndërkaq, për Enver Hoxhën kjo skenë, përkundrazi, ishte krejt normale të mendohej. Po, përse nuk ndodhi kjo skenë?... Më lejoni t'ua argumentoj përmes një detaji apo ngjarjeje që e kam jetuar vetë.
Në vitin 1973, pasi e la për muaj të tërë shtypin t'i vërsulej shkrimtarit dhe romanit të tij "Dimri i Vetmisë së Madhe", Enver Hoxha qëndroi një ditë "rastësisht" në Elbasan, në një takim, gjithashtu, "të rastësishëm" me punëtorët e Metalurgjikut, dhe, tha, se, përkundrazi, romani është i mirë dhe Ismail Kadareja është i yni... Mbrëmjen e natës së "kthesës së madhe" e mbaj mend mirë. Nja 6-7 gazetarë, kishim rrethuar korrespondentin e "Zëri i Popullit", Jorgji Papa, i cili kishte qenë në takimin e Metalurgjikut dhe ishte thirrur urgjent të informonte kryeredaktorin për ç'ishte folur...
Ndërkaq, kujtoj kryeredaktorin e "Zëri i Rinisë", që i shqetësuar ndizte cigaret njëra pas tjetrës dhe donte të dinte, sidomos ai. Disa numra me radhë gazeta e tij ishte vënë në dispozicion të "rinisë e veteranëve" që sulmonin romanin armiqësor...
Por, pas informimit nga Jorgji, gjithçka u përmbys. Materialet u hoqën nga shtypi dhe të nesërmen, gazeta "Zëri i Rinisë", nuk doli më me "bëri punën e armikut", por, me "i yni".
Mbrojti shkrimtarin, thanë atëherë. Mbrojti shkrimtarin, kanë dëshirë disa të vazhdojnë të thonë sot.
"Dorën që nuk e kafshon dot, puthe". Kjo sentencë cinike dhe e frikshme, që duket sikur është nxjerrë nga libri "Princi" i Nikola Makiavelit është krejt e ngjashme me këshillat që filozofi i madh i Mesjetës i jep Lorenco di Mediçit, se "duhet të shmangen me kujdes veprimet që popullin do ta bënin të pakënaqur dhe mund të të përbuzin dhe të të urrejnë"...
Gjithsesi, Sundimtari nuk këshillohej të hiqte dorë përfundimisht nga "kafshimi i dorës", por vetëm e thjesht, të ndërronte taktikë e të gjente forma të reja nënshtrimi.
Me sa duket, edhe tek ne, në dekadat e fundit, përvoja këshilloi forma të reja. Ndëshkimet dhe ndalimet radikale të emrave të mëdhenj të Konicës, Koliqit, Fishtës, Petro Markos etj., krijuan bumerang: ata "pëshpëriteshin" në familjet shqiptare, librat e tyre lexoheshin fshehurazi dhe herë pas here, shfaqeshin në shtypin perëndimor.
Kush e shpëtoi Xhevahir Spahiun nga burgu? Ashtu, sikurse emrat e tjerë, simbole dhe përfaqësues të interesit publik, edhe Xhevahir Spahiun, - duket paradoksale,- e shpëtoi nga burgu, pikërisht ajo që e ndëshkoi, poezia, pena e tij. Atë e shpëtoi talenti i tij, karakteri, emri i tij aq i njohur, i dashur e popullor, si poet rebel e gazetar kurajoz.
Xhevahir Spahiun dhe të tjerët "me dosje" të Sigurimit e shpëtoi nga burgu Xhevahir Spahiu, dhe jo dashamirësia e partisë, zemërgjerësia e saj, siç donin të interpretonin, për të vazhduar goditjen, ndaj këtyre shkrimtarëve, tanimë me "Kompleksin e borxhit" apo "Kompleksin e mirënjohjes"... etj.
-Ç'doni të thoni me "kompleks të borxhit", apo "kompleks të mirënjohjes"?
-Ashtu sikurse besimtarët myslimanë që, të ulur në tavolinën e bukës, çdo vakt, nuk mund të fillonin të hanin, pa shtrirë pëllëmbët e duarve përpara për të falënderuar Zotin që u fali bukën dhe jetën, ashtu edhe ti, çdo ditë duhej të dilje nga shtëpia e të hyje në shtëpi, me falënderimin e mirënjohjen për partinë që "të lindi, që të rriti, të edukoi, të bëri me shkollë, të hapi sytë, të bëri njeri, të bëri doktor, të bëri shkrimtar, të mësoi të luftoje fashizmin," etj., etj.
Kjo psikozë, absurde si çdo psikozë, përmes një borxhi iluziv, të paqenë, injektonte nënshtrimin, depersonalizimin, duke fyer nënat e prindërit, në përgjithësi, që të kishin rritur realisht përmes njëqind halleve, që të kishin dërguar në shkollë, duke sakrifikuar ushqimin dhe veshjen e të tjerëve të fëmijëve, për librat, për konviktin apo ç'të duhej tjetër.
Kjo psikozë, mohonte vullnetin, talentin tënd, nëse e kishe kur dilje i suksesshëm. Po unë, ç'kam bërë?! Kam tundur zinxhirët?! Ç'i bëri, për shembull, Xhevahir Spahiut partia?
Nxënës i shkëlqyer në shkollën e mesme dhe po aq i zoti si student në universitet, i njohur qysh atëherë si poet e gazetar i talentuar, ai nuk i kërkoi kujt ta emëronin në gazetën "Zëri i Popullit". Iu duhej, pa e kërkuan; pikërisht pse ishte i zoti dhe i talentuar. Kujt duhej t'ia dinte për nder dhe përse!
Çdo të isha unë, po të mos ishte partia? Unë personalisht?
Dëgjo, or mik; këtu nuk është puna "personalisht". Megjithatë, nëse do të dish edhe "personalisht", çdo të isha unë, po të mos ishte partia, po të them: do të isha në listën e më të pasurve të Shqipërisë që shpallin gazetat! Më i pasur se Tom Doshi, apo si quhen ata të tjerët; dhe studimet universitare do t'i kisha kryer, në mos në Londër apo Paris, në Romë apo Athinë me siguri.
Sepse im atë dhe gjyshi im kanë qenë pronarë tokash, vreshtash, ullinjsh e dyqanesh, dhe tregtinë e duhanit e bënin në Bari e Selanik.
Por unë, apo ne, hymë në parti, dhe hymë me dëshirë, jo për plakun apo për plakën, siç thuhet, sepse prindërit e mi as kanë qenë anëtarë partie e as kanë patur ndonjëherë merak për partinë.
Ne hymë në parti, sepse kishim ëndrrën e një shoqërie të drejtë, ku të gjithë të ishin të barabartë e jo të gjithë të varfër.
Kujt dhe pse t'ia di për nder?
Po kështu, edhe me emra të tjerë të njohur në letërsi, në arte, dhe në publicistikën e kohës. "Ti, me gjithë telashet që i ke sjellë partisë, ajo u tregua përsëri zemërgjerë, nuk të futi në burg, të fali, bëri përjashtim për ty. Prandaj, ne, ju, ti, ai, ajo, i jemi borxhlinj partisë; t'i jemi mirënjohës...
Kurthi ishte i menduar mirë. Kulti i borxhit dhe i mirënjohjes ndaj partisë, në thelb fshihte, sigurisht, kultin e partisë.
I "shpikur" dhe i përhapur në gjithë Lindjen komuniste, kompleksi i borxhit dhe i mirënjohjes, nuk mund të mos ishte veçanërisht, i suksesshëm në një vend, si i yni, ku kulti i Nderit kodifikohej që në kapitujt e parë të Kanunit mesjetar shqiptar; në një vend ku përshëndetja kryesore është krejt unikale dhe përcillej prej shekujsh me urimin e shenjtë: "Faleminderit!", "I falem nderës", "I falem"! dhe fjalët e urta për borxhin, nderin dhe mirënjohjen ishin pa fund. "Nderi lahet me nder"! "Mos jep e mos merr borxh", "Borxhi është litar në qafë", etj.etj.
Më shumë se një detyrim material, borxhi, nderi e mirënjohja ishte një peng moral që shlyhej vetëm me jetën.
Njeriu fillon tek mirënjohja, thotë një miku im.
Pikërisht, abuzimi me dinakëri, me traditën dhe këtë virtyt "delikat" njerëzor krijon kompleksin e borxhit apo të mirënjohjes.
Për disa vite, kam pas menduar, se edhe miku im, i ndodhur i vetëm përpara goditjeve të pushtetit dhe për natyrën e tij thellësisht mirënjohëse, kishte besuar dhe pasur iluzionin, se nga ndëshkimi i fundit, pra, nga burgu e ka shpëtuar Xhemili, Qamili, Halili... Sepse ky Xhemili, për shembull, i ka pas thënë dikur, në intimitet, "midis nesh" (dhe iu lut ta ruante vetëm për vete se, sigurisht, siç dihet, këto punë janë me zarar të madh): pra, se, më në fund, pas shumë përpjekjesh, kishte arritur ta bisedonte me shokun K.H. dhe se kishte arritur t'ia merrte fjalën që për Xhevahirin të mbyllej me kaq ky muhabet, dhe se, përjashtohej varianti i burgut, por që sigurisht s'ke pse më falënderon mua, se, po të jetë për borxhe e mirënjohje, apo falënderime, ne ato i kemi vetëm për partinë...
Shkurt, përsëri borxhi ndaj partisë, dhe litari i borxhit, përsëri në qafë.
I vetmi ndryshim ishte se, veç litarit të partisë, tani shtohej edhe "litari" i Xhemilit, Qamilit, Halilit...
Por, Xhevahir Spahiu i kishte borxhe vetëm Xhevahir Spahiut.
Intuita e poetit ishte më e fortë, se hamendja ime, dhe ai shkroi:
"Do të vdes.
I kam borxhe nënës,
që s'ja ngrita varrin,
I kam borxhe lisit,
Që s'ja hodha pjergullën.
I kam borxhe dashurisë,
që ia vodha të dielat,
I kam borxhe krimit,
Që s'i vura emër,
Dhe vë pikën këtu.
Tani mund të flisni,
Për borxhet që më keni ju!"
("Borxhet e mia")
-Në librin e tij më të fundit, studiuesi Shaban Sinani tregon edhe një fakt të pabesueshëm të pasviteve '90-të: Njerëz të shtetit, jo vetëm e kanë kërcënuar, por edhe e kanë goditur poetin, sido që "as gjashtë vetë nuk mundën ta bëjnë zap atë njeri"...
-Po, është më se e vërtetë. Duket absurde që skena dhe spektakle të tilla, ogurzeza, të cilat Makiaveli nuk ua këshillonte as sundimtarëve të Mesjetës, dhe diktatura komuniste i shmangte ose i fshihte, t'i shihje në demokraci...
Në mars të '97-ës, kur anarkia, vrasjet dhe dhuna po arrinin kulme, shteti u soll ca "trashë" me poetin: jo vetëm e fyeu, por për turpin e vet, edhe e goditi dhe e dërgoi në qeli.
Përse? I vetmi faj i poetit ishte se përsëriti gabimin e Tirezeut të mitologjisë, përsëriti "gabimin" e tij, dhe përsëri e pa lakuriq hyjneshën Athina dhe ia tregoi botës përmes një cikli me poezi të botuara ditë më parë në një nga gazetat e Tiranës:
"Unë dal në rrugë,
me tufa mimozash në duar,
ti me shkopinj dhe me plumba,
ti me qen,
unë me pëllumba.
unë kam fytyrë,
ti skafandër,
ti dhembët,
unë fjalën.
Të dy,
sy ndër sy."
Në të vërtetë, në këtë dyluftim të poetit me të keqen nuk ka asgjë anormale: shteti bëri "të tijën", poeti "të tijin" i qëndroi karakterit të vet dhe "Urdhrit të Poetit" dhe intelektualit.
Unë ju tregova për kalvarin e tij e të librit të tij me poezi në vitin 1979, vëllimin "Zgjimi i thellësive". Me gjithë merakun dhe këshillat e miqve, ai i çoi bocat e librit në shtëpinë botuese, pa i hequr asnjë presje, i ndërgjegjshëm se mund të ndodhte ajo që ndodhi: vetëm për dy-tri ditë dhe vetëm në disa librari qëndroi "Zgjimi i Thellësive", sepse edhe "të tjerët", edhe shteti i qëndroi "urdhrit" të tij, dhe libri me "porosi nga lart", u mblodh me urgjencë dhe u dërgua për asgjësim, "për karton", siç thuhej atëherë.
Nëse dikush, përsëri ka dëshirë ta quaj "mendjemadh", unë do t'i thosha, po, por vetëm në një rast: të vetmin mik e shok që ai dëgjon kur vjen puna tek poezia, ai është "Urdhri i poetit".
"Kur dola
nga nëntoka
mbitokë
e mora frymë
lirisht
mos bjerë në sy,-më tha miku,-
ec horizontalisht
Unë-
"isha i mjerë e u bana i lum,
isha i lum e u bana i mjerë,
por mend s'xuna kurrënjëherë",
sakaq,
i harrova fjalët e mikut me një barrë mend
në kokë.
Nga toka-
përsëri-
nën tokë"
("Rreziku", fq.53)
Në librin "Rreziku" ka edhe një poezi të tij pa titull, por do ta titulloja "Urdhri i Poetit":
"Një popull i vrarë do të ish më fatzi,
Po qe se nuk vriteshin poetët e tij."
-Në fund, desha t'u bëja një pyetje të një natyre tjetër: E takova këto ditë tek kafe "Evropa" zotin Xhevahir Spahiu dhe... nuk fliste dot plotësisht.
-Pas një operacioni shumë të suksesshëm jashtë vendit, një vit e ca më parë, Xhevahiri është shumë më mirë. Por, siç argumentojnë edhe mjekët, dekada të tëra tensioni, mundimesh, stresesh, do të dilnin dikur dhe diku. Verbim i përjetshëm ishte çmimi që pagoi Tirezeu i mitologjisë greke për ta parë lakuriq hyjneshën e Athinës.
"Ikja e gojës" tek Xhevahiri nuk është e përjetshme. Eshtë e kundërta, sepse poetët, krijuesit e vërtetë kanë një privilegj: atyre nuk ua mbyll dot kush gojën. Asnjë diktaturë e qeveri nuk e mbyll dot gojën e librave që jetojnë në çdo vend e në çdo kohë. Sepse ata zbukurojnë shpirtin e njeriut dhe paralajmërojnë të keqen.
Në një intervistë që i dha një të përditshmeje ca kohë më parë, mes të tjerash, me stilin e tij të batutës, kësaj here në "prozë", Xhevahiri shkruante: "Po vure kuzhiniere bythën, mut do të gatuajë".
Nuk e ndieni erën?...
No comments:
Post a Comment