• Prof.Dr.Elmaz LECI
Në prill të vitit 1945 u bë Masakra e Tivarit, për të cilën jo vetëm si vepër makabre, ndaj shqiptarëve të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare nën Jugosllavi, nuk u ngrit zëri nga ish-udhëheqja komuniste shqiptare, por në dhjetor të vitit 1946, Enver Hoxha në Byronë Politike do të deklaronte e do të kërcënonte: "Disa anëtarë partie duan të filozofojnë se mos thotë populli, ç'bëtë me Kosovën…Ne do të ua shpjegojmë, kush nuk na kupton ne do ta luftojmë" (Fjala e Enver Hoxhës, Proces-Verbal i mbledhjes së Byrosë Politike, 15 dhjetor 1946, AQSH).
Në prill të vitit 1945, Dushan Mugosha dhe Mehmet Hoxha (personalite politikë kosovarë) morën pjesë si përfaqësues të Kosovës në Kuvendin e Serbisë, mbledhje që u shty dhe u bë në korrik të vitit 1945, ku u miratua "Projektrezoluta për aneksimin e Kosovës në Serbinë Federale" (Bajraktari, libri: "Serbia's Annexation" fq. 118).
Nga largësia e 70 e ca vjetëve dhe lartësia e botës euroatlantike, aktualisht bazuar në dokumente analitikë, vit pas viti e ngjarje pas ngjarje, gjykon qartë se si është trajtuar çështja e Kosovës në marrëdhëniet e periudhës shqiptaro-jugosllave 1941-1990. Këtë për fatkeqësinë tonë dhe më mirë se historianët shqiptarë e deklaron dhe e shkruan V.Dedejer, i cili theksonte se "Çështjes shqiptare të Kosovës iu vu vula që më 8 nëntorin e '41-shit", pra që në themelimin e PKSH. Kështu shkruan V. Dedejeri, ish-biograf i Titos. (V. Dedejer: Kujtime, botim i vitit 1949, Beograd).
Siç shihet, pra, janë vetë jugosllavët, ata që akuzojnë ish-udhëheqjen komuniste, me Enver Hoxhën në krye, se Kosovën PKSH-ja ia la Jugosllavisë. I vetmi që e ngre dhe ankohet se PKSH nuk e ka në agjendën e saj e as në program çështjen e Kosovës, është një nga eksponentët kryesorë të PKSH, Koço Tashko, i cili në fund të vitit 1942, i shkruan Moskës: "Për Kosovën, Partia ka heshtur vazhdimisht, duke thënë se kjo çështje është e Partisë Komuniste të Jugosllavisë" (Prof. N.Plasari dhe Dr.L. Malltezi, Revista "Politika" fq. 183-187).
Në gusht të vitit 1943, u zhvillua Mbledhja e Mukjes, ku përfaqësuesi kryesor komunist i Enver Hoxhës, Ymer Dishnica, shkruan: "Çështja e Shqipërisë etnike, që do të përfshinte Kosovën, kishte qenë një ndër dy gurët e kufirit, që me formulimin që bëmë e kapërcyem. Me këtë vendim, për Miladin Popoviçin u mbush kupa, i cili e dënoi Proklamatën e Mukjes duke na thënë: Ju shpallni luftë kundër fashizmit dhe jo… pavarësinë. (Petroviç, libri "Kosova" f. 343-348). Edhe Ramiz Alia në librin e tij: "Unë Ramiz Alia, dëshmoj për historinë", detyrohet të thotë se: "Në vendimin për prishjen e Mukjes, ka ndikuar edhe çështja e Shqipërisë etnike, e cila u shtrua në Mukje".
Por Ramiz Alia më tej në librin e tij anashkalon masakrat ndaj popullësisë kosovare dhe veçanërisht Tivarin, për të cilin thotë se "nuk dinte gjë, pasi ishte në Bosnjën Jugore". E vërteta dokumentare historike flet ndryshe. Ramiz Alia jo vetëm e dinte, sepse ishte Komisar i Divizionit që "vendosi rregullin në Kosovë", por ishte ai që firmoste, ishte ai partia, ishte ai komisari i madh, udhëheqësi i partisë i tri brigadave, që me vendimin e tij kaloheshin në plumb "reaksionarët" kosovarë dhe pikërisht ky njeri "nuk ditërka gjë" për masakrën e madhe, që nisi në Prizren dhe përfundoi në mënyrë makabre në Tivar. Po kujt ia shet ky këto? Përsëri u kujton shqiptarët si në '45-ën? A nuk është Ramiz Alia ai që për Masakrën e Tivarit i ka dërguar edhe një telegram shifër, Enver Hoxhës e Koçi Xoxes? (Arkivi i ish-KQ të PPSH dhe pohim i Islam Kadeshës, ish-shifrant në Komitetin Qëndror të PPSH).
Për çfarë flet kjo, për dije apo për mosdije? Për dije që çke me të dhe madje për përgjegjësi historike të genocidit si masakra e Katinit.
Më 31 dhjetor 1943, deri 2 janar 1944, në Bujan të Tropojës, u mbajt ajo, që është quajtur Konferenca e Bujanit, e cila vendosi të ngrinte strukturat që do të çonin në bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Jugosllavisë nuk qe aspak dakord me këtë pjesë të Rezolutës. Bashkëpunëtori i ngushtë i Titos, Milan Gjilas, në një letër që i dërgonte Komitetit Rajonal, e eliminoi çështjen e Kosovës nga Rezoluta, siç e dënoi Bujanin edhe Enver Hoxha (Rajoviç, libri "Autonomia" fq. 439 dhe Hibert, libri "Albania Struggle" fq.91 )
Në pragmbarimin e Luftës së Dytë Botërore, tri brigada të Ushtrisë Partizane shqiptare kaluan në Kosovë me qëllim "shpartallimin e reaksionit", pra shqiptarët vranë shqiptarët, se gjermanët kur shkuan forcat tona partizane atje, ishin tërhequr. Pas këtij misioni, Shtabi i Titos urdhëroi largimin e partizanëve shqiptarë nga Kosova. Ndonëse vëllezërit tanë të Kosovës, luteshin: "mos na lini në dorë të serbit", Enver Hoxha ish Komandant Suprem i Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, iu bind urdhrit të Titos dhe i tërhoqi forcat partizane. Pas kësaj, mbi popullin e Kosovës nisi një masakër e paparë. Nën pretekstin e "kundërrevolucionit", u vendos administrata ushtarake serbe dhe gjatë pranverës 1945, njësitë partizane të Ushtrisë Jugosllave masakruan mbi 4 mijë vetë, plus mijëra të tjerë që i vranë në masakrën e Tivarit.
Le të ecim më tej me dokumentet, jo më me autorë e studiues të huaj, por nga vetë goja e Enver Hoxhës: "Në pragun e çlirimit të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë, ne edhe njëherë pranuam se, nuk është koha për të shtruar çështjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë", (E. Hoxha, letër sekrete dërguar Stalinit, 2 shtator 1949. Kopja e vetme gjendet në Arkivin Qendror Rus, Moskë RCHIDNI.D. Op. 137, D. 68.
L 64-73).
Një nga ish-personalitet politik i Kosovës, Mehmet Hoxha, ishte pjesëmarrës në Kuvendin e Serbisë, në korrik të vitit 1945, ku u miratua "Projektrezoluta për aneksimin e Kosovës në Serbinë Federale" (Bajraktari, libri: "Serbia's Annexation" fq. 118). Jo shumë pas kësaj ngjarje, Enver Hoxha do të shkonte në Konferencën e Paqes në Paris (gusht 1946), dhe do të deklaronte: "Ne, nuk kemi pretendime ndaj aleatit tonë Jugosllavi" (Fjalimi në Konferencën e Paqes, Paris).
Duke i marrë dhe analizuar këto dokumente një e nga një, që nga themelimi i PKSH-së, pas marrjes së pushtetit nga Enver Hoxha, e deri në Konferencën e Paqes në Paris, del fare qartë se çështja shqiptare e Kosovës është anatemuar, është anashkaluar, është siluruar, është dhuruar, është tradhtuar, pra i është lënë Jugosllavisë. Disponohen edhe dokumente të tjera. P.sh.: Në vitin 1946, Enver Hoxha në një letër për Titon shkruante: "Në rast se, do të bëhet një hap tjetër në lidhje me bashkimin, na lajmëroni". (Malkolm, libri "Kosova, një histori e shkurtër).
Në vitin 1946, pas kthimit nga Shqipëria, ku ishte ambasador, Velimir Stojniçi, në një raport për udhëheqjen komuniste të Jugosllavisë dhe personalisht për Josif Broz Titon shkruante: "Tirana zyrtare nuk kishte asnjë qëndrim të përcaktuar, asnjë reagim për të ardhmen e Kosovës, aq sa përfaqësuesi anglez thekson: "U çudita pse Qeveria shqiptare, deri më sot, nuk ka dhënë kurrfarë deklarate për qëndrimin e saj ndaj Kosovës…" (Raport i V. Stojniçit, Beograd 1946).
Në një mbledhje të jashtëzakonshme të Plenumit të Partisë, dhjetor 1946, Enver Hoxha do të pyeste në mënyrë retorike: "A është në interesin tonë që ne ta kërkojmë Kosovën?!" Dhe në vijim, po vetë Enver Hoxha, përgjigjej: "Kjo nuk është punë progresive për t'u bërë…, përkundrazi, ne duhet të bëjmë që të sigurojmë që kosovarët të vëllazërohen me jugosllavët". (Proces-verbali, Mbledhja e Plenumit të KQ-së të PKSH-së, dhjetor 1946, ish-Arkivi Qendror i PPSH). Për komente, besoj se nuk ka nevojë.
Kalojmë në problemin që Enver Hoxha kishte aq besim te Josif Broz Tito, sa që çdo gjë që i thuhej për Kosovën në Tiranë, ia raportonte Titos në Beograd. Ky është deklarimi më kuptimplotë i njërit prej liderëve më kryesor të Kosovës, Fadil Hoxhës, i cili tregonte se ç'ishte Kosova për Enver Hoxhën. Këtë deklarim, Fadil Hoxha, jo vetëm e ka shkruar në librin e tij të kujtimeve, por e ka thënë edhe në një intervistë dhënë Televizionit Shqiptar, në nëntor 1999.
Nuk mund të jenë kurrsesi të "pavërteta" e të "paqena" dënimet që jepte regjimi shqiptar i Tiranës, për ato që flisnin para viteve '70 për Kosovën e Shqipërinë etnike. Janë 1226 kosovarë, ose më mirë të shprehemi shqiptarë, të cilët janë dënuar nga Tirana zyrtare në vitet 1945-1990, me 8 e 12 vjet burg, apo 4561 të tjerë që i internuan në zonën e Myzeqesë e zona të ndryshme në thellësi të vendit, sepse nuk gëzonin besimin e regjimit?! Po tërë ata shqiptarë, që iknin nga Kosova, për t'i shpëtuar dënimit të regjimit serb dhe pastaj i dënonte edhe regjimi i Tiranës si agjentë, apo i kthente në Jugosllavi se kishte një marrëveshje të fshehtë Tiranë-Beograd?! Po a nuk janë dënuar këtu për Kosovën, figura të tilla të njohura si Bedri Pejani e Selman Riza, apo që të tjerë kishin shkruar libra për Kosovën, si Vasfi Samimi e Besim Qorri?!
Kur u shpall Rezoluta e Byrosë Informative Komuniste, pushteti jugosllav shfrytëzoi rastin për të intensifikuar shtypjen dhe terrorin mbi shqiptarët. Vala e re e arrestimeve dhe e likuidimeve fizike e politike të shqiptarëve, u intensifikua me pretekstin se ato ishin me Byronë Informative dhe i shërbenin shtetit amë - Shqipërisë. Gjatë kësaj fushate, u dënuan 436 shqiptarë, prej të cilëve shumica përjetuan tmerret e burgut famëkeq të Goli Otokut. Në shënjestër u vunë sidomos pjesëmarrësit e Konferencës së Bujanit, si dhe veprimtarët që luftonin për të drejtat kombëtare të popullit shqiptar si: Rifat Dervishi, Xheladin Hana, Nexhat Agolli etj, të cilët i vranë, ndërsa Zekeria Rexhën e Xhafer Vokshin i dëbuan në Shqipëri, kurse Qamil Brovina, Qamil Lusha, Sabrie Vokshi etj., u burgosën.
Pushteti jugosllav hartoi edhe plane të reja për pakësimin e numrit të shqiptarëve dhe për shkombëtarizimin e tyre në Kosovë. Krahas masave shkombëtarizuese, një formë tjetër ishte edhe presioni mbi shqiptarët, për t'u deklaruar turq.
Si rezultat pati një rritje të ndjeshme artificiale të pakicës turke. Në se më 1948 ishin regjistruar 97954 turq, në vitin 1953 ky numër u rrit në 259 535, vetëm e vetëm se në këtë mënyrë mund të emigronin në Turqi dhe t'i shpëtonin represionit të madh serb.
Kur Kosova kullonte gjak, Enver Hoxha firmoste marrëveshjen e bashkimit me Jugosllavinë dhe theksonte se "duhet të fitojmë kohën e humbur e ta bëjmë sa më shpejt bashkimin de fakto të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat…ekonomi, ushtri".
Kur në Kosovë, nën digën e "mbledhjes së armëve" bëheshin reprezalje të mëdha, Tirana heshte - shkruan albanologu i mirënjohur anglez Noel Malkolm.
Kur përziheshin nga Kosova 100 mijë shqiptarë, Enver Hoxha flirtonte me kinezët dhe përsëri për Kosovën heshte. (Libri: "Kosova" Noel Malkolm).
Kur torturoheshin nga policia serbe (në vitet 1968-1974), afro 700 mijë kosovarë e 10 mijë të tjerë dënoheshin me burgime të ndryshme, Tirana zyrtare jo vetëm heshte përsëri, por ia dorëzonte UDB-së jugosllave (ish-sigurimit të Jugosllavisë), djemtë e Kosovës, që vinin të gjenin strehë në Shqipëri.
Ja këto e të tjera janë faktet e organizimit të Tivarit e të Tivarëve të tjerë kosovarë, me dijeninë e pa dijeninë, me miratimin e plotë të ish-udhëheqjes komuniste shqiptare nën dirigjimin e nën diktimin e plotë të udhëheqjes komuniste jugosllave.
No comments:
Post a Comment