Tuesday, August 3, 2010

Withers : Po iki i lumtur që Shqipëria po e ecë e sigurt

Gazeta Standard
image

Kryeministri ka zhvilluar takimet e fundit me ambasadorin amerikan dhe atë gjerman

Dy vende të rëndësishme perëndimore që kanë përfaqësitë e tyre në Tiranë dhe luajnë rol aktiv në jetën politike të vendit, do të ndryshojnë përfaqësuesit e tyre diplomatikë. Ambasadori amerikan John L. Withers II si dhe ai i Gjermanisë Bernd Borchardt kanë zhvilluar dje takimin e lamtumirës me Kryeministrin Sali Berisha, para se të largohen nga Tirana, ku kryen shërbimin e tyre të radhës në karrierën e tyre diplomatike. Që të dy këta ambasadorë kanë qenë të angazhuar në ngjarjet politike, duke u bërë shpesh protagonistë me deklarata dhe sugjerime. Gjithashtu, ata kanë krijuar imazh publik në vend dhe kanë mbështetur dhe promovuar projekte ekonomike e sociale të financuara nga ambasadat e tyre. Kreu i qeverisë shqiptare ka vlerësuar si shumë të rëndësishme marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe vendeve të dy ambasadorëve në fjalë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermaninë. Diplomati amerikan do të mbahet mend për gjuhën e drejtpërdrejtë që përdorte në opinionet e tij për ngjarje specifike në politikën vendase.

Takimi me Withersin

Në takimin me diplomatin amerikan, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe ndihmën e jashtëzakonshme, që SHBA i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe. Berisha vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të SHBA-së, mikut, aleatit dhe partnerit strategjik të shqiptarëve, të qeverisë amerikane, por dhe ambasadës së SHBA-së në Tiranë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, duke e cilësuar atë si një moment historik, si ngjarjen më të madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe të sigurisë së Shqipërisë, pas shpalljes së pavarësisë. Nga ana e tij, ambasadori Withers theksoi se largohet nga Shqipëria i lumtur, që Shqipëria ecën e sigurt drejt së ardhmes më të mirë. Ambasadori vlerësoi rolin dhe kontributin e Shqipërisë dhe politikave të saj konstruktive, të moderuara dhe miqësore, në shërbim të paqes dhe sigurisë në rajon. Në takim u ripohua vendosmëria e të dyja vendeve për të konsoliduar edhe më tej lidhjet dhe miqësinë e ngushtë midis dy vendeve dhe popujve, si dhe për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat.

Takimi me Borchardtin

Siç njofton zyra e shtypit e Kryeministrisë, Berisha e falënderoi ambasadorin gjerman për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme qe Gjermania i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve dhe vlerësoi kontributin që ambasadori Borchardt dhe stafi i ambasadës në Tiranë ka dhënë për forcimin e zgjerimit e lidhjeve të gjithanshme dhe marrëdhënieve të ngushta të miqësisë e bashkëpunimit midis dy vendeve e popujve. Në takim u rikonfirmua fakti se gjatë kësaj periudhe marrëdhëniet midis dy vendeve kanë shënuar progres dhe arritje të reja në shumë fusha, si në fushën e arsimit, në bashkëpunimin në fushën ekonomike e financiare, në fushën e energjitikës dhe infrastrukturave të lidhura me të, por edhe në kuadrin shumëpalësh, në veçanti në kuadër të NATO-s dhe integrimit evropian të Shqipërisë. Një ndër ngjarjet e rëndësishme që tregon për nivelin gjithnjë në rritje të interesit të investitorëve gjermanë në Shqipëri, edhe në sajë të kushteve të favorshme të krijuara nga qeveria shqiptare për biznes e investime, është edhe çelja e Dhomës Gjermane të Tregtisë, e cila pritet t’i japë një shtysë të mëtejshme këtij interesi dhe shkëmbimeve ekonomike e tregtare midis të dyja vendeve. Së fundmi, në takim u ripohua vendosmëria e dy vendeve dhe qeverive për të konsoliduar edhe më tej miqësinë si dhe për të zgjeruar e thelluar bashkëpunimin midis të dyja vendeve, në të gjitha fushat, si në kuadrin dypalësh, ashtu edhe në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, në dobi të interesit dhe të mirës së ndërsjellët të të dy popujve miq.

No comments: