Tuesday, August 3, 2010

Arjan Bimo, basti i fituar i Fatmir Frashërit

Nga Agron SEJAMINI

Ndër vite, fanella bardheblu ka qenë e shenjtë dhe e rëndë. Edhe më i largët ishte ky shans për djaloshin imcak, Arjan Bimo që edhe kur u bë burrë, nuk mundi t'i kalonte 175 centimetrat. Ai fizik dhe ajo peshë e vogël, vetëm te futbolli nuk të çonin. Shkurtohej akoma edhe më shumë, në krah të bashkëmoshatarit dhe shokut të skuadrës, Arben Minga. Mirëpo, me të filluar loja, të gjitha këto vogëlsi, shndërroheshin në mjeshtëri, shpejtësi... madhështi. I pari që ia vlerësoi këto cilësi, ishte mësuesi i fizkulturës së shkollës 8-vjeçare "Alqi Kondi", në Tiranë, Robert Roshi. Të çuditur e kanë parë kur ka hyrë në fushë dhe të çuditur i ka lënë të gjithë, kur mbaronte loja. Dy vjet rresht, ekipi i kësaj shkolle, u shpall kampione në spartakiadën kombëtare. Madje dhe vetë Arjani, pas këtij suksesi, mendoi për herë të parë se ndoshta mund të bëhej edhe futbollist. Për fat, talentet e kësaj shkolle i ndiqte klubi sportiv "17 Nëntori". Kështu, në vijim pjesa më e madhe e këtij ekipi fëmijësh, kaluan te të rinjtë e këtij ekipi. Në një nga ndeshjet e radhës, ikonës së futbollit bardheblu, mjeshtrit Fatmir Frashëri, ky djalosh në fushën e lojës, iu duk më i gjati, më i pjekuri, më inteligjenti. Për të, nuk priste koha që të rritej djaloshi, Arjan Bimo. Ndaj, menjëherë e bëri pjesë të ekipit të të rriturve që e drejtonte vetë. Dikush pëshpëriti për marrëzi, të tjerë për mendjemadhësi. Mirëpo fisnikëria dhe pjekuria e Frashërit, u lidhi gojën të gjithëve. Edhe atij që pati kurajën, të shprehte dyshimin, mjeshtri i madh, i ofroi bastin...

Kaluan vitet dhe Arjani hijeshoi dhe nderoi, jo vetëm bluzën bardheblu, por edhe atë kuqezi. Madje, me ekipin e "Shpresave" ai ishte edhe kapiten skuadre. Koha dëshmoi se Arjan Bimo, ishte basti i fituar, i Fatmir Frashërit.

Ka vite që ky portret dhe emër i dashur për tifozerinë shqiptare, nuk shfaqet në shtyp dhe ekranet televizive. Një dëshmi tjetër që i shkon për shtat personalitetit dhe karakterit të një futbollisti bardheblu. Ky inteligjent dhe mjeshtër i fushës së blertë që ka ngritur lartë disa kupa kampionatesh vazhdon t'i ndjehet borxhli asaj fanelle që i dha respekt dhe dinjitet. Në thjeshtësinë që e karakterizon, të thotë se prej futbollit ka fituar gjithçka në këtë jetë. Edhe kur duam që ta ngacmojmë për këtë harresë të shtypit, ai ka gati batutën e radhës:

- E kini gabim! Unë jam bërë personazh në fjalëkryqe. Më kanë thënë disa shokë që kanë parë njerëz duke vuajtur se nuk plotësojnë dot kutitë, ku kërkohet emri i një lojtari të "17 Nëntorit" me mbiemrin Bimo.

Kjo sa për shaka, sepse e vërteta dëshmon që Arjan Bimo shkëlqen në historinë e futbollit tonë. Ende nuk i kishte mbushur të njëzetat kur iu besua krahu i majtë te skuadra e "17 Nëntorit". Një ekip i madh nga emrat e mëdhenj. Në të djathtë të tij, Baçi, në qendër Hodja dhe Lekbello. Në mesfushë, Muça, Sul Mema, Omuri dhe Josa. Dhe në sulm, dy yje, Agustin Kolën dhe Arben Mingën. Edhe vetë ka dëshirë të përhumbet në kujtime, duke kujtuar ato vite Sula dhe Mema shquheshin për lojën vertikale. Dy lojtarë shumë të zgjuar dhe teknikë që e çonin lojën vazhdimisht te goli. E megjithatë, loja e "17 Nëntorit", bëhej te Millan Baçi. Kanë qenë art dhe mjeshtëri krosimet e tij, për dy sulmuesit Minga dhe Kola. Pa harruar vlerat e asaj loje shkatërruese që bënte Josa me Omurin. Në këtë ekip yjesh, dinjitoze dhe shumë rezultative ka qenë loja e Arjan Bimos. Një lojë teknike, e pastër që shoqërohej me mjeshtëri të lartë në kapjen e topit. Llogaritë e tij bëheshin në sekonda dhe milimetra për të gjetur kohën dhe momentin e ndërhyrjes. Djaloshi shtatshkurtër, shumë shpejt u lartësua në dyluftimet me kundërshtarin. Për sulmuesit më të shquar të kohës, në përballjet me "17 Nëntorin", ankthi kishte emrin e Arjan Bimos. Në këmbët e Bimos u tretën shumë nga driblimet magjike të Vasillaq Zërit. Në atë kohë, u bë e ditës shprehja: "Ju gjet ilaçi edhe Zërit!".

Por, më vështirë e ka ndjerë veten para Agim Muratit, lojtari shtatlartë i "Partizanit" që edhe penalltitë i kishte më të sigurta po t'i gjuante me kokë. Falë inteligjencës, ia gjeti edhe këtij marifetin. Në çastin që Muç Fagu krosonte topin në zonë dhe arbitri ishte me sy e mendje te topi, Arjani fillonte t'i prishte sulmuesit ekuilibrin, me një shtytje shumë të rafinuar. Edhe më mjeshtërore dhe e studiuar ka qenë loja me të talentuarin, Sefedin Braho. Gjirokastritit, përherë i rrinte tre metra distancë, me prirje për t'u tërhequr edhe më shumë. Në çastin që ai lëshonte topin dhe niste startin marramendës, Arjani ishte në kohën e duhur për t'i shkëputur topin nga këmbët. Gjithmonë e ka bërë me dhimbje koke, 7-tën e "Luftëtarit". Në një ndeshje të zhvilluar në Gjirokastër, Braho nuk e duroi dot dështimin para Arjan Bimos. E qëllon me grusht dhe arbitri e çon në dhomat e zhveshjes. Edhe më e lehtë u bë fitorja e bardhebluve pas kësaj mungese me peshë. Atë sezon, "17 Nëntori" e ngriti kupën e kampionit, pikërisht në Gjirokastër.

Fitore që kërkonin dyfishin e punës dhe të mundit, për t'u arritur. Bardheblutë në fushën e blertë përballeshin me dy kundërshtarë. Ekipet e "Dinamos" dhe sidomos ai i "Partizanit" ishin të përkëdhelurat e sistemit dhe administratës shtetërore. Të ndihmoje ato dy skuadra nuk ishte vetëm detyrë, por edhe interes. I ka mbetur peng barazimi që morën kundër Dhori Priftit në Shkodër. Ka qenë ndeshja e fundit e kampionatit. Në luftë për titull ishin edhe "Partizani" dhe "Vllaznia". Një penallti e dhënë padrejtësisht nga korçari u mohoi atë që meritonin. Në atë vërshim kundërshtish bardheblu, ku mbase ndonjëri e ka shtyrë apo goditur, veprimit të shëmtuar ai i shton edhe ultimatumin: "Sa të jem unë gjyqtar, ju asnjëherë nuk kini për të fituar kampionat!".

Të ishte vetëm një gjyqtar, do të ishte gjysma e të keqes, por lista e tyre kishte shumë emra që lëshonin ligësi dhe dëshpërim. Edhe për vetë Arjanin, ngjan e pabesueshme tani, ajo që ndodhi gjatë një takimi për kampionat në Elbasan. Fitorja u interesonte të dy ekipeve, por epërsia e vendasve favorizohej nga fusha dhe sidomos gjyqtari shkodran, Tef Prela. Lojës teknike dhe të shpejtë të "17 Nëntorit" si në sulm dhe në mbrojtje, elbasanllinjtë i përgjigjeshin me ndërhyrje të parregullta. Disa herë u pengua dhe u qëllua edhe Arjan Bimo, por gjyqtari asnjëherë nuk akordoi faull. Dhe erdhi një moment që zgjidhjen ta gjente vet. Rrëmben topin dhe drejtohet për nga dhomat e zhveshjes... Për rreth pesë minuta, shokët e skuadrës dhe gjyqtarët, mbetën duke iu lutur prapa derës. Mjaftuan aq minuta për të gjetur qetësinë dhe me topin në dorë i rikthehet përsëri fushës. Nuk pati kurajë t'i nxirrte as karton gjyqtari, çka dëshmon të drejtën e lojtarit, në atë vetëgjyqësi të pazakontë në fushat e futbollit.

Ndryshe nga shoku i krahut të djathtë, Millan Baçi, Arjani vazhdimisht ka qëndruar larg portës kundërshtare. Gjithsesi, në një ndeshje me "Besën" e Kavajës, ka mundur që të shijojë edhe gëzimin e autorësisë së golit. Madje, të dy golave që çuan në fitoren e ekipit. Ka qenë finalja e Kupës së Republikës. Pjesa e parë përfundoi 1:0 për "Besën", avantazh që pjesën e dytë ua shtoi edhe më shumë dëshirën për fitimin e kupës. Në minutën e 89' lëshon një gjuajtje vertikale jashtë zonës që përfundon në krahun e majtë të portierit kavajës. Në atë furi alla bardheblu, pas një minute, Sul Mema kroson në zonën e rreptësisë. Më lart se gjithë të tjerët, fluturoi më i shkurtri i "17 Nëntorit", Arjan Bimo, duke tundur rrjetën. Mjafton edhe kaq për të mbetur në kujtesë dhe në histori.

Na vjen keq që nuk mundemi t'i japim lexuesit edhe dhjetëra raste të tjera, ku shpaloset mjeshtëria dhe personaliteti i këtij lojtari me emër të nderuar në futbollin tonë. Fjala vjen, përballja dinjitoze e ekipit tonë kombëtar me ekipin gjerman. Gjermania e Shumaherit, Brigelit, Fëlerit, Litbarskit, Mylerit, Forsterit... Edhe një fotografi të bëje në krah të tyre ishte ngjarje dhe shans i madh e jo më t'i frenoje në një fitore minimale 2:1. Të freskëta mbeten në kujtesën e tij, dy fitoret ndaj "Dinamos" së Bukureshtit. 1:0 në Tiranë dhe 2:1 në Bukuresht. Jo vetëm djersë por edhe gjak derdhi Arjan Bimo në këtë ndeshje. Më i miri i rumunëve, Kamataro, si për t'i prerë hovin të paktën për ndeshjen e kthimit në Rumani, e godet me bërryl duke i shkaktuar çarje në vetullën e majtë. E megjithatë, ai që një vit më pas do fitonte Këpucën e Artë, përsëri nuk mundi të kalonte shqiptarin me shenjë në ballë...

Emocionuese dhe e paharrueshme ka qenë edhe fitorja e arritur me ekipin "Shpresa" të Austrisë, në Vjenë. Kjo ndeshje pati për Arjanin, gëzimin e triumfit, peshën e shiritit të kapitenit të skuadrës, por edhe buzëqeshjen ironike të arbitrave finlandezë. Gjatë nxehjes, para fillimit të takimit, Arjanit i griset këpuca. Ka qenë koha kur edhe një palë, për futbollistët shqiptarë ishin shumë. Si të kishte vrarë këmbën, kërkon ndihmën e mjekut të ekipit, Profit Cani. Me një fashë të bardhë shtrëngon rreth këmbës këpucën e majtë. Ndërsa shtrënguan duart me kapitenin shqiptar, sytë u lëshuan në buzë ironinë e asaj që panë... Kishin dëgjuar shumë për Shqipërinë por nuk e besonin se do arrinte deri këtu varfëria. Varfëria në këpucë, por jo mjeshtëria dhe rezultati në fushë!

Me xhinset e Turqisë,

rrezikoi... imazhin e rinisë

Ka qenë i pakalueshëm në fushën e blertë, por jo i tillë për shfaqjet e huaja që dëmtonin imazhin e rinisë së kohës. Vazhdimisht i kanë pëlqyer flokët e gjata. Aq sa ishte bërë problem edhe për drejtuesit e klubit. Çdo dy javë, të shtunave, ai merrte edhe një porosi shtesë:

- Nesër të jesh i qethur në fushë!

Por për Arjanin Bimon, nuk u gjet berber asnjëherë. Edhe këtu zgjidhjen e gjeti sipas dëshirës. Para se të dilte në fushë, fuste kokën në ujë për të qullur flokët. Kështu, edhe veten e kënaqte, por edhe ideologjinë nuk e dëmtonte shumë. Por asnjëherë, nuk u shkëput nga syri vigjilent i ustallarëve. Madje në një rast, rrezikoi shumë. Ekipi shqiptar i futbollit, kthehej nga Turqia pas një ndeshje të vlefshme për eliminatoret e kampionatit europian. Kurseu ato pak të holla që i takonin dhe bleu një palë pantallona xhinse. Endërr e parealizueshme për të rinjtë shqiptarë, kjo veshje e kohës. Më së shumti nga ideologjia, pastaj nga mundësia. Gëzon për çka bleu dhe duke qenë i sigurtë se nuk e pa askush, mbi ato veshi tutat e sportit. Nëse në doganat e shteteve të tjera, as që bëhej fjalë për një kontroll intim, dogana jonë e Qafë Thanës, dha alarmin si të kishte kapur kontrabandistin më të madh të rajonit.

Nuk u mjaftua vetëm me sekuestrimin e mallit borgjezo-revizionist. Para se Arjani të mbërrinte në Tiranë, më parë në institucionet përkatëse, kishte shkuar njoftimi për ngjarjen e dënueshme. Të nesërmen, në Fakultetin Ekonomik ku ai ishte student, fillojnë mbledhjet e rinisë dhe të partisë. Dikush e këshilloi që nëse do të bënte autokritikë mund edhe të kalohej më lehtë. Masa e ndëshkimit mund të ishte më e lehtë. Mirëpo për natyrën e tij, një autokritikë e tillë dukej e pamotivuar dhe qesharake. Kur e pa që mbledhjet filluan të shtohen dhe diskutimet të ashpërsohen, u detyrua të pranonte se e ndjente gabimin e rëndë.

Nuk ishte hera e parë që Arjan Bimo, kishte shfaqur preferenca për veshjen dhe muzikën e huaj. Ndaj, propozimi i një organizate rinie ishte që të mbahej qëndrim duke dalë me propozimin për t'u përjashtuar nga Universiteti. Falë dashamirësisë, të dekanit të fakultetit, i cili dëshmoi se ai ka qenë përfaqësuesi më i mirë i studentit sportist, i shpëtoi këtij ndëshkimi. Por qëndrim mbajti edhe klubi sportiv "17 Nëntori". Kështu, pezullohet një muaj nga stërvitja dhe nuk lejohet që të iki në Sofje, për të luajtur ndeshjen kundër ekipit kampion të Bullgarisë. Një pezullim amoral që e vrau shumë shpirtërisht duke përjetuar keq opinionin mbytës. E gjitha kjo, për një palë pantallona xhins që nuk mundi as t'i gëzoi.

Sa e kishte pritur këtë ditë!

Ekipi i "17 Nëntorit" nuk ka shfaqur vetëm mjeshtëri në futboll, por edhe ftohtësinë ndaj sistemit komunist. Ndaj dhe Arjan Bimo, një jetë ka qenë i zhuritur për këtë sistem që gëzojnë sot shqiptarët. Mjafton të shikojmë dy emrat që ka zgjedhur për fëmijët e tij. Të dy shqiptime që janë dëgjuar herët në djepin e demokracisë. Atë që nuk mundi ta shijojë vetë, e dëshiron për më të dashurit e vet. Lumturon dhe gëzon për ecurinë e deritanishme të tyre. Kevin vazhdon Liceun Artistik, në degën e pikturës. Nuk ka ngelur cep muri në shtëpi, pa u ekspozuar punimet e tij artistike. Për nga sasia, të ngjan se ka përfunduar Akademinë e Arteve. Edhe në shtëpitë e hallave të veta do të gjesh piktura që mbajnë siglën e Kevinit. Madje, ka prekur edhe të mirat e ekonomisë së tregut. Nuk ka vendosur çmime, por edhe dhurata nuk kanë qenë. Disa nga punimet e tij, janë shpërblyer me dhjetë mijë lekë secila. Thamë ka qenë një stimulim shpirtëror dhe jo formë motivimi për ardhmërinë në udhën e vështirë të artit. Më e vogël, është Sindi, e cila vazhdon shkollën 9-vjeçare "Pjetër Budi". Por edhe kjo ka hedhur hapat e para me të dhëna optimiste për t'u bërë këngëtare. Në Festivalin "Gjeniu i vogël" ajo ka është vlerësuar me Çmimin e Publikut. Një sukses që u ndje edhe më shumë nga Arjani, kur miqtë dhe shokët e tij i thoshin:

- Nuk latë kupë pa fituar në sport dhe në art. Na lini edhe ne të fitojmë diçka...

Herët është të përcaktosh dhe garantosh të ardhmen e tyre, por edhe kjo nisje mjafton, për t'i bërë prindërit të lumtur. Kaq herët e ka filluar edhe i ati tyre futbollin. Pra, shenja të mira për të arritur të njëjtën gjë edhe Kevin dhe Sindi, Tashmë jo në sport, por në art....

No comments: