Tuesday, August 3, 2010

Debat në Kuvendin e Malit të Zi : Të zbardhet masakra e Tivarit

Nga Mehmet Bardhi
image

Deputeti Mehmet Bardhi në Mal Të Zi i ka kon Kryeministrit Gjukanoviç të nisë hetimet

Zoti Kryetar, ka shumë ngjarje, në të kaluarën e afërt dhe të largët, të cilat kanë ndodhur në territorin e sotëm të Malit të Zi, të cilat kanë lënë gjurmë të thella e të pashlyera, hije të zezë dhe barrë të rëndë breznive, pra edhe këtij pushteti, pasi që nuk i kanë zbardhë deri sot. Para së gjithash për papërgjegjësinë ndaj historisë së vet, për shkak të mosgatishmërisë që të ballafaqohen me të vërtetën, qoftë ajo edhe më e hidhura, për qëllim që t’i fshehin kryerësit e krimeve dhe urdhërdhënësit, për shkak të përkatësisë dhe lidhjeve të afërta (farefisnore, partiako-politike, nacionale etj.) me to ose për shkak se në një mënyrë apo një tjetër i kanë përkrahur këta ekzekutime, si pjesë e politikës projektuese të planifikuar kundër nacionaliteteve të caktuara dhe trojeve të tyre. Kështu që ende edhe sot kemi që nuk janë zbardhur të gjitha krimet nga periudha e Luftës së Dytë Botërore e as pas saj. Pra, shumë devijime dhe krime nga periudha komuniste, si ekzekutimet politike pa gjyq etj. Mali i Zi këto i ka heshtur, madje zyrtarisht as nuk i ka gjykua as verbalisht, e jo më të hapë procedure hetimi! Megjithëse është pyetje në vete se si t’i qërojë hesapet me këto, kur edhe sot, ka funksionarë në poste shumë të larta shtetërore, të cilët kanë marrë pjesë në procese të ndryshme politike-policore gjyqësore (të montuara) kundër intelektualëve dhe të tjerëve shqiptarë etj., në kohën e regjimit komunist.

Njëra nga ngjarjet e tilla të tmerrshme, holokausti në këto treva është edhe masakra e Tivarit, e cila ka ndodhur më 1 prill 1945, në Tivar, Breg të Tivarit, në ndërtesën e Monopolit të Duhanit, në oborrin e tij dhe në rrugën afër mureve të oborrit “… në mënyrën më barbare dhe më tërbuese shoviniste që njohu historia, vetëm brenda disa minutave, dhe në një sipërfaqe prej rreth dhjetë ari vend, ushtria serbo-malazeze masakroi, me armë zjarri e armë të ftohta, 3770 shqiptarë duarthatë, të mobilizuar kinse për nevoja të Armatës Antifashiste të Jugosllavisë…” 1) të mobilizuar nga të gjitha anët e Kosovës në qendrën mobilizuese në Prizren, nga ku, kah fundi i marsit, nga të mobilizuarit, 7700 shqiptarë, të grupuar në tre eshalonë, i përcollën në këmbë (të cilëve më përpara, që në Prizren, u kishin marrë armët) në rrugën Prizren - Kukës - Shkodër - (Anë e Malit) - Tivar, kinse me qëllim që t’i transportonin për Dubrovnik, Trogir e Istër në frontin e Trieshtës… Ngjarja tregoi se qëllimi i vërtetë ishte krejtësisht tjetër - likuidimi i tyre.

“Një plojë dhe një masakër kaq masive e kryer me tradhti mbi mijëra vetë moshash nga 16 deri në 60 vjeç dhe në një sipërfaqe kaq të vogël, nuk e njeh historia dhe,ia kalon “Natës së Bartolomeut” të Parisit, më 24 gusht 1573, që njihet si sinonim për vrasjet masive e të paskrupulla të kundërshtarëve ideologjikë. Në rastin e “Natës së Bartolomeut” në Tivar, vrasësit gjakpirës shtazarakë, në shqiptarët e molisur nga marshimi i gjatë e lodhja deri në rraskapitje, shihnin kundërshtarë ideologjikë, fetarë e kombëtarë!?!” 2)

Në atë batare nga të gjitha anët, disa arritën të iknin e të shpëtonin. Këta mbetën dëshmitarë të gjallë të kësaj masakre e këtij krimi makabër... Përndryshe, për herë të parë dhe të fundit, atëherë, për këtë masakër, dha disa të dhëna vetë Aleksandër Rankoviçi 3) në Kongresin I të PK të Serbisë, kur ai e përmendi dhe kritikoi “aktin kriminal të malazezëve”. Me atë rast ai përmendi shifrën prej “disa qindra” të vrarëve... Edhe atëherë edhe më vonë, çdo gjë ishte nën shifrën “rreptësisht sekret“ (serb. strogo pov.), deri me rënien e tij në vitin 1966. Por, edhe pastaj, as deri sot kjo ngjarje e rëndë, makabre e tradhtare për shqiptarët nuk u zbardh, megjithëse në Kosovë për këtë pati iniciativë, tentativë e parashtresë. Por vetëm kaq. Megjithëse kaluan plot 65 vjet, pushteti zyrtar as i asaj Jugosllavie, as i Serbisë e as i Malit të Zi, në territorin e të cilës ndodhi kjo plojë e masakër, dhe ushtria e së cilës këtë e bëri, për masakrën e Tivarit – asnjë fjalë. Zyrtarisht asgjë. Përndryshe njerëzit për këtë kanë folur, e kanë dënuar këtë akt makabër dhe kanë kërkuar shpjegim.

Është folur edhe kjo, se disa nga ata që mundën të shpëtonin, në rrugë e sipër disa “civilë të etshëm për gjak shqiptari” i kanë vrarë në rrugë. Për këtë dëshmojnë disa varre pranë rrugës mbi Tivar... Por, nëse dihet kush i vrau dhe ku u vranë, pyetja është gjithë ata qindra e mijëra kufoma ku i varrosen? Çka bënë me to? A ka dhe nëse ka ku është varri i tyre (i përbashkët), pasi deri tash nuk është gjetur ndonjë varr i tillë masiv. E vërtetë është se shumë prej kufomave i përpiu deti. Në Breg, në det pranë skelës, janë parë shumë kufoma e plisa të bardhë, që notonin mbi ujë ditë të tëra! Por për kufomat, të cilat i ngarkuan në kamionë dhe i dërguan në pllajën e malit të Sutormanit, nuk dihet varri, nuk ka asnjë gjurmë, së paku deri tash. Mos i kanë hedhur në ndonjë shpellë? Dikush pa dyshim duhet të dijë.

Në lidhje me këtë, zotëri Kryeministër, meqenëse krimet nuk vjetrohen, ju bëj pyetjen që vijon:

- A kanë ndërmend organet zyrtare të shtetit të Malit të Zi që të nisin hetimin dhe të zbardhin rastin e masakrës së Tivarit, holokaustin e vërtetë në këto treva, të cilin e kreu më 1 prill 1945, në Tivar, Breg të Tivarit, në ndërtesën e Monopolit të Duhanit, në oborrin e tij dhe në rrugën afër mureve të oborrit “… në mënyrën më barbare dhe më tërbuese shoviniste që njohu historia, vetëm brenda disa minutave dhe në një sipërfaqe prej rreth dhjetë ari vend, ushtria serbo-malazeze, kur masakroi, me armë zjarri e armë të ftohta rreth 3770 shqiptarë duarthatë, të eshalonit të dytë, të mobilizuar kinse për nevoja të Armatës Antifashiste të Jugosllavisë…” Ata i mobilizuan nga të gjitha anët e Kosovës, në qendrën mobilizuese në Prizren, nga ku, kah fundi i marsit (7700 rekrutë shqiptarë, megjithëse në dokumentet ushtarake ata quhen “ljudstvo” (“njerëz” (sic)), të grupuar në tre eshalonë, i përcollën këmbë (të cilëve më përpara, që në Prizren, iu kishin marrë armët) në rrugën Prizren - Kukës - Shkodër - (Anë e Malit) - Tivar, kinse me qëllim që t’i transportonin për Dubrovnik, Trogir e Istër në frontin e Trieshtës… Ngjarja tregoi se qëllimi i vërtetë ishte krejtësisht tjetër - likuidimi i tyre.

Siç duket, kjo pyetje imja është iniciativa dhe kërkesa e parë, me shkrim, që rasti të zbardhet. Faji dhe përgjegjësit të personalizohen e të gjykohen. Drejtësia këtë e kërkon. Edha ata që shpëtuan e që janë gjallë, po edhe familjarët e tyre, të gjallëve e të vdekurve, kërkojnë që t’i shohin para drejtësisë e të bëhen zyrtarisht të njohur përgjegjësit, ekzekutuesit e sidomos urdhërdhënësit. Prandaj kërkojmë që të hapet procesi, të hetohet dhe të zbardhet ngjarja. Më së miri është që organet kompetente të Malit të Zi ta bëjnë këtë. Raportet për këtë masakër kanë mbërritur edhe në OKB. Siç thashë, krimet nuk vjetërsohen. Është më se e nevojshme që e vërteta të dalë në shesh. Të personalizohen faji dhe fajtorët. Ata duhen gjykuar e dënuar, qoftë edhe pas vdekjes. E drejta këtë e kërkon. Dihen eshalonët. Dihen emrat e komandantëve. Dihet rendi dhe hierarkia e komandimit dhe pozita e vartësve dhe të varurve. Dihen formacionet përcjellëse dhe komandantët e tyre, ata që lejuan e urdhëruan masakrën, si dhe maltretimet e vrasjet gjatë rrugës për në Tivar. Janë dokumentet e shkruara. Janë dëshmitë e dhëna e të shkruara. Janë dokumentet dhe raportet e shkruara ushtarake...

Pres përgjigje, në formë të shkruar.

No comments: