Saturday, August 7, 2010

“Jam i befasuar nga cilësia dhe investimi i Birra Korça”

"Një fabrikë të tillë të traditës dhe me teknologji mjaft moderne është e vështirë ta gjesh sot në birraritë e Europës". Matias Lustnauer, ekspert gjerman i birrës, është një nga vizitorët e shumtë të fabrikës së "Birra Korça".



Nga ambientet e saj ai ka dalë me mbresa të veçanta dhe në barin e kësaj fabrike shijon plot kënaqësi birrën e zezë. Siç shprehet edhe vetë, nuk ka lënë vend të botës pa vizituar, atje ku funksionojnë birraritë. "Po ju them se i njoh mirë birraritë në Europë dhe këtu në Shqipëri "Birra Korça" është pa dyshim më e mira", shprehet që në fillim vizitori gjerman. Me përvojën e tij si ekspert i birrës, ai flet në një intervistë për "Panoramën" edhe për cilësinë e "Birra Korçës" dhe arsyet pse ka mbërritur në qytetin juglindor të Shqipërisë. E ndërsa z.Lustnauer flet për gazetën, të tjerë turistë të huaj mbërrijnë në fabrikën e "Birra Korçës" për të parë nga afër ato që kanë dëgjuar më parë për prodhimet e saj.
Zoti Lustnauer, çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje nga vizita në fabrikën "Birra Korça"?
Ajo çfarë më ka bërë më shumë përshtypje nga vizita në ambientet e fabrikës, është se tek "Birra Korça" ndërthuret më së miri tradita me pajisjet moderne të teknologjisë së saj. Në Europë, ana e traditës po humbet, ndërsa tek fabrika e "Birra Korçës" ka një harmoni të përkryer të një ndërtese të vjetër e tipike me teknologjinë moderne. Askund nuk kam parë kombinacion kaq perfekt. Birraritë e mëdha në Europë nuk janë kaq të interesuara të ngrenë ndërtesa të tilla, sepse kanë kosto të madhe.
Keni preferencën tuaj për birrën që prodhohet në këtë fabrikë?
Më ka pëlqyer veçanërisht birra e zezë e Korçës. Por nuk rri dot pa provuar edhe një gotë me birrë bionde, të shoqëruar me kërnackat e shijshme korçare, që serviren këtu në lokal. Mund të them se nuk ka asnjë arsye që shqiptarët të konsumojnë birrë të huaj, sepse "Birra Korça" është disa shkallë më lart nga cilësia. Madje, mund të sugjeroj se pijra e një gjysmë litri birre në ditë këshillohet si mjaft e dobishme për shëndetin. Një shprehje e urtë gjermane thotë se "nëse nuk pi një birrë në ditë, ajo ditë është e kaluar kot".
Si vendosët të vini në Korçë, për të vizituar fabrikën e "Birra Korçës"?
Unë vij nga zona e Bavarisë në Gjermani, ku ka aktivitetin birraria më e vjetër në botë, ajo e Frajzenit dhe ku funksionon gjithashtu një universitet i birrës. Fabrikën e "Birra Korçës" po e vizitoj edhe si përfaqësues i kompanisë së prodhimit të kimikateve për filtrim në prodhimin e birrës, Bregerou, e cila është lider botëror në këtë sektor. Kjo kompani ka siguruar informacione për veprimtarinë e suksesshme të "Birra Korça", e cila duke qenë një operator mjaft aktiv në Shqipëri na ka tërhequr vëmendjen. Personalisht po i shikoj nga afër investimet e bëra në infrastrukturë dhe në prodhimin e birrës, ku siç e thashë dhe më lart, kam mbetur i mahnitur.

No comments: