Tuesday, August 3, 2010

Dështimi i konspiracionit të Stalinit, çoi në shkatërrimin e BRSS-së

Saimir Lolja
image

Pamundësia për të pushtuar Evropën dhe gara e armatimeve çoi drejt shkatërrimit Bashkimin Sovjetik, të vetmin vend që pas Luftës së Dytë Botërore arriti të zgjeronte territorin dhe pushtoi një sërë krahinash

(vijon nga numri i djeshem)

LUFTA FILLOI

Më 19-08-1939, gazeta “Pravda” shkruante se “... në interes të mbrojtjes së BRSS do të kërkohen operacione të mëdha sulmuese në territorin e armikut dhe se kjo nuk kundërshton karakterin e luftës mbrojtëse”. Në qershor 1941, populli dhe ushtria sovjetike nuk ishin gati për mbrojtje, as edhe mendërisht. Në periudhën 13-20 qershor 1941, trupat e Ministrisë së Brendshme Sovjetike larguan me forcë popullsinë që ishte deri në 100 km afër kufirit, që nga Deti i Bardhë e deri në Detin e Zi. Një pjesë e të zhvendosurve formuan fshatra të rinj në Siberi, kurse të tjerët i dërguan nëpër Gulagët e Siberisë. Pas largimit të popullsisë, rojet e kufirit hoqën të gjitha telat me gjemba dhe minat e kufirit; dhe më pas u larguan edhe vetë duke ia dorëzuar kufirin ushtrisë. Menjëherë, batalionet e zbulimit të ushtrisë sovjetike u afruan në buzë të kufirit. Më 19-06-1941, Divizioni 164 Pushkatar i saj zëvendësoi rojet e kufirit në lumin Prut. Komanda e lartë e ushtrisë sovjetike e dinte se ushtarët e dërguar pranë kufirit mendërisht nuk mund të duronin për një kohë të gjatë pa u hedhur në sulm. Tërë këto trupa nuk kishin gërmuar llogore për mbrojtje, por qëndronin gati me fytyrë vetëm drejt Perëndimit.

Midis datave 29-05-1941 dhe 05-06-1941, u shtypën dhe iu shpërndanë ushtarëve e oficerëve të rinj sovjetikë pesë milion kopje të një fjalori rusisht-gjermanisht-rusisht, i cili përmbante pyetje-përgjigje në të dy gjuhët, edhe me gërma latine edhe cirilike. Në anën tjetër, një libër të ngjashëm kishte shtypur edhe ushtria gjermane për veten e vet. Për të njëjtin qëllim sulmi ishin edhe hartat të cilat iu ishin shpërndarë oficerëve sovjetikë ose ishin magazinuar pranë kufirit duke pritur përdorimet e radhës. Shumë nga ato harta iu kapën oficerëve sovjetikë të zënë robër, ndërsa të paktën 100 milionë të tjera ose u kapën ose u dogjën nëpër magazinat pranë kufirit. Veç kësaj sasie hartash, trupat sovjetike vetëm në rajonet ushtarake të Veriperëndimit, Perëndimit dhe Jugperëndimit dogjën gjatë tërheqjes 200 vagonë treni me mbi 200 milionë harta ushtarake.

Më 22-06-1941, Divizioni 41 Pushkatar i Korparmatës 6 Pushkatare, që bënte pjesë në Armatën 6 të ushtrisë sovjetike, pa pritur urdhrin nga komanda e lartë, filloi zbatimin e planit të mësymjes. Ky divizion sulmoi në rajonin Rava-Russkaya dhe hyri deri në 4-6 km thellë në territorin polak të pushtuar nga ushtria gjermane. Po në këtë datë, komandanti sovjetik i Frontit Veriperëndimor, Gjeneral-Koloneli F. I. Kuznetsov, urdhëroi trupat e tij të sulmonin sipas planit qytetin gjerman Tilzit në Prusinë Lindore. Po në këtë datë, komanda e lartë sovjetike urdhëroi Frontin Perëndimor të sulmonin fuqishëm drejt qytetit polak Suvalki.

Më 23-06-1941, Korparmata e Parë sovjetike e Bombarduesve me Rreze të Gjatë veprimi kreu sipas planit dhe urdhrit të marrë më 22-06-1941, ora 06:44, një bombardim masiv kundër shënjestrave në qytetet gjermane Kënigsberg dhe Danzing. Më 25-06-1941 dhe sipas planit të parapërgatitur, trupat dhe aviacioni sovjetik i Frontit të Veriut u hodhën në sulm kundër Finlandës. Më 26-06-1941, Korparmata 4 e Bombarduesve me Rreze të Gjatë filloi bombardimin e rajonit vajguror dhe rafinerive të Ploeshtit në Rumani. Pas disa ditë bombardimi, sasia e përftuar e produkteve vajgurore në Rumani u përgjysmua. Në të njëjtën kohë, flotilja ushtarake sovjetike në lumin Danub filloi operacionet sulmuese në Deltën e Danubit.

Sipas dokumenteve të arkivuara të hapura vetëm pas vitit 1991, vizitori i fundit doli nga zyra e Stalinit më 21-06-1941 në orën 23:00. Ditën tjetër, më 22-06-1941, në ora 05:45 hyn vizitori i parë. Në ditët në vazhdim Stalini punonte pa pushim me orë të tëra. Dokumentet e zyrës nuk kanë të regjistruar takime apo mbledhje pune për datat 29 e 30 qershor 1941. Më 29-06-1941, Stalinit iu raportuan përmasat e vërteta të disfatës në Frontin Perëndimor e Jugor. I pezmatuar se plani i tij për të “çliruar” Evropën e botën u prish, Stalini tërhiqet në kështjellën e tij jashtë Moskës. Më 30-06-1941, tek ai shkojnë anëtarët e Byrosë Politike: Molotov, Beria, Malenkov, Mikojan etj. Për këtë vizitë, Mikojani në kujtimet e tij shkruan: “... Stalini pyeti: Për çfarë keni ardhur?... Ai po priste që ta arrestonim. Molotovi, në emër të gjithëve tha se fuqia duhej përqendruar me qëllim që të ngrihemi përsëri në këmbë dhe se një Komitet Shtetëror për Mbrojtjen duhej krijuar. Ju duhet të jeni në krye përsëri...”

Një nga robërit që u kap nga ushtria gjermane ishte edhe Yakov Iosifovich Dzhugashvilli, djali i [Iosif Vissarionovich Dzhugashvili] Stalinit, me detyrën e komandantit të Baterisë 5 të Regjimentit 14 të Artilerisë të Divizionit 14 Tankist të Korparmatës 7 të Mekanizuar. Atij iu gjet një letërkëmbim i datës 11-06-1941 me një oficer tjetër ku pohohej sulmi sovjetik drejt Berlinit; kjo letër iu raportua Hitlerit, i cili e citoi më 18-05-1942. Oficerët gjermanë e pyetën djalin e Stalinit pse artileria sovjetike, me topat më të mirë në botë dhe me numrin më të madh, qëllonte kot dhe nuk qe e frytshme kundër mësymjes gjermane. Ai iu përgjigj: “... Artiljerët sovjetikë kishin harta vetëm për territoret matanë kufirit perëndimor të BRSS”. Kur sulmoi ushtria gjermane, trupat sovjetike nuk kishin as plan e as pozicione për mbrojtje dhe si rrjedhojë u rrethuan shpejt prej tankeve gjermane. Hutimi dhe çorganizimi ishte që nga Stalini, shtabet ushtarake e politike të Ushtrisë së Kuqe e deri tek oficeri më i thjeshtë. Në gusht-shtator 1941, 665’000 trupa të ushtrisë sovjetike u rrethuan e u kapën robër në rajonin e qytetit Kiev dhe 310’000 të tjerë në rajonin e Smolenskut. Më 1942, Frontit sovjetik të Jugut (të Krimesë) nuk i numëroheshin ushtarët e rrethuar, të kapur rob ose të asgjësuar, pa llogaritur humbjet në armatime e materiale. Këto ndodhi nuk përmenden nëpër rrëfimet apo librat e historisë.

Po ashtu nuk përmendet nëpër historitë zyrtare të Lindjes e Perëndimit edhe pushtimi i Iranit prej ushtrisë sovjetike dhe asaj britanike në verën e vitit 1941. Një ndodhi e tillë ndodhte në kulmin e mësymjes të ushtrisë gjermane në BRSS, kur miliona ushtarë sovjetikë rrethoheshin e ziheshin robër. Një ndodhi e tillë nuk jepet, sepse do të lindte nevoja për të emërtuar kush ishte i keqi (pushtuesi) e kush i miri (i pushtuari). BRSS dhe Britania, në marrëveshje të ngjashme me atë midis BRSS e Gjermanisë për pushtimin e ndarjen e Polonisë, sulmuan Iranin asnjanës më 25-08-1941 dhe përfunduan pushtimin e tij më 17-09-1941. Forcat ushtarake të perandorisë britanike që sulmuan nga jugu përbëheshin nga Divizionet 8, 10, 21 të Këmbësorisë Indiane, Brigada 2 e Blinduar Indiane dhe Brigada 9 e Blinduar Britanike. Trupat e Ushtrisë së Kuqe që sulmuan nga Veriu përbëheshin nga Armatat 44, 47, 53 të Këmbësorisë të Frontit sovjetik Trans-Kaukazian. Operacionet ushtarake në të dy drejtimet u mbështetën edhe nga forcat detare e ajrore sovjetike dhe britanike.

Ajo që jepet është vetëm ndodhia e datës 22-06-1941, e ditës së sulmit të ushtrisë gjermane dhe aleatëve të saj kundër BRSS. Dhe ajo që jepet është përralla se sovjetikët ishin të papërgatitur për luftë, të përgjumur, të pa mbrojtur, me armë të vjetra, pa tanke e avionë, të veshur e ushqyer keq, pa oficerë e pa ushtarë të mjaftë. Dhe ajo që jepet është përralla se lufta ktheu në kahun e ushtrisë sovjetike vetëm prej baltës, të ftohtit, dimrit rus dhe hapësirave pa fund. Dhe ajo që nuk jepet është një ushtri sovjetike me miliona ushtarë e përqendruar në buzë të kufirit, gati për sulm kundër Evropës, me armatim të ri, sasior e cilësor.

PUSHTIMI SOVJETIK I MANÇURISË

Më 13-04-1941, BRSS dhe Japonia nënshkruan një pakt mos-sulmimi midis tyre. Politikisht, kjo ishte një goditje për Gjermaninë dhe fitore për Bashkimin Sovjetik. “Dhurata” për japonezët do jepej pas katër vjetësh. Kështu më 1945, BRSS filloi të rigrupojë ushtrinë nga Evropa në Lindjen e Largët për të goditur trupat japoneze në Mançuri të Kinës. Largësia e mbartjes së trupave ishte 9000 - 12000 km. 135’756 vagonë treni u përdorën për tre muaj për të përqendruar trupat në tre fronte. Forca sovjetike përbëhej nga 11 Armata këmbësorie, tre Armata të Mbrojtjes Ajrore, tre Armata të Sulmit Ajror, një Armatë tankesh, 4 Korparmata të veçanta të forcave ajrore; kësaj i shtoheshin flota sovjetike e Oqeanit Paqësor, flotilja e lumit Amur, trupat kufitare sovjetike dhe forcat e armatosura të Mongolisë. Fuqia në tokë përbëhej nga 1’747’465 ushtarë e oficerë, 29’835 topa e mortaja, 5250 tanke dhe 5171 aeroplanë. Flota e Oqeanit Paqësor përbëhej nga 339 anije lufte, 78 nëndetëse dhe 1618 aeroplanë. Flotilja e lumit Amur kishte 126 anije lufte dhe 68 aeroplanë. SHBA dërguan furnizime për këtë fushatë të Ushtrisë së Kuqe kundër ushtrisë japoneze, ku përfshiheshin aeroplanë, makina të blinduara, radio ndërlidhëse, materiale mjekësore dhe për ndërlidhje, lëndë djegëse, ushqime, etj.

Sulmi do ishte rrufe [blitzkrieg], me forca të grupuara fshehtas, zjarr të përqendruar dhe krahëmarrje; ashtu si ushtria sovjetike kishte sulmuar në Gusht 1939 forcat japoneze në Mongoli dhe ashtu si ushtria sovjetike u bë gati të sulmonte Evropën në verën e vitit 1941. Fronti Trans-Baikal dhe Fronti i Parë e Lindjes së Largët do sulmonin nga krahët; në qendër do përparonte Fronti i Dytë i Lindjes së Largët me synim kryerjen e rrethimit. Të tria frontet sulmuese duhej të përparonin njëkohësisht përgjatë një vije 5130 km të gjatë. Më 06-08-1945 ushtria amerikane hodhi bombën atomike mbi qytetin japonez Hiroshima dhe më 09-08-1945 edhe mbi qytetin Nagasaki. Mësymja e Ushtrisë së Kuqe në Mançuri filloi më 09-08-1945 dhe mbaroi më 02-09-1945. Në përfundim, ushtria sovjetike kishte pushtuar Mançurinë, Mongolinë e brendshme, Korenë e Veriut, pjesën jugore të ishullit Sakhalin dhe ishujt Kuril. Tërë armatat i kryen veprimet në harmoni të plotë dhe me shpejtësi rrufe; për shembull, Armata 6 Tankiste e Rojeve përparoi 810 km për 11 ditë. Kjo fushatë mësohet në akademitë ushtarake sovjetike si një luftë model. Me rreth tre javë fushatë ushtarake, qindra milion njerëz ranë nën kontrollin sovjetik. Ushtria komuniste kineze mori sasi shumë të mëdha armatimesh, pajisjesh e furnizimesh ushtarake. Më 02-09-1945, lindi Republika Demokratike e Vietnamit nën udhëheqjen e Ho Shi Minit; më 12-10-1945, komunistët në Laos bënë të njëjtën gjë.

Plani operacional i kësaj fushate ushtarake u hartua nga Marshall Vasiljevski, i cili kishte qenë zëvendësdrejtor i Operacioneve të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Kuqe në periudhën maj 1940 – qershor 1941. Gjatë asaj periudhe ai kishte hartuar planin operacional të përqendrimit të forcave sovjetike në Frontin Verior (Karelian), Veriperëndimor (Balltik) dhe Perëndimor (Rusia e Bardhë). Pikërisht në këto fronte ushtria sovjetike u godit më fort në Verën e vitit 1941. Çarja e Frontit Verior i solli trupat finlandeze në veri të qytetit Leningrad, kurse thërrmimi i Frontit Veriperëndimor i solli trupat gjermane në jug të Leningradit. Ndërsa trupat sovjetike të Frontit Perëndimor u rrethuan dhe ose u asgjësuan ose u kapën robër, duke lënë të hapur rrugën për në Moskë. Gjeneral-Major Vasiljevski jo vetëm që nuk u dënua prej Stalinit për planifikimin e tij, por për një vit e gjysmë hipi shkallët e karrierës derisa u bë Marshall i BRSS. Stalini i besoi Marshall Vasiljevskit planifikimin e rrethimit të trupave gjermane në Stalingrad, operacionin e betejës së Kurskut, operacionin në Rusinë e Bardhë dhe së fundi operacionin kundër ushtrisë japoneze në Lindjen e Largët.

Deri në shkurt 1941, Gjenerali K. A. Meretskov ishte komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Kuqe dhe mbante përgjegjësinë më të lartë për planet e luftës. Rrjedhimisht, përgjegjësia e disfatës së ushtrisë sovjetike kur sulmoi ushtria gjermane më 22-06-1941 binte mbi të. Porse ai nuk u dënua nga Stalini, vazhdoi ngjitjen në karrierën ushtarake dhe në vitin 1945 mbante titullin e Marshallit të BRSS dhe komandantit të Frontit të Parë të Lindjes së Largët. Nëngjenerali M. A. Purkaev në vitin 1941 ishte komandanti i Shtabit të Ushtrisë së Kuqe të Frontit Jugperëndimor (rajoni i Kievit). Ai ishte drejtpërsëdrejti përgjegjës për planet e luftës së ushtrisë sovjetike. Me sulmin e ushtrisë gjermane më 22-06-1941, Armatat sovjetike të këtij fronti u asgjësuan. Megjithatë, edhe ky ushtarak nuk u dënua nga Stalini por vazhdoi karrierën dhe më 1945, me gradën e Gjeneralit, ishte komandant i Frontit të Dytë të Lindjes së Largët. Më 1941, Gjeneral-Majori R. Ya. Malinovsly komandonte Korparmatën 48 Pushkatare të pozicionuar për sulm në kufirin Rumun. Më 1945, ai ishte bërë Marshall i BRSS dhe komandant i Frontit Trans-Baikal të Lindjes së Largët.

Pra, të njëjtët ushtarakë që hartuan planet e sulmit rrufe kundër ushtrisë japoneze në Mongoli në gusht 1939, kundër Finlandës në nëntor 1939, kundër Besarabisë në qershor 1940, kundër Evropës në verën e vitit 1941, kundër Iranit në gusht 1941, hartuan e zbatuan edhe planet e sulmit rrufe kundër ushtrisë japoneze në Mançuri në gusht 1945. Ushtria japoneze e shihte përqendrimin e trupave sovjetike dhe armatimit në tërë frontin dhe priste që një sulm i madh, të cilit nuk do i bënte ballë, do të ndodhte herët a vonë. E vetmja zgjidhje për ushtrinë japoneze ishte që të sulmonte para kohe (në fund të korrikut 1945) dhe të arrinte një fitore si të ushtrisë gjermane në qershor 1941. Tërë armatimi sovjetik, avionët, artileria, produktet vajgurore, municionet, etj., qëndronin të stivuar mbi dhe në buzë të kufirit ose nëpër vagonët hekurudhorë pranë kufirit. Pikat e komandimit dhe linjat e ndërlidhjes ishin pozicionuar në buzë të kufirit. Ushtria e Kuqe edhe këtë herë përgatitej vetëm për sulm dhe jo për mbrojtje; pra do mjaftonte që ushtria japoneze të sulmonte e para dhe ndodhia do ishte e ngjashme si me ushtrinë gjermane në qershor 1941. Por ushtria japoneze nuk sulmoi, sepse asaj i kishte ardhur fundi.

LUFTA MBAROI PËR DISA

BRSS e filloi dhe e mbaroi Luftën II Botërore si pushtues [aggressor]. BRSS ishte i vetmi vend që u zgjerua si rrjedhim i Luftës II Botërore duke bërë pjesë të vetën Estoninë, Lituaninë, Letoninë [Latvian], Bukovinën e Veriut, Besarabinë, Poloninë Lindore (Ukrainën Perëndimore dhe Rusinë e Bardhë Perëndimore), pjesën e Prusisë Lindore me qytetin Kënigsberg, Ukrainën Trans-Karpate [Carpathian Ruthenia], ishujt Kuril dhe Jugun e ishullit Sakhalin [në Veri të Japonisë]. Stalini pjesën veriore të Iranit e bëri pjesë të Republikës sovjetike të Azerbajxhanit dhe, më 23-07-1945, kërkoi baza ushtarake në Ngushticat e Bosforit dhe Dardaneleve territoret turke të rajoneve Kars dhe Ardagan.

Nën flamurin e “luftës së madhe patriotike”, popuj e kombe të tërë në BRSS pësuan dhunim e gjenocid. Nën urdhrat e Stalinit, çeçenët, ingushetët, tatarët e Krimesë, gjermanët e Vollgës e popuj të tjerë u morën me forcë dhe u braktisën në mes të stepave të thata e të ngrira, thjesht për t’u “vetëshfarosur”. Popullsia kalmyk e Mongolisë Perëndimore, e cila në mënyrë natyrale jeton nëpër stepa, u mor me forcë nga aty dhe u lëshua në tajgat e Siberisë. Mbi një milion polakë u shpërngulën me forcë nga Polonia Lindore. Miliona gjermanë të Prussisë, Silezisë e Sudetëve që ranë nën sundimin sovjetik ose u dëbuan nga shtëpitë e tyre ose nuk u lejuan të kthehen pas përfundimit të luftës. Në vitin e fundit të Luftës II Botërore Ushtria e Kuqe filloi të merrte ushtarë djem nën moshën e lejuar dhe i mbante ushtarë 7-8 vjet. Kjo bëri që të mos kishte njerëz të mjaftueshëm për të mbjellë e të korrur produktet bujqësore. Një gjë e tillë shkaktoi urinë masive të viteve 1946 e 1947 në BRSS, si rrjedhim i së cilës vdiqën një milion vetë. Prandaj regjistrimi i popullsisë në BRSS u bë vetëm në vitin 1959 me qëllim që të mos tërhiqej vëmendja tek humbjet e mëdha në njerëz për shkak të terrorit të brendshëm dhe luftërave.

Ndërsa udhëheqësit nazistë gjykoheshin në Gjyqin e Nurembergut, kampet naziste të përqendrimit në Buchenwald, Saksenhausen, Mühlberg, Furstenwalde, Liebe-Roze, Bautzen etj. që u pushtuan nga ushtria sovjetike nuk u mbyllën. Ato u bënë pjesë e rrjetit sovjetik të kampeve të përqendrimit GULAG nën urdhrat e Ministrisë së Brendshme Sovjetike. Për shembull, ish-kampi nazist në Mühlberg mori emrin “Kampi i Posaçëm Nr. 1”, ai në Buchenwald mori emrin “Kampi i Posaçëm Nr. 2”; dhjetë kampe të tilla të numëruara kështu ishin në përdorim deri në vitin 1950. Në “Kampin e Posaçëm Nr. 2” pati 28’000 të burgosur gjatë viteve 1945-1950. Nga këta vdiqën 7000 vetë ose 25% e të burgosurve; në këtë kamp, nën nazistët, në periudhën 1937-1945 vdiqën 20% e të burgosurve. Nën flamurin e “çlirimtarit”, ushtria sovjetike përparoi deri në Evropën Qendrore ku ndërtoi Perden e Hekurt dhe futi brenda vathës sovjetike Poloninë, Çekosllovakinë, Gjermaninë Lindore, Hungarinë, Rumaninë, Bullgarinë, Jugosllavinë, një pjesë të Austrisë dhe Shqipërinë. Shpëlarja e trurit, “lufta e klasave”, përmbytja me kulturë sovjetike, shkrirja e ekonomive dhe e ushtrive bëri që popujt e këtyre vendeve të ndjehen “vëllezër të lindur të njëri-tjetrit”. Në Lindjen e Largët, Mongolia, Kina, Koreja e Veriut dhe Vietnami ranë gjithashtu nën kontrollin sovjetik.

KUJTESË

Ajo që vazhdon të jepet për 22 qershorin 1941, është përralla e një Ushtrie të Kuqe të papërgatitur, të fjetur, me armatim të vjetruar dhe të pakët, e pangrënë dhe e veshur keq, pa oficerë që ta komandonin e organizonin. Dhe përralla vazhdon me Stalinin që e besoi verbërisht Hitlerin dhe se pas sulmit të ushtrisë gjermane, Stalini iku e u fsheh. Hap pas hapi, përralla ka ndërtuar “turpin” e Bashkimit Sovjetik që ra “viktimë” e sulmit të Gjermanisë naziste. Ky është një “turp” i dobishëm që “të turpëruarit” e përhapin në mënyrë të paturpshme, sepse u mbulon të vërtetën e një Ushtrie të Kuqe që gati sa nuk sulmoi për të “çliruar” tërë Evropën. Stalinit në Konferencën e Jaltës këmbënguli në plotësimin e dëshirës së tij prej Kryeministrit britanik Churchill dhe Presidentit amerikan Franklin D. Roosevelt për ta sulmuar Berlinin vetëm Ushtria e Kuqe. Sulmi sovjetik për të pushtuar Berlinin filloi më 20-04-1945 e mbaroi më 02-05-1945. Dhurata e parë që “çlirimtarët sovjetikë” i bënë popullsisë së Berlinit ishte përdhunimi masiv.

Ushtria gjermane bashkë me aleatët e saj sulmoi BRSS-në pikërisht 69 vjet më parë, më 22 qershor 1941, dhe pushtoi një pjesë të madhe të territorit të tij. Ushtria e Kuqe kundërsulmoi, e rimori territorin e humbur dhe më pas vazhdoi sulmin e pabërë kundër Evropës; por pushtoi vetëm gjysmën e saj. Meqenëse BRSS kishte lindur për qëllim lufte dhe pushtimi të botës, ai u mbajt gjallë vetëm prej Luftës së Ftohtë. Gjermania humbi Luftën II Botërore, por sot ajo është shteti më i fuqishëm në Evropë, të cilës të gjithë i lypin. Tensioni i lindur në Evropë prej pushtimit sovjetik, ngarkesa e stërmadhe e shpenzimeve ushtarake sovjetike dhe shuarja e Luftës së Ftohtë e dhanë pasojën e tyre: fitimtari i madh i Luftës II Botërore, Bashkimi Sovjetik, u thërrmua dhe nuk ekziston më. Kush do ta donte këtë lloj fitoreje?

No comments: