Tuesday, August 3, 2010

Një taksë për Pandi Laçon

Luan Laze



Nëse në faturën e elektrikut, do të shtohej edhe një taksë për emisionet e Pandi Laços, do e paguaja me kënaqësi. Edhe pse nuk i kam qejf taksat, në këtë rast do bëja përjashtim. Është një lloj honorari, që unë dhe mijëra të tjerë, do ia dhuronim me kënaqësi këtij krijuesi të talentuar.Pandi Laço është nga ata punonjës televizioni që nuk punon vetëm për vete. Puna e tij, duke qenë publike, shkon atje ku është nisur, tek shikuesit. Gjithçka që realizohet në studiot televizive ka një synim: shijet e publikut. Ai kërkon nostalgjinë, historinë, dramat, muzikën, dashuritë. Emisionet që realizon Pandi Laço në Tv “Klan”, na i përcjellin mrekullisht këto. Ndryshe nga shumë kolegë dhe ekrane të tjera që na detyrojnë t’i përzëmë me neveri nga shtëpitë tona nëpërmjet pultit. Këto janë rastet kur gazetari dhe televizioni kanë punuar vetëm për qejfin e vet. Qejf që nuk ka asnjë lidhje me shijet e publikut, inteligjencën e tij e moralin. Sepse për qejfin tënd, mund të krijosh shumë gjëra të shëmtuara e të neveritshme. Jo vetëm në ekran. Në politikë, art, sport, arkitekturë.Ndërsa Pandi Laço është i veçantë. Skenarist, prezantues dhe autor tekste këngësh, ai ka ditur të ngjisë tek publiku. Jo rastësisht. I gatuar në një familje krijuesi shumë të njohur, ai po përcjell në mënyrë të shkëlqyeshme prej vitesh dijet e përfituara nga tradita. Traditë që i ka rrënjët nga Korça e bukur dhe Dardha e prejardhjes. Këto e kanë ndihmuar shumë. Por nuk mund të jenë të vetmet dhe përcaktuese. Nëse krijuesi nuk është tokësor, sigurisht që nuk do të krijojë për askënd. Laço junior po na tregon të kundërtën. Edhe vetë nuk di sa ta përcaktoj në këtë shkrim: gazetar, skenarist, organizator. Sepse ai i ka bërë të gjitha shumë mirë. I thjeshtë, komunikues, fjalëpak, Pandi ka treguar vlerat e një drejtuesi shumë të përgatitur e të mençur. Poshtë e lart dëgjon të thuhet: Sa i bukur ishte mbrëmë tek TV Klan “Histori me zhurmues”! Të majtë e të djathtë. Të rinj e të vjetër. Kjo simpati për emisionin vjen nga aftësia e drejtuesit të tij. Pandi Laço ka sjellë në studio njerëzit që përfaqësuan një epokë. Me të mira dhe të liga. Me nostalgji dhe padrejtësi. Vetëm ky tregues është një vlerë e lartë profesionale. Njerëzve u interesojnë të vërtetat e së kaluarës. Dhe atë e gjejnë tek personazhet e “Histori me zhurmues”. Ndërsa ajo çfarë e bën më të spikatur Pandi Laçon nga kolegët e tij, është drejtimi mjeshtëror. Si koleg, jam befasuar ndaj dhe shkruajta këto radhë. I thjeshtë, tepër i thjeshtë, e i qartë në pyetje, Laço e lejon të ftuarin të rrëfejë. Kjo duket si mrekulli profesionale, në kohën që drejtuesit e tjerë e përdorin ekranin për të na thënë: shikomëni mua sa i mençur jam! Pandi pyet qartë dhe thjeshtë për ta bërë të ftuarin të rrëfejë. Ky është një sekret që e shndërron emisionin e tij të pëlqyeshëm. Pastaj vijnë të tjerat. Duhet të jesh i mençur që të bësh pyetje të shkurtra e të qarta. Duhet të kesh njohuri mbi periudhën për të cilën bëhet fjalë, që të formulosh pyetjen e saktë. Dhe ai i bën për bukuri! Pastaj personazhi i radhës çlirohet dhe, në kufijtë e një sinqeriteti të habitshëm, bëhet i dashur edhe për ne. Ai tregon historinë e tij, dramën, sukseset, gënjimet dhe zhgënjimet. Vini re sa të thjeshtë janë edhe ata. Qofshin heronj të dikurshëm apo viktima. Rrëfejnë sinqerisht dhe me emocion jetën. Askush nuk mburret për lavdinë e vet apo për fatkeqësitë e shumta. Sepse ne, shpesh herë jemi të çuditshëm. Mburremi me fatkeqësitë tona. Sinqeriteti është tjetër gjë, ndërsa mburrja me to më duket absurde. Tek emisioni i Laços ka sinqeritet dhe thjeshtësi. Këtë mënyrë të rrëfyeri ia imponon intervistuesi. Kur ke përballë një gazetar të thjeshtë dhe konkret, je i detyruar të përgjigjesh si ai. Drejtuesi i emisionit ka fituar respektin e të gjithëve, duke e quajtur gazetar me kulturë e interesant. Shpesh nuk e ndajnë dot nëse pëlqejnë emisionin apo drejtimin e prezantuesit. Kjo është udha për të fituar simpatinë e shikuesit. Megalomania dhe oratoria e drejtuesit, shpesh na detyron të përdorim pultin. Pandi Laço e ka gjetur sekretin dhe është i mirëpritur në ekranet e shtëpive tona. Prej tij përfitojnë shpirtërisht të gjithë, i ftuari, spektatori dhe ekrani ku realizon emisionin. Pandi freskon artistikisht të kaluarën. Lënda e parë është ajo. Këngët e shekullit janë kënduar dikur. Gjenitë e vegjël interpretojnë çfarë kanë kënduar të tjerët. Në histori me zhurmues, jetët e të tjerëve janë materiali bazë. Por të risjella në mënyrë bashkëkohore dhe të freskët, siç i bën Laço në Tv “Klan”, na emocionojnë thellë, sikur po i ndjekim për herë të parë. Me pak retushim, Laço na bëri të ndjehemi krenar se kemi patur vlera të vërteta artistike. Kujtoj një nga paradokset e librave të mi: sot e tutje miqve tanë do t’u urojmë një të kaluar të lumtur!
Pandin e kam takuar vite më parë, kur isha i ftuar në një pos Kampionat Botëror që transmetonte Klani në ndërtesën e parë të tij. Së bashku me Agron Llakajn, Din Zhegën e të tjerë, komentonim ndeshjet. Që atëherë më bëri për vete. I thjeshtë, i qeshur, ngacmues për të na detyruar të flisnim të çliruar. Laço tregoi se di të bëjë emisione të bukura. Më pas erdhën të tjerë. Veçanërisht më ka befasuar “Gjeniu i vogël” dhe “Këngët e Shekullit”. Këtu aftësia profesionale është e jashtëzakonshme. “Këngët e shekullit” ishin performanca më e shkëlqyer drejtuese dhe artistike. Skenarist dhe prezantues i edicionit të dytë, Pandi më detyroi të lija çdo punë dhe në mbrëmje të isha para ekranit. Kush e bën këtë? Janë të rrallë. Përveç mrekullive të këngëve tona të pavdekshme, drejtimi i tij ishte nota e parë muzikore e këtij programi. Ndërsa edicionin e fundit të “Gjeniut të vogël” ia besoi një prezantueseje tepër të suksesshme. Suela Demiri ishte një befasim për spektatorin. Duke ndjekur “Gjeniun …” nuk dije kë të falënderoje më parë, Tv “Klanin”, fëmijët brilantë, këngët e bukura, apo Pandi Laçon. Puna e tij ishte skenari. Këtë e shikoje tek teksti i prezantueses, dialogët, surprizat. Për “Gjeniun e vogël” këto janë radhë të vonuara. Por janë të besueshme. Emocione të rralla kam provuar në këtë program. Edhe këtu ishte mendja e Pandi Laço. Kam të drejtë të them se ky krijues nuk punon vetëm për vete. Kur ai merr pagën për punën e tij, duhet ta dijë se ndërkohë edhe miliona urime i kanë vajtur.
Do isha i kënaqur të paguaja tek fatura e dritave një zë të veçantë për Pandi Laçon. Ka diçka të veçantë ky krijues që edhe kur del vetë në ekran, apo kur është pas kamerave, ke dëshirë t’i ndjekësh emisionet. Shikoni sheshet e qyteteve që nga jugu në veri si mbushen mbrëmjeve të bukura plot e për plot me spektatorë! “Maratona e këngës qytetare” ua ka bërë të bukur jetën atyre banorëve, por edhe ne, shikuesve të ekranit. Shkurt, të gjithë emisionet që kanë firmën e Pandi Laços janë të bukur e me shumë vlerë. Nuk e di konkretisht kush është ideatori. Unë shikoj Laçon si skenarit e drejtues dhe jam i kënaqur, sepse ai kurrë nuk më zhgënjen. Puna e tij krijuese në Tv “Klan” e ka bërë këtë ekran mjaft të dashur për të gjithë shqiptarët. Sigurisht, aty ka edhe emisione të tjera të bukura, si “Opinion” i Blendi Fevziut, mëngjesi i Aldos, etj, që kanë shikues të shumtë dhe të përhershëm. Por u ndala tek ato që kanë emrin e Laços, sepse më duket se bën një punë shumë të madhe e profesionale dhe ka një modesti të habitshme. Në këtë rast, ne jemi të detyruar t’ia themi publikisht vlerat si kompensim për modestinë.Ndërsa vera po na përvëlon, Laço na freskon në “Histori me zhurmues” dhe “Maratona e këngës qytetare”. Sigurisht një staf e ndihmon në punën e tij. Por kur këto shkrihen artistikisht, atëherë kemi një televizion profesional dhe gazetar të talentuar. Pandi Laço është drejtuesi dhe skenaristi model. Krijues si ai janë të rrallë dhe duhen vlerësuar. Profesionalizmi i tij nuk qëndron tek mendjemadhësia e dukja. Në të gjitha realizimet televizive është edhe një tjetër me atë mbiemër, Blendi Laço. Regjisori i padukshëm që përcjell mrekullisht idetë e të vëllait. Fjalët që thashë për Pandin i meriton edhe ai. Por nuk është faji im, që publiku nuk pranon të lavdëroj dy krijues nga një derë. Nëse do të ishte për ndëshkime, atëherë ndryshon puna! Do i mirëprisnin. E kemi treguar në dekada. Tamam si në dramat e personazheve në “Histori me zhurmues”. Sepse pak gjëra kanë ndryshuar. Mentaliteti është po ai. Ka fusha futbolli apo ekipe që një lojtar i talentuar jep më shumë nga aftësitë e tij. Pandi Laço në ekranin e Tv “Klan”, më duket se është në ekipin dhe në fushën e duhur. Prandaj loja artistike që po na dhuron nga një emision në tjetrin është e bukur, e veçantë dhe emocionuese. Faleminderit Pandi!
luan.laze@hotmail.com



No comments: