Tuesday, August 3, 2010

Kultura do të vihej përballë një rreziku kolosal sikur asaj t’i mungonte instinkti dhe vullneti politik

Tomas Man
image

(nga eseja "Kultura dhe politika", 1939)

(...) Fakti që unë arrita të bëhem ithtar i demokracisë është rezultat i bindjeve që nuk e pata të lehtë t'i përvehtësoja, madje që fillimisht ishin të huaja për mua, ngase isha rritur dhe edukuar me traditat shpirtërore të filistinizmit gjerman. Por unë formova bindjen se politika, socialja janë pjesë përbërëse dhe e pandashme e Njerëzores, se intelekti ynë duhet t'i përfshijë ato tek problemi unik i humanizmit, sepse, përndryshe, nëse ne do të shpërfillnim elementin politik, social, të pandashëm prej humanizmit, mund të na shfaqej një humnerë e rrezikshme dhe vdekjeprurëse për kulturën.

Mos vallë duket e çuditshme kur them se unë thjesht e barazoj demokracinë me politikën, duke e përcaktuar demokracinë, si aspektin politik të Shpirtërores, si gatishmëri të Frymës ndaj politikes? Njëzet vjet më parë, në librin voluminoz "Meditimet e një apolitiku", që më kushtoi përpjekje aq të mundimshme, i dhashë këtij përcaktimi një theks polemik mohues. Në emër të kulturës e madje të lirisë, iu kundërvura me të gjitha forcat asaj që e quajta "demokraci" duke pasur parasysh me këtë politizimin e jetës shpirtërore. Sipas botëvështrimit tim të asaj kohe koncepti “liri” do të thoshte liri etike, ndërsa për bashkëlidhjen e saj me lirinë qytetare unë pothuaj nuk dija dhe nuk doja të dija asgjë. Por vetënjohja, nëse i kushtohesh asaj me seriozitet të mjaftueshëm, përfaqëson, në shumicën e rasteve, hapin e parë drejt rilindjes së brendshme. Unë kuptova se njeriu, duke njohur veten, nuk mbetet kurrë plotësisht sikundër qe më parë. Vetë ai libër, me synimin e tij të spikatur për të folur njëherësh për të gjitha, ishte shprehje e krizës, pjellë e rrethanave të reja të krijuara nga ngjarjet e jashtme katastrofike. Problemi i Njeriut, problemi i humanizmit ngrihej përpara vështrimit shpirtëror të brezit tonë me tërë ndërlikimin e tij dhe me një ngutshmëri të paparë deri atëherë. U bë e qartë se jetën shpirtërore nuk mund ta ndaje si me sëpatë nga politika; se mendimi që mund të krijohen vlera kulturore duke ruajtur apolitizmin përfaqëson lajthitjen e ideologjisë borgjeze gjermane; se kultura do të vihej përballë një rreziku kolosal sikur asaj t'i mungonte instinkti dhe vullneti politik.

...Pretendimi për pavarësinë e kulturës ndaj politikës është lajthitje, vetëmashtrim. Është e pamundur t'i ikësh politikës në këtë mënyrë. Më e mundshme është të gjendesh në anën tjetër të barrikadës... Apolitizmi nuk është gjë tjetër veçse antidemokratizëm e, se çdo të thotë kjo pikërisht, në ç'mënyrë vetëvrasëse një pozitë e tillë sfidon gjithë arritjet shpirtërore, zbulohet me qartësi të jashtëzakonshme në kthesat e forta historike.

No comments: