Saturday, August 7, 2010

Pittella: “Europa i thotë politikës shqiptare: Mjaft, zgjidhni krizën!”

image
Vizita/ Nënkryetari i Parlamentit Europian, Gianni Pitella viziton Vlorën dhe flet me qytetarët

Takimi dhe biseda me Zv/kryetarin e Parlamentit Europian, Gianni Pitella në mbrëmjen e së mërkurës është cilësuar eveniment i rëndësishëm për intelektualët e Vlorës. Duke shfrytëzuar qëndrimin e tij në Vlorë si pushues, deputetët Fatmir Toçi dhe Taulant Balla, në bashkëpunim me Konsullatën Italiane në Vlorë, mbështetur edhe nga Bashkia e Vlorës, kanë bërë të mundur bashkëbisedimin e gjatë me z. Pittella. Por ky nuk ishte thjeshtë dhe vetëm takim me vlonjatët. Në të morrën pjesë edhe deputeti i Tiranës Besnik Bare, konsulli i Përgjithshëm Italian në Vlorë Dr.Sergio Strozzi, drejtues të Bashkisë dhe të Partisë Socialiste. Takimin e çeli deputeti i Vlorës Fatmir Toçi I cila tha se: “e konsideroj një eveniment të rëndësishëm këtë takim me intelektualë të Vlorës me njërin nga personalitetet më të rëndësishëm të Parlamentit Europian, që është edhe një mik i rëndësishëm i Shqipërisë në institucionet europiane”.

Një leksion për ekonominë

Në fjalën e tij hyrëse, funksionari i lartë i PE-së, është shprehur: “Falenderoj për pjesëmarrjen tuaj në këtë takim të përbashkët. Unë ndjehem shumë i kënaqur që ndodhem në Vlorë për të pushuar disa ditë. Dua të falenderoj deputetin Taulant Balla dhe nëpërmjet tij zotin Edi Rama, kryetarin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, falenderoj edhe deputetët Besnik Bare, Fatmir Toçi, si dhe Konsullin e Përgjithëshëm në Vlorë z. Sergio Strozzi, që jemi të gjithë bashkë këtu. Duke nisur këtë bashkëbisedim, nuk mund të rri pa përmendur krizën që ka përfshirë shumë vende dhe që pritej ta përfshinte edhe Shqipërinë. Kriza filloi në Amerikë dhe do të mbërrinte edhe tek ne. Çfarë është kriza, duhet menduar si një njollë e zezë, apo që erdhi papritur? Mendimi im është se ajo dihej dhe pritej, ajo çka e thelloi ishte kriza financiare. Ajo çfarë unë do të këshilloja si zgjidhje në këtë situatë krize është qevrisje ekonomike për euron dhe eurozonën. Së dyti, është se duhet vigjilencë, kontroll të merkatove financiare dhe, së treti, është zhvillimi ynë në euro, zgjerimit më tej me Europën. Në fillim u zgjeruam në lindje me vendet e Europës lindore, tashmë do të vijojmë zgjerimin edhe në Ballkan dhe është ky një argument më shumë që e konsiderojmë Shqipërinë si pjesë të BE-së. Duke i hedhur një vështrim botës sot, shohim se fuqitë që kanë pasur më tepër ndikim gjatë periudhës së mëparshme kanë qenë Amerika, Rusia, ndërkohë sot fuqinë më të madhe e kanë vende të tjera si India, Kina, Japonia, Brazili. Pikërisht për këtë duhet të hedhim vështrimin përqark edhe në zonën e Ballkanit për ta përfshirë ashtu sikurse mendohet për Shqipërinë, Maqedoninë dhe më tej pjesën veriore të Mesdheut. Pikërisht për këtë gjë ne po luftojmë në mënyrë të tillë, që Shqipëria të përfitojë liberalizimin e vizave, lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë në BE dhe në mënyrë të veçantë lëvizjen e të rinjve. Unë jam i bindur se muajt e ardhshëm, PE do të procedojë me liberalizimin e vizave edhe për Shqipërinë.

Situata politike

Për t’ia arritur kësaj që dëshironi ju, por edhe PE, duhet të pohojmë se klima politike në Shqipëri nuk na ndihmon. Nga takimet që kam bërë më parë me strukturat dhe autoritetet politike të institucioneve në Shqipëri, kemi kërkuar trasparencë përsa i përket zgjidhjes së krizës. Nga ana e PS, partisë sime në Shqipëri, unë kam gjetur dhe kam prekur angazhimin e plotë për të bërë transparencën dhe për të gjetur një zgjidhje të kësaj krize. Por, fatkeqësisht këtë gadishmëri nuk e shoh nga partitë e tjera, thënë copë tek maxhoranca. Ka qenë e qartë kërkesa e BE-së për zgjidhjen e kësaj krize, që do të thotë bërja e trasparencës, bërjes sa më hapur të procedurave. Nuk nisem nga fakti, që natyra ime është e majtë, por nga fakti që duhet të kemi një shtet, se çfarë duhet të përcjellë ky shtet, se ligji është i tillë dhe duhet respektuar. Pikërisht, ky është imazhi që duhet të japë Shqipëria, që dëshiron të bëhet pjesë e BE-së. Konstatohet me keqardhje se Shqipëria është ende larg standardeve për të hyrë në Bashkimin Europian dhe fatkeqësisht klima politike nuk po ndihmon për integrimin e Shqipërisë.

Ja kush është Gianni Pittella

Gianni Pittella, ka lindur në Lauria më 19 Nëntor 1958, është i martuar dhe babai i dy fëmijëve. Jeton në Lauria të Basilikatës. Është diplomuar në mjekësi dhe kirurgji dhe është specialist në mjekësinë ligjore dhe siguracionet. Duke qenë i dashuruar me politikën si pasion civil, hyri që në moshë të re në federatën rinore socialiste dhe bëhet sekretar qarku i saj. Në vitin 1979 bëhet këshilltar bashkiak i Laurias, ndërsa në vitet ‘80 është këshilltari më i ri rajonal në Itali. Ai është kandiduar në parlament në vitin 1994 në kuotën proporcionale, dhe ka përqindjen më të lartë në PSI, rreth 30 mijë preferenca. Në zgjedhjet politike të prillit të vitit 1996, është zgjedhur në dhomën e deputetëve në kolegjiumin Lagonegrese- Val d’Agri. Anëtar i komisionit për ambientin dhe punët publike të dhomës së deputetëve. Anëtar i komisionit të politikave komunitare të dhomës së deputetëve, anëtar i seksionit parlamentar special të dy dhomave për ciklin e mbeturinave, kryetar i seksionit interparlamentar në Itali dhe Ukrainë. Është themelues dhe drejtues i revistës (Il segno mediterraneo) . Më 13 qershor të vitit 1999 është zgjedhur me 64.499 preferenca, deputet i parlamentit europian. Në qershor të 2004 është zgjedhur në parlamentin europian me 138.876 preferenca, duke u emëruar më pas sekretar i përgjithshëm i delegacionit Italian në grupin e PSE (Grupi Socialist i parlamentit Europian). Ka qenë relator i përgjithshëm i Bilancit të vitit 2006 të BE-së, anëtar i komisionit për industri kërkimi dhe energji dhe i komisionit special të përkohshëm për perspektivat financiare 2007-2013. Bën pjesë në delegazionin ndërparlamentar BE - Moldavi dhe BE – Rumani. Ka qenë anëtar i përgjithshëm i bilancit CECA (comunita’ europea del carbone e dell’ açiao – Bashkimi europian për karbonin dhe çelikun). Relator i përhershëm i komisionit të bilanceve për fondet strukturore. Ka bërë pjesë në grupin e punës së PSE-së mbi zgjerimin si dhe përgjegjës për DS-në i zyrës Italianët në Botë (Ufficio Italiani nel Mondo). Është zgjedhur deputet i parlamentit europian në qershor të vitit 2009. Gianni Pitella është zgjedhur zëvëndës kryetar i BE-së më 14 korrik 2009 në Strasburg. Është anëtar i presidencës së BE-së, i cili është organ drejtues rregullator i parlamentit Europian. Në fushëveprimin e zyrës së presidencës, kryetar i parlamentit Europian Jerzy Buzek, i ka besuar zotit Pitella, në kuadrin e statutit të tij si zëvëndëskryetar i parë, detyrën e përfaqësuesit të BE-së në këto fusha: Bilanci i parlamentit Europian, Pajtim Ligjor, Asambleja Parlamentare Euro Mesdhetare (APEM), Amerika Latine, Politika Real Estate e PE, zbatimi i statutit të deputetit dhe të asistentit të akredituar. Gianni Pitella është anëtar i komisionit për “Tregun e Brendshëm dhe Mbrojtjen e Konsumatorëve” dhe të atij për “ Problemet ekonomike dhe monetare”. Ai bën pjesë gjithashtu në delegacionin për marrëdhëniet me Shqipërinë, Bosnie– Hercegovinën, Serbinë, Malin e zi dhe Kosovën. Bën pjesë gjithashtu dhe në delegacionin e Asamblesë parlamentare Euro Mesdhetare.

Intervista/ Zv/kryetari i Parlamentit Evropian, Gianni Pitella flet ekskluzivisht për “Telegraf”

“Nuk behet shaka me hyrjen e Shqipërisë në BE”

Si gazetare e gazetës "Telegraf" në emër të lexuesve dhe të stafit, ne falenderojmë për ardhjen tuaj këtu, për të pushuar në bregdetin tonë dhe për të sakrifikuar pasditen, për të biseduar me intelektualët vlonjatë. Keni ditur të zgjidhni Vlorën, qytetin historik me vlera të veçanta dhe kontribute të rëndësishme për shtetin si dhe me bukuri joshëse, që zor se i ka vend tjetër. Ju kemi ndjekur dhe vlerësuar, që keni qenë “një avokat” i Shqipërisë në PE dhe atributet e tjera që keni, kënaqësi që ju pamë nga afër, duke konstatuar lehtë që jeni një burrë simpatik. Me këtë rast ju falënderoj që pranuat të jepni këtë intervistë ekskluzive për gazetën “Telegraf”.

- Së pari dua t’ju pyes lidhur me krizën e stërgjatur në Shqipëri, mendoni se ka ardhur momenti që edhe Europa dhe institucionet e saj, të ashpërsojnë gjuhën diplomatike ndaj politikës shqiptare, për të zgjidhur krizën që e ka bërë popullin të vuajë?

- Në rradhë të parë ju falenderoj për komplimentin, është gjë e veçantë se kjo është surprizë e një gazetareje shqiptare, por sikurse e shihni unë kam në krah z. Konsull që është shumë simpatik.(Qesh me të madhe). Duke ju përgjigjur pyetjeve tuaja, që përmbledhin edhe shqetësimin e të tjerëve, aq më tepër që do të botohen në gazetën tuaj, dëshiroj t’ju them:

Gjëja e parë ju bëj thirrje partive politike, të gjejnë konsensusin, të zgjidhin krizën. Unë jam në Shqipëri, jam këtu mes jush në Vlorë dhe që këndej dua të përcjell mesazhin me tone më të forta, për të bërë trasparencën e zgjedhjeve të shkuara, për të pasur të rregullta zgjedhjet e ardhshme. Kjo të mos merret si shaka, por me seriozitetin e duhur, pasi është në lojë hyrja e Shqipërisë në BE. Duhet kuptuar dhe vlerësuar drejt se rruga e Shqipërisë për në BE, nuk ka dy standarte, sikurse u shpreh deputeti Bare. Kriteret e Kopenhagenit që janë rregulla të cilat i përkasin ekonomisë, ligjit për ambientin e drejtësinë. Çdo kandidat në Bashkimin Europian mund të hyjë kur të arrijë standartet, por Shqipëria është larg standarteve akoma.

-Ju jeni i majtë, por a do të ishte e udhës që të takoheshit edhe me kryeministrin Berisha në një nga lokalet “Krokodil” të Vlorës, për t’i dhënë këshillën tashmë si numri dy i PE-së?

- Ju pyesni nëse do të ashpërsojë qëndrimin Europa? Europa e ka bërë punën e saj, ne e kemi thënë fjalën tonë . Shumë eksponentë politikë kanë dhënë mesazhe për politikën, kemi dhënë mesazhe të forta. Edhe sot unë thashë që rruga e Shqipërisë për në BE është që të bëhet qartësim për çfarë ka ndodhur me votat e kontestuara prej socialistëve dhe të bëhet e mundur që këto gjëra mos të ndodhin në fushatën e zgjedhjeve lokale që keni përpara. Gjykoj se është një lojë që lojtarët duhet ta luajnë në mënyrë të barabartë. Zgjedhjet duhet t’i fitojë ai që i meriton. Këtu nuk është në lojë fati i Edi Ramës apo Berishës, por i hyrjes në Bashkimin Europian.

- Zoti Pitella, po këmbëngul. Duke qenë se jeni në Vlorë, është e udhës të pini një kafe me z. Berisha, pasi edhe këtu në Vlorë ka “Krokodilë", ndoshta do të ndikonte në ndërmarrjen e një veprimi nga Maxhoranca për zgjidhjen e krizës?

- Në kontekst të pyetjes tuaj unë dua t’ju them se si mik i socialistëve dhe i Shqipërisë do të jap ndihmesën time për integrimin e Shqipërisë në BE. Këtu dua tu jap një këshillë socialistëve se kryefjalë të tyre të kenë Europën, pasi ne kërkojmë të jemi socialist të Europës, me qëllimin e vetëm që vendi juaj të jetë denjësisht pjesë e Europës. Nga ana tjetër Qeveria aktuale duhet të punojë për të arritur standartet europiane. Rrugë tjetër nuk ka për të shkuar në Europë. Ndërsa për të pirë kafe me z. Berisha, unë kam ardhur mik dhe është ai që duhet të më ftojë për kafe dhe unë jam i gatshëm.

- Ju faleminderit!

Vizitat në Vlorë

Pittella është akomodur tek hotel "Amerikani" me familjen e tij, ndërsa shoqërohet nga eurodeputeti socialist Taulant Balla, që pushon me bashkëshorten. Mysafiri i lartë do të qëndrojë në Vlorë deri të dielën. Gjatë ditës së djeshme ai vizitoi qytetin e Vlorës në imtësi, duke u ndalur tek Muzeu i Pavarësisë dhe u ngjit deri në Kalanë e Kaninës. Një drekë në Llogara, ka qenë speciale në jetën e tij. Atij i është servirur mish i pjekur dhe verë e vjetër. Masivi gjigand i pishave, pisha Flamur, panorama magjepsëse në Qafën e Llogarasë, kanë pasur vetëm një kryefjalë për numrin dy të Parlamentit Europian. Pritet që të shëtisë bregdetin, të shohë Dhërmiun e pse jo edhe Karaburunin dhe ishullin e Sazanit. Në çdo bisedë Pittella ka vlerësuar resurset turistike të bregdetit të Vlorës si të rralla, që kanë lënë mbresa të veçanta në këtë vizitë të tij të parë në Vlorë.

No comments: