Mbretëresha seksi e telenovelave dhe muzikës pop indoneziane sfidon hapur myslimanët konservatorë duke kandiduar për zgjedhjet lokale që do të mbahen në vend në dhjetor. Emri i saj i artit është Julia Perez, por në Indonezi të gjithë e njohin si Jupe, apo akoma më mirë si një seks bombë. Falë hireve të saj, këngëve pikante dhe mbi të gjitha deklaratave liberale (flet hapur për seksin në një vend me shumicë myslimane), ajo është bërë personazhi televiziv më i famshëm i Indonezisë. Sfida e fundit e kësaj tridhjetëvjeçare duket se është politika: dhjetorin që vjen ajo do të jetë kandidate në zgjedhjet lokale të Pacitanit, një zonë urbane në pjesën lindore të Xhavës, vendi i lindjes së Presidentit aktual indonezian, Susilo Bambang Yudhoyono.
Personazhi që ka ngjallur polemika
Në një shoqëri gjithmonë e më të ndarë mes atyre që shohin nga Perëndimi me interes e kuriozitet dhe atyre që vazhdojnë të predikojnë islamizmin radikal, Perez, emri i vërtetë i së cilës është Yuli Rachmawati, është një personazh që ka ngjallur shumë polemika. “Perëndimorët” vendas e konsiderojnë si imazh i Indonezisë së të ardhmes, një vend i gatshëm për të thyer rregullat tradicionale dhe plot dëshirë për t’ju hapur botës. Nga ana tjetër, myslimanët radikalë e konsiderojnë një ikonë të mëkatit. Në fakt, në vitet e fundit 30-vjeçarja seksi ka bërë gjithçka për të provokuar. Në ueb shfaqen një numër i madh fotosh me rroba provokuese dhe nxjerr në pah format e saj të adhurueshme trupore. Albumi i saj i fundit titullohet "Kamasutra" dhe të gjithë ata që e blejnë gjejnë brenda tij një dhuratë të vogël: një prezervativ. Janë të shumta ndërhyrjet e saj publike kur flet hapur për seksin dhe ku i fton të rinjtë të përdorin masa mbrojtëse gjatë marrëdhënieve seksuale për të evituar rreziqet. Disa konservatorë kanë propozuar edhe ndryshimin e rregullave për zgjedhjet për të mos lejuar pjesëmarrjen e kandidatëve të “pamoralshëm”, por pa ia dalë mbanë. Nëpër faqet e internetit dhe rrjetet sociale, një numër i pabesueshëm zgjedhësish janë rreshtuar në krah të bukuroshes seksi për të protestuar kundër ndonjë përjashtimi të mundshëm të saj.
Fëmijëri e vështirë
Pavarësisht suksesit të jashtëzakonshëm popullor, Perez nuk e harron kurrë fëmijërinë e saj të vështirë. E lindur në një familje që drejtohej nga e ëma, Julia ishte më e madhja mes tri motrave. Që e vogël ka bërë punë të ndryshme për të siguruar ushqim për vete dhe familjen. “Të gjenim ushqim për të gjithë ishte ëndrra jonë e vetme. Në atë kohë nuk kisha të tjera ëndrra, sepse nuk kisha para. Isha shumë e varfër”, deklaroi ajo në një intervistë për amerikanen “New York Times”. Më vonë, falë miqësisë me një vajzë të fejuar me një australian, zbuloi madhështinë e botës perëndimore. Punoi si sekretare në një kompani holandeze në Indonezi, pastaj u dashurua me një djalosh nga vendet e ulëta dhe u nis bashkë me të dhe ëndrrën e një jete të re drejt Holandës. Aty jetoi për tre vjet, ku mësoi gjuhën falë punës si sekretare në një kompani vendase. Më pas takoi një francez, që e futi drejt rrugës së modës. Më vonë të dy vendosën të martoheshin. Perez, që u vu re menjëherë nga stilistë dhe fotografë të njohur, shumë shpejt do të zinte faqet e para të revistave të rëndësishme si FHM dhe “Maxim”. U fut në klasifikimin e 100 grave më seksi të botës, fitoi famë dhe sukses, por dëshira e saj më e madhe ishte rikthimi në atdhe. Në vitin 2006 vendosi të linte burrin dhe Europën për t’u rikthyer në vendin e saj të lindjes. Mori një numër të madh ofertash nga regjisorë e skenaristë televizivë. E ndërtoi imazhin e një ikone seksi falë bukurisë natyrore dhe punës së palodhur.
Të punojë për të varfrit
Sot seks bomba deklaron qetësisht se nuk ka asnjë lloj eksperience politike dhe akuzon hapur politikanët e korruptuar që qeverisin vendin. “Jam një vajzë seksi dhe çfarë? Nëse më shihni si të tillë kjo nuk përbën asnjë problem për ju. Jeta juaj vazhdon si më parë. Po nëse do ju vidhja paratë, për të cilat kishit luftuar një jetë, nesër do të ngeleshit pa bukë dhe do bëheshit njerëz të pashpresë. Më mirë të jesh seksi se sa një njeri i korruptuar”, thotë ajo. Julia tregon se ka besim se do t’i fitojë zgjedhjet. Ajo thotë se do të përpiqet dhe do të luftojë për të ndihmuar të varfrit e shumtë që jetojnë në territorin e Pacitanit për të bërë një jetë më të mirë dhe t’i bindë të huajt të investojnë në vend: “Julia është një njeri shumë i ndershëm. Ka dëshirë të punojë shumë dhe të mësojë. Nuk kishte qenë kurrë më parë në Pacitan, por pasi kontaktuan me të nisi menjëherë kërkimet në internet për këtë lokalitet. Neve nuk na intereson që e quajnë një seks bombë. Të jesh e bukur është fat dhe Julia e ka këtë”, deklaron Sutikno, lideri i Hanuras, partisë politike opozitare që e bindi Perez të kandidonte për zgjedhjet e dhjetorit. Por nuk janë të paktë ata që tregohen skeptikë dhe deklarojnë se politikanët e opozitës po shfrytëzojnë imazhin e Perezit, me qëllimin e vetëm për të sulmuar Presidentin
Susilo Bambang Yudhoyon, pikërisht në vendin e tij të lindjes: “Kam dyshimet e mia për Julia Perezin. Gjithçka duket si një manovër e opozitës për të vënë në siklet Presidentin”, deklaron shkrimtarja indoneziane Julia Suryakusuma. Por, pavarësisht asaj çka thuhet, Julia, bukuroshja indoneziane, është e bindur se do të fitojë. “Një eksperiencë e re më intrigon. Vetëm kur ta shohin se ç’jam në gjendje të bëj për t’u siguruar një jetesë më të mirë atyre që kanë nevojë, jam e bindur se do më vlerësojnë të gjithë. Unë nuk dua para dhe nuk kam pse korruptohem. Do t’u siguroj të tjerëve atë çka më ka munguar mua”.
No comments:
Post a Comment