Tuesday, August 3, 2010

Këshilli i Sigurimit debaton për Kosovën

Këshilli i Sigurimit i OKB-së, me ftesë të kryesueses së radhës, Federatës Ruse, debaton të martën për Kosovën, dy javë pas vendimit të GJND-së.

Edhe Prishtina por edhe Beogradi zyrtar pritet të përqëndrojnë vëmendjen në mendimin këshilldhënës të Gjykatës.

Autoritetet serbe kanë bërë thirrje për hapjen e dialogut edhe për çështjen e statusit, ndërkohë që Prishtina zyrtare thotë se kjo çështje është mbyllur.

BE-ja e ka përshëndetur gatishmërinë e Serbisë për bisedime dhe është shprehur e gatshme për t’i lehtësuar ato.

Siç njofton korrespondenti i BBC-së në Prishtinë, Arbër Vllahiu, mbledhja e radhës e KS të OKB-së, që u thirr me shpejtësi nga Federata Ruse, si kryesuese e radhës, pritet të thellojë edhe më shumë dallimet mes Prishtinës e Beogradit mbi çështjen e statusit të Kosovës.

Të dyja palët do të këmbëngulin në qëndrimet e tyre, posaçërisht pas vendimit të GJND-së për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.

Autoritetet serbe, që kanë dorëzuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së një projekt rezolutë për Kosovën, thuhet se do të këmbëngulin në qëndrimin se mosmarrëveshjet territoriale nuk mund të zgjidhen me shkëputje, duke e cilësuar vendimin e GJND-së si të mangët.

Beogradi zyrtar pritet që të riaktualizojë sërish çështjen e statusit të Kosovës, përmes negociatave të reja.

Por, Prishtina zyrtare thotë se mendimi i GJND-së ka përmbyllur çështjen e statusit dhe se me Beogradin zyrtar do të diskutojë vetëm për çështjet e interesit të përbashkët të të dyja shteteve të pavarura.

Autoritetet në Kosovë thonë se vendimi i GJND-së ka hapur perspektiva të reja për vendin dhe gjithë rajonin.

Ndërkohë, gjendja në Kosovë në tre muajt e fundit, për të cilën periudhë do të diskutojë edhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së, nga Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki Moon, është cilësuar si e qëndrueshme.

Por, ai ka tërhequr vërejtjen për brishtësinë e situatës në veriun e vendit, pas një numri incidentesh muajin e kaluar.

Projektrezoluta serbe, thuhet të ketë ngjallur kritika në mesin e vendeve anëtare të KS të OKB-së, që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, të cilat kanë bërë thirrje për një zgjidhje të përbashkët me Serbinë.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka përshëndetur përkushtimin e autoriteteve të Serbisë për dialog dhe thotë se është në dijeni të projekt rezolutës serbe të paraqitur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Por, zyrtarë të BE-së kanë refuzuar të komentojnë mbi përmbajtjen e projektrezolutës serbe, me të cilën bëhet thirrje për dialog për të gjitha çështjet e hapura.

Në një deklaratë për BBC-në, të zëdhënëses së përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Maja Koçijançiq, thuhet se “marrëdhëniet e mira fqinjësore, bashkëpunimi rajonal dhe dialogu janë baza mbi të cilën është ndërtuar BE-ja”.

Duke ripërsëritur qëndrimin e zonjës Ashton që nga 22 korriku, pas vendimit të GJND-së për Kosovën, në deklaratën e zëdhënëses Koçijançiq, thuhet se “BE-ja është e gatshme që të lehtësojë procesin e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me pikëpamjen e promovimit të bashkëpunimit, me qëllim të arritjes së përparimit në integrimin evropian dhe për të përmirësuar jetën e qytetarëve”.BBC

No comments: