Dr. Etleva Lala /Dr. Musa Ahmeti
Territoret dhe populli shqiptar ka pasur përherë rëndësinë e një istikami, të një kështjelle për interesat e papatit në Ballkan. Sa më i fortë të ishte identiteti dhe karakteri lokal i këtij istikami, aq më pozitiv ishte ky fakt për papatin, që duke ofruar mbrojtjen e aleatëve dhe udhëheqje shpirtërore të bazuar në vullnet të lirë, mund të ushtronte hegjemoni në Ballkan. Një ndërgjegjësim i tillë i papëve, vihet re më qartë se kudo nëpërmjet papës Klementi XI i cili në Kuvendin e Arbrit lejoi zyrtarisht përdorimin e gjuhës kombëtare, që është tipari thelbësor i një kombi. Një veprim i tillë sigurisht që nuk ka si shpjegohet ndryshe vetëm se si synim që të forcohet identiteti, dhe karakteri kombëtar. Vetëm në këtë mënyrë ata do të mund të luftonin për veten dhe për mbrojtjen e krishterimit kundër pushtuesve të huaj.
Papati njeh "Mbretërinë e Arbërit"
Veprimtari e papës Klementi XI nuk është pa precedencë. Për të ilustruar përpjekje të ngjashme të papatit dhe për politikë të ngjashme të tyre ndaj territoreve arbërore, në këtë shkrim do t'i referohemi shekullit XIV, të cilin jo rastësisht, themeluesi i medievistikës shqiptare, studiuesi kroat Milan Shuflaj, e quan si shekulli kur katoliçizmi arriti kulmin në territoret arbërore. Katoliçizmi arriti shtrirjen më të gjërë në këto territore, por gjithashtu edhe intensitetin më të madh. Do ta quanim këtë shekull si shekulli në të cilin papati njeh dhe konfirmon "Mbretërinë e Arbërit", dhe jo si mbretëri anzhuine, por si mbretëri kryesisht shqiptare. Në këtë shkrim do të argumentojmë që papati përpiqet me të gjitha format e mënyrat të konsolidojë këtë mbretëri istikam dhe të ndërgjegjësojë klasën politike shqiptare për identitetin e saj dhe karakterin e saj lokal. Vetëm në këtë mënyrë ajo do të ishte e gatshme për të udhëhequr popullin shqiptar në rezistencë ndaj heretikëve dhe skizmatikëve serbë, e ortodoksë, dhe në vetëqeverisje.
Sipas studimeve të deritanishme "Mbretëria e Arbrit" u krijua në vitin 1272, kur Kari I Anzhu ua serviri atë shqiptarëve si pasardhëse të natyrshme të Principatës së Arbërit që ekzistonte tashmë që nga fillimi i shek. XIII. Anzhuinët e projektuan dhe e ndërtuan atë si një bërthamë të një perandorie të tërë ballkanike. Megjithëse fisnikëve shqiptarë u ishte premtuar që do t'u ruhej autonomia dhe do të luanin rol parësor, atyre iu shkelën pa mëshirë të gjitha aspiratat politike. Për t'i detyruar krerët shqiptarë që t'i rrinin besnikë dhe të mos ngrinin krye, Karli i parë Anzhu filloi madje të marrë peng fëmijët e tyre, të cilët i çonte e i ruante në kështjellat e Italisë së Jugut, ku këta trajtoheshin si robër. Në një situatë të tillë - këtu në fakt nuk kam përmendur aspektet e tjera të regjimit të rreptë shfrytëzues të Anzhuinëve, si taksat e detyrimet që i imponoheshin popullsisë vendase në mënyre arbitrare - popullsisë vendase dhe fisnikërisë vendase nuk i mbetej tjetër veçse t'i kundërvihej këtij sundimi. Forcë tërheqëse e këtij orientimi të ri kundërvënës të aristokracisë shqiptare u bënë ata fisnikë që kishin mbajtur qëndrim të rezervuar ndaj anzhuinëve, e që nuk ishin përfshirë në "Mbretërinë e Arbrit" gjë që ata e kishin dëshiruar në fillim, me shpresën që do të mbroheshin nga mbretëria serbe që i kërcënonte vazhdimisht. Të tillë ishin Pal Gropa e Gjin Muzaka, zotër përkatësisht të zonës së Dibrës dhe asaj të Beratit. Me këta fisnikë qenë bashkuar edhe të tjerë, nga ata që ishin njohur si vasalë të mbretit Karl I, të cilët ky i fundit i quajti "tradhëtarët e mi" (preditores nostros). Të tillë fisnikë ishin Blinishtët, Skurrajt, Jonimët etj. Duke qenë të sulmuar nga mbreti serb Stefan Uroshi II Milutini, që kishte ardhur deri në vijën Mat-Ohër, në vitet '90 të shek. XIII, shqiptarët filluan t'i rimarrin në konsideratë ndihmën që mund t'u ofronin anzhuinët në neutralizimin e tensioneve me fqinjët sulmues: serbët dhe bizantinët. Në këtë kuadër, në shtator të vitit 1304, bashkësia qytetare e Durrësit dhe krerët shqiptarë nga familjet Matranga, Arianiti, Skurra, Blinishti, Zenebishti, Shpata etj., njohën për kryezot princin Filip të Tarentit, djalin e mbretit Karl II Anzhu, i cili i ndihmoi shqiptarët në luftë kundër serbëve pushtues.
Qëndrimi i Selisë së Shenjtë ndaj shqiptarëve
Dokumenti i parë papnor që përmend "Mbretërinë e Arbrit" është nga viti 1317. Që nga viti 1272, kur kishte filluar të ekzistonte Mbretëria e Arbërit e deri në vitin 1317, papati nuk e kishte njohur atë si formacion politik. Arsyet nuk na janë treguar asgjëkundi në mënyrë ekplicite, por po të marrim në shqyrtim kohën dhe kontekstin kur papati filloi ta njohë atë si formacion politik, ndoshta mund t'i kuptojmë vetë këto arsye. Dokumenti i parë kur fillon të përdoret termi regnum Albaniae (Mbretëri e Arbrit) në kancelarinë papnore, është nga pontifikati i papës Gjoni XXII (1316-1334) i cili kërkon që Guljelm Montegrano, ipeshkvi i Kunavisë, në kryeipeshkvinë e Durrësit, në "Mbretërinë e Arbërit," të paraqitet në Avinion. Megjithatë kjo përmendje e Regnum Albaniae në dokumentet papnore nuk është as lapsus dhe as rastësi. Këtë e vërteton vargu i bulave papnore që ndjekin këtë dokument. Nga këto bula kuptojmë që Kuria Papnore, jo vetëm që njeh statusin e Mbretërisë së Arbërit si të tillë, por edhe di kufijtë e kësaj mbretërije, njeh mirë dhe klasën udhëheqëse të saj që në sytë e papatit është dhe duhet të jetë fisnikëria vendase, duke theksuar kështu karakterin kombëtar të kësaj mbretërie. Le të analizojmë disa nga dokumentet papnore që përmendëm më lartë:
Kontët, marshalët dhe banorët shqiptarë në shek.IV
Më 17 qershor të vitit 1319 papa Gjoni XXII u dërgon letra Muzakajve: Mentul Muzakës, kontit të Këlcyrës, Ndre Muzakës, marshallit të mbretërisë së Arbërit, Theodor Muzakës, protosevastorit të mbretërisë së Arbërit, që i kishin pronat e tyre në jug të Shqipërisë së sotme; princërve të Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut: Guljelm Blenishtit, protosevastor, Guljelm Aranitit, protholegaturor, Kalogjoni (Calojohanni) Blenishtit, Pal Matrangës dhe baronëve të tjerë të mbretërisë së Arbërit, si dhe Radislaut, kontit të Arbërit, duke u treguar që ai e dinte se ata po vuanin nën tiraninë e rëndë të mbretit të Serbisë, dhe duke i nxitur që t'i bëjnë rezistencë, si dhe duke i siguruar që ai do t'i ndihmojë me gjitha mundësitë.
Duke u nisur nga këto letra papnore që kanë si qëllim që të arrijnë të gjithë forcat politike shqiptare, Shuflaj ka arritur të përcaktojë thelbin e Shqipërisë etnike të mesjetës. Si kufirin jugor ka marrë territoret që posedonte Mentulo Muzaka në Këlcyrë, si lindorë ka marrë territoret e Ohrit dhe të Dibrës, ku shtrinin sundimin e tyre Matrangët dhe si veriorë territoret e Blenishtëve që posedonin Mirditën deri në Ulqin dhe Danjë. Do të ishte më e saktë nëse këto territore do t'i konsideronim si territoret e mbretërisë së Arbërisë si formacion politik dhe jo si territoret e Shqipërisë etnike që shtriheshin shumë më gjerë se kaq. Kjo kuptohet akoma më mirë po të kemi parasysh që papati në përgjithësi në mesjetë zhvillonte korrespondencë ose me vartësit e tij: subjekte religjioze si kryeipeshkvë, ipeshkvë, kryedhjakë, dhjakë, abatë, etj), ose me pushtete politike të njohura prej tij si të tilla, dhe jo me kombe (koncept i cili nuk ishte i zhvilluar në atë masë në mesjetën e shek. XIV-të sa të kërkonte adresim si i tillë). Duke pasur parasysh këtë, duhet tërhequr vëmendja tek fakti që papa Gjoni XXII-të, në bulat e tij i drejtohet formacionit politik të njohur prej tij dhe pikërisht Mbretërisë së Arbërisë, prandaj dhe kufijtë e këtij formacioni politik nuk duhen identifikuar me kufijtë etnikë të kombit shqiptar.
Nuk ndodh shpesh që papati t'i drejtohet me emër dhe me titull secilit nga fisnikët e një mbretërie. Rasti më i zakonshëm është që papa i drejtohet mbretit me emër, dhe fisnikëve në përgjithësi. Me këtë përjashtim, papa Gjon XXII donte njëkohësisht të tregonte që ai njihte si forca udhëheqëse të mbretërisë së Arbërisë fisnikët në fjalë, dhe e njihte Mbretërinë e Arbrit me kufijtë e territoreve që ata posedonin. Konkluzioni i natyrshëm i gjithë kësaj është që papati njihte karakterin lokal të kësaj mbretërie.
Përkrahje për Mbretërinë e Shqipërisë
Arsyeja se përse papati e përkrahte karakterin lokal të kësaj mbretërie nuk është shumë e vështirë për t'u hamendësuar. Në mesjetë bashkimi i Evropës, të cilit sot i kushtohet kaq vëmendje dhe rëndësi, ishte realizuar nëpërmjet kishës katolike, në krye të të cilës ishte papa dhe kuria papnore. Kisha katolike nuk kishte ndikim të fuqishëm vetëm në jetën shpirtërore, por kishte një dorë shumë të fuqishme mbi të gjithë jetën politike, sociale, ekonomike, kulturor. të Evropës së asaj kohe, duke përfshirë këtu vendimet e princërve dhe mbretërve, të cilat në pjesën më të madhe nuk mund të hynin në fuqi pa miratimin e saj, deri tek shfrytëzimi i resourceve natyrore dhe njerëzore të të gjithë vendeve të Evropës perëndimore. Këtij bashkimi evropjan megjithatë, i mungonte pjesa lindore, e cila ishte kryesisht nën ndikimin skizmatik të Bizantit. Pas kryqëzatës së katërt kur Bizanti mori të tatëpjetën, shpresat e papatit për një bashkim evropjan u rritën së tepërmi. Nëse deri në fund të shek. XIII papati ishte përpjekur që këtë bashkim ta arrinte me luftë, me anën e kryqëzatave, karakteristike për shek. XIV është që ai i kushton rëndësi primare rrugëve diplomatike.
Duke parë që shqiptarët nuk mund të duronin sundimtarë të huaj, papati me siguri mendoi që të përdorte rrugën diplomatike për t'i arritur ata, d.m.th duke bërë kompromis dhe duke u dhuruar atyre atë që shqiptarët vetë kërkonin: mbretëri me karakter vendas, por që të ishte e ndihmuar për të përballuar rrezikun e jashtëm të pushteteve fqinjë. Gjatë historisë së tij, papati kishte mësuar që punët shekullore është më mirë t'i marrin përsipër pushtetet shekullore, d.m.th forcat politike, por me kusht që këta të njihnin autoritetin shpirtëror papnor, dhe dorën udhëheqëse të papatit. Shqiptarët kishin ardhur në një pikë kur kërkonin të njejtën gjë: vetëqeverisje, por edhe një ndihmë më të lartë si dhe aleancë me armiqtë e armiqve të tyre, që ishin forcat e bashkuara perëndimore kundër forcave skizmatike lindore.
Papati kërkonte bashkim evropian mes partnerësh, d.m.th. ku çdo formacion politik të kishte identitetin e tij, dhe nuk kërkonte të bënte vartës në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Kjo e shpjegon edhe faktin se përse sot e kësaj dite vendet e Evropës perëndimore, që kanë qenë pothuajse gjithmonë nën autoritetin shpirtëror të papati nuk kanë probleme shqetësuese me identitetin kombëtar, dhe me kulturën qeverisëse të shteteve të tyre, siç kanë vendet e Evropës lindore që pothuajse gjithmonë kanë qenë në skaj të ndikimit papnor. Franca, Italia, Gjermania etj. që kanë qenë vendet më katolike, ishin ato që u bënë djepi i nacionalizmit, humanizmit, lirisë së mendimit dhe zhvillimit të shkencave të ndryshme, thjesht sepse kishin një identitet të zhilluar mirë, dhe kulturë qeverisëse.
Në rastin e Mbretërisë së Arbërisë, papati ishte i interesuar që forca politike vendore të kishte hapësirë vetëvepruese, dhe të kishte identitetin e saj, sepse vetëm në këtë mënyrë ajo do të mund t'u rezistonte forcave pushtuese serbe dhe bizantine. Nëse këto forca vendore nuk do të kishin karakter kombëtar dhe identitet të fortë si forcë politike, ato rrezikonin të shuheshin e të asimiloheshin nga pushtuesit serbë e bizantinë, dhe papati nuk do të kishte asnjë fitim nga kjo dhe asnjë shans tjetër për të vendosur hegjemoni në Ballkan. Duke kuptuar këtë gjë papati vendosi që Mbretërisë së Arbërisë, t'i jepte njohje ndërkombëtare si e tillë, dhe të punonte për të forcuar karakterin dhe identitetin e saj vendas, nëse nuk duam ta quajmë këtë identitet kombëtar. Për këtë ai e nxiti dhe përkrahu atë që të merrte iniciativa dhe për të treguar veten të pjekur dhe të pavarur, dhe për të luajtur rol si e tillë në arenën ndërkombëtare, siç ishte rasti i kryqëzatave të programuara kundër serbëve, në vitin 1319, 1334, 1354 e më vonë.
Ndërgjegjësim nga Selia e Shenjtë
Në këtë mënyrë kemi argumentuar edhe pohimin tjetër që bëmë në fillim të këtij shkrimi: që papati kërkon me të gjitha format e mënyrat të ndërgjegjësojë klasën politike shqiptare për karakterin e saj, dhe ta forcojë identitetin e saj si e pavarur. Për ta plotësuar këtë mund të themi që nga mënyra sesi papati u drejtohet forcave politike shqiptare, të bën të kuptosh që ai po nxit në radhë të parë bashkimin e këtyre forcave. Nuk është rastësi që papati u drejtohet atyre në grupe: në një letër Muzakajve, në një tjetër Blinishtëvë, Aranitëve, Matrangëve, dhe në një tjetër Ladislau Jonimës, kontit të Dioklesë dhe të Arbërit bregdetare. Në botimin e ri të "Historisë së Shqipërisë" disa nga këto dokumente interpretohen sikur ata donin të braktisnin ritin ortodoks dhe të përqafonin katoliçizmin, duke u ndarë edhe kishërisht nga pushtuesit serbë, por letrat origjinale nuk lënë të kuptosh një gjë të tillë, përkundrazi një gjë e tillë është e pasaktë dhe e pambështetur në argumente. Papa Gjoni XXII u drejtohet atyre si "dilectis filiis" dhe një adresim i tillë nuk u bëhej kurrë atyre që nuk ishin tashmë katolikë të devotshëm. [Në bulat e përmendura më sipër kemi këto adresime: Dilectis filiis nobilibus viris Mentulo Musatio comiti Clissaniae Andreae Musatio regni Albaniae marescallo et Theodoro Musatio prothosevastori...; Dilectis filijs nobilib[us] viris Guil[e]lmo Bleniste prothosevastoni. Guil[e]lmo Aranite protholegaturo Caloiobani Bleniste comiti Paulo Materango ceterisq[ue] baronibus Regni Albanie...; Dilecto filio nobili viro Baldislao Conome Dioclee et maritime Albanie comiti...] Një adresim i tillë madje i bëhet edhe Ladislaut, i cili nga emri duket si sllav. Është pikërisht emri i tij ai që i ka ngatërruar shumë studies seriozë që ta quajnë atë katolik. Në Acta Albaniae në komentin onomastik të autorëve, ai është quajtur sllav dhe i ritit grek. Në fakt, pas një shqyrtimi të kujdesshëm të letrave origjinale që ruhen në ASV, del qartë që Ladislau adresohet si dilecto filio, d.m.th. konsiderohet si katolik i devotshëm. Kjo gjë nuk duhet të na çudisë në fakt, sepse dihet tashmë që Dioklea ishte nën ndikimin e princeshës katolike, gruas franceze të mbretit Stefan I Urosh, Helenës, dhe ajo vazhdonte një aktivitet të dendur katolik, dhe një korrespondencë mjaft të gjallë me papatin në lidhje me çështjet e besimit. Pas vdekjes së burrit të saj, mbretit Stefan I Urosh, mbretëria serbe u nda në tre pjesë: midis dy djemve dhe nënës mbretëreshë. Kjo e fundit mori Dioklenë nën sundimin e saj të plotë, dhe sigurisht që vazhdoi aktivitetin e saj katolik. Në këtë kuadër, nuk ka pse të jetë çudi që një sllav nga zona e Dioklesë të jetë katolik i devotshëm dhe një ndër forcat kryesore politike të Mbretërisë së Arbërit, që në thelb ishte katolike. Fakti që ai ishte sllav nuk duhet të na lëkundë as në lidhje me atë që kemi pohuar, që papati dëshironte të forconte identitetin lokal të mbretërisë.
Duke pasur parasysh që në mesjetë nuk ekzistonte koncepti komb, pra as kriteret që përbëjnë një komb siç është gjuha, zakonet dhe kultura e përbashkët si mjet identiteti kombëtar, dhe hapësira e përbashkët gjeografike, mbretëritë nuk bazoheshin në të tilla kritere. Duke qenë injoratë për kritere të tilla që janë moderne, mbreti dhe oborri i tij, nuk bënte diferencime të bazuara në bazë të tyre, të gjithë banorët e çfarëdo lloj gjuhe dhe kulture, që ishin në territorin e mbretërisë trajtoheshin njëlloj. Po kështu edhe subjektet e mbretërisë zakonisht nuk ndiheshin të persekutuar përsa i përket këtyre tipareve dalluese që sot përbëjnë kombin.
No comments:
Post a Comment