Saturday, August 7, 2010

Shtetësi për të gjithë shqiptarët?

Shekulli
Nazim Rashidi
Një ide e bërë publike para disa kohësh se Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, duhet të mundësojë shtetësinë shqiptare për të gjithë shqiptarët kudo ku janë, fillimisht u mbështet gjerësisht në Maqedoni. Ideja u përkrah edhe nga politikanë, por sidomos nga organizata civile shqiptare.

Por, Partia për Prosperitet Demokratik, një parti jashtë parlamentare, tha se ideja është "një patriotizëm i rrejshëm", madje sipas saj ideja shkon në dëm të vetë shqiptarëve.

Opinion të ngjashëm ka edhe juristi dhe opinionisti Artan Sadiku: "Problemi i parë është paparashikueshmë ria. Nuk e dimë se çfarë procesesh sociale dhe politike do të lindin nga ideja. Prandaj duhet menduar mirë.

Çështja e dytë është se brenda Shqipërisë do të zvogëlohet fuqia votuese dhe vendosëse e qytetarëve, sepse kur je shtetas i një vendi, ke të drejtë të zgjedhësh dhe të zgjidhesh. Gjithashtu, prezenca dhe forca e shqiptarëve në shtetet e tjera jashtë Shqipërisë dobësohet, nëse ata marrin edhe shtetësinë shqiptare. Mund të ndodhë që Tirana të bëhet qendër frekuentuese dhe gravituese për shqiptarët në Ballkan, kurse të tjerët mund të mbesin një periferi.

Në Maqedoni ka edhe një çështje tjetër politike, mijëra qytetarë shqiptarë që jetojnë në Maqedoni nuk kanë ende shtetësi, dhe nëse marrin atë shqiptare, do të jenë shtetas shqiptarë që jetojnë në Maqedoni.

Një zgjidhje jo e duhur për ta", thotë juristi Artan Sadiku.
Lëvizja 'Zgjohu' tha se përkujdesja institucionale e Tiranës zyrtare për shqiptarët jashtë kufijve administrativë të Shqipërisë duhet të formalizohet dhe ky hap mundëson lehtësimin e komunikimit ndërshqiptar në Ballkanin Veriperëndimor dhe diasporë.

Edhe organizata 'Realiteti', mbështeti idenë që të gjithë shqiptarët të marrin shtetësi shqiptare. "Do të kishim raporte të ndryshuara mes shtetit shqiptar dhe shtetit maqedonas, sepse përkujdesi do të ishte ndryshe ndaj shqiptarëve, të cilët do të ishin shtetas edhe të Shqipërisë. Diskriminimet janë të panumërta ndaj shqiptarëve në Maqedoni, atëherë do të mund të përdorej një trysni diplomatike, pasi shteti shqiptar është anëtar i NATO-s.

Në të drejtën ndërkombëtare shtetet janë të kufizuar në ndërhyrjen e punëve të një shteti. Nëse Shqipëria ndërhyn tani në mbrojtje të shqiptarëve në mënyrë më direkte mund të shkaktohej një problem ndërkombëtar me konstatimin se po ndërhyn në punët e brendshme të një shteti", thotë Valon Bela, kryetar i organizatës 'Realiteti'.

Ideja e shtetësisë për të gjithë shqiptarët kudo ku janë, nuk shihet si problematike nga disa ekspertë juridikë shqiptarë në Maqedoni. Ata thonë se normat ndërkombëtare lejojnë dyshtetësinë dhe një gjë e tillë nuk kërcënon integritetin territorial apo sovranitetin e shteteve. Por vëzhgues Maqedonas thonë se ideja mund të nxisë nacionalizmin.

Temelko Ristevski është profesor i të drejtës kushtetuese: "Nëse shikohet përgjithësisht, është një gjë e mirë që njerëzit afrohen, por, nga ana tjetër, nga aspekti i realizimit të interesave kombëtare shqiptare bëhet fjalë për procese që nuk çojnë në rrugë të mirë, sa i përket interesave kombëtare maqedonase. Një gjë e tillë është e rrezikshme për Maqedoninë, nëse nëpërmjet idesë realizohen ambiciet e grupimeve në shoqëri që duan krijimin e shteteve të mëdha", tha profesor Ristevski.

Ideja për shtetësi shqiptare për të gjithë shqiptarët kudo ku janë, nuk ka marrë një përgjigje zyrtare nga Tirana. Vëzhguesit e përmbajtur thonë se ajo duhet të shqyrtohet me kujdes, nëse do të konsiderohet. Praktikat ndërkombëtare janë të ndryshme. Gjermania p.sh., nuk pranon asnjë shtetësi tjetër, ndërsa Kroacia ua ka dhënë shtetësinë kroate të gjithë atyre që jetojnë jashtë kufijve të vendit.
Autori është korrespodent i BBC për Maqedoninë
__._,_.___

No comments: