Tuesday, August 3, 2010

Gjyqi special, Ish-Kryeministri i Zogut, misteri i thesarit që mori Mbreti

Përgatiti: Klevisa Deçja
image

Në gjykim, ndër të tjera, pranoi se Zogu I kishte marrë para me vete dhe se ato para janë mbajtur në shtëpinë e tij ditën e fundit para arratisjes

c u dënua me burgim të përjetshëm në gjyqin e special në mars të vitit 1945. Në gjykim, ndër të tjera, pranoi se Zogu I kishte marrë para me vete dhe se ato para janë mbajtur në shtëpinë e tij ditën e fundit para arratisjes dhe me pas me një sasi të vogël prej këtyre të hollave janë paguar nëpunësit që u arratisën bashkë me Mbretin. Gjyqi dhe dënimi i Kotës, një nga aktet e para të regjimit që sapo kishte ardhur në fuqi dhe kishte vënë diktatin e tij, duke dënuar të parët të gjithë kundërshtarët e tij politikë. Plot 59 persona të etiketuar si kundërshtarë dhe tradhtarë janë dënuar në gjyqin e parë special, ndërmjet të cilëve, 19 u dënuan me pushkatim. Intelektuali Kota, veprimtaria politike e të cilit fillon që në qeverinë e Ismail Qemalit dhe duke vazhduar me Kongresin e Lushnjës, nuk ndryshonte aspak shikimin e komunistëve të cilët e akuzonin si kriminel lufte. Me dosje nr. 1568 nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, vjen për herë të parë procesverbali i gjyqit të Koço Kotës, duke rrëfyer kështu historinë se si kanë rrjedhur ngjarjet, i mbështetur dhe nga dy dëshmitarë. Ngjarjet që Kota tregon, zënë fill disa ditë përpara zbarkimit të trupave fashiste në Shqipëri e duke vazhduar me “aventurat” arratisëse të kabinetit të Mbretit Zog. Pjesëmarrja e ish-Kryeministrit në dy mbledhje të qeverisë greke ka mjaftuar për regjimin diktatorial që të vuloste dhe të nxinte fatin e tij, duke e çuar në burgun famëkeq të Burrelit, në të cilin edhe vdiq. Nga ana tjetër, vetë Kota ka mohuar në çdo rast akuzat e deformuara që i bëheshin duke thënë: “Këto janë shpifje dhe nuk i pranoj aspak, për këtë punë të pyetet Kosta Meksi, i cili ka qenë në atë kohë në Athinë me shërbim në Legatë dhe e di çështjen shumë më mirë”. Për t’i përforcuar më shumë argumentet e pafajësisë që jep vetë Kota, dy dëshmitarë të cilët kanë pasur kontakte me të gjatë periudhës që ky i fundit qëndronte në Greqi, pohojnë pafajësinë e tij.

Akuzat:

“Ka vepruar kundër interesave të larta të Atdheut, duke ndihmuar dhe kontribuar në përhapjen e imperializmit fashist italian me përgatitjen e terrenit; duke qenë në lidhje me qeverinë kuislinge të Tiranës dhe me organizatat tradhtare të Ballit Kombëtar e Legalitetit, është përpjekur për realizimin e një marrëveshje që kishte për qëllim bashkimin e reaksionit shqiptar me reaksionin grek, me qëllim të mposhtë lëvizjen popullore Nc.Çl në Shqipëri; marrëveshje e cila nuk u arrit ngaqë ka qenë e pavarur nga vullneti i tij (Në këto marrëveshje ky ishte caktuar si përfaqësues i Legalitetit).

Provat:

Pohimi i vet të pandehurit, i cili pranon të ketë marrë pjesë në bisedime të tilla që janë zhvilluar me reaksionin grek me qëllim lidhjen e një marrëveshje ndërmjet reaksionit të brendshëm dhe të jashtëm. Me faktin se ky ka qenë për një kohë të gjatë eksponent dhe element drejtues i politikës së vendit, ka kontribuar me përgatitjen e terrenit, në politikën ekspansioniste të imperializmit italian. Me dokumentet (letra që ndodhen në aktet e dosjes) që vërtetojnë aktivitetin e tij me synim lidhjen e një marrëveshjeje ndërmjet reaksionarësh në dëm të interesave të larta të Atdheut. Me deponime dëshmitarësh, sidomos Kostandin Mima, Frederik Nosi etj.

U thirr i pandehuri Koço Kota i biri i Naumit dhe Polikseni Nborjas, lindur në Korçë. I padënuar, me arsim të lartë në Athinë.

U pyet i pandehuri t’u përgjigjet akuzave si më sipër e tha: “Për politikën e ndjekur në kohën e regjimit të Zogut pro-italiane jam gati të jap llogari. Unë për hesapin tim duke parë interesat e imperializmit italian në Shqipëri dhe duke dashur që politikën e saj në vendin tonë ta kundra-balancoj, jam munduar me çdo mjet që të vij në marrëveshje me shtetet fqinje ballkanike, mjerisht nuk u realizua gjë, sepse ngjarjet precipituan. Kur është lidhur pakti i Tiranës, unë nuk kam qenë Kryeministër. Për sa i përket invazionit italian në Shqipëri, unë them se atë që nuk e bëri dot qeveria çekosllovake me një popullsi shumë herë më të madhe se tonën dhe me mjete shumë superiore, qeveria shqiptare bëri atë që ishte e mundur, kështu që edhe neve në barazim me mjetet tona bëmë diçka më datën 7. IV. 1939. Qeveria jonë në atë kohë vendosi rezistencën, por në qoftë se ka pasur ndonjë neglizhencë në përgatitjen ushtarake faji i bie komandës ushtarake e jo mua. Unë jam larguar nga Shqipëria më datën 7. IV. 1939 së bashku me Mbretin Zog dhe me pjesëtarët e tjerë të qeverisë. Nuk është e vërtetë... që prefekti i Korçës të më ketë thënë se populli i kësaj krahine ishte gati me luftue. Unë mbasi kam shkuar në Korçë kam kërkuar kryetarin e bashkisë Agathokli Xhitomin që të mblidhte Këshillin e Bashkisë pse do shkojsha unë për të mbajtur një fjalë, por ai më vonë erdhi e më tha se Këshilli Bashkiak ishte shpërndarë dhe kishte vendos të mos bënte rezistencë mbasi një gjë e tillë do shkaktonte dëme të mëdha në Korçë. Mbasi të pandehurit ju kujtua nga ana e kryetarit se në Korçë Këshilli i Bashkisë ka qenë i gatshëm dhe kishte gati 3000 vullnetarë dhe priste të pandehurin të vinte me mbajtë fjalën që kishte thënë, por nuk erdhi, i pandehuri tha: Unë nuk erdha sepse siç thashë më ka thënë vetë kryetari i bashkisë Agathokli Xhitomi se Këshilli Bashkiak ishte shpërndarë dhe nuk ishte nevoja për rezistencë për të mos shkaktuar dëme në qytet. Kështu mua nuk më mbeti tjetër gjë veçse të largohesha së bashku me ish-Mbretin. Në Parlament nuk kam folur për mosrezistencë. Mbi këtë u pyet i pandehuri Fejzi Alizoti e tha: ‘Më kujtohet se është pyetur në Parlament zoti Koço Kota, i cili tha se nga jashtë nuk kemi se ku të mbështetemi se materialisht e moralisht nuk kemi ndonjë përkrahje, kështu që neve mbetëm duke shikuar njëri-tjetrin. Ultimatumi kishte ardhur më parë dhe neve në Parlament dhe qeveria vetë nuk e dinte”.

U pyet i pandehuri Koço Kota e tha: “Ne u munduam të kishim ndonjë mbështetje nga jashtë, por mjerisht nuk patëm. Në Turqi kam qëndruar një vit dhe në maj 1940 kam ardhë në Athinë. Në Stamboll nuk është e vërtetë të kem bërë ndonjë akt nënshtrimi”. (U kënduan deklaratat e bëra para komisionit hetimor prej Kostandin Mimës ku thotë se i kanë kaluar nëpër duar akte që Koço Kota ka bërë akt-nënshtrimi pranë italianëve.). (U këndua dhe një deklaratë e Frederik Nosit me të cilën thotë se i ka shkuar Qemal Butka nga Stambolli të kenë mendjen se në Greqi vjen Koço Kota i cili ka bërë akt-nështrimi tek italianët.)

I pandehuri Koço Kota tha: “Këto janë shpifje dhe nuk i pranoj aspak, për këtë punë të pyetet Kosta Meksi, i cili ka qenë në atë kohë në Athinë me shërbim në Legatë dhe e di çështjen shumë më mirë. Unë kisha ardhur në kontakt bile me qeverinë greke kur plasi lufta me Italinë për të bërë ndonjë aksion brenda në Shqipëri në marrëveshje dhe me shqiptarët që ndodheshin në Jugosllavi, gjë kjo që tregon se unë nuk kam pas bërë ndonjë akt nënshtrimi se po ta kisha bërë nuk ishte nevoja të bëja një marrëveshje të tillë me Greqinë. Në Selanik kam ardhur në dhjetor 1943 me qëllim të riatdhesohesha, sepse kisha dëgjuar nëpër gazeta se gjermanët kishin shpaluar pavarësinë e Shqipërisë, por këtu në Selanik u informova nga shqiptarët e atjeshëm se Shqipëria kishte ndërruar okupator dhe gjendja ishte njësoj, prandaj nuk erdha. Përmbajtjen e letrës së Ballit drejtuar Fallos unë këtu e kam mësuar dhe jam çuditur sepse nuk është as e logjikshme të pranohet që një organizatë të delegojë personin e caktuar për të përfaqësuar një organizatë tjetër, prandaj ajo letër mua më duket fare absurde. Është e vërtetë se kam marrë pjesë në dy mbledhje me partitë greke, po këtë e kam bërë vetëm si person privat e si spektator e jo me ndonjë cilësi”. U pyet i pandehuri Xhavit Leskoviku e tha: “Unë Koço Kotën e kam propozuar si Koço Kotë dhe e kam bërë duke menduar se ky do t’u delegonte prej ndonjë partie. Mbasi pashë që Koço Kota kishte marrë pjesë në dy mbledhje, kujtova se ky do ta pranonte dhe kështu unë e propozova, por e vërteta është se kur e kam propozuar nuk e kam pyetur dhe mandaj kur i thashë se e kisha propozuar ai refuzoi; propozimin për këtë unë e bëra si person”.

I pandehuri Koço Kota tha: “Mua propozimi me marrë pjesë në mbledhje atje m’u bë nga shqiptarët e atjeshëm e jo nga partitë. Kam marrë pjesë si person dhe mendova se duhet të marrë vetëm duke menduar rrezikun që i vinte Shqipërisë së Jugut prej rivendikimeve greke”. Mbi këtë u pyet i pandehuri Bahri Omari e tha: “Mua më ka pas thënë Hasan Jera se partitë greke ishin në kontakt me Kryeministrin Ralis”.

I pandehuri Koço Kota tha: “Unë në Greqi kam qenë i tërhequr nga jeta politike dhe për shkak të shëndetit të dobët, dhe në ato mbledhje kam marrë pjesë siç thashë nja dy herë si privat e spektator, por jo i ngarkuar prej ndonjë organizate. Asnjë relacion nuk kam pasur me Abaz Kupin dhe as më ka ftuar ky të marr pjesë në Legalitet, në hetuesi është shënuar, por unë e kam kundërshtuar me thanë se s’ka rëndësi sepse unë nuk u shpreha në atë mënyrë. Dhespotin Pandekimon Kotokon e kam njohur si korçar dhe e kam takuar nga një herë, por nuk kam pasur relacione politike, mjerisht ky më vonë i shfaqi ndjenjat e veta revendikuese në favor të grekëve e jo atëherë kur e kam njohur unë. Grekërit do merreshin vesh në këto bisedime me partitë, por unë mora pjesë si privat me qenë se e dija mirë gjuhën greke dhe pjesërisht bëja detyrën e përkthyesit. Nuk e di nëse e di gjuhën greke Xhavit Leskoviku, por më duket se nuk e di”.

U pyet i pandehuri Xhavit Leskoviku e tha: “Unë di një greqishte katundarçe e nuk e flas mirë, në bisedime nuk mund të fjalosem greqisht dhe Koço Kota ka marrë pjesë si privat dhe pjesërisht ka bërë dhe përkthyesin”.

Mbi kërkimin e prokurorit u pyet i pandehuri e tha: “Nota italiane u dha më 2. IV. 1939, pesë ditë para invazionit dhe Ministria e P. të Brendshme më duket se e ka lajmëruar popullin që të nesërmen dhe po ato ditë neve morëm vendim për rezistencë”.

U pyet i pandehuri Fejzi Alizoti e tha: “Pesë ditë para e morëm vesh dhe për punën e të hollave nuk e mbaj mend se si është bërë”. U pyet i pandehuri Koço Kota e tha: “Ditën e fundit paret i ka sjellë në shtëpinë time arkëtari i Financave të Mbretit Zog dhe nuk i kam marrë unë në dorëzim. Në komisionin hetimor mora vesh se kishte lëshuar dëftesë për ato pare se më parë nuk e dija nëse kishte lëshuar apo jo dëftesë. Sa ishte sasia e të hollave nuk e di. Ne nuk morëm asnjë send, por kur ju dhanë nga një sasi e vogël të gjithë nëpunësve mora edhe unë një sasi si gjithë nëpunësit që kishin ardhë jashtë Shqipërisë bashkë me qeverinë”. Iu këndua të pandehurit deklaratat e bëra para komisionit hetimor dhe i vërteton. Avokati mbrojtës tha se kemi dëshmitarë, Kosta Meksin.

Tiranë, më 23. III. 1945

Dëshmitari Kosta Meksi

Dëshmitari Kosta Meksi, 45 vjeç, nga Gjirokastra, të pandehurin Koço Kota e njeh, u betua e tha: “Në maj 1941 kam shkuar në Athinë pranë përfaqësuesisë italiane. Në opinionin e italianëve kam konstatuar një ashpërsi kundra tyre në kohën e luftës italo-greke. Italianët përgjithësisht ishin të ashpër kundra shqiptarëve. Një ditë Sotir Laçi më ka thënë se të takohesh me Koço Kotën, kemi shkuar atje në shtëpinë e tij me shokun tim Kosta Mima. Në bisedimet që kemi bërë kishte në mendje të kthehesh në Shqipëri, por si i shpjeguam se në Shqipëri ka filluar një rezistencë kundra okupatorit dhe i shfaqëm optimizëm për përfundimin e kësaj rezistence, gjithashtu ai ishte optimist për fitoren e aleatëve. Në bisedim e sipër jemi shprehur si ne dhe ai për të mirën e një federate ballkanike. Di gjithashtu se këshilltari i Legatës italiane më ka folur me ashpërsi mbi disa deklarata që kish bërë në shtyp Koço Kota, ku thoshte se është rasti që shqiptarët e grekërit të luftojnë okupatorin. Këto deklarata i kish bërë Koço Kota dhe shënoheshin në gazetë si të një korrespondenti nga Londra. Në bisedimet që kam pasur me të, nuk është përmendun kurrë për ndonjë akt nënshtrimi tek italianët. E përgënjeshtroj këtë kategorikisht që të ketë pasur ndonjë akt nënshtrimi. As nuk di për ndonjë informatë ose shënim në dosje për nënshtrim. Koço Kota në Athinë nuk bënte fare politikë dhe gjendja e tij ekonomike atje ka qenë e vështirë. Deklarata e botuar në gazetë doemos ishte e Koço Kotës, por këtë mund ta bënte çdo person si p.sh. ka bërë Sotir Laçi. Në radio ka bërë deklarata Qemal Masarea bile dhe ma të rrepta dhe italianët kundra asnjërit nuk morën masa”.

Dëshmitari Kostandin Mima

Dëshmitari Kostandin Mima, 43 vjeç, nga Durrësi, banues në Tiranë, u pyet e tha: “Më 1941 kam qenë në Athinë në konsullatën e atjeshme së bashku me Kosta Meksin që ishte shef zyre. Me Koço Kotën kam qenë njohur atje dhe ai më kish shfaqur dëshirën të kthehej në Atdhe. Kam shkuar disa herë në shtëpinë e tij, unë dëshirën e tij për t’u kthyer në atdhe ia kam referuar Tiranës dhe prej këndej kish ardhur përgjigje se mund të kthehet, por duhet të shkonte në Itali. I pandehuri Koço Kota insistonte përse t’i konfiskohej pasuria kurse ai nuk kishte bërë ndonjë vepër të keqe. Kështu që ai kërkonte të rehabilitohej, por nuk donte të mbetesh pasuria e konfiskuar. Kam parë një shënim në dosjen e Koço Kotës se ky kish pas bërë një akt nënshtrimi në Stamboll, por nga kish ardhë ai shënim nuk jam në gjendje ta dijë. Për Pandelimon Kotokon i pandehuri Koço Kota më ka thënë se është shqiptar i mirë. Nëse ka pas lidhje me organizata nuk e di, mundet që t’i dijë kolegu im Kosta Meksi”. I pandehuri Koço Kota tha që janë të deformuar. Mbi kërkimin e avokat Spiro Stringës u pyet dëshmitari e tha: “Akt nënshtrimi nuk kam parë, por siç thashë, kam parë një shënim në dosje ku thuhesh për nënshtrim, por nga kish ardhur nuk e di”.

No comments: