Ambasadori ynë në Moskë, Sokol Gjoka kryen edhe “detyrën” e përfaqësuesit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare pranë asaj ruse. Ky fakt bëhet i ditur nga një njoftim për shtyp i patriarkatit të Moskës, që i referohet një takimi që ambasadori Gjoka ka zhvilluar në datën 11 qershor 2010 me Primatin e Kishës Ortodokse Ruse, Kirill. Në këtë bashkëbisedim Gjoka ka rrëfyer se përpara se të emërohej në detyrën e ambasadorit në Federatën Ruse, ai është takuar me Fortlumturinë e Tij, Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatosin, i cili sipas Gjokës, i është lutur që t’i transmetonte Kirillit përshëndetjet vëllazërore, si dhe t’i shprehte interesin për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy kishave. “Ai (Hirësia e Tij, Anastasi) m’u lut t’Ju përcillja urimet e Tij dhe gjithashtu interesin e Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare për bashkëpunim me Kishën Ortodokse Ruse. Unë e di që ju keni pasur marrëdhënie pune së bashku dhe keni bashkëpunuar për një kohë. Dhe di që kjo ndjenjë miqësie tashmë është përcjellë dhe në sferën tjetër të Kishës, por edhe në pjesën ortodokse të popullsisë të Shqipërisë, të paktën”, - është shprehur Gjoka. Mandej, edhe pse Shqipëria është një vend me popullsi në shumicë myslimane, ambasadori Gjoka ka garantuar primatin e Kishës Ortodokse Ruse, Kirill se, “duke ditur që Kisha Ortodokse në Shqipëri ka një rol, ka një ndikim në popullsinë shqiptare, unë do të dëshiroja që një nga drejtimet e punës sime ta përqendroja dhe në bashkëpunimin midis besimtarëve, por edhe vet Kishës Ortodokse në vend, në Shqipëri, dhe në Rusi”. Kurse nga ana e tij, Patriarku i Moskës dhe gjithë Rusisë, është shprehur mes të tjerash në këtë takim se “faktori ortodoks është shumë i rëndësishëm dhe për zhvillimin e lidhjeve të Shqipërisë me jashtë, përderisa ajo është në kufi me shtete, ku ortodoksinë e predikon shumica e popullsisë. Unë mendoj gjithashtu se faktori ortodoks është faktor i rëndësishëm, pozitiv në zhvillimin e marrëdhënieve me fqinjët. Sikurse e dini, në Rusi ka gjithashtu shumicë ortodokse, prandaj faktori ortodoks ka rëndësi dhe në marrëdhëniet tona dypalëshe, në marrëdhëniet midis dy popujve”. Kirilli, për shkak dhe të lidhjeve të fuqishme me “zotat” e Kremlinit, bën dhe predikim fetar, dhe diplomaci.
BISEDA E plote GJOKA – KIRILL
Ambasadori Sokol Gjoka: Jam shumë i gëzuar që ndodhem me Ju Hirësi, në këtë takim të sotshëm. Para se të merrja mandatin tim si ambasador i Republikës së Shqipërisë në Federatën Ruse, unë pata kënaqësinë të takoj dhe Kryepeshkopin e Shqipërisë dhe të Tiranës, Hirësinë e Tij Anastas. Ai m’u lut t’Ju përcillja urimet e Tij dhe gjithashtu interesin e Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare për bashkëpunim me Kishën Ortodokse Ruse. Unë e di që ju keni pasur marrëdhënie pune së bashku dhe keni bashkëpunuar për një kohë. Dhe di që kjo ndjenjë miqësie tashmë është përcjellë dhe në sferën tjetër të Kishës, por edhe në pjesën ortodokse të popullsisë të Shqipërisë, të paktën. Mandati im si ambasador mbush tashmë rreth dhjetë muaj në Federatën Ruse. Me vullnet të përbashkët të dy qeverive tona do të nxisim marrëdhëniet dypalëshe në shumë fusha me interes të ndërsjellë. Por duke ditur që Kisha Ortodokse në Shqipëri ka një rol, ka një ndikim në popullsinë shqiptare, unë do të dëshiroja që një nga drejtimet e punës sime ta përqendroja dhe në bashkëpunimin midis besimtarëve, por edhe vet Kishës Ortodokse në vend, në Shqipëri, dhe në Rusi. Kështu, që edhe një herë Ju falënderoj shumë për pritjen e sotme. Me bashkëpunëtorët tuaj, natyrisht, unë do të mbaj kontakte të vazhdueshme dhe besoj që do të kemi edhe raste të tjera për t’u takuar së bashku.
Hirësia e Tij, Patriarku i Moskës dhe gjithë Rusisë, Kirill:
Më lejoni zoti Ambasador, t’Ju falënderoj për vizitën dhe fjalët tuaja të mira. Është e vërtetë që ka shumë gjëra të përbashkëta midis vendeve dhe popujve tanë. Madje, ajo që është më e përbashkët, ka të bëjë me faktin se të dy vendet kanë vuajtur nga ideologjia ateiste. Dhe kanë kaluar përmes një periudhe të vështirë ristrukturimi të të gjithë jetës: asaj ekonomike dhe politike, si dhe përmes një periudhe ringjalljeje të jetës fetare. Na gëzon fakti se, pas ndërprerjes së të gjitha marrëdhënieve midis dy vendeve tona, filloi në kohën e vet një epokë e re. Na gëzon fakti se tani ne jemi dëshmitarë të marrëdhënieve edhe më intensive midis Rusisë dhe Shqipërisë. Shqipëria, ashtu si dhe Rusia, është një vend ku janë të pranishme fe të ndryshme. Ne jemi të gëzuar me faktin se në Shqipëri ka bashkëpunim ndërfetar dhe është ngritur këshilli Ndërfetar. Gjithashtu, i njëjti sistem ekziston dhe në Rusi. Bashkekzistenca paqësore midis bashkësive fetare është kusht tepër i rëndësishëm, i cili ndikon në stabilitetin e shoqërisë. Në Shqipëri, sikurse treguat dhe Ju, ekziston Kisha Ortodokse Autoqefale, e cila gjithashtu ka përjetuar një kohë të vështirë. Mbaj mend se si në ato kohë të vështira kemi dërguar nga Moska letra përshëndetjeje në adresë të kreut të atëhershëm të Kishës Shqiptare, por nuk kemi marrë asnjëherë përgjigje. Dhe vetëm më pas na njoftuan se nuk jetonte askush. Megjithatë, ne i kemi kujtuar vëllezërit dhe motrat tona shqiptare ortodokse, si dhe jemi lutur për ata. Gjithashtu kemi shfrytëzuar mundësitë në nivel organizatash ndërkombëtare, që në ato kushte tejet të vështira të ngrinim zërin në mbrojtje të banorëve besimtarë të Shqipërisë. Dhe natyrisht, jemi shumë të gëzuar për ato ndryshime të mëdha që kanë ndodhur në vendin Tuaj. Është e vërtetë që prej një kohe të gjatë, që nga viti 1968, domethënë, prej mbi dyzet vjetësh, njihem me Kryepeshkopin Anastas. Së bashku kemi punuar në organizata të ndryshme ndërkombëtare, si dhe në kuadër të iniciativave panortodokse. Natyrisht, Ai ka bërë shumë për ringjalljen e Kishës Ortodokse në Shqipëri. Para pesë vjetësh (në vitin 2003, saktësohet në njoftimin për shtyp të Patriarkatit të Moskës), pata mundësinë të vizitoj vendin Tuaj dhe pashë me sytë e mi ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur dhe në jetën fetare, dhe në jetën shoqërore, dhe në sektorin e ekonomisë. Dhe patjetër ne jemi të gëzuar nga të gjitha këto. Por, gjatë qëndrimit në Shqipëri pashë se ka shumë besimtarë ortodoksë, priftërinj apo klerikë të lartë, me origjinë shqiptare. Unë mendoj se kjo është e rëndësishme. Sepse ortodoksia është fe tradicionale e popullit shqiptar. Sigurisht, shumicën e banorëve të vendit e përbëjnë myslimanët, por një përqindje e konsiderueshme e popullsisë i përket Kishës Ortodokse. Rritja aktuale e numrit të shërbyesve të fesë dhe besimtarëve ortodoksë me origjinë shqiptare, është një fakt që na gëzon së tepërmi, sepse nuk duhet krijuar përfytyrimi i rremë se gjoja ortodoksia në këtë vend është fe e huaj. Gjithashtu, faktori ortodoks është shumë i rëndësishëm dhe për zhvillimin e lidhjeve të Shqipërisë me jashtë, përderisa ajo është në kufi me shtete, ku ortodoksinë e predikon shumica e popullsisë. Unë mendoj gjithashtu se faktori ortodoks është faktor i rëndësishëm, pozitiv në zhvillimin e marrëdhënieve me fqinjët. Sikurse e dini, në Rusi ka gjithashtu shumicë ortodokse, prandaj faktori ortodoks ka rëndësi dhe në marrëdhëniet tona dypalëshe, në marrëdhëniet midis dy popujve. Ju, sigurisht, e dini që Rusia në politikën e saj të jashtme shpall parimin e marrëdhënieve të barabarta dhe të mira me të gjithë. Vendi ynë nuk ka armiq të jashtëm. Dhe Kisha lutet dhe punon që të mos ketë asnjëherë armiq të jashtëm. Por, natyrisht, të mund të zgjerojmë rrethin e miqve. Mendoj se komunikimi historik midis dy vendeve tona është faktor që kontribuon në zhvillimin e marrëdhënieve midis njerëzve, me qëllim që vendet tona të afrohen më pranë njëri-tjetrit, duke zhvilluar lidhje ekonomike dhe dialog politik.
No comments:
Post a Comment