Shtetet e Bashkuara të Amerikës nderojnë dy shqiptarë të vrarë nga diktatura komuniste.
Në një aktivitet të zhvilluar dje në Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë, Ambasadori Xhon Uithers zbuloi një memorial prej guri, i cili do të qëndrojë brenda ambasadës në nderim të shqiptarëve Loni Adami e Kol Kuqali, të vrarë në vitin 1947 nga diktatura komuniste me akuza të stisura për spiunazh tek amerikanët. Në nderim të tyre, Ambasada e SHBA-ve ka krijuar edhe një çmim mirënjohje në emrin e tyre të cilin do t'ua dorëzojë figurave të njohura për kontributin e tyre. Përpara dhjetëra të ftuarve, në aktivitetin e tij të fundit që bën si ambasador në Shqipëri, Xhon Uithers tregoi memorialin e veçantë, i cili përbëhej nga dy gurë, njëri më i vogël ndërsa tjetri më i madh. Guri i vogël simbolizon jetën e tyre që ua shkurtoi diktatura komuniste ndërsa guri më i madh, kontributin dhe nderimin e përjetshëm të dy ish punonjësve të Ambasadës Amerikane para pushtimit të vendit në vitin 1939. "Ranë për idealët e lirisë dhe demokracisë", është mbishkrimi për pllakën përkujtimore. "Ky vend në të cilin jemi sot këtu është një vend që na bën krenarë. Ne nderojmë dy pjesëtarë të misionit tonë që u dënuan nga regjimi i Hoxhës pasi besonin tek vlerat e demokracisë. Ata u torturuan deri në vdekje nga regjimi i Hoxhës sepse besonin në vlerat e paqes e demokracisë. Nuk dëshiroj që ky memorial të shihet si një nderim që ne i bëjmë së shkuarës, por dua që ky memorial të shërbejë si një monument i një fryme të gjallë. Shpresoj të shërbejë si monument vlerësimi për stafin tonë që ka punuar prej vitesh duke luajtur një rol kyç për të forcuar miqësinë mes dy popujve tanë. Unë shpresoj që ajo që ne të marrim teksa zbulojmë këtë memorial të jetë frymëzim për ne, të marrim në jetën tonë forcën dedikimin dhe idealizmin e tyre", tha Uidhers. Të ftuar në këtë ceremoni ishin tre përfaqësuesit më të lartë të komuniteteve fetare në vend si Imzot Rrok Mirdita, Kryepeshkopi Anastas si dhe Baba Reshat Bardhi. Të ftuar ishin edhe përfaqësues nga ish të përndjekurit politikë, familjarët e të nderuarve si dhe ministri i Drejtësisë Bujar Nishani.
Historia
Jeta dhe vepra e Loni Adamit dhe Kol Kuqalit është pothuaj e panjohur nga shoqëria shqiptare kjo për shkakun se shteti shqiptar ende nuk ka nderuar figurën e tyre. Ata kanë shërbyer si punonjës në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës deri në vitin 1939, kur vendi u pushtua nga Italia Fashite. Më pas Loni Adami do të merrej me një shtypshkronjë gjatë viteve të luftës ndërsa Kol Kuqali do të dallohej akoma më shumë për rolin e tij nacionalist e patriotik gjatë viteve të luftës. Por me çlirimin e vendit, Qeveria komuniste e Enver Hoxhës arrestoi dy ish punonjësit e ambasadës duke i akuzuar se kishin spiunuar për misionin aleat amerikan gjatë viteve 45-46, kur ky mision pati qëndruar në Shqipëri deri në vitin 46. Ndaj tyre pati tortura dhe më pas u pushkatuan nga regjimi. Vlen të theksohet se Kol Kuqali ishte deputet në Parlamentin e dalë pas luftës, i zgjedhur jo nga forcat komuniste. Trupat e tyre u varrosën në një gropë të përbashkët dhe ende nuk dihet se ku janë pasi janë varrosur në afërsi të Bregut të Lumit në Tiranë.
No comments:
Post a Comment