Friday, August 6, 2010

Petrit Dume, miqësia me Mehmetin dhe tradhtia e Feçor Shehut


Albert Kotini

Rrëfimi i ish-adjutantit të ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare, i cili u pushkatua në vitin 1975 bashkë me Beqir Ballukun dhe Hito Çakon.


Dëshmia që dha për punën si roje fizike e gjeneralit, marrëdhëniet e tij me Mehmet Shehun dhe të tjerë dhe kulisat që iu bënë pas zbulimit të "grupit puçist" në 1974


Për Petrit Dumen është shkruar dhe folur mjaft si në shkrimet e mëparshme. Çështë e vërteta si ish- skëndërbegas që kam qenë në vitet 1958-1962 për Petrit Dumen që të gjithë e kanë patur si idhullin e tyre, midis tyre edhe unë për atë kohë. Ashtu si prisnin fëmijët "plakun e Vitit te Ri" për dhurata ashtu e prisnim edhe ne skënderbegasit ardhjen e tij në shkollë. Bënte çmos të na e plotësonte të gjitha kushtet dhe në të vërtetë e bënte.


Ne e donim aq shume sa e idealizonim mbi Beqir Ballukut dhe çdo oficer tjetër madhor në aftësitë dhe kompetencat e tij. Kjo xhelozi në disa aspekte u reflektua edhe në ngjarjet mëvonshme që ndodhën në ushtri. Petrit Dume vinte i qeshur midis nesh mjaft i shkujdesur dhe bile luante futboll me ne. Sherif Ciciku na organizonte të tilla ndeshje të bukura aq sa rrallë shkollë tjetër bënte.


Për Shkollën "Skënderbej" ruaj kujtimet më të bukura edhe për faktin se pedagogët dhe pedagoget e asaj shkolle jo vetëm që ishin të zgjedhur nga aftësia por mbi të gjitha, edukatorë të shkëlqyer . Nuk do të rri pa mbajtur të gjallë nostalgjinë e asaj shkolle për shumë arsye por për çështje më thelbësore.


Por ajo që ka të bëjë me Petrit Dumen e sjellur ndër mend realisht tek une siç ka qenë ( por jo siç e trajtojne pas vitit 1974) ka të bëjë edhe me anën tjetër të tij. Perit Dume aq sa na "përkedhelte" si skënderbegas, por aq edhe na testonte ne karakter. Vetëm një aspekt nga 10 të tilla.


Në vitin 1962 ishim maturantë dhe dikush i kishte futur ndër mend Petrit Dumes të bënte një eksperiment me ne. Kështu me skëndërbegasit maturantë na futën në stërvitje që organizohesh në Shqipërinë verilindore Pukë-Kukës-Tropojë. Dhe për 15 ditë do të merrnim pjesë ne 18- vjeçarët nisur me një marshim në këmbë nga Tirana e deri në Kukës.


Eksperimenti konsistonte që për 24 orë të hanim vetëm 2-3 galeta një pagure me ujë dhe asgjë tjetër për të treguar sa reziston trupi i njeriut me këtë ushqim dhe sasi uji.


Për të treguar se ç'kemi hequr nuk dua t'ju lodh sepse të tjerë kanë treguar shumë vështirësi në të tjera kushte por, ne mbasi marshuam nga Tirana në këmbë vajtëm dhe ramë si të vdekur në hyrje të Pukës duke u gdhirë mbi varrezat e atij vendi. Dhe kur fillonte detyra stërvitja sa shikonim në majë të një kodre ndonjë thanë vraponim me shpejtësi jo për të kapur e luftuar armikun, por për të ngrënë një kokër thanë që të shuanim etjen.


Unë isha së bashku me djalin e gjeneral Vehbi Hoxhës, Mumin e quajnë dhe së bashku mbanim në kurriz një kundërtank plus tre kg peshë. Sa herë ngjiteshim majë kodrës po të mos kishte ndonjë pemë ku të kapeshim dhe po të mos kapeshim në ndonjë pemë ktheheshim në rrëzë të kodrës.


Duke u ngjitur me zorr pamë të jatin e vet gjeneral Vehbi Hoxhën me gazin 69 . Për gjeneralin Vehbi Hoxhën kam një konsideratë të vecantë si për aftësi dhe karakterin e tij për të cilin mund të them ishte një nga gjeneralët më të respektuar për mua dhe për mjaft të tjerë.


Por çështja në fjalë ishte këtu. Unë iu luta Muminit që të ndalonte makinën e babait dhe të na ndihmonte peshën e madhe që kishim në kurriz ose të na jepte diçka për të ngrënë se po vdisnim urie dhe për ujë. Gjeneral Vehbi Hoxha ndaloi dhe shumë ashpër pasi dëgjoi të birin i tha: Turp të kesh shko si gjithë të tjerët në detyrë. I tha edhe të tjera gjëra tepër të ashpra si gjeneral dhe jo si baba.


Çështje që kanë të bëjnë me karakterin, dhe vërtet gjenerali i tillë ka qenë për fëmijët e vet. Ikëm si të thuash me bisht në shalë dhe sot them mirë na e bëri. Në atë stërvitje "luftarake" si kundërshtar kishim forcat rezerviste na Kukësi të cilëve nuk u ishte shpjeguar që ne ishim fëmijë për ata dhe ata me tërë mend dhe seriozisht e kishin marrë që ne ishim " armiq".


Kjo ishte aq e vërtetë sa kur ne na takonte të çlironim vendin ku ata ndodheshin si armiq se kështu e donte loja jo vetëm që nuk u larguan, por Kiço Mustaqit që ishte komandant toge për ne desh ia shpuan barkun me bajonetë.. Nejse këto histori nuk kanë vend për tu zgjatur, por në faktin që ne për 15 ditë sipas këtij eksperimenti u dobësuam mbi 10 kg seicili... Erdhi Petrit Dume në fund të stërvitjes dhe ne u turrëm rreth tij duke u ankuar dhe kërkuar pse na e bënë këtë gjë.


Ai duke qeshur dha detyrën që të trajtoheshim një javë pa u kthyer në shtëpi me ushqim special për të na sjellë në gjendjen e mëparshme. Mirëpo kuptohet që ne nuk ishim gjela deti me gjithë të mira që na dha përpara që nuk mund të shëndosheshim jo për 10 kg e humbura por as moralisht dhe fizikisht. Morëm vesh më vonë që eksperimenti ishte tip alla-kinezçe.


Atëhere kur ne e quanim idhull Petrit Dumen, ndërsa në një letër që do të botohet këtu poshtë i adjutantit të tij personal të vjen keq që shkruhet për Petrit Dumen në këtë mënyrë. Dihet që adjutanti i Petrit Dumes respektohej e dëgjohej nga vetë Petriti shumë dhe ai ishte që na i çonte shumë dëshirat tona tek Petriti. Me një fjalë, adjutantin e tij Petrit Dumja e trajtonte si djalë.


Kuptohet që sigurimi i shtetit mbas vrasjes së Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut vijonte gjueti dhe mbledhjen nga njerëz të afërt të tyre të çdo gjëje që të rëndonte dhe justifikonte fajin e eleminimit të tyre fizik. Bile i dënonin njerëzit e afërt si në rastin tonë adjutantin e Petrit Dumes fillimisht përjashtim nga Partia pastaj e linte pa punë dhe këtu fillonte dhe vilej informacioni që i duhej në kushte të tilla të vështira e të rënda nga ana e adjutantit edhe për Petrit Dumen.


INFORMACION


Disa gjëra që më kujtohen për marrëdhëniet ndërmjet Petrit Dumes, Mehmet Shehut dhe Feçor Shehut. Petrit Dumja e donte me shpirt Mehmet Shehun dhe mezi e priste rastin që të takohej me të. Në stërvitjen me trupa që është bërë në Peqin të Elbasanit mbaj mend që Petrit Dumja u interesua deri se si do të flinte Mehmet Shehu, ku do të flinte dhe të merreshin masa. Kur erdhi Mehmeti, Petrit Dumja tha "se erdhi i llahtarisuri i ushtrisë" dhe do ta kemi pisk me të se nuk të fal kusuret.


Në një udhëtim që është bërë nga Gramshi dhe dolën në qafën e Gjarprit, Petrit Dumja u ngrit natën dhe më zgjoi nga gjumi edhe mua që të përzija qentë që lihnin se mos zgjonin Mehmetin dhe në mëngjes Mehmet Shehu u ngrit fare i qetë e kur e pyetën si fjete, u përgjigj se kishte fjetur mirë kurse Petriti i tha se kishin patur merak se mos i ishte bërë zhurmë natën. Në një udhëtim tjetër nga veriu ku ka qenë edhe Beqir Balluku, Petrit Dumja rrinte para Mehmetit sikur të ishin të barabartë dhe kjo gjë u bënte përshtypje të gjithëve për moskokëçarjen e tij.


Por një herë në Valbonë Mehmet Shehu e pyeti Petrit Dumen si quhet ajo maja atje. Petriti filloi të bënte shaka dhe Mehmeti i tha se "ti Petrit i merr gjërat me shaka". Në atë kohë Beqir Balluku i tha Mehmet Shehut se "ashtu bën kur nuk i di gjërat".


Me rastin e një përvjetorit të Brigadës së Parë u bë një marshim për në Vithkuq dhe Petrit Dumja e shoqëroi brigadën gjatë rrugës Elbasan-Vithkuq dhe kur mbërriti atje Mehmet Shehu i tha si i çuditur: "ti Petrit me brigadën erdhe?". Po, u përgjigj Petriti. Po ç'bën kështu more derzi- i tha Mehmeti, ti nuk je më djalë i ri që të bredhësh majë kalit nëpër male. - kalitje, kalitje shoku Mehmet- i tha Petrit Dumja.


Me rastin e 50- vjetorit të Petrit Dumes, Mehmeti i bëri vizitë në shtëpi dhe mbas largimit i dha alarm Garnizonit të Tiranës dhe shtabit të Përgjithshëm. Kur vajti për kontroll në vendin e dislokimit të shtabit, Mehmet Shehu i tha Petrit Dumes: "kështu bëhet 50 -vjetori i një gjenerali jo ashtu siç bën ti prit e përcill në furrik". E shoqja e Petrit Dumes, Dodona Dume, thoshte se po t'i vinte Mehmeti për darkë nuk i vinte keq edhe po të harxhonte 50 mijë lekë.


Në një rast në Pogradec kur ishin me pushime, Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Koço Theodhosi e Avdyl Këllezi, Petrit Dumja u tha se vend më të mirë se Pogradeci për të pushuar nuk ka, prandaj këtu duhet që të vijnë çdo vit e ta bëni si Petriti se ai vjen këtu gjithmonë, po t'i Petrit jo të vish këtu dhe të bredhësh maleve se kam marrë vesh që nuk rri urtë dhe me ata kuajt kujdes hendeqeve.


Kur u kthyem nga Kina Mehmet Shehu e ka pritur në Rinas delegacionin dhe nga Rinasi në Tiranë Petrit Dumja udhëtoi në një makinë me Mehmet Shehun kur unë çova plaçkat në shtëpi të Petrit Dumes, ai tha i krekosur se i raportoi Mehmetit për të gjitha gjërat po më gjatë nuk tha llafe të tjera.


Edhe Feçori kishte marrëdhënie të mira me Petrit Dumen, ata shpesh takoheshin dhe bisedonin gjatë po si rastësisht. Për shembull kur delte nga zyra në kohë të mirë, Petrit Dumja ikte në këmbë dhe pa bërë as 100 metra nga ministria dhe të shikoje të afrohej Feçorr Shehu dhe me zë të lartë i merrte leje nëse mund ta shoqëronte apo jo dhe Petrit Dumja me "thjeshtësi" pranonte të shoqërohej me të.


Kur vinin tek dera e shtëpisë së Petrit Dumes mbasi bënin edhe ca muhabet ndaheshin ose në mëngjez kur vinte në punë Petrit Dumja dhe bënte rrugën në këmbë prapë jo rrallë do të dukej Feçorri për ta shoqëruar.


Edhe në zyrë i shkonte Feçorri Petrit Dumes dhe në ato raste kur ka qenë bisedat vazhdonin rreth një orë, kur dilte Feçorr Shehu nga zyra e Petrit Dumes thoshte "ky është operativ në zgjidhjen e problemeve".


Ndërsa Bato Karafili që kur ka qenë sekretar i parë në Përmet më kujtohet se e shoqëronte kudo vetë dhe nuk linte rast pa i shtruar dreka ose darka sa herë që shkonte Petrit Dumja. Kur ishte në Ministrinë e Brendshme Bato Karafili unë mbaj mend vetëm dy tre takime të tyre kokë më kokë por jo të gjata si me të tjerët. Këto ishin deri në kohën që unë punova si shoqërues i Petrit Dumes.


Një moment tjetër që dua të përmend është edhe ai i përjashtimit tim nga Partia. Në mbledhjen e Komitetit të Partisë të MPB mua mu bënë shumë pyetje dhe ato ishin të drejta që të bëheshin kur unë jepja ndonjë përgjije që u pëlqente Feçorrit ose Batos ato menjëherë më thoshin: "vazhdo, vazhdo se kështu është mirë" dhe e shikonin njëri tjetrin në sy ose i luanin kokën njeri tjtrit.


Një nga pyetjet që mbaj mend ishte edhe kjo: "Ti Bashkim ke punuar kaq kohë afër me Petrit Dumen si nuk munde që ta zbulosh këtë veprimtari të tij?". Unë u përgjigja se kam patur besim dhe nuk do të më vinte mendja kurrë për një gjë të tillë.


Po mirë më thanë të gjitha këto që na the neve nuk të bënin përshtypje ty? Unë i thashë se këto që u thanë shumë nga juve i dinit sepse unë kam informuar që më parë vetëm me një ndryshim që nuk i kam ngritur me këtë sy që shikohen sot, pastaj dhe në zbulimin e veprimtarisë kur ti Fecorr Shehu nuk i zbulove që ishe në të gjitha drejtimet shumë më superior nga unë çne unë që jam fëmija jot si nga mosha, eksperienca, horizonti e nga çdo drejtim.


Po,- tha Bato po ti ke qenë shumë afër- po i them unë kam qenë afër por për ruajtjen fizike se ndonjë detyrë tjetër ose sinjalizim për ta parë me drejtime të tjera jo vetëm që nuk kisha por përkundrazi nuk duhej të afrohesha afër kur kishte ndonjë njeri që bënte muhabet, pastaj ju keni qenë më afër se unë, sepse jeni më të ditur.


Kam parasysh një tundje koke të Feçorr Shehut në drejtim të Lirim Pëllumbit mbas një përgjigje time të cilën nuk e mbaj mend si dhe shikimin e Batos po në këtë moment në drejtim të Feçorr Shehut. Këto që shkruajta më lart ia kam thënë Partisë në disa drejtime po një letër që i kam drejtuar me postë Sekretariatit të KQ më bën përshtypje si nuk mori njoftim nëse e morën apo jo?!


Ndofta këto nuk kanë ndonjë rëndësi, vlerësimin nuk e bëj dot unë nga jashtë veç më rëndon shumë që jam quajtur i pasinqertë dhe nuk dua në asnjë mënyrë që të jem i tillë me asnjë njeri e jo më me partinë që s'e imagjinoj dot si mund t'i mbaj të fshehur ndonjë fjalë të vetme.


Do të kisha dëshirë që të merrja përgjigje nëse vlejtën ose jo dhe në radhë të parë i morët apo jo. Kam edhe një problem tjetër i cili më shqetëson dhe dua ta zgjidh: Në qoftëse është kështu si mendoj unë tani që përjashtimi im nga radhët e kandidatëve për anëtar partie është bërë me qëllim për tu maskuar në veprimtarinë e tyre të fëlliqur ata që bënin ligjin në atë kohë si Fecorr Shehu me shokë pse të mos shikohet mundësia e rehabilitimit tim.


Në qoftë se jo atëhere të më jepet mundësia ta rifilloj stazhin nga e para sepse kam që më 1975 që punoj vetëm për këtë punë në radhë të parë. Ju do të thoni qe ta filloj siç janë rregullat dhe kjo është e drejtë po e shikoj që ka hezitim, sepse njerëzit mendojnë që ky ka qenë me armikun Petrit Dume dhe sado mirë që të punoj unë prapë fjalë të mira po veprim praktik nuk ka. Për këtë problem u takova me shokun Pilo Peristeri dhe më tha, ti bëj dokumentet, po në Komitet të Partisë të rajonit nr.3 nuk ka asnjeri dijeni dhe gjendja mbetet po ajo.


Do t'u lutesha të më ndihmoni për zgjidhjen e këtij problemi tepër shqetësues për mua dhe njerëzit e mi. Në qoftëse keni mundësi më thoni si të veproj.
Me nderime e respekt
besnik deri në vdekje i partisë
B.A.

Jetëshkrimi

Petrit Dume, një prej gjeneralëve të pushkatuar në 1975

- Petrit Dume lindi në Starje të Kolonjës dhe shkollën fillore e kreu në vendlindje. Të mesmen e la përgjysmë dhe u kthye përsëri në Kolonjë. Sapo u kthye filloi veprimtarinë me çetën e atij rrethi, pastaj u bë komandant i batalionit partizan "Hakmarrja". - Pas çlirimit Petriti shkoi për studime dhe kreu me sukses Akademinë Komando-Shtabi gjitharmëshe në Moskë.
- Që nga vitit 1953 deri më 1974 kreu detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare.
- Në vitet 1948-1974 ka qënë deputeti i Kuvendit Popullor në të gjitha legjislaturat.
- Në vitet 1948-1974 ka qenë anëtar i Komitetit Qendror dhe në vitet e fundit edhe kandidat i Byrosë Politike të KQPPSH.
- Në vitin 1974 Petrit Dume së bashku me Beqir Ballukun e Hito Çakon arrestohen si armiq të popullit, pasi mendohej se kishin në plan të rrëzonin pushtetin.
- 11 muaj pas arrestimit dhe gjykimit vendoset që Petrit Dume bashkë me Beqir Ballukun dhe Hito Çakon të pushkatohen.
-Më 5 dhjetor 1975, Petrit Dume së bashku me dy gjeneralët e lavdishëm të luftës dhe të drejtimit të ushtrisë shqiptare, Beqir Balluku e Hito Çako pushkatohen dhe eshtrat e tyre futen në një varr në një fshat të Vlorës.
-Më 18 korrik 2000, pas interesimit të familjarëve, gjënden e nxirren nga një varr i përbashkët sekret në Vranisht të Vlorës eshtrat e tre gjeneralëve të pushkatuar.

No comments: