Tuesday, August 3, 2010

Të vrarët e të plagosurit u dogjën e u hodhën në det

Dr. Muhamed Pirraku
image

Dosje/ Masakra e Tivarit

Gazeta vijon sot me pjesën e dytë të dosjes me dëshmi të të mbijetuarve nga Masakra e Tivarit sjellë nga dr. Muhamed Pirraku. Në këto dëshmi, që janë më shumë sesa rrëqethëse, vijon tregimi për natën e 1 prillit, kur ushtarët malazezë vranë më shumë se 1 mijë e pesëqind rekrutë shqiptarë nga Kosova. Ata u vranë në mënyrë barbare, ndërsa të plagosurit u lanë tërë natën nën gjakun e të vrarëve dhe në mëngjes u dogjën ose u hodhën në det. Disa oficerë që u hoqën si dalmatë, tentuan të pengonin masakrimin e pjesës së mbetur, që mendohet të ketë qenë rreth 800 rekrutë, por dhe fati i tyre do të ishte tragjik. Shumë prej tyre u vranë ose u mbytën në anijet, me të cilat u transportuan duke e shtuar tragjedinë e kësaj historie të pazbardhur. Kërkesat e rekrutëve të mbijetuar për të kontaktuar me drejtues të ushtrisë shqiptare apo të Kosovës nuk u morën parasysh, ndërsa ushtarët malazezë vrasës i thurnin himne Titos për gjakun e dergjur të shqiptarëve.

***

Vuri në spikamë se “duke menduar se thirrjet e proklamatës ishin të sinqerta, shumica e të plagosurve filloi të ngriheshin e të kërkonin ndihmë mjekësore. Mirëpo, posa u zbuluan shumica e të gjallëve, mbi ta prapë u vërsulën ushtarët dhe banorët dhe i masakruan sërish. Pastaj vazhdoi aksioni i hulumtimit dhe i asgjësimit të atyre që ende jepnin shenjë gjallërie. Ky lloj gjurmimi dhe asgjësimi zgjati përafërsisht deri pak para mbrëmjes (...)”.

Autori i parashtresës për KQ të LKJ-së, Azem Hajdini - Xani, në vazhdim pasqyroi momentet e rënda të të plagosurve dhe të të shpëtuarve pa plagë, për fatin e tyre të mëtutjeshëm. Sipas tij, ndërkohë, pasi më nuk lëvizte njeri, arriti "proklamata" tjetër. U ftuan të plagosurit për "t'u dhënë ndihmë”, por të mashtruar disa herë, "askush nga turma nuk lëvizi vendit. Pas pak aty arriti një grup oficerësh që deri atëherë nuk i kishim parë. Pasoi një bisedë mes tyre dhe shtabit (të njësisë që kreu ekzekutimin), herë-herë e përcjellë me zhurmë dhe me tone polemizuese. Përmbajtjen ne s'ishim në gjendje ta dinim, por nga gjestikulacionet, kuptohej se (oficerët e ardhur) habiteshin me këtë që kishte ndodhur”.

Oficerët e ardhur pasi do të mësonin se ishte ushtruar plojë “edhe ndaj njerëzve që kishin hyrë në ndërtesë”, këtyre iu drejtua thirrja të dilnin jashtë, me premtime se nuk do t’u ndodhte asgjë e keqe! “Përsëri na u tha se ndërprerjen e zjarrit e ka urdhëruar vetë Titoja, i cili, siç thoshin, na e ka falur jetën (...)”. Më nuk kishte arsye për heshtje në pafundësi. Sipas Xanit, pas konsultimit të nja 20-30 vetave më të guximshëm, drenicasi Isuf Halili nga Radisheva u deklarua se ai do të dilte i pari për të kontaktuar me njerëzit që apelonin për të dalë. Ashtu edhe u bë. Pas kontaktit që vuri ky me dy shokët e tjerë me shtabin dhe me oficerët, të prezantuar si dalmatë (...), vendosëm ta lëshonim ndërtesën. Para se të dilnim, në ndërkohë serbët dhe malazezët vunë roje në çdo kat të ndërtesës dhe askush s'mund ta lëshonte atë pa u kontrolluar hollësisht”.

Me këtë rast përjetuesit e plojës përjetuan plaçkitjen e çdo gjëje të kushtueshme. Xani konstaton: “Prej nesh kanë konfiskuar çdo gjë të vlefshme, si unaza ari, orë dore ose xhepi, para etj. Kur dolëm jashtë, vërejtëm se oficerët që na kishin përcjellë dhe ata të paraqitur si dalmatë, edhe më tutje diskutonin me tone të larta dhe plot nervozizëm. Mësuam se të parët përpiqeshin ta arsyetonin masakrën, andaj kërkonin që ushtarët dhe oficerët e ardhur të largoheshin prej vendit të ngjarjes”.

Vërtet ashtu edhe ndodhi. Përjetuesi kronistë saktësojnë: “Nuk vonoi dhe ata u tërhoqën (...)", kurse mbijetuesit e Plojës së Tivarit mbetën nën rrethimin e ushtarëve malazezë, të tërbuar për gjak shqiptari. Në oborr të Monopolit të Duhanit e në rrugën që çonte në Monopol, "shtriheshin me mijëra të vrarë e të plagosur. Pamje trishtuese ofronin sidomos gjësendet e mprehta, si bajonetat, sëpatat, sfurqit, shkopinjtë, që kishin mbetur të ngulitur në gjoks, në stomak apo në gjymtyrë të tjera të trupit. Në atë grumbull njerëzish të kryqëzuar si stivë drush një mbi një, nuk mund të dallohej se kush është kush, ku e ka kokën e ku këmbët apo trupin (...). Ishte shumë vështirë për ne, që mbetëm gjallë, detyroheshim të qëndronim në këmbë mbi kufoma. Edhe ne qanim bashkë me të plagosurit, të cilët shpesh klithnin: “... Ndihmomë vëlla e mos shkel mbi varrën time...!", - rrëfim trishtues, por i vërtetë, i një përjetuesi drenicas.

Në raportet ushtarake, që janë të njohura, fare nuk flitet për fatin e mëtutjeshëm të të plagosurve dhe të atyre që mbetën gjallë!?! Në raportin e Shtabit të Kolonës së Armatës IV të 8 prillit 1945 vetëm sa është thënë: "Për tërë këtë po bëhet hetim i mëtutjeshëm". Këtu iu vu pika ndriçimit të Plojës së Tivarit.

Ndërkaq, nga parashtresa e Azem Hajdinit, që është njëri ndër burimet me autentike për Plojën e Tivarit, është pasqyruar edhe sjellja barbare e ushtrisë malazeze kundër përjetuesve të plojës. Së pari, ua ndaluan të ndihmonin shokët e plagosur dhe bashkimin e të plagosurve në oborr dhe në shesh me ata që kishin qenë në ndërtesë. Duke i mbajtur “të shëndoshët" midis kufomave e në pellgun e gjakut, u mbajtën një fjalim 60 minutash "për bashkimin dhe vëllazërimin", duke i detyruar të thërrisnin parulla: "Rroftë Shoku Tito!", "Rroftë Vëllazërim Bashkimi....!", "Rroftë UNÇJ-ja...!"?! Vetëm atëherë u ftuan qytetarët e Tivarit të bartnin të vrarët dhe të plagosurit, t'i hidhnin në det ose t'i dërgonin në një vend, mbi një shkëmb, ku do t'i kallnin.

Sapo i ngarkonin në qerre, në karroca e në kamionë, kufomat dhe të plagosurit, drenicasi Elez Murati prej Llaushës me dy shokë shkuan te komandanti për ta lutur që të ndaheshin të plagosurit. "Kërkesën e tyre xhelatët e dënuan me vdekje. Por nuk u kënaqën me kaq. Nga turma jonë morën edhe nja 5-6 veta me motivacion se edhe ata ishin në grup me protestuesit dhe që të gjithë i likuiduan, kurse neve na u kërcënuan se po qe se na dëgjohet vetëm edhe një zë, do të na gjente fati i njëjtë (...)!"

Kështu, vazhdoi bartja e kufomave dhe e të plagosurve për t'i hedhur në det ose në zjarr. “Dhe, derisa ne na urdhëruan ta lëshonim oborrin, pas nesh mbetën klithmat e të plagosurve, duke dëshiruar të vinin me ne...!", kurse nga qytetarët që i banin kufomat dhe të plagosurit për t'i shpënë në të njëjtin varr, dëgjohej kënga: "Druže Tito mi smo ti obečali da čemo sve šiptare zaklati, osim devojaka i mladih nevesta s'kojima čemo kolo zaigrati (Shoku Tito ne të jemi betuar se të gjithë shqiptarët do t'i therim, përveç vajzave dhe nuseve të reja, me të cilat valle do të hedhim...!")

“Të shpëtuarit” nga ploja i dërguan afër plazhit, nja 200-300 metra nga ndërtesa e Monopolit. Aty do ta kalojnë natën të rrethuar nga deti dhe ushtarët e armatosur deri në dhëmbë. "Në mëngjes vërejtëm se si mbi ujë notonin plisat e bardhë, shokat, japangjet dhe kufomat e shokëve tanë. Në plazh kemi qëndruar plot 18 orë pa ngrënë, kurse etjen përpiqeshim ta shuanim me ujë deti", - shkruan Xani.

Tani, prapë i kthyen në oborr, në vendin e masakrës, ku kundërmonte erë gjaku të zënë. Aty u ofruan ushqim "gjellë të ngrohtë", por asnjëri nuk e mori gjellën, për faktin se atë ua kishin servirur në enët e shokëve të vrarë, “të cilat ishin të lara me gjak”. Pasoi dënimi në shenjë hakmarrjeje. Dhënia tjetër e ushqimit u shty për 12 orë. U urdhëruan të hynin në ndërtesë, por të mbijetuarit tashti kundërshtuan. Nuk pranuan të hynin brenda pa i numëruar dhe "pa e përpiluar regjistrin me emër e mbiemër dhe adresat e sakta për secilin prej nesh që kishim ngelë ende të gjallë dhe të na jepej kopja, pastaj të tregohet regjistri i atyre që janë nisur nga Kosova dhe të dihet numri i të vrarëve (...). Me këtë rast u betuam se nuk do të lejonim më vrasjen e shokëve tanë që i caktuam për ta ngritur zërin në emër të të gjithëve pa u vra të gjithë ne", - do të konstatojë Xani.

Në fund, pas shumë peripecive, u caktua një grup prej dy oficerëve dhe katër shqiptarëve që të bënin njehjen e shqiptarëve të mbetur gjallë. "Pas numërimit një nga një gjatë hyrjes në ndërtesë është konstatuar se gjallë kishin mbetur vetëm 810 persona”, - do të saktësojë Xani në parashtresën për KQ të LKJ-së, më 9 nëntor 1966.

Këtu duhet të konstatojmë këtë fakt: Hulumtimet e mia para vitit 1990, për numrin e të mbijetuarve të Masakrës së Tivarit, përputhen ani mirë me konstatimet e Azem Hajdinit - Xanit. “Dihet e dhëna se nga Tivari për Raguzë do të shkonin vetëm shtatë barka me shqiptarë nga Eshaloni i Dytë, teprica nga ploja e 1 prillit 1845. Këto barka mund të merrnin 100-120 veta, çka do të thotë se nëse mesatarisht në një barkë kanë hipur 110 veta, del se në Raguzë kanë shkuar rreth 770 veta”.

Mirëpo, në rrethana të luftës dhe veçanërisht në rrethanat jonjerëzore që i përjetonin rekrutët shqiptarë, nëse jo më shumë, në një barkë ka mundur të ngarkoheshin edhe deri 120 veta. Kjo e dhënë mbështet saktësinë e numërimit të komisionit shqiptaro-malazez më 2 prill 1945. Së këndejmi, duhet të pranojmë faktet se derisa nuk kemi argumente të tjera për t’i kontestuar të dhënat e përmendura, nga Masakra e Tivarit shpëtuan 810 veta, mund të nxirret përfundimi i logjikshëm se nga Shkodra, më 30 mars, ku u dorëzuan 2370 shqiptarë, përfundimisht me Masakrën e Tivarit, më 1 prill 1945, nga ushtria malazeze u masakruan 1560 shqiptarë.

Siç do të shohim më vonë, numri 1560 është bindshëm më i pakontestueshëm, sepse është për 140 veta më pak sesa numri në proklamatën e Shtabit të Luftës së LLTSH të fillimtetorit 1945, përkatësisht 130 veta më pak se numri në Informatën e profesor Ymer Berishës të 22 tetorit 1945 dhe 240 veta më pak se numri në parashtresën e kapitenit Bajram Gola të 31 majit 1990.

Tashti të ndjekim, edhe pak, të dhënat e përjetuesit të gjakderdhjes së paprecedentë në periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Azem Hajdini do të konstatonte: Sërish “në ndërtesë na pritën telashe të reja. Në një anë ishim të rrethuar, kurse njëkohësisht na u komunikua urdhri se askush nuk mund të dalë jashtë ndërtesës, madje as për nevoja fiziologjike. Mosrespektimi i kësaj urdhërese dënohej me vdekje. Në këto kushte u detyruam që nevojat fiziologjike t'i kryenim po aty ku qëndronim në dhomë".

Ndaj të ngujuarve do të bëheshin edhe provokime, duke u lënë, në disa vende, revole pa fishekë dhe dy mjete shpërthyese, "të cilat, në një çast u aktivizuan" dhe lënduan disa veta. Në këtë gjendje kaotike, frike dhe pasigurie, e kaluan natën e 2-3 prillit 1945. Pas 22 orësh qëndrimi të ngujuar, derisa nëpër Tivar kaloi Eshaloni i Tretë, i nisur nga Prizreni më 27 mars 1945, i nxorën, i rreshtuan dhe i dërguan në një ndërtesë të vjetër, me një oborr përafërsisht 1000 m2, i rrethuar me tela të gjembuar, të lartë mbi dy metra.

Në kërkesën e të mbijetuarve të plojës për t’ua mundësuar një kontakt me ndonjërin nga udhëheqësit politikë e ushtarakë kosovarë: me Fadil Hoxhën, Xhavit Nimanin, Rifat Berishën, Mehmet Hoxhën e Ismet Shaqirin "apo me udhëheqësit e Shqipërisë", oficerët malazezë iu kërcënuan të heshtnin: "Shihni atë tym të zi në atë shkëmb! Aty po digjen shokët tuaj, mos dëshironi edhe ju të pësoni si ata...!?”

Vetëm pas dy-tri ditësh para tyre, në atë kamp, arritën disa oficerë malazezë dhe "dy dalmatë" dhe ua komunikuan një dokument kinse të udhëheqësisë së Kosovës, ku thuhej: "Me keqardhje kemi marrë lajmin për incidentin dhe tragjedinë që ndodhi në Tivar, për çka ju vetë ishit fajtorë. Kemi marrë të gjitha masat për sigurimin e jetës suaj dhe të kushteve më të mira jetësore. Tash e tutje për në front, përveç udhëheqësve serbë e malazezë, do t'u shoqërojnë edhe oficerët kroatë e sllovenë, si dhe disa oficerë shqiptarë".

Rekrutët shqiptarë përjetues të Plojës së Tivarit, për t'ia shkurtuar vetes vuajtjet e mëtutjeshme, pranuan sugjerimet, por jo edhe barrën se ata ishin fajtorë për incidentet dhe Plojën e Tivarit. Dhe, pas 12 ditësh nga masakra, pasi ua përvëluan teshat me morra, i nisën, me rrugën detare, për Budvë - Raguzë - Split Trogir Shibenik - Biograd na More, ku do të sistemoheshin në njësitë ushtarake të AJ-së.

Eshalonin e Dytë të marsit, edhe më tutje, e përcollën fatkeqësi dhe tragjedi. Sipas disa dëshmive të përjetuesve të ngjarjes, në afërsi të Raguzës një barkë hasi në një minë dhe me atë rast u vranë 40 rekrutë shqiptarë. Shumica e të rënëve ishin të plagosur në Plojën e Tivarit, të kuruar në spitalet në Miloçer dhe Tivar dhe të nisur për rrugë pas Pashkëve të vitit 1945, pra, pas 15 prillit. Askush nuk u mor me nxjerrjen e kufomave të tyre nga deti.

Pushimin e parë, përkatësisht natën e parë të marshimit përgjatë bregdetit, e kaluan në Split - "të mbështetur për disa shkëmbinj", ku nga "uria, lodhja dhe sëmundjet e ndryshme, një numër shokësh kanë ngelur në vend, kurse për fatin e tyre më s'kemi mësuar asgjë", - do të konstatojë Xani.

Pjesëtarët e tjerë të këtij eshaloni vazhduan marshutën, përmes rrugës detare, deri në Trogir. Aty i ndalën për t’u çlodhur dhe për t’i pajisur me pajisjet ushtarake. Një pjesë të rekrutëve shqiptarë e vendosën në disa shtëpi, kurse një pjesë e dërguan në kazermën ushtarake në ujdhesën Çiovo. Meqë ura që lidhte këtë copë toke me Trogirin ishte e shkatërruar nga bombardimet gjermane, kalimi i kanalit bëhej me trajekt. Më 18 prill 1945 u dha urdhri për nisjen e rekrutëve për në front, ndaj pjesa e rekrutëve nga Çiovo duhej të kthehej në Trogir, te pjesa kryesore.

Gjatë kthimit, trajekti i parë lundroi pa telashe, kurse i dyti, me 150-180 veta, pasi lundroi rreth 20-30 m, u thye në mjedis. U shkaktua kërcimë e madhe dhe panik. Të gjithë rekrutët ranë në ujë. Ushtarët dhe populli u erdhën në ndihmë, por, siç pohojnë përjetuesit e fatkeqësisë, “u mbytën 65 veta”, kurse nga deti u nxorën vetëm 29 kufoma (28 nga komuna e Kaçanikut dhe 1 nga komuna e Ferizajt). Qytetarët e Trogirit morën pjesë edhe në varrosjen e martirëve me nderime të larta. Pjesën e mbetur të Eshalonit të Dytë të marsit 1945 e dërguan në Biograd na More, për ta bashkuar me njësitë e Divizionit XV "Matija Gubec”. Në ditën kur rekrutët kosovarë shqiptarë i sistemuan në njësitë ushtarake me nënoficerë shqiptarë nga tetari deri në toger, sipas të dhënave të para që i kishte Azem Hajdini - Xani, kishin arritur 786 veta, kurse sipas të dhënave që Xani i siguroi nga hulumtimet e tjera të kujtesës për Masakrën e Tivarit, në Biograd na More arritën “726 veta, më pak për 84 veta sesa kur jemi nisur nga Tivari, të cilët në një mënyrë ishin zhdukur”.

Tashti të përmbledhim faktet: Nëse numrin “2400 shqiptarë” për Eshalonin e Dytë të marsit, i raportit të 27 marsit 1945, është i saktë, saktësinë e të cilit nuk mund ta kontestojmë me asnjë fakt burimor, pra, me burime arkivale, del se nga Eshaloni i Dytë i Marsit 1945 prej nisjes nga Prizreni deri në Shkodër u likuiduan 30 veta, nga Shkodra përfundimisht me Plojën e Tivarit më 1 dh 2 prill 1945 u likuiduan 1560 veta, kurse në Biograd na More, në radhët e Armatës IV të AJ-së, arritën vetëm 726 shqiptarë (afër Raguzës u vranë rreth 40 veta, në Split vdiqën dhe mbetën disa veta dhe në Trogir u nxorën nga deti 29 veta). Rezulton se nga 2400 veta të Eshalonit të Dytë deri në Shtabin e Divizionit XV të Armatës IV të AJ-së, jetën e humbën 1674 veta. Ky numër i dëshmuar me fakte burimore dhe analiza të fakteve korrespondon fuqimisht me të dhënat aproksimative të profesori Ymer Berishës (1690), më 22 tetor 1945, dhe të kapitenit Bajram Gola (1700), më 31 maj 1990.

Duke përfunduar këtë pjesë të shqyrtimit kritik të fakteve, është me rëndësi të konstatojmë: Me të gjitha këto që u thanë, në këtë pjesë të studimit, u informua edhe Shtabi i Divizionit XV "Matija Gubec", diku në një fshat afër Rijekës, më 25 prill 1945, por si përgjigje morën urdhëresën top sekret: "Në njësi e jashtë saj nuk guxon askush të llafosë për rastin e Tivarit. Në të kundërtën, u kërcënuan se po qe se zihet në gojë kjo ngjarje, do të thotë, nëse merr dhenë, akëcili do të nxirret para gjyqit ushtarak nën akuzë për përhapjen e propagandës armiqësore!"

No comments: