Tuesday, August 3, 2010

Histori e re shqiptaro-serbe, Tadiç vizitë në Tiranë

Gazeta Standard
image

Ambasadori Çaushi bën publike ftesën e Kryeministrit Berisha

Beograd- Tirana zyrtare ka marrë notën 10 në vlerësimet ndërkombëtare për sjelljen diplomatike me fqinjët dhe ruajtjen e stabilitetit në rajon. I vetmi ngërç në këtë marrëdhënie ekzistonte me Serbinë, për shkak të Kosovës, shteti i dytë shqiptar në Ballkan, por edhe për këtë ngërç po bëhen përpjekje për ta kapërcyer. Një ftesë e Kryeministrit Sali Berisha për Presidentin serb, Boris Tadiç, që të vizitojë Tiranën pritet të shuajë njëherë e mirë arketipin e vjetër të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe do të hapë një epokë të re. Siç mësohet nga mediat serbe, Tadiç e ka pranuar këtë ftesë dhe pritet që së shpejti të kryejë udhëtimin historik për në shtetin shqiptar, pavarësisht ndasisë së madhe që ka me mikpritësin Berisha për çështjen e pavarësisë së Kosovës. Kjo vizitë do të jetë hapi i radhës nga politika serbe, ndërkohë që zv.kryeministri Ilir Meta ishte i pari që vizitoi Beogradin para pak muajsh në një vizitë zyrtare gjithashtu historike.

Vizita e Tadiçit

Lajmi për këtë vizitë të pritshme është konfirmuar dje nga ambasadori shqiptar në Beograd, Shpëtim Çaushi, në një intervistë për të përditshmen serbe “Danas”. Çaushi sqaron se Presidenti Tadiç i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Kryeministrit Berisha për të vizituar Shqipërinë. “Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë janë të shkëlqyera. Kjo frymë bashkëpunimi bilateral influencon pozitivisht në të gjithë rajonin. Në këtë kuadër, së shpejti do të ketë vizita të rëndësishme nga të dyja palët, përfshirë këtu edhe vizitën e Presidentit Tadiç në Shqipëri”, - është shprehur ambasadori. Duke sqaruar hapat që çuan në përgatitjen e kësaj vizite, Çaushi tregon: “Në favor të një klime të re politike ka pasur mesazhe inkurajuese të dyanshme nga krerët e polititkës në Tiranë dhe Beograd. Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha i bëri ftesë për një vizitë zyrtare Presidentit serb Boris Tadiç. Në të njëjtën kohë, Presidenti serb ka shprehur publikisht nevojën e bashkëpunimit mes dy vendeve, jo vetëm si një pasqyrim i interesave të përbashkëta politike, ekonomike dhe njerëzore, por edhe si një faktor i rëndësishëm pozitiv për të gjithë Ballkanin Perëndimor”. Gazetari që ka intervistuar ambasadorin shqiptar, kujdeset që të sqarojë që në krye të shkrimit se “kur është fjala për opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, pozita e qeverisë së Shqipërisë, natyrisht dhe diplomacisë e saj, përputhet me mendimin e 69 vendeve që kanë njohur shtetin e ri të Kosovë”. Në një moment kur të dyja vendet kërkojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, ambasadori shqiptar e sheh me rëndësi bashkëpunimin për rrugën e përbashkët, integrimin. “Zona e integrimit evropian është themeli dhe qëllimi i të dyja vendeve. Ne kemi filluar tashmë këtë bashkëpunim. Së shpejti një delegacion ekspertësh në këtë fushë do të vijë në Beograd për të shkëmbyer përvojën me homologët e tyre serbë”, - tha ai. Çaushi prek me hollësi marrëveshjet mes ministrave përkatës serbë e shqiptarë, të cilët kanë vizituar të dyja vendet, duke i hapur kështu rrugën një vizite të nivelit të lartë që do të ishte shprehje e vërtetë se historia shqiptaro-serbe po ndryshon.

Serbët, pa viza drejt Shqipërisë

Këtë verë shumë serbë që kanë kureshtje për të njohur një vend fqinj, pavarësisht historisë që i bashkon, kanë udhëtuar drejt Shqipërisë pa pasur nevojë për një vizë. Ambasadori Çaushi ka bërë të ditur në intervistën për median serbe se ai vetë ka pritur shumë qytetarë serbë në ambasadë që kërkonin të udhëtonin për në Shqipëri, duke e cilësuar këtë si një lajm të mirë. “Shqipëria ka bërë një gjest pozitiv, duke ofruar lëvizje të lirë pa viza për qytetarët e Republikës së Serbisë. Kjo ka rezultuar në një numër në rritje të vizitorëve nga Serbia në vendin tonë, e cila ofron mundësi reale për biznesin, kulturën dhe sidomos për turizmin. Çdo ditë ne kemi dhjetëra dhe qindra pyetje në ambasadën në Beograd për çështjen e udhëtimit dhe është kënaqësi e madhe për të konfirmuar edhe një herë faktin se qytetarët serbë mund të udhëtojnë në Shqipëri me vetëm pasaportat e tyre”, - thotë Çaushi.

No comments: