Tuesday, August 3, 2010

Kurthi, ushtria “e fshehtë” sovjetike mbiu nga toka

Saimir Lolja
image

Pasi shkatërruan Skalionin e Parë Strategjik të ushtrisë sovjetike, njësitë sulmuese gjermane papritmas ndeshën armata të reja sovjetike, për të cilat komanda e lartë gjermane nuk dinte gjë.

(Vijon nga numri i shkuar)

DREJT BERLINIT

Prej natyre, lumi i madh Dnepr bllokon lëvizjen nga Perëndimi drejt Lindjes. Para vitit 1939, të gjitha urat e këtij lumi ishin minuar. Në fillim të viteve 1930 ishte krijuar edhe flotilja ushtarake e këtij lumi, e cila më 1941 numëronte 120 anije luftarake dhe mbështetej nga fortifikime, artileri me kalibër 130 mm në brigjet lindore të lumit dhe skuadrilje aeroplanësh. Një vijë e tillë mbrojtëse në këtë lumë pengonte çdo përparim drejt rajoneve industriale të Ukrainës jugore dhe bazave detare të Detit të Zi. Që nga Maji 1940 kur ushtria gjermane sulmoi Francën, Stalini urdhëroi prishjen e vijës mbrojtëse të lumit Dnepr. Minat u hoqën nga urat dhe flotilja e dërguar në lumin Danub, në kufi me Rumaninë, për të mbështetur sulmin e ardhshëm në këtë drejtim dhe për të përparuar nëpërmjet Danubit drejt Austrisë.

Armata 9 sovjetike u krijua në vjeshtën e vitit 1939. Një javë pasi u pozicionua si duhej në kufi me Finlandën, ajo sulmoi për “çlirimin” e Finlandës. Pas mbarimit të kësaj lufte, kjo armatë më 26-03-1940 u fshi nga lista, për t’u dukur papritmas në qershor 1940 në kufi me Rumaninë. Pas “çlirimit” të Besarabisë dhe Bukovinës Veriore, kjo armatë më 10-07-1940 u fshi përsëri nga lista. Në fakt, trupat qëndruan pranë kufirit, porse si ushtarë që i përkisnin njësive ushtarake të vogla. Më 14-06-1941, Armata 9 mbiu përsëri nga dheu në kufi me Rumaninë dhe filloi të përforcohej me armët më të fundit dhe oficerët më të mirë. Në këtë Armatë bënte pjesë edhe Divizioni 30 Malor Pushkatar Irkutsk, i cili ishte pozicionuar në krah të djathtë të Armatës 9 sovjetike, përballë vargmaleve Karpate të Rumanisë. Përbri Armatës 9 sovjetike ishte Armata 12 Malore sovjetike e pozicionuar përballë vargmaleve Karpate të Rumanisë e Polonisë. Kjo Armatë ushtarët i kishte nga rajonet malore të Kaukazit dhe ishte pajisur me armatim e mjete për luftim malor.

Më 13-06-1941, Agjencia Telegrafike e Bashkimit Sovjetik (TASS) lëshoi një njoftim në radio sipas të cilit “... Gjermania dhe BRSS po i zbatojnë si duhet kushtet e paktit gjermano-sovjetik të mos-sulmimit;... dhe se zërat e përhapura për një sulm të Gjermanisë kundër BRSS janë thjesht një fabrikim propagande nga armiqtë e Gjermanisë dhe BRSS”. Stalini ishte hartuesi i këtij njoftimi “të çuditshëm”. Për një dëgjues radioje të mefshtë njoftimi ishte një shenjë qetësimi; për Ushtrinë e Kuqe njoftimi i shenjë kushtrimi. Skalioni i Parë Strategjik i ushtrisë sovjetike kishte 170 Divizione tankesh, të motorizuara, kalorësie dhe pushkatarësh. Nga këto 56 divizione ishin vendosur në buzë të kufirit dhe 114 divizionet e tjera ishin pak më thellë. Më 13-06-1941, të 114 këto divizione morën urdhër të lëviznin drejt kufirit. Po në të njëjtën datë, divizione të rajonit të maleve Urale morën urdhër të fshehtësisë më të lartë për t’u zhvendosur në “kampe të rinj” më në Perëndim, konkretisht në pyjet e Rusisë së Bardhë. Pesë Armata nga thellësia i ishin afruar kufirit që nga muaji shkurt 1941 dhe tre të tjera ishin në lëvizje për këtë qëllim. Këto tetë armata i përkisnin Skalionit të Dytë Strategjik të ushtrisë sovjetike, i cili përmbante 77 divizione tankesh, të motorizuar dhe pushkatarësh, pa llogaritur dhjetëra regjimente e qindra batalione të veçantë.

Mijëra vagonë nevojiten për të mbartur trupat dhe materialet ushtarake të një armate të vetme. Kjo ishte arsyeja pse formimi i Skalionit të Dytë Strategjik kërkoi pesë muaj. Pasi shkatërruan Skalionin e Parë Strategjik të ushtrisë sovjetike, njësitë sulmuese gjermane papritmas ndeshën armata të reja sovjetike, për të cilat komanda e lartë gjermane nuk dinte gjë. Lufta rrufe ishte llogaritur për të shkatërruar trupat sovjetike pranë kufirit, kurse ushtria gjermane u ndesh me një mur tjetër armatash që kishin ardhur apo ishin duke ardhur nga Kaukazi Verior, Vollga, Uralet, Siberia, Trans-Baikali dhe Lindja e Largët. Stacionet e trenave pranë kufirit u kthyen në magazina gjigande municionesh që mbaheshin në vargje vagonësh që s’u shihej fundi dhe në gjendje gatishmërie për të vazhduar rrugën drejt Perëndimit në mbështetje të sulmit të ushtrisë sovjetike. Njëkohësisht, 8500 cisterna hekurudhore plot me naftë e benzinë u grupuan në stacionet e trenit pranë kufirit. Ushtria sovjetike ishte organizuar në pesë fronte sulmi në perëndim të Bashkimit Sovjetik. Fronti Jugperëndimor kishte 1500 vagonë treni plot me municion vetëm në stacionin e qytezës Kalinovka. Pas sulmit gjerman, vetëm fronti perëndimor humbi 4216 vagonë treni plot me municion. Përqendrimi i trupave dhe materialeve ushtarake të ushtrisë sovjetike në të pesë frontet e sulmit ishte planifikuar të përfundonte më 10-07-1941.

Trupat sovjetike të Skalionit të Parë Strategjik nuk kishin kazerma për të fjetur; ato ishin në buzë të kufirit dhe flinin e hanin me çadra nëpër pyje. Po ashtu edhe trupat e Skalionit të Dytë Strategjik flinin nëpër pyje dhe nuk bënin ndërtime për stërvitje ose për të kaluar dimrin aty. Shumë nga lëvizjet e trupave dhe armatimit kryhej natën, kurse ditën trupat flinin nëpër pyje. Në rajonet pranë kufirit perëndimor nuk kishte fusha stërvitjeje për Ushtrinë e Kuqe dhe ato miliona ushtarë të përqendruar nuk mund të qëndronin për kohë të gjatë ashtu. Për më tepër, shumë armata e korparmata ishin krijuar kohët e fundit për t’i hipur menjëherë nëpër trena dhe si të tilla ato nuk kishin një kazermë ku të ktheheshin. Edhe nëse do ktheheshin, operacioni do kërkonte muaj të tërë, do bllokonte përsëri rrjetin hekurudhor dhe do sillte rrënim ekonomik për tërë vendin. Gjithashtu, tërë ato trupa nuk mund të rrinin për një kohë të gjatë të përqendruara në pyjet pranë kufirit, sepse fshehtësia e tyre dhe e tërë operacionit do të zbulohej. Në trupat sovjetike të Skalionit të Dytë Strategjik kishte shumë ushtarë të veshur me rroba të zeza, të cilët ishin në fakt ish-të burgosurit e kampeve sovjetike të përqendrimit [GULAG] në Siberi. Armatat e Skalionit II Strategjik filluan të krijoheshin në qershor 1941 dhe të burgosurit ushtarë u grumbulluan e u armatosën pikërisht në këtë kohë. Dërgimi i tyre në Perëndim ishte pa kthim, sepse do ishte e pamundur që ato të dorëzonin vetë armët dhe të ktheheshin mijëra kilometra larg, thellë në gulagët e Siberisë.

Manovrat ushtarake zakonisht kryheshin në fillim të vjeshtës; kurse ky përqendrim forcash kishte nisur me fshehtësi që nga fillimi i vitit 1941 dhe po përfundohej në fillim të verës. Zakonisht manovrat me rezervat ushtarake kryheshin pasi të korreshin të lashtat [grurë, misër etj.]; kurse në atë vit, ky rregull u shkel. Në manovra ushtarake, oficerët e dinin lojën luftarake që do zbatonin; kurse në atë vit, oficerëve iu thuhej se do shkonin për stërvitje, dhe kaq. Paralel me trupat tokësore sovjetike, divizionet dhe regjimentet e aviacionit iu afruan kufirit, bile disa fusha qëndrimi ishin 10 km larg kufirit. Divizionet ajrore zakonisht kishin 247 aeroplanë të shërbimeve të ndryshme. Me afrimin pranë kufirit, ato u furnizuan me aeroplanët më të rinj MiG-1, MiG-3, Pe-2, Il-2 dhe sasia e avionëve të tyre u dyfishua e u trefishua.

POZICIONIMI DHE SULMI

Kufiri gjermano-sovjetik në Poloninë e pushtuar i ngjante një sharre dhe ushtritë sovjetike dhe gjermane ishin përqendruar pikërisht në majat e thepave; vetëm dhe gati për sulm. Cila ushtri do sulmonte e para, do të rrethonte përqendrimet e ushtrisë tjetër. Më 1941, trupat gjermane u vendosën edhe në territoret e Rumanisë dhe Finlandës me kërkesën e këtyre vendeve për t’u mbrojtur nga sulmi i ushtrisë sovjetike të përqendruar në kufi. Më 16-06-1941, qeveria britanike i kaloi qeverisë sovjetike një paralajmërim të zbulimit britanik për një sulm të mundshëm të ushtrisë gjermane. Raporti, i cili ishte i saktë, përcaktonte 115 divizione të Skalionit të Parë Strategjik gjerman, nga të cilët 80 ishin në Poloni, 30 në Rumani dhe 5 në Finlandë e Norvegjinë veriore; pa llogaritur divizionet e ushtrisë rumune. Më 22-06-2941, numri i tyre në buzë të kufirit arriti në 125 divizione dhe dy brigada. Për ushtrinë gjermane, mbartja e avionëve pranë kufirit filloi në fund të muajit maj e mbaroi më 18-06-1941. Meqenëse ushtria gjermane kishte më pak trupa se Ushtria e Kuqe, ajo fitoi dy javë kohë për mbartjen e tyre dhe pozicionimin e duhur pranë kufirit me BRSS; e rrjedhimisht sulmoi më herët.

Fronti Jugperëndimor i ushtrisë sovjetike ndodhej në rajonin ushtarak të Kievit. Ky ishte fronti më i fuqishëm sulmues i Ushtrisë së Kuqe dhe tre Armatat 6, 12 Malore, 26 ishin përqendruar në thepin e qytetit Lviv. Më 22-06-1941, Grupi i Parë i Tankeve gjermane, me fuqi të vogël ushtarake, sulmoi në drejtimin Lutsk-Rovno-Berdichev dhe i rrethoi këto tre armata. Më pas ky grup tankist me shumë lehtësi lëroi prapavijën ushtarake duke shkatërruar ose kapur në sasira të pamenduara fusha avionësh, spitale, pika komandimi, ushqime, municione e armatime. Ato trupa sovjetike që i shpëtuan rrethimit lanë çdo gjë mbrapa dhe morën vrapin drejt Lindjes. Sulmi i Grupit të Parë Tankist gjerman rrezikoi tërë Frontin Jugor Sovjetik, sepse para këtij Grupi Tankist shtrihej tani një hapësirë e lirë dhe ai mund të sulmonte ku të donte.

Grupi i Parë Tankist mund të shkonte drejt Kievit; mund të kapte kombinatet metalurgjike të Ukrainës në Dnepropetrovsk, Dneprodzerzhinsk, Zaporozhye; pas kësaj mund të arrinte në Krime dhe në bazat detare të Deti të Zi; mund të kapte hidrocentralin DneproGES, më të madhin në Evropë; mund të kapërcente lumin Dnepr dhe të kapte rajonin Donbass, i cili ishte rajoni qymyrguror më i madh i BRSS; mund të vazhdonte drejt Kaukazit Verior dhe të kapte linjat e furnizimit me produkte vajgurore etj. Por për të gjitha këto shënjestra nuk mjaftonte vetëm ky grup tankist, i cili kishte 799 tanke të vjetra e të përdorura. Grupi i Parë Tankist gjerman u urdhërua të sulmonte në drejtim të lumit Dnepr, ku pas betejave të ashpra e kapërceu këtë lumë dhe u bashkua me Grupin e Dytë Tankist gjerman. Si rrjedhim katër Armata sovjetike u rrethuan dhe dhanë 664’000 robër, pa llogaritur sasitë e panumërueshme të armatimit, municioneve dhe furnizimeve të tjera. Kjo ndodhi në shtator 1941 dhe bëri që ushtria gjermane të humbte shpejtësinë dhe të vononte sulmin kundër Moskës; me fillimin e Vjeshtës e cila sillte shira e baltë nuk kishte më luftë rrufe [blitzkrieg].

Fronti sovjetik Perëndimor në Rusinë e Bardhë kishte Armatat 3, 4, 10, 13 të përqendruara në thepin e qytetit Byelostok. Më 22-06-1941, dy grupe tankiste gjermane sulmuan nga krahët, kryen rrethimin e 30 divizioneve sovjetike dhe pasi u bashkuan vazhduan drejt qytetit Minsk. Më 03-07-1941, këmbësoria gjermane i arriti Grupet 2 e 3 të tankeve dhe më pas sulmi i tyre u drejtua kundër rajonit të qytetit Smolensk. Ky qytet komandonte rrugën për në Moskë. Saktësisht 129 vjet më parë, ushtria franceze e Napolon Bonapartit pati kryer një betejë të ngjashme në Smolensk para se të hynte në Moskë. Beteja e Smolenskut u krye midis datave 10-07-1941 dhe 10-09-1941. Grupi i Dytë Tankist nën komandën e Gjeneralit Heinz Guderian mori krahët nga Jugu, kurse Grupi i Tretë Tankist nën komandën e Gjeneralit Hermann Hoth mori krahët nga Veriu. Meqenëse shpejtësia e sulmit nga veriu qe më e ulët sepse tanket e Grupit të Dytë gjerman lëvizën në toka të përbaltura, rrethimi u mbyll me vonesë dhe 200’000 trupa sovjetike i shpëtuan rrethimit. Megjithatë, në përfundim të betejës 310’000 trupa sovjetike nga Armatat 16, 20 e një pjesë nga Armata 19 u zunë robër, kurse të 700 tanket sovjetike u shkatërruan. Nga këtu, busulla shigjetonte drejt Moskës.

Një ushtri evropiane mund të sulmojë në territorin sovjetik vetëm në periudhën 15 maj – 15 shtator. Pjesa tjetër e vitit është me shi, borë, baltë, ngrica e ftohësi. Në qershor 1941 dhe pa filluar lufta, ushtria sovjetike numëronte 5.5 milionë ushtarë e oficerë. Pas një jave nga sulmi gjerman, më 01-07-1941, u mobilizuan në ushtrinë sovjetike edhe 5.3 milionë njerëz të tjerë dhe mobilizimi vazhdoi edhe në muajt në vazhdim. Gjatë Luftës II Botërore 20% e popullsisë së BRSS u vesh ushtar, domethënë 34.5 milionë vetë. Gjermania nuk ishte gati për luftë të gjatë kundër BRSS. Hitleri besonte se po të kapej Moska, atëherë tërë Rusia e Madhe do kapitullonte. Qëllimi i operacionit “Barbarosa” [sulmi gjerman kundër BRSS] nuk ishte i qartë. Gjeneralët e Hitlerit planifikuan ta shkatërrojnë Rusinë e Madhe për tre muaj, duke patur naftë e benzinë vetëm për dy muaj. Lufta rrufe është një luftë tankesh të shpejta dhe të fuqishme. Më 01-09-1939, Gjermania kishte 2977 tanke (6 divizione) nga të cilët 1445 Pz-I pa top, 1223 Pz-II me top 20-mm, 98 Pz-III me top 37-mm të papërdorshëm dhe 211 Pz-IV me top 75-mm me tytë të shkurtër i papërdorshëm kundër tankeve. Më 22 qershor 1941, ushtria gjermane sulmoi BRSS me 3332 tanke të vjetër (në 21 divizione), pa tanke të rëndë e pa tanke amfibë. Nga ana tjetër, ushtria sovjetike kishte 23’925 tanke të modeleve më të mira në botë, me armatim të fuqishëm, me motor diesel etj.

Më 22-06-1941, ushtria gjermane kishte në frontin lindor 750’000 kuaj. Nga 153 divizione gjermane të të dy skalioneve strategjike që u derdhën mbi BRSS, vetëm 17 prej tyre ishin divizione tankesh (4 grupe tankiste). Nuk kishte bile edhe një tank të vetëm në të 13 divizionet e motorizuara gjermane në fillimin e Luftës II Botërore, ndërkohë që secili divizion sovjetik pushkatarësh kishte Batalionin e vet të tankeve T-26. Një shembull ishte Armata 20 Malore gjermane e cila kishte 200’000 ushtarë dhe 70’000 kuaj. Ushtria gjermane mbështetej shumë në mbartjen e trupave nëpërmjet makinave dhe në sulmin kundër BRSS u përdorën 500’000 të tilla. Në rrugët e Evropës këto makina e treguan vlerën e tyre, kurse në fushatën kundër BRSS ato ngecën në baltën e të ashtuquajturave rrugë sovjetike. Më 01-06-1941, ushtria gjermane kishte 10’816 armë artilerike të shpërndara në frontet e Afrikës, Evropës Perëndimore, Juglindore dhe Lindore; dhe këto ishin me municione të pakta. Më 22-06-1941, Ushtria e Kuqe kishte 15’464 armë artilerike dhe shumë fabrika që prodhonin municion për to.

Hitleri nënshkroi Urdhrin e Hapur Nr. 21 më 18-12-1940, prej të cilit filloi zbatimi i operacionit “Barbarossa”, domethënë sulmi kundër BRSS. Sipas këtij dokumenti, “... qëllimi i operacionit është krijimi i një prite mbrojtëse ndaj Rusisë aziatike përgjatë vijës Vollga-Astrakhansk. Rajonet industriale të mbetura në Urale do të paralizoheshin nëpërmjet aviacionit...” Ushtria gjermane nuk kishte bombardues, fusha aviacioni, vajgur, vajra lubrifikues e furnizim me bomba, që mund të arrinin malet Urale, të bombardonin e të ktheheshin. Ushtria gjermane nuk e arriti lumin Vollga para shirave të vjeshtës. Tanket gjermane e kishin të shkurtër kohën e punës dhe tërë ushtria gjermane duhej të ndalonte për 2-3 javë me qëllim që të riparonte tanket (zëvendësim motori, kutie shpejtësie, pistonash etj.). Gjithashtu, tanket gjermane ngecën në baltën ruse për shkak të vetë ndërtimit të tyre. Tanku gjerman T-IIIA, më i miri në vitin 1941, kishte shtypjen 0.94 kg për centimetër katror sipërfaqe mbështetëse dhe jepte 13.9 kuaj-fuqi për ton peshë të vetën; pa dyshim ky tank do zhytej në baltë dhe nuk as krahasohej me tanket sovjetike për nga cilësia e sasia. Veç kësaj, që në gusht 1941, ushtarët gjermanë shfaqën shenja lodhje dhe fuqia e ushtrisë kishte rënë për shkak të humbjeve e furnizimeve të pakta. Lufta rrufe e ushtrisë gjermane u shua që në gusht 1941. Gjithashtu, ushtria gjermane nuk mori furnizimet e duhura për të përballuar dimrat në Rusinë e Madhe. Natyrisht, pa një përgatitje të tillë nuk mund as t’i mbijetohej atje dimrit e as të përparohej ushtarakisht.

No comments: