Thursday, July 15, 2010

Hasan Tahsini, dijetari që shndëriti me aq shkëlqim

Ibrahim D. Hoxha*

Dijetar i shkallës botërore e dhetar pararojë i Rilindjes Kombëtare, përveç gjuhës amtare, zotëronte edhe disa gjuhë të huaja. Ishte njohës i thellë dhe shtjellues i shkencave të natyrës dhe i atyre shoqërore; vëzhgues dhe shkoqitës i dukurive mbi gjithësinë e rruzullimin, themeluesi dhe drejtuesi i të parit universitet shtetëror në sulltanatin osman si dhe i “Xhemijet-i Ilmijje-i Arnavudijjê” (Shoqëria e Dijetarëve Shqiptarë apo Kuvendi Shkencor Shqiptar), institucion që u përdor edhe si “Dâr-ul Funùn” (universitet) . Kështu, i ndjeri hoxhë Hasan Tahsin efendiu u bë dhe mbeti i pari dhe i vetmi shqiptar që organizoi dhe drejtoi një universitet ndërkombëtar; – atë osman, - si dhe ishte ngritësi dhe drejtuesi i dy nyjeve eprore për diturinë shqiptare: Akademinë e Shkencave dhe universitetin e parë shqiptar në kryeqytetin e atëhershëm të sulltanatit osman, Stamboll. Ai ishte i pari që mbolli dhe përhapi në sulltanatin osman shkencat e natyrës dhe ligjet e gjithësisë e rruzullimit, psikologjinë etj. Por, ishte edhe i pari që mbolli dhe përhapi në masë mendimin e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar.

Origjina e Hoxha Tahsinit
I ati i tij, i ndjeri Osman efendi Rushiti, - njëri prej të diturve në sulltanatin osman, - ishte nga fshati Ninàt, ndërsa për vet të ndjerin h. Hasan Tahsini, në asnjë nga burimet e kohës, të gjetura deri më sot, nuk shënohen as vendlindja e as datëlindja e tij. Bashkëfshatarë t: Faslli Nuri Cenia, Merso Birbil Xhafo Kasimi, Musa Shero Musa Sherifi dhe mësuesi Qemal Ismail efendi Mudêja më kanë thënë se Osman efendiu, familjen e mbante përherë pranë vetes, në vend-emërimet me detyrë dhe se të bijtë i mësonte vetë. Rrjedhimisht, mos-gjetja e shënuar në ndonjë dokument e vendlindjes dhe e datëlindjes. vjen nga mungesa e amëzës së shkollës fillore dhe asaj të mesme. Shemsuddin-Sami Frashëri, nxënësi i tij më i afërt shkroi, dijetari vdiq në moshën 70 vjeç, e dhënë kjo e rrumbullakosur, pa përmendur burimin ku e gjeti. Ndërsa Lemì Elbìri në “Ajllëk Ansiklopedisì”, (Nr. 51, Istambul, korrik 1948, fq. 1486), shkruan se Hasan Tahsini lindi në vitin 1813. Datëlindjen e tij s’ e përcakton me përpikëri as akademiku enciklopedist, Mahmut Kemal Inali, Ky, në veprën e vet “Son Âsër Tyrk Shairlerì”,(Vjershëtarë turq të qindvjeçarit të fundit), Cüz: X, Istambul 1970, fq. 1833, shkruan: “Tahminen 1813 (1228 H.) de Çamlëk dahilinde Filât kazasë köylerinden birinde dogdu”: (Hamendësisht lindi më 1813 (1228 H.) në njërin prej fshatrave të n/prefekturës së Filatit të Çamërisë). Deri kur ushtria osmane shembi shtetin gjysmë të pavarur të drejtuar nga Ali Pashë Tepelena (janar 1822), –pra, kur ai ishte rreth 10 vjeç, - qëndronte pranë të atit, me shërbim në Prévez. Nga ai vit e deri në vitin 1831 kur shembën edhe vilajetin shqiptar të Shkodrës, Tahsini qëndroi në Shkodër, ku i ati i tij qe marrë në shërbim nga Mustafa Pashë Bushati. Kjo gjë Osman Efendiun e detyroi të zbriste në Berat, ku e emëruan myfti të qarkut (Mytesarrëfllë kut). Në Ninat Hoxha Tahsini shkoi kur i vdiq i ati, ku doemos që iu desh të merrej me bujqësi, si tërë bashkëfshatarë t e vet. Mirëpo, në kokën e tij vlonin gjykime të tjera. Pas rreth tre muajsh, i vëllai, hoxhë Malìqi, - që i dalloi synimet e tij, - një ditë nga ditët i tha: “Pa pse mo vllâ të ka ngënë sorra trùt e të ka marrë koka êr. Kërkon të marriç sît e tû e të veç prapa diellit. Ne kemi mâll e gjë më shumë nga të tërë. Pse do që t’u ktheç krehet e të humbeç në anë të dun-jâs?!”. Hasani iu përgjigj qetë-qetë: “U do vete për kërkim nëpër udhën e glatë për të gjetur diturì, atë që e bën njeriun njerì...Mallin e gjërin t’i kam falur, me bâr e me gjethe”. (I. D. Hoxha, “Hoxhë Hasan-Tahsin Efendiu”, T., 1998, fq. 13-14). M. K. I. thotë edhe: “Evvelâ babasëndan taallüm etdì. Sonra Istanbul’a geli”. (Së pari, u stërvit nga i àti, pastaj erdhi në Stamboll). Pra, meqë mësimet e para i pati marrë nga i ati, – kur qe drejtor arsimi në qarqe e kur ishte myfti, - vetëkuptohet se i ka munguar amëza shkollore. Prof. Gostivàras, i ndjeri Hasan Kaleshi, në veprën e vet “Kontributi i Shqiptarëve në Dituritë Islamike” (Rijàd, 1412 H (1992, fq. 70) shkruan: “Lindi më 1812”. Pleqësia e Shoqatës Kulturore Shqiptaro-Turke “Hasan-Tahsini” , në një mbledhje të posaçme, pasi shqyrtoi çdo burim të shkruar dhe gojor, pranoi si të dhënën më bindëse atë të prof. H. Kaleshit.
Në Stamboll ai shkoi në moshë të pjekur, ndoqi mësimet në medresenë “Fatih”. Ku, ngaqë shkëlqente, drejtori-dijetari me emër, hoxhë Mustafa ef. prej Vidìni¹– i dha edhe mësime të veçànta dhe cilësimin: “Tahsin” (I pëlqyeshëm, i lëvduar, shembullor). Andej e mbrapa u quajt me emrin e përngjitur: “Hasan-Tahsin” . Si mirënjohje dhe falënderim për mësuesin dhe vlerësuesin e vet, vdekjen e dije-dhënësit të tij, hoxhë Hasan-Tahsin efendiu e përjetësoi me këta vargje: U shkrua me lotët e Tahsìnit: vdiq dijetari filozof prej Vidìnit. Në përfundim të studimeve, Tahsinin e emëruan muderriz (mësimdhënës) të filozofisë dhe të matematikës në po atë medresé.

Studimet në Paris

Kur qeveria osmane e pa të domosdoshme çeljen e universiteteve në sulltanatin osman, një nga të dy të zgjedhurit e dërguar prej saj në Paris, për t’u pajisur me dituritë e nevojshme shkencore, ishte hoxha Tahsini. Njoftimi qeveritar u shpall në fletoren zyrtare “Xheride-i Havadis”, datë 14. Xhemadi-ul-àhë r 1273 H.(10.X.1857) : “...Ka dalë dekret mbretëror që urdhëron të dërgohen në Paris Lartësitë e Tyre, Tahsin Efendiu dhe Selim Efendiu, dy prej myderrizëve të nderuar, për të mësuar studentët e dërguar në Paris nga zyrat e shkollat mbretërore si edhe për t’ua mësuar gjuhën e bukur turqisht nënshtetasve të krishterë të mbretërisë osmane që ndodhen në Paris. Së fundi, për të studiuar edhe ata të dy disa shkenca që do të mësohen në universitetin që është gati për t’ u hapur”.
Meqë dituritë e tyre nuk mjaftonin për fillimin e studimeve atje, Selim Efendiu u kthye në detyrën e lënë të zëvendës ministrit të parë të arsimit, kurse Tahsini qëndroi në Paris dhe filloi gërmimet nëpër bibliotekat e atjeshme.. Brenda një viti ai arriti të fitonte tërë dituritë e nevojshme dhe u regjistrua në fakultetin e shkencave të natyrës. Madje, duke vazhduar studimet në të, ndoqi si i jashtëm studimet edhe në fakultete të tjerë. Bashkëkohës të tij, në veprat e tyre, theksojnë se ai përsosi frëngjishten dhe u thellua në fizikë, matematikë, kimì, biologji, filozofì, fiziologji, botanìkë, gjeologjì, shkencat shoqërore, e sidomos në filozofì, gjithësi e yjësì e psikologjì. M. K. I. Në faqen 1834 thotë se në mbarim të universitetit, e emëruan imam të ambasadës. Vlen të përmendet se ai Parisin e vlerësoi, jo vetëm për dituritë që lëvroheshin atje, por edhe për bukuritë e pashoqe të tij, gjë të cilën ai e endi dhe e pasqyroi në këta dy vargje:
Në qoftë se ke mënd dhe je i zgjuar, ore zotërì, shko në Parìs!
Ata që nuk shkojnë në Paris, s’quhen se kanë ardhur në botë.

Hapja e universitetit
Në mesin e shkurtit 1868 Tahsini u kthye në Stamboll, në përbërjen e grupit qeveritar që shoqëroi kufomën e ish- Kryetarit të Këshillit të Lartë të sulltanatit osman, Mehmed-Fuad Pashait; ai më 11 të atij muaji vdiq në spitalin e Nisës (Francë), ku qe dërguar për shërim. Oborri dhe Porta e Lartë, Tahsinin e ngarkuan me ngritjen dhe drejtimin e universitetit, për çeljen e të cilit kishin vendosur që në vitin 1866, (Maarif Nezaret-i Teshkilat-i) dhe (Tyrk Tarih Ezxhymém Mexhmuasì, Nr. 17(94), 1927), po deri atëherë s’ishte gjetur ende njeriu i duhur. Doemos që në atë sulltanat gjendeshin plot dijetarë, mjaft të zotë, po jo “Tahsìn”. Dijetari i ndritur arriti që të gjente mësimdhënësit e aftë prej kombesh të ndryshëm, asokohe brenda sulltanatit osman: Ai, gjithashtu, ndërmjet një deti talebêsh të diplomuar nëpër medresetë osmane, zgjodhi studentët e përshtatshëm; dhe – siç dëshmon Shemsuddin-Sami Frashëri, - “ditën e caktuar, në pallatin “Nana Mbretëreshë” çeli me aq madhështi universitetin e parë në sulltanatin osman”. Në fjalimin e rastit, me zërin e tij kumbues para studentëve dhe të pranishmëve të tjerë, ai shpalli programin mësimor-shkencor që kishte parashikuar të zbatohej në atë qendër dijesh. M. K. INALI në faqen 1834 të “Son Âsër Tyrk Shairlerì” thotë se Tahsin Efendiu, veç drejtimit të universitetit, jepte edhe mësime mbi filozofinë, yjësinë, gjithësinë e pambarim të “Botës së Madhe” dhe të “Botës së Vogël” e kiminë.

Largimi për një pëllumb

Mirëpo, dijemosdashësit, që asokohe sundonin në kryeqytetin e sulltanatit ngritën të atilla re të zeza, saqë errësuan krejt mjedisin. Rrjedhimisht Tahsini u hoq nga drejtimi i universitetit dhe nga puna. Kjo u pasqyrua në fletoren zyrtare “Takvim-i Vekaì”, të datës 17 dhjetor 1870, e cila botohej në Stamboll që prej vitit 1860-1861, (“Tyrk Tarih Ezxhymém Mexhmuasì” nr. 17(94), 1927). Në të thuhej: “U pa e nevojshme që i përndritshmi Tahsin Efendi të largohej nga rektorati i universitetit” . U pushuan, gjithashtu edhe profesorët e katedrave përkatëse dhe pas pak universiteti u mbyll. Si shkak për tërë atë gurgule u zu ngordhja e një pëllumbi. Profesori persian, Xhemaluddin Afganiu (“Xhemal al-Din al Afganiu), mbrojtës i palodhur i rilindjes ndër-islamike, politikan i zjarrtë dhe gojëtar i shquar, në vitin 1882 u internua në Sirì; prej andej iku në Francë e pastaj në Tunis të Libisë”,(Encyclopaedia Britanica I, 1970, fq. 22). Ndërsa M. K. Inali në “Son âsër Tyrk Shairlerì” thotë se ai në mars-prill 1871 iku në Egjipt. Gjatë një ore mësimi, duke dashur të provojë se në mungesë ajri nuk mund të ketë jetë, mbylli nën një këmbanë qelqi një pëllumb. Pas pak minutash ai ngordhi. Të prapambeturit vunë ulërimat kundër rektorit, Hoxha Tahsini që kishte lejuar një gjë të tillë. Ata bërtisnin: “ky drejtor që i merr shpirtin një shpendi të pafajshëm, pa mëshirë vret edhe një njeri”. Po rrëzimi i Hoxha Tahsinit. nga katedra e rektorit të universitetit, në vend që ta zbehte rëndësinë e tij, – siç prisnin qarqet fanatike, - e rriti edhe më shumë. Përkrah tij dolën sheshit intelektualë me emër si: Prof. Ali Xhanibi, ambasadori osman në Paris, Safet Pashai, juristi me emër, Ahmet-Xhevdet Pashai, diplomati, dramaturgu dhe vjershëtari i rrallë, Abdul-hak Hamidi, Mynif Pashai, Prof. Ismail-Haki Ef. Bereqet-Zade, Prof. Halil Efendiu nga Filibeja, profesori persian Xhemaluddin Efganiu, profesori egjiptian, Muhamet Abduh, profesori sirian nga Shami (Damàsku), Mynir Efendiu, etj. Sjelljet e mbrapshta të të prapambeturve dhe masat e pushtetarëve që lëshuan pê ndaj trysnisë së tyre, Hoxha Tahsini i qortoi sheshit gjithnjë nga lartësia e një dijetari të mirëfilltë; këtë e dëshmojnë vargjet e posaçme të endura prej tij:
Tanimë e kuptova që dëshirohet padituria e se “faji” ynë qenka lartësimi në dituri.
O Zot! Të kërkoj të falur për “fajin” që bëra, duke u pajisur me diturì!.
Pas goditjes së rreptë si zyrtar, qarqe të caktuara bënë çmos që ai të urrehej nga masa e popullit, e cila mjerisht asokohe vuante shumë nga padituria. Shpifarakë të caktuar shkallësh të ndryshme shoqërore e paditën botërisht si zot-mohues, të pafê. Ata bërtisnin andej-këndej: “Ky drejtor ka mësuar tek kaùrët; është bënë kaùr!”. Hoxhë Tahsini iu përgjigj me këta vargje:
Ata që më kanë zilì, thonë se qenkam i pafê,/ me këtë padije sheshit gënjejnë:/
dhe unë iu përgjigja: “Jeni fetàrë!”./Gënjeshtrë s iu përgjigja me rrenë.



*Autori është historian dhe studiues i folklorit

No comments: