Nga ofendimi i Anlekas, e deri te “duart e Zotit”, të Fabianos e Suarezit
Kampionati Botëror, i cili sapo ka përfunduar, përveç skuadrave që fituan, apo që u paraqitën mirë, kishte edhe zhgënjimet e tij. Ku skuadra si Italia, apo Franca, ishin ata që nuk mendoheshin se do të largoheshin aq shpejt nga ky turne, duke pasur parasysh se janë skuadra që kanë bërë historinë e botërorëve. Por ashtu si skuadrat, kishte edhe lojtarë që dështuan. Duke filluar që nga portugezi, Kristiano Ronaldo, Kaka, e deri diku edhe Lionel Mesi, i cili nuk shënoi asnjë gol, edhe pse ishte lojtari më i rrezikshëm i Argjentinës. Por më poshtë do të paraqesim disa nga shprehjet e këtij Botërori, ku më e “spikatura” ishte ofendimi që i bëri sulmuesi i Francës, Nikolas Anelka, trajnerit të tij Raimond Domenek. Por edhe premtimet e disa “aktorëve” të këtij kompeticioni që nuk u mbajtën kurrë, ose nuk rezultuan asnjëherë ashtu siç u tha. Nga fyerjet e Anelkas në drejtim të Domenekut, deri te deklaratat e Felipe Melos para fillimit të kompeticionit. Botërori i Afrikës së Jugut në shumë raste është luajtur edhe jashtë fushës së lojës. Për të kaluar te Lipi, dhe te Kristiano Ronaldo e Felipe Melo. Por nuk mund të anashkalohet edhe një thënie e Diego Armando Maradonës, i cili mendonte se Zoti e donte në finale skuadrën e tij, por që nuk rezultoi e tij, pasi sapo tha këtë shprehje, në ndeshjen e ardhme kundër Gjermanisë, Argjentina u turpërua, duke u mundur 4-0. tTë gjitha këto janë thënë në Botërorin Afrikano-Jugor.
Nikolas Anelka
“Shkofsh në djall, bir k...!” Është ky “urimi i ëmbël” i sulmuesit francez për trajnerin Domenek, në pushim të ndeshjes me Meksikën. Dhe pas kësaj, sulmuesi u largua përpara skuadrës nga Afrika e Jugut, pas një vendimi të marrë nga Federata Franceze e Futbollit.
Kristiano Ronaldo
“Golat janë si puna e keçapit. E shtrydh sa e shtrydh dhe nuk sheh asgjë, pastaj salca vjen menjëherë”. Por për yllin portugez, salca nuk erdhi kurrë në Kampionatin Botëror. Bilanci i tij është një gol në fitoren 7-0 të Portugalisë kundër Koresë së Veriut, dhe një nervozizëm i tepruar pas ndeshjes së fundit ndaj Spanjës.
Marçelo Lipi
“Kjo Itali do t’u rikthejë besimin të gjithë skeptikëve”. Fjalët e teknikut italian në prag të debutimit kundër Paraguait. “Axurrët” nuk kaluan dot as grupin. Kështu që Lipi nuk i bindi dot skeptikët se kjo skuadër do të shkonte larg. Ishte paraqitja më e dobët në të gjithë historinë e Italisë në një eveniment të tillë.
Ivan Zamorano
Legjenda e futbollit kilian, Ivan Zamorano, përpara se të fillonte Botërori, kishte deklaruar se Marcelo Lipi është një trajner fitues, dhe se edhe këtë radhë skuadra e tij do të shkonte larg. “Lipi është trajner fitues dhe di si të bëjë “bis”...”, kishte thënë ish-lojtari i Realit të Madridit dhe Seviljas, por në fakt, nuk ndodhi kështu, edhe pse Lipi është trajner fitues.
Alberto Xhilardino
Sulmuesi numër një i skuadrës së grumbulluar nga Marcelo Lipi, Albero Xhilardino, përpara se të fillonte kompeticioni, kishte një bindje në veten e tij, se do të ishte ai që do të shënonte më shumë gola, dhe këtë bindje e tha edhe në publik, teksa deklaroi: “Do të jem unë golashënuesi i botërorit”. Por cili ishte rezultati? Sulmuesi i kaltër u kthye në shtëpi pa shënuar asnjë gol.
Vinçenco Iakuinta
Sulmuesi tjetër italian, Viçenco Iakuinta ishte shprehur se së bashku me partnerin e tij të sulmit, Xhilardonim, do të ishte një dyshe e papërmbajtshme. “Unë dhe Xhilardino, çfarë dysheje!...”. Ndërsa këtu rezultati është: një gol për të dy, dhe ai gol u shënua nga pika e bardhë e penalltisë.
Felipe Melo
Mesfushori brazilian Filipe Melo, deklaroi se të luash në kombëtaren është krejtësisht ndryshe se sa te Juventusi. “Te Brazili po që të ndihmojnë. Është bukur të luash këtu. Ka hare dhe të gjithë jemi miq”. Por gabimet e mesfushorit juventin i kushtuan Brazilit eliminimin nga Kupa e Botës, dhe tani asnjë nuk do ta shikojë me sy.
Diego Armando Maradona
Ishte ndoshta trajneri më karizmatik në këtë Kampionat Botëror, por më i mirë ishte përpara mediave, se sa në stërvitjen e skuadrës, dhe mendonte se ekipi i tij nuk kishte nevojë për përgatitje, pasi ishte Perëndia ajo që e donte në finale Argjentinën. “Zoti na do në finale”, tha ai. Ndoshta kështu ishte para sfidës me Gjermaninë, pasi verdikti i fushës ishte 4-0 për gjermanët.
Luis Fabiano
Sulmuesi kryesor i Brazilit, Fabiano kishte premtuar se do të ishte ai zëvendësuesi ideal i Ronaldos. Gjithsesi u mundua me të gjitha mënyrat që të shënonte, edhe me dorë. “Te goli i dytë e preka topin me dorë, por ishte e paqëllimshme. Ishte “dora e Zotit”. Fjalë të brazilianit pas dygolëshit me Bregun e Fildishtë, por aventura e tyre nuk do të zgjaste shumë.
Oskar Tabarez
Edhe trajneri i Uruguait, do ta përmendte “dorën e Zotit” dhe të virgjëreshës Mari, këtë herë jo për të shënuar, por për të pritur, kur Luis Suarez priti topin me dorë mbi vijën fatale të portës. “Drejtuesit e mi më thanë që dora e Suarezit ishte “dora e Zotit” dhe e virgjëreshës Mari”. Trajneri i Uruguait pas çerekfinales së fituar me Ganën, por më pas do të mundeshin nga Holanda dhe s’kishte më “dorë virgjëreshe”.
Milovan Rajevac
Përsëri për “dorën e Zotit”, tani është trajneri i Ganës që e quan “dorën e djallit” atë të Suarezit. “Tani Suarezi shihet si hero në vendin e tij dhe është i kënaqur për këtë. Por sipas meje mund të jetë gjithçka, përveçse hero. Është mashtrues. Më tepër se ”dora e Zotit”, ajo ishte “dora e djallit”, tha trajneri i Ganës pas çerekfinales së humbur me Uruguain.
Juventusi jep Diegon për Dzekon, gjermanët duan vetëm para
Takimi Marota-Hënes nuk ka përfunduar siç e parashikonin bardhezinjtë
Juventusi që në momentin që u mbyll sezoni, filloi menjëherë nga puna për të ndërtuar një skuadër konkurruese, dhe ndryshe nga ajo e një viti më parë që rezultoi një dështim. Bardhezinjtë filluan rindërtimin nga kryesia, te trajneri e më pas te lojtarët. Por akoma nuk e kanë plotësuar planin e tyre, dhe objektivi kryesor është sulmuesi boshnjak e Volfsburgut, Edin Dzeko. Për të marrë shërbimet e tij Marota ka menduar që të japë brazilianin Diego, pasi gjermanët kërkojnë shumë, për sulmuesin e tyre, por duket se përsëri drejtuesit e Vofsburgut duket se nuk janë bindur, pasi kërkojnë vetëm para.
Edhe pse e vështirë, bardhezinjtë nuk heqin dorë
Gjithsesi, Diego është shfaqur ndër më të pëlqyerit në testin e parë në miqësoren në Pinzolo. Del Neri e ka mbushur me lavde, por Juventusi tashmë ka zgjedhur të japë brazilianin Diego tek Volsfburgu për të marrë sulmuesin Dzeko, gjithmonë nëse kjo marrëveshje do të arrihet. Ishte blerë për shifrën e 25 milion eurove sezonin e kaluar nga Verder Bremen, por tani me shumë mundësi braziliani i ka valixhet gati për tu kthyer në Bundesligë ku ka shkëlqyer me lojën e tij. Strategjia e Juventusit për të larguar një lojtar dhe për të bërë një shkëmbim me Bajernin për të arritur tek Riberi është venitur, tani bëhet fjalë për të marrë kryegolashënuesin e kampionatit të fundit gjerman, Edin Dzeko. Ka shumë përpjekje në këto ditët e para të punës përgatitore nga ana e mesfushorit ofensiv, por përshtatja me vështirësi në fushë, një vit për t’u harruar me klubin dhe kërkesat e klubit për të gjetur një sulmues që shënon rreth 30 gola në sezon, e vendosin Diegon jashtë planeve teknike të bardhezinjve. Mesa duket kjo është lëvizja teknike për të arritur tek bomberi boshnjak. Pra mendohet se ky është plani alternativ i Juves sipas të përjavshmes gjermane “Kiker”, për të mos shpenzuar një shifër të lartë të kërkuar nga drejtuesit e klubit kampion të Gjermanisë në vitin 2009.
Volsburgu nuk pranon shkëmbim, por do para në dorë
Ndërkohë drejtuesit e Volfsburgut nuk e kanë me shumë dëshirë që ta shkëmbejnë me ndonjë lojtar tjetër, por duan që ta shesin me para në dorë. Drejtuesit e klubit gjerman kanë përcaktuar përfundimisht çmimin që duhet të paguajnë skuadrat e interesuara për Edin Dzekon, kjo shifër shkon deri në 40 milionë euro. Për bomberin boshnjak që Juventusi interesohet më tepër nga të gjithë, madje dy ditë më parë u zhvillua edhe një takim mes drejtorit të bardhezinjve, Bepe Marota, dhe atij të Volfsburgut, Diter Hënes. Por rezultatet nuk ishin ato që priteshin nga pala italiane. Klubi i Bundesligës është i qartë në kërkesën e vet për të lënë të lirë Dzekon, duhet të paguajnë shumë para, për ta pasur të tyren, menjëherë dhe mbi të gjitha, para të “thata”. Pra, ata nuk pranojnë asnjë lloj marrëveshjeje që përfshin lojtarë për të ulur çmimin e sulmuesit. Kjo do të thotë se aludimi për një shkëmbim të mundshëm Dzeko-Diego, bie poshtë. Gjithsesi Juventusi nuk duket se do të dorëzohet, pasi për këtë sezon që pritet të fillojë, bardhezinjtë kanë bërë një formatim të strukturave të klubit, por edhe drejtuesve, duke krijuar një skuadër pretendente, dhe për të zënë pozicionin që i takon në futbollin italian.
Reali mendon të nxjerrë në shitje Kaka, Çelsi gati për ta marrë
Mesa duket aventura e Rikardo Kakasë, te Reali i Madridit mund të jetë në fund, pasi sezonin që kaloi braziliani nuk arriti të ambientohej si duhej, por kjo edhe për shkak të dëmtimit të tij që e la një periudhë të gjatë jashtë fushave të futbollit. Por nëse do të dilte në shitje, shumë klube do të kërkonin shërbimet e tij, por në radhë të parë qëndron Çelsi i Londrës, skuadër e cila mendon se një lojtar si Kaka do ti bënte punë. Por një tjetër arsye për largimin e tij, është se Hoze Murinjo nuk beson aspak në këmbët e brazilianit e tij, dhe mendohet se do ta nxjerrë në shitje. Sipas gazetës spanjolle “Sport”, Real Madrid kërkon ta shesë asin brazilian që ndiqet me shumë vëmendje nga Çelsi i ish-trajnerit të tij, Karlo Ançeloti, i cili e pëlqen shumë lojtarin brazilian, pasi i di shumë mirë cilësitë e tij. “Kaka është lojtar i Realit dhe nuk besoj se duan ta shesin por nëse e bëjnë do isha i kënaqur ta kisha në skuadër”, tha pak ditë më parë tekniku italian. Gjithsesi disa pengesa për shitjen e tij ekzistojnë. Fillimisht duhet menduar shpenzimi marramendës që Perez ka bërë për ta marrë në Madrid dhe Murinjo nuk është tekniku që fuqizon kundërshtarët pasi në Champions League skuadra londineze është një nga pretendentet kryesore. Por realiteti flet ndryshe pasi Kaka nuk është ambientuar asnjëherë në Madrid dhe blerja e argjentinasit Di Maria në një farë mënyre e nxjerr në plan të dytë.
Ronaldinjo pranë nënshkrimit të një marrëveshjeje me Flamengon
Në Brazil flitet me një siguri të madhe, teksa thonë se Ronaldinjo këtë sezon nuk do të luajë më te Milani, por në kampionatin brazilian. Mediat shprehen për arritjen e një marrëveshjeje paraprake mes mesfushorit dhe ekipit brazilian të Flamengos. Faqja sportive “Globoesporte” dje publikonte se Ronaldinjo ka arritur një marrëveshje ekonomike me klubin brazilian. Sipas kësaj faqeje, lojtari ka rënë dakord të përgjysmojë rrogën vjetore nga tetë në katër milionë euro dhe tashmë pritet vetëm përgjigja pozitive e Milanit. Gjithsesi, pengesa më e madhe mund të jetë akordi me klubin nga Milano, i cili nuk ka ndërmend të lërë të lirë futbollistin pa një pagesë të lartë për kartonin e tij. Nga ana tjetër, në kontratën e 30-vjeçarit është parashikuar se ai mund të lërë kuqezinjtë italianë me kosto zero në janar. Sipas “Globoesporte”, Milani do nxitojë ta shesë lojtarin për të siguruar të ardhura që do t’i shpenzojë në afrimin e Ibrahimoviçit, apo Luis Fabianos.
Hauard Ueb: Ishin dy orë ferri në finalen Holandë-Spanjë
Gjyqtari anglez që drejtoi finalen Holandë-Spanjë, Hauard Ueb, e ka quajtur ndeshjen filane si ndeshjen e tij më të vështirë në të gjithë karrierën që gjykon. “Ishin dy orët më të vështira të jetës sime. Unë tashmë ndihem shumë mirë emocionalisht dhe fizikisht pas kësaj finaleje të lodhshme. FIFA më ka mbështetur shumë në këtë ndeshje dhe gjatë gjithë turneut por shefi më i lartë futbollit botëror Sep Blater nuk ka qenë dakord me kartonët e shumë që kam dhënë ndaj lojtarëve të dyja skuadrave”. Në finalen e Johanesburgut Ueb ka nxjerrë 14 kartonë të verdhë dhe një të kuq të dhënë në dem të mbrojtësit holandez Xhoni Hitinga pas një ndërhyrje të parregullt. Pas përfundimit të ndeshjes kreu i FIFA-a, Blater, ka deklaruar se të gjithë duhet të jetojnë me gabimet e lojtarëve dhe gjyqtarëve. Në mbyllje të deklaratës së tij sipas tabloidit më të madh anglez, “The Sun”, gjyqtari Ueb ka thënë se, ndeshja finale ka qenë një detyrë e vështirë për të, por sipas tij kjo është kaluar me sukses.
No comments:
Post a Comment