Intervista/Flet mjekja okuliste e QSUT-së Dr. Anila Monka
Syri është një organ shumë i rëndësishëm i trupit tonë. Ai është shumë i ndjeshëm ndaj faktorëve të jashtëm dhe të brendshëm të cilët lënë pasoja ndonjëherë të pariparueshme. Lidhur me problemet në sy dhe këshillat për të pasur sy të shëndetshëm flet mjekja okuliste e Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” Dr. Anila Monka. Në një intervistë për “Tirana Observer”, Monka rrëfen shkaqet që sjellin acarimin e syve, sidomos në stinën e vërës, dhe si mund të kurohen në kohë, pa lejuar që të dëmtohet syri.
Doktoreshë Monka, cilat janë problemet e syve në stinës e verës ?
Problemet që hasen më shpesh në stinën e verës janë djegia e syve, kruajtja, sekrecionet. Shkaqet kryesore të këtyre problemeve që përmendëm më sipër mund të jenë : infeksionet, tharja e syve nga temperatura e lartë , irritimi nga uji i detit dhe i pishinave, apo dhe nga alergjitë e stinës . Detyra kryesore e pacientit është të shkojë menjëherë tek mjeku specialist për të gjendur shkaqet, për të përcaktuar diagnozën e saktë dhe gjendur trajtimin.
Si mund të mbrohen qytetarët nga infeksionet që dëmtojnë sytë?
Mbajtja e syzeve të diellit për të mbrojtur sytë nga rrezatimet e forta të cilat janë të dëmshme për cipën e syrit. Mbajtja e syzeve të zhytjes në pishina dhe në det (dhe në rast se nuk i disponojmë ato, larja e syve pas daljes nga deti apo pishina). Mbajtja e higjienës personale maksimale për të shmangur infeksionet ngjitëse të cilat shkaktojnë probleme.
Po faktorët alergjikë cilët janë?
Faktorët kryesor alergjikë janë: faktorët ambiental ( pluhurat, detergjentet), alergjitë e stinës ( polenet), faktorët kozmetikë. Konjunktivitet alergjike shfaqen me skuqje të syve, kruajtje që është shenja kryesore. Gjithmonë duhet të kihet parasysh se trajtimi asnjëherë nuk mund të bëhet në mënyrë individuale sepse mund të shkaktohen probleme në sy, por me antialergjikë të këshilluara nga mjeku.
Si mund të mbrohemi nga alergjitë e stinës?
Të shmangen kontaktet me faktorët ngacmues. Të shpëlahet menjëherë syri me ujë të bollshëm në momentin që ndodh kontakti i pa dëshiruar nga faktori alergjik.
Kush është sëmundja më e përhapur e syrit ,dhe si trajtohet?
Një ndër sëmundjet më të përhapura të syrit është perdja e syrit ose (katarakta), sipas statistikave botërore. Ajo është një nga shkaqet kryesore të verbërisë. Shkaqet kryesore të kësaj sëmundje janë mosha dhe kjo është më e shpeshta. Sëmundje të tjera që shkaktojnë kataraktin është diabeti, sëmundjet reumatizmale. Së treti, mund të përmendim traumat, përdorimi i kortizoneve për një kohë të gjatë të cilët dëmtojnë syrin.
Cili është trajtimi në këtë rast?
Trajtimi është vetëm kirurgjikal, vetëm me operacion. Në klinikën tonë ky operacion kryhet si në të gjithë botën fako-phaco me ultratinguj dhe vendosjen e lenteve intraokulare që sigurojnë një pamje shumë të mirë pas operacionit.
Çfarë është glaukoma (tensioni i syrit) ?
Glaukoma (tensioni i syrit) është dhe kjo një sëmundje shumë e përhapur që çon në verbëri si rezultat i dëmtimit të nervit të syrit. Shoqërohet me rritje të tensionit të syrit. Ka dy lloje glaukomash; glaukoma pa dhimbje (glaukoma me kënd të hapur); glaukoma me dhimbje(glaukoma me kënd të mbyllur ose kriza). Glaukoma pa dhimbje është ajo që shkakton më shumë verbëri sepse pacienti paraqitet shumë vonë tek mjeku me ankesën e uljes së pamjes, kur nervi i syrit është dëmtuar dhe ky dëmtim është i pa riparueshëm.
Sipas jush, pse pacientët neglizhojnë të vizitohen?
Arsyeja kryesore që pacienti vjen me kaq vonesë është se kjo lloj glaukome nuk ka shenja tipike. Shenja kryesore mund të jetë djegia e lehtë e syve, ndërrimi i shpeshtë i numrit të syzeve, vështirësia e shikimit natën, që njerëzit i neglizhojnë dhe shkojnë tek mjeku me vonesë. Prandaj këshillohet që për çdo problem të syve të paraqiten tek mjeku specialist, sidomos pas moshës 45 vjeç, të cilët preken dhe më shumë. Glaukoma me kënd të mbyllur shfaqet me kriza( me dhimbje të lehta ose të forta) dhe pacienti detyrohet të shkojë tek mjeku. Trajtimi në të dyja rastet bëhet me medikamente ose ndërhyrje kirurgjikale.
Perdja e syrit
Një ndër sëmundjet më të përhapura të syrit është perdja e syrit ose (katarakta), sipas statistikave botërore. Ajo është një nga shkaqet kryesore të verbërisë.
Tensioni i syrit
Glaukoma (Tensioni i syrit) është dhe kjo një sëmundje shumë e përhapur që çon në verbëri si rezultat i dëmtimit të nervit të syrit.
Keshillat
Sipas mjekes okuliste Anila Monka, këshillohet që për çdo problem të syve qytetarët të paraqiten tek mjeku specialist sidomos pas moshës 45 vjeç, të cilët preken dhe më shumë.
No comments:
Post a Comment