Monday, July 12, 2010

Ani Spahivogli - Internimi e sëmuri tim atë deri në vdekje

Ani Spahivogli - Internimi e sëmuri tim atë deri në vdekje
ANI JAUPAJ

Ju ka ndodhur që t’i përpunoni aq shumë mendimet tuaja a ngjarjet e treguara nga të tjerët, aq sa t’iu duket sikur janë kujtimet tuaja, sikur keni qenë aty, mes viteve e personazheve?! Natyrisht që këto ndjesi të bëhen kaq të forta vetëm për ngjarje që na përkasin a njerëz që i duam e na mungojnë fort. Përpiqemi të mendojmë të shkuarën, të shohim me sy të tjerë, të perceptojmë ndryshe, për të kuptuar, qoftë pak, përdorimin në masë së të zezës. Ngjyrë, që po të të binte për hise, nuk ishte më e mundur të negocjohej për bashkëveprim me nuanca të tjera. E tillë kthehej jeta e çdokujt në rast se, për cilëndo arsye, i kundërvihej rregullave të sistemit. Një prej tyre ishte edhe regjisori e aktori Kujtim Spahivogli i cili u internua pas realizimit të regjisë së një filmi jo të ‘denjë’. Prej asaj kohe, e bija, Ani Spahivogli, nuk është që ruan kujtime të gjalla sa për t’i zënë besë kujtesës. Ka qenë fare e vogël, vetëm 1 vjeç kur i dënuan babanë. Ngjarjet, vite më vonë i janë rrëfyer nga e ëma, nga i ati, për aq vite sa mundi, e nga të tjerë. Ani, nën ndikimin emocional të të atit por me zgjedhjen e saj, zgjodhi të ecë nën gjurmët e tij e të vazhdojë Akademinë e Arteve në Tiranë. Zgjodhi të ulet në ato banka ku ishin ulur dikur studentët e të atit që shumë shpejt ngelën pa pedagogun e tyre. Kujtimi u largua nga jeta fare i ri por sot, e bija ka vendosur ta mbajë ende të gjallë një pjesë të tij duke e quajtur të birin Tim (shkurtim i emrit Kujtim). E sikur ta kishte parandjerë, Timi i vogël, ka filluar qysh tani t’i përngjajë artistikisht të gjyshit, me recitimet e aktivitetet në shkollë.
Sot (7 korrik 1987), është përvjetori i vdekjes së babait tuaj, ta nisim me copëza kujtimesh prej tij, ato që për ju janë ende si të gjalla...
Po, kanë kaluar shumë vite e megjithatë kujtimet kanë mbetur të gjalla. Ishin vite të ngarkuara me trishtim e pyetje. Unë si e vogël shume gjera nuk i kuptoja, nuk kuptoja përse prindërit e mi jetonin të ndarë, megjithëse nuk rreshtën kurrë së foluri për njëri-tjetrin. Po aq pak kuptoja çfarë kish bërë im atë që e detyruan të jetonte larg nga familja, nga profesioni, nga miqtë...
E mbaj mend të lodhur, të malluar për të qenë mes studentëve, për të qenë pranë teatrit e pranë miqve të tij, për të qenë pranë meje e pranë nënës sime. Por e mbaj mend dhe të fortë, të qeshur e me zemër të madhe ku kish vend për shumë, vërtet shumë miq.
Ç‘kujtoni nga koha më e mirë dhe më e keqe ( koha e dënimit) e tij...
Unë kam qenë shumë e vogël, 1 vjeç, kur im atë u dënua dhe për fatin tim të keq kohën e mirë e vitet e bukura të tij, të mbushura me punë, energji e sukses nuk i përjetova dot. Rrezatimin e atyre viteve unë e kam marrë të përcjellë nga tregimet e mamasë, babait e njerëzve të mi të afërt.
Dënimi solli me vete vetëm vuajtje dhe dhimbje.
E shkatërroi, i hoqi profesionin që e kish aq për zemër, i largoi familjen dhe e dergoi të punonte në një fshat të Fierit, aty ku dhe u sëmur dhe prej nga u kthye në Tiranë për të parë edhe më keq....Jetonte në shtëpinë e tij në qendër të Tiranës me nënën. Ishin në gjendje të vështirë ekonomike megjithatë ai ish optimist i paepur dhe shpresonte në një ditë më të mirë.
Dikur shtëpinë e shkatërruan dhunshëm. Muret e shembur zunë brenda shume nga orenditë e mobiljet e mbetura në shtëpi. E tronditur dhe e lodhur, gjyshja ime u semur dhe vdiq brenda një kohe të shkurtër duke lënë kështu tim atë në një apartament të vogël me mure betoni, ku i çuan pasi u shembën shtëpinë.
Dikur e dërguan në një fshat të punonte, kish një copë të gjatë rrugë për të bërë në këmbë, megjithatë ishte i gezuar që kish një punë, pas vitesh të tëra papunësie e mjerimi. Vazhdonte të shpresonte edhe pse ish i lodhur dhe shendeti i ligeshtohej nga dita në ditë.
Kalvari i tij i mundimeve mori fund pikerisht atëherë kur ai shpresonte më shumë se kurre se dikur gjithçka do të rregullohej.
Më 7 korrik të 1987-ës zemra e tij pushoi së punuari dhe ai iku duke mos pasur mundësinë ta shikonte veten dhe njëherë në skenën e teatrit apo në studiot e Fakultetit te Dramës në Akademinë e Arteve.
Si ka qenë ajo kohë? Cilat janë disa nga përjetimet tuaja apo të familjes...
Sigurisht ishte një kohë e egër, e padrejtë, absurde, e ngarkuar me drama dhe dhimbje.
Burokratët dhe malinjët ishin ulur pranë e pranë, ky kombinim i kryqëzuar me ideologjinë e kohës ishte asfiksues dhe vrastar.
Familja ime ish një nga viktimat e shumta të sistemit.
Siç e thashë dhe pak më parë, ajo kohë i mori babait tim gjithçka që donte shumë, i mori nënës sime burrin e jetës së saj dhe mua mundësinë për të përjetuar një fëmijëri të kthjellët e pa re.
Në një intervistë të mëparshme, thonit se kishit në dorë një libër për botim. A ka përfunduar? Në çdo rast, na flisni për çfarë bëhet fjalë, çfarë trajton?
Po, por ende nuk ka përfunduar, jam akoma duke punuar me të. Ngjarja e librit zhvillohet në Shqipëri dhe është një përzierje e ngjarjeve të jetuara dhe atyre fiktive.
A përfshihen në të copëza të kujtimeve të shkuara? Sa autobiografike është proza juaj?
Padyshim ka shumë fragmente ngjarjesh të jetuara, por kujtimet filtrohen gjithmonë, ndryshojnë formë dhe kur hidhen në letër përpunohen sërish prandaj nuk mund të them se shkruaj prozë autobiografike.
Na tregoni për kohën e largimit nga Shqipëria, arsyet...
Unë kam ikur në fillim të viteve ’90. Pata mundësinë atëherë për të vazhduar studimet në Hungari, ku jetova gjashtë vjet dhe përfundova Akademinë e Arteve Hungareze, në Fakultetin e Pikturës.
Në ç’kushte u gjendët për të vendosur për ikjen?
Pas lëvizjeve të dhjetorit e grevës së urisë, ku unë kam marrë pjesë aktive, vazhdova studimet në Akademinë e Arteve në Tiranë, ku kisha fatin të isha studente e profesorit tim Edi Hila.
Kur m’u dha mundësia për të vazhduar studimet në Budapest, vendosa të iki nga Tirana për të njohur një tjetër vend dhe kulturën e tij. Atëherë nuk e mendoja se do të rrija jashtë Shqipërisë për një kohë kaq të gjatë. Ngjarjet rrodhën ndryshe dhe unë pas studimeve erdha në Gjermani ku jetoj prej vitit 1999.
Si u gjendët së pari në një vend të huaj dhe ç’ndryshime solli jeta në vazhdimësi?
Gjermaninë nuk e zgjodha se desha të ikja nga Shqipëria. Rasti e solli të njihesha me një gjerman, me të cilin kam ndarë gjithë këto vite. Kam një djalë që quhet Tim dhe që pas dy javësh mbyll klasën e parë të shkollës.
Çfarë bëni aktualisht, na flisni për jetën aty...
Unë merrem me webdesign dhe grafikë, punoj pikturë, shkruaj dhe natyrisht një pjesë të mirë të kohës ja kushtoj Timit, djalit që rritet nga dita në ditë.
Zgjedhja e Arteve, ka qenë e juaja për të ecur në gjurmët e babait?
Unë jam rritur me prindër krijues. Ndikimi prej tyre ka qenë më tepër emocional, por zgjedhja ishte imja.
Sa ka mbetur prej idesë dhe dëshirave fillestare?
Shumë, idetë përpunohen e ndryshojnë formë dhe artikulöhen në trajta të ndryshme, por ato janë gjithmonë të pranishme.
Sa i mbani kontaktet me Tiranën?
Tirana mbetet gjithmonë qyteti im. Vij shpesh në Shqipëri dhe veç mamasë sime dhe të afërmve të familjes, kam plot miq që më mungojnë dhe i takoj me mall.


Kujtim Spahivogli

Kujtim Spahivogli lindi më 30 korrik të vitit 1932 në Lushnjë dhe vdiq më 7 korrik të vitit 1987. Ai ishte aktor i mirënjohur i skenës së Teatrit.
Studimet e larta për teatër i kryen shkëlqyeshëm në Moskë në vitin 1956. Ishte një ndër studentët brilantë të ardhur nga Bashkimi Sovjetik. Në vitin 1956 emërohet aktor në Teatrin Kombëtar. Roli i tij i parë në skenën e Teatrit Kombëtar ishte Xherxhinski në dramën “Orët e Kremlinit”, dhe më pas vijnë një sërë rolesh në dramat “Majlinda”, “Në anën tjetër”, “Dragoi i Dragobisë”, “Hamleti”, etj. Por më shumë ka punuar dhe u shqua si regjisor në TP dhe si pedagog në ILA. Ka vënë në skenë pjesët: “I Çuditëshmi”, “Gratë gazmore të Uindsorit”, “Në tufan”, “Shtëpia në Bulevard”, “Drita”, “Karnavalet e Korçës”, “Qielli i kuq”, etj. Kujtim Spahivogli është themeluesi i Fjalës artistike. Në vitin 1973 e larguan nga teatri për arsye politike.
Pas vdekjes, në vitet ‘90, iu dha titulli “Artist i Popullit”.

Fundi i artistit
Ishte viti 1971-72, kur regjisori Kujtim Spahivogli vendosi të vinte në skenë një vepër të Vladimir Majakovskit. Sapo ishte kthyer nga Shkupi, ku kishte vënë pjesën “Karnavalet e Korçës”. Në këtë vepër morën çmimin e parë në konkursin e katërt të teatrove profesionistë të Maqedonisë. Në mendje kishte pikërisht veprën e Majakovskit “Banja”. Por ajo e godiste rëndë burokracinë. Premiera, jo vetëm nuk i pëlqeu udhëheqjes së partisë, por edhe u ndalua menjëherë. Regjisori u cilësua artist liberal me frymë perëndimore dhe u përjashtua nga partia. Pastaj e çuan për riedukim në bonifikim të Fierit. Aty artisti punoi me kazmë e lopatë për shumë kohë.


Pjesë nga letra kushtuar babait…
Në këto 20 vite gjendja politike në Shqipëri ka ndryshuar, nuk janë më kukullat e fryra të Byrosë Politike që vendosin për fatet e njerëzve dhe për familjet e tyre.
Tri vite pas ikjes tënde, në një mbrëmje të Akademisë së Arteve, ku unë isha studente, nën tingujt e John Lennon-it që buçiste me këngën “Give Peace a Chance”, filloi dhe në Shqipëri era e ndryshimeve.
Ishte viti 1973, viti i zi për ty dhe për familjen tonë të vogël. Nuk pranove të bëje autokritikë, me shfaqjen tënde kishe shkelur në zonën e ndaluar, të quajtën liberal sepse guxove të provoje rrugë të reja, të quajtën rebel sepse nuk dite të nënshtroheshe. Nuk u ktheve mbrapsht. I qëndrove besnik mendimit tënd dhe rrezikove shumë, skenën ta hoqën, studentët po ashtu, familjen ta larguan, ty të nisën për të të “riedukuar” në drejtim të Fierit ku punove për vite në bonifikim, ku astma dhe vuajtja të zunë vend në gjoks.
Me gjithë kohën e vështirë që kishe mbi krahë, në fundjavat që kalonim bashkë gjeje forcë të gëzoheshe, të qeshje e të luaje me mua. Ishe plot energji dhe plane. Merrje kitarën dhe këndoje, recitoje e më flisje për të ardhmen. I palodhur me dashurinë që kishe për miqtë e tu, i paepur me shpresën që kishe për ditë më të mira.
Me probleme shëndetësore u ktheve pas vitesh në Tiranë, por burokratët nuk u mjaftuan me kaq. Mjaftoi një firmë dhe një ditë të bukur u shfaqën punëtorët e komunales dhe ngarkuan në një kamion çfarë mundën. Kishe një bibliotekë fantastike, ta shkatërruan dhe librat i shitën si letër me kile. Ti dhe nana (gjyshja ime) u detyruat të ikni nga vila e bukur elbasanase me oborr dhe studio, në një apartament të vogël të parafabrikuar. Atë vilë të bukurrrethuar me pemë e kopsht e kthyen në gërmadhë, e shkatërruan. E tillë ndenji për vite të tëra.
Nana nuk e përballoi dot këtë goditje të re. Ajo vdiq. Ndërsa ti mbete vetëm në apartamentin tënd të vogël…
Ani Spahivogli

No comments: