Monday, July 12, 2010

Rrëfehet Adelina: E vërteta për martesën dhe hyrjen në politikë

Rrëfehet Adelina: E vërteta për martesën dhe hyrjen në politikë


Është rikthyer përkohësisht në Prishtinë, por po përpiqet të bëjë jetë të qetë, larg mediave dhe syrit të publikut. Këngëtarja Adelina Ismaili, e cila prej kohësh ka vendosur të jetojë fillimisht në Zvicër e tash në Francë, në një intervistë për "Express Live" ka zbuluar disa fragmente nga jeta e saj, duke sqaruar edhe disa thashetheme të fundit për jetën e saj private. Në planin profesional, ajo tashmë ka promovuar albumit e saj të ri "Feniks" në një diskotekë në Zvicër, ku edhe e ka edituar. Lidhur me këtë projekt, Adelina tregon se ka pasur interesim të madh nga publiku. Kjo, sipas saj, edhe për faktin se ky album është i veçantë edhe për mënyrën si është realizuar, edhe për mënyrën si është promovuar, moment ky që ka qenë një shou më vete. Nga ana tjetër, gjatë kësaj periudhe ajo nuk pushuar asnjëherë me koncerte e mbrëmje të shumta gjithandej në perëndim, ndërkohë në mendje ka edhe një turne tjetër në Amerikë, i cili "dashtë Zoti do të përsëritet edhe sivjet", shprehet këngëtarja. Në këtë intervistë, ajo ka treguar për projektet që po realizon në perëndim, albumin e ri, për intervistën dhënë BBC-së, për konkurrimin në "Këngën Magjike", për videoklipet "Tribalb" dhe "Urdhër i ri-Illyric", si dhe sqaron thashethemet për martesën e saj dhe hyrjen në politikë me një parti të veten.


Jeta në Zvicër e në Francë

Në fakt, në fillim kam qenë më e koncentruar në Zvicër, atje kam filluar prej zeros, atje kam nisur t'i mbroj veprat e mia, të drejtat e mia. Por, momentalisht, jam duke jetuar në Francë, ku po bëj diçka... po punoj për albumin që do të editohet në Francë e në Zvicër. Qyshkur u barta atje, vendosa të punoj me emra të njohur të muzikës. Atje po përpiqem të jem si gjithnjë ndryshe, por gjithmonë duke tentuar të promovoj kulturën, muzikën dhe gjuhën time. Megjithëkëtë, në këtë album të ri do të ketë këngë edhe në gjuhën angleze e franceze. Tash për tash kaq. Për më shumë detaje nuk mund të flas, sepse as vetë s'i kam të gjitha gjërat e qarta.


Intervista për BBC-në

Intervista për BBC-në ka qenë e rastit, ka qenë një intervistë e bukur, me pyetje të llojllojshme, që më ka argëtuar. Për këtë dua ta falënderoj personin që më ka dhënë këtë mundësi dhe më ka intervistuar. Pa hyrë më tej, vetëm po them se jam personi i parë që kam dhënë këtë intervistë përmes telefonit për BBC-në.



"Tribalb" dhe "Urdhër i ri-Illyric"

Këto dy projekte janë bërë për të përmbushur kërkesat e publikut, pasi fansat e mi filluan të më kritikonin që s'po nxirrja ndonjë këngë a klip të ri. Por, unë i kam bërë më shumë si hobi, sepse kam projekte edhe më të mëdha, realizimi i të cilëve kërkon vite. "Tribalb" ka të bëjë me tolerancën fetare, unë gëzohem që ne shqiptarët e kemi këtë virtyt, por meqë jemi në kohën kur flitet kaq shumë për këtë fenomen, atëherë e kam trajtuar edhe unë këtë në këngë. Ndërsa, ndaj videos "Urdhër i ri-Illyric" ka pasur reagime të shumta dhe tentime për ta censuruar. Këtë e kam parë edhe nga një intervistë që kam dhënë në Mal të Zi. Nisur nga kjo situatë, jam hedhur bashkë me bashkëpunëtorët e mi për t'i dhënë të drejtën këngës që të transmetohet dhe ia kemi arritur qëllimit.


E martuar?

Jo, jo, në asnjë mënyrë, si mundet dikush të mendojë se unë martohem fshehtas, kur dihet që martesa është akti më i bukur në jetën e një femre. Unë e di që tendenca për ta denigruar një artist ka ekzituar gjithnjë te ne, si edhe në gjithë botën, por, kur është fjala për martesën time, në momentin që do të martohem, do ta marrë vesh krejt bota.

Në politikë?

Unë s'kam kurrfarë ambiciesh politike, edhe ky ka qenë trill i një gazetari të caktuar, e as parti s'ka nga unë, s'kam qenë kurrë përkrahëse e politikave, e as e partive, jam përkrahëse e një ideologjie, e cila ka lindur dhe jeton me mua derisa të vdes. Prandaj, politikanët s'kanë nevojë as të gëzohen e as të hidhërohen, sepse unë nuk do të jem kurrë në politikë.

No comments: