Monday, July 12, 2010

Tanket dhe helikopterët e Gardës së Republikës, do të shiten për skrap

Vendimi/ Garda e Republikës asgjëson armatimet, pajiset me mjete të reja

Garda e Republikës së Shqipërisë ka nxjerrë nga përdorimi të gjithë helikopterët, tanket dhe transportuesit e blinduar me zinxhirë, pasi kanë mbushur aftin e caktuar të përdorimit. Me vendim të Këshillit të Ministrave, këto mjete të cilat janë ende në gjendje pune janë nxjerrë në shitje, kurse ato që nuk funksionojnë më, do të shiten për skrap. Gjithashtu, vendimi në fjalë përcakton pajisjen e Gardës së Republikës me mjete të reja armatimi dhe mjete teknike të posaçme. Vendimi është vënë në zbatim, pasi është botuar në Fletoren Zyrtare.
Shitja
Anëtarësimi në NATO ka detyruar qeverinë shqiptare që të jetë mjaft e kujdesshme në zbatimin e dispozitave që imponohen nga kjo organizatë. Kështu, të gjitha mjetet e armatimit, që kanë kaluar afatet e përdorimit, të cilat janë caktuar nga 30 deri në 35 vjet, do të asgjësohen ose do të shiten për skrap. Vendimi është marrë nga Këshilli i Ministrave dhe është botuare në Fletoren Zyrtare, kështu që rrjedhimisht ka nisur vënia e tij në zbatim. Pika katër e këtij vendimi përcakton se “Mjetet teknike të posaçme, specifike, të përfshira në pikën 3 të këtij vendimi, që hiqen nga përdorimi në Gardën e Republikës, pas përfundimit të afateve të përdorimit sipas përcaktimit në tabelën nr.5, që i bashkëlidhet këtij vendimi, por që kanë vlera përdoruese në gjendjen që janë, lejohen të shiten, sipas legjislacionit në fuqi. Ndërsa ato që nuk kanë vlera përdoruese lejohen t’u nënshtrohen procedurave të asgjësimit, demilitarizimit dhe tjetërsimit të pronës shtetërore, nga ndërmarrje shtetërore të specializuara në kryerjen e proceseve të tilla, në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, sipas legjislacionit në fuqi”.
Vendimi
Vendimi përcakton mjetet që do të dalin në shitje dhe arsyen, pasi kanë mbushur afatin e përdorimit. Gjithashtu në vendim thuhet se Garda e Republikës do të pajiset me mjete të reja të armatimit, të cilat do të zëvendësojnë mjetet që dalin jashtë përdorimit. Sipas vendimit “Të ardhurat, që do të realizohen nga shitjet, sipas pikës 4 të këtij vendimi, do të derdhen në llogarinë buxhetore, të ardhura nga institucionet buxhetore në bankat e nivelit të dytë, dhe përdoren sipas udhëzimit të përbashkët të Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Brendshme “Për krijimin dhe administrimin e të ardhurave që krijojnë institucionet e Ministrisë së Brendshme”, nxjerrë në zbatim të vendimit nr.432, datë 28.6.2006 të Këshillit të Ministrave “Për krijimin e të ardhurave që krijojnë institucionet buxhetore”.

VENDIM
Nr.384, datë 19.5.2010

PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.830, DATË 11.12.2003 TËKËSHILLIT TË MINISTRAVE “PËR PAJISJEN E PUNONJËSVE TË GARDËS
SË REPUBLIKËS TË SHQIPËRISË ME ARMATIM DHE MJETE TEKNIKE TË
POSAÇME”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 26 të ligjit nr.8869, datë 23.5.2003
“Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Brendshëm,
Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
Në vendimin nr.830, datë 11.12.2003 të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe
ndryshime:
a) Pas pikës 1 shtohen pikat 2, 3, 4, 5, 6 dhe 7, me këtë përmbajtje:
“2. Afatet e përdorimit të armatimit dhe të mjeteve teknike të posaçme, sipas tabelave nr.1,
nr.2, nr.3 dhe nr.4, bashkëlidhur vendimit, si dhe rregullat e trajtimit të tyre pas heqjes nga
përdorimi, pas përfundimit të afatit kohor të përdorimit, përcaktohen në rregulloren, që miratohet
me urdhër të Ministrit të Brendshëm.
3. Për mjetet teknike të posaçme specifike, helikopter, evakuues (transportues) dhe
motoskaf, afatet e përdorimit përcaktohen në tabelën nr.5, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Pas
përfundimit të afateve të përdorimit, këto mjete hiqen nga përdorimi me urdhër të autoritetit
përkatës, si më poshtë vijon:
- Për helikopterët, nga Kryeministri, me propozimin e Ministrit të Brendshëm;
- Për motoskafët dhe evakuesit (transportuesit), nga Ministri i Brendshëm, me propozimin e
komandantit të Gardës.
4. Mjetet teknike të posaçme, specifike, të përfshira në pikën 3 të këtij vendimi, që hiqen
nga përdorimi në Gardën e Republikës, pas përfundimit të afateve të përdorimit sipas përcaktimit në
tabelën nr.5, që i bashkëlidhet këtij vendimi, por që kanë vlera përdoruese në gjendjen që janë,
lejohen të shiten, sipas legjislacionit në fuqi. Ndërsa ato që nuk kanë vlera përdoruese lejohen t’u
nënshtrohen procedurave të asgjësimit, demilitarizimit dhe tjetërsimit të pronës shtetërore, nga
ndërmarrje shtetërore të specializuara në kryerjen e proceseve të tilla, në varësi të Ministrisë së
Mbrojtjes, sipas legjislacionit në fuqi.
5. Të ardhurat, që do të realizohen nga shitjet, sipas pikës 4 të këtij vendimi, do të derdhen
në llogarinë buxhetore, të ardhura nga institucionet buxhetore në bankat e nivelit të dytë, dhe
përdoren sipas udhëzimit të përbashkët të Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Brendshme “Për
krijimin dhe administrimin e të ardhurave që krijojnë institucionet e Ministrisë së Brendshme”,
nxjerrë në zbatim të vendimit nr.432, datë 28.6.2006 të Këshillit të Ministrave “Për krijimin e të
ardhurave që krijojnë institucionet buxhetore”.
6. Ngarkohet Ministri i Brendshëm të nxjerrë udhëzimin përkatës për zbatimin e këtij
vendimi.
7. Ngarkohet Ministria e Brendshme dhe Garda e Republikës për zbatimin e këtij vendimi.”.
b) Pika 2 shfuqizohet.

No comments: