Spanja e shenjtë, kampionia e Europës fiton edhe Botërorin 2010!
Kupa e Botës, “Afrika e Jugut 2010”, finalja
11 korrik 2010, ora 20:30
Stadiumi “Soccer City”, Johannesburg
HOLANDA-SPANJA 0-1
Shënues: Iniesta 117’
Holanda (4-2-3-1): Stekelenburg; Van der Wiel, Heitinga, Mathijsen, Van Bronckhorst (Braafheid 105’); Van Bommel, De Jong (Van der Vaart 99’); Robben, Sneijder, Kuyt (Elia 71’); Van Persie. Trajner: Van Marwijk
Spanja (4-2-3-1): Casillas; S. Ramos, Piqué, Puyol, Capdevila; Busquets, Xabi Alonso (Fabregas 87’); Pedro (J.Navas 60’), Xavi, Iniesta; Villa (Torres 91’). Trajner: Del Bosque
Gjyqtar: Webb (Angli)
Kartonë të verdhë: Van Persie, Van Bommel, De Jong, Van Bronckhorst, Robben, Van der Wiel, Mathijsen (H) / Puyol, Xavi, S.Ramos, Capdevila, Iniesta (S)
Karton i kuq: Heitinga (H)
Campeones, campeones! Më në fund, me zhvillimin e ndeshjes së 64-të të Kupës së Botës “Afrika e Jugut 2010”, ka ulur siparin edhe Botërori i 19-të. Me Spanjën fituese, “klimaksi“ i evenimentit më të madh sportiv të planetit ka përzgjedhur më të mirin, të dale nga një finale, luajtur në emër të dy prej superfuqive dhe shkollave të mëdha të futbollit. Dueli i zhvilluar në stadiumin “Soccer City” ka vënë përballë njëri-tjetrit mjeshtrit më të mëdhenj të globit: trurin e Shnaijder përballë elegancës së Ksavit, kreativitetin e Iniestas, kundër vendosmërisë dhe shpejtësisë së Robben. E gjitha kjo nën logon e finales së madhe të Johannesburgut, që mban datën 11 korrik 2010, orarin e nisjes së saj, 20:30. Ndeshje që ka zgjatur përtej kohës së rregullt, prej 90 minutash, pasi i janë dashur dy shtesa nga 15 minuta secila, por që mund të “prekte” edhe penalltitë. Nëse minuta e 117-të nuk do të përcaktonte gjithcka, në favor të Spanjës, që lumturon kombin e saj, tifozët e vet, ndërkohë që kthen në “ferr” pritshmëritë e portokallinjve.
Spanja është kampionia e re e Botës. Titull që ia ka shtuar atij të fituar në vitin 2008, si kampione e Europës. Duke vendosur diktatin në futbollin e tërë globit, falë talenteve të saj, falë një qarkullimi të topit si askush tjetër, me plot meritë. Të kuqtë luajtën kundër portokallinjve. Në plan të parë dukej si një sfidë që do të “çmendte” daltonikët, por në të vërtetë ishte një sfidë që vlejti historinë, jo vetëm Botërorin 2010. Sepse Spanja, për herë të parë në historinë e vet, ngre titullin e kampionit të Botës. Titullin e 19-të, në historinë e këtij trofeu madhor për kombet në futboll. Ka triumfuar Spanja, por ka triumfuar edhe Oktapodi Paul, që ka vulosur me sukses të plotë parashikimet e tij. Ndërkohë, parashikuesit e tjerë kanë ndenjur duarkryq deri në minutën e 117-të, kur të gjithë dukej se ishin bërë gati për penalltitë. Një finale e mbushur me kartonë të verdhë dhe një të kuq, të cilën askush nuk mundi ta parashikonte deri kur Iniesta i dërgoi iberikët në qiellin e shtatë, me atë gol, që vlejti Botërorin 2010.
Spanja e ngriti trofeun e kampionit të Botës, pasi “vrau” ekipin më të bukur të këtij Botërori, Gjermaninë, ndërsa holandezët vinin në këtë finale të tretë në historinë e tyre, falë fitores rrokamboleske që i morën Brazilit në çerekfinale, pa llogaritur Uruguajin në gjysmëfinale. Me shpresa të mëdha, se do të ishte finalja “e tretë e vërtetë“. Por nuk ndodhi kështu, sepse spanjollët, me futbollin e tyre të bukur, spektakolar, unik në këtë Botëror, e dërguan trofeun në Madrid, duke qenë për 4 vitet e ardhshme mbretërit e botës. Holanda, edhe në finale, si tërë këtë Botëror, luajti me skemën 4-2-3-1, pra vetëm me një sulmues dhe tre mesfushorë që organizonin sulmin, por edhe kryenin detyra mbrojtëse. Holanda e Marvijkut, me De Jong e Van Bommel, u mundua shumë të mbulonte pasiguritë e mbrojtjes portokalli, por edhe të neutralizonin mesfushën dehëse dhe trullosëse për këdo kundërshtar të Spanjës. Ia arritën deri diku, edhe duke përdorur ndërhyrjet e rënda, por ndëshkimi me kartonë të verdhë duket se i frenoi më pas, ndaj dyshja iberike, Ksavi-Iniesta, e mbajtën nën presion konstant Holandën. Derisa edhe shënuan në portën e Stekelenburgut, pasi kishin humbur më parë dy-tri raste të arta për gol. Gjë që e kishin bërë edhe holandëzët më parë, sidomos në rastin e Robbenit, që i vetëm me Iker Kasijas, nuk ka realizuar dot. Kjo, edhe për meritë të portierit spanjoll, që me këmbë ka evituar një gol thuajse 100 përqind të sigurtë. Holanda, në fazën pas grupeve, ka zhvilluar vetëm një ndeshje të fortë, cerekfinalen me Brazilin, ndërsa Spanja u takua me Gjermaninë në gjysmëfinale. Holanda deri në ndeshjen finale të Botërorit i kishte fituar të gjitha takimet e saj, ndërsa Spanja ishte mundur në ndeshjen e parë në Afrikën e Jugut, me Zvicrën.
Në Europianin 2008, Spanja arriti që të mundte skuadrat kundërshtare me diferencë të lartë golash (një gjë të tillë nuk e bëri vetëm në finale, kur mundi Gjermaninë 1-0). Ndërkohë, në këtë Botëror ekipi iberik ka bërë të kundërtën, në 1/8 finale mundi Portugalinë 1-0 dhe po me këtë rezultat më pas mposhti edhe Paraguajin e Gjermaninë, respektivisht në çerekfinale dhe gjysmëfinale. Paska qenë e shkruar që po me të njëjtin rezultat, 1-0, të mundnin në finale edhe Holandën dhe të shpalleshin kampionë të Botës. Në mënyrë të vecantë, lojtarët spanjollë e gjenin njëri-tjetrin në fushën e blertë me sy mbyllur dhe arritën që t’u fshihnin topin kundërshtarëve të tyre. Ndaj, përvoja tregonte se e vetmja mundësi që kishte Holanda për të fituar finalen e madhe, ishte që djemtë e Van Marvijk duhet të bënin presing, pasi vetëm kështu mund t’i mbanin larg zonës së tyre spanjollët. Por nuk ia dolën mbanë, sepse Del Bosque kishte ndërtuar një mënyrë të tillë loje, falë së cilës Shnajder nuk u duk fare në fushë, Roben lëvizte në boshësi, pa krijuar shumë rrezikshmëri në prapavijën spanjolle, ndërsa maja e sulmit portokalli, Van Persie, mbeti tërë kohën në hije. Kësisoji, në mënyrë logjike, sikurse u zhvillua ndeshja, edhe pse Holanda pati rastet e veta, gjithsesi sporadike, Spanja fitoi titullin e kampionit të Botës, duke iu bashkuar Gjermanisë Perëndimore (të 1954-s dhe 1974-s) dhe Argjentinës (në 1978), përfaqësuese këto që kanë fituar Kupën e Botës, duke pësuar vetëm një humbje në rrugëtimet përkatëse. Botërori i luajtur nga 11 qershori deri më 11 korrik në Afrikën e Jugut vendosi për herë të parë një referencë historike, sepse për herë të parë, një skuadër europiane mbretëroi si kampione e Botës jashtë kontinentit plakë, pikërisht në Afrikë. Ndërkohë që një tjetër fakt e bën special këtë finale, sepse Spanja (ashtu si edhe Hlanda, po të fitonte) shijoi për herë të patë triumfin në Kupën e Botës. Holanda, duhet thënë se ka më shumë përvojë në kësi ndeshjesh, pasi ka qenë dy herë në finale (1974 dhe 1978), ndërkohë që “furitë e kuqe” janë kualifikuar për herë të parë në një finale, ku edhe triumfoi, në të kundërt të portokallinjve, që pësojnë zhgënjimin e tretë. Vec këtij Botërori 2010, Spanja ka fituar edhe dy tituj të kampionit të Europës, më 1964 dhe 2008, ndërkohë që Holanda ka fituar vetëm një titull europiani, më 1988. Pas këtyre dy triumfeve, historia fliste për talente të mëdha, që s’kishin fituar trofeun më të madh, Kupën e Botës. Por Spanja e ka prishur tashmë këtë “agjërim”, duke bërë “bis” benda dy vitesh, me dy tituj madhor, si kampione e Europës, më 2208, dhe si kampione e Botës, më 2010.
Spanja, në këtë ndeshje, ashtu si gjithmonë në fakt, ka pasur tepër posedim topi, por pak efektivitet në konkludim. Kjo e finales, si edhe në ndeshjet e tjera të këtij Botërori, mund të quhet me plot gojën “Barcelona e përforcuar me katër lojtarë”, ku Kasvi është fenomenal, i papërsëritshëm, unikal në Botë, me zotërimin, përpunimin, qarkullimin e topit, si dhe frymëmarrjen që i jep lojës së Spanjës. Legjenda gjermane Franz Beckenbauer, pas eliminimit të kombëtares së tij në gjysmëfinale nga “furia e kuqe“, i pyetur në cilësinë e analistit televiziv, se çfarë mendonte për lojën e Spanjës, tha se kombëtarja iberike luan futboll të bezdisshëm, por e bën këtë duke e mbajtur topin mjeshtërisht. Më shumë se gjithcka tjetër, pikërisht ky është shkaku, pse Spanja arriti deri këtu, duke fituar titullin e kampionit të Botës. Spanja, si ekipi që pasoi më së shumti në këtë kampionat, e pati këtë element si faktorin kyç, në momentet shumë kyçe.
Rezultatet e fundit të kombëtares së Spanjës:
16 Qershor, Spanjë – Zvicër 0-1
17 Qershor, Spanjë – Hondruars 2-0
25 Qershor, Kili – Spanjë 1-2
29 Qershor, Spanjë – Portugali 1-0
3 Korrik, Paraguai – Spanjë 0-1
7 Korrik, Gjermani – Spanjë 0-1
11 Korrik, Spanjë-Holandë 1-0
Spanja luan futboll me një sistem mjaft stabël në mesfushë. Ky repart ishte dhe më i forti në kombëtaren e drejtuar nga Vicente del Bosque. Spanja kishte një strukturë mjaft të organizuar të radhëve të veta në fushë, që si pasojë kishte vendosjen e mirë të ekuilibrave në të gjitha repartet, me dominim të tyre. Spanja ishte një skuadër, që aplikoi lojën e saj horizontale, tërheqjen e kundërshtarit dhe goditjen e tij pas shpine, me anë të pasimeve vrasëse të mesfushorëve gjenialë të saj. David Villa përmendet si futbollisti kyç i Spanjës për në finale me Holandën, për shkak të pesë golave të shënuar. Por, në fakt, e gjithë barra binte mbi Ksavin, që kishte për detyrë të vinte në punë gjithë mekanizmin e mesfushës dhe të mbante në funksionim një makinë të tërë, duke filluar që nga portieri, e duke mbaruar me sulmuesit, të cilët mbeteshin përgjegjës për efikasitetin.
Nga ana e saj, Holanda ishte ekipi me rendimentin më të lartë të punës, me shpenzimin më të vogël të energjisë, me një saktësi pothuajse të paparë më parë dhe me fatin e madh, të shoqëruar me qëndrueshmëri, deri në këtë fazë të garës, prandaj ishte finalisti i dytë i këtij Botërori, Holanda ishte në kërkim të trofeut të parë, ashtu si edhe Spanja, por gjithashtu ishte në kërkim që të bënte atë që nuk e bënë legjendat, si Cruyff dhe Van Basten me shokë, të cilët nuk arritën t’ia japin shkollës më të madhe të futbollit titullin e më të mirit të botës. Holanda nuk donte t’ia dinte për humbje prej më se dy vitesh. Dhe kjo për shkak të trajnerit Bert van Marvijk, që i kishte dhënë një karakter dhe dimension tjetër kësaj përfaqësueseje. Van Marvijk e ka ditur se këtij ekipi i mungonte përqendrimi në mbrojtje në momentet e caktuara dhe me ndryshoi shumë gjëra në këtë repart. Holanda kishte shumë potencial në sulm, por kishte potencial edhe për një mesfushë të hekurt dhe mbrojtje tejet të qëndrueshme. Pak spektakël, shumë stabilitet dhe sukses i garantuar. Deri në finale, ku u mundua ta përballonte me sukses Spanjën. Ia arriti deri në njëfarë mase, por jo aq sa ta dërgonte titullin e kampionit të Botës në Amsterdam.
Rezultatet e fundit të kombëtares së Holandës:
14 Qershor, Holandë - Danimarkë 2-0
19 Qershor, Holandë – Japoni 1-0
24 Qershor, Kamerun – Holandë 1-2
28 Qershor, Holandë – Sllovaki 2-1
2 Korrik, Holandë – Brazil 2-1
6 Korrik, Uruguai – Holandë 2-3
11 Korrik, Spanjë-Holandë 0-1
Kur flasim për Holandën, menjëherë na bie ndërmend Brazili. Holanda ka arritur të eliminojë kombëtaren me mbrojtjen më të fuqishme, që në përbërje kishte mbrojtësit më të fortë në botë aktualisht. Megjithatë, edhe Holanda kishte kampionë në gjirin e vet. Uesley Shneijder ka qenë në një formë fantastike gjatë Botërorit, ka shënuar 5 gola, ishte fondamental për ekipin, në shtrirjen e lojës dhe ekzekutimin e futbollit tipik holandez, por nuk dha atë që pritej në finale ndaj Spanjës. Ndoshta iberikët kishin gjetur celësin e duhur për ta neutralizuar këtë lojtar, trurin e gjithë lojës portokalli. Në fakt, në këtë Botëror, ky ishte sulmuesi i vërtetë i Holandës; nuk kishte tjetër. Van Persie nuk la asnjë shenjë në Afrikën e Jugut, zhvilloi një Botëror për t’u harruar në aspektin personal. Lojtari holandez, më shqetësues për Spanjën në finale, ishte Arjen Robben, që me prepotencën, shpejtësinë, aktrim-driblimin dhe egoizmin e tij e ndihmoi kombëtaren e tij deri këtu, por do të mbahet mend gjithashtu edhe si “mëkatari“ i saj, sepse pati rastin e artë në këmbët e veta për ta dërguar titullin në Holandë. Nëse do ta kishte konkretizuar në gol atë rast, i vetëm me portierin iberik, Kasijas.
Palmaresi, kampionët e botës
1930 Uruguai
1934 Italia
1938 Italia
1950 Uruguai
1954 Gjermania
1958 Brazili
1962 Brazili
1966 Anglia
1970 Brazili
1974 Gjermania
1978 Argjentina
1982 Italia
1986 Argjentina
1990 Gjermania
1994 Brazili
1998 Franca
2002 Brazili
2006 Italia
2010 Spanja
No comments:
Post a Comment